Tuesday, November 14, 2017

Dorian Nini më dhuroi dy këngë, e treta mbeti e pashkruar

Enxhi Nini, violinistja e njohur shqiptare: Puna ime në dy orkestrat më të mëdha të Italisë. Bashkë me Inva Mulën luajtëm në skenën “Rigoleton”, me Josif Gjipalin interpretuam në Egjipt




nga Leonard Veizi

Nuk ka dilema. Aty është pika më nevralgjike e botës së muzikës klasike a ndoshta qendra e gjithçkaje që vërtitet rreth saj. Ndërsa ajo e nisur pikërisht nga Shqipëria mbërrin aty. Rrugë e gjatë... Dhe për më tepër nuk e shoqëruan njerëz artificë që ta mbanin me hatër e t’i jepnin lavde për lavdi të pakuptimtë. Aty ku ajo shënoi emrin në pritjen e ankthshme gjithçka ndahej nga gabimi i mundshëm i një gjysmë note akustike. Askush s’të falte dhe sikur të mbaje në pasaportë simbolet e një familje papnore a perandorake. E pas fitores mbi këtë ‘terror spartan’, ajo, po aq elegante sa dhe imazhi që përcjell nga ekrani, thotë se ishte shkolla shqiptare e violinës që i transmetoi të dhënat teknike, të cilat e bënë të kapërcente më pas pengesat e ‘lartësisë së epërme’. Dhe vetëm kështu, e sigurt, mes shkallëve të panumërta në ngjitje, mbërriti pikërisht atje..., ku Belini dhe “Casta diva” e munguar i dhanë jetë “Norma”-s ndërsa “Nabuco” ringriti Verdin pas një dështimi të pashpresë. Është “La Scala”...

Enxhi e Dorian Nini
... Gjatë një interviste ekskluzive për gazetën “Shekulli”, violinistja e njohur shqiptare Enxhi Nini rrëfen për jetën e saj artistike në skenat e mëdha të botës perëndimore:
Prej vitesh jeni rezidente në Itali, ku jetoni aktualisht?
Në këtë periudhe jetoj në qytetin e vogël Piacenza por meqenëse dy vite më parë fitova konkursin në orkestrën e RAI-t një pjesë të mirë të kohës e kam kaluar në Torino. Të Tiranë kam mbaruar Liceun Artistik. Ndërsa më pas studimet i përfundova në Konservatorin e Romës, ku dhe jam diplomuar. Më pas u transferova në Milano sepse pata mundësinë të bëja një audicion.
Ndiheni e huaj tashmë...?
Vetë fjala e huaj merr më shumë kuptim kur je larg vendit tënd dhe vetëm duke jetuar mund të kuptohet. Është e vështirë, për disa më shumë e për disa më pak. Përveç kohës që duhet të ambientohesh me mentalitetin duhet të tregosh veten për atë që vlen, dhe për fat të keq të huajt në përgjithësi janë të paragjykuar. Por kjo ndjehet shume më pak në ambientin artistik.
Një përvojë në La Scala... patët ndonjë rekomandim apo dikë që ju ndihmoi?
Them që për të arritur deri aty më janë dashur vite e vite punë. Nuk mund të futeshe në “La Scala” apo në çdo orkestër tjetër të Italisë, as me miq dhe as duke menduar thjesht “unë i bie violinës”. Fiton ai që ka të dhënat për të qenë pjesë e orkestrës. Natyrisht, duhet një përgatitje e gjatë, prej vitesh. Duhet të studiosh shumë. Ka qenë nxitje për faktin sepse vlerësimi i mirë të jep kurajë për të ecur përpara. Audicioni i parë ku mora pjesë ishte viti 2002. Unë jetoja në Romë dhe ishte hera e parë që udhëtoja për Milano. Ishte një audicion ndërkombëtar dhe, kushdo mund të paraqitej. Mjaftonte të bëje kërkesë për pjesëmarrje dhe mund të luaje përpara një komisioni. Në të gjithë botën artistit i jepet mundësia të tregoj aftësitë e veta dhe nëse je i zoti i përgatitur në maksimum nuk ke nevoje për asnjë rekomandim. Në këto 10 vite u desh të bëja disa prova të tjera për të vazhduar bashkëpunimin dhe nuk ka qenë aspak e thjeshte por një eksperiencë e paharrueshme.
Enxhi Nini dhe Violeta Gjoka
Ndërkohë, ju konkurruat për në orkestrën e RAI-t?
E vërtetë është. Konkurrova në orkestrën e RAI-t ku dhe fitova fatmirësisht. Pra unë kam hyrë me konkurs. Diferenca nga audicioni në konkurs janë gjëra teknike, por të rëndësishme. Audicioni është për të thithur bashkëpunëtorë ndërsa konkursi për vend punë përfundimtare. Atje ishin regjistruar gati 300 persona, por u paraqitën 130 prej tyre.
Kishte dhe shqiptarë të tjerë që konkurronin?
Përveç italianëve kishte edhe të huaj, por edhe shqiptarë mbase. Të them të drejtën përpara një konkursi je e përfshirë nga emocionet dhe preokupimet e nuk ke kohë të shohësh se kush merr pjese. Aq me tepër që ky konkurs u zhvillua në ditë të ndryshme. Por në konkurse të tjera jam ndeshur dhe me shqiptarë të cilët i kisha njohur në okazione të tjera pune. Ndërkohë shqiptarët kanë qenë dhe janë të pranishëm vazhdimisht dhe në “La Scala”.
Në orkestrat e mëdha italiane ka shqiptarë të tjerë?
Patjetër që ka. Ka dhe shqiptarë të tjerë instrumentiste e unë njoh disa prej tyre, ndërsa për sa i përket sopranove apo tenorëve ata punojnë me kontrata të shkurtra nuk janë definitive në një teatër. Ndërsa në korin e teatrit te La Scala-s këndon një djalë shqiptar me të cilin kemi qenë në shkollë që në fëmijëri në Tiranë
Duket se shkolla shqiptare e muzikës është në nivele të mira?
Është e vërtetë, ne e kemi shume të fortë shkollën e muzikës. Me shkollën e violinës kemi ecur goxha, por edhe kantoja nga ana tjetër. Fakti që muzikantët apo këngëtarët shqiptarë janë kudo ndër të mirët në botë e konfirmon këtë. Megjithatë, nuk duhet vetëm shkolla e fortë, por edhe përshtatja e mënyrës së të rënit. Të mësosh diçka më shumë për orkestrën, për Muzikën e Dhomës. Shkolla shqiptare si bazë ka teknikën. Pasi ke përvetësuar atë, me vitet njeriu piqet edhe muzikalisht. Di diçka më shumë.
Keni lëvizur në orkestra të tjera në Evropës për të dhënë koncerte?
Kemi lëvizur me grupet nga Italia. Me një orkestër që unë punoj vazhdimisht. Po kam bashkëpunuar me shumë orkestra, po një bashkëpunim të gjatë, që fillon prej vitit 2003, e kam pasur dhe kam akoma me orkestrën simfonike të Radio Televizionit të Luganos në Zvicer. Por kam punuar njëkohësisht dhe me “Santa Cecilian” në Romë. Dhe aty kam qenë pjesëmarrëse në një konkurs, ku kam mbërritur deri në finale, por nuk munda të marr vendin fiks.
Spektatori shqiptar ju mban mend edhe si këngëtare. A keni dëshirë të merrni pjesë në një tjetër festival, pra të riktheheni?
Do të kisha shumë dëshirë por asnjëherë nuk gjej kohë për ta realizuar, shumë vështirë të mbash shumë impenjime në të njëjtën kohë. Më duhet të kombinoj punën në Itali. Shpeshherë nuk kam dashur të prish punën atje e për t’u kthyer e për të kënduar një këngë festivali. Pastaj një këngë të mirë është dhe e vështirë ta gjesh, sepse duhet të përshtatet me natyrën dhe zërin e këngëtarit. Unë gjithmonë e kam pasur problem këtë, sepse të them të vërtetën kam kënduar, por asnjëherë një këngë që e kam zgjedhur vetë dhe që të më këtë pëlqyer paraprakisht. Zakonisht, mbeteshin këngët nga njëri te tjetri dhe për mua mbetej njëra, që unë mundej ta këndoja si mundesha. Pa iu përshtatur Enxhit apo sepse i pëlqente Enxhit.
Ndonjë recital do t’u pëlqente ta keni në axhendë?
Do më pëlqente vërtet. Ne kemi një trio në Itali, ku i biem shpesh bashkë. Por ka disa probleme financiare. Sepse nëse kjo orkestër e vogël vjen në Shqipëri, nuk vjen për përfitim. Dhe natyrisht, që ky aktivitet e do një sponsor që të merret me lehtësimin e kushteve. Në qoftë se, dikush na e mundëson do më pëlqente të vija të luaja muzikë dhome. Në këtë fushë e ndjej veten dhe më mirë.
Jeta juaj në aspektin personal?
Në aspektin personal mund të them që jam e lumtur, kam një vajzë Mia-n, me njeriun tim të zemrës që është një italian. Nuk do te doja te flisja shumë se kaq.
Plan për t’u kthyer përfundimisht në Tiranë?
“Mai dire mai”, thotë italiani. Jetës nuk i dihet asnjëherë. Megjithatë, mendoj se e kam ndërtuar jetën në Itali tashmë. Me sakrificë e kam mundësuar lejen e qëndrimit. Por, natyrisht, edhe në Shqipëri nuk mungoj. Vij shumë shpesh. E megjithëse nuk shoh asnjë perspektivë për t’u kthyer përfundimisht në Tiranë, ndonjëherë jeta është plot me surpriza.

Inva Mula në Parma
“Në fillim do takoj shqiptarët pastaj të huajt”
Në kujtesën e largët vjen Tedi Papavrami, por dhe Klodjana Skënderi e Arben Spahiu. Më pas do të ishte Enxhi Nini që do të kishte po aq shkëlqim. Të gjithë do të zinin vende të rëndësishme në orkestrat e mëdha evropiane të muzikë simfonike. Ndërkaq, Europa do të njihte në skenat e saj dhe këngëtarët lirikë të “importuar” nga Shqipëria. Duke folur për bashkëpunimet e saj me disa prej tyre Enxhi Nini thotë: “Ka rastisur të jemi në të njëjtën skenë me sopranon me famë botërore tashmë, Inva Mula. Luhej opera “Rigoleto” e Xhuzepe Verdit, disa vite më parë. E kam takuar, edhe në Parma në një koncert. Më kujtohet që ajo u tregua shumë e sjellshme. U fut midis orkestrantëve dhe tha: “Unë dua të shikoj njëherë shqiptarët e t’i takoj, pastaj të respektoj të huajt e tjerë”. Por dihet se në këto raste ka shumë njerëz kur mbaron opera ata dhe vrapojnë të gjithë për ta takuar”.

Me Josif Gjipalin në Egjipt
Italianët thonë: “Na mbytët ju shqiptarët”
Disa prej tyre janë bërë të famshëm në të gjithë botën. Lëvizin nëpër turne, ku rastis jo rrallë të bashkëpunojnë me po të njëjtët njerëz, si të ishin pjesë e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, këtu në Tiranë. Duke folur për këto bashkëpunime, Enxhi Nini thotë: “Kam pasur mundësinë të bashkëpunoj edhe me emra të tjerë të njohur shqiptarësh të njohur në skenat e botës si për shembull me Josif Gjipalin. Kemi bërë një koncert bashkë në Egjipt. Atje e kam njohur. U prezantuam të dy si shqiptarë, në të njëjtën trupë, plus që kjo merr më shumë vlerë kur janë solistë dhe me famë në të gjithë botën. Unë isha pjesë e orkestrës dhe ai këndonte në skenë. Sa herë kemi raste të tilla u themi kolegëve tanë italianë: Ah, e shikon atë, (ai, apo ajo) është shqiptar. Dhe italianët me shaka na thonë: “Na vdiqët ju shqiptarët, na mbytët”.


Këndova dy kompozime të babait tim, Dorian Nini
Dorian Nini, një kompozitor i talentuar, por me një fat të trishtë pas Festivalit të 11 në RTSH, është edhe babai i të talentuarës gjithashtu Enxhi Nini. E pyetur rreth bashkëpunimeve me të ajo thotë: “Unë kam kënduar dy këngë të babit dhe një të tretë të cilën nuk mundëm ta realizonim plotësisht. Bashkëpunimi i fundit qe po aq i bukur por tanimë dhe i dhimbshëm. Mundësia që na dha Pandi Laço në emisioni e tij “Histori me Zhurmues” qe si një dhuratë për ne. Na dukej të kishim këtë kujtim të bukur dhe emocionohem kur kujtoj kohën qe kemi kaluar bashkë në ato ditë përgatitjesh për emision. Ishte bashkëpunimi i parë serioz me babain. Mendova se do të ishte fillimi i një udhëtimi të gjatë, sikur çdo gjë po rilindte, por asnjëherë se dimë se ç’na pret në të ardhmen. Ai u nda nga jeta dhe shumë gjëra mbetën përgjysmë”.

Me orkestrën e “La Scala”-s, turne në gjysmën e Botës
“Kam marrë diplomë, gjithashtu edhe në Muzikën e Dhomës. Pas diplomës kam punuar dy vite në orkestrën rajonale në Romë. Më pas mora pjesë në një audicion ndërkombëtar në orkestrën filarmonike të La Scala-s, ku dola e dyta. Ndërkohë, punoj edhe në Orkestrën e Zvicrës Italiane, Radio Zvicera. Plus kësaj, kam bërë edhe muzikë të lehtë. Kam bashkëpunuar me shumë këngëtarë të famshëm italianë, duke filluar me Renato Zeron, e duke e mbyllur me Gigi D’Alession, gjithashtu, kam bashkëpunuar në mjaft emisione televizive në Rai e Mediaset e TMC TV. Puna në orkestra të rëndësishme e të famshme më ka dhënë mundësinë të ngrihem shumë profesionalisht e, për më tepër, kam pasur mundësinë të shikoj botën. Me orkestrën “La Scala” kemi bërë shumë turne. Kam qenë në shumë vende, në Meksikë, Japoni, Kinë, Egjipt, Siri pa përmendur këtu koncertet në teatrot e sallat më të njohura në Europë. Orkestra “La Skala” është një orkestër me traditë të konsoliduar dhe jo çdo orkestër ka mundësitë e saj. Kam qenë një vit në Spanjë, sepse fitova një konkurs në një orkestër spanjolle. Një eksperiencë e re për mua, në një vend që nuk e njihja”.

Botuar në gazetën SHEKULLI më 17. 02. 2013 



No comments:

Post a Comment