Thursday, March 23, 2017

Moda e “shpërthimeve” pasive dhe shashkat me silenciator


nga Leonard Veizi


Prej shumë kohësh, aq sa s’e mbaj mend, nuk kisha marrë mundimin të hidhja qoftë dhe një gjysmë rreshti, ku të flitej për ndonjë problem social apo diçka nga fusha e kulturës. Them për këto dy rubrika, meqenëse në ujërat e politikës nuk para futem, sepse e di që nuk ia thek, ose më saktë: jam i dobët politikisht aq sa dhe në zgjedhje nuk shkoj të votoj. Ky mosangazhim ka ardhur jo se kam pasur ndonjë gjë më të rëndësishme për të bërë, por kam menduar se mjaft kam shkruar në gjithë këta vite, pasi edhe pse ca e ca-ve do t’u mungoja, ca të tjerëve me siguri u jam mërzitur. Dhe vendosa të bëj lexuesin. Një lexues të denjë lajmesh e intrigash popullore. Portaleve që u besoja ua mbaja mend link-un, mjafton një “www” përpara. Të tjerët më dilnin rrugës, pa më munduar. Në fundjavë blija dhe ndonjë gazetë printi të njihesha me të rejat e VIP-eve, kush kishte bërë ndërhyrje artificiale në vithe e gjoks, e kush i kishte mbajtur veshur brekët atë javë aq sa dhe paparacëve nuk u kishte lënë shkas. Por meqenëse e ndërrova sërish smartfonin dhe mora një patllake sa një lap-top, e kam parë të udhës që ngjarjet e nxehta t’i lexoja drejt e mbi ekranin e celularit, ndërsa ato me përmbajtje të thellë e shkencore t’i merrja me avashllëk, si të rehatohesha në kolltukun e zyrës e të ndizja ekranin e kompjuterit që e kam sa një televizor.
Dhe ndodhi ajo që u ka ndodhur dhe shumë të tjerëve, që pas njëfarë kohe u mërzita duke rrëmuar mbi google. Tani e kam fare të qartë menynë e ditës, që në mëngjes:
Hap portalin e parë e ndeshem me germa kapitale: “Shpërthen gazetari i njohur...”. Shpërthe vëlla shpërthe. Bëhem kureshtar të di ç’ka thënë kolegu, meqenëse prej 25 vitesh edhe unë kam punuar në të njëjtin front. “Ca si i vonuar ky shoku yt”, më thotë një klient i rregullit i së njëjtit bar, me të cilin rastis të ndajmë biseda mbi aktualitetin. Epo... “shpërthim pasiv”, ia kthej unë me mëdyshje në duhet ta thosha diçka të tillë. Bashkëbiseduesi qesh dhe vazhdon të mos ia ndajë sytë ekranit të aparatit të tij.
Unë vazhdoj ritmin tim. Hap portalin tjetër. Shpërthen shkrimtari i njohur...” Po hë më i lumtë. Të shohim çfarë thotë! Se dhe për shkrimtaret interesohem hera-herës, meqenëse dhe një faqe zyrtare e Ministrisë së Kulturës më kategorizon te seria: shkrimtar. Ja dhe një thagmë nga kolegu shkrimtar. Idilin ma prish interferenca e ziles së celularit. “Ku je?” janë fjalët e para të një miku, i cili më merr çdo dy ditë në telefon, në të njëjtën orë. “Në Tiranë ia kthej, - rrugën e Italisë e anulova”. “Ore po të pyes çfarë po bën tani?” Po lexoj axhanset, - ia kthej, - paska shpërthyer një shkrimtar... edhe një gazetar”. “Lëri ata se atë punë kanë, të plasin e të shpërthejnë, por eja ta kthejmë një gotë se kam marrë leje nja dy orë. Në 11.00 të pres te vendi...?” Shoh orën, ka kohë boll. Hap portalin e radhës: “Shpërthen aktori i njohur...” Edhe ky paska shpërthyer them me vete. Se këtu po shpërthejnë të gjithë. Do Zoti nuk na shpërthen lufta, ajo e treta për të cilën foli dhe Papa i Romës.
Dhe kështu vazhdon menuja e “shpërthimeve pasive” deri në vetëmohim. “Do ta thyej heshtjen, - marr një vendim të shpejtë. - Do të shpërthej dhe unë. Domethënë do reagoj një herë, pa decibelin e zhurmës e vendosin ekspertët”.
Dhe sërish kërkoj në google. Është forcë zakoni tanimë, nuk ka asgjë të re. Veç në qoftë se vritet ndokush brenda unazës së Tiranës. Se me këtë punën e shpërthimeve portalet duket se po i ngjajnë aq shumë njëri-tjetrit sa vetëm emri te kreu u ndryshon.
Tani s’di kujt t’i drejtohem për informim të saktë e të shpëtoj nga shpërthimet. Duken më të sigurta ato portale që kanë në prapavijë dhe një media tjetër: gazetë, revistë apo televizion. Të paktën ato kanë ca gazetarë që vazhdojnë t’u bien këmbët në terren, e të sjellin ndonjë lajm me më shumë se dy burime. Sepse portalet janë zaptuar nga gazetarë “dhome” që nuk firmosin asnjë shkrim, e nuk u njihet emri veç në Gjendje Civile. Askush nuk di se kush mban përgjegjësi për shkrimet përderisa asnjë prej portaleve nuk bën publik stafin që punon për të, emrin e administratorit, kryeredaktorit, adresën, etj. Ndaj dhe moda e copy-paste-it, që merr një citim prej faqes personale të një personazhi publik drejt medieve online, nga trend shpërthimesh shpejt do të përfundojë në shashka me silenciator.

Botuar në:

Monday, March 6, 2017

Libri mbi të gjitha

nga Leonard Veizi

Lexohet konsiderueshëm apo lexohet pak ditët e sotme? Duket sikur pyetja qëndron pezull. Ndërsa për të zgjidhur këtë dilemë në ndihmë më erdhën fjalët e ish-Presidenti i Shoqatës së Botuesve, z.Fatmir Toçi, teksa gjatë një interviste televizive të dhënë vite më parë ishte shprehur se “në Shqipëri lexojnë vetëm 1 për qind e popullsisë”. Gjithkush mund të pyesë se çfarë bëjnë 99 për qind e mbetur. Pyetje me vend... Megjithatë asnjë nuk mund të japë një përgjigje të saktë. Por një gjë dihet me siguri: nuk lexojnë, dhe kaq është shumë.
Ajo që dua të them, në vazhdim të kësaj hyrje me nota trishtuese, e ka fillesën një mëngjes, kur në apartamentin tim të sapo blerë, një prej punëtorëve, sapo kishin dorëzuar pallatin, i duhej të meremetonte ende diçka të lënë pas dore. Dhe natyrisht, sipas tij, i cili për shkak të “detyrës” kishte shëtitur të gjitha apartamentet e asaj lagjeje të re te “Komuna e Parisit”, tha se apartamenti edhe pse modest e kishte një element, që për çudi nuk e kishte hasur në shtëpitë e “boss”-ave të lagjes. Dhe kjo ishte… biblioteka. Po, po. Ishin pikërisht librat e shumtë mbledhur gjatë viteve, të cilët qëndronin rresht nëpër raftet e një biblioteke, me një konstrukt gjithashtu modest. Dhe kjo që sapo thashë, ishte në përgjigje të heshtur të asaj që Fatmir Toçi e kishte thënë me një gjuhë zyrtare.
Ndodhi që shqiptarët, me një përqindje të kënaqshme lexuesish para viteve ’90, tashmë janë futur në krizën e mos leximit. Nga 150 libraritë e dikurshme kanë shpëtuar fare pak, ndërsa hapja e të rejave numërohet me gishtat e dorës. Pjesa tjetër, sipas interesave të tregut, u kthyen në kafe, bilardo e lloto-sporti. E gjitha kjo me një logjikë fare të thjeshtë biznesi: fitohet më shumë.
Jetojmë kohën kur libri në Shqipëri nuk është në plan të parë. Ndryshe nga shumë vende të tjera të botës, ku shiten miliona ekzemplarë dhe krijohen me dhjetëra “best seller” çdo vit, shqiptarët e “varfër” po mundohen të kapin ritmin e kohës në një këndvështrim tjetër, atë të marrjes së shpejtë të informacionit pa lodhje, argëtim pa fund dhe shpenzim parash pa kufi. Ndërsa në qendrat e internetit rëndom do të shohësh të rinj të cilët chat-ojnë online me orë të tëra, ose më thjesht kalojnë një herë nga kazinoja me bindjen e thelle se ruleta do të jetë me ta kësaj rradhe. Pjesa më e pamundur e popullsisë, e merr kënaqësinë në kafe, bashkë me thashethemet e ditës dhe më e mundshmja që mund të bëjnë është t’i hedhin një sy fshehtazi lajmeve rozë të VIP-ve, prodhimit “Made in Albania”.
Megjithatë, në vitrinën e librarive të mbetura apo në bibliotekat e atyre që vazhdojnë të jenë të dashuruar pas tij, libri mbetet nga të paktat thesare të njeriut.
Por libri është dhe padyshim mbetet mbi të gjitha. E them këtë se vetëm nëpërmjet leximit fillon gjithçka, evolucioni  i vetë njerëzimit. Përndryshe çfarë vlere do të kishin universitete, arsimi parashkollor, apo masterat?
Testimet thonë se një përqindje e vogël e shqiptarëve i drejtohen librarive. Dhe në librari nuk ka vetëm libra artistikë, por dhe të gjithë gjinitë e tjera të të shprehurit me shkrim. Thënë me zë të ulët apo me zë të lartë, (s’ka rëndësi tashmë), duhet pranuar se ky është një skandal i vërtetë. Dhe të gjithë ata të rinj, apo nën moshë që në vend të bibliotekës i sheh të shesin cigare nëpër rrugë, nesër e kanë më të thjeshtë të jenë kontingjent i krimit ordiner, sesa kontingjent i auditorëve universitarë.
Megjithatë, Ai ka vlera në të gjitha kohët, antikitet, mesjetë apo në vitet e kibernetikës. Pa të s’mund të bëjmë dot asnjë hap të saktë. Ndërsa për ta përkujtuar është gjetur një ditë e veçantë, pikërisht kur shkrimtarë të përbotshëm ose kanë lindur, ose kanë vdekur. E pra është data 23 prill. Më 23 prill të vitit 1616 u nda nga kjo botë Shekspiri pasi kishte ardhur në këtë jetë në të njëjtë datë, 23 prill të vitit 1564. Më pas iku Servantesi, dhe akoma më pas Garcilaso de la Vega. 23 prilli shënon edhe lindjen ose vdekjen e shkrimtarëve të tjerë, si Maurice Druon, K.Laxness, Vladimir Nabokov, Joseph Pla dhe Manuel Mejia Vallejo. Kjo është arsyeja, për të cilën kjo datë domethënëse për letërsinë universale është caktuar nga Konferenca e Përgjithshme e UNESCO-s për t’i bërë homazh botëror librit.
Nuk dihet mirë në libri sot është një mik i harruar apo i paharruar. Është një mik i vyer apo përgjithësisht me vlerë. Në është i nevojshëm apo krejtësisht i domosdoshëm. Në të vërtetë, stimuli i të lexuarit autodidakt, vitet e fundit ka rënë ndjeshëm. Ndërsa atij të detyrueshmit, shumëkush mundohet t’i shpëtojë. Në Bibliotekën Kombëtare më së shumti gjen studiuesit e vjetër dhe nga pak studentë të viteve të para, që kërkojnë libra. Ata të viteve të larta ia kanë marrë dorën me kohë. Pjesa tjetër e popullsisë hyrjen e Bibliotekës Kombëtare e kanë si pikë referimi për takimet e rastësishme, që lënë nëpërmjet celularit. Shumë të tjerë as që e dinë fare se çfarë përfaqëson stema e vendosur në krah të Pallatit të Kulturës.
Edhe i rikthehemi të njëjtës histori.
Po kaq të vakëta janë dhe libraritë e pakta që gjithashtu kanë të njëjtin fat. Adoleshentë apo të rinj më të mëdhenj e kanë më të lehtë të mbushin makinën me benzinë apo të konsumojnë birra pa fund në një “pub” të zhurmshëm buzë rrugës, sesa të ulen disa orë me një libër në dorë.
Thua është humbje kohe…???
Ndërsa në orën e mësimit nuk është ndonjë risi të paraqitesh me një stilolaps dhe një fletore të përgjysmuar futur në xhepin e pasmë të pantallonave. Më së shumti kjo ndodh tani, në epokën e një bote virtuale, ku herë-herë, me mendjet e njerëzve, forma e një libri klasik duket i tejkaluar apo i mërzitshëm, përderisa lundrimi në shtratin e gjerë të internetit të jep plot mundësi të shpejta, gjysmë të gatshme apo krejt të gatshme. Atëherë, përse duhet të shpenzosh kohë dhe energji për të ngulitur sytë mbi germat e zeza e të vogla, të radhitura mbi faqen e bardhë.
Ndoshta, për këto arsye, Dita Ndërkombëtare e Librit erdhi vonë, vetëm në 23 prill të vitit 1995. Deri atëherë nuk ishte parë e arsyeshme që libri të përkujtohej përmes datave ekzakte. Ai ishte i përkujtuar në çdo kohë, në çdo çast të ditës, dhe në çdo ambient ku mund të lexohej, qoftë dhoma e gjumit apo tren në lëvizje. Ndërsa tanimë ai domosdoshmërish duhet futur në hullitë e publicitetit vizual e të stampimit të posterave, ku sloganet për leximin e pashtershëm, më shumë se poetike, i ngjajnë një thirrjeje dëshpëruese. Në fakt, kjo nuk duhet të ndodhë kurrë, edhe pse në fakt ndodh…


Botuar në gazetën Metropol. - Nr. 1069, 8 qershor, 2007