Thursday, June 29, 2017

“Romancë” në autobusët e linjës ndërkryeqytetase


nga Leonard Veizi

Në automjetet e linjave urbane të Tiranës mund të ndodhin rëndom romanca, flirte e ndonjë ngacmim seksual i mundshëm. Por jo, vëzhgimi im nuk ka të bëjë më këtë fenomen.

Të them që udhëtimin me autobusët publikë nëpër rrugët e Tiranës e kam fort qejf, e më shijon në thellësi teksa shoh pamjet magjepsëse të metropolit që sa vjen e rritet, ia fus kot. Po kot fare ama. Nga të dëgjuarat kam dalë në përfundimin se shumica e njerëzve edhe pse e përdorin e kanë alergji. Dhe do të lë mënjanë radikalët, të cilët deklarojnë në mënyrë patetike se e urrejnë këtë lloj shërbimi, ku njerëzit shtyhen sa mund, aq sa kur del nga dera e pasme mund të të mungojë çanta ose portofoli, por kurrsesi celulari. Sepse celulari është i vetmi mjet që, edhe gjatë sulmit për të kapur një vend në këmbë te mesi i urbanit, vazhdon të shtrëngohet në dorë e në vesh. Pra, mbetet pjesë integrale e trupit.
Unë vetë po përmbahem në përcaktimin tim. Thjesht më pëlqen më shumë të eci në këmbë, e kam dhe si terapi, por edhe me paratë e autobusit pi një nga tre kafet e ditës. Shkurt, dal me qarin. Por edhe pse i shmangem fort, ndonjëherë jam i detyruar të hipi në ndonjë autobus linje. Në fund të fundit shërbim publik është, edhe do ta shfrytëzojmë!
Kështu një natë vonë, si kisha menduar se ca punë të pazgjidhura më ishin grumbulluar e duhej patjetër t’i mbyllja, vendosa që të nesërmen të dilja që herët e të mbaroja ç’të mundja nga problemet që më ishin bërë kapicë. Një makinë që kam, të cilës ia paguaj taksat rregullisht, as që ia vlen ta marr, pasi në ditët e sotme shpenzimi i karburantit është lule. Kostoja e parkimit e kalon atë të qarkullimit. Rrugët e Tiranës janë blinduar nga vijëzimet blu mbi ato të bardha, që tregon se vendet publike të parkimit po hyjnë në ujë çdo ditë e më shumë. “Do marr autobusin, - thashë me vete. - Ja, te dera e shtëpisë e kam. Edhe unë si gjithë njerëzia”.

E hënë - ora 07.00
Pres autobusin të kreu i rrugës “Medar Shtylla”. Mëngjesi shënon temperatura të larta, por brenda në autobus të çante kondicioneri. Udhëtarët m’u dukën rob të veshur me shije dhe erë djerse nuk ndesha kund. “E kemi kapur veten, - mendova. - Nuk është më si më parë, që kur hipje në urban të vinte për të vjellë”. Më bën çudi që nuk ka shumë njerëz dhe i vetmi që qëndron në këmbë jam unë. Në një ulëse dyshe fare pranë meje, një vajzë nja 20 a 22 vjeç – s’di t’ia bëj skanerin më mirë, - kishte rehatuar çantën në sedilje dhe ishte përqendruar te celulari. Ndërhyrjes së faturinos për të më liruar vendin iu përgjigja vetë: “Lëre çupën të bëjë qejf, - i them. - Jam nga ata burra që e përballoj edhe në këmbë”. Nuk pati debat. Faturino vazhdoi të priste biletat, vajza nuk e prishi terezinë. Unë shtrëngova dorën pas tubit të sipërm, nga inercia që të mos më merrte me vete gjatë frenimeve të shpeshta të shoferit për shkak të trafikut. Meqë isha në këmbë, u hodha sytë pasagjerëve. Shumica dërmuese më rezultonte me kokën e ulur mbi celular. Të gjitha femra. Asnjë mashkull për be. Dy prej tyre bisedonin në telefon, gjatë. Kush ia paska ngenë në orën 07.00 të mëngjesit të bëjë muhabet shtruar mendova. Njërën nga gratë e kisha afër. Ajo mendonte se po fliste më zë të ulët, por biseda e saj vinte deri tek unë. “...po, po, mami ka qenë shumë e axhitume, i dhamë dhe një diapazon, por si bëri fajde, qëndroi si kukudh deri në mëngjes”, – ishte fjalia pasardhëse. Qesha me vete. Paska qyfyre këtu në autobus, mendova. Do gjej sebep e të hipi më shpesh. “Diazepan”, - e korrigjoi bashkudhëtuesja përkrah saj. Tjetra i dha një vështrim si t’i thoshte, “Mos u ngatërro në punët e mia”. Gjatë 19 minutave të udhëtimit nuk e hoqi celularin nga veshi, dhe me këtë rast mora vesh dhe një alamet lajmi: që uji me limon në mëngjes esëll të bënte fajde për dobësim.
Zbrita në qendër. U ula të pija një kafe që të mblidhja veten, e më pas të vazhdoja rrugën, se me aq punë sa kisha do të më duheshin nja tre ditë të mira e jarebi të mbaroja.

E martë - ora 11.30
Vapa po shtrëngonte. Por unë nuk po e ndjeja aq shumë. Kisha hequr qafe disa prej telasheve dhe ndihesha lehtshëm. Mora linjën Kombinat-Kinostudio. Nuk ishte më e nevojshme të shtrëngohesha pas tubit. Kishte aq shumë njerëz sa mund të qëndroja pingul në këmbë pa rrezikuar se mund të rrëzohesha. Udhëtarët ishin aq pranë njëri-tjetrit sa mund të putheshin pa teklif, pavarësisht gjinisë. “Jemi bërë si sardelet”, dëgjova një zë. Nuk e di pse në mend më erdhën kutitë e sardeleve “Made in Vlora”. E megjithatë pamja nuk ndryshonte shumë nga ajo e mëngjesit. Edhe pse në një “kuti sardelesh” femrat e kishin hapur celularin te faqet me të klikuara. Kush në Facebook, të tjerat në Instagram, dhe akoma më tej, në Viber e What’sapp. Komunikimi masiv vazhdonte. Bisedohej për telenovelën indiane që nuk i mbarojnë seritë, flitej për gjellën e drekës ku i duhej hedhur dhe pak rigon që të merrte shije, dhe për pushimet e prenotuara në Borsh, në ditët e vapës së madhe. Në udhëtimin prej 22 minutash, të vetmin mashkull që e thirrën në celular ishte një burrë të 60-at, që si rington nuk kishte vendosur ndonjë simfoni të Bahut, por një zile demode si atë të centraleve manuale të ushtrisë, fill pas Luftës së Dytë Botërore. Zilja dhe zëri i tij prej basi shkaktonin reagime agresive dhe shenja që të ulte tonin e zërit, edhe pse në të njëjtën kohë, 6-të femra të tjera as që e hiqnin celularin nga veshi duke biseduar rehat për të rejat e fundit. 

E mërkurë - ora 14.00
Dielli piqte si saç. Mora autobusin e Unazës. Kondicioneri nuk bënte më derman. Kallaballëku kishte shkuar atje ku nuk mban. Të çante era e djersës që përzihej me atë çka kishte mbetur prej parfumosjes së mëngjesit. Atë çast mendova se nuk kishim ecur shumë, përderisa e njëjta situatë më vinte si aromë që prej vitit 1987. Në këtë siklet dëgjoj një piskamë. “Kujdes se më shkele sandalet”. Një alamet femre i bërtiste fatorinos që çante mes turmës të priste biletat. “Kush është ai që të lë ty moj vajzë të hipësh në urban, – mendova – Një autostop me gishtin e madh të bësh dhe s’ka horr me X6 që nuk të merr në sediljen e parë. Për më tepër që prishe dhe sandalet firmato”. Autobusi çante me vështirësi në trafik. Një tjetër femër, nja dy kokë pas meje, vazhdonte të fliste në Skype me të dashurin. “Ja se po më shtyjnë këtu në autobus, idiotët”. Asnjë nuk nxori zë. Ia vlente ta përtypje fyerjen thënë nga goja e asaj femre. Lutjeve të mashkullit, të cilit i dukej koka në ekran, që ta mbyllte e ta merrte sapo të zbriste nga autobusi, ajo iu përgjigj gjithë fodullëk. “Çfarë thua ore, pse nga këta do kem turp unë”. Dhe në fund, pas insistimit të tjetrit, e mbylli me një: “Mirë pra, shifemi, puc, puç shpirti. Pafshim zemra, Çao”. Kaluan plot 27 minuta derisa erdhi stacioni im.
Zbrita. Isha i gjithi i larë në djersë.
-Paske dalë nga dushi? - më pyeti jo pa një ironi fine, një i njohuri im me të cilin u ndesha pak metra më tej.
-Jo, nga autobusi, -  iu përgjigja.
Ndërsa me vete shfryva: Shyqyr 100 herë që mbarova punë. Në axhendën e 6 muajve pasardhës nuk kisha asnjë planifikim për të marrë urbanin. Veç në ndodhtë ndonjë katastrofë.





Wednesday, June 21, 2017

Historia / Emri i paracaktuar në natën e Kadrit dhe ëndrra që e bëri Haxhi


Sakrifica dhe mrekullia në vendin e Muhamedit. Rrëfimi i Kadri Tresës: Si shkuam për haxhillëk në Mekë. Vizita te varri i Muhamedit (alejhim selam). Organizmi i përsosur për miliona pelegrinë nga gjithë bota. Ja ritet fetare për të cilat sakrifikohej.


nga Leonard Veizi

Teksa avioni ulej në pistën pambarim të Xhidas, pelegrinët shqiptarë besuan se më në fund, ëndrra e tyre e kahershme u bë realitet. Gjithçka përreth ishte e magjishme. Jo shumë larg prej portës hyrëse të shtetit arab, vinte parajsa e tokës, vendi i shenjtë për myslimanet e kësaj bote, dhe jo vetëm për ta…

…Pasditen e 28 marsit ‘98 kontingjenti prej 300 pelegrinësh shqiptarë, të ndarë në dy avionë, u nisën në udhëtimin dyorësh për në Arabinë Saudite ku do të qëndronin të paktën 15 ditë. Niste haxhillëku. Kadri Tresa, njëri prej pelegrinëve shqiptar të atij kontingjenti, 19 vite më pas sjell me ngjyra të gjalla për lexuesit, ditët e jashtëzakonshme të një veprimtarie, të cilët jo shumë njerëz kanë shansin ta shijojnë, dhe kur mundësia më e madhe është ta kesh vetëm një herë në jetë. Besimtar i thjeshtë, por me titull “Haxhi” ai kujton nga ajo ditë se, sapo avioni u ngrit nga pista e Rinasit, myslimanët shqiptarë, të cilët ishin nisur për haxh, filluan të këndonin njëzëri sure për haxhillëkun. Të gjitha gratë, që në Rinas kishin vënë nga një shami në kokë. Ndërsa kur u njoftuan se avioni po hynte në territorin ajror të Arabisë Saudite, meshkujt zhveshën rrobat e trupit për t’u pajisur me ihramin, një veshje e paqepur, tip peshqir, me të cilën mbulohej trupi duke lënë jashtë vetëm shpatullën e djathtë.




INTERVISTA

Si ishte kontakti i parë me Arabinë Saudite?
U mahnitëm kur pamë aeroportin gjigant të Xhidas, i cili është i dytë në botë për nga madhësia, pas atij amerikan, “Xhon Kenedi”. Në aeroport na u bë një kontroll i imët, ku masat merreshin si për ndalimin e lëndëve narkotike ashtu dhe për hyrjen e mundshme të terroristëve. Në fund firmosëm një letër ku thuhej se për sa kohë do të qëndronin më Arabinë Saudite do t’u përshtateshim ligjeve të vendit. Pasaportat tona i mbajti drejtuesi i grupit.

Kadri Tresa

Si ishte mënyra e organizimit?
Mund të them pa frikë se kishim të bënim me një organizim të përsosur. Atë vit morën pjesë në haxh më shumë se 2 milionë pelegrinë. Sapo zbritëm në Xhida zuri një shi. Ata që punonin në aeroport na u drejtuan: “Ju shqiptarët erdhët me këmbë të mbarë, pasi kishte më shumë se dy vjet që s’binte shi te ne”. Teksa po prisnim autobusët që do të na çonin drejt Mekës, bëmë faljen e radhës, Namazin, që ishte e para që kryem në Arabinë Saudite. Gjatë kësaj kohe avionë të tjerë zbrisnin në aeroport, duke sjellë pambarim pelegrinë nga e gjithë bota; nga Amerika, Kanadaja, Australia etj. Pastaj na vendosën nga një shirit, ku ishte shkruar shtetësia jonë dhe hoteli ku do strehoheshim. Kjo kishte efekt për ata persona që mund të humbnin rrugën. Po t’i drejtoheshe policisë, të gjenin menjëherë dhe të bashkonin me grupin. Rastet të tilla ndodhnin plot. Madje unë vetë u ngatërrova dhe humba grupin tim, por e gjeta shpejt. Pjesë e organizimit ishte dhe vaksinimi që na bënë në aeroport e që vlente për të na mbrojtur nga temperaturat e larta.

Çfarë temperaturash kishte në Arabi gjatë asaj kohe?
Në Arabi Saudite u përballëm me një temperaturë të larë, me të cilën nuk ishim mësuar. Gjatë ditës kjo temperaturë arrinte në 42 gradë, ndërsa natën zbriste në 39 gradë. Fillimisht mezi merrnin frymë. U desh dy-tri ditë që të ambientoheshim disi. Shumë nga pelegrinët shqiptarë u sëmurën. Megjithatë ishte organizuar që, nga një hotel me kondicionerë, të hipnim në një autobus me ajër të kondicionuar. Në këtë mënyrë udhëtimi bëhej më i lehtë.

Cili ishte riti fetar për të cilën sakrifikuat?
Në mesnatë arritëm në një hotel mjaft komod. Si pushuam pak u nisëm për në xhaminë madhështore të Mekës. Fillimisht bëmë shtatë rrotullime mes dy shkëmbinjve të mëdhenj që kishin një distancë të madhe mes njëri-tjetrit. Ky rit quhej “Umra”. Të dy shkëmbinjtë ishin brenda territorit të xhamisë. Ky rit vazhdoi për tri orë me radhë nën një vapë të madhe. Por njëkohësisht kishte dhe një dyndje të madhe pelegrinësh.

Çfarë ndodhi pas shtatë herë rrotullimi?
Atëherë pimë ujë Zemeni. Midis dy shkëmbinjve kishte burime me ujë, të cilin Muhamedi a.s. e kishte cilësuar si “Ujë Zemeni”. Ai përdorej për të lagur buzët e besimtarëve. Pasi mbaruam me “Umra-n” shkuam te Guri i Shenjtë, i cili njihet dhe si Guri i Mekës dhe bëmë “Tauaf-in”. Edhe këtu bëmë shtatë rrotullime rreth Gurit të Mekës. Që të arrije të prekje Gurin e Mekës ishte një gjë shumë e mirë, por ishte jashtëzakonisht e vështirë, për shkak të dyndjes së njerëzve, të cilët kërkonin të gjithë që ta preknin atë. Pranë Gurit të Mekës ishte dhe varri i Ismailit, ku pamë dhe gjurmët e dashit, i cili u bë kurban.

A vizituat dhe vende të tjera?
Para ditës së “Kurban Bajramit” na çuan një ditë të vetme në Arafat. Atje kishte qëndruar dhe Muhamedi a.s. Ishte një fushë e madhe e asfaltuar ku ishin vendosur çadra në të cilat na strehuan. Iu falëm Zotit deri në perëndim të diellit. Pas perëndimit na çuan në Muzdelife. Atje, pasi falëm Namazin natën, morëm gurë të vegjël me të cilët do të qëllonim shejtanin. Për të kryer këtë rit shkuam në Mina. Riti për hedhjen e gurëve te vendi ku qëndronte shejtani bëhej në një kohë të caktuar, para lindjes së diellit.

Si do të vazhdonte më pas ceremoniali?
Shtatë ditë pas mbërritjes në Arabinë Saudite, erdhi dita e Kurban Bajramit. Pas faljes u therën deshët. Riti e kërkonte që kush kishte mundësi të falte diçka në të holla. Me këto bliheshin deshët, thereshin dhe u jepeshin të varfërve. Atë ditë më kujtohet se një sheik dha një pritje për besimtarët në një xhami të madhe. Në një sallë mjaft të gjerë ishte shtruar një drekë madhështore, ku nuk mungonte as çorba dhe groshët dhe as mishi i thëllëzave. Më pas na çuan në Medina. Aty ndodhet dhe varri i Muhamedit a.s. Nga Meka në Medina ishte një distancë prej rreth 400 kilometrash. Udhëtimi kaloi në mënyrë komode, dhe pse gjatë gjithë rrugës nuk pamë asnjë pemë, por vetëm shkretëtirë. Për të kryer ritet fetare ndaluam, pasi buzë rrugës ishin ndërtuar xhami të shumta. Në Medina, pasi vizituam varrin e Muhamedit a.s, të cilin nuk të lejonin ta prekje, shkuam në një xhami tepër të madhe. Ishte një kryevepër arkitekturore, ku ndodheshin 480 tonë ar, dhe ku mund të faleshin 1 milion besimtarë njëkohësisht. Tavani i xhamisë ishte portativ. Gjatë ditës mbyllej dhe përdoreshin kondicionerët, ndërsa gjatë natës hapej.

Kur do të ktheheshit në Shqipëri?
Ditën e 14 prillit 1998 kontingjenti i pelegrinëve shqiptarë mori rrugën e kthimit për në atdhe. Kur mbërritëm në aeroportin “Nënë Tereza”, binte një shi i ftohtë.

***

AKSIDENTI ME 280 BESIMTARË, SI SHPALLESHIN “SHEITËT” PASI VDISNIN NË HAXHILLËK
Duke shprehur mbresat e tij për udhëtimin e paharruar në Mekë, Kadri Tresa thotë se gjatë procesit të “goditjes së shejtanit me gurë” ndodhnin aksidente: “Ne hymë në disa tunele të mëdha, të cilat ishin pajisur me aspirator dhe ndriçim shumë të mirë. Për shkak të orës së kufizuar, kishte dyndje për të arritur te vendi ku hidheshin gurët për të qëlluar shejtanin. Unë vetë nuk arrita dot, edhe pse bërja e një riti të tillë ishte një gjë shumë e mirë për çdo besimtar. Bëra çmos. Ndërsa dyndja ishte e tillë që të shtypte, nëse një njeri ulej të merrte pantoflat, të cilat i dilnin nga këmbët. Pas përfundimit të ritit mund të gjeje me mijëra pantofla. Në kohën kur ishim ne, gjetën vdekjen rreth 280 besimtarë të komunitetit malejzian”, rrëfen Kadri Tresa. Ai thotë se një i vdekur në kohën e Haxhillëkut shpallej “Sheit”. Ai futej në morg, edhe sikur të vdiste të hënën. Ndërsa nxirrej nga morgu vetëm ditën e premte. Pas faljes së të premtes, katër zezakë të mëdhenj merrnin kufomën dhe e rreth rrotullonin te Guri i Mekës. Më pas varrosej. Kur lihej amanet, i vdekuri varrosej në vendin që kishte kërkuar. Por midis miliona besimtarësh që shkonin në Mekë, kishte prej tyre që nguteshin të vdisnin gjatë procesit të Haxhillëkut me qëllim që të merrnin titullin e “Sheitit”. “Pas hedhjes së gurëve, riti kërkonte që burrat të qetheshin. Arabët u qethën krejt zero, ndërsa në të tjerët normalisht. Ky rit cilësohej si sevap. Pastaj u rikthyem në Mekë”, rrëfen Kadri Tresa mbresat nga udhëtimi i paharrueshëm.

MEKA
Një nga dy kryeqendrat e Arabisë Saudite. Përveçse Meka është vendlindja e Muhamedit, ky qytet është qendër shpirtërore e islamizmit, vendi për ku bëhet pelegrinazhi.

MEDINA
Qytet në Arabinë Saudite perëndimore, vendi i monumentit të varrit të Muhamedit. Po ashtu, Medina është qyteti i dytë më i shenjtë i islamizmit, që ndryshe quhet Al Madinah.

ISLAMIZMI
Është më e reja nga të tri fetë e mëdha monoteiste botërore. Myslimanët shohin në të përmbushjen e feve më të vjetra, asaj çifute e krishtere. Bota islame ka formulën e saj të besimit: “Unë dëshmoj se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe dëshmoj se Muhamedi është i dërguari i Tij”.

PELEGRINAZHI, MEKA, VENDI QË JEP TITULLIN “HAXHI”

Në kryeqytetin shqiptar, Tiranë, funksionon prej vitesh Drejtoria e Përgjithshme e Mekës, e cila merret me organizimin e pelegrinëve që kërkojnë të njihen nga afër me Gurin e Mekës, varrin e Muhamedit (alejhim selam) dhe xhamitë e qëndisura me ar. Pelegrinazhi i haxhillëkut nga besimtarët konsiderohet si një sakrificë dhe jo si një shëtitje turistike. Në këtë udhëtim nuk mund të shkojnë njerëz, të cilët kanë probleme me shëndetin dhe sidomos me zemrën apo tensionin. Nëse një haxhi vdes gjatë procesit të haxhillëkut, ai shpallet “Sheit”. Haxhi fillon një javë përpara ditës së Kurban Bajramit. Ndërsa titulli “Haxhi” merret pasi ke përfunduar ritet e haxhit në Mekë. Çdo njeri që shkon një herë të vetme në Mekë, konsiderohet “Haxhi”.