Friday, July 28, 2023

Demenca u bën që dyert t’i ngatërroni, ndaj mjeku rekomandon: LEXONI!


Nga Leonard Veizi

 
Treni u nis. Thirrja e fundit për... lexuesit pasionantë.
-Mos harroni librat!
Thirrja duket sikur bëhet nga një mësues i ciklit të ulët për nxënësit e vegjël shkatarraqë, se nuk ka lidhje me një konduktor treni me bilbil në gojë e tabelën bardh e kuq në dorë.
Kjo është një thirrje kujtese. Se ka burra që harrojnë veglat e rrojës por librat i marrin, ashtu siç ka të tjerë që harrojnë librat, por nuk harrojnë kutinë e tavllës.
-Shesh-Besh vëlla, të zura...
Ore ne na ka zënë belaja ti flet anapulla.
Pushimet verore kanë kohë që kanë nisur edhe pse tre javët e gushtit kapin pikën më të nxehtë të tallavasë në shkuma parti, xhiro me skaf dhe eksplorim shpellash karstike.
Vitet e fundit pushimet janë sofistikuar shumë, aq sa Jugu i vendit është kthyer në ëndërr. Si në Dubai, apo si plazhet e lindjes së largme, andej nga Tailanda fjala vjen ose në Bora-Bora. Është rritur mirëqenia, janë rritur shifrat e turistëve që hyjnë nga dogana, po më shumë janë rritur çmimet. Domethënë më lehtë e më me pak shpenzime shkon sot aty ku deri dje dukej krejt e paarritshme, në ishujt Balearë dhe në Majorka. Sot e paarritshme është bërë Himara e Ksamili, por dhe Vlora e Saranda e kanë ngritur qamet pjacën. Dhe shqiptarët kanë marrë arratinë e kanë shkuar në Antalia e Alanian turke.
Nejse, kjo është një pjesë e performancës. Se për tjetër gjë u nisa.
Pushimet janë pushime dhe është e vështirë t’u rekomandosh njerëzve se çfarë duhet të bëjnë me kohën e tyre të lirë, e jo më t’i detyrosh. Fjala vjen t’u thuash që bashkë me pizhamet, të paketojnë në valixhe dhe nja dy-tri libra.
Për atë punë kemi Bibliotekën ne. Pse na ka ngrënë dhia librat që dhe kur ikim me pushime të lexojmë libra. Pse pushime janë ato ku do të të duhet përsëri të vrasësh mendjen e të lexosh. Kur je me pushime, siç i thoshte dhe Tahiri, shoku i Hekuran Romaliut tek filmi “Mao Ce Dun”, është punë stomaku:
-Po qe puna për të ngrënë e për të pirë gati jam unë. Ky është muhabet barku. Aty nuk lodhem fare unë. Jam shumë i zoti unë. 
Po a kalohet e gjithë koha duke luajtur tavëll e pesëkatsh apo duke klikuar mbi celular??? Se të qëndrosh 10 orë në diell, se demek do marrësh rreze të forta në verë që të përballosh dimrin, apo se po bën kurën kundër reumatizmës, sikur nuk shkon. Për më tepër që mjekët këshillojnë hijen pas orës 11.00.
-Hajde pushime të mbara... i thënçin.
Ndaj ka ca e ca që s’u rri goja rehat e rekomandojnë që në kohën me bollëk të vapës të lexoni dhe ndonjë libër. Mbi të gjitha kjo është dhe një këshillë mjekësore. Këshillë nga ato të vërtetat, jo nga ato që mjekët i bëjnë për të kaluar radhën. Dhe këshilla ka këtë vlerë: Të lexuarit u mban larg demencën.
E dini ç’është demenca??? Atë që kur nuk mban mend gjë ngatërron derën e tualetit me atë të supermarketit... e na bën hatanë.
Kështu thotë dhe shkenca, nëse e besoni edhe atë. Se plakja vjen shpejt e do harroni se ç’keni ngrënë për mëngjes, ndaj do t’i suleni drekës me kokë. Ndërsa leximi ua mban mendjen më të freskët. Dhe nuk ka nevojë më tashmë që të merrni libra nga shtëpia. Jo, se u rëndohen çantat dhe makina. U mjaftojnë kolitë me birra e freskuese me gaz dhe sidomos sallameritë e paketuara. Libra mund të blini kudo që të shkoni, se kudo do ta gjeni ndonjë bukinist në ndonjë bordurë, që mundohet të joshë njerëzit me kopertinat e librave.
-Merr një libër të Saramagos... se është dhe Nobelist, jo për gjë.
Sa me nge e paske byrazer?! Vapa po na i vë flakën mjekrës, t’i kërkon të ndezësh cigaren.
Po cili është raporti i lexuesve me librin sot?
Nuk ka më raport, mos u lodhni kot. Lexuesit tradicionalë e besnikë janë pakësuar ndjeshëm. Në Shqipëri ndodh të ketë tregues kaq negativ, se në vendet e zhvilluara flitet ndryshe. Ndaj dhe një plazhist symprehtë hodhi një status në rrjetet sociale ku thosh: Bashkë me numrin e turistëve është rritur dhe numri i lexuesve, por jo shqiptarë.
Dhe kjo tregon shumë.
Në Tiranë një nga libraritë më të rëndësishme prej kohësh është jashtë funksionit. Ende nuk e dimë të saktë nëse ka falimentuar apo është në një rikonstruksion. Edhe pse nuk ka një lajm të saktë sërish prej kohës, kjo librari model e Tiranës mungon për ata që kanë dëshirë qoftë dhe të vërdallosen duke lexuar pak faqe aty nëpër rafte, dhe që shpenzojnë kohë shumë më tepër se sa të tjerët që kanë më shumë dëshirë të vërdallosen në korridoret e supermarkatave duke shqyer sytë tek çmimet e llokumeve, e tollumave.

Tano Banushi, një legjendë humori në qytetin e humorit


Nga Leonard Veizi
 
Është cilësuar edhe si Shvejku shqiptar. Por njihet dhe si një prej emblemave të artit të satirës dhe humorit.
I rëndë si gur themeli, ai tregoi se me humorin mund të bëhej më shumë se sa thjesht të qeshje. Sepse dhe duhet të mendoheshe thellësisht.
-E kam shtëpinë tek ai pallati përballë që është pa balkon. Arkitekti që është burri juaj, pallatin e tij e ka projektuar me balkon. Kështu që çdo mbasdite unë do vij me gruan time të pij kafen në balkonin tuaj.
Ai ishte mjeshtër i fjalës, dhe gjithçka e thënë prej tij, po ashtu si ujët e një lumi që rrjedh lirshëm, kthehej automatikisht në një situatë komike. Sepse kishte vetinë e çmuar të interpretimit satirik, me kripë e sheqer njëherazi, por dhe me ca piper, aq sa të digjte e të përvëlonte.
-100 herë të kam përsërit që është djalë i mirë. Unë vet nuk e njoh, por ma kanë lavdëruar dhe të tjerët. Pasandaj është edhe kunati i shokut Xhemal.
Dhe këtu është babai i vajzës, që kërkon t’i mbushi mendjen së bijës që të martohet me atë... kunatin e atij shokut që ka një post të rëndësishëm në Komitet, tek skeçi i famshëm i estradës së Shkodrës “Kunati i shokut Xhemal”.
Nëse do të bëja një klasifikim personal, që padyshim do të ngrihej mbi baza krejt amatore dhe jo referuar mbi mendime specialistësh, Tano Banushin do të rendisja në krye të aktorëve të humorit shqiptar.
I rrallë në llojin e tij, ai dinte të krijonte mizanskena humori, qoftë me fjalë e batuta, qoftë me pantonimë. Sepse padyshim, ishte një talent i jashtëzakonshëm po aq sa më pas kishte punuar për ta latuar veten në çdo drejtim.
-E shef atë personin që po ec rëndë-rëndë. Ai ka një veti të rëndësishme, një fjalë e tija peshon flori.
-Kaq i mençur qenka?
-Jo, jo, nuk është puna se është i mençur. Por ai është aktor në teatër. Gjatë një viti ka dalë dy herë në skenë. Në dramën e parë ka thënë: Mirëmëngjes shoku drejtor! Në dramën e dytë ka thënë: Të mobilizohemi shokë! Për këto dy fjali ka 5 vjet që merr rrogën.
E megjithëse ka shkëlqyer si Tushi, në skeçin ku është në rolin e përgjegjësit të laboratorit të fotografive, ai nuk është roli më i mirë i interpretuar prej tij...
-Bibe ma gjej një Cen Durimmadh, domethënë një Cen, Cen, Cen... Më falni, se mos e keni rastësisht emri Can... Jo se ka dhe Cuf... Na gjej një Cen tjetër me fmij Bibe... 441 Cen. Ja ku e keni shok i dashtun, një Cen me dy fmij. S’ka nevojë me e pa hiç. Ejani herë tjetër, do t’u bëjmë një fotografi shumë të bukur. Mirë se të na vini e mirëardhçi.
Tano Banushi do të kishte kulminacionin e tij si Leo, apo më mirë të themi, si Latifi, që vinte vërdallë për të gjetur nuse, bashkë me tre mikeshat e tij ndrikulla, pikërisht tek komedia “Këshilli i ndrikullave” të shkruar nga Sheri Mita e të vënë në skenë nga regjisori Serafin Fanku.
-Silva, Silva, si me than, emni juaj më kujton një aktriçe të famshme të çinematografisë mondiale...Silva, Silvana... si i thon i fjalës. Nuk kam mundësi zysh se jam nis për një çështje me shumë....
-Ju lutem... kështu po më lini mu?
-Tashti: kështu po më lini. Si i thonë i fjals... në qoftë se nuk na del gjë andej, do ta kena parasysh me u drejtu tek ti.
Ai njihej gjerësisht si Tano Banushi, por emri i tij i vërtetë ishte Athanas Banushi. Në jetëshkrimin e tij zyrtar shkruhet se u lind në Shkodër më 4 Shkurt 1927. Ndoqi gjimnazin e Shtetit në Shkodër. Ishin vitet e Luftës së Dytë Botërore dhe ai kishte nisur të ushtronte kitarën dhe merrej me mësimin e këngëve patriotike. Në qershor të 1945 u përfshi në veprimtarinë e Shtëpisë së Artit dhe Kulturës ku mori dhe rolet e para në skenë.
Pas mbarimit të shkollës së mesme, Tano Banushi filloi punë si korrespondent i Radio-Shkodrës dhe po ashtu ishte edhe korrespondent i ATSH-së për Shkodrën.
Në korrik të 1958 u krijua në Shkodër Estrada Profesioniste, e përfshirë në kuadrin e teatrit "Migjeni" të porsandërtuar, ku Banushi u emërua aktor profesionist.
Në 45 vjet jetë skenike Tano Banushi interpretoi qindra personazhe. Ai ishte një aktor shumëplanësh. Dhe veç kësaj ishte instrumentist e autor tekstesh.
Dhe ashtu siç shkruan Albert Vataj në një shkrim të botuar prej tij: “Tano Banushi, i dalluar sidomos për rolet e naivit, apo një lloj Shvejku shqiptar, mund të themi se vuri në lojë, talli dhe akuzoi shoqërinë e kohës”.
Për veprimtarinë e tij Tano Banushi është nderuar me titullin e lartë “Artist i Popullit”.
Më 5 shkurt 1986 doli në pension, 4 vjet pasi kishte mbushur moshën. Megjithatë, e vijoi veprimtarinë artistike, duke shkruar e botuar edhe skeçe, tregime humoristike e anekdota.
Ndërroi jetë më 7 gusht 1993. Ishte 66 vjeç. Prej asaj kohe kanë kaluar 30 vjet tashmë. Dhe nëse dje ishte një legjendë e gjallë, tanimë emri i tij është kthyer thjesht në një Legjendë.

Friday, July 21, 2023

Kris Kajll, legjenda amerikane e snajperit me 160 vrasje në arsenal


Nga Leonard Veizi
 
Përndryshe quhej dhe si: legjendë. Por emrin e kishte Kris Kajll. Ishte një ushtarak i Shteteve të Bashkuara që në shërbimin e tij vrau 160 vetë. U lirua nga ushtria me nder për bëmat e bëra me një pushkë snajper, “Mk18 Mod 0”. Por kundërshtarët rezistentë të Irakut, edhe pse bënë të pamundurën, madje vunë dhe një çmim për kokën e tij, nuk arritën ta asgjësonin dot. Atë e bëri në mënyrë krejt të beftë një tjetër ish-ushtarak e veteran lufte, - amerikan për çudi, - që në kushtet e një post traume qëlloi mbi snajperistin legjendë të forcave “Navy SEALs”...
  ...Ishte Lufta e Dytë Botërore, që tregoi se lufta me snajper kishte shumë efikasitet, atëherë kur përballja masive mes njësive të blinduara binte në heshtje. Në këtë mënyrë luftimi me një pushkë e dylbi u fut në modë. Rusët morën epërsi në dyluftimet me snajper pikërisht nga Vasili Zaitsev i regjimentit 1047 të pushkatarëve që ishte pjesë e Armatës 62, në Stalingrad. Propaganda që u jepte zemër ushtarëve të Ushtrisë së Kuqe, i faturoi Zaitsevit të paktën 250 vrasje në 4 muaj duke e kthyer kështu në një mit.
Amerikanët, në luftën ndaj Irakut, rimodeluan një tjetër snajperist, Kris Kajll, që u cilësua: legjendë. Ai mban të konfirmuara 160 vrasje.
Për të dy personazhet e famshëm janë shkruar libra, por janë realizuar dhe filma të jashtëzakonshëm e me ndikim. Ndërsa për Zaitsevin rus, regjisori francez Zhan-Zhak Anaud ideoi në vitin 2001 filmin “Enemy at the Gates: The Battle for Stalingrad” apo shqipëruar si “Armiku te porta: Beteja e Stalingradit” për Kajllin amerikan producenti Klind Istvud këtë herë dhe në rolin e regjisorit, realizoi në vitin 2014 filmi “American sniper” apo “Snajperi amerikan”.
 
Snajperisti
Por kush ishte Kris Kajll apo Kristofer, siç ishte dhe emri i tij i plotë. Dokumentacioni zyrtar mbi jetën e tij thotë se u lind në vitin 1974 në Odessa, Teksas. Njohu armën dhe nisi të qëllonte që në moshën 8-vjeçare kur babai i bleu një pushkë “Springfield”. Më pas babai nisi ta merrte për gjah.
Kris Kajll u diplomua në shkollën e mesme Midlothian të Teksasit në 1992 dhe ndoqi Universitetin Shtetëror Tarleton për dy vjet. Fillimisht u bë një kalorës profesionist “rodeo bronco”. Por karriera e tij u ndërpre papritur pasi dëmtoi rëndë krahun. Pas kësaj Kajll shkoi në një zyrë rekrutimi ushtarak, pasi ishte i interesuar të bashkohej me Trupat Detare të Shteteve të Bashkuara. Një rekrutues i Marinës e bindi atë të provonte forcat SEAL.
Kajll ishte 25 vjeç kur iu bashkua Navy SEAL-s si snajperist.
I caktuar për SEAL Team-3, Toga "Charlie" pjesë e Komandës së Luftës Speciale Detare, dhe me katër turne në detyrë, Kyle shërbeu në shumë beteja të mëdha të Luftës në Irak.
Në vitin 2003, toga e Kyle u vendos në qytetin e Nasiriya. Ekipi i tij ofroi siguri duke kontrolluar nga çatitë, për marinsat në terren. Gjuajtja e tij e parë me rreze të gjatë u bë gjatë pushtimit fillestar, kur ai qëlloi një grua që mbante një granatë dore duke iu afruar një grupi marinsash. Siç u urdhërua, Kyle hapi zjarr, duke vrarë gruan para se ajo të mund të sulmonte.
Me çdo tur shtesë në Falluxha në 2004, Ramadi në 2006 dhe Bagdad në 2008, aftësia e Kyle si snajperist u sfidua. Një herë ai goditi një kryengritës që ishte rreth 2000 metra larg. Armiqtë kishin vendosur një shpërblim prej 20 mijë dollarësh në kokën e tij që shpejt u rrit në 80 mijë, dhe përdorën tatuazhin e tij, një kryq, si mënyrë për ta identifikuar. Ata e quajtën atë "Djalli i Ramadit" pasi ai regjistroi 91 vrasje në atë qytet.
 
Kthimi në shtëpi
Vdekja e disa miqve ndikoi shumë tek ai. Pas 10 vitesh shërbimi, Kyle u largua nga ushtria për të shpëtuar martesën e tij. Ai u kthye në shtëpi te gruaja dhe vajza e tij, e cila ishte e sëmurë. Doli në pension me nder në vitin 2009 dhe mori një Yll Argjendi dhe katër Yje Bronzi për trimëri.
Pasi u përpoq të kalonte në jetën civile me familjen e tij, Kyle luftoi për të gjetur një sens qëllimi në jetë: ai filloi biznesin e tij, të quajtur “Craft International”, një kompani sigurie që trajnonte aftësitë e shënjestrës për ushtarët. Regjimenti i 160-të i Operacioneve Speciale të Aviacionit, ekipi që vrau Osama Bin Ladenin, u trajnua përmes “Craft”. Kyle gjithashtu filloi të ushtrojë më shumë. Partneriteti i tij me Fondacionin FITCO Cares u dha veteranëve në mbarë vendin pajisje ushtrimore.
Autobiografia e Kyle, "American Sniper: The Autobiography of the Most Lethal American Sniper", e ardhur në shqip si “Snajperi Amerikan: Autobiografia e snajperit më vdekjeprurës amerikan”, u botua në janar 2012. Dy vjet më vonë, "American Sniper", adaptimi filmik i librit të tij që u drejtua nga Klint Istvud dhe luajti aktori i mirënjohur Bredli Kuper, u bë një sensacion kombëtar. Kajll u shfaq në emisionin “Talk Shou” të Konin O'Brajen dhe në shfaqjen televizive të NBC, "Stars Earn Stripes".
 
Vrasja
Më 2 shkurt 2013, Kajll dhe shoku i tij, Çad Letëllfilld, 35 vjeç, u qëlluan dhe u vranë nga Edi Rei Routh në poligonin e qitjes “Rough Creek Ranch-Lodge-Resort në Erath County”, Teksas. Routh ishte një veteran 25-vjeçar i Korpusit Detar të SHBA nga Lankaster, Teksas. Kajll dhe Letëllfilld e kishin çuar Routh në poligonin e armëve në përpjekje për ta ndihmuar në lehtësimin e çrregullimit dhe stresit post-traumatik. Routh kishte hyrë e dalë nga spitalet mendore për të paktën dy vjet dhe ishte diagnostikuar me skizofreni. Të dy, Kajll dhe Letëllfilld ishin të armatosur me pistoleta të kalibrit 45 të stilit 1911 kur u vranë, u pa se armët e tyre ishin në siguresë. Kajll u vra me një pistoletë të kalibrit 45, ndërsa Letëllfilld u qëllua me një pistoletë SIG Sauer 9 mm. Të dyja armët i përkisnin Kajllit.
Një funeral u mbajt për Kajll në stadiumin “Cowboys” në Arlington, Teksas, më 11 shkurt 2013, dhe ai u varros më 12 shkurt 2013, në varrezat shtetërore të Teksasit në Austin, pasi kortezhi udhëtoi nga Midlothian në Austin, më shumë se 320 km. Mijëra njerëz, kishin dalë rrugës për të parë kortezhin dhe për t'i bërë nderimet e fundit.
Në qershor 2013, libri i dytë i Kris Kajll, "American Gun", u botua pas vdekjes.
Routh u shpall fajtor për vrasjet dhe në 2015 u dënua me burgim të përjetshëm, pa lirim me kusht.

Në mungesë të një gjyqtari të vrarë në krye të detyrës

Nga Leonard Veizi
 
Paolo  Borselino u vra në 19 korrik të vitit 1992. Edhe atëherë bënte shumë vapë, si tani, në korrikun e vitit 2023. Për më tepër në një vend mesdhetar si Siçilia. Dhe po vapë bënte edhe 57 ditë më parë, kur në 23 maj ishte vrarë një tjetër gjykatës i famshëm, Xhovani Falkone.
Kjo sa për të kujtuar se krimi i organizuar luftohet në çdo kohë. Por dhe organizatat mafioze veprojnë në çdo ditë të vitit, edhe në vapë, edhe në shi dhe në ditë të ftohë acar. Madje veprojnë po aq të organizuar dhe në ditë Pashkësh e Krishtlindjesh, pasi janë lutur para shtatores së Shën Marisë e i kanë kërkuar ndihmë që t’ua shtrojë rrugën në prapësinë e radhës. Sepse edhe kriminelët me faqen e nxirë, kanë ligësinë të thonë se paratë i kanë bërë me ndihmën e Zotit.
Në Shqipërinë e 30 viteve më pas ne jemi në një situatë të sforcuar që drejtësia të mund të kapi ndonjë peshk të madh. Sepse deri tani është llokoçitur nëpër kënetë duke u marrë me cironka. E puna për peshqit e mëdhenj, - apo ndonjë peshkaqen a tigër nëse qoftë, - duket fort e vështirë.
Në fillimet e veta SPAK u mor me cingërima dhe pse projekti madhor kërkonte kokat e bossave të krimit e korrupsionit. Në historinë e tij të shkurtër Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka bërë një performancë përgjithësisht të dobët, ndonjëherë qesharake, dhe në disa çështje të tjera madje është cilësuar si e dështuar. Pra, u ngrit një mekanizëm për të cilin u investua që të bënte namin, e horrave me pushtet t’u dridheshin leqet e këmbëve, por që deri tani nuk e ka bërë dot namin. “U mbars mali e polli një mi” thotë populli në kësi rastesh. Dhe çfarë miu se...
Shqipëria nuk ka një Falkone dhe as një Borselino në arsenalin e gjykatësve të saj. Pra nuk ka një model. Pak kohë më parë kam botuar një shkrim, me titullin: “Gazetarët e Shqipërisë, përse mungojnë martirët e fjalës së lirë”, ku evidentoja faktin se raporti i përvitshëm i “Reporterët pa kufij” fliste për dhjetëra gazetarë të vrarë në krye të detyrës, por asnjëri prej tyre nuk ishte shqiptar. Kjo do të thotë se edhe në këtë front që përplaset hapur me krimin e korrupsionin, ne nuk kemi modele, as heronj të vrarë në krye të detyrës. Por që me siguri kemi manipulatotë të vegjël, që në xhonglime akrobatësh arrijnë t’ia hedhin më shumë duke e ndihmuar keqbërësin se sa duke e denoncuar atë. Deri tani kemi vetëm policë të vrarë. Nga ata që shkojnë mish për top e vriten në aksione, nën emrin e një kauze, që nuk dihet asnjëherë kush e tradhëton. Ose dihet, thjesht dihet. Dhe kaq.
Nisur nga kjo mënyrë kompozimi, më derivon të them se strukturat që duhet të përballen me krimin në fakt dinë fort mirë si të merren vesh me të.
Ne do vuajmë akoma për të gjetur heronjtë tanë ku të mbështetemi. Ku të ngrejmë kauzat. Sepse asgjë nuk fitohet në boshllëk. Dhe nëse mendon se mund të dhurohet, është edhe më keq.
Kur do zbardhen dosjet e SPAK që pluhurosen prej vitesh?
Në fakt pyetja është shumë administrative, sepse edhe përgjigja nuk vonoi që të vijë. Ja kështu, hap pas hapi. Mbaron njëra, fillon tjetra. Dhe kjo do të kushtojë disa dhjetëra vjet. Dhe krimi do jetë trashëguar ndër të tjerë, sepse të zotët e punës do kenë mbi eshtra nga një memorial e bazoreliev bronxi, ku të jenë shkruar epitafe me fjalë të çmuara.
Çfarë paradoksi.
Sot ne duam të fusim në burg një zëvendës-kryeministër. Por ai ia ka mbathur: se vendimi për prangosjen e tij kaloi më parë nga vetë ai. Dhe kjo të kujton gjithashtu atë sentencën e vjetër mediatike, tashmë: “Lajmi më parë kalon nga ne”.
Më 23 maj 1992, gjykatësi  53-vjeçar Giovanni Falcone u vra në mes të ditës, në atë që është quajtur si masakra e Kapaçit. Falcone, kaloi pjesën më të madhe të jetës së tij duke luftuar mafian. Në vitet 1986-1987 ai drejtoi gjyqin më të madh të zhvilluar ndonjëherë, i cili çoi në dënimin e 342 mafiozëve.
Kjo po, kjo ka të bëjë me guximin qytetar përveç asaj që të dikton profesioni.
Më parë se kaq, në 3 shtator 1982, po në Sicili, nga banda mafioze e Toto Rinës ishte ekzekutuar Prefekti i Palermos, gjeneral Karlo Alberto Dela Kieza, që kishte arritur me heroizëm të mposhte Brigadat e Kuqe por që ishte emëruar në vatrën më të nxehtë të Italisë me motivacionin për të luftuar Cosa Nostra-n.
Dhe pas vrasjes së Falcone-s, më 19 korrik 1992 një tjetër gjykatës siçilian Paolo Borsellino mbeti i vrarë nga një tjetër atentat me bombë. Të dy gjykatësit tanimë janë cilësuar heronj kombëtarë. Mbi gjakun e tyre kauza u bë edhe më solide.
Kaq sa për histori, për të ditur se kauzat dhe vetë mitet ngrihen mbi një realitet të fortë e tronditës. Dhe kjo kujtesë vlen nëse ndokush e ka harruar historinë, apo më keq akoma, nuk i njeh fare si raste.

Wednesday, July 19, 2023

Leonard Veizi me romanin e ri “Ted B”, një triller psikologjik e policor


Era Simoni, deri në atë çast që do ta gjente shkrimtarin Ted B të vdekur në vilën e tij në periferi, ishte vetëm inspektorja bionde e policisë. Ajo heton në detaje ngjarjen për të zbardhur shkakun e vdekjes, e cila jo vetëm do të ndryshojë opinionet rreth saj, por do të zbulojë edhe një histori të gjatë korrupsioni, mashtrimi e vrasjeje, që përfshin njerëz nga bota e biznesit, politikës, gjyqësorit...
TED B ka lënë pas një seri tregimesh, që, të ndërthurura me emrat e paktë që gjenden në celularin e tij, krijojnë një subjekt triller të romanit, që të rrëmben deri në faqen e fundit...
 

***
Ted Bramo është një shkrimtar i cili gjendet i vetëvrare në vaskën e vilës së tij në periferi të Tiranës. Policia nis hetimet në një kohë të ngushtë pasi në lojë futet dhe Prokuroria. Për rastësi, si nga policia edhe nga prokuroria hetimet i ndjekin dy femra. Rivaliteti mes tyre është i dukshëm. Inspektoria e policisë Era Simoni, - e cila e ka çështjen e parë të saj, - për kohën që ka në dispozicion arrin të grumbullojë fakte të cilat dëshmojnë se shkrimtari nuk ka vrarë veten por e kanë vrarë. E gjithë veprimtaria e tij është një mister ku fshihen edhe biznese të cilat e kanë ngritur dhe rrënuar si njeri. Shkrimtari, i cili ishte dhe në një proces divorci me bashkëshorten, - ka lënë dorëshkrimin e tij të fundit gati për botim, i cili është një vëllim me 10 tregime.
Inspektoria e policisë, e cila herë pas here lexon faqe nga dorëshkrimi, dyshon se tregimet e Ted Bramos janë kodifikuar dhe pas tyre fshihen fragmente të jetës së shkrimtarit. Për çudi, në pjesën më të madhe të tregimeve Ted Bramo përdor për personazhet emrin e tij. 
Pjesë e romanit janë dhe avokati dhe prokurori i çështjes, të cilët duke luajtur një lojë shahu, nisin e zbulojnë pak nga pak problematikat e vetë sistemit të drejtësisë. 
Po kush e ka vrarë Ted Bramon?
Policia i paraqet prokurorisë një të dyshuar, që e pranon fajin. Por akti i ekspertizës, i një autopsie në morg flet për të kundërtën.  
Romani “Ted B” është një triller sa psikologjik aq edhe policor. Ai është i përbërë nga 12 kapituj. Në faqet e tij lëvizin rreth 37 personazhe nga të cilët 12 janë parësorë, 10 personazhe të dytë dhe pjesa tjetër janë personazhe në hije.
Romani "Ted B" është një prodhim i "Botimet M&B"


Sunday, July 16, 2023

Protesta e Pink Floyd: “Nuk duam edukim”

Nga Leonard Veizi

Në fillim të viteve ‘80 sentenca “Ne nuk duam edukim”, ishte përqafuar fort nga një pjesë e rinisë së Tiranës.
Grupi i famshëm britanik i rokut progresiv “Pink Floyd” që prej vitit 1979 kishte hedhur në treg trilogjinë e famshme “The Wall” pjesë e së cilës ishte dhe "Another Brick in the Wall" që në shqip vjen "Një tjetër tullë në mur”.
Kënga në vetvete ishte një herezi për regjimin komunist, por ajo dëgjohej rregullisht nëpërmjet hit paradeve të stacioneve të huaja, e më pas, në vitin 1982 kur kënga u montua si videoklip edhe nga stacionet që arrinit të interferonin dhe të kalonin postbllokun e zhurmuesve që ishin montuar në majën e Dajtit.
Ndërsa jeta jashtë klonit bëhej më intriguese, platforma ruse e metodologjisë së mësimdhënies ishte një diktat që i shkonte fort për shtat dhe vetë sistemit. Ndërsa Pink Floyd, nëpërmjet këngës "Another Brick in the Wall" provokoi një protestë të hapur kundër ndëshkimit trupor dhe shkollimit të ngurtë dhe abuziv që ndodhte në shkollat e Mbretërisë së Bashkuar.
 
Përmbajtja
“Another Brick in the Wall " të Pink Floyd është një nga tre pjesët e operës rok të quajtur “The Wall”, kompozuar nga basisti i grupit Roger Waters i cili ishte gjithashtu dhe tekstshkrues.
Fillimisht kjo opera rok mori komente të përziera nga kritikët, shumë prej të cilëve e konsideruan atë si pretencioze, por më vonë mori vlerësime si një nga albumet më të mëdhenj të të gjitha kohërave dhe një nga veprat më të mira të grupit. Kritika botërore shkruan se “The Wall” është ndoshta një nga albumet më intriguese dhe më imagjinative në historinë e muzikës.
“The Wall”  ka një personazh protagonist që quhet Pink. Në të vërtetë ky album monumental bazohet në jetën e dy anëtarëve të Pink Floyd. Fëmijëria e personazhit Pink është shumë e ngjashme me atë të Roger Waters, kompozitorit e tekstshkruesit kryesor të “The Wall”. Jeta e Pink-ut për të rritur bazohet në atë të këngëtarit kryesor të grupit “Pink Floyd” Roger Keith por që njihet më së shumti me emrin e skenës Syd Barret.
Duke kombinuar këto histori jetësore, Roger Waters, David Gilmour, Nick Mason dhe Richard Wright krijojnë një aventurë mistike dhe shqetësuese në thellësitë e psikikës së njeriut.
 
3 pjesët e një opere rok
Gjatë "Pjesës 1", protagonisti, nis të ndërtojë një mur metaforik rreth vetes pas vdekjes së babait të tij.
Në "Pjesa 2", traumat që përfshijnë nënën e tij tepër protektive dhe mësuesit abuzues të shkollës bëhen tulla në mur. Në këtë pjesë fëmijët hyjnë në një shkollë dhe marshojnë në unison pasi kalojnë përmes një makinerie për grirje mishi, duke u bërë klone me fytyrë të maskuar, përpara se të shpërthejnë në trazira dhe të djegin shkollën.
Në "Pjesa 3", protagonisti hedh poshtë të gjithë ata që njeh si "vetëm tulla në mur".
 
Ne nuk kemi nevojë për arsim
Nuk kemi nevojë për kontroll të mendimit
Asnjë sarkazëm e errët në klasë
Mësues, lërini fëmijët vetëm...
 
Këto janë disa nga vargjet e këngës. E gjithë kënga dhe videoklipi është në kufijtë e 11 minutave. Ndërsa koleksioni i këngëtarëve të rinj që u përzgjodhën për videoklip përbëhet nga 23 fëmijë të cilët ishin pjesë e shkollës“Islington Green” në Londrën Veriore.
 
Kulminacioni
"Part 2" u publikua si një këngë e shkëputur. Ajo shiti mbi katër milionë kopje në mbarë botën dhe kryesoi listat e këngëve në 14 vende, duke përfshirë Mbretërinë e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara. Kënga u nominua për një çmim Grammy dhe u rendit në vendin e 384 në listën e Rolling Stone të "500 këngëve më të mëdha të të gjitha kohërave". Kënga i dha kompozitorit Waters çmimin e Akademisë Britanike të vitit 1983 për këngën më të mirë origjinale për paraqitjen e saj në filmin Wall. "Pjesa 2" u nominua për një çmim Grammy për performancën më të mirë nga një duo ose grup rock.
Por tekstet e tre pjesëve të këngës tërhoqën polemika. “Inner London Education Authority” ose “Autoriteti lokal arsimor për Londrën” e përshkroi këngën si "skandaloze". Media shkruante se edhe kryeministrja Margaret Thatcher "e urrente atë".
Protagonisti i këngës, Roger Waters shpjegoi se nuk kishte pasur si qëllim të godiste sistemin arsimor, por i gjithë kompozimi ishte më tepër një deklaratë e frymëzuar nga një ndjenjë individualiteti. Shkurt ishte reflektimi mbi jetën e tij dhe sesi shkollimi i tij ishte pjesë e kësaj.
 
Ndikimi
Pavarësish të gjitha këtyre, në Tiranën e viteve ‘80 të shekullit të kaluar gjithçka që aludonte mbi regjimin gjente mënyrën për t’u futur e për t’u trajtuar qoftë dhe me nuanca hiperbolizuese. Dhe në planet e shumëkujt ishte vënia e zjarrit të ndonjë shkolle.
Ndoshta për këtë shkak albumi “The Wall”, u ndalua në Afrikën e Jugut në vitin 1980 pasi u miratua nga mbështetësit e një bojkoti mbarëkombëtar të shkollave duke protestuar kundër pabarazive racore në arsim nën aparteid.
Megjithatë në Tiranë sa herë jepej mundësia, dhe për të shprehur pakënaqësinë dhe një revoltë të heshtur, këndohej herë nën zë e herë me zë të lartë “Another Brick in the Wall” të Pink Floyd.


 
 
 

Zoti na ruajtë nga idiotët e gjuhës!


Nga Leonard Veizi
 
Gjuha shqipe përditë e më shumë po shkon në zgrip. Gjithmonë e më shumë po bëhet e pakontrolluar edhe pse kurrikulat shkollore e kanë të përcaktuar qartë se çfarë duhet të mësojnë fëmijët, sot, për të folur e shkruar një shqipe të pastër nesër. Por e nesërmja vjen çdo ditë, dhe përditë e më shumë shohim që shqiptarët nuk po kuptohen me njëri-tjetrin. Mjafton të shohësh komentet në rrjetet sociale, ku edhe kur flasin për të njëjtin qëllim, njëri i bie gozhdës e tjetri patkoit. Them nëpër rrjetet sociale, sepse aty është sofra e madhe e thashethemit aktiv dhe e të shkruarës pasive të shqipes.
Kjo situatë po ndodh sot, por se si do të merremi vesh mes vedit, 30, 40 apo 100 vjet më vonë, një Zot e di?!
Po e nis nga vetja.
Periudhë provimesh 2023. Djali im doli me rezultate mjaft të mira në shkollë. Por ajo që më bëri përshtypje ishte ky fakt: Gjuhë Shqipe ishte vlerësuar me notën 9, në Gjuhën Angleze kishte marrë një 10 të plotë. Dhe po me 10 ishte vlerësuar edhe në Gjuhën Frënge. Po në Gjermanisht? - e pyeta me ironi. Epo, nuk na e kanë futur në kurrikula, - ma ktheu djali. Qenkemi shtëpi poliglotësh, mendova, duke qenë se edhe vajza ka pasur të njëjtat rezultate. Të paktën iku koha kur shqiptarët mburreshin se ishin shtëpi pushke. Natyrisht, nuk mund t’i bëja vërejtje tim biri se pse nuk kish dalë me të gjitha 10-ta, por vetëm mblodha buzët i pakënaqur. Tek e fundit, gjuha amtare është vetëm një pikë poshtë gjuhëve të huaja.
Prap shqiptarë mbetemi. Dimë të shkruajmë e të lexojmë pastër. E kam fjalën që dimë të shkruajmë e të flasim, për atë që kërkohet zyrtarisht nëpër shkolla.
Meqenëse të gjithë e kemi nga një informator në dorë, informohem përmes celularit mbi provimet e fundvitit. Lajmet shkruanin që çështja e gjuhës është një defekt i përgjithshëm. Të rinjtë e sotëm njohin më mirë gjuhët e huaja se sa gjuhën shqipe.
“Publikohen notat e provimit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë! 440 mbetës, vetëm 15 nxënës absolutë”, thotë titulli i një shkrimi.
Hë më u lumtë jo! O po ç’e doni shqipen tek e fundit? As 5 milionë njerëz mbi këtë planet nuk e flasin. E rëndësishme është të mësojmë kinezçen, se i kap nja 1.5 miliardë njerëz, e pa bukë nuk mbetesh.
Titulli tjetër: “Dalin rezultatet e testit të Gjuhës së Huaj, 24% e maturantëve kanë marrë notën 10! Mbetën vetëm 4%”.
Në fakt nuk është nevoja të marrësh statistika. Mjafton të kthehemi atje ku e lamë më parë, pra të lexosh gjithfarë statusesh e komentesh nëpër rrjetet sociale dhe do ta kuptosh fort mirë se ku ka përfunduar gjuha shqipe. Dhe kjo situatë më kujton një batutë nga filmi “Kush vdes në këmbë” kushtuar një dëshmori të gjuhës shqipe Petro Luarasit.
-Ç’t’u desh ajo shqipe mor i shkretë? Të kisha thënë kaq herë.
-Edhe ti shqip po e qorton xha Cifi.
Ndërsa në filmin tjetër, kushtuar gjithashtu një heroine të gjuhës shqipe, sekuenca ku në shkollat me fëmijë shqiptarë mësohej edhe turqishtja, edhe greqishtja, por edhe serbo-kroatishtja të lë një shije edhe më të hidhur. Ndërsa mytesarifi osman, që qëndronte në zyrë si kaposhi majë plehut i thoshte mësonjëse Dafinës me përbuzje të hapur:
-Më vjen keq për ty zonjushe dhe do të të përkrah me gjithë zemër. Edhe unë po të isha në vendin tënd kështu do të bëja, do ta ndihmoja gjuhën time në prag të vdekjes.
-Gjuha jonë nuk po vdes zotëri. Shqipja është nga gjuhët më të vjetra të Europës që nuk e zhduku asgjë, - ia ktheu personazhi i luajtur nga Roza Anagnosti, që nuk ishte gjë tjetër veç mësuesja e vashave, Sevasti Qiriazi.
E ja kështu, shqipja është bërë si në kohën e turkut, ku të linin ta flisje por nuk të linin ta shkruaje. Ndaj dhe u bënë përpjekje të mëdha, për të pasur një shqipe të kthjellët.
Për shqipen kemi plot dëshmorë e shumë të tjerë punëtorë të palodhur të saj. Kemi alfabetin e miartuar nga një Kongres dhe drejtshkrimin e miratuar nga një tjetër Kongres. Kjo është alternativa. Rrugë tjetër nuk di të ketë. Pastaj, po t’i qëndrojmë fort parimit: unë shkruaj si më do qejfi mua... është tjetër gjë. Këtu dalim te shtëpitë e pushkës: Pushka top t’u bëftë!
Një film, që si produksion i takon Kosovës, u trasmetua me titra nga një televizion i Shqipërisë. Dhe kjo fillimisht krijoi mjaft ilaritet. Me të drejtë. Të gjithë flasim shqip, ç’është nevoja për titra. Por më pas nisa të mendoj: Nëse nuk do të ishin titrat sipas standardit të vitit 1972, më shumë gjasa nuk do të merrja kuptimin e filmit, sepse dialekti e zhargoni më vinin në vështirësi të herë pas hershme. E pra edhe Kosova ka nënshkruar në Kongresin e ‘72-shit e për më tepërt ka pasur të njëjtën kurrikul me atë të shtetit shqiptar.
Por kjo është e keqja më e vogël. Sepse dialektet janë dialekte në të folur, dhe padyshim që janë dhe një vlerë e madhe. Por në të shkruar ndryshon puna. Dhe gjejmë sot, jo vetëm në komentet banale të rrjeteve sociale, por dhe në mjaft portale - ku mendohet se shkruajnë gazetarë me shkollë, baçelor e master, - të shkruhet me zhargon rruge. Problemet më të mëdha dalin me gërmat “ë”, “r” dhe “rr” që vihen vend e pa vend, si dhe “q”-në që zëvendëson “ç”-në. Hajde qyfyre hajde. Dhe kur e sheh gjuhën të shkruar në këtë mënyrë të dhembin sytë nga mish-mashi, për të cilën duhet të mendohesh që të kuptosh se çfarë ka dashur të thotë autori.
Zoti na ruajtë nga idiotët e gjuhës!
 

Friday, July 7, 2023

Lufta shtazore, nga armët në pandemi bota nuk gjen dot qetësi


Nga 
Leonard Veizi
 
Armiku është tek dera. Herë me armë zjarri e herë me një shiringë mjekësore, por ne nuk duam ta besojmë. Për më tepër nuk duam as ta kujtojmë. Dhe nëse ai na zë përsëri në befasi, atëherë nisim t’i biem kokës me grushte.
Në planetin Tokë, njeriu me ndërgjegje jo fort të lartë, është ambientuar të jetojë me shpendë e kafshë, gjithashtu banorë të kësaj toke, por me nivel të papërfillshëm intelekti. Për këtë arsye, një “kafshë” e mbiquajtur njeri, që ka ca më tepër mend se të tjerët, vë në përdorim për punë angari e ngarkesa gjithfarësh, kafshët e fuqishme. Në klasifikim, disa prej kafshëve përdoren për punë e ca të tjera mbarështrohen që në fund të ditës të bëhen ushqim, po për njeriun, pasi janë therur e kanë derdhur gjak nëpër dhe. Këtu nis problemi.
Epidemiologët thonë se të gjitha viruset, të cilat kanë shkaktuar sëmundje vdekjeprurëse, epidemi e pandemi, janë përhapur ose nga shpendët, ose nga kafshët.
Xhon Vidal, një gazetar që është marrë gjatë me çështjet e mjedisit, tregon se Pandemia e Gripit e vitit 1918, që mori disa miliona jetë njerëzore, nisi nga një e kafshuar që miu i fushës i bëri gishtit të një vajze 6-vjeçare. Dhe miu pretendohej se ishte i kontrolluar pasi ishte blerë në një dyqan kafshësh. Kjo pandemi bëri që 300 njerëz të infektoheshin brenda një jave, 300,000 të tjerë brenda një muaji, dhe pas 8 muajsh ndër 1 miliard të infektuar, kishin vdekur të paktën 20 milionë prej tyre. Shifra të tmerrshme. Shifra që vazhdojnë të kryesojnë klasifikimin si për t’i thënë botës se gjithçka është në mundësitë e përsëritjes. Ndoshta këtë herë shumë më tepër se kaq.
Njerëzit duken të ç’mësuar tanimë nga Covid-19 edhe pse pasojat e tij i kemi në përditshmërinë tonë dhe në të shumtën e rasteve nuk i kuptojmë. Të lodhur nga Covid, njerëzit janë në dremitje. Për më tepër kur u është thënë se të tilla pandemi përsëriten një herë në 100 vjet. Pra sipas logjikës së thjeshtë, pandemia e radhës pritet në vitin 2120
Dhe duket se më shumë po i japin rëndësi luftës së llojit tjetër, asaj me armë zjarri, që gjithsesi vazhdon në Ukrainë, dhe supozohet se mund të plasë edhe në ndonjë vend tjetër më afër qendrës së Evropës. Megjithatë aty-këtu, ka zëra që flasin se pandemia e rradhës do të jetë e afërt. Dhe këtu nuk flitet për zëra anonim, dhe as konspiracionistësh që shohin ëndrra me sy hapur, por shkencëtarë të vërtetë. Dhe nëse shpërthen një tjetër pandemi, ajo do të jetë po aq e rrezikshme sa dhe shpërthimi i një bombe bërthamore.
Prerjet masive të pemëve, urbanizimi i skajshëm dhe shtimi i popullsisë në kufijtë e 8 miliard banorëve, pra të gjitha ekosistemet e fragmentuara kanë ndihmuar në krijimin e kushteve për shfaqjen dhe përhapjen e sëmundjeve vdekjeprurëse. Ndërkohë që sipas statistikave, mbi 70 miliardë kafshë theren për mish çdo vit. Dhe kjo është një shifër vërtet e frikshme.
Aktualisht njerëzit, duket sikur po flenë mbi dafina. Në mënyrën më meskine të mundshme ata bëjnë llogari se ku do të fitojë më shumë, si do të aplikojë diku për një punë me rrogë më të mirë..., e të tjera si këto. Ndërkohë që  frymëmarrja e kafshëve, jashtëqitjet e shpendëve, - që ne i rrisim për të kënaqur shijet tona të barkut dhe për të shtuar brezat e dhjamit, - mund të jetë rreziku më i madh për të ardhmen e njerëzimit.
Xhon Vidal në shkrimin e tij të publikuar në “The Guardian”, ngre shqetësimin duke thënë se pandemia e re është vdekjepururëse dhe e pashmangshme, por që gjithsesi ka një mënyrë për ta shmangur atë. Që do të thotë se vërtet qenia njerëzore nuk mund të ndalojë evolucionin e mikrobeve apo të shpëtojë prej tyre. Megjithatë, ekzistojnë disa mundësi që pandemia e ardhshme të jetë në kufijtë minimalë të saj, ku qenia njerëzore, si qenia më inteligjente në glob, mund të ndërmarrë disa masa jo vetëm për të zvogëluar rrezikun e shfaqjes së pandemive, por edhe për të zvogëluar ashpërsinë e tyre. Mënyra e vetme për të siguruar një shëndet të mirë afatgjatë të njeriut dhe planetit është të minimizojmë shqetësimet e natyrës. Dhe kjo është vendosja e një marrëdhënie të re me natyrën, që në fakt është vendosja e marrëdhënieve të dikurshme, por që për shkak të teknologjisë dhe industrializimit ka zbritur disa shkallë më poshtë.
Por duket se kjo nuk merret seriozisht nga askush. Pritet të bjerë këmbana e fundit që autoritetet të kthejnë kokën. Ndaj prerja e druve do vazhdojë me të njëjtin ritëm, po ashtu si dhe therja e kafshëve dhe shtimi i racës njerëzore në kufijtë ekstrem.
Nga lufta në pandemi duket se bota nuk arrin të gjejë qetësi. Edhe çmimet e ushqimeve. Ndaj dhe njerëzit janë të fokusuar më shumë te përditshmëria, harrojnë se çfarë do të ndodhë në të ardhmen disi më të largët, por që afrohet në mënyrë të pabesueshme, deri në faktin e kryer.
Sipas Xhon Vidal: pandemitë vrasin shumë më tepër njerëz dhe u kushtojnë ekonomive më shumë se lufta, por asnjë qeveri apo organizëm global aktualisht nuk ka në plan të adresojë shkakun themelor të Covid-19 ose pyetjen pse shpërthimet e sëmundjeve të reja infektive të mëdha si HIV/Aids, Ebola, Marburg, Gripi i shpendëve, Sars, sindroma e frymëmarrjes në Lindjen e Mesme (Mers), Mpox dhe Nipah janë shfaqur të gjitha në 50 vitet e fundit. Prioriteti i qeverisë dhe industrisë është të gjejnë mënyra më të mira për të trajtuar simptomat me vaksina dhe teknologji më të mira, në vend që të adresojnë shkaqet e sëmundjes.
Pandemia Covid-19 bëri atë që nuk ishte eksperimentuar asnjëherë në botë: ngujoi në muret e shtëpisë një popullsi 8 miliardëshe. Dhe kjo padyshim u dha udhë të gjitha teorive konspirative, ku ajo që u ngrit në kult ishte se kjo ka të bëjë me luftën e njeriut ndaj njeriut. Pra, një luftë jo më bërthamore, por biologjike.
Tani gogoli Covid po mbahet si ata zagarët e ngrehur: këtu është, rrini urtë se ua lëshuam.
Aferim u qoftë! Tani filloi lufta!
Padyshim bota nuk mund të ketë qetësi absolute. Ç'kuptim do të kishte. Por luftrat për çudi nisin e përfundojnë në Europë. Se në kontinentin Australian nuk ka luftë. As në atë Amerikan. As në shumë vende të tjera që nuk e njohin luftën.
Kështu vazhdon e u jepet rrugë konspiracionistëve të cilët thonë se gjithçka është e programuar dhe s’ka asgjë rastësore në këtë jetë.
Jemi në prag të një lufte të pamëshirshme, por që gjithsesi është në dorën e qënies njerëzore për ta frenuar atë apo për ta kufizuar në mundësitë më të mëdha.

Wednesday, July 5, 2023

Ndrek Shkjezi, gjigandi i roleve të vogla


Nga 
Leonard Veizi
 
Ai e ka ndërtuar madhështinë e tij si një aktor karakteresh, pikërisht mbi rolet e vogla e dytësore.
Në 30 karakteret e stampuara në pelikulën e filmit, është e vështirë të përzgjedhësh se cili prej tyre do të përbënte një kulminacion. Sepse gati të gjithë do ta përfaqësonin atë denjësisht.
-Pse, ashtu ngulet gozhda mor karafil?
-Karafil je vet.
-Kujt i thua karafil ti? I paedukatë. Ec me mua në drejtori.
-Oooo, fillove ti nga pedagogjia. Ai u suall si rrugaç. Të gjithë e dinë se ai është i pasjellshëm. Epo unë nuk mund të zbraz kokën time dhe të mbush mendjen e atij... Nertil Dulit!
Këto ndoshta mund të jenë batutat më emblematike të tij të realizuara tek filmi “Shoku ynë Tili” ku luante rolin e mësues Faikut që jepte lëndën e Gjeografisë.
Por Ndrek Shkjezi është shumë më i hershëm në kinemanë shqiptare, që në fillimet e saj. Sepse  e ka filluar si Gjeto Gjokaj, një rol episodik tek filmi “Skënderbeu”, që ishte dhe filmi i parë shqiptar në bashkëpunim me studion “Mosfilm” të ish-Bashkimit Sovjetik.
Por dhe tek filmi “Debatik” ai ka një rol shumë simpatik, si tregtari i një dyqani metrazhesh, i cili, një babai që blinte 6 metra kambrik si qefin për të dërguar në varr djalin e vetëm që i kish vdekur, i ofronte gjithë gaz:
-Po ndonjë plaçkë të mirë për dasmë, dëshironi? Kam sjellë plot gjëra të bukura nga Italia.
Tek filmi “Plagë të vjetra” ai është Llambi, i cili pas një operacioni nga stomaku, vazhdonte t’i ankohej doktoreshë Verës, se kishte dhimbje e i ishte krijuar një masë e fortë në vendin e plagës.
-Po puna ime si do bëhet doktoreshë? U bënë 10 ditë që jam bërë operacion dhe akoma kam dhimbje. Por ju më duket doni të mbuloni gabimet tuaja dhe thoni: durim. Unë kam infeksion. Jam i sigurt.
Por ai është edhe pacienti që priste të vizitohej në Poliklinikën Qendrore, tek filmi “Era e ngrohtë e thellësive”
-Djali, ai më solli mua këtu. Nuk më vente mirë me punën. Eh, ç'kam hequr. Mua më mori në qafë gruaja. 12 zanate ka ndërruar im bir, lërë-fillo, fillo-lërë... eeeeh.
Shumë domethënëse janë dhe batutat e tij tek filmi “Fjalë pa fund” ku ai luan rolin e një njeriu të pasionuar pas gjyqeve, sidomos ato që kishin të bënin me divorcet.
-Eh, sa gjyqe kam parë unë mor bir. Nga gjyqet njeriu mund të nxjerrë probleme shoqërore. Lloj-lloj dëgjon. Këta ndahen pas 10 vjetësh. Seancën e parë nuk e hapën fare çështjen e një gruaje të bukur. Peri të tillë nuk kisha parë ndonjëherë: vetullën gajtan, syrin e zi...
Tek filmi “Në pyjet me borë ka jetë” ai luan rolin e sharrëtarit Allaman Uka, që vinte vërdallë nëpër kantier duke u betuar se do ta gjente mikun e tij të ngushtë, që mendohej se kishte humbur në pyjet me borë.
-Dëgjoni këtu: mos më thënçin me emër po nuk e gjeta babushin sonte. Vetëm unë e di se çi pjell mendja atij.
Tek filmi “Kur hapeshin dyert e jetës” në rolin e Gjin Kryebardhi, ai na jep një tjetër karakter interesant e plot jetë, kur provokon mjekun e ri të fshatit e i thotë se i dhembte e i therte këmba që kishte thyer 25 vite më parë. Por kur mjeku ia zbuloi shakanë u hodh përpjetë nga shtrati i pacientit:
-Pasha nji at' rreze dielli, taman nji ashtu si the ti. Por un deshta me ba lojna. Kur ia kam ba doktor Prelës, 500 lek barna më ka dhënë. Por unë nuk i mora. Po ti qenke kokrra e doktorit more bir.
Por si xha Nasi, roja e Institutit të Arteve tek filmi “Apasionata”, që kishte fiksim dritat, ishte edhe më gazmor.
-More Artur. E di që do më heqin nga puna. S’është nevoja për ty, më thanë se qëndron gjithë natën Arturi në Institut.
Ndërsa tek filmi “Dhe vjen një ditë”, ai është Nikolla, portieri i Hotelit të Beqarëve, që sipas Llano Bletës, ishte një poet popullor penës së të cilit i takonin vargjet: Ora 12 e natës, çak e çuk te porta.
-Jo prapa krahëve Nikollë! Sa ishte këtu i bëje tërë ato lajka, - i bëri vërejtje Gori Goroshi duke i marrë gazetën nga dora.
-Se ashtu e kisha hallin. Sebepi i nipit tim që kam në Pukë. Drejtorin e Kuadrit të ministrisë e kishte shok të ngushtë. Po thuaji mor qerrata një fjalë të mirë për nipin. Do t’i them Nikoll, do t’i them. Fjalët e mira gurët në torbë. Kështu qe ai. Por tani i paska gjetur mirë mushka drutë.
Tek filmi “Besa e Kuqe” Ndrek Shkjezi ka një rol të vogël, por shumë domethënës, ku me një xhaketë të hedhur në njërin krah u del përballë dy prej djemve që bënin punën agjitative nëpër Mirditë, në kuadër të luftës antifashiste, dhe me një fjali bën që ata atë bien në kurthin e ngritur.
-A u lodhët? A keni me ndez se më ka hup unuri? Kot po ju them, po pa shku të zalli pash Pjetër Ukakeqin me disa xhandarë. Ju rrit ndera e udha e mbarë!
Tek filmi “Radiostacioni” ai luan rolin e një borgjezi i cili jetonte në bodrum nga frika e komunistëve që kishin hyrë në Tiranën e fundluftës së Dytë Botërore.
-Ndoshta nuk është e nevojshme të zbresim kaq thellë. Ndoshta është e nevojshme të paraqitemi atje ku duhet. Por ju e dini se nuk dimë as vetë ku duhet të paraqitemi.... Oooo Mukadesss.
Por një rol tjetër i spikatur i tij, i cili është fiksuar në kujtesën kolektive, është dhe ai i xhandarit tek komedia “Prefekti”.
-Hap sytë se mos është ndonjë burrë e osht vesh si gru!
-Jo jo, është gru. Është gru. Më tha: do të fjalosem personalisht me zotin Prefekt. Bile është gruja e një doktori dhe emrin e kish Kakarina... kështu: Katerina.
Por një tjetër rol, jo më episodik por qendror, është dhe ai i xha Thimit, babait të Blertës tek filmi “Fejesa e Blertës” që kërkonte të rregullonte vajzën në një punë të mirë fshati, meqenëse ishte dhe sportiste me emër aq sa e kishte kërkuar edhe Dinamo në kryeqytet.
-E mbajnë vendin bosh atje në laborator dhe nuk të fusin ty. Po nuk u rregullove në ndonjë vend të mirë tani ti do të plakesh në stallat e lopëve.
Dhe po aq një rol të rëndësishëm, atë të Zenelit, ai ka pasur edhe tek filmi televiziv “Kur hidheshin themelet”
-Ai vrau Adilin dhe vazhdoi lojën e bixhozit dhe fitoi. Ai nuk ka shpirt Bude, nuk ka shpirt.
Në jetëshkrimin e tij zyrtar thuhet se Ndrek Shkjezi u lind në Shkodër, më 4 qershor 1922. Që herët do të interpretonte dhe role të vogla në trupa teatrale joprofesioniste. Largohet nga Shkodra menjëherë pas mbarimit të luftës dhe në vitin 1945 së bashku me artistët Naim Frashëri, Kadri Roshi dhe Mihal Popin do të themelonte Teatrin e Shtetit, që më vonë do të quhej Teatri Popullor e sot Teatri Kombëtar. Në kohën e shërbimit të detyrueshëm ushtarak punon në Ansamblin e Ushtrisë. Në teatër ka luajtur më shumë se 80 role. Ndërsa në kinema ka interpretuar në të paktën 30 filma të ndryshëm. Për meritat e tij artistike është vlerësuar me Urdhrin “Naim Frashëri”, dhe në vitin 1989 me titullin “Artist i Merituar”. Ndahet nga jeta më 17 qershor të vitit 2002, në moshën 80-vjeçare.

Monday, July 3, 2023

Loja matematikore që u kthye në tmerrin e shifrave



Nga Leonard Veizi
 
Ndodh që një lojë matematikore të të vërë vërtet në lojë.
Tek shfletoja në bibliotekë, mes disa vëllimesh të vjetra, dora më zuri edhe një libër që në rininë time të hershme e kisha shumë për zemër. Ishte një libër me ushtrime matematikore, aspak si një libër trigonometrie, algjebre apo gjeometrie ku Iksi në Katror, Sinusi e Kosinus Alfa... të bënte me dhimbje koke. Sepse po të ishte i tillë nuk do të ishte në preferencën time. Por si libër me ushtrime matematikore, në formë loje, ishte fort argëtues. Më kujtohet që një prej ushtrimeve të tij më vuri aq shumë në lojë sa u rreka të bëja një zgjidhje manuale të tij duke prishur një fletore me katrore, por që gjithsesi nuk i vajta deri në fund... e me sa më kujtohet e lash në mes pasi kisha përpunuar më shumë se gjysmën e të dhënave.
Autori i këtij libri dhe i vetë problemave ishte një shkrimtar shkencor rus, autor i një serie librash me probleme argëtuese e që quhej  Jakov Isidoroviç Perelman. Libri, një prodhim i shtëpisë botuese Naim Frashëri shtypur në vitin 1962, kishte ardhur në shqip nga përkthimi mjeshtëror i Kristian Bukuroshit.
Thuhet se loja e shahut erdhi në Evropë nga Lindja. Por nuk ka të dhëna më shumë se kaq. Për konspiracionistët loja e shahut nuk është një prodhim njerëzor por i ardhur nga një civilizim shumë më i përparuar. Ndërkohë Perelman shkruan se kjo lojë është shpikur në Indi dhe se krijuesi i saj e kishte emrin Seta. Dhe për këtë tregon një histori dhe ngre një problem:
Kur u njoh me lojën e shahut mbreti indian u habit nga lëvizjet e shumëllojshme dhe kërkoi të takonte shpikësin sepse kishte ndër mend ta shpërblente personalisht. Seta shkoi në pallatin mbretërore dhe në dilemë e sipër për sa i tha mbreti ai bëri këtë kërkesë: donte një kokërr gruri për kutinë e parë të shahut, dy për kutinë e dytë, katër për të tretën, tetë për të katërtën dhe kështu me radhë në një dyfishim deri sa të arrinte në kutinë 64. Mirëpo mbreti u ndie i fyer dhe në inat e sipër i tha shkencëtarit:  Do t’i marrësh ato çfarë kërkove për 64 katrorët. Shërbëtoret e mij do të të japin një thesin me grurë. Mirëpo Seta qeshi, doli nga salla dhe vajti e priti tek porta që t’i kthenin përgjigje. Më pas mbreti u kujtua për shpikësin dhe kërkoi të dinte nëse ia dha sasia e gruri që kërkoi. Por oborrtarët i raportuan se mamematicienët e oborrit po vazhdonin të llogarisin me shumë seriozitet numrin e kokrrave grurit
Mbreti u inatos përsëri dhe urdhëroi se Setës t’i jepej edhe kokrra e fundit e grurit.  
Në mëngjes herët, mbretin e lajmëruar se kërkonte të fliste me të më i vjetri nga matematicienët. Ai i tha mbretit se sipas llogarisë numri ishte shumë i madh. “Sado i madh le të jetë, hambarët e mi nuk do varfërohen”. Mirëpo matematikani plak i tha sërish: Që të plotësohet dëshira e Setës, duheshin mbjellë, jo vetëm tokat, por dhe malet, madje dhe detet e oqeanet.
Sepse shifra e kokrrave të grurit ishte: 18.446.744.037.709.551.615
“Tetëmbëdhjetë kuintilion, katërqind e dyzet e gjashtë kvadrilion, shtatëqind e dyzet e katër trilion, tridhjetë e shtatë bilion, shtatëqind e nëntë milion, pesëqind e pesëdhjetë e njëmijë e gjashtëqind e pesëmbëdhjetë kokrra”
Cili është më pas arsyetimi i autorit të librit, Jakov Isidoroviç Perelman. 
Në qoftë se doni të përfytyroni se sa i madh është ky numër le të llogarisim se çfarë dimensione do të kishte hambari që të nxinte këtë sasi gruri. Dihet se afërsisht një metër kub grurë përmban rreth 15 milion kokrra. Pra dhurata e shpikësit të shahut do të zinte afërsisht një volum 12.000.000.000.000 metra ose 12000; kilometra. Ne qoftë se hambari do te kishte lartësi 4 metra dhe gjerësi 10 metra ai duhej të ishte i gjatë rreth 300.000.000 km, pra dy herë më larg se distanca nga Toka në Diell.
Kuptohet lehtë se mbreti indian nuk mund ta jepte dot një shpërblim të tillë edhe pse kishte dhënë fjalën e burrit. Dhe pse në fillim i kishte thënë Setës se kishte kërkuar një shpërblim qesharak madje se lutja e tij për t’i dhënë për çdo katror dy herë më shumë kokrra gruri se i mëparshmi, nuk ishte e denjë për bujarinë e tij.
Ja, kjo ishte e gjithë loja matematikore që Perelman na i sugjeron përmes librit të tij: “Matematika e gjallë”