Tuesday, March 19, 2019

Intervistë/ Leonard Veizi: “Jemi futur në një krizë leximi”



Leonard Veizi është gazetar dhe shkrimtar shqiptar. Lindur më 29 gusht të vitit 1968. Ai mbaroi studimet e tij në Universitetin Bujqësor. Ka punuar si gazetar në mediat e shkruara dhe elektronike. Të parin vëllim me novela, titulluar ‘Grahma e shpirtit të mjegullt’ Veizi e ka botuar në vitin 1997, për të vijuar me përmbledhjet me tregime ‘Ngrehina e përhumbjes’ , ‘Treni i fundit i metrosë’ , ‘I dënuar me vdekjen’ , dhe romanet ‘Surpriza e natës së fundit’ , ‘Rrëfimi’,  ‘I cmenduri i pavijonit 3’ dhe ‘Orgji në famullinë e at Ludovikut’.

Fillimisht, besoj se edhe lexuesit tuaj janë kuriozë për të ditur më shumë rreth jetës tuaj, dhe fillimet tuaja si shkrimtar. Cili ka qenë kontakti juaj i parë me letërsinë?

Sinqerisht, nuk di t’u them se cili ka qenë kontakti im i parë me botën letrare, por di të them që në shtëpinë tonë ishte një bibliotekë jo e vogël, me libra politikë, ekonomikë dhe padyshim kishte një fond të rëndësishëm me letërsi artistike ku spikatnin autorë të njohur klasikë. Nuk mbaj mend gjithashtu të them se cili ka qenë libri im i parë letrar të cilin e kam lexuar në mënyrë të vullnetshme, por di të them me siguri se gjatë gjithë kohës kam qenë i orientuar nga kjo bibliotekë dhe që nga çasti që zbulova magjinë e të lexuarit, nuk ia ndava asnjë ditë kërkimit në raftet e saj. Pra këtë bibliotekë që trashëgoj sot e gjeta të ngritur nga prindërit e mij, ndërsa unë vetëm sa u përkujdesa që ajo të shtohej.

Megjithatë më kujtohen vargjet e para mes moshës 10-11 vjeç, vargje që kishin të bënin me dëshmorët e atdheut. Ishte koha kur ushtroja pikturën e madje isha i regjistruar në një kurs tek ish “Pallati i Pionierëve”. Megjithëse pretendohej se isha premtues në këtë fushë, pas disa vitesh unë e braktisa pikturën  për të mos iu rikthyer më, ndërsa nga letërsia nuk u ndava asnjë ditë. Vëllimin e parë me 5-së novela e kam çuar për botim në nëntor të vitit 1996 dhe në fillim të vitit 1997 ai doli në qarkullim.

Cilat janë avantazhet e të qenurit shkrimtar?

Në Shqipëri të qenit i avantazhuar për shkak të cilësisë së asaj që ushtron si shkrimtar, nuk ekziston. Je më i pozicionuar si gazetar. Para viteve ’90 shteti socialist u krijonte shumë avantazhe shkrimtarëve edhe për faktin se e orientonte prodhimin e letërsisë, gjë që shërbente fort në fushën propagandistike. Por me rënien e “perdes së hekurt” shkrimtarët u zhveshën nga avantazhet. Sot në Shqipëri asnjë shkrimtar nuk e siguron dot jetën me letërsinë e tij. I duhet të bëjë një tjetër punë ndërsa letërsia në vetvete mbetet më shumë si një hobi.

Mendoni se kjo punë edhe disavantazhe gjithashtu?

Unë jam njeri i pasionuar pas letërsisë, pas leximit të autorëve të tjerë dhe pas asaj që shkruaj vetë, ndaj nuk di të them se të qenit shkrimtar ka ndonjë disavantazh. Edhe nëse ka, ose ky disavantazh nuk ka ardhur deri tek unë, ose nuk arrij ta kuptoj. Për mua vetë letërsia është një avantazh i madh dhe nuk besoj që mund të ketë njerëz që nuk kanë lexuar qoftë dhe një libër me motive letrare.

Sipas jush, ku përputhen gazetaria dhe letërsia?

Se ku përputhen janë botuar studime pa fund. Por edhe sentence që “gazetaria është letërsi në nxitim e sipër” nuk më ka ngjitur asnjëherë. Gazetaria, ku lajmi është mbreti, ka një tjetër mision dhe tjetër logjikë të shkruari. Duhet të jesh i thatë dhe i saktë. Tepricat dhe zbukurimet e dëmtojnë. Reportazhi është më afër letërsisë dhe të jep më shumë frymëmarrje. Por unë dua t’i mëshoj faktit që gazetaria është mjeti më i fuqishëm për të shkatërruar stilet letrare. Ndodh që ata të cilët e kanë nisur karrierën letrare shumë më përpara se të zbulonin gazetarinë, pas dhjetë vitesh ndjejnë se stili i tyre është deformuar. Ndryshon kjo tek ata që e nisin karrierën si gazetarë dhe më pas vazhdojnë me letërsinë. Këta të fundit kanë sjellë dhe një frymë të re ky të dy zhanret bashkëjetojnë. Unë hyj te kategoria e parë, ku çdo frazë gazetarie e futur në letërsi më gërvisht. Me qejf do të lexoja një publicistikë letrare, por e kam ë të vështirë të lexoj një roman me terma gazetaresk.

Cilat janë temat tuaj të preferuara që ju shtyjnë për të shkruar?

Më ka pëlqyer gjithmonë të shkruaj duke u rekur në pafundësi të zbërthej anën psikologjike të njeriut. Vitet e fundit këtij elementi i kam shtuar edhe një “vijë të verdhë” apo thënë ndryshe po ushtroj një letërsi që shkon drejt fundit në bazë të hetimit. Më saktë njihem si shkrimtar i letërsisë triller.

Sa nga romanet tuaja janë të bazuara në jetën tuaj reale?

Vetëm njëri nga seria e librave të botuar prej meje ka marrë spunto nga një ngjarje reale. Pjesa tjetër është fiksionale.

Çfarë mendon konkretisht një shkrimtar përpara se të nisë një libër dhe gjatë momentit që po e shkruan?

Është një proces shumë i vështirë. Ka me qindra mendime që më sulmojnë dhe selektimi i tyre është vërtet një proces shtypës dhe lodhës. As që mund të të jap një përgjigje të saktë se çfarë ndodh në trurin tim gjatë kohës që përpunoj temën e një  formati letrar, por di të them që gdhihem e ngrysem me të në kokë dhe që gjithçka që më ndodh gjatë ditës mundohem ta lidh po me të njëjtin subjekt.

Në ditët e sotme, në epokën e teknologjisë, mendoni se dëshira dhe pasioni për të lexuar libra po zvogëlohet gjithmonë dhe më shumë?

Jemi futur në një krizë leximi. Personalisht, edhe pse kam lexuar pa fund, edhe pse i jam kushtuar letërsisë dhe librit letër, mund të them se shpenzoj një kohë të çmuar për të marrë informacion, (një pjesë e të cilës krejt të padobishëm) në mënyrë elektronike. Besoj se është një fazë që do të zgjasë dhe ca kohë por njerëzit do t’i rikthehen leximit fizik, si një prej gjërave më atraktive për shëndetin mendor.

Përveçse pjesë e punës suaj, çfarë përfaqëson tjetër për ju të shkruarit?

Të vetmen punë që e bëj me kapacitet të plotë është të shkruarit, qoftë të një tregimi apo qoftë të një vëzhgimi, reportazhi a të një lajmi të thjeshtë.

Faleminderit!


Thursday, March 7, 2019

Ata, “të urtët gjer në dhimbje”... dhe ca maskarenj “që prishin syrin e keq”

nga Leonard Veizi

Ata janë vërtet të urtë, e të thjeshtë gjer në dhimbje. Hera-herës deri në dhimbjen e skajshme. Në madhështi janë gjithashtu.
Duke kaluar nëpër mend këtë sentencë, modifikuar në bazë të vargjeve aq të njohura të Kadaresë, nuk është e vështirë të kuptosh gjithsesi se fati i tyre në vite ka qenë i njëjtë. I njëjtë si atëherë kur Petro Luarasi jepte mësimet shqip nën terror, si atëherë kur Migjeni i dërrmuar nga sëmundja merrte rrugën e gjatë me biçikletë, dhe si më pas në epokën e luftës kundër analfabetizmit. Sot, në mijëvjeçarin e ri, e vetmja përparësi është se për të shkuar deri tek dera e shkollës ekziston mundësia të marrësh një makinë modeste.
Është kjo pjesë e sakrificës njerëzore për të dhënë nga vetja atë që u duhet aq shumë njerëzve: “pak dritë”.
Po, po: “pak dritë”.
Janë mësuesit, të klasave të para dhe të viteve të treta të gjimnazit. Janë ata të parashkollorëve. Pedagogët e universiteteve janë gjithashtu. Janë mësuesit e fshatit, që presin me autostop "makinat e rastit" për t’u kthyer në strehën e tyre, apo mësuesit e qytetit që nxitojnë për të kapur autobusin e pisët urban, ku shoferi arrogant mbyll dyert elektrike e largohet indiferent nga stacioni duke treguar orën, sepse i vajti orari i lëvizjes dhe dispeçeri ka mundësi t’i fusi një gjobë vënçe. Në të njëjtën vlerë, në mes të kryeqytetit apo në fshatin më të largët të Republikës, ata janë mësues. Dhe mbeten gjithmonë të njëjtë, të pandryshueshëm njëkohësisht. Idealistë të pandreqshëm, që në jetën e tyre rreken të bëjnë të vetmen gjë: të japin mësim. Të jenë aty midis nxënësve të tyre, që rrjedhin e rrjedhin vazhdimisht si ujët e një lumi të vrullshëm, për të ndryshuar çdo vit.
Janë ata, që vazhdimisht sakrifikojnë nën moton e gjithhershme e të pandryshueshme të një mega-ideje; nxënia e dijes së pafund. Ndërsa pjesa tjetër e shoqërisë kujtohet rrallë për ta, dikur në 1 shtator dhe në 7 mars. Tani akoma më rrallë, vetëm në 7 mars. 1 shtatori, prej kohësh nuk ekziston më. Është zhvendosur dhe është shndërruar në diçka të pakuptimtë dhe gati ilegale. Nuk e ka më simbolizmin e një dite të veçantë.
Por dhe kjo kujtesë ka diçka të cunguar e paradoksale, madje shumë fyese kur pranohet si e tillë. Është rasti kur prindër e nxënës bashkë, nxitojnë të bëjnë dhuratat e festës, jo më një lule natyrale a një libër prozaik, por një varëse floriri, një “iPhone-11 Pro Max” apo më shkurt akoma, një zarf me të holla, me të cilën mësuesi kujdestar mund të bëjë ç’t'i dojë qejfi. Është fabrikimi mostër i prindërve për të ushqyer një korrupsion alarmant dhe i atyre mësuesve që luajnë rolin e viktimës, për ta pranuar gjithsesi “ndihmën sociale” nga parellinjtë e rinj të Shqipërisë, që kanë çuar fëmijët për të nxënë në shkollë. Dhe nëse ata mësues që e pranojnë këtë korrupsion të modifikuar, do t’i kthenin mbrapsht dhurata me vlera ekstreme, padyshim madhështia e gjithë korpusit të mësimdhënësve do të shkonte vërtet në piedestal. Dhe për më tej se kaq, ka maskarenj që mbajnë titullin “mësues” që veç anës materiale, parave letër apo floririn në qafë, kërkojnë të përfitojnë diçka më tepër nga nxënëset naive e pa përkrahje... Por gijotina nuk ekziston më, dhe për më tepër BE-ja na i ka ndaluar dënimin kapital. Përndryshe këta maskarenj që prishin reshtin “si për të prishur syrin e keq” të asaj mirësie që dhurojnë të tjerët kolegë, do ta kishin më të shkurtër se jeta e fluturës, qëndrimin në bankën e të akuzuarve.
Askush nuk ka nevojë për një përkrahje të tillë “sociale”, thjesht duhen politika më të drejta në ndarjen e të ardhurave. Por duket se rendi i gjërave nuk të lë shumë për të besuar.
Sepse akoma më tej, zyrtarët e lartë të administratës shtetërore mendohen mirë kur u bie mundësia të kujtojë këtë shtresë të shoqërisë. Sepse në të gjitha rastet u duhet të kujtojnë, gjithashtu, se janë pikërisht ata më të diskriminuarit e nëpunësve të shtetit, duke qenë më aktivët njëkohësisht.
Dhe kjo është vetëm njëra anë e medaljes.
Ndërsa vetë ata, mësuesit, janë gjithmonë në një lëvizje të pandërprerë, për t’u vërtitur në 45 minutat e orës së mësimit me të gjithë kapacitetin e tyre, për të duruar njëkohësisht mes energjisë së pashtershme të dhënies së mendimit të koncentruar dhe një zileje celulari që tringëllon në kulmin e patosit. Më pas tringun e një mesazhi, nëpërmjet postës elektronike, që i vjen një nxënësi të pabindur ku, përveç befasisë acaruese, ju kujton se jeta jashtë mureve të shkollës është më e ashpër nga magjia që i rrethon në folenë e tyre.
Jetojmë kohë me probleme, (kështu ka qenë gjithmonë në fakt), me nxënës më pak të bindur, me djem që tentojnë të mbajnë mjete ilegale fshehur nën bluzë apo vajza me veshje ekstravagante e që mezi presin të përfundojë ora e “mërzitshme” e historisë së Shqipërisë, për të shkuar turravrap në ‘pub’-in më të afërt. Dhe atje, të çliruar nga bezdia, të kenë mundësi të shfryjnë ndaj mësuesve të tyre “të egër” e kërkues, e të dehen me paratë e prindërve, duke pirë alkool e tymosur nga pak mariuhanë.
Ndërsa ata mësuesit, të urtë e të thjeshtë deri në dhimbje, i drejtohen arkës së financës, për të marrë në sportelin e saj rrogën modeste, me të cilën mbajnë familjen.
Ironia e fatit.
Jetojmë vërtetë kohë të vështira. Por kështu ka qenë gjithmonë, dhe kur luftohej analfabetizmi me aksion të përqendruar, më tej se kaq, kur Migjeni shkonte me biçikletë nëpër shi, për t’u dhënë mësimin e vyer nxënësve të tij, dhe akoma më larg, kur Petro Luarasit i duhej të “vdiste në këmbë”, veç për të hapur një shkollë shqip.
Por jetojmë gjithashtu, kohë reformash të pambaruara. Tranzicion, që ecën pa ditur të ndalet kund. Ndërsa në Drejtoritë Arsimore të Rretheve radha e mësuesve të papunë, që presin të zëvendësojnë qoftë dhe një të sëmurë, rritet çdo ditë. Por rritet çdo ditë dhe numri i analfabetëve, çuditërisht.
Vazhdojmë të jemi vendi i ekstremeve të panumërta.
Ndaër ata vazhdojnë të jenë të thjeshtë. Të urtë janë gjithashtu. Dhe zëri nuk u ndihet. Nuk ndërmarrin greva urie dhe as timpaneve nuk u bien me zhurmë përpara Kryeministrisë. Vetëm se, duket sikur mes asaj qetësie të brishtë dhe fisnikërie për të mos u përballur me një stres të dyfishtë, armata e tyre thotë nën zë: “Na llogarisni edhe ne”.
E mes gjithë kësaj lufte të heshtur a me zë, ata janë atje, përballë 35 apo 40 nxënësve të një klase, që kërkojnë të marrin më të mirën e mundshme, që kërkojnë të përgatiten për t’u hedhur në jetë.
Sot është 7 mars. E ata janë atje, sërish në krye të klasës, mes një gëzimi të ligjshëm, që u jep të drejtën të marrin urime pa fund, apo t’i gëzohen një tufe luleje nga nxënësit e lodhshëm. Ndërsa… presin që nga ministria e Arsimit, si gjithmonë, të vijë një mesazh urimi nëpërmjet valëve televizive, nga zyra e madhe e ministrit të radhës.

Tuesday, March 5, 2019

Popull psikik

Nga Leonard Veizi
"Të marrit hapi rrugë" thotë një shprehje e urtë popullore.
Me siguri, nëse çdo njeri normal do t'i hapte rrugën një të marri, tek ne rrugët do të ishin thuajse bosh. Por nuk ndodh kjo. Ne jemi nga ata që të bllokojmë rrugën, jo ta hapim. I marrë ti, i marrë dhe unë.
Bo, bo... sa probleme kemi me psikikën tonë.
Çdo ditë, çdo orë, çdo sekondë madje...
Ç'është e vërteta, ne jemi nga ata popuj që nuk duam të humbasim kohë. Edhe kapitalizmin pas komunizmit e kemi kuptuar ashtu siç duhet. Ti marrim gjithçka, deri në palcë.
Sa çohemi, pa larë fytyrën e dhëmbët, madje pa ndezur as cigaren esëll të cilën e kemi më të domosdoshme se buka, marrim celularin në dorë. Duhet të njihemi me të rejat që kanë ndodhur gjatë 7-8 orëve ku ishim zhytur në “gjumë artilerie”. Në makinë, në zyrë, në kafe, e në çdo front pune, procedura vazhdon po njëlloj. Në çdo semafor ku të duhet të qëndrosh ca sekonda, si shofer apo këmbësor, lëviz kursorin dhe dërgon sms-të e rastit. Koha është e çmuar, flori fare, ndaj nuk duhet humbur. Përfundimisht një gjë të tillë e kemi kuptuar më mirë se kushdo tjetër.
Por, a ka të bëjë kjo me psikikën tonë që po na dëmtohet çdo ditë?
Duhet të jemi vërtetë popull psikik. Ose përndryshe: me probleme të theksuara të shëndetit mendor.
Ndoshta jemi thjesht të paedukuar dhe e shumëzojmë për 10-të.
Por jo... me ç’shoh, është më e thellë se kaq çështja.
Çdo mëngjes, kur zbres shkallët se nuk e dua ndihmën e ashensorit, ndeshem me qeska me plehra që banorët i lënë gati në çdo kat. Edhe në ashencor brenda gjen qese mbeturinash, për këtë sadisfaksion ia kursej vetes. Të gjithë nga portat e tyre dalin me nga një qese të paketuar mbeturinash, por nga dera e pallatit asnjë nuk mban mbeturina nëpër duar, por vetëm çelësat e makinës.
Pëshpëritet lartë e poshtë se ata të katit të 10-të ua lënë në derë atyre të katit të 7-të, atë të katit të 8-të atyre të katit të 5-të e kështu me radhë. Me sa duket njerëzit kanë turp të mbajnë një qese të paketuar mbeturinash që i kanë bërë vetë, dhe që duhet t’i hedhin në koshin e përbashkët. Nga dera kryesore e pallatit duhet të dalin të kollarisur apo me fustane dasme dhe të hapin derën e makinës që fishkëllen “piu-piu” nga 15 metra larg, me pult. Murtaja ende nuk ka plasur në pallatin tonë. Por as tek fqinjët, sepse ashtu si ne ka edhe të tjerë përreth që qahen për të njëjtën gjë. Por duket se sanitarja e bën punën mirë, se tek e fundit ka marrë ca klor e detergjentë aq sa për t’i futur lustër pisllëkut të përbashkët.
Për ta thënë më thjeshtë, jemi popull me nivel të ulët të edukatës personale, gjë që mund të anashkalohet te një njeri, por kur bashkohet, kthehet në një sinergji atomike. Pra bëhet kaq e dukshme sa do apo nuk do të duket se je futur në vorbullën e një turme psikike.
Ja, kjo mungesë edukate na çon në përroin e problemeve mendore!
Nuk e kam fjalën për ata që flasin me vete dhe shajnë në rrugë të gjithë kalimtarët, se ata janë me diagnozë solide, madje të certefikuar. Fjalën e kam për pjesën tjetër, të padiagnostikuar asnjëherë, që janë idiotë, por që e njohin veten për plot me mend.
Një herë e një kohë bënim një lëndë që quhej “Edukata Morale”. I mësonim rregullat bazë dhe na detyronin t’i respektonim. Fjala vjen: diku në klasën e 6-7-të, pas mësimit, mësuesja kujdestare na grumbulloi te kreu i rrugës së Barrikadave, tek vendi që quhej “Polici i Parë” dhe vendosi çdo nxënës në largësi 20-30 metra nga njëri-tjetri, ku të gjithë duhej të përdornim një formulë bazë për njerëzit që ecnin të shkujdesur në rrugë: - “Shokë qytetar, ju lutem hipni mbi trotuar”, - që donte të thoshte se, trotuari ishte për këmbësorët dhe rruga për makinat. Dhe të mendosh që në rrugën e Barrikadave asokohe, kalonte vetëm një BÇ e ministrisë së Brendshme dhe ZUK-u i komunales.
Sot kohët kanë ndryshuar rëndshëm. Nga një ç’disiplinim masiv, administratorët e shtetit po mundohen të na fusin nëpër kuadrate. Kryebashkiaku i Tiranës i ka mbushur rrugët me viza të kuqe e të bardha, ka krijuar vendqëndrime dhe rampa, për të disiplinuar njerëzit gjatë kalimit të rrugëve, sidomos aty ku ka semaforë. Por ky kostum duket që nuk na rri mirë. Dhe kur s’të rri mirë kostumi, do qëndrosh o me tuta sporti, o me brekë e kanotiere.
Këtu jemi në habitatin tonë, se jemi mësuar që nga koha kur visheshim me çitjane e poture.
Të vazhdojmë argumentin, tanimë pasi e kemi lënë pas lagjen me të mirat dhe të këqijat e saj.
Kur eci rrugëve në këmbë, acarohem sa s'bën me drejtuesit e automjeteve që nuk respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor. Por kur jam në timon acarohem me njerëzit që nuk respektojnë as vijat e bardha as sinjalet e semaforit. Këtij debati verbal as që kam për t’ia dalë dot ndonjëherë. Tek e fundit, të gjithë kanë të drejtë. Ata që zbritën vonë nga zonat rurale, tashmë kanë mësuar formulën standarte: Prioritet kalimtarit. Dhe, si për ta demonstruar këtë, të kalojnë lento-lento te rrotat e makinës, të hedhin nga një shikim vëngër, edhe pse ti nxiton, jo thjesht për të arritur sa më shpejt në destinacion, por sepse në ato pak sekonda, pas teje është bërë një varg makinash, boritë e të cilave bien papushim aq sa të luan çaçka e kokës.
-Ç’problem keni or vëllezër, nuk jeni mirë nga “dhëntë”?
Po or po, të gjithë këta duan nga një psikolog që t’u rregullojë humorin. Nga një për çdo makinë, aty në sediljen e parë.
Psikologë duhet të kenë edhe këmbësorët, që t'u bëjnë të ditur me marifet se në rrugët e Tiranës, në kryqëzime dhe trotuarët e ngushtë, nuk ecet si një herë e një kohë, kur merrnim xhiron javash-javash tek "Dëshmorët e Kombit".
Deri këtu kishim një segment ku goxha punë u del psikologëve.
Vazhdojmë më poshtë:
Kur hipi në autobus urban, e njëjta vijë melodike më shoqëron gjithmonë, sepse më qëllon që një nga gratë që flet me video-kamera, rrëfen të gjitha sekretet e familjes, për bashkëbiseduesen, me imtësra neveritëse. Dhe tjetra përtej kameras çuditërisht ia ka ngenë që në 7-të të mëngjesit të dëgjojë gjithfarë broçkullash nga shoqja që nuk ka ndër mend ta mbylli telefonin as kur zbret pas katër stacionesh. Kjo sëmundje duhet të jetë vërtet masive, tek femrat sidomos. Se më ka qëlluar aq shpesh sa..., s'bëhet. Me këtë rast, duam apo s’duam,  informohemi edhe ne të tjerët. Epo tjetra të hap barkun... duhet respektuar.
Jo, këto lloj tipash duhet të jenë vërtet me probleme psikike, ndryshe s’ka se si...
Iku dhe kjo.
Te kasa e supermarkatës, gjithmonë e në çdo kohë, klienti pasardhës të shtyn, me qëllim që ti të mbarosh punë në një kohë rekord, sepse atë vend kërkon ta zërë vetë sa më shpejt.
-Mos do të më paguash faturën, - i thashë një zonje që për pak më hipi mbi zverk.
-Jo jo, - tha ajo e zënë në faj dhe u tërhoq pak, - më mjaftojnë të mijat.
U mbusha me frymë se po me mbahej. 
Epo këtij lloj tipi, si bën derman as psikologu. I duhet një psikiatër i mirë.
Ecim dhe më.
Çdo mëngjes përballem me një fenomen që më është kthyer në tmerr: njerëz që kruajnë grykën dhe ia plasin pështymës sa munden m’u te këmbët e tua. Nuk përdorin as letra higjenike, as shami. Domethënë, asnjërën nga të dyja nuk e kanë me vete. Burra e gra bashkë, por më së shumti janë burra, të cilët as që e kanë problem ta lëshojnë stërklat e tyre që nga porta e hijshme e Presidencës, deri tek ujërat e ndyra të Lanës, fill e nga maja e urës. Ndezin cigaren sapo mbyllin derën e shtëpisë dhe ia fillojnë “këngës”, “kër, kër-ptuh”.
-Vdeksh, - shfryu një zonjë që ecte përbri meje, në një rast të ngjashëm.
“Rëndë e mallkove” - thashë me vete, - “të shkojë tjetri në xhehenem për një pështymë...”.
Ndërkohë, (në parantezë kjo) më duhet të shikoja ku hidhja këmbët, se kudo të shkelësh do të gjesh Mbetjen Ushqimore Trupore të qenve, dhe nuk është çudi që po se pate mendjen ose të bësh sparkatën, ose po të hysh në ndonjë vend me komunitet të zgjedhur, të të marrin me shqelma se u ndote ambientin.
Këta or të keqen e kanë koston e lartë, se veç psikologut për veten, u duhen dhe psikologë të specializuar për qentë.
Ec e ti gjesh.
E që ta ngjis mendimin pas parantezës, më duhet të shpjegoj se zotëria hijerëndë që kruante gurmazin nga e keqja, me jakën e palltos ngritur te veshët dhe duart në xhepa nuk ia bëri syri tërt nga fjalët e tjetrës, por përsëriti veprimin, këtë herë m'u te këmbët e gruas që e mallkoi. Isha i bindur që nuk e bëri nga inati, por sepse diçka të tillë e bënte në një vazhdimësi torturuese, deri në ekstrem. 
Njerëz të fustruar, të çuditshëm në ecje në qëndrim e në veprime.
Qenie krejt asociale.
-Vdeksh, - gati sa nuk ulëriti zonja.
“Të lumtë ajo gojë” - mërmërita këtë herë unë, tanimë i bindur se tjetri e kishte mbushur kupën. Ndërkohë që me një hap prej atleti kalova dhe një mbetje qensh. - “Fjala jote në vesh të perëndisë”, - shtova një çast më pas, ku ne mendjen time më shumë kisha të zotin e qenit se sa burrin me gurmaz të shqyer.
Këtyre tipave u duhet një elektroshok, se as hapjet nuk u bëjnë derman.
M’u pështiros. Çdo mëngjes e njëjta situatë. Ndryshojnë vetëm personat. Epo dhe nëse kisha ndërmend të ndalesha tek “Mëngjesorja” për të ngrënë një çapë buke, ca pilaf e ndonjë paçe koke, uria më zhduket menjëherë sepse më nakatosej aq shumë sa isha gati të nxirrja dhe ç’kisha ngrënë dy ditë më parë. Dhe një i tillë veprim në Tiranën tonë, është kthyer në art. Pllakat me mbishkrimet: “Mos pështyni për tokë” janë zhdukur. Por dhe po të ekzistonin ato s’do të kishin asnjë vlerë paralajmëruese. Dhe kjo kruajtje masive gurmazesh nuk ka të bëjë as me të ftohtët dhe as me situatat gripale: thjesht ka të bëjë me edukatën qytetare. Ndoshta me ndonjë tik nervor.
O po këtu të gjithë kanë nevojë për nga një psikolog.
Mizëri psikologësh.
Tanimë në Shqipëri nuk ka nevojë më për armatë me inxhinierë, matematikanë e fizikanë. Na duhen sa më shumë mësues e psikologë. Mësues që të edukojnë brezat dhe psikologë që të atashohen në çdo shkollë, qendër pune, madje dhe në supermarkata e lokale lagjesh, ku të pyesin çdo orë e minutë klientët: A jeni të motivuar për jetën?
E lemë me kaq, se fundin nuk ia nxjerrim dot...
Se këtu nuk kam ndërmend të flas për vrasjet e therjet me motivet tërësisht absurde, ku vendin e parë e mban gërvishtja e makinës në parking dhe vendin e dytë debati për një karikues celulari. Se këtë barrë as psikologu nuk e mban dot.
Dhe ec e mos thuaj pastaj: "popull psikik".

Botuar në:


Sunday, March 3, 2019

Kërkonim uranium, e zbuluam dhe i “vulosëm” galeritë


Flet inxhinier Gëzim Shima: Uraniumi, “thesari” që do të pasuronte shqiptarët. Kërkimet dhe shpenzimet kolosale për të pasur në dorë lëndën radioaktive me potencial të madh




nga Leonard Veizi


Uranium nuk kishte në sasitë që pretendohej por uraniumi duhej gjetur gjithsesi…

…Gëzim Shima ishte një nga inxhinierët i cili bënte pjesë në ekipin që kërkonte uraniumin shqiptar, e që më pas u emërua si shefi i ekipit të rivelimit për kërkimin e tij. Në ato vite, puna e këtij ekipi ishte tepër e ndërlikuar dhe nën masa të rrepta sigurie. Ai thotë se në galeritë e kërkimit të uraniumit punonin njerëz që duhet të mbanin sekretin. Sot 26 vjet pas mbylljes së galerive ku u gjet mineral me përqindje të pakët uraniumi, Shima thotë se gjithsesi kërkimi intensiv i përket së ardhmes.

Cila ishte detyra juaj si ekip inxhinierësh gjeolog?
Hartat tona ishin më të rëndësishme se ato të topografisë ushtarake dhe puna jonë vlerësohej më shumë se sa e uzinave sekrete të ushtrisë. Detyra parësore ishte të gjenim gjurmët e uraniumit, kudo që të ndodhej ai, në Jug apo Veri. Ishte një detyrë e cila duhej zbatuar me çdo kusht, pasi vetëm në këtë mënyrë, gjithë bota do kuptonte se ekspeditat e huaja që kishin rrëmuar tokën shqiptare për të njëjtën çështje, kishin dështuar. Në këtë mënyrë, Shqipëria do tregonte gjithashtu se ishte e aftë të ndërtonte socializmin duke pasur si pasuri, lëndën e rrallë radioaktive që përdorej gjerësisht në elektricitet, mjekësi e armatim.

Ndërkohë specialistë të huaj kishin kërkuar për uranium në territorin shqiptar?
Specialistët rusë, që u larguan nga Shqipëria më 1960, thanë se Shqipëria kishte nivel të varfër me lëndë radioaktive të tipit uranium, por këtë duket se nuk donin ta besonin qeveritarët e lartë, të cilët në kërkime të këtij lloji orientuan dhe specialistët kinezë. Por duket se as kinezë, nuk ishin optimistë në gjetjen me sasi të konsiderueshme të uraniumit shqiptar. Kishim hartat e lëna nga rusët. Ata kishin përcaktuar disa zona, por pasi i verifikuam, nuk doli gjë. Kështu që na ra pjesa ne shqiptarëve t’i shtrohemi punës.

Në fakt kishte Shqipëria vendburime uraniumi?
Formacionet ku lokalizoheshin vendburimet e uraniumit në Shqipëri, kjo e mbështetur saktësisht në shkencën gjeologjike, kishin përhapje të kufizuar dhe rezervat ishin të papërfillshme. Në vitin 1972, në gazetën Zëri i Rinisë, në faqen e saj shkencore, botova një artikull të titulluar shkencërisht “Lantanidet”, por që në shqip vjen me emrin “Elementët e tokave të rralla”. Në këtë artikull, flitej për elementët në “tokat e rralla shqiptare”, mënyrën e përpunimit të tyre dhe koston e një shpenzimi të tillë. Mesatarisht gjatë përpunimit të 10 mijë tonëve mineral dilte 1-kilogram Metal, i cili përmbante në vetvete 14 elementë të rëndësishëm. Ky Metal, përdorej gjerësisht në të gjitha fushat e teknikës dhe në atë kohë në tregun evropian kushtonte më shumë se 200 mijë dollarë për kile. Gjithsesi, një punë e tillë kishte një kosto të lartë për një vend si Shqipëria. Në maj të vitit 1974, në një mbledhje ku merrte pjesë dhe Teki Biçoku, Drejtor i Drejtorisë Gjeologjike, relatova haptazi, që forcat e mëdha që përdoreshin në frontin e lëndëve radioaktive, të hidheshin për t’u marrë me kromin e bakrin, që ishin dhe mineralet nga të cilat vareshin më së shumti eksportet shqiptare. Por kjo gjë nuk u erdhi për mirë drejtuesve. Gjatë kësaj mbledhjeje, paraqita dhe pjesë nga punimi im, që cilësonte se zonat me material radioaktiv ishin: në mal të Dajtit dhe në Krujë për lëndën boksid, në Gjirokastër dhe Sarandë për lëndën fosforid, si dhe në Gur të Zi në Shkodër, ku kampionët e analizuar tregonin gjurmë metali radioaktiv tip uranium. Që të përpunoheshin e shfrytëzoheshin lëndët radioaktive, duheshin ngritur laboratorë të kushtueshëm, gjë që Shqipëria e kishte të vështirë t’i përballonte.

Industria jonë kishte nevojë për uranium?
Nuk është se industria jonë në ato vite mund ta përdorte uraniumin. Kërkimi i tij kishte lidhje me psikozën që duhet të krijohej në popull se nëntoka jonë kishte gjithçka, flori edhe argjend, bakër edhe krom e në fund edhe lëndë radioaktive. Për këtë arsye shteti shpenzoi miliona dollarë e mbajti për më shumë se 15 vjet rreth 250 specialistë e punëtorë me rroga të larta, të cilët hapën galeri kërkimi prej qindra metrash.

Ku raportonit për punën tuaj?
Kryeministrin Mehmet Shehu e takonim sistematikisht një herë në 6 muaj për t’i raportuar. Nëpër biseda kam kuptuar se ai e konsideronte uraniumin si rezervë, që mund të hynte në punë më vonë. Pra, Mehmeti ishte më i moderuar në koncept.


***
Zbulimi i vendburimeve në Veri
"Para se të emërohesha në krye të ekspeditës, në Kukës, në zonën e Shishtavecit, në vendin e quajtur Nimçe, që në vitin 1970, ishte gjetur një damar minerali me përmbajtje uraniumi. Gjithçka ishte meritë e një grupi gjeologësh që drejtohej nga Llambi Llango e Vasil Nasi, ndërkohë që për kërkim/zbulimin fillestar patën merita gjeologët Petrit Kodheli dhe Ismail Balluku. Për zbulimin e vendburimit të dytë, atij të Muhurit në zonën e Peshkopisë, ishte edhe kontributi im, por meritën më të madhe e kishin teknikët gjeofizikë Sulejman Dama, Sabri Luli e Gëzim Kalldani. Një ndihmë të madhe në kërkim/rilevime dhe kërkim/zbulime kishin dhënë inxhinierët gjeofizikë Safet Dogjani, Osman Lika, Pëllumb Kasapi etj. Por gjithsesi vendburimi i Kukësit, apo galeria e Nimçes, kishte përmbajtje më të madhe të uraniumit. Nëse në Muhur të Dibrës u gjet mineral që kishte deri në 0.05% uranium, në Nimçe të Kukësit kjo sasi ishte në rastin më të lartë deri në 0.5 për qind”. - shprehet inxhinieri i njohur.

Dy vendburimet
Sipas Gëzim Shimës, në vitet 1970- 1986, ishin vetëm dy galeritë ku u gërmua vetëm me qëllim kërkimin e mineralit të uraniumit. Një prej galerive u rrëmua në këmbë të lumit Topojan, në zonën e Shishtavecit në Kukës, kurse galeria tjetër në Muhur të Dibrës, në breg të lumit Setë. Në galeri u gjet një shtresë e mineralit uraniummbajtës e trashësisë nga disa milimetra deri në dhjetëshet e para të metrave.  

                                                                Në krye të ekspeditës sekrete
Në 1972 Gëzim Shimën e emërojnë në krye të ekipit që kërkonte uranium. “Në Ndërmarrjen Gjeofizike të Tiranës u hodhën për herë të parë idetë e nisi puna për kërkim/vlerësimet e mineraleve të rralla, të çmuara dhe radioaktive. Kisha dëgjuar për një ekspeditë që kërkonte uranium, se ajo ishte pjesë e ndërmarrjes sonë, por e dija mirë se gjithçka ruhej sekret e nuk guxoja të pyesja më shumë. Përmes tyre mësova se materialet radioaktive lokalizoheshin në zona me ndërtim gjeologo-tektonik të ndërlikuar, me zhvillime të magmatizmit acid. Zona ku nxirrej uranium në përqindje të vlefshme për t’u shfrytëzuar, kishte shumë pak në Evropë. Nxirrej vetëm në Çeki, Francë e Suedi. Ndërkohë që në Rusi, SHBA, Afrikë të Jugut, Kongo, Gabon e Australi, përqindjet e përmbajtjes së uraniumit në mineral ishin shumë më të mëdha.” - thotë Gëzim Shima.



Jetëshkrimi
Gëzim Shima u lindi në 15 shtator 1939 në Tiranë. Vazhdoi studimet në fakultetin Gjeologji-Minierë. Specializohet për Stratigrafi e punime Radiometrike, kërkime minerale radioaktive. Ka botuar, si autor e bashkautor, mbi 100 projekte, manuale e libra shkencorë. 10 vitet e para punoi në ndërmarrjen gjeologjike në Rubik. Në 20 vitet e ardhshme, punoi në ndërmarrjen Gjeofizike në Tiranë. Në shtator ‘91 largohet nga Shqipëria. Punon në institutin “Buxtehude” të Gjermanisë. Më pas në institutin “Geoconsul” të Italisë.