Friday, May 10, 2024

Shqipëria 2024 në vorbullën e ëndrrës skenike “nga fitorja në fitore”


Nga 
Leonard Veizi
 
Çfarë presim tanimë nga viti 2024 kur jemi në muajin e 5-të të tij?
-Plot ore, sa të duash!
Shqipëria po përgatitet të bëjë një kapërcim epokal këtë vit. Ngjarje madhore po e presin.
Ndërkohë që lajmet janë të mbushura me dhunë e terror, vrasje e vetëvrasje, si dhe me politikë absurde, ku SPAK-u tundet mbi koka mëkatarësh si shkop bejsbolli, Shqipëria do të përballet këtë sezon edhe me ngjarje të tjera të mëdha, që pretendojnë ta zbusin atmosferën e ta bëjnë më “fraxhile”. Dhe do Zoti e na sheh, se presim fitoret njëra pas tjetrës. Por kjo jo domosdoshmërish do të na kujtojë filmin e vitit 1952 që i përket socrealizmit kinez të regjisorëve Yin Cheng dhe Xiaodan Tang, i cili titullohet “Nan zheng bei zhan”  që në anglisht njihet si “From victory to victory” por që në shqip është transmetuar nga ekrani i “Tirana” me titullin  “Nga fitorja në fitore”. Natyrisht, për shkak të marrëdhënieve të shkëlqyera që kishim me Kinën motër, na takonte të transmetonim filmat epope të fitoreve të hatashme të ushtrisë së Kuqe Kineze drejtuar nga komunisti Mao Ce Dun herë mbi ato Japoneze e herë mbi forcat e kundërshtarit të tij nacionalistit Çan Kai Shi.
Por ta lëmë mënjanë Kinën e madhe dhe të përqendrohemi tek Shqipëria jonë e vogël ku spektatorët janë mprehur të shohin spektaklin e pritur prej vitesh.
 
Eurovizioni
Besa Kokëdhima do të performojë në Eurosong. Eurovision Song Contest 2024 është edicioni i 68-të i Eurovision Song Contest. Edicioni po zhvillohet në Malmoe të Suedisë, pas fitores së vendit në konkursin e vitit 2023 me këngën "Tattoo" kënduar nga Loreen. Këngëtarja Kokëdhima, përfaqëson Shqipërinë mes 37 vende të tjera, ku në skenën “Malmö Arena” do të performojë me këngën “Zemrën n’dorë” por që në versionin anglisht mban titullin “Titan”.
Deri tani në Eurosong vendin më të mirë Shqipërisë ia ka dhënë performanca e Rona Nishliut kur në vitin 2012 në Baku të Azerbajxhanit me këngën “Suus” ajo u ngjit në vend të pestë. Anjeza Shahini mban vendin e dytë kur në Stambollin e Turqisë u ngjit në vendin e shtatë, pikërisht kur Shqipëria u përfaqësua për herë të parë në kompeticionin e madh të Eurovizionit në vitin 2004 me këngën “Imazhi yt” por që në versionin anglisht njihet si "The Image of You".
Vendin e tretë më të mirë për Shqipërinë në Eurovizion e mban Eugent Bushpepa kur në vitin 2018 me këngën "Mall" të kënduar në shqip, kapi vendin e 11- në renditje, pikërisht në Lisbonën e Portugalisë.
Shqipëria do të paraqitet për herë të 20-të në Eurosong, duke hequr këtu një rast, pasi festivali i vitit 2020 nuk u zhvillua për shkak të pandemisë Covid duke mos i dhënë mundësinë këngëtares Arilena Ara dhe këngës së saj "Shaj" - që në versionin anglisht u njoh me titullin "Fall from the Sky" - të lançohej nga Holanda.
E s’është çudi që këtë herë të fitojmë Eurosongun, se shumë kemi pritur pas liste e do na ketë ardhur radha. Sepse siç dihet, pavarësisht këngës dhe risive, në Eurovizion votohet fshatçe, ku vendet frankofone dorovisin njëra-tjetrën, ashtu si ato gjermanike dhe po aq sa vendet sllave. Dhe Shqipëria përgjithësish mbetet e zbuluar, me ca pikë më tepër nga Maqedonia e Veriut. Ndaj pikët që kemi marrë, i kemi “me forcat tona”.
Fundja le të bjerë një herë daci në kos, se nuk u bë qameti. E ta organizojmë Eurosongun jo te pallati i Kongreseve të Partisë, larg qoftë, por te stadiumi “Air Albania” që mban 22 .500 vende. Se menaxherin për organizime të tilla e kemi të paparë dhe ka dhënë prova në të gjitha takimet ndërkombëtare ku marrin pjesë jo më artistë, por burra shteti, firma e të cilëve rëndon aq sa të nisë Lufta e Tretë Botërore.
 
Kampionati Evropian
Nëse në Eurovizion paraqitemi për herë të 20-të, me Kampionatin Botëror nuk kemi ndonjë bilanc për t’u marrë shembull. Paraqitemi për herë të dytë. Por sa pa gjë...
-Paçim gjithmonë, paçim gjithmonë! Bereqaversën!
-Po ç'më bën duva si në xhami o derbardhë?
Për herë të parë në vitin 2016, Kombëtarja Kuq e Zi e Shqipërisë me trajner italianin Gianni De Biasi, - asokohe 60 vjeçar, - kualifikohet në finalet e Kampionatit Evropian. U bë nami në Tiranë. Se e kishim dhe për herë të parë.
-Tifozët e rinj janë si dhëndurët e rinj, të papërmbajtshëm.
UEFA 2016, ishte Kampionati i 15-të Evropian për ekipet kombëtare të futbollit të meshkujve organizuar nga UEFA. Sepse gara mbahet çdo katër vite që nga viti 1960.
Kompeticioni u mbajt në Francë nga 10 qershor deri 10 korrik 2016.
Kombëtarja shqiptare u eliminua nga grupet e “Euro 2016”, pasi humbi dy ndeshje dhe fitoi një. Shqipëria humbi me Zvicrën dhe me Francën, por fitorja me Rumaninë nuk e ngrinte dot aq sa të kalonte grupin për të vazhduar më tej.
Kjo ishte sprova e parë, gjithsesi.
Në Kampionatin 17-të të Futbollit Evropian, i cili zhvillohet nga 14 qershori deri më 14 korrik 2024 në dhjetë stadiume të Gjermanisë, marrin pjesë 24 skuadra. Shqipëria u kualifikua ndërsa drejtohej nga trajneri brazilian, - tanimë 49-vjeçar - Sylvio Mendes Campos, i njohur për publikun si Silvinjo.
Thuhet se Kombëtarja Kuq e Zi do të përballet me titanët në Kampionatin Evropian. Jemi pjesë e asaj që konsiderohet si "grupi i vdekjes" ku përfshihen Spanja, Kroacia dhe Italia. Çfarë të heqësh e çfarë të lësh. Por moralin e kemi të lartë. Ne Italinë e hodhëm në det në ‘20-tën me Selam Musain në krye që kishte një gjysmë opinge, e jo më tani kur djemtë tanë kanë këpucë me taka. Le po i i kemi vënë pushkën dhe në vitin 1943 kur ushtrinë e drejtonte Spiro Moisiu, por me komisar politik shokun Enver, sa që sa e bëmë Benito Musolinin të ngrinte duart përpjetë bashkë me Klareta Petaçin. Pyesim ne për ekipin e futbollit?! E keni parë filmin “Fushë e kuqe fushë e blertë”. Ja ashtu do t’i rrahim italianët, si atëherë kur stërviteshim me top pe lecke.
-Vaj, vaj vaj, duart me kajmak...
...- lojën e futbollit sot e kemi hak.
-Hidhe një top këtu. Je i modh. Pesë gola do bëj sot unë, jo një gol.
 
Sezoni turistik
Vetë Shqipëria, e cila sipas statistikave zyrtare priti vjet 10 milionë turistë të huaj, shumica pjesë e sezonit veror, këtë vit po përgatitet seriozisht që të mbajë dyfishin e kësaj shifre, por me më pak punëtorë sezonalë në fushën e shërbimeve dhe jo me aq shtretër sa është e nevojshme. Se ne e mendojmë turistin si veten tonë, që flemë dy veta në një krevat, hamë në një gavetë, dhe po qe se nuk ka ujë, nuk është se bëjmë shamatë po biem e flemë si na zë nata. Madje dhe po nuk pati energji elektrike bëjmë si bëjmë. Por detin e duam ama, dhe për atë sakrifikojmë të flemë dhe në çadra e kampingje me fenerë te koka dhe dyshekë portativë mbushur me ajër dhe me racion ushqimor të përgjysmuar.
Por turisti i huaj ka salltanete. Se këtë periudhë e ka kaluar që kur Evropa u pushtua nga Roma dhe ndërtoi banja publike për ushtarët e civilët.
Këtë vit shqiptarët po fërkojnë duart të bindur se 20 milionë turistë do të shkelin këtë tokë. E kanë nisur të bëjnë hesapet, - por pa hanxhinë, sigurisht - se sa para do të lënë jabanxhinjtë për ngrënie, fjetje e gjezdisje poshtë e lart me “rent a car”... Llogaritë na dalin mirë, ahuuu, sa edhe buxheti i shtetit do notojë në para, se privati po e po.
Se si do arrihet kjo një Zot e di. Se tani s'po kemi më as krahë pune.
-Ore po atë kushëririn tim Kristaqin, të vetmen lidhje farefisnore me fshatin, si e kam?
-Mirë, çka. Po me gjithë ata kalamaj e ka pak të vështirë, meqë s’ka as krahë pune.
Ashtu si një Zot e di se si do të fitojmë ndaj Spanjës. Apo do të humbim… Shpresa vdes e fundit gjithsesi. Bën vaki dhe fitojmë. Madje mund të fitojmë dhe me Italinë, por dhe me Kroacinë. E kështu shpallemi kampionë sa të kalojmë grupin e s’ka nevojë t’i shkojmë garës deri në fund.


No comments:

Post a Comment