Friday, May 22, 2020

Portret/ Antoneta Papapavli, zonja elegante e skenës shqiptare


Nga Leonard Veizi

“Thesin aga”...
Krejt e përciptë, fort e thellë, e tejskajshme... therëse, ironike, lozonjare, por edhe ndjellëse njëkohësisht. Çfarë duhet më shumë se kaq për të bërë dy fjalë të zakonshme, të pazakonta. Të gjitha këto, të marra së bashku, bëjnë atë që një batutë, e përshtatur thjeshtësisht për një skenar filmi dhe e interpretuar në mënyrë mjeshtërore nga një aktore brilante, jo vetëm të mos humbasë në kohë, por të kalojë gojë më gojë,edhe në mungesë të transmetimit digjital. Sepse vetëm tri sekonda duheshin për të kuptuar se në celuloidin e larë, të stampuar e të transmetuar në ekranin e gjerë, dy fjalë të shkruara nga Teodor Laço ngrihen në piedestal përmes timbrit të Antoneta Papapavlit.
Dhe pas kësaj vjen një tjetër sekuencë, nga një tjetër film:
“Liza, dëgjo mamin ti. Hiqe mendjen nga ai torollak. Të gjen mami një burrë ty...”
Në botën shqiptare të filmit a kinemasë, ka plot aktorë të cilëve nuk u mbahet mend ndonjë batutë, edhe kur ata kanë ndjekur me rreptësi gjithçka u kërkohej prej zbërthimit tekniko-regjisorial, nga mbreti i sheshit të xhirimit. Por në fondin e Antonetës mund të gjesh pa vështirësi një duzinë të tillash, e ca më shumë.
Antonetën nuk e takova dot kurrë sa ishte gjallë, edhe pse me emrin tim si autor ekziston një intervistë e rrallë e saj. I gjeta një mik të fortë, me qëllimin që të kisha mundësi ta intervistoja në mënyrë të drejtpërdrejtë. Ishte një merak i madh, për një aktore shumë më të madhe, e cila nuk po qarkullonte më në ambientet artistike. Dhe mendova se ajo nuk do t’ia prishte djalit të saj, Albencit. Por, në fakt, as kjo ndërhyrje spektakolare nuk piu ujë. E ulur në një karrige me rrota, aspak mirë me shëndetin, kjo zonjë e madhe e skenës teatrore, nuk priste askënd për vizitë, përveç nja dy mikeshave të saj të vjetra, që nuk e kishin braktisur asnjëherë. Dhe prej shumë vitesh ishte mbyllur në botën e saj.
E, megjithatë, kompromisi u arrit. Intervista u bë me korrespondencë, dhe inxhinieri Albenc bëri intervistën e parë në jetën e tij si gazetar, duke mbajtur shënim ato çfarë thoshte nëna e tij, Antoneta, mbi pyetësorin që unë kisha shkruar te një fletë e grisur nga blloku.
Dhe ja çfarë mësoja prej saj:
Kshtelindur në qytetin e Përmetit, më 17 shkurt të vitit 1938, por që herët, 4 vjeç, ishte shpërngulur me gjithë familjen në Tiranë. Pasioni për artin, baletin edhe pikturën e kishte shoqëruar që në moshë të vogël. Gjatë viteve të shkollës së mesme, te “Qemal Stafa”, u përfshi në grupet e para artistike që kishin nisur të krijoheshin në fundin e viteve ‘50. Por ajo do të ishte pjesëmarrëse edhe në grupet artistike në pallatin e kulturës “Ali Kelmendi”, në Tiranë. Në fillim të viteve ‘60 hyri në shkollën e lartë për aktore, me ndihmën dhe mbështetjen e  mjeshtrave Tef Pali, Pjetër Gjoka e Pandi Stillu. Pas përfundimit të studimeve u emërua aktore në Teatrin Popullor Tiranë. Nga stafi konsiderohej si një femër e talentuar dhe tepër logjike në interpretim. Gjatë viteve ‘60 - ‘70 interpretoi role të shumta, por, fatkeqësisht, këto nuk janë regjistruar. Me hapjen e kanalit të vetëm televiziv në Shqipëri, u bë i mundur regjistrimi i disa dramave, të cilat gjenden edhe sot në arkiv, si “Karnavalet e Korçës”, “Lumi i vdekur”, “Luiza Miller” dhe “Arturo Ui”. U largua nga skena për shkak të sëmundjes së këmbëve, të cilat nuk kishin më forcë të mbanin trupin e saj. Nuk ishte më e aftë të qëndronte për një kohë të gjatë në këmbë. Kështu vendosi të dalë në pension të parakohshëm, që në moshën 50 vjeç. Ishte viti 1988 kur u shkëput tërësisht nga aktiviteti. Në mes të viteve ‘80 ishin dy role të saj në teatër: “Shtëpia me dy porta” dhe “Pallati 176”. Dhe duhet pasur parasysh se spektatori njeh përmes ekranit, kastin e aktorëve me të cilët komedia e njohur e Adelina Balashit vënë në skenë nga Alfred Bualoti e Andon Qezari, u regjistrua nga Televizioni Shqiptar. Por pakkush e di se rolet e Lirisë dhe Vanit kanë qenë të dubluara me aktorët Antoneta Papapavli dhe Mërkur Bozgo, një dyshe po aq e suksesshme sa dhe Pavlina Mani e Roland Trebicka. Këto dy komedi ishin rolet e fundit. Ndërsa në këtë periudhë kishte xhiruar në kinostudio filmat: “Si gjithë të tjerët”, “Hije që mbeten pas”, “Apasionata” dhe “Nxënësit e klasës sime”. Edhe pse me probleme shëndetësore, ka pasur shumë propozime për role në teatër, si në rastin e ofertës nga regjisori Kiço Londo, të cilat ka qenë e detyruar t’i refuzojë. Në karrierën e saj artistike ajo numëron të paktën 130 role në skenë dhe kinema.
“Erdhi Ollga, Ollga e Stefanit e s’e pashë unë, që s’më shpëton asgjë... Sërish një tjetër batutë e saj nga një film simbol i viteve ’80.
I impresionuar nga intervista e saj dhe nga ato çfarë më përcolli djali i saj, Albenci, lidhur me sëmundjen e aktores dhe mepërpjekjen titanike që ajo bënte çdo ditë për ta ruajtur portretin e saj, po aq të bukur sa dhe kur ishte aktive në skenë, u motivova për të shkruar një introduksion. Dhe ja si u konceptua hyrja e intervistës së saj, botuar në 9 marsin e vitit 2011.

***
Ëndrra e saj e përnatshme e çon në të njëjtin vend, me një shpejtësi të tejskajshme, të paimagjinueshme disi skizofrenike dhe fare të përbindshme. Nuk duhet veç gjysma e sekondës, a mos më pak dhe befas ajo gjendet atje, mes errësirës dhe në dritë, rrethuar nga imazhe partnerësh të vjetër dhe me rekuizita që ndryshojnë papritmas. Ndërsa ajo në vorbullën e një amalgame të pafundme përndritjesh, me një magji që vazhdon e s’ndalet, qëndron drejt, pa u mbajtur kund. Nuk ka nevojë për karrocë invalidësh, e as për paterica paraplegjikësh nuk do t’ia dijë. Habia është zhdukur dhe vetë dyshimet e ngritura si piramidë rrëzohen njëherazi. E ndërsa skenat ndërrohen vazhdimisht, ajo interpreton mbi to e nuk ndien lodhje. Zëri rrëshqet mbi koka spektatorësh në plate... dhe ajo vazhdon të luajë, të luajë, të luajë... Është po e njëjta Antonetë; pak “Luizë” dramatike, a ndoshta “Afroviti” tekanjoze, diku një Klea e dashuruar dhe herë tjetër gjysmorientalja Hatixhe. Por e gjitha kjo është veç një ëndërr, imazhi i së cilës përsëritet atëherë kur do dhe kur nuk ia ka ngenë sigurisht. Antoneta Papapavli, kjo aktore e magjishme e skenës dhe e kinemasë shqiptare, prej më shumë se 20-vjetësh jeton veç ëndrrën e saj. Është tërhequr nga skena dhe, teatrin nuk ka mundësi ta ndjekë nga pas, as si spektatorja e radhës së fundit. Ndaj vetëm kënaqet me ekranin televiziv, teksa pulti kërkon pareshtur mes zhurmës aksion e thriller hollivudian, të ngujohet në stampën e njohur të vjetër, e pak të dalë boje, “Kinostudioja Shqipëria e Re”. Ndoshta kjo dhe jo vetëm... por dhe ca gjëra të tjera që ajo i ka përjetuar dhimbshëm e plot kurajë, gjatë këtyre viteve të vështira, e kanë bërë atë të jetë më e mbyllur dhe thuajse pa kontakte përtej mureve që e rrethojnë. E, padyshim, ajo nuk do më, në pakujdesinë e saj shfrenuar që dikush ta shqetësojë, me një tringëllimë telefoni, a një të trokitur dere. Veç ndien hapat e djalit të saj në shkallë, çelësin teksa lëviz në bravë dhe vazhdon të qëndrojë e patrazuar në pozicionin që ka zgjedhur për t’u çlodhur. E këtë qetësi të palëvizshme, të ngurtë e të ngujuar njëherazi ka munduar ta shprishë veç këtë herë, për t’iu përgjigjur pyetjeve të një gazetari, i cili nuk pati fatin të kthehej nga rruga si të tjerë. E pas kësaj tabuje të thyer, ndoshta ka ardhur çasti që pas kaq vitesh heshtjeje, ajo të vazhdojë të jetë po aq publike, për të gjithë ata që e mbajnë mend nga pelikula e kinemasë, apo shiriti elektronik i kamerës televizive.

***
Kjo ishte Antoneta Papapavli, e cila pasi u njoh me materialin e botuar, si rrallëherë kishte ndodhur, kërkoi ta priste gazetarin në shenjë mirënjohjeje. Vetëm se kërkoi që ky takim të bëhej në një kohë më të të përshtatshme, në ditët e ngrohta të pranverës, kur do të kishte mundësi të trukohej e t’i lyente flokët me bojë, dhe të këndellej sado pak që ta sajdiste mikun që do t’i vinte në shtëpi, edhe pse vetë ndodhej mbi një karrige lëvizëse. “Ajo nuk do të jetë më publike, sepse kërkon që njerëzit ta mbajnë mend ashtu, një zonjë grua, të bukur, aktore profesioniste dhe, mbi të gjitha, një fisnike në shpirt. Nuk do që njerëzit që e njohin, ta shohin në karrocë”, m’u shpreh Albenc Papapavli asokohe. Dhe unë prita që përveç miqve të saj Mimika Lucës, Edi Luarasit, Besa Imamit, Marika Kallamatës, Pëllumb Kullës, Vladimir Priftit, Ali Begës e ndonjë tjetri, që e kalonin pa vështirësi pragun, në radhën e vizitorëve të isha dhe unë. Por kjo mundësi nuk u gjet dot, derisa në 3 shtator të vitit 2013 u njoftova për ikjen e saj nga kjo botë. Sot mund të ngushëllohem me intervistën që më dha 9 vjet më parë për gazetën “Telegraf” dhe këtë portret modest të cilin e kam shkruar për gazetën “Fjala”.

No comments:

Post a Comment