Monday, May 30, 2022

Enea Zheku, rebeli i përjetshëm që iu bind veç vdekjes


Nga Leonard Veizi
 
Duheshin edhe 41 ditë të tjera që të mbushte 58 vjeç. Sepse kishte lindur 9 korrikun e vitit 1964. Por u nda nga jeta mëngjesin e 29 majit të vitit 2022...
 
...Ishte i pabindur e rebel. Ishte kokëkrisur dhe i pakompromis. Ata që ia njihnin huqet, e dinin se ishte problematik. Kjo krenari e pakufizuar do ta penalizionte aktorin potencial. Dhe kjo u bë shkak të përjashtohej nga shkolla e mesme, por gjithsesi ta vazhdonte atë e të diplomohej me vështirësi. Por edhe studimet e larta do t’i ndërpriste për të mos i vazhduar dot më. E vite më pas do të shprehej se nga pengjet e tij më të mëdha ishte fakti që nuk u diplomua dot në Institutin e Lartë të Arteve, dega aktrim.
Por ai qe lindur si aktor. Dhe në një shumicë rastesh të pabesueshme, aktorëve nuk u duhet një diplomë për aktrim. Ashtu si dhe një këngëtari nuk ka pse i duhet një diplomë për të kënduar, nëse është i lindur si i tillë.
Ndaj në rrugën e karrierës së tij të shkurtër ai do t’u jepte jetë disa personazheve shumë interesantë. Ishte Lelo, Çomja e Zigur Gruda, por mbi të gjithë ishte Tomka. Ky emër i dytë do ta “përndiqte”, do të ishte nofka e tij me të cilin do të personifikohej aq shpesh. Sepse për shumëkënd që nuk kishin marrëdhënie me të por thjesht e ndeshnin në rrugë a kafe, në mendje më shpejt se emri Enea i certifikatës së Gjendjes Civile, vinte ai i Tomkës, që tek e fundit ishte dhe komandanti i një çete fëmijësh në një qytet të jugut të Shqipërisë, në vitet e Luftës së Dytë Botërore.
Aktor potencial, që nga mosha 12 vjeç kur në kastin e aktorëve të vegjël e rekrutoi një mjeshtër zanati siç ishte Dhimitër Anagnosti për t’i dhënë rolin e Lelos tek filmi “Lulëkuqe mbi mure”, prodhim i Kinostudios së vitit 1976.
- Për shpirt të nënës vetëm unë e kam lëpirë... Për shpirt të nënës ai është spiun.
Këto ishin dhe batutat lapidar të këtij filmi për të vazhduar më pas:
– Luixhi, Luixhi, po sot i hëngre nja dy të mira.
-Apo s’kishte një dorë të rëndë ai surrat patatja. Mos u mërzit se do ta gjejë edhe ai.
Një vit më pas fizionomia dhe talenti i aktorit të vogël me një rol dytësor, nuk do t’i shpëtonte syrit të një tjetër mjeshtri të regjisurës siç ishte Viktor Gjika, i cili në vitin 1977 tek filmi “Njeriu me top” i besoi rolin e Zigurit, djalit të Mato Grudës, që ishte një rol përkrah të famshmit Timo Flloko.
-Baba, thuaj italianit të më bëjë një pushkë.
-Ç'e do, apo të vrasësh gala?
-Galat vraji ti me top. Unë e dua për gjermanin...
Po në vitin 1977 regjisorja e mirënjohur Xhanfize Keko e cila kishte marrë përsipër të xhironte filmin “Tomka dhe shokët e tij” e përzgjodhi në rolin kryesor, atë të Tomkës. Ky rol do t’i jepte Enea Zhekut famën maksimale si një fëmijë aktor. Dhe nuk ishte më shumë se 13 vjeç.
Por duket se fama shpeshherë ndikon negativisht tek një fëmijë ende i paformuar. Dhe Enea padyshim, hynte tek rastet ku ai vetë do të ishte pengu i famës së tij.
Pas një heshtjeje 9-vjeçare, regjisori po aq i mirënjohur i Kinostudios, Gëzim Erebara, e ofron në kastin e aktorëve pjesëmarrës në filmin “Një jetë më shumë”. Në rolin e Çomes, Enea Zheku do të na jepte një version tjetër të një personazhi që ngjasonte sa me Gavroshin e Hygoit aq me personazhet e Dikensit tek Oliver Tuist. Por në rastin më të mirë, Enea Zheku do të luante vetveten. Një njeri bohem që vërtitej rrugëve të kryeqytetit i cili sapo kishte dalë nga lufta.
Karrierën si aktor do ta mbyllte në rolin e Pilos tek filmi "Milenium" i regjisorit Besnik Bisha, një realizim i vitit 2014. Emigrant në Greqi e Itali, Enea Zheku do të kthehej në Tiranë si një sipërmarrës tashmë, por shumë më larg filmit dhe jetës skenike. Ndërsa regjisori Bisha me largpamësinë e tij do t’i ofronte një rol të rëndësishëm, pa kinoprovë, duke e vënë në krah të madhit Ndriçim Xhepa.
Askush nuk e mendonte se ky do të ishte dhe roli i fundit i Enea Zhekut. Ishin 28 vite në mes midis dy roleve të tij. Nga Çomja tek Piloja. Dhe të gjithë këtë boshllëk Enea Zheku do ta kalonte me sukses të plotë, duke na dhënë një personazh mbresëlënës siç ishte Piloja, njeriu që e fshehu hakmarrjen e tij për shumë vite, por që në fund shpërtheu me gjithë egërsinë e mbledhur në kohë.
Dhe kishte nga ata që mezi prisnin ta shihnin sërish në pelikulën e filmit. Por jo... Tanimë Enea Zheku është i larguar edhe prej jetës tokësore. Dhe ndoshta vetëm pas këtij çasti të trishtë, ai më shumë se sa si Tomka, këtej e tutje do të kujtohet si Enea.

Friday, May 27, 2022

Huliganët e pabindur të Evropës, leksion për shqiptarët kokulur


Nga Leonard Veizi
 
Thyen karrige e shishe birre, thyen dhe tavolina lokalesh. Por në fund fare thyen dhe një koncept. Atë që ka bërë vend në nënndërgjegjen tonë e nuk e çrrënjosim dot. Është koncepti i drojës dhe i frikës së përballjes me shtetin dhe strukturat e tij në mënyrë tërësore a si një trup i vetëm. Dhe kjo ka të bëjë me strukturën psikologjike, të cilët në çastin që e ndjejnë se liritë e tyre, ato që i kanë fituar me gjak, dhunohen, reagojnë bashkarisht.
Ne si popull kemi të kundërtën, reagojmë individualisht dhe pastaj si komitët pas një atentati i ngjitemi malit. Edhe kjo ka të bëjë me strukturën psikologjike të një populli.
Gjellët gatuhen në kuzhina të ndryshme.
Vitet e fundit jemi katandisur edhe më keq, sepse dorëzohemi vetëm me një urdhër televiziv. Na u dha një ditë pushimi me sebepin se do vinin ca tifozë të çakërdisur nga Roterdami e mund të bënin trazira. Dhe ne u ngujuam brenda duke e kyçur derën katër herë me çelës. Kjo do të thotë se jemi “trima e liridashës” por që dhe fermanët e dalë nga zyrat e shtetit i nderojmë dhe i respektojmë deri në detaj.
Oh..., mjerë ne.
Huliganët e Romës italiane, por më shumë ata të Fejnordit holandez, na dhanë një mësim të mirë neve si shqiptarë, që veten e mbajmë për trima, por në fakt hezitojmë ta bëjmë trimin në grup. Ne vetëm duam të dukemi trima, dhe të bëjmë diçka “trimërore” e cila të na vihet në pah: demek “filani” e bëri të vetën, e mori hakun..., e shtriu përdhe hasmin..., i futi thonjtë në fyt gruas. Dhe ende nuk e kemi hequr nga kurrizi barrën e madhe dhe të pakuptimtë se vrasjet dhe kusaritë nuk janë ato që dallojnë për trimëri. Por ne këtë peshë vazhdojmë ta mbajmë edhe sot, kur bota e civilizuar na jep manuale të gatshme për zbatim.
I kanë hequr vetë të shkretët, ndaj dhe u dhimsemi aq sa manualin na e japin falas, të shumëfishuar. Por ne nuk e rruajmë fare për letra e blloqe shënimesh. Se jemi trima.  
Ne si shqiptarë jemi njerëz me ambicie, dhe kudo të na hedhësh biem në këmbë dhe përshtatemi shpejt. Por si shoqëri çuditërisht jemi të fllashkët e amorfë, dhe mbi kurrizin tonë luajnë të gjithë.
U deshën të vijnë ca tifozë të pabindur, që deheshin rrugëve të Tiranës me birrë vendase, por që dinin të bëheshin bashkë për t’u bërë ballë shkopinjve të policisë.
Huliganët e Romës italiane dhe të Fejnordit holandez përveçse na dhanë një leksion të hapur, - ashtu sipas mënyrës së tyre, - na e shurruan dhe Tiranën që mezi e mbajmë të pastër, dhe pastaj me një përqafim vëllazëror, - se nuk kishin gjë me ne tek e fundit, - u hipën autobusëve për t’u kthyer në vendet e tyre. Sepse, në fund të ditës – ose më mirë të themi në fillim të saj, - edhe ata do të paraqiten në punë e do çekojnë te porta e ndërmarrjes. Të pasur vërtetë këta qytetarë të Evropës Perëndimore, e nuk pyesin shumë as për biletat e stadiumit, as për ato të avionit dhe as për faturat e hoteleve, por kjo nuk do të thotë që paratë u bien nga qielli.
Punë punë natë e ditë...
Edhe ata punojnë e u bie bretku në 5 ditë të javës. E i paguajnë faturat një më një shtetit të tyre. Por dhe e kanë sensin qytetar të revoltës për ta vënë dorën mbi plagë atëherë kur duhet.
Ata nuk erdhën në vendin e shqiponjave si instruktorë, për të na mësuar sipas literaturës bashkëkohore se si duhet të përballen civilët e paarmatosur me policinë që mban në kokë skafandra e në duar mburoja, shkopa gome dhe granata me gaz lotsjellës. Por ata na e dhanë mësimin, ashtu, në natyrë, në mënyrë brutale e të shëmtuar, si ultrasit e të gjithë vendeve të botës ku futbolli është kthyer në mit.
Ky ishte një mësim që nuk e kishim marrë kurrë më parë. Sepse asnjëherë më parë dy skuadra të huaja nuk ishin ndeshur për fitore në kryeqendrën tonë. Një mësim që ka të bëjë me forcën e kundërshtimit. Me forcën e përballjes.
Por edhe këtu sërish ne si shqiptarë shumë pikë më poshtë dolëm. Edhe pse vendalinj e me stadium modern. Sepse ndërsa në rrjetet sociale vërshuan videot nga përleshjet e tifozëve anormalë, po aq vërshoi dhe lumi i komenteve banale, ku ne qytetarët e Botës së Tretë, kërkonin herë drejtësi se po na shkatërrohej qyteti, e herë shtronim për zgjidhje kërkesën se halabakëve të Evropës u duhej dhënë një mësim i mirë. Ndaj duhet t’u futeshim me dru atyre “kuajve” dymetroshë që ishin ënjtur nga alkooli e nuk shikonin nga sytë.
Po kush do ta bënte këtë punë se...?
-Do hosten bualli, jo pickima pleshti, - do të shprehej Jaho Labi, që ishte lab prej vërteti.
Një mik shkroi një status në Facebook ku thoshte: “Naçut e shqipes kontrollojnë prej vitesh Portin e Roterdamit, naçut e tulipanit prej orësh kontrollojnë pedonalen e Tiranës”. Pa dashur të hyj në polemikë me të, dua të them se Holandës qytetërimin nuk ia dhamë ne, - që në performancën e 300 viteve të fundit quhemi shqiptarë, - por e ngritën vetë. Nëse duan që t’ua prishim po, mund të jemi një ndërmarrje nënkontraktore e jashtëzakonshme dhe mund ta kthejmë tokën e Holandës si orizore në një kohë rekord.
Prandaj këtu nuk flitet më për trimërira kaçakësh e trafikantësh, por për ndërgjegje qytetare. Nëse do të ishte kështu, holandezet nuk do vinin të linin thasë me para në Tiranë, por do kërkonin punë te rruga Bardhyl, apo tek ajo e Kavajës, që të pastronin haletë e këtij kryeqyteti ballkanik.
Dhe të shash mbarë e prapa nga kolltuku i shtëpisë, - sidomos kur e ke një profil fals, - është një komoditet i paparë. Sepse i shtrirë me këmbë përpjetë, ku një sy e ke nga televizori e tjetrin nga celulari, padyshim, të lindin idera të parapa. Por të përballesh atje, në “sheshin e luftës” nuk ta mban. Se nuk ta ka mbajtur as atëherë kur ta tjetërsuan pronën, as atëherë kur të nxorën nga shtëpia me gjithë rraqe dhe as atëherë kur ta prishën strehën e të lanë pa gjë...
Ç’i do fjalët o shqiptar... trim e liridashës! Ti vazhdon të mos jesh i gatshëm të përballesh me fadromën, kova metalike e të cilës të bie mbi oxhak e pullaz. Ç’të kruhet kot me ata të Botës së Parë, që edhe barkun e kanë mbushur mirë edhe xhepat i kanë plot me “argumenta të forta” po aq sa dhe konti Almaviva i “Dasmës së Figaros”. E mira është të vazhdosh të ndjekësh rrjedhën e ngjarjeve nga televizori, se po dole në shesh veç për të prishur punë je, se nga përvoja, deri më sot asnjë nuk ke rregulluar.
Edhe pse ata janë tifozë skuadrash, huliganët e Romës dhe Fejnordit na mësuan se po të bashkohemi, - si një herë motit me Skënderbeun, - e bën çdo lloj qeverie të japi dorëheqje pa i mbushur 12 orë, se 24 janë shumë dhe për aq duhet të jetë futur në punë qeveria e re.
Mbase ky është mësimi i duhur, edhe pse i vonuar.
Dhe për çudi këtë mësim na e bënë “dhuratë” vetë kryeministri e kryetari i bashkisë. Ndaj këtu ata i marrin pikët maksimale, më shumë se votat tek zgjedhjet për Kryetar Fronti.
Me siguri, ta dinin ekzaktësisht se çfarë mësimi do të merrnin shqiptarët nga ca tifozë të pabindur, jo Romën e Fejnordin, por as ekipet e lagjeve të tyre që luajnë me porta të vogla nuk do kishin lënë të futeshin në Tiranë.
Tifozeria ekstreme, edhe pse në performancën e saj ka thyerje të gjithçka që thyhet, po aq përmban dhe është shpirti i revoltës dhe i jo nënshtrimit.

Tuesday, May 24, 2022

Çanga ra, nis sezoni veror me zhytje në ujin brisk

Shënime udhëtimi

 
 
Nga Leonard Veizi
 
Perëndia na ka dhënë diell aq sa duhet, rreth 300 ditë në vit. Jo si në Afrikë ku përcëllohesh edhe në mes të natës, dhe as si vendet nordike, që kur shohin diell, dalin me mëngë të shkurtra, edhe në minus 20 gradë celcius. Prandaj dhe si popull, jemi të gjallë e gjaknxehtë, e marrim zjarr si... “pushka e Dules”.
Zyrtarisht, Shqipëria e nis sezonin veror në 15 maj dhe e mbyll në 15 shtator. Pra 4 muaj fiks, ose thënë më qartë 120 ditë të plota plazhi. Por realisht sezoni më i ngjeshur është 45 ditë. E që të jemi të saktë deri në fund, në Shqipëri piku i plazhit janë 30 ditë, që do të thotë se mes datave 20 korrik deri në 20 gusht, ku jo dhomë hoteli nuk gjen të lirë, por asnjë shezlong nga ato të rreshtit 15-të në fundit të rripit të rërës, ku dielli nuk pyet as për çadrën por të shapllakos e të bën gajde, sa mund të bëhesh për serum në urgjencë. Në këto ditë nga më të nxehtat e verës më e mira nuk është që t’i vësh gjoksin kondicionerit, por të rehatohesh poshtë ndonjë peme, ose të rrish brenda në det, por me një kapele në kokë.
Por ende nuk ka ardhur puna këtu, sepse sezoni sapo ka nisur, dhe ditët e para me diell të gënjejnë ca.
Marr rrugën e plazhit, që ashtu si dhe shumë të tjerë, duam të jemi të parët që "të presim" shiritin e hapjes së sezonit.
Po kush të lë të jesh i pari... gara është e fortë!
Fillimi i sezonit në gjirin e Durrësit, - që kap vijën bregdetare nga porti deri në Qeret e Karpen, por dhe më thellë akoma, - plazhi kishte nisur gati në të gjithë dimensionin e tij. Mëngjesi është ca i freskët. Por motorët e ujit kanë nisur të bëjnë xhirot poshtë e lart me klientë të paduruar që kanë me shumicë adrenalinë të pastimuluar. Ndërsa nëpër hotele, shumica e dhomave janë të prenotuara për fundjavën.
E ndërsa shqiptarët që frekuentojnë Durrësin dhe përgjithësisht vijnë nga e rajonet e Shqipërisë së Mesme ia kanë marrë me kafe e muhabet, shqiptarët e Kosovës që kanë ardhur me shumicë, - sepse ose ca e ca kanë shtëpitë e tyre në bregdet e plot të tjerë mbërrijnë të organizuar me autobusë, - kanë shpejtuar të shijojnë ujët dhe kripën e Adriatikut. Fëmijët dalin e hyjnë në ujë pa vështirësi aty në breg, ndërsa më të mëdhenjtë llokoçiten në bregun e parë.
Meqenëse mendoj që uji për një banjë është në temperaturë optimale, nxitoj të fus këmbët, dhe.... në alarm e sipër, duke shtrembëruar keq fytyrën ajo që më vjen në mend menjëherë është një batutë nga filmi “Beni ecën vetë”.
-Po ky qenka akull fare.
-Urdhër çuna... hiqjani...
Rrekem të futem deri tek gjunjët, ndërkohë që një pjesë e fëmijëve kanë dalë siç i ka bërë nëna. Epo dielli dhe uji janë ilaçi më i mirë. Këta të Kosovës janë mësuar me klimë më të ashpër dimërore e mbase temperaturat e majit u duken të nxehta. Ndërsa ne që kemi jetuar më afër Mesdheut na duhet më shumë ngrohtësi për të qenë të gatshëm të hidhemi vetë në det, pa na shtyrë kush.
Ndërkohë jo se gjithçka është në rregull për të akomoduar turistët e shumtë, që këtë vit i presim të na vijnë edhe nga ca vende që deri dje nuk e preferonin Shqipërinë. Nëpër një pjesë lokalesh të shërbimit social po jepet dora e fundit para se të futen tërësisht në përdorim, ndërsa punët publike që administrohen nga bashkitë përkatëse vazhdojnë të kenë në krye betoniere, fadroma dhe ekskavatorë. Kjo tregon se puna për përmirësimin e performancës nga ana e jashtme do të vazhdojë edhe gjatë qershorit, sepse sezoni i plotë, ai i vërteti fare, nis ditën e parë të korrikut. Dhe po erdhi korriku, nuk flitet më për punime, sepse dyndjet janë të tilla sa që nuk ke ku të parkosh as biçikletën e jo makinën.
Në zonën e Durrës-Golemit gjërat kanë ndryshuar fort. Nuk ka më kanale ujërash të zeza mbi sipërfaqe që derdheshin në det, ku mund të të zinte purtha e javën e plazhit ta kaloje në nevojtore, ose shtrirë në krevat në një temperaturë ambienti 40-gradëshe e me 40 gradë temperaturë të trupit. Dhe kjo ka qenë një praktikë jo e pakët e sezonit veror në këtë segment të rëndësishëm të plazhit. Por pas shumë vitesh ato së fundi janë kanalizuar nën tokë për t’u përpunuar nëpër impiante.
...E ta lumsha moj demokraci...
Kullat e vendrojave bregdetare vazhdojnë të jenë po në të njëjtat vende, por ato ende nuk janë vënë në punë, dhe nëpër kabinat prej dërrase nuk gjen shpëtuesit me uniforma.
Çadrat me shezlongë në shumicën e rasteve ishin vendosur uniformë dhe rëra ishte e pastruar. Por herë pas here syri të kapte dhe ndonjë plazh publik ku ti mund të ngulësh çadrën tënde, të shtrosh një peshqir mbi rërë e të shtrihesh sa gjatë-gjerë pa pasur frikë se të vjen mbikëqyrësi e të thotë:
-Paguj içik lekët, se nuk je në shpin tate këtu.
Po t’u referohesh plazheve të famshëm të botës, në Spanjë e Brazil, fjala vjen - dhe nuk është e nevojshme të kesh qenë medoemos se video të publikuara gjen boll në youtube, - plazhet publike janë jo një bythë vend siç janë katandisur këtu tek ne, të cilat janë sa për sy e faqe e për të thënë se ligji është zbatuar, por me kilometra të tëra. Dhe njerëzit shtriheshin ku t’u vijë për mbarë po ashtu si ne një herë e një kohë, që ca e ca janë mësuar ta quajnë si “koha e Dullës” e ca të tjerë si “epoka e Enverit”.Por ne, meqë e vuajtëm atë kohë, tani na i ka qejfi të qëndrojmë si kapadainj mbi shezlong e nën çadrën që na bën hije, edhe pse e thartojmë fort surratin kur mbikëqyrësi të lë kuponin në dorë, sepse tek e fundit 20 përqind TVSH i kalojnë shtetit tonë të dashur, që me këto para kujdeset për investimet në arsim, mjekësi e kulturë.
Dhe përsëri jemi të kënaqur, se tek e fundit mendojmë se gjërat më kryesore që na i ka falur Perëndia, ajrin, ujin dhe diellin, i kemi falas.
-Eh ç’e gënjen mendja të ziun njeri!
Falas nuk ka asgjë. Sepse ti e ke paguar nëpërmjet elementeve të tjerë ndërkohë, por nuk e ke kuptuar. Si puna e shëndetësisë falas. Ore po mësohuni! Asgjë nuk është falas në këtë botë. Kur ti je i detyruar të blesh vdekjen tënde, çfarë pretendon në jetë?!
Ndaj mblidheni mendjen kur shkoni në plazh sepse kur të përballeni me çmimet e reja do t’u bjerë damllaja më shumë se nga dielli.
Gjithsesi, duhet marrë më me sportivitet. Ditët e verës janë të gjata, por ditët e pushimeve të kufizuara. Ndaj shijojini!


 

Friday, May 20, 2022

Një ditë makthi brenda spitalit e në oborr të tij


Nga Leonard Veizi

 
Mund të kesh kaluar një ditë të dhimbshme e plot makth në spital, dhe kjo është normale dhe e logjikshme. Sepse është diçka që ka të bëjë me shëndetin. Por kur kalon një ditë të tmerrshme, në oborr të tij, ku nuk ka të bëjë më as me llojin e sëmundjes, dhe as me paratë që mund të kesh dorovitur poshtë e lart për të mbaruar hallin, vetë halli dyfishohet. Dhe bëhesh sërish për në spital.
Epo të gjithë duan klientë. Se pacientët kanë sosur me kohë.
Por çfarë ndodh në një qendër spitalore, më e madhja në vend siç është Spitali Universitar Nënë Tereza në Tiranë?
Nuk marr përsipër fare të merrem me mitmarrjen, sepse tek e fundit duhet të kesh prova të pakundërshtueshme që ta denoncosh. Dhe këtë e kanë bërë më së miri disa emisione investigative me kamera të fshehta.
Por të shkosh në spital për të mbaruar një vizitë a konsultë, ku sipas projektit që ti ke në kokë do të vonohesh një apo dy orë dhe të rrish në këmbë për tetë orë me radhë, gjithsesi e ke formuar një opinion tëndin, se si ecin punët një këtë qendër, më nevralgjikja në territorin shtetëror.
Shoqëroj një të afërmin tim. Kam marr dhe leje nga puna, nja 2-3 orë, jo më shumë. Sa për të mbaruar hallin. Për merak të tij zgjohem pa gdhirë dhe në 07.15 minuta kemi hyrë në territorin e spitalit. Parkingu, makina ka plot edhe në këtë orë të hershme, por ka dhe vende bosh. Ndaj parkohet lehtësisht. Në hyrje një tabelë elektronike të paralajmëron se vetëm 5 minutat e para mund të qëndrosh pa paguar, ndërsa brenda shumës së 100 lekëve të rinj mund të qëndrosh dy orë. Por pas kësaj tarifa shtohet 100 lekë për çdo orë qëndrimi.
Mashalla!
Në territorin e spitalit nuk gjen më kioska me fruta-perime, as lokale ku mjekët harroheshin duke pirë raki dhe as shitës ambulant, por roje të sigurisë sidomos nga ata që rregullojnë trafikun. Ambienti i jashtëm është shumë më i sistemuar se sa kohë më parë ndërsa një pjesë e ndërtesave janë në rikonstruksion.
Aferim! Këtu është për t'i ngritur kapellën drejtorisë dhe qeverisë.
Zëmë radhën. Para nesh një grumbull njerëzish që me siguri kishin mbërritur në dyert e pavijonit para orës 07.00. Të gjithë kërkojnë të mbarojnë punë shpejt, sepse shumica e tyre janë edhe në punë ose duan të kthehen sa më shpejt në rrethet e tyre. Sepse shumica dërmuese e pacientëve, bashkë me shoqëruesit e tyre, nuk janë banorë të kryeqytetit.
Ndalemi këtu.
Kur kryeministri thotë “mjekësi falas” ka njëfarë të drejte. Ti ke paguar ndërkohë sigurimet, - pra termi falas nuk është më i përshtatshmi i mundshëm, -  dhe shkon të marrësh shërbimin, por pa e futur dorën në xhep. Por lart e poshtë të gjithë thonë se e lyejnë qerren.
Të jemi të sinqertë deri në fund.
Por kjo është punë shqiptarësh. Se edhe kur kanë mbaruar punë sipas rregullave, nuk u rrihet pa ta dhënë një kafe te xhepi i vogël. Aaaa, po... vetëm nëse për mjekët qepen uniforma të veçanta pa xhepa.
Në të vërtetë, prej kohësh, nëpër spitale askush nga mjekët nuk guxon të të kërkojë para për shërbimin. Veç në qoftë i çartur. Sepse denoncimet kanë qenë të shumta edhe ca masa janë marrë. Kështu që asnjëri prej tyre nuk do të rrezikonte vendin e punës dhe as heqjen e të drejtës së profesionit në rastin më të keq. Por ne si shqiptarë, e kemi ves tanimë këtë punë dhe dalim mirë a dalim keq gjatë vizitës, e kemi ndarë një lek mënjanë për një “ditë të zezë”. A thua se pikërisht ajo dorovitje do të rregullojë shëndetin dhe trakti urinar do funksionojë si me magji, kanceri do zhduket dhe zemra do pompojë aq gjak sa ajo e një 20-vjeçari.
Ndërkohë që në vend ta ndërpresim këtë zinxhir abuzimi, vazhdon ta mbajë të lidhur atë.
Por ndodh që ti je i fundit në radhë e del i pari. Ja një në dorë. Ndodh që ti vjen nga rrethi, me rekomandim pa dyshim, por i bie në qafë Tiranës sepse mendon që në spitalin rajonal nuk ta bëjnë shërbimin e duhur. U bënë dy... Ndodh që spitali rajonal të të dërgojë në Tiranë sepse nuk ka specialistë të fushës. Po e mbyll me të tretën se kush e di sa bëhet radha... Dhe qendra universitare e Tiranës mbingarkohet. Kështu që një vizitë a konsultë që mund ta mbarojë brenda dy orëve, do të të duhet dyfishi pse jo dhe trefishi i kohës.
-Hajde radha...
Nuk po e kaloj pragun që të shpjegoj se çfarë ndodh në ambientet e brendshme të një pavijoni. Sepse tek hyrja ka kontroll, dhe një roje nuk të lejon të hysh dosido. Një tjetër punonjëse të regjistron, dhe pastaj nis zinxhiri, që për të shkuar deri tek mjeku me thënë të drejtën është goxha burokratik. Po kaq, çdo pacient ka vuajtur edhe me sistemin parësor, derisa ka mbledhur të gjitha letrat e nevojshme që problemin e tij shëndetësor ta ndjekë në një shkallë më të lartë siç është spitali.
Kësaj i thonë vdis pa të ngjallesh.
Në orën 09.00, si shoqërues i papunë, dal të pi një kafe. Dua të qetësohem disi, pasi kam hequr një pjesë të makthit.
Por jo. Nuk ka rehat në këtë botë. Rehat bën vetëm atje... Atje ku do të bëhet Gjyqi i Madh.
Në oborrin e spitalit përballem me një lukuni makinash të cilat mbërrijnë në vazhdimësi, duke krijuar një tmerr në parkim. Padyshim, në spital nuk mund t’i thuash askujt që ka një problem shëndetësor, se nuk ka vend në parking e për këtë shkak nuk mund të hyjë në ambientet e tij. Veç kësaj, zgjidhje ka plot: mund të vish në këmbë, me autobus apo me taksi. Por shumica e njerëzve pretendojnë ta kenë një makinë sa më afër, për çdo rast.
Deri në mesditë, të paktën deri në 12.30 situata mbetet problematike me njerëz që hyjnë në parking e të tjerë që duan të dalin prej tij. Zallamahi sa s'ka ku të vejë. Asnjë vend, në asnjë cep të territorit të spitalit nuk mbetet bosh. Makinat janë gati t'ia hipin njëra-tjetrës. Dhe për çudi, në spital janë të gjitha fuoristrada që zënë dy vende parkimi, dhe meazallah se gjen një smart, që një bythë vend do e mund ta parkosh pa e zgjatur shumë.
Ndërkohë unë parkingun e spitalit e kam paguar shumë më tepër se atë që paguaj në rezidencën ku banoj dhe papritur jam i bllokuar nga persona që kanë plasur makinat ku kanë mundur dhe i janë drejtuar mjekut. Nuk kanë as numra celularësh mbi xham, çka është një domosdoshmëri në ditët e sotme. Borisë, - si një sistem alarmi i domosdoshëm në këtë rast - nuk i bie dot në një vend me të sëmurë siç është spitali. Dhe kështu mbetesh në dorë të fatit. Ke punë, s'ke punë, ke urgjencë s’ke urgjencë, je i destinuar të vdesësh në sedilje të makinës tënde, sepse as karoatreci i bashkisë nuk mund të hyjë dot, edhe nëse mendon se kjo është zgjidhja më e mirë. Mbase personi që të ka zënë rrugën mund të mbarojë shpejt dhe të liron rrugë. Por në spital askush nuk mbaron dot punë tak-fak. Do të të duhen 2 orë, 4 orë dhe në rastin konkret 8 orë.
Nuk më intereson që QSUT-ja ka 3 hyrje-dalje, 6 sipërfaqe parkimi në 6000 metra katror hapësirë. Më interesonte të largohesha sa më parë nga ky kaos dhe nuk mundja.
Largohem në 15:30 nga ambientet e spitalit, pasi për tetë orë parkimi kam paguar 700 lekë.
Humba një ditë pune dhe po aq sa kam ditën e punës ia dhamë me “qejf” sportelistes së parkingut, mjaft që isha në një vend të sigurt nga ku s’kishte burrë që të më luante.
 

Sunday, May 15, 2022

Largohet pa zhurmë Pëllumb Zaimi, koloneli i hekurt i ushtrisë


Nga Leonard Veizi
 
Ai ishte një ushtarak i hekurt, kolonel në gradë. Dhe ishte i aftë të ngrinte në kushtrim luftarak një batalion alpin, një brigadë këmbësorie por dhe një divizion nëse do t’ia kishin besuar. Sepse ishte një oficer tipik gjitharmësh, hijerëndë e autoritar, i mësuar me disiplinë dhe i gatshëm për t’u sakrifikuar. Me të mund të bëje shaka pa fund në tavolinën e kafesë apo nëse do ta kandisje të pinte një gotë raki, por kurrsesi në detyrë kur mbante veshur uniformën me spaleta ku shndrisnin tre yjet e oficerit madhor.
Ai ishte një ushtarak tipik, i mprehtë e urdhërues, nga ata që dinte ta mbronte frontin me heroizëm, por që për shkak të inteligjencës dhe mirëarsimimit u rekrutua në seksonin shkencor të Akademisë Ushtarake. Pikërisht atje, në elitën e ushtrisë, bordi i së cilës përbëhej vetëm nga 7-të oficerë madhorë, të cilëve iu besuan tezat e Artit Ushtarak dhe hartimi i tyre.
Më pas se kaq ai do të mbetej sërish në Akademi, por si një pedagog për ushtarakët ambiciozë që kërkonin të ecnin përpara në karrierë.
Shtatlartë dhe i bëshëm, koloneli i hekurt duket se nuk e dha veten në asnjë nga sprovat e jetës, por qelizat kanceroze e vunë poshtë vetëm në pak ditë. Ishte shpërfillës ndaj tyre dhe qëndroi në këmbë e në lëvizje të pandërprerë deri ditën kur mjekët i thanë se duhej bërë një ndërhyrje kirurgjikale. U shtri në shtratin e bllokut operator dhe, nuk u ngrit më. E humbi luftën me jetën vetëm në tre ditë, ndërkohë që i kishte fituar të gjithë betejat e tjera. Por kjo është një luftë që dihet mirë, se ka vetëm një fitimtar, dhe ai është Engjëlli i Zi, më i fortë nga të gjithë ne, i cili ka vetëm një qëllim, të na çojë drejt fundit me dhimbje. Ndaj ai lëshon “qentë” e tij, viruset dhe metastazat për të përmbushur qëllimin madhor. Kështu ndodhi dhe me kolonel Zaimin, një burrë 400 derhemësh, por që e griu nga brenda një neoplazmë e padukshme dhe e papërfillshme.
Ndaj humbet një mik të mirë, padyshim trishtohesh e mpakesh. Sepse ikja nga jeta e një njeriu gjithmonë lë një zbrazëtirë, herë të rikuperueshme e herë të parikuperueshme.
Si gazetar, me kolonel Pëllumb Zaimin kam një bilanc më shumë se pozitiv. Më të kam bashkëpunuar e regjistruar disa intervista në vite, të gjitha shumë interesante por më të guximshmet kanë qenë ato me titull: “Pasuria marramendëse e ushtrisë, 130 miliard dollarë asete”. Apo intervista tjetër po aq mbresëlënëse: “Shqipëria, 5 milionë ton municione për luftën”. Të dyja këto intervista të botuara në gazetën “Shekulli”, u shpërndanë në mënyrë të rrufeshme nga gjithfarë portalesh, sepse për herë të parë, në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të llogaritura me laps në dorë, publiku mundi të informohej për shifra kolosale dhe të frikshme parash dhe instrumentesh që kishte ushtria shqiptare e para viteve ’90 të shekullit të kaluar, por që u zhdukën pa nam dhe nishan. Dhe që t’i deklaroje të gjitha këto, padyshim duhej të kishte guxim qytetar veç atij të një ushtaraku, sepse përballjet me të tretë nuk janë aspak optimiste.
Dhe nuk po flas këtu që në intervistat e tij më ka rrëfyer për një nga eksperimentet më të pazakonta të bëra në terren, kur ai vetë si një aspirant 18 vjeçar, për t’u bërë oficer i ushtrisë shqiptare, bashkë me 69 kursantë të tjerë, u detyruan të futen në një tunel betonarme i cili u bombardua nga mbi 100 gryka zjarri të topave me kalibër të madh, për të vërtetuar rezistencën e tij. Dhe ky eksperiment me kavje-njerëz ka ndodhur në fundin e viteve ’60, në rrëzë të malit në Qafën e Qarrit të Kolonjës, me korpusin e Korçës, si një nga njësitë më të fuqishme të ushtrisë shqiptare. Padyshim, jo vetëm një eksperiencë e tillë e frikshme, por dhe drejtimi nga ana e tij për shumë vite e një batalioni art-mitraljer në kufirin juglindor të vendit e kthyen atë në një nga ushtarak të hekurt.
Por kolonel Zaimi, dinte të të jepte shpjegime të detajuara edhe mbi çështjet e sigurisë kombëtare, në kushtet e reja të një ushtrie të vogël e disi më fleksibël, por anëtare e NATO-s gjithashtu.
Dhe nëse do të rreshtoj të gjitha intervistat e bëra më këtë kolonel të ushtrisë shqiptare, - një njohës universal i saj, edhe për shkak të pozicioneve që ai ka pasur, - me siguri do të botoja një libër të veçantë. Dhe nëse do ta kisha bërë këtë në të gjallë të tij, do të ishte një surprizë shumë e madhe për një njeri që veç punëve në ushtri dinte të shkruante në mënyrë të shkëlqyer gjithfarë materialesh, duke qenë njëkohësisht dhe një lexues i palodhur i letërsisë, veç materialeve shkencore. Por sot, kur ai nuk është më në jetë, një botim vlen vetëm për statistikë, sepse në arkivë gjithçka e thënë prej tij ka mbetur si një dëshmi e pakundërshtueshme tashmë.
Si mik, Pëllumb Zaimi ka qenë gjithmonë i veçantë. Hokatar dhe i papërtuar për të të ndihmuar në gjithfarë situatash. Shok armësh me tim atë, gjithashtu një ish kolonel i ushtrisë, ndarë nga jeta disa vite më parë, por që mes të tjerash më la si trashëgimi edhe këtë miqësi.
Koloneli iku pa kthim. Ishte një ikje e butë, e pasforcuar, me dhimbje që i mbajti brenda vetes, por që nuk ia shkarkoi kërkujt tjetër.
Ai iku, sigurisht i joshur nga Ëngjëlli i Zi i vdekjes. Por pas kësaj shpirti i tij do të lundrojë drejt Parajsës.
Në Tokë do të mbetet kujtimi për të.
Leonard Veizi dhe kolonel Pëllumb Zaimi


Friday, May 13, 2022

Shokë fshatarë, shisni Benzat e blini nga një gomar!


Nga Leonard Veizi

 
Në Marenën e Melit, teto Ollgës dhe të sekretarit Salë, fshatarët kishin shitur gomerët e kishin blerë biçikleta. Por përsëri njerëzia punonte në ara dhe asnjë pëllëmbë toke nuk mbetej pa mbjellë. Ishte koha kur kërkohej medoemos që buka të prodhohej në vend, e të mos i shtrinim dorën armikut. Dhe siç mbillej gruri për njerëzinë mbilleshin dhe foragjeret për bagëtinë.
Kjo do të thoshte se mirë apo keq, ia dilnim që stomakun ta mbushnim me forcat tona. Për të tjerat, llafosim.
Ca vite më vonë njerëzit u turrën në emigracion, e fushat, - që dikur dukeshin nga ekrani si det me dallgë ngjyrë kafe prej grurit me kallinjtë që i mbani kryet poshtë, - u kthyen në djerrë. Djemtë e rinj i hodhën në kazanin e plehrave biçikletat se kishin blerë nga një “Benz” me të cilin vinin vërdallë aty në fshat me qëllimin e mirë, që t’i prishnin mendjen ndonjë vajze. Por Benzi kishte vlerë dhe kur dilje shëtitje në qytet. Prandaj i thanë vetes: ku paskemi qenë. Dhe bashkë me propagandën dhe mënyrën e drejtimit të shtetit, nxorën nga qarkullimi dhe punën agrare dhe idenë hipotetike se ndoshta kishte ndikuar në sloganin: Toka i takon atij që e punon. Ndaj për ta hequr qafe jetën prej argati shpejtuan që tokën bujqësore ta kthenin në truall. Aty të ndërtonin shtëpi e pallate, sa po të ngrije kokën përpjetë të binte kapela.
Dhe kjo u kthye në trend. Sepse dora kishte zënë ca para dhe gjërat që nuk kishin vlerë, - si parmenda fjala vjen – u çua për skrap.
Tanimë në fshat ka shumë e më shumë Benza dhe fare pak traktorë. Dhe për çudi tani fshatrave të Shqipërisë as gomerë nuk gjen dot. Ajo kafsha e vogël shtëpiakë me samar, të cilën e përdornin dhe për të mbajtur ujë në dasma por dhe për të transportuar shkarpa, qereste e gjithfarë gjërash të tjera. Se gomarin, pavarësisht se e trajtojnë për budalla, të paktën barrën di ta mbajë.
Në fakt njerëzit e fshatit donin të kapnin kohën, atë që nuk kishte arritur ta bënte as sistemi i kaluar edhe pse e kishte si moto parullën: “Ta bëjmë fshatin si qytet”.
Ca kohë ishte turp të bëje punë fshati. Fjala vjen: të milje dhitë, të tundje dybekun për dhallë apo të korrje grurin me drapër. Le që nuk ke si e korr po nuk e pate mbjellë. Toka e bukës nuk kishte vlerë se vinte gruri e mielli rifuxho nëpër hambarët e anijeve, sa të hanin derrat e dosat bashkë. Çfarë nuk prodhon bota. Edhe qumësht dallëndysheje po të kërkosh ta sjellin me avion çarter. Ndërsa në treg lakmohej ai lloji tjetër i tokës, që quhej: truall.
Investimi më i madh sot është tek tabelat, për t’i bërë sa më të dukshme buzë rrugës që të mund të shihen lehtësisht nga ata që udhëtojnë me makina. “Toka shitet”, pak më poshtë njoftimi vazhdon “me letra”, ose versioni tjetër “me hipotekë”.
Alamet okazioni.
Po pa letra?
Jo, se ka dhe treg të zi.
Njerëzit e fshatit mblidhen te lokali me vetrata e kolltukë meshini dhe pinë uiski nga shishja me etiketë, prodhuar kush e di në çfarë bodrumi me alkool të pakontrolluar, sepse nuk kanë mbjellë mjaftueshëm rrush e kumbulla aq sa të bëjnë rakinë e tyre të paktën, pa hile e që të mos u dhembi koka kur të ngrihen nga gjumi.
Pse të rrish e t’i futesh punëve plot mundim të fshatit, kur mund të bësh jetën e qytetit.
Ndaj ikën dhe stallat e bagëtive. Kur ua mori Enveri s’lanë gjë pa thënë. Tani s’ka nevojë, se i dorëzojnë vetë me qejf në “kooperativë”, mjafton që me paratë e bagëtive të blihet një Benz.
Mirëpo majat janë rripa-rripa e me kthesa. Erdhi kriza. Dhe ajo t’i kthen përmbys të gjitha planet. Ndaj kush nuk ka arritur që tokën bujqësore ta kthejë në truall është e mira ta mbajë ashtu siç është. Në kohët e këqija, një ngastër me grurë vlen më shumë se një pallat.
Para pak ditësh më tërhoqi vëmendjen një lajm. Telat Xhaferri, kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, pas një vizite në Ukrainë kishte dhënë një deklaratë për mediat ku mes të tjerash ishte shprehur. “Çështja e parë që më ra në sy ishin tokat bujqësore të punuara dhe të mbjella. Nuk kishte pjesë të tokës pa punuar dhe pa mbjellë.”
Pikë e zezë. Këta ukrainasit dhe në luftë edhe me toka të mbjella. Se ne kujtonim se tokat asaj ane do kishin mbetur të shkreta.
Por njerëzit do jetojnë, edhe në luftë.
Shokë fshatarë, kriza që na ka mbërritur me rritje çmimesh duhet zgjidhur në njëfarë mënyre. Ndaj ka ardhur koha: Shisni Benz-at e blini ndonjë gomar e ndonjë pendë qè, se u duhet për punë, për të lëruar arat e për të transportuar qereste, e jo për të bërë xhiro “bulevardit” të fshatit.

Wednesday, May 11, 2022

Në kalanë e Prezës, me themele ilire e mure osmane


Shënime udhëtimi
 
Nga Leonard Veizi
 
Ajo është element i pandryshuar i qëndresës historike të shqiptarëve. Dhe jo vetëm i arbërorëve të mesjetës. Sepse më parë se kaq, muret e saj kanë përballuar luftërat e ilirëve vendas me të huajt, në krye të të cilëve ishin romakët...
 
...Nëse nuk do të largohesh shumë prej Tiranës, por kërkon që të paktën në fundjavë t’i largohesh zhurmave të saj dhe ambientit me akustikë shurdhuese, mund të zgjedhësh një atraksion turistik që të ketë edhe një kala si objekt qëndre. Sepse treva e Tiranës ka disa kala, malore dhe fushore. Në hartën dixhitale pulsojnë me të kuqe Petrela dhe Preza. Por janë edhe disa të tjera, që natyrisht nuk e kanë figuracionin e plotë por më së shumti janë mbetje të fortesave të dikurshme. Të tilla janë:
-Rrënojat e Kalasë së Dajtit në lartësi prej 1100 metra mbi nivelin e detit e që i përket antikitetit të vonë.
-Kështjella e Dorëzit -5 kilometra në lindje të fshatit Pezë - që është dhe më e vjetra në zonën e Tiranës, e që i takon shekujve IX-IV para Krishtit.
-Kalaja e Ndroqit, 387 metra mbi nivelin e detit, e cila ndodhet në periferi të Tiranës në anën e majtë të luginës së lumit Erzen.
Për Tiranën ka më shumë të dhëna se kaq, por që nuk përbëjnë kureshti për shkak se ato e kanë humbur krejtësisht funksionin edhe si elementë muzealë.
 
Të thëna enciklopedike
E meqë në Petrelë për herë të fundit kisha shkelur një vit më parë, në Prezë nuk isha ngjitur prej të paktën 20 vitesh. Përveç vlerave historike, nga Kalaja e Prezës të ofrohet një pamje mahnitëse e fushave të Tiranës, e sidomos prej saj shihet qartë edhe aeroporti ndërkombëtar i Rinasit i cili mban emrin “Nënë Tereza”.
Kalaja e Prezës është një kala e vogël, por gjithsesi cilësohet se është më e madhe se Kalaja e Petrelës. Enciklopedia të informon se ndërtimi i kalasë nisi në shekullin e XIV dhe përfundoi në fillim të shekullit të XV. Ajo i përkiste familjes feudale Topias. Kalaja ka formën e një pesëkëndëshi të çrregullt me kulla të rrumbullakëta në katër qoshe dhe me një kullë drejtkëndëshe rreth mesit të murit që shtrihet në drejtim Perëndim-Lindje. Padyshim, gjithçka thuhet me shkrim, tanimë mund të vërtetohet jo vetëm me fotografi, por dhe me pamje videoje.
Kalaja ka gjatësi 80 metra dhe gjerësi 50 metra. Pjesa e brendshme është e mbushur me një bar jeshil e shumë çlodhës.
Për mbrojtjen e kalasë shërbenin frëngjitë, të cilat janë të pranishme në të gjitha kullat. Me anë të tyre kontrolloheshin muret si dhe hyrja e saj. Sepse kalaja ka pasur vetëm një hyrje. Ajo ndodhet në mes të faqes jugore të murit rrethues, midis kullave 1 dhe 2. Për të bërë sa më të sigurt hyrjen, ajo është e mbrojtur nga një kullë katërkëndëshe. Porta e kalasë mbyllet nga sipër me qemer cilindrik të shtrirë.
Pusi në Kalanë e Prezës është ndërtuar nga osmanët të paktën 200 vjet më parë.
Kjo kala është Monument Kulture dhe mbrohet nga shteti.
Të gjitha çfarë cituam më sipër janë të njohura tashmë, sepse ato janë të bëra publike në çfarëdo faqe enciklopedike që si fjalë kyçe ka emrin: Prezë.
 
Rrugëtimi
Marr rrugën për në Prezë-Qendër. Udhërrëfyesi elektronik tregon se nga Kryeqyteti deri në Kala janë përafërsisht 24 kilometra, të cilët bëhen për 30 minuta me makinë. Por nga qyteti i Vorës, që është dhe qendra urbane më e afërt, deri në Prezë janë 7.4 kilometra rrugë që me makinë bëhen përafërsisht për 14 minuta. Kjo sepse një pjesë e terrenit është malor dhe natyrisht shpejtësia e makinës nuk i kap dot më 90 kilometra në orë, sa në autostradë.
Preza është një nga fshatrat më të lashtë të Tiranës. E njohur si qyteti Feniks për shkak të rrënimit dhe rindërtimit përgjatë shekujve. Kjo do të thotë se aty janë zhvilluar në vazhdimësi luftime për mbrojtjen e territorit apo për marrjen e tij nga të huajt. Në fakt, sipas të dhënave Preza-Qendër, në pesë shekujt e fundit ka pasur karakteristikat urbane të një qyteze. Pra nuk mund ta klasifikojmë thjesht si një fshat.
 
***
Rruga për në Prezë duket si një fortifikatë gjigante, sepse të gjitha muret rrethuese, të rrugës apo lokaleve buzë saj kishin zbatuar të njëjtën strategji, atë të mureve të kalasë. Ullinjtë ishin gjithashtu një tregues tjetër i vendbanimit të zonës që prej lashtësisë. Një pjesë e këtyre ullinjve me siguri datojnë nga epoka e Skënderbeut, i cili në ligjet e tij kanunore, përcaktonte që çdo çift i sapomartuar duhej të mbillte dy rrënjë ulliri. Sepse kjo pemë që në lashtësi është konsideruar e shenjtë, simboli i paqes, por dhe simbol i pavdekësisë.
Megjithatë, vendasit të thonë se ka dhe ullinj më të vjetër se sa ata të epokës së Skënderbeut.
 
Në destinacion
Vendasit, apo prezjanët, njihen si njerëz të butë e fort miqësorë. Nuk përtojnë të më ndihmojnë të parkoj makinën dhe më sigurojnë të vazhdoj agjendën time pa merak sepse aty askush nuk ngacmon asgjë. Nuk marr të përpjetën që të çon më afër kalasë, pasi qëllimi im nuk ishte të shtrohesh në restorant me mish qengji, tavë dheu e raki fshati, por të rinjihesha me zonën përreth, vend në të cilin kisha shkuar për të bërë një reportazh televiziv në vitin tashmë të largët 2001. Aty mësova për herë të parë se kalaja e Prezës ishte e lashtë, me themelet e mbetura nga epoka ilirike, por e rindërtuar nga osmanët pas vdekjes së Skënderbeut. Dhe këtë ma tha për mikrofonin e televizionit një burrë i mençur e shumë i lexuar, që në moshë ishte 87-vjeçar. Nuk e mbaj mend emrin e tij dhe pse në arkivën time të detajuar, ky reportazh mungonte në një kasetë VHS-je.
 
***
Është ditë pushimi por turistët janë të paktë. Rruga që na dikton drejt hyrjes në kala, është e shtruar me kalldrëm. Një pjesë e territorit të brendshëm të kalasë është kthyer në një kantier ndërtimi. Kulla e Sahatit, por që sigurisht ka shërbyer edhe si një kullë vrojtimi, është rrethuar nga skelat dhe i është nënshtruar rikonstruksionit. Tërmeti i nëntorit të vitit 2019 preku rëndë kalanë historike te Prezës e cila u dëmtua në disa pjesë të saj. Qeveria shqiptare përmes VKM Nr. 213 vendos të financojë për restaurimin e pasurive kulturore ku përfiton edhe Kalaja e Prezës. Veç kullës, ndërtesa tjetër dominuese brenda kalasë është edhe xhamia prej guri.
Kalaja e Prezës është ndërtuar mbi një shkëmb i cili zgjatet duke u ulur në drejtim të veri-jugut. Ana lindore e kalasë është e mbrojtur nga vetë terreni, kurse ana perëndimore përbën një territor të sheshtë, prandaj dhe fortifikimi është përqendruar pikërisht në këtë pjesë.
Përmasat e vogla e klasifikojnë këtë kala si një objekt që ka shërbyer për vëzhgimin e rrugëve të rëndësishme ekonomike dhe ushtarake, që kalonin nëpër fushën e Tiranës. Duke u nisur nga sipërfaqja,  specialistët mendojnë se ajo nuk duhet të ketë shërbyer për banim, por ka pasur vetëm funksion ushtarak. Kalaja në fjalë përbën edhe një pikë komunikimi vizual ose të përcjelljes së mesazheve nëpërmjet sinjaleve me zjarre ndërmjet kalasë së Petrelës e të Krujës.
Në një pikë strategjike, - në territorin e një restoranti, nga ana perëndimore që sheh mbi fushë Prezë, - janë vendosur një palë dylbi ushtarake, me të cilat mund të vëzhgosh terrenin përreth, pa hedhur monedha, e pa shpenzuar asnjë qindarkë, ashtu siç ndodh në të gjitha pikat e vrojtimit të qyteteve evropiane, ku të duhet të sodisësh terrenin.
Nga kjo pikë e Kalasë së Prezës të ofrohet një pamje e mrekullueshme e fushave të Tiranës dhe sidomos e aeroportit, ku mund të shohësh uljen dhe ngritjen e avionëve civilë, për të cilit kohët e fundit raportohet se bëhen më shumë se 100 fluturime në ditë.
 
Epilogu
Jeta në Prezë, ka ndryshuar tanimë, po ashtu si në të gjithë Shqipërinë. Ndërtimet e reja e shumë më komode dominojnë mbi ato të ndërtuara prej vitesh e më arkaike, e në disa raste gjysmë të rrënuara. Rruga që të çon deri në qendër të Prezës përgjithësisht është e mirë dhe mund të udhëtosh me lehtësi.  Pranë murit të kalasë fiksoj një lapidar që i është kushtuar dëshmorit Vesel Xhebexhiu, i çetës partizane të Prezës. Aty pranë është dhe shkolla e mesme e bashkuar “Shaban Sheshori”, e cila gjithashtu të jep përshtypjen e një fortifikate me gurët e përdorur në murin rrethues. Gjatë zbritjes mund të ndalosh për t'u freskuar edhe në dy burime me ujë të ftohtë, të cilat gjithashtu janë punuar me elementë guri.
Dhe kështu je larguar nga Preza e gurtë e qëndresës shqiptare.

Friday, May 6, 2022

Rritja e çmimeve, për “të mirën” tonë dhe për të zezën tonë!


Nga Leonard Veizi
 
Lufta në Ukrainë po vazhdon. Jo me zjarr të hekurt, jo më asgjësime masive dhe tokë të djegur, dhe as me kampe përqendrimi e shfarosjeje. Duket se Rusia e ka marrë qetësisht këtë punë, sipas një shprehjeje, sinonimi i të cilës për popullin tonë si flamurmbajtësi i saj është: “as e qep e as e shqep”, por që në thellësi të saj është edhe më sinjifikative se kaq.
Lufta në Ukrainë po vazhdon. Kjo do të thotë se situata e tensionuar do të vazhdojë gjatë. Dhe meqë plasi, avazi duhet t’i shkojë deri në fund. Deklaratat dhe rezolutat zyrtare janë njëra anë e medaljes dhe shkelja e syrit për flirtim është e njëjta medalje, por nga ana e kundërt. Sepse të gjithë e nga pak, kanë përfitime nga kjo luftë. Edhe depot me armatime kanë filluar të çprazen, edhe ushqimeve gati për skadencë u gjendet vendi, edhe paraja qarkullon më shumë kur ka intensifikim të jetës dhe shpenzim energjish të akumuluara.
Mjafton të themi se një vendi si ky i yni, - që tanimë e kemi zhbërë bindjen si “shkëmb graniti buzë Adriatikut”, sepse jemi të ndërgjegjshëm se ka përfunduar si kusur për kamerierin, - përfiton nga lufta, në dukje e largët, qoftë dhe nga rritja artificiale e çmimeve.
I keni parë çmimet në markata? Doemos. Edhe vaji vegjetal, - të cilin mund ta përdorësh fare mirë për motorin e makinës, - ia ka hipur kalit mbrapsht, ç’pret nga të tjerat?! Fjala vjen, mielli që na vjen nga Serbia.
Por e kotë të qahesh, kur dhe një fshatar që shet i palicensuar te cepi i rrugës, të thotë se meqë është rritur karburanti, qepujkat e majdanozin do ta shesë ca më shtrenjtë. Atëherë çdo presësh nga grosistët që furnizojnë supermarkatat.
Ne si shqiptarë, në tre vitet e fundit na ka ecur mbrapsht, aq sa jemi bërë për t’u lutur, gjysma në Teqenë e Abaz Aliut e gjysma tjetër në kishën e Shna Ndout. Se vetëm Zoti po vuri dorë, pa shpresë tek të tjerët.... harrojeni.
Këto tre vitet e fundit kanë qenë thagmë fare, më të vrullshme se vitet e revolucionit demokratik 1990-1992, dhe më të errëta se revolucioni i vitit 1997. E filluam me tërmetin, e vazhduam me pandeminë dhe tani po rrimë e bëjmë sehir ndeshjen Rusi-Ukrainë.
-Plasi në Kuçovë. Punëtorët po zihen me sipërmarrësit.
-Dua ta shoh me sytë e mi katrahurën.
Meqenëse u bënë ca vite që jemi atashuar në sistemin global të gjërave tutje-tu, edhe tek ne tanimë mbërrijnë teoritë e konspiracioneve njëlloj me pjesën tjetër të botës, që thonë se tërmetin na e bënë enkas me sistemin “Harp” që të na shkundnin ca, virusin pandemik na e hodhën nga ajri që të na vaksinojnë e çipojnë e të na vënë në rresht, dhe lufta në Ballkan, për hir të fuqizimit të sllavëve në Evropë, mund të nisi nga Bosnja për t’u zgjeruar atje ku toka vazhdon të jetë e nxehtë këtu e më shumë se 100 vite më parë.
Po teori konspirative janë gjithsesi, bëjnë vaki dhe nuk dalin.
Për momentin jemi të shtrënguar të mbushim hambarët me grurë, miell e vaj dhe t’u japim ndonjë leckë me ujë e sapun tuneleve antiatomikë që na la Enveri e nuk arritëm t’i shkatërronim dot. Përkundër të gjithë fasadës, politika jonë vazhdon të bëjë groteskun, kur shtrin kabllin për lidhje “live” me qendrën e luftës duke i dhënë fjalën Zelenskit të Ukrainës për një fjalim në Kuvendin Shqiptar. Dhe presidenti në luftë veç ca këshillave gjysmë ultimative na kërkoi dhe ndihmë. Domethënë ndihma humanitare.
-Na ka dërguar shtabi i çetës. Partia ka nevojë për ushqim, veshmbathje dhe për pare. Prandaj erdhëm që t’i marrim.
-Ju s’keni pse i merrni, ne ua japim vetë. Mbledhim fshatin, i themi dhe...
Domethënë, ne i kërkojmë Evropës ndihmë për rindërtimin nga tërmeti, të tjerët na kërkojnë ne ndihmë. Kjo do të thotë se edhe nëse do të çojmë ndonjë kamion miell në Ukrainë, na duhet ta blejmë te Serbi, e ta nisim bidivi.
-Po ti s'ke për vete bre Kovi...
Ja të themi që e shtrënguam ca më shumë rripin dhe nisëm për në Ukrainë një karvan me batanije dhe fasule për ushtarët... po armatimet ku t’i gjejmë? Se Zelenski kërkoi dhe armë. Ne depot i kemi sprazur me kohë, dhe në kohë paqeje madje. Se edhe si popull jemi ca anapulla.
-S’di nga t’ia mbajë i ziu njeri.
Kjo do të thotë se ne vazhdojmë të jemi të papërgatitur për një ditë të zezë.
Por kur tjetri të kërkon ndihmë, vihesh në siklet dhe mundohesh ta gjesh një zgjidhje.
Ne do japim ndihmën tonë, se ca do kruajmë buxhetin edhe ca do t’i marrim borxh. Pavarësisht se fatura shkon në kalimin e borxhit të jashtëm aty ku samari ynë nuk e mban. Por me botën nuk do turpërohemi. Sepse përmendja e emrit “Albania”, në tregun ndërkombëtar, për çështje humanitare, na vlen shumë në pjesën e bërjes së propagandës, qoftë dhe që Evropa të na hapë derën e korridorit të cilën na e ka premtuar.
-Përshëndete bamirësen!
Dhe dora e dhunshme shtyn kokën që të përkulet.
-Sigurisht që gazeta do të ketë mirësinë të përmendi gjestin tuaj. Ne nuk do të harrojmë ta informojmë...
Por fatura do të rrëndojë po sërish mbi atë fëmijën e uritur, që pret të hajë një drekë më me shumë proteina tek tryeza e zonjës së kamur.
Por zgjidhje ka gjithmonë. Mjafton të vrasësh mendjen.
Ja për shembull: Sipas të dhënave të INSTAT, vetëm gjatë muajit Mars 2022, qeveria shqiptare arkëtoi 29.94 miliard lekë ose rreth 299 milion dollarë më shumë sesa në muajin Mars të një viti më parë, ndërsa në tremujorin e parë të vitit 2022, janë arkëtuar 58.57 miliard lekë ose rreth 580 milion dollarë më shumë sesa në tremujorin e parë të vitit 2021.
Është e dukshme që pjesa më e madhe e tejkalimit të të ardhurave buxhetore ka ardhur prej rritjes së çmimeve të produkteve dhe shërbimeve.
Ja ku dolën paratë.
Prandaj shqiptarë shtrëngoni rripat, sepse një bord fantazmë do ta mbajë çmimin e karburantit aq të lartë sa të dalin paratë e buxhetit dhe të proceseve humanitare ku Shqipëria kërkon të jetë pjesë përbërëse me dinjitet e kokën lart. Dhe bordi në fjalë për çudi kujtohet çdo fundjavë t’i fusë nga një rritje çmimit të naftës e benzinës, edhe pse vendet e tjera të rajonit që furnizohen po nga e njëjta dorë, kanë të njëjtat çmime si para luftës.
Epo natyrisht, atyre nuk u ka kërkuar njeri ndihma në ushqime, veshmbathje, armatime, e sidomos në pare.


Wednesday, May 4, 2022

Shna Ndou, vendi i shenjtë që i pranon të gjithë mëkatarët

 Shënime udhëtimi
 
 

Nga Leonard Veizi

“Shna Noi ju ndihmoftë!”. Kjo është shprehja unike të cilën besimtarët urojnë njëri-tjetrin tek shkëmbehen brenda territorit të Kishës së Shna Ndout. Është një rit që të bën të ndihesh mirë e lehtë, tek një vend tek i cili ke besimin e patundur se do t’i dëgjojë lutjet. Nëse ke një hall e s’e zgjidh dot, a nëse për një mëkat të bërë je penduar. Sepse njeriu, do apo nuk do, është mëkatar në çdo ditë të jetës së tij...
 
...Nuk është e thënë se patjetër duhet të zgjedhësh një nga 13 të martat apo vetë të martën e madhe përmbyllëse, për t’u lutur a për të kërkuar ndihmë, në Kishën e famshme të Laçit. Aty mund të shkosh në çdo ditë të javës dhe sërish pelegrinët do t’i gjesh aty. Dhe ata nuk janë vetëm nga zonat përreth, por nga çdo rreth e fshat i Shqipërisë, dhe padyshim do të ndeshësh edhe shumë të huaj. Sepse një vend i shenjtë e mbart shenjtërinë e tij në të gjitha ditët e vitit. Duke qenë se Kulti i Shna Ndout është mjaft i përhapur në Shqipëri, sipas disa studiuesve kjo e ka kthyer kishën me emrin e tij, në Mekën e shqiptarëve.

 
Udhëtimi
Kisha e Shna Ndout mbetet një nga atraksionet më të rëndësishme në vend, me vlera fetarë, historike e kulturore nga më të rrallat. I vetmi që e rivalizon po aq fort është Teqeja Abaz Aliut në Malin e Shenjtë të Tomorit. Por nëse për të shkuar në majën e Tomorit do të të duhen rreth 3,5 orë që të udhëtosh në 141 kilometra rrugë, Kisha e Shna Ndout është më afër e arritshme, gjithmonë nga kryeqendra. Në vijë ajrore, qyteti i Laçit ndodhet 11 km larg nga bregdeti i Adriatikut.
Në enciklopedi thuhet se Laçi është 45 kilometra larg nga Tirana. Por guida elektronike tregon se rruga që të çon nga Tirana në Laç është në kuotën e 52 kilometrave, e cila bëhet përafërsisht për 58 minuta. Por nga qendra e kryeqytetit deri në zemër të Manastirit dhe Kishës së Shna Ndout janë 56 kilometra, që mesatarisht përshkohen për 65 minuta. Pra distanca mes qytetit të Laçit dhe territorit të Kishës është vetëm 4 kilometra rrugë malore e cila përshkohet në rreth 7 minuta. Dhe thuhet se nëse ke vendosur të shkosh në Kishën e Laçit, nuk duhet ta kthesh mendjen por të nisesh e ta kryesh atë çfarë ke menduar më parë.
 

Në Laç
Pasi ke lënë pas autostradën dhe ke marrë daljen në të djathtë, ecën mbi rrugën që të çon në qytetin e Laçit. Ky qytet është dhe qendra më e madhe administrative e rrethit të Kurbinit. Deri para viteve ’90, Laçi konsiderohej si qytet i ri. Dhe vazhdon të jetë i ri nëse jeta e tij do të ndahej në mes, 30 vite në komunizëm dhe 30 të tjera në demokraci.
Përpara se të hysh në qytet, të duhet të kalosh mbi shinat e trenit, të një treni që tanimë është fantazmë e ka dalë nga qarkullimi, po aq sa dhe oxhaqet dhe ndërtesat e industrisë së rëndë që dikur ishte pjesë e jetës së qytetit.
Enciklopedia thotë se Laçi ka ekzistuar që në kohët e lashta me emërtimin Sebaste, pasi shtrihej në kodrën përballë kishës së Shna Ndout, ku sot ndodhen rrënojat e kalasë së Sebastës.
Qyteti ka një shtrirje në 13.5 kilometra katrorë, ku jetojnë të paktën 30 mijë banorë, po t’i referohesh censusit të vitit 2011. Qyteti u ngrit si një vepër socialiste, brenda skematizmit të pallateve 5-katëshe dhe një qendre ku si në të gjitha qytetet e tjera ishin ngritur godinat e Komitetit të Partisë, Komitetit Ekzekutiv dhe të Pallatit të Kulturës.
Sot, skematizmin e ndërtimeve socialiste kanë arritur ta prishin prurja e ndërtimeve të shumta moderne si dhe e një lagjeje me 524 apartamente, ndërtuar së fundmi me fondet turke, pas tërmetit të 26 nëntorit 2019. Mes kontrasteve të zakonshme për qytete të projektuara nën regjimin komunist, në sy bie godina e vjetër e Komitetit Ekzekutiv, tanimë e lyer me bojë vishnje të thellë e ca të verdhë për kombinacion, ku sot janë strehuar zyrat e qeverisë vendore. Sheshi qendror mban emrin “Gjin Pjetri”. Aty, projekti i rilindjes urbane ka vendsur ca pllaka e ca stola  dërrase, që bashkë me nja dy palma përbëjnë dekorin e një lloj pedonaleje. Por në tërësinë e tij Laçi është një qytet jashtë vëmendjes dhe investimeve. Ndaj krenaria e vetme mbetet shumë vite pas, në fabrikat tanimë të dala nga përdorimi, ku në majën e investimeve me teknologji të ardhur nga Kina, listën e kryesonte uzina e superfosfatit, e cila u inaugurua në vitin 1967. Qyteti i Laçit, në të cilën erdhën punëtorë, teknikë të mesëm dhe inxhinierë e kuadro të tjera nga shumë rrethe të Shqipërisë, sot vazhdon të ketë një shkollë të mesme si dhe disa shkolla 9-vjeçare. Por familjet më së shumti, ashtu si dhe kudo tjetër në Shqipëri, më fort se sa prodhimi vendas i mban puna në emigracion.
 
Kisha dhe Manastiri
Pasi je futur në qendër të qytetit do të kthehesh majtas, derisa një tabelë kafe me mbishkrimin “Kisha e Shna Ndout” të jep drejtimin nga duhet të shkosh. Si ke marrë përpjetën, mbi qytet, duhen vetëm pak minuta derisa të arrish në majë, ku një tjetër tabelë të orienton të futesh në parking, i cili gjithashtu është i paralajmëruar me tabela se është falas nga Kisha. Në tmerrin e Tiranës, ku Bashkia nuk të toleron vende parkimi por të mbyt në gjoba dhe për gabime elementare, oferta që të bën Kisha për një parkim të paqtë e pa gërvishtur telajon kund, duket sikur është falja e parë që ajo i bën natyrës makute njerëzore.
Përballja e parë me elementët që përbëjnë Kishën dhe Manastirin është një kryq me Krishtin e kryqëzuar, e pak metra më tutje ndodhet statuja e Maries me Jezusin në krah poshtë së cilës është shkruar “Ave Maria”. Ndërsa në majë të kodrës një kryq madhështor i bardhë dhe i rrethuar me llamba, - të cilat funksionojnë natën për ndriçim, - duket sikur zotëron gjithçka përreth.
Këtu jemi në kuotën e 300 metrave mbi nivelin e detit.
Natyrisht, shumë nga pelegrinët zgjedhin që një pjesë të rrugës ta bëjnë në këmbë, duke u ngjitur përmes shkallëve nga ana e rrëpirës, ku si ke aritur në ballkonin e Kishës qyteti i Laçit shihet në pëllëmbë të dorë, madje nga ajo pikë shquhet lehtësisht dhe kaltërsia e Adriatikut. Po nga kjo kuotë mund të sodisësh lehtësisht edhe uljen e avionëve për në pistën e Rinasit.
Kisha e Laçit mban emrin e meshtarit françeskan Shën Antonit të lindur në Lisbonë në vitin 1195. Ajo është e njohur si kishë paleokristiane, në përbërje të së cilës është edhe një manastir dedikuar Shën Antonit të Padovës. Sipas Radio Vatikanit: “Françeskanët erdhën në Shqipëri rreth vitit 1241, dhjetë vjet pas vdekjes së Shën Antonit. Ndërmjet disa Kishave kushtuar shenjtit, ndërtuan edhe atë të Shna Ndout, në Sebaste, kishë që u ngrit rreth vitit 1300 dhe u rrënua më 1971”.
Tanimë pelegrinë të shumtë i drejtohen këtij vendi të shenjtë, duke drejtuar lutjet e tyre për qetësi, shëndet, harmoni e begati e për më shumë ngrohtësi shpirtërore.
Kisha e Shën Antonit të Padovës është dhe emërtimi zyrtar i saj sepse “Shna Ndou” është një shkurtim dialektor siç vjen në shqip emri Anton.
Historia e krishterimit thotë se Shën Antoni, vdiq në moshën 36-vjeçare, pas një jete shenjtore dhe për numrin e shumtë të mrekullive që i njihen. Një vit pas vdekjes, ai u kanonizua nga Papa Gregori IX.  Ndaj dhe sot mendohet se lutjet në këtë vend të shenjtë dëgjohen nga Shna Ndou, i cili vazhdon të bëjë mrekulli.
Vizitorët e Shna Ndout kanë  dy pika të rëndësishme referimi: kishën dhe shpellën e Shën Vlashit. Do të të duhet të zbresësh shumë shkallë që të mbërrish në shpellë. Dhe gjatë gjithë kësaj rruge besimtarët me të cilët ndeshësh të thonë pa pushim: “Zoti ju ndihmoftë” ose “Shna Ndou ju ndihmoftë”. Historia thotë se Shën Vlashi ka qenë ipeshkëv dhe jetonte në qytezën e lashtë të Sebastes, por paganët e ndoqën deri tek kjo shpellë ku u strehua dhe të pafetë e gjetën dhe e mbytën.
Në kthim mund të ndalesh edhe tek vendi ku ndizen qirinjtë e të bësh lutjet e tua.

 
Epilogu
Në territorin e kishës ndodhet edhe një dyqan ku nëse je lodhur nga rrugëtimi, hipja dhe ngjitja e shkallëve, mund të pish një kafe e të çlodhesh, por mund të blesh gjithfarë suveniresh me simbolin e kishës, atë të Shën Antonit, të Krishtit në kryq, madje dhe të shenjtores shqiptare Nënë Terezës. Dhe pas kësaj mund të zbresësh në këmbë përmes shkallëve, apo me makinën që ke parkuar "free". Sërish do të të duhet të kalosh mes përmes qytetit të Laçit, i cili nuk e ka më ngjyrën gri të dikurshme, pasi fasadat e reja e me ngjyra i japin një tjetër dimension këtij qyteti i cili vazhdon të jetë i ri.