Monday, March 6, 2017

Libri mbi të gjitha

nga Leonard Veizi

Lexohet konsiderueshëm apo lexohet pak ditët e sotme? Duket sikur pyetja qëndron pezull. Ndërsa për të zgjidhur këtë dilemë në ndihmë më erdhën fjalët e ish-Presidenti i Shoqatës së Botuesve, z.Fatmir Toçi, teksa gjatë një interviste televizive të dhënë vite më parë ishte shprehur se “në Shqipëri lexojnë vetëm 1 për qind e popullsisë”. Gjithkush mund të pyesë se çfarë bëjnë 99 për qind e mbetur. Pyetje me vend... Megjithatë asnjë nuk mund të japë një përgjigje të saktë. Por një gjë dihet me siguri: nuk lexojnë, dhe kaq është shumë.
Ajo që dua të them, në vazhdim të kësaj hyrje me nota trishtuese, e ka fillesën një mëngjes, kur në apartamentin tim të sapo blerë, një prej punëtorëve, sapo kishin dorëzuar pallatin, i duhej të meremetonte ende diçka të lënë pas dore. Dhe natyrisht, sipas tij, i cili për shkak të “detyrës” kishte shëtitur të gjitha apartamentet e asaj lagjeje të re te “Komuna e Parisit”, tha se apartamenti edhe pse modest e kishte një element, që për çudi nuk e kishte hasur në shtëpitë e “boss”-ave të lagjes. Dhe kjo ishte… biblioteka. Po, po. Ishin pikërisht librat e shumtë mbledhur gjatë viteve, të cilët qëndronin rresht nëpër raftet e një biblioteke, me një konstrukt gjithashtu modest. Dhe kjo që sapo thashë, ishte në përgjigje të heshtur të asaj që Fatmir Toçi e kishte thënë me një gjuhë zyrtare.
Ndodhi që shqiptarët, me një përqindje të kënaqshme lexuesish para viteve ’90, tashmë janë futur në krizën e mos leximit. Nga 150 libraritë e dikurshme kanë shpëtuar fare pak, ndërsa hapja e të rejave numërohet me gishtat e dorës. Pjesa tjetër, sipas interesave të tregut, u kthyen në kafe, bilardo e lloto-sporti. E gjitha kjo me një logjikë fare të thjeshtë biznesi: fitohet më shumë.
Jetojmë kohën kur libri në Shqipëri nuk është në plan të parë. Ndryshe nga shumë vende të tjera të botës, ku shiten miliona ekzemplarë dhe krijohen me dhjetëra “best seller” çdo vit, shqiptarët e “varfër” po mundohen të kapin ritmin e kohës në një këndvështrim tjetër, atë të marrjes së shpejtë të informacionit pa lodhje, argëtim pa fund dhe shpenzim parash pa kufi. Ndërsa në qendrat e internetit rëndom do të shohësh të rinj të cilët chat-ojnë online me orë të tëra, ose më thjesht kalojnë një herë nga kazinoja me bindjen e thelle se ruleta do të jetë me ta kësaj rradhe. Pjesa më e pamundur e popullsisë, e merr kënaqësinë në kafe, bashkë me thashethemet e ditës dhe më e mundshmja që mund të bëjnë është t’i hedhin një sy fshehtazi lajmeve rozë të VIP-ve, prodhimit “Made in Albania”.
Megjithatë, në vitrinën e librarive të mbetura apo në bibliotekat e atyre që vazhdojnë të jenë të dashuruar pas tij, libri mbetet nga të paktat thesare të njeriut.
Por libri është dhe padyshim mbetet mbi të gjitha. E them këtë se vetëm nëpërmjet leximit fillon gjithçka, evolucioni  i vetë njerëzimit. Përndryshe çfarë vlere do të kishin universitete, arsimi parashkollor, apo masterat?
Testimet thonë se një përqindje e vogël e shqiptarëve i drejtohen librarive. Dhe në librari nuk ka vetëm libra artistikë, por dhe të gjithë gjinitë e tjera të të shprehurit me shkrim. Thënë me zë të ulët apo me zë të lartë, (s’ka rëndësi tashmë), duhet pranuar se ky është një skandal i vërtetë. Dhe të gjithë ata të rinj, apo nën moshë që në vend të bibliotekës i sheh të shesin cigare nëpër rrugë, nesër e kanë më të thjeshtë të jenë kontingjent i krimit ordiner, sesa kontingjent i auditorëve universitarë.
Megjithatë, Ai ka vlera në të gjitha kohët, antikitet, mesjetë apo në vitet e kibernetikës. Pa të s’mund të bëjmë dot asnjë hap të saktë. Ndërsa për ta përkujtuar është gjetur një ditë e veçantë, pikërisht kur shkrimtarë të përbotshëm ose kanë lindur, ose kanë vdekur. E pra është data 23 prill. Më 23 prill të vitit 1616 u nda nga kjo botë Shekspiri pasi kishte ardhur në këtë jetë në të njëjtë datë, 23 prill të vitit 1564. Më pas iku Servantesi, dhe akoma më pas Garcilaso de la Vega. 23 prilli shënon edhe lindjen ose vdekjen e shkrimtarëve të tjerë, si Maurice Druon, K.Laxness, Vladimir Nabokov, Joseph Pla dhe Manuel Mejia Vallejo. Kjo është arsyeja, për të cilën kjo datë domethënëse për letërsinë universale është caktuar nga Konferenca e Përgjithshme e UNESCO-s për t’i bërë homazh botëror librit.
Nuk dihet mirë në libri sot është një mik i harruar apo i paharruar. Është një mik i vyer apo përgjithësisht me vlerë. Në është i nevojshëm apo krejtësisht i domosdoshëm. Në të vërtetë, stimuli i të lexuarit autodidakt, vitet e fundit ka rënë ndjeshëm. Ndërsa atij të detyrueshmit, shumëkush mundohet t’i shpëtojë. Në Bibliotekën Kombëtare më së shumti gjen studiuesit e vjetër dhe nga pak studentë të viteve të para, që kërkojnë libra. Ata të viteve të larta ia kanë marrë dorën me kohë. Pjesa tjetër e popullsisë hyrjen e Bibliotekës Kombëtare e kanë si pikë referimi për takimet e rastësishme, që lënë nëpërmjet celularit. Shumë të tjerë as që e dinë fare se çfarë përfaqëson stema e vendosur në krah të Pallatit të Kulturës.
Edhe i rikthehemi të njëjtës histori.
Po kaq të vakëta janë dhe libraritë e pakta që gjithashtu kanë të njëjtin fat. Adoleshentë apo të rinj më të mëdhenj e kanë më të lehtë të mbushin makinën me benzinë apo të konsumojnë birra pa fund në një “pub” të zhurmshëm buzë rrugës, sesa të ulen disa orë me një libër në dorë.
Thua është humbje kohe…???
Ndërsa në orën e mësimit nuk është ndonjë risi të paraqitesh me një stilolaps dhe një fletore të përgjysmuar futur në xhepin e pasmë të pantallonave. Më së shumti kjo ndodh tani, në epokën e një bote virtuale, ku herë-herë, me mendjet e njerëzve, forma e një libri klasik duket i tejkaluar apo i mërzitshëm, përderisa lundrimi në shtratin e gjerë të internetit të jep plot mundësi të shpejta, gjysmë të gatshme apo krejt të gatshme. Atëherë, përse duhet të shpenzosh kohë dhe energji për të ngulitur sytë mbi germat e zeza e të vogla, të radhitura mbi faqen e bardhë.
Ndoshta, për këto arsye, Dita Ndërkombëtare e Librit erdhi vonë, vetëm në 23 prill të vitit 1995. Deri atëherë nuk ishte parë e arsyeshme që libri të përkujtohej përmes datave ekzakte. Ai ishte i përkujtuar në çdo kohë, në çdo çast të ditës, dhe në çdo ambient ku mund të lexohej, qoftë dhoma e gjumit apo tren në lëvizje. Ndërsa tanimë ai domosdoshmërish duhet futur në hullitë e publicitetit vizual e të stampimit të posterave, ku sloganet për leximin e pashtershëm, më shumë se poetike, i ngjajnë një thirrjeje dëshpëruese. Në fakt, kjo nuk duhet të ndodhë kurrë, edhe pse në fakt ndodh…


Botuar në gazetën Metropol. - Nr. 1069, 8 qershor, 2007




No comments:

Post a Comment