Thursday, May 28, 2020

Meri File: Arti im, formë rebelimi për njerëz “trutharë”


Nga Leonard Veizi

Çfarë ndodh nëse ajo kap penelin në dorë? Në të gjitha rastet dhe asnjëherë më pak, një revoltë ngjyrash e grafike. Dhe një provokim i hapur gjithashtu, për të gjithë ata që nuk durojnë dot t’u preken simbolet. Por kjo, sipas saj, është një “formë rebelimi për njerëz ‘trutharë’”. E njohur për tendencën e saj të përhershme të shkitjes prej kuadratit, thyerje tabush shumëvjeçare, dhe zhveshje lakuriq jo vetëm të natyrës femërore, Meri File sjell në kanavacë një formë të lirë e të shkriftuar të artit të saj. Për më tepër, në një intervistë për gazetën “Fjala” piktorja e njohur thotë:

E cenoi karantina lirinë e të ushtruarit të profesionit, apo e kundërta, u bëtë më kreative?
Krijimtaria e një artisti është lumturi metafizike kur mbron absurditetin e botës. Sëmundja, pasiguria, kujdesi, frika, dashuria e pamatshme për natyrën, revolta absurde, janë homazhe që njeriu i bën dinjitetit të vet në një gjendje shpirtërore  që është i mundur çdo herë, por edhe në frymëzim te pashterueshëm. Ky mendim mjaftoi për të ushqyer akoma dhe më tepër artin tim. Në studio... Në vendin e çdo artisti ku gjysma plotëson gjysmën tjetër, dhe ndihet e plotë. Çdo natë si përherë, asnjëherë nuk e kam lënë artin edhe në kohë... një frymëzim akoma edhe më shumë në kohën e koronavirusit.

Njiheni fillimisht si piktorja në grafikë e nudove, ndërsa kohët kanë treguar përfshirjen edhe në tema të tjera. Çfarë e ngacmon një autor të përfshihet brenda gjinisë në rryma të ndryshme?
Arti ka një forcë vullneti të mbinatyrshme që gjithmonë është kontradiktore me ne si artistë. Ushtarë të një jete luftë, në të cilën janë përzier rrëfime përvojash vetjake, përshkrime skenash të jetës së përditshme dhe refleksione. Gjithmonë në kërkim.

Në punimet tuaja dominon gjithashtu satira, vënia në lojë e personazheve apo veshja e tyre me këndvështrimin se si ju i shihni në realitet. Këtu do të përmendja rastin e fytyrës së një ministreje në kartëmonedhën 500-lekëshe apo të një partie politike sigluar pas një pule. A është kjo një nga ato revolta për të cilat ju hasni në kundërshti në jetën tuaj, jo vetëm profesionale, artistike? 
E drejtë, është formë rebelimi për njerëz “trutharë”. Arti është një tempull Ars, ka kuptimin e së bukurës. Për njerëzimin prodhon emocion, një nga format e shprehjes më të rëndësishme dhe më të dobishme të civilizimit njerëzor. Pa art, nuk ka liri mendimi. Vdes si artist ose je skllav! Duhet vetëm të zgjedhësh. Unë këtë si Meri nuk e kam pranuar asnjëherë. Kirilovi e di mirë këtë gjë meqë thotë: “Nëse ti e ndien këtë, ti je çfarë dhe, në vend që të vrasësh veten, ti do të jetosh në kulmin”... Duhet zgjedhur një rrugë për ideal, një rrugë për liri (Miti i Sizifit, Albert Camy)... Duhet të zgjedhësh lirinë sot, për të fituar dhe për të realizuar njeriun nesër!!!



Piktura më e fundit ka qenë ajo me sfond prishjen e teatrit me korifenjtë e tij në krye. Çfarë do të thotë për ty akti i shembjes së Teatrit Kombëtar?
Teatri që disa e qanë dhe disa e qeshën?! I shndërruar në një grumbull rrënojash! Ndiej keqardhjen për një pjesë të kujtesës personale dhe historike, të shfarosur tashmë, si shumë pjesë të tjera të këtij qyteti dhe që do të vijojnë ende. Qëndrimin tim për vendimin kundër prishjes së teatrit e kam shprehur që në fillim.  Nuk mund të pajtohesha me prishjen e vlerave historiko-arkitektonike të qytetit tonë, të atyre veprave që edhe pse pa shumë vlerë kapitale, mbartin vlerë shpirtërore e më shumë, vlerë të memories së brezave. Edhe më shumë kur je artist, ke sentimente, është e pashmangshme. Për mua ishte një akt vandal dhe sjellje barbare. Teatri e ka ditur vdekjen e saj të paralajmëruar, u vra me paramendim!

Cilën zgjidhje do të jepnit ju, në këndvështrimin tuaj, për këtë rast?
Për godinën e teatrit kam qenë pro restaurimit të objektit. Do të merrte akoma edhe me vlerë si një muze kinematografik apo teatral, si pjesë e një ansambli turistik, duke marrë parasysh territorin.

Punimet tuaja i bëni publike. Keni krijuar debate apo ca më larg, kërcënime? Si u përgjigjeni?
Arti do vërtetësi, përballje dhe reagime. Nuk qëndron asnjëherë i heshtur, krijon një një impakt. Sigurisht që ka, edhe kërcënime, i kam hasur dhe do t’i has, por s’më bëjnë përshtypje.

Pak kohë më parë i dhamë lamtumirën arkitektit, piktorit Maks Velo. Çfarë ishte për ju?
Maksi, ka qenë një mik me shumë vlerë për mua. Takimi i parë nuk ka qenë aq i ngrohtë, pasi lexova një komunikim të tijin në një gazetë ku thoshte “Shqipëria s’është vend për art, ne jemi vend islamik dhe oriental. Ndërsa artistët janë injorantë e kriminelë.” Më nxehu ky fakt dhe i shkrova: - A futem unë këtu?! I dërgova veprat dhe direkt më telefonoi. Të nesërmen erdhi në studion time, u ulëm dhe biseduam gjatë. Më njohu si natyrë të qetë dhe qeshte tek shihte veprat: - Puno, moskokëçarëse (kështu me etiketoi) ti  e shqyen letrën! Pranoja kritika, por dhe nuk heshtja. Vinte shpesh në studio dhe komunikonim për modelet nudo që ai do të pikturonte nga natyra. Kishte filluar të bënte pikturë nudo. Kjo i jepte një qetësi shpirtërore. Penelata e tij shpesh thërriste për prezencë të modelit njerëzor mbi lakuriqësi, mbi të vërtetën, mbi të bukurën femërore. Një cikël të cilin do ta mbyllte për ekspozitë. Por do të takoheshim pas pandemisë... nuk ndodhi, dhe lajmi më trishtoi shumë. Të qash për një koleg si Maksi, ku gjithmonë shikoja rebelin dhe simbolin e dimensionit të lirisë...

Në cilin stad të krijimtarisë jeni dhe a do të rivini me ndonjë ekspozitë vetjake?
Ende më duhet edhe pak kohë për ekspozitën personale, edhe pse i jam dedikuar prej vitesh, por e them me siguri që është një punë shumëvjeçare dhe me shumë përkushtim. Më ka marrë kohë, por jam kujdesur t’i mbaj larg syve të artdashësve, familjarëve dhe miqësisë. Do të vijë koha kur ato do të flasin në publik.


No comments:

Post a Comment