Sunday, July 28, 2019

Në luftë për divorc, me duhanin dhe... facebookun


Nga Leonard Veizi

Kam vendosur të ndahem nga facebook-u, por deri tani as avokat nuk kam gjetur dhe as ndonjë rrugë tjetër që mund të ma bëjë këtë nder. Edhe po ta thyej celularin, edhe po të mos abonohem më tek kompania e internetit, edhe po të...
...facebook-u do të jetë aty, në kompjuterin portativ, tek televizori dhe padyshim tek telefoni i xhepit, çka është më e rëndësishmja.
Dhe kjo po më merr jetën, po më merr kohën më të çmuar, atë që me thënë të vërtetën, nuk e kam më me aq shumicë sa mendoja se e kisha e mund ta çoja dëm, vite të shkuara.
Tanimë po çoj dëm ditët më produktive.
Kur flas në vetën e parë, mendoj se them një mendim edhe të shumicës absolute të të gjithëve Ju që u ka ardhur në majë të hundës jeta virtuale e përtej ekranit. Por gjithsesi për marrëveshje fjale, po nisem nga vetja për t’i vënë më pas një zero tjetër, njëmijë zero të tjera,... një milion.

***
Dhjetë vjet më parë, pranverën e vitit 2009, një kolegu im gazetar, me të cilin punonim në të njëjtin front, më njohu me “facebook-un”. Asokohe m’u duk një idiotësi e madhe. Më pëlqente teknologjia, por jo aq sa të lija mend pas saj.
-Ç’më ngatërron më këto budallallëqe, - i them me nënçmim dhe nuk ia vara më tej.
Por pas këmbënguljes së kolegut, i cili dhe më ndihmoi teknikisht të kisha në posedim një faqe të tillë elektronike, u bëra me facebook.
-Ja kjo është faqja jote, komunikon me miqtë dhe i bën reklamë punës tënde, - ma bëri prezantimin fillestar kolegu im. - Dhe mos harro se ty të duhet më shumë se ne...
-Epo duhet ta festojmë, - i them, duke kërkuar kuletën nëpër xhepa.
-E meritojmë, - më thotë kolegu, duke e cilësuar në këtë mënyrë si një projekt të përbashkët, facebook-un tim personal.
Gjetëm një mejhane dhe ia shtruam me birra, qofte e xaxiq. Tek kriko e dytë kolegu më sqaroi se përveç profesionit, me një gradë sa më të lartë, (fjala vjen: gazetar investigativ dhe shkrimtar horrori), në kuadratin e fotos duhej vënë një pozë sa më e mirë, që të tregonte ose inteligjencë të theksuar, ose të paktën muskujt dhe një portret potent prej “maço”-je. Ndërsa seksi dhe pozat me bikini në tualet mbeteshin për femrat.
-Bo, bo, - u tromaksa unë, - po mua që s’më kap fotografia hiç.
-Sa e vret mendjen, - më qetësoi ai, - fotografi i redaksisë përse është!
Pas nja 40 shkrepjesh, u vendos që njëra prej pozave i afrohej konceptit, diçka me pamje inteligjente e ca i fryrë nga busti gjë që tregonte se vite më parë isha stërvitur fort me hekura.
-Tani, fillojnë e vijnë kërkesat për shoqëri, - më tha kolegu, - veç kujdes nga të panjohurit, sidomos femrat.
Dhe e vërteta ishte ashtu siç tha ai.
Pesë vjet më pas, çuditërisht vazhdoja të kisha të njëjtin mendim për facebook-un edhe pse me kërkesa dypalëshe, kisha arritur të kisha 5 mijë friend-sa. E cilësoja facebook-un si një çmenduri të madhe, edhe pse më kishte ndihmuar rëndshëm të publikoja pa para nja tre libra që kisha hedhur në qarkullim gjatë asaj periudhe. Epo kësaj i thonë: “kalova lumin, të dhjefsha kalin”, thosha me vete asokohe, duke menduar se isha tipik shqiptar në këtë drejtim. E kuptoja që ishte një dritare e madhe, si një ekran televiziv ku mund të flisje për 5 mijë vetat (edhe pse një pjesë e madhe mund të mos të të dëgjonin fare), dhe sërish më dukej idiotësi.
Epo këtu kishte diçka që nuk shkonte me mua, jo me facebook-un.
-Ore ku ka si facebook-u, - më thoshte  një tjetër koleg, me të cilin pesë vite më pas ndodheshim në një tjetër redaksi gazete. Ai vetë postonte dy herë në ditë, pastaj e rriti dozën me tre dhe përfundoi me pesë apo gjashtë postime në ditë.
-Është si punë droge, - më thoshte. - Më keq se duhani dhe alkooli. Madje duhanin dhe alkoolin e lë, por facebook-un nuk e lë dot.
-Kujdes nga armiqtë, - i thashë ca si me humor, - se do të të zënë pritë, aty te dera e tualetit të lokalit, se ke vendosur dhe lokacionin, jo për gjë.
-Nuk kam armiq, - ma ktheu ai qetësisht. – Sa për lokacionin që shqetësohesh zotrote, hidhi një sy celularit, për 26 minuta kam marrë 82 like.
Shqeva sytë. 82 like unë nuk kisha marrë as për romanin që e cilësoja si më të mirin të shkruar prej vetes.
-Kjo do të thotë se njerëzit janë të kënaqur kur ti ulesh në WC...
-E lëre atë muhabet...
Tanimë, 10 vite më pas, facebooku çuditërisht më duket po aq idiotësi sa dhe 10 vite më parë, veç se në këtë rast ai thjesht më është bërë ves. Ngrihem në mëngjes dhe i hedh një sy të shpejtë axhanseve. E di që portalet thotë të gjitha idiotësitë e mundshme, sepse dhe vetë kam qenë pjesë e të njëjtës linjë, dhe sërish nuk mund të qëndroj indiferent përballë titujve bombastikë, që kanë të bëjnë me jetën intime të VIP-ave, me brekët dhe sutjenat e artisteve dhe flirtet yndyrore të njerëzve të skenës. Të gjitha thashethemet e mundshme i ke në facebook. Madje për këtë çështje ca vite më parë kam shkruar një tjetër refleksion nën titullin: “Facebooku, kjo agjenci gjigante për shpallje dasmash, vdekjesh e aheng synetllëku”. Rikthimi tek e njëjta temë më bën të kem një shpresë të vakët se themeluesi Zuckerberg, në inat e sipër do ma mbylli fare dritaren e facebook. “Sikter, - do të thotë, - me këtë armik të facebook-ut”. Dhe po u bë kjo, e meriton atë shprehjen tonë popullore: Pushka, top.
Se, pas kaq vitesh, më është bërë facebook-u qëllim në vetvete. Shkoj të pi kafenë, dhe fillimisht kërkoj password-in e linjës së internetit me qëllim që të jem online dhe të mos më shpëtojë gjë prej gjëje. Problem i madh po u bë një javë e s’kam postuar gjë, dhe më duhet të mendoj se ku duhet ta bëj pozën e radhës për t’u treguar pak virtual e ca fotozhenik. Pas fotove të panumërta, tani i kam marrë dorën, jam i suksesshëm që me shkrepjen e parë. Dhe sa për postimet nuk kam nevojë të përdor PC-në, i kaloj drejt e nga aparati i telefonit portativ.
E meqë 10 vitet e facebook-ut i lashë pas, tani kam filluar të mendoj seriozisht për divorc. Duhet të lë duhanin, që për dreq e nisa ca si vonë, por duhet të lë dhe facebook-un, që dhe atë me vonesë e nisa po për dreq.

***
Ja ky është tmerri im sot, si të shpëtoj nga facebook-u, instagram-i, twitter-i, linkedin-i... etj. Ky ves, që nis sa hap sytë në mëngjes e mbyllet kur celulari na bie nga duart tek qepallat pupuliten të përgjumura në mbrëmje vonë, është më i keq se alkooli, duhani dhe hashashi bashkë me to.

botuar në:
https://americaneye.al/ne-lufte-per-divorc-me-duhanin-dhe-facebookun/

Friday, July 19, 2019

Kur zengjinët sherrosen për t’u bërë “shërbëtorë”



Nga Leonard Veizi

Ky është një trend që s’ma do mendja se ka filluar këto vitet e fundit, po ca më herët se kaq. Ndoshta vitet e fundit është rritur ca si tepër rivaliteti e konkurrenca. Dhe kjo ç’është e vërteta më ka habitur goxha thellë.
Jo vetëm në periudhat para zgjedhore, tek emisionet politike, - që për fat i kemi me shumicë, po aq sa dhe emisionet e showbiz-it, - më kanë zënë sytë e veshët se gjithfarë ish-ministrash u zgjidhet goja menjëherë pas çmobilizimit nga detyra, e atëherë, si të zgjuar nga një gjumë letargjik, thonë e çfarë nuk thonë për qeverinë. Domethënë, ia numërojnë qeverisë të gjitha të këqijat, pa u dridhur qerpiku fare.
Epo burra trima, - kam thënë gjithmonë me vete, në ato kohë dhe tani së fundmi. Se duket sikur në Shqipëri burra kanë qenë vetëm Skënderbeu, Ali Pashai, e Çerçiz Topulli. Jo ore jo, burra ka në çdo lloj kohe. Edhe tani në demokracinë liberale, ku pushkëve u është hequr shuli. Kështu që, o burra, shajeni qeverinë me ç’i mban pragu. Një herë vdes burri.
Me të drejtë në fakt, se sipas zakonit, ministrat dhe kryeministri në detyrë janë gjithmonë objekt druri e huri. Dhe, u mban a nuk u mban kurrizi, hakun do ta marrin në kundërvleftë.
Por nuk ua kam hallin këtyre. Tjetërkund më ha kandari.
Pse ndodh kjo, do pyesni ju. Ja kështu e pyeta dhe unë veten dhe rashë në të thella. Dhe të mendosh se ca kohë ia kisha marrë me gjumë, se punët më dukeshin në terezi.
Vërtet, përse kur janë në pushtet, askush nuk e hap gojën e sapo zbret nga poltroni rrotullues ia lëshojnë lumit të vrerit?
Kur ishin në karrige, ministrat nuk e hapnin tytën e të flisnin për defekte të qeverisjes, sepse me sa duket or lum miku, e kishin të zënë gojën me arritjet.
Dhe kjo metamorfozë e çuditshme, më vuri akoma më shumë në mendime.
Se ja, çështja fillon me formimin e kabinetit. Atëherë kur firmosnin si ministra të qeverisë, bënin betimin me ngazëllim të parrëfyer, se do të ishin shërbëtorë të devotshëm të popullit.
Ishin gati të qanin nga gëzimi.
Epo gjithë ky qejf i madh për të qenë shërbëtorë. Sherr ore sherr derisa formohet ai qerrata kabinet, me ministra që kanë institucione në varësi, por dhe me ata që nuk kanë fare portofol. Dhe në krye të sherrit vihen ca boss-a që i kanë paratë me thasë. Se me sa duket po u plaska xhani nga luksi e duan të lehtësohen ca nga pesha duke u bërë shërbëtorë.
Në fakt, këtu ngrihet dhe pikëpyetja më e rëndësishme ndër të tjerat me po aq rëndësi. Se njeriun nga natyra e gërryen kurioziteti.
Një pyetje tjetër që vazhdon e më ve edhe më shumë në dilemë se zakonisht, është se veç ministrave, edhe deputetë, thonë me gojën plot e ballin lart se janë shërbëtorë të popullit. Ore, po u bënë shumë shërbëtorë, meqë ra fjala. Paska vende pune boll. E me ç'shoh, paskemi dhe profesionistë.
Jo se në kohën e diktaturës, mendonim që pozicioni më i mirë ishte ai i magazinierit. Sot jo, ka dalë ai i shërbëtorit...
Mirëpo nga historia kam parasysh se askush nuk do të jetë shërbëtor, as skllav, as plebe… të gjithë duan të jenë shefa e zotërinj. Kë la mendja të jetë një copë shërbëtor i përulur që ta urdhërojnë orë e çast: shko e na mbush ujë. Se nga anët tona, vetëm gomarin e mbajnë për të mbushur ujë.
Bela e madhe. Duhet vrarë mendja.
Jo, se dikur lufta bëhej që shërbëtorët të mos ishin më shërbëtorë por të bëheshin zengjinë. Sot paska ndryshuar koha me të tëra. Sot politikanët luten dhe janë të lumtur të jenë shërbëtorë. Të jenë kokulur e të urdhërohen nga mëngjesi në darkë për të plotësuar tekat e popullit.
Dhe kur i heqin nga detyra e shërbëtorit, bëjnë namin këta burra. Epo s’ke ç’i thua, ka qejf tjetri të jetë shërbëtor dhe pikë. Mezi e rregulloi atë vend pune. Ia ka qejfi të urdhërohet ditë e natë, demek: na i bëj rrugën shpejt e shpejt a derman; Na bëj dhe një urë të kam rixha: Se mos harron ujin o lumëmadh!
E të shtrohet ministri këmbëkryq me popullin t’u zgjidhi hallet, bash si një shërbëtor i vërtetë: Ja or t’u bëfsha, direkt. Të gjitha do t’i bëjmë. Se qeveria e ka hapur thesin, e s’ka për t’u munguar gjë. Sa të bëhet ai qerrata tenderi.
Ja, këto probleme, e ca të tjera po si këto, një ditë ma turbulluan kënetën që po vegjetonte qetësisht në kokën time.
Ditët e lumtura ikën. Tani ec e të qetësohen ujërat.

botuar në:
https://americaneye.al/kur-zengjinet-sherrosen-per-tu-bere-sherbetore/