Saturday, October 28, 2017

Bashkim Pitarka: Ju tregoj tim vëlla, Sulejmanin

Ish-diplomati rrëfen historinë e jetës familjare dhe asaj skenike të aktorit të madh të skenës dhe kinemasë shqiptare

nga Leonard Veizi

Ai ishte Abdi Mamani tek “Gjeneral gramafoni” dhe shoku Sokrat tek “Horizonte të hapura”. Por me siguri, roli i tij më i plotë e i jashtëzakonshëm ka qenë ai i gjeneralit rus tek “Ballë për ballë”, Zheleznovit. “Do ta kërkojmë Vlorë admiral...”. Sulejman Pitarka, ky gjigant i skenës dhe kinemasë shqiptare, do të festonte 90-të vjetorin e lindjes këtë 2 shkurt, nëse do të ishte gjallë sigurisht. Në të kundërt, ai vjen i gjallë për lexuesit e “Shekullit” nëpërmjet kujtimeve të vëllait të tij të vogël, Bashkim Pitarkës.

Si ka qenë fëmijëria dhe rinia e Sulejman Pitarkës?
Sulejmani, vëllai im i paharruar, lindi në qytetin e Dibrës së Madhe më 2 Shkurt 1924, në një familje të madhe e të pasur. Në vitin 1929, kur Sulejmani ishte 5 vjeç, nëna jonë e mori atë bashkë me vëllanë tonë më të madh, Rahmiun,7 vjeçar dhe me një barrë kali me plaçka, kryesisht për dy djemtë, u hodhën përtej kufirit dhe mbërritën në Durrës ku i priste babai ynë. Ai kish ardhur vite më parë në Shqipëri dhe nuk guxonte të kthehej pranë familjes në Dibër, për shkak të përndjekjeve që i bëhej familjes së tij nga serbo-maqedonët. Familja e tij ishte shpërndarë si ‘zogjtë e pulës’. Tri vëllezër të tij u hodhën në Turqi kurse ai dhe dy djemtë e xhaxhait të tij u arratisën për në Shqipëri, ku mbetën tërë jetën pa u kthyer dot më kurrë në Dibrën e Madhe. Nënës iu desh të linte haraç një torbë me xhevahire e florinj që autoritetet kufitare maqedone ta linin të kalonte kufirin me gjithë dy djemtë. Kështu, në Durrësin plak lindi e u krijua familja jonë e madhe Pitarka e përbërë nga 10 anëtarë, babai, nëna, 5 vëllezër e 3 motra. Nga një jetë e një familje e pasur në Dibër, filloi kalvari i një jete të mundimshme e me halle, me varfëri të madhe. Babai ishte i vetmi person që punonte. Kjo varfëri i detyroi prindërit tanë që krahas shkollës t’i fusnin në punë çfarëdo tri djemtë më të mëdhenj, për t’i pasur krahë. Edhe Sulejmani ndiqte liceun latin të Durrësit por edhe punonte për firma Italiane derisa mbaroi liceun dhe për aftësitë e tij në matematikë, shkrim dhe njohjen mjaft mirë të gjuhës italiane, e morën në punë, në Bankën e Shtetit në Durrës, e cila kish kryesisht punonjës italianë dhe drejtohej prej tyre. Shumë shpejt Sula ia mori dorën punëve të financës dhe nisi të ngrihej në përgjegjësi. Pushtimi fashist e gjeti familjen tonë në një barakë të vogël, të ndërtuar me dërrasa e teneqe mbi disa shtylla betoni, në buzë të ujërave të Adriatikut, brenda rrethimit të portit të Durrësit, që në atë kohë quhej “Lagja e peshkatarëve”.
Fillimi i luftës në çfarë kushtesh do ta gjente familjen Pitarka?
Rreth fundit të viteve ‘40-të, Sulejmani u martua me një kolegen e tij gjirokastrite dhe jetonte i ndarë nga ne, sepse im at nuk e miratoi kurrë atë martesë në atë moshë fare të re dhe me një vajzë me të meta fizike. Por Sulejmani i ri, shumë simpatik, aty e lëshoi dashurinë e tij të parë. Babai u çmend dhe i bërtiste: Po nuk i ke sytë në ballë mor katran! Ti pika e djalit, me shkollë e i bukur vajte more….”?! Dhe Sula, njeri me shpirt të madh, tepër i ndjeshëm e i sinqertë i përgjigjej: “Merrini sytë e mia dhe shiheni!” Të gjithë u dëshpëruam për këtë ndarje. Por më i dëmtuari dhe i pikëlluari isha unë, më i vogli i familjes dhe kanakari i Sulejmanit. Ai kish një dashuri të paparë ndaj meje që kur isha një foshnjë i vogël, me sy bojë qielli e flokë kaçurrela. Kur vinte nga puna hidhej më parë tek djepi apo më vonë tek shtrati im, m’i përziente flokët kaçurrela me atë dorën e tij të butë e të madhe dhe duke më ngritur në krahë më thoshte: “Po si je or kaçurrelsi i vëllait?” Më puthte e më pyeste se mos ndonjë nga të shtëpisë më kish futur ndonjë të sharë apo shuplakë. Për të tilla ngjarje ai bënte namin në shtëpi, zemërohej e nuk vinte me ditë të tera.
Po raporti juaj me Sulejmanin cili qe?
Unë nga ana tjetër e doja si një perëndi, e adhuroja dhe nuk ia ndaja sytë e veshët kur hynte e qëndronte në shtëpi. Nuk i ndahesha e i shkoja pas në aktivitetet sportive ku ai merrte pjesë në rininë e tij dhe, sidomos, i ngjitesha pas xhaketës, kur ai nisi të luante si aktor në teatrin amator të Durrësit. Që nga ajo kohë, rritej aftësia e arti i aktorit Sulejman Pitarka, e po ashtu rritej e forcohej adhurimi e dedikimi im pas atij vëllai, gjë që më ndoqi deri në ditët e fundit të jetës së tij. Ai ishte për mua vëlla, baba dhe shok në vitet e rinisë, e më pas dhe i adhuruari im në rolet e tij në Teatrin Popullor, ku filloi të punojë më 1951 e më vonë i roleve të filmave shqiptarë, që ai vit e pas viti i realizonte me aq pasion dhe aftësi. Ai shpeshherë kur vinte tek ne, në shtëpinë tonë jo larg të tijës, ose kur unë shkoja tek ai, më lexonte e demonstronte me zë të lartë e me gjeste pjesë nga roli i ri që po përgatiste për teatrin apo kinostudion ose kur më lexonte skena nga dramat e komeditë që ai shkruante. Unë i ndiqja me gojë hapur këto seanca “private” të aktrimit e më tej në sallën e Teatrit Popullor, ku ndiqja me shumë pasion, shumicën e shfaqjeve, të dramave e komedive të vëna në skenë nga ai teatër i madh kombëtar e nga ajo plejadë madhështore aktorësh të talentuar. Shpesh, edhe kur nuk kisha para për biletë apo kur Sulejmani nuk donte të më fuste në sallë, unë megjithatë përfundoja atje sipër, tek qoshja nën çati e projektorëve të ndriçimit ku më shpinin miqtë e Sulës, elektricistët e punëtorët e skenës ose ndonjë herë xha Hasani, ai plak simpatik dhe zemërbardhë, përgjegjësi i sallës së teatrit. Më fuste në një nga lozhat qeveritare pasi fikeshin dritat e fillonte shfaqja. Dhe unë, i tretja sytë nga skena e ato më ndritnin e më fillonte njëfarë drithërimi kur në atë skenë hynte im vëlla, Sulejmani. Sa krenar ndihesha për të kur mbaronte shfaqja e salla buçiste nga duartrokitjet e thirrjet “Bravo!” Ndërsa aktorët e regjisori kapnin nga dora e nxirrnin në plan të parë njëri-tjetrin për të nderuar publikun. Nuk kish shfaqje që të mos e prisja deri sa të dilte tek porta kryesore e teatrit për t’u nisur së bashku për në shtëpi. Sa më mungojnë e më ngashërojnë këto momente, nga më të bukurat e më të ëmblat e fëmijërisë dhe rinisë sime. Me një fjalë teatri ishte bërë vendi i parë i adhurimit tim, sepse mbi të gjitha, adhuroja tim vëlla. Në ato kohëra shoqet e shokët aktorë të Sulejmanit si edhe regjisorë apo punonjës të skenës më quanin “Çuni i Sulës”, sepse ne ngjanim shumë me njëri-tjetrin dhe deri në rininë time Sulejmani nuk pati fat të kishte fëmijë, derisa u dashurua dhe u martua me Meri Budinën, shoqen e tij të jetës, nënën që i fali dy djem të mirë si pëllumba.
Mund të na tregoni për fillimet e jetës si aktor të Sulejman Pitarkës?
E kam shumë të vështirë t’ju flas për këtë temë, sepse shumëkush, historiografë e kritikë të teatrit e kinematografisë si dhe ish-kolegë apo nxënës të tij, kanë shkruar e kanë folur më së miri për Sulejmanin si aktor, në një numër aq të madh dramash e komedish, si dramaturg dhe si artist kinematografie që ka realizuar sa e sa role në filmat e shumtë. Këto anë mendoj se spektatorët dhe lexuesit bashkatdhetarë i njohin mirë nga ndjekja e atyre shfaqjeve e filmave apo nga kronika të Kinostudios “Shqipëria e Re” dhe Radio-Televizioni Shqiptar, në raste kremtimi të ditëlindjes së tij apo ceremonive për dhënien e aq e aq shumë dekoratash e çmimesh vlerësuese për krijimtarinë e tij. Më lejoni të flas shkurt për fillimet e karrierës së tij, nga kujtimet e mija apo të mësuara nga prindërit, vëllezërit dhe motrat e mija më të mëdha në moshë se unë, por mbi të gjitha, nga tregimet e vetë Sulejmanit për këtë karrierë artistike. Shpesh, kur e intervistonin Sulën, ai me seriozitet të plotë tregonte se regjisorja e parë e tij për aktrimin kish qenë nëna jonë, Feride. Ai më tregonte shpesh se si që në fëmijërinë e tij e më vonë (ashtu siç më kujtohet edhe mua në rininë time të hershme, nga jeta e vazhdueshme pranë nënës) e ndiqte me kërshëri dhe interesim nënën tonë tek fliste ose bënte shumë shakara në shoqëri të grave dibrane, në vizita reciproke, në pas-darkat e famshme dibrane rreth oxhakut të zjarrit. Ajo nuk fliste e lëvizte me gjeste të ndryshme, tregonte Sula, ajo imitonte e interpretonte si aktore e vërtetë. Këto vlerësime bënte për atë Sulejmani, sepse kishte një dashuri e adhurim të veçantë për nënën e tij, që në rini e deri në ditën që dha frymën e fundit ajo plakë e shumëvuajtur por edhe e lumtur. Për Vitin e Ri do të ishte i pari kurdoherë Sulejmani, që do të vinte tek ne për vizitë në orët e para të mëngjesit. Do trokiste lehtë me tre të rënat e zakonshme me unazën e tij. (Kështu bënte edhe nëna kur shkonte në shtëpi të tij, e kishin si parullë! Ha!Ha!Ha!) E merrte në grykë duke e puthur në faqet e saj të rrudhura e të rreshkura nga jeta, ia uronte Vitin e Ri dhe përkulej pastaj në gjunjë para saj dhe i thoshte: “Lërmë të të puth aty nga ku më ke mbajtur për 9-të muaj rresht moj nëna ime. Të përgjërohem e të falënderohem që më solle në jetë dhe më bëre njeri!”
Të kthehemi tek fillimet e Sulës si aktor e dramaturg?
Ai që në rini, në shkollë e në shoqëri, aktivizohej me shfaqje amatorësh. Tregoi talent në recitime dhe në shkrimin e vjershave e poezive rinore, e më vonë ato revolucionare e patriotike. Pas luftës, në fund të viteve ‘40-të, e dërguan të kryente shërbimin e detyruar ushtarak trevjeçar në një repart në qytetin e Gjirokastrës. Atje ai u dallua për përgatitjen e tij arsimore e kulturore dhe e caktuan si shkrues e përgjegjës të bibliotekës së repartit ushtarak. Nisi të aktivizohej më pas edhe në shfaqjet e grupit amator të repartit dhe të shkruante edhe ndonjë pjesë apo skeç të shkurtër drame apo komedie për atë trupë amatore. Pas kthimit nga ushtria, Sulejmanin e aktivizuan menjëherë në trupën e Teatrit Amator të Durrësit, ku luajti shumë role dhe ra në sy si aktor me talent e me perspektivë. Roli i Halilit në dramën “Halili dhe Hajria” ishte roli i parë i suksesshëm i Sulejmanit dhe që aty nisi ajo karrierë e gjatë dhe e suksesshme si aktor i Teatrit Popullor të Tiranës dhe artist në role të ndryshme në filmat shqiptarë, që nga “Skënderbeu” dhe “Furtuna”, të xhiruara kryesisht në BS e deri tek filmi franko-shqiptar “Loin des barbares” (Larg barbarëve) xhiruar në Paris më 1994. Për rolet në teatër dhe në kinematografi, janë shkruar artikuj e të dhëna të cilat gjenden edhe në internet, ku të dhënat janë më të sakta se dhe memoria ime. Sulejmani ishte një aktor me kërkesë të lartë për veten dhe ekzigjent me partneret. Ai punonte shumë për rolin, si në teatër, gjatë provave me regjisorët, po ashtu edhe në shtëpi. Një ditë i shkuam për vizitë Sulës në shtëpi dhe tek iu afruam derës së tij dëgjuam zëra. Kur hyjmë, e gjejmë Sulën të veshur me rrobat e protagonistit që do të interpretonte. Ishte i lyer e përlyer me makijazhin përkatës. Nëna ime e pa me habi dhe i tha: “Eh, mer Sulë, çish zanat të fëlliçun që kini ju artistët! Liheni e përliheni për dreq si ato…”. Qeshëm të tre. Telashet e atyre bojërave i hiqte më shumë bashkëshortja e Sulës, Meri, të cilës i duhej të lante përditë çarçafët dhe këllëfët e jastëkëve të Sulejmanit. Shumë nga aktorët dhe historianët apo gazetarët që kanë folur e shkruar për Sulën, vënë në dukje jo vetëm talentin e tij të madh si aktor, por mbi të gjitha cilësitë e tij të rralla në të folurit skenik. Ata thonë se Sulejman Pitarka ka krijuar shkollën e të folurit skenik në teatrin dhe filmin shqiptar. Zëri dhe aftësia e tij për t’i folur të gjitha dialektet e shqipes, puna që bënte ai para pasqyrës dhe magnetofonit, etj., e bënin vërtetë të kish një të folur skenike të veçantë, që e dallonte shumë nga aktorët e tjerë.
Cili ishte roli më i mirë që ka luajtur Sulejman Pitarka?
Më kujtohet mbrëmja e premierës së dramës “Pjata prej druri” e vënë në skenë nga Teatri Kombëtar më 2006, ku Sula luante rolin kryesor. Shkova ta shoh bashkë me shumë pjesëtarë të familjes. Në sallë takova edhe të madhin e më të mëdhenjve aktorë shqiptarë, të ndjerin Kadri Roshi. Në një bisedë me të pas shfaqjes, e takova përsëri dhe e gjeta aty në radhë të parë të sallës, tepër i prekur dhe i emocionuar. Sytë i kish me lot (si shumë të tjerë), sepse drama ishte vërtetë e fortë dhe të jepte emocione. Dija që ai kish lënguar gjatë në shtrat. Ishte mjaft i dobësuar e sëmurë dhe u habita kur e pashë. (Pak muaj më vonë ndërroi jetë). Ndër të tjera më tha: “Kisha thënë, mos vdeksha pa e parë edhe një herë në skenë të madhin Sulejman. Ai u kthye përsëri në skenë pas një mungese dhe lëngimi të gjatë nga sëmundja dhe ja, na tregoi edhe një herë se ai mbetet aktori më i madh”. Unë e falënderova për ndjenjat që ai shprehte për Sulën, por i thashë: “Jo, i nderuari Kadri, më i madhi i të mëdhenjve jeni ju. Sula është një ‘trim’ më shokë shumë. (Duke evokuar titullin e një drame të shkruar nga Sula për Skënderbeun “Trimi i mirë me shokë shumë”). Jo, më tha Kadriu, Sulejmanin e kemi pasur kurdoherë zili për arritjen e tij më të madhe. Ai bëri shkollë në teatër, sidomos me aftësitë e tij të mrekullueshme e të paarritshme në të folurit skenik. Ja, më tha, provo të më dëgjosh mua apo shumë aktorë të tjerë në një pjesë teatrale apo film me kurriz kthyer nga skena e ekrani. Të gjithë më kuptojnë menjëherë se jam unë. S’kam mundur ta ndryshoj dot të folurin dhe zërin tim. Provojeni me Sulën, as nuk e kuptoni cili aktor interpreton, se ai bilbilon aq bukur dhe ndryshe si personazhi nga Tirana, nga Korça, Dibra apo edhe Çamëria… Ai ka ngritur monumente në skenën dhe ekranin tonë e jo role, more çuni i Sulës! Mban mend Bashkim, kur të gjithë ne të teatrit të thërrisnim “çuni i Sulës” kur ishe fëmijë?! Në fotot e mija nga ajo mbrëmje i kam fiksuar edhe lotët e të madhit Kadri pas shfaqjes. Pjesëmarrja e tij në rolin e babait në dramën “Pjata prej druri” ishte e fundit në jetën dhe veprimtarinë e tij të gjatë e aq të suksesshme me skenën e teatrit shqiptar. Në ekran ai nuk do të mungojë kurrë në sajë të “youtube-it” në internet dhe të videokasetave e CD-ve të shumta. Ai rol, si të thuash, ‘i vuri kapakun’ gjithë asaj jete të gjallë të një aktori të madh si Sulejman Pitarka. Loja e tij në atë dramë gjeti duartrokitjet e fuqishme të publikut shqiptar (Sulejmani kish munguar tepër gjatë në skenën e atij teatri) dhe fitoi vlerësimet më të mëdha. Por më duket se vlerësimin më të madh e më të bukur Sulës për atë rol e të gjithë rolet e tij, ia bëri një mësues i thjeshtë pensionist nga Saranda. Ai e kish pritur ta takonte Sulën pas shfaqjes, para Teatrit Kombëtar. E ndali dhe në prani të familjes, kërkoi ta përqafonte e ta puthte në ballë Sulejmanin. Ishte mjaft i emocionuar dhe me lot në sy i tha: “Lërmë të të puth në ballë ore i madhi Sulejman Pitarka! Të gjitha rolet i ke luajtur me yll në ballë, por me këtë të fundit i ke vënë vërtetë kapak floriri!”. Sula e falënderoi me përzemërsi, duke theksuar se ky ishte ndër vlerësimet më të mëdha që i janë bërë ndonjëherë, e do ta mbante mend derisa të vdiste, sepse vërtetë ky ishte roli i tij i fundit.
Sulejman Pitarka
A ndihej vetë ai se e kishte marrë vlerësimin e duhur për punën e tij?
Sulejmani thoshte shpesh se: “Aktorët e mirë vdesin në skenë!” Dhe ai u largua nga kjo botë, i ngopur me duartrokitje dhe vlerësime të larta nga kritika letrare e profesionistët, por mbi të gjitha nga artdashësit e spektatorët e teatrit, nga populli i thjeshtë, më shumë se sa nga titujt apo dekoratat e autoriteteve zyrtare. E di që u zgjata shumë, por besoj është me vend të kujtoj këtu një ngjarje në vitet 2002-2003 në Florida të SHBA-ës. Nëpërmjet një miku shqiptaro-amerikan, m’u dha rasti të takoj rastësisht në një klub golfi, aktorin e madh amerikan të filmit, Shvarceneger. Pas prezantimit të rastit, miku im i tregoi atij se kush isha dhe ndër të tjera i përmendi se isha vëllai i një aktori të madh, një ndër yjeve të skenës dhe kinematografisë shqiptare. Atij i erdhi mirë të flitej kështu për një artist nga një vend i vogël, ndoshta i padëgjuar e njohur për të, por shprehu dëshirën sikur të kish mundësi të shihte ndonjë film të luajtur prej tij. I thashë se kam dy videokaseta dhe i premtova se do t’ia dërgoja nëpërmjet mikut tonë të përbashkët. Kështu bëra dhe i nisa dy nga filmat shqiptarë ku kish luajtur edhe Sula: “Gjeneral Gramafoni” dhe “Ballë për ballë”. Miku im, kur m’i ktheu kasetat, më përcolli falënderimet dhe vlerësimet mjaft pozitive për filmat shqiptarë dhe Sulejmanin për aftësinë e tij “të mahnitshme profesionale”. Shvarcenegeri ndër të tjera i kish thënë mikut të tij shqiptar se: “Gjatë karrierës së tij të rrallë kish parë një film të huaj aq realist e të xhiruar e interpretuar aq bukur, një oficer rus të interpretuar aq bukur e me aq mjeshtri aktoreske”. Atij i kish pëlqyer sidomos mimika dhe impresioni që jepte Sula në atë rol. Madje, ndoshta për të na bërë qejfin, kish shprehur urimin që një ditë edhe ai të luante në një film me këtë ‘yll’ të kinematografisë shqiptare.
Sulejman Pitarka ishte edhe dramaturg. Keni ndonjë kujtim lidhur me këtë fushë të veprimtarisë së tij?
Sigurisht që kam, por më mirë për këtë veprimtari kanë folur e mund të flasin dramaturgët dhe kritikët e artit. Di vetëm se Sula ka qenë shumë prodhimtar në këtë fushë të veprimtarisë së tij, pavarësisht se ankohej se nuk kish patur kurrë kohën e duhur për të shkruar më shumë drama, komedi e libra. Sulejmani ka botuar dhe i janë vënë në skenë vetëm një numër i vogël nga dramat e komeditë, siç kanë qenë: “Familja e Peshkatarit”, “Trimi i mirë me shokë shumë”, të vëna në skenën e Teatrit Popullor, dhe drama “Heronjtë e Linasit”, vënë në skenë nga Teatri Amator i Kuçovës, në kohën kur Sula ishte dërguar atje dhe në Berat si qarkullim për të ndihmuar amatorët e atyre dy qyteteve. Drama e tij e parë “Familja e Peshkatarit” u vu në skenë nga Teatri Popullor dhe teatro të tjera profesionale të vendit. Ajo u botua në formatin e një libri, i cili u përkthye dhe u botua në disa gjuhë të huaja në vende të ndryshme. Teatri Nacional i Pekinit e vuri në skenë në atë kohë dhe ditët që u ndodh atje, Sulejmani në një vizitë të një delegacioni shqiptar, ai e ndoqi shfaqjen e dramës së tij në skenën e teatrit të Pekinit. Atë natë ajo shfaqej për të 200-ën herë. Salla shpërtheu nga duartrokitjet kur u njoftua se në sallë ndodhej autori i saj. Por shumë të tjera drama e komedi të shkruara nga Sulejmani, nuk e panë skenën apo dritën e botimit, sepse u shkruan në kohët e vështira të komunizmit, kur komisionet e ngritura nga komitetet e partisë në pushtet, me pjesëmarrjen e amatorëve të klasës punëtore, bënin kërdinë mbi to, dhe shumë vepra të shkrimtarëve, dramaturgëve e poetëve shqiptarë të talentuar. Në atë kohë Sula thoshte: “Unë veç një kokë kam, e s’mund të shkruaj 10 variante për 10 komisione!” Në vitet ‘70-të, Sula bëri një tentativë edhe për botimin e një romani satirik. E kish titulluar “Ilaç për tullacët”. Kish shumë vite që e shkruante. Me të fshikullonte barbarët dhe gjytyrymët pa shkollë, në krye të pushtetit vendor në Shqipërinë e mbretit Zog, pra në vitet ‘20-’30-të. Unë kam lexuar disa faqe të atij libri ose e kisha dëgjuar tek e deklamonte Sula kur e ndihmoja ndonjëherë t’ia daktilografoja disa pjesë të atij romani, derisa ai siguroi vetë një autorizim për të blerë një makinë shkrimi nga “Lidhja e Shkrimtareve”, ku bënte pjesë si anëtar shumë i vjetër. Komisioni nuk e miratoi për botim. Një ndër ‘argumentet’ dhe ‘arsyet’ kryesore ishte: “I mungon personazhi pozitiv, njeriu i klasës punëtore e fshatare të asaj kohe!” E Sula i varfër u thoshte: “Po ç’ka ishte pozitive në regjimin e asaj kohe?!” I thanë ta ripunonte, por Sula nuk e kish ‘ripunuar’ asnjë vepër të tij dhe nuk ia hyri më asaj pune. Ia nisi punës ta ripunojë për botim vetëm në vitet ‘90-të, pas fitores së demokracisë dhe ardhjes në pushtet të qeverisë së Partisë Demokratike, por romanin ia dogji politika, rehabilitimi dhe ngritja lart e mbretit Zog dhe e ish-regjimit të tij, ardhja në Shqipëri e të birit të tij, Lekës së Parë dhe familjes së tij pretenduese të fronit dhe pronave të tij. Ky ishte edhe pengu i fundit i jetës së Sulejmanit, të botonte qoftë edhe një nga librat që kish shkruar e mbajtur si ëndërr në sirtar.
Sa u nderua një aktori si Sulejman Pitarka pas vdekjes?
Për kujtimin e Sulejman Pitarkës, Bashkia e Tiranës gjeti një rrugickë 50-100 metra të gjatë në një qoshe të kryeqytetit, kur qyteti i tij i lindjes, Dibra e Madhe, e shpalli me një ceremoni madhështore “Qytetar Nderi”! Në atë ditë, pllakën e “Qytetarit të Nderit” të Dibrës, autoritetet vendase ia dorëzuan mikut të Sulës, aktorit të famshëm Kadri Roshi. Ja sa pak e vlerësojnë autoritet shqiptare plejadën e madhe të artistëve shqiptarë, për të cilët kujtohen vetëm që të jenë të pranishëm në funeralet e tyre për të pozuar si “artdashës të mëdhenj” para kamerave të televizioneve tona.


Botuar në gazetën SHEKULLI më 03. 02. 2014


Monday, October 23, 2017

Gjovalin Paci: Familja ime erdhi nga Firence, pasi u shpërbë nga Mediçët

Piktori  rrëfen historinë e rrallë të familjes. Vrasja që përndoqi familjen Pacaj nga Italia në Shqipëri. Mbijetesa e pinjollëve të derës së madhe fiorentinase që u shqiptarizuan në Razëm të Shkodrës

Leonard Veizi

Ata morën rrugën për të ikur larg, shumë larg, aty ku shpata s’i arrinte dot, por as plumbi s’mund t’i gjente. Armiqtë ishin aty pranë. Nuk mbanin xhubletë e as kësulë mbi kokë, madje nuk ishin as malësorë të krisur, por pinjollë të një prej dyerve më të mëdha të veriut italian. Pacët gjendeshin në gjak me Mediçët. Historia, në plan të parë kaq e madhe, ishte shndërruar në një hakmarrje mesjetare. Ishin vitet 1700 dhe Evropa ende nuk kishte kufij. Në Apenine e Iberik latinët vazhdonin të ishin zot në tokat e tyre, por Ballkani sundohej nga jeniçerët e Portës së Lartë. E megjithatë Shqipëria dukej një vend ideal nga ku mund t’i shpëtoje çdo lloj represioni...

...Edhe pse kanë thuajse 300 vjet që janë shkëputur nga rrënjët e Firences, gjurmët e të parëve i ndjekin edhe sot. Është ajo pemë gjenealogjike që ka përvijuar në dejet e të gjithë brezave të familjes Paci, përmes gjakut që vlonte nga sakrificat, vështirësitë dhe shpërfilljen për shkak të historisë që mbarte vetë trungu. Janë copëza jete të cilat s’mund të harrohen lehtë. Përkundrazi, pinjollët e kësaj familje të madhe janë përndjekur për shkak të vijës së origjinës së paraardhësve të tyre, aq sa dhe sot duket se fati i tyre ka qenë shkruar i tillë. Ndërkohë  piktori i njohur shqiptar, Gjovalin Paci, jo më i fundit i derës “Pacaj” rrëfen historinë e rrallë të të parëve të tij:
Si trajtohej një familje me origjinë italiane në Shqipëri?
Unë them se jam me fat që kam lindur në Razëm, në zonën e Shkrelit. Familja ime ka qenë në gjendje mjaft të mirë ekonomike për kohën. Por fati që duhej të shpërnguleshin nga Firence, në Shkodër e më pas në Razëm, ka bërë që të ndihej shumë ndryshimi. Më ka shqetësuar origjina në atë pikë kur paragjykoheshim se ishim borgjezë. Për atë që na shihnin na trajtonin si të huaj.
Në çfarë kushtesh të parët e tu erdhën nga Firence në Shkodër?
Historia është e gjatë, e duket e pabesueshme, por ajo ka ndodhur. Mbiemri ynë origjinal është Pacaj, që në italish merr kuptimin “të marrët”. Pacajt ishin familje e madhe në mesjetën fiorentinase, ishin bankierë. Por kishte një rivalitet me familjen akoma më të madhe, Mediçët. Kjo u shfrytëzua nga papati dhe Pacajt bënë një vrasje nën bekimi e Papës. U vra i madhi i Mediçëve. Por mëkati më i madh është se vrasja u bë në ambientet e një kishe. Mediçët u organizuan dhe iu kundërvunë Pacëve, i vranë e i përndoqën, aq sa meshkujt e pakët që mbetën nga familja morën rrugën e mërgimit. Për rreth 50-60 vjet nuk dihej vendndodhja e tyre. Por diku mes viteve 1720-1730 nëpërmjet rrugëve që kontrollonte Venediku ata u futën si tregtarë në Shkodër. Në Razmën e atëhershme me 5-6 mijë banore e kishën e Shën Premtes që ishte ndërtuar rreth vitit 1200, Pacajt blenë truall në pjesën e pabanuar të vendit. Ishin të huaj, por thuhej se kishin sjellë shumë pasuri me vete. Ndërtuan një shtëpi me gurë e dërrasa, me një teknologji të lartë që ekziston dhe sot. Në derën kryesore vendosën një gur që e kishin sjellë nga Firence. Ai gur, që tregon origjinën e tyre ka të gdhendur me daltë një kryq, të vendosur horizontalisht dhe koka e kryqit është e drejtuar nga perëndimi.
Si do të shkonte filli i Pacajve të mbijetuar në Shqipëri?
Pak kohë më pas ata janë dekonspiruar dhe Mediçët që ishin vigjilent dërguan mercenarë. Pacajt u zunë në pusi. U qëllua mbi shtatë meshkujt e mbetur gjallë nga familja. U vranë 6 prej tyre por për fat i fundit mbijetoi i plagosur. Në kushtet reja ai u kthyet të bëjë jetën e një shqiptari dhe u martua me një shqiptare. Mbiemri ynë u transformua në Paci dhe pasardhësit u pagëzuan me emra katolik por të shqiptarizuar. Në Razëm një lagje ende quhet “Gil Pacaj”. Them se vrasja e bërë në një institucion si kisha mori nga pas dhe mallkimin e vetë institucionit. Pacajt e kanë vuajtur një gjë të tillë për breza me radhë. Të paktën për 250 vjet vetëm një nga Pacët meshkuj jetonte. Tjetri, më i vjetri, vdiste nga shkaqe të ndryshme. Vonë Pacajt filluan të shumohen.
A keni objekte të familjes?
Tanimë kanë mbetur shumë pak. Më duhet të them se lugët e floririt kanë shkuar “për skrap” kur burrat e familjes u martuan dhe u ndanë. Por edhe stema e familjes ka qenë deri vonë, unë e mbaj mend. Por më themelorja është guri me kryqin e gdhendur që ndodhet në derën e shtëpisë.

Si mësoi të bënte art
Në terrenin e vështirë të Razmës, që sot është një nga pikat e bukura turistike, prindërit e tij ia edukuan në një mënyrë tjetër, ata i mësuan artin që një fëmijë mund të krijonte prej gurit, drurit, baltës dhe thëngjillit. “Vij prej një vendi që është shumë i bukur, ku kam kaluar një pjesë të jetës. Atje kushdo që të shkojë, e që merret me art, ka se çfarë të krijojë. Në Razëm kam përjetuar të gjitha gojëdhënat, fantazitë, peripecitë e familjes. Jam ngarkuar me ato pjesë negative dhe pozitive që më vonë kanë ndikuar për mirë tek unë. Kam pasur një gjyshe që vdiq shumë e vjetër dhe ajo tregonte histori nga më të çuditshmet për familjen, njerëzit, për vendin ku jetonim, për kuçedra, përbindësha, gjarpërinj me dy koka. Kjo tek unë ka ndikuar edhe në pikturë, tek jeta apo vazhdimësia e formimit tim personal. Këto detaje janë përfshirë në pikturat e mia, herë si simbol, herë si elemente përbërës. Janë ato simbole që i kam dëgjuar, i kam perceptuar dhe vazhdoj t’i perceptoj. Vetë piktura ka një strukturë të tillë ku gjendet mes tokës dhe qiellit. Formohen tre dimensione iluzive. Nuk ekziston figura as në tokë dhe as në qiell por diku mes të dyjave. Është imagjinata që ka mbetur brenda meje si strukturë e pandërtuar. Ajo qëndron e ftohtë në një zonë ku është e vështirë ta prekësh”.

Ëndrra në telajo/ “Nënë Tereza më bekoi dorën e djathtë”
Ai i dha dorën, ta ndihmonte sadopak në humbellën e improvizuar prej kujtesës haluçinante… dhe ajo e bekoi. Një realitet iluzionist apo ëndërr e vërtetë, kjo tashmë nuk ka aspak rëndësi. Sepse qoftw në realitetin pa masë të gëzuar apo dhe atë fare të trishtë, dora e tij mbeti e bekuar prej saj… Ky është një nga detajet e rralla që piktori shqiptar, ndër më të njohurit dhe përtej kufijve të Shqipërisë, ndan me lexuesit. Një seri portretesh të humanistes së madhe shqiptare, kanë mbetur në telajo, si pasojë e një çasti shumë solemn. Ndërsa me rastin e 100 -vjetorit të Nënë Terezës, dhe të përvjetorit të lumturimit të saj në ambientet e Parlamentit Austriak, për herë të parë në historinë e këtij institucioni u çel një ekspozitë pikture nga Gjovalin Paci me portrete të humanistes shqiptare. Por cili ka qenë motivimi apo çasti inspirues që piktori Paci të merrte penelin për të hedhur në telajo dhjetëra portrete të Nënë Terezës. Ai e shpjegon kështu një fakt të tillë: “Nënë Terezën e kam parë një ëndërr. Mund të duket disi qesharake, por kjo është e vërtetë. Ëndrra ishte e tillë: M’u duk sikur Nënë Tereza ishte e varrosur dhe më thotë: Më jep dorën. Dhe unë i jap dorën e djathtë. Atëherë ajo më flet sërish: E ke të bekuar këtë dorë. Kjo ishte një ëndërr që nuk do më shuhet asnjëherë nga kujtesa. Pastaj kisha dhe mbresa të jashtëzakonshme nga vizita e saj kur erdhi në Shkodër. Atëherë pash një grua të imët, me një veshje të bardhë e shirita të kaltër, që nuk ecte, por fluturonte. Çudia ishte kaq e madhe sa thosha me vete: Ku qëndron forca e këtij njeriu? Ajo ishte një grua në moshë, jo më e bukur, por ishte si një engjëll. Ajo ishte vërtet një nënë, me duar me rrudha, me fraktura. Por ajo që më bënte përshtypje ishte se ajo dukej sikur nuk takonte me tokën kur ecte. Pastaj kam lexuar shumë libra mbi jetën e saj dhe korrespodencën, por kam studiuar karakterin dhe nëpërmjet shumë fotografive. Ky është i gjithë inspirimi. Më pas krijova një seri portretesh të saj që mbajnë firmën time”.

Në Galerinë e KE-së, Bruksel
Gjovalin Paci sjell krijime në të gjitha gjinitë e pikturës, kompozim e portretit, por edhe në disa lloj teknikash si akrilik, vaj, tempra, guashe dhe teknika të tjera grafike, bardh e zi. Paci është i pari dhe i vetmi piktor shqiptar, që ka arritur të ekspozoje veprat e tij në Galerinë e Komisionit Evropian në Bruksel, ku është prezantuar me punime të realizuara me teknikën e akrilikut të pjekur. Gjithashtu ai është ndalur në disa kryeqytete evropiane, mes te cilave edhe ne Frankfurt duke ekspozuar në galerinë gjermane, "Arti në shtëpinë blu".

Cikli i Skënderbeut
“Skënderbeu  kalorësi i lirisë dhe simbol i bashkimit”. Kështu e titulloi  ekspozitën e tij në 100 vjetorin e Pavarësisë Gjovalin Paci, çelur në Muzeun Historik Kombëtar. Piktori prezantoi 100 portrete kompozim frymëzuar nga prijësi i shqiptarëve Skënderbeu. Paci në punimet e tij nëpërmjet ndërthurjes së simbolit të Skënderbeut solli figurat më përfaqësuese të kombit shqiptar në rrugëtimin e tij.


Publikuar në gazetën SHEKULLI më 04. 02. 2014 


Saturday, October 21, 2017

Ilir Mati: Plazhi i Durrësit, kur gëlonte nga turistët gjermanë, çekë e polakë

Universiteti i Tiranës, 1972, ndeshjet e tenisit mes studentëve të Fakultetit te Inxhinierisë. Në të majtë Ylli Naçi, në të djathtë Ilir Mati
Gazetari i njohur tregon për rininë sportive në Tiranën e viteve ‘70: Si mësuam të luajmë tenis e të bënim ski. Fusha sportive ku luanin Maks Velo e Isuf Vrioni


nga Leonard Veizi

Tirana e viteve ’70 ndryshonte po aq sa nuk ndryshonte nga pjesa tjetër e botës lindore. Kufizime kishte pa masë, por mundësitë për t’i shpëtuar censurës ishin sofistikuar deri në art. Ato që pas vitit 1973 u cilësuan si shfaqe të huaja dhe u ndaluan në përdorim, ishin krejt të prekshme. Ilir Mati, gazetar me përvojë, sportist që nuk di të ndalojë në “vrapin” e tij dhe duhet thënë gjithsesi se është djali i një prej drejtuesve më të lartë të ushtrisë shqiptare, kundëradmiralit legjendë Abdi Matit, rrëfen se si jetohej në kryeqytetin shqiptar në mesin e viteve kur ushtrohej “diktatura e proletariatit”.
Në rrjetet sociale keni bërë publike një seri fotografish që flasin shumë për Tiranën e viteve ’70. Çfarë doni të thoni me to?
Botimi i atyre fotografive ka një qëllim, të tregoj se jeta është e bukur kurdoherë. “Jeta është e bukur kurdoherë”, dëshmon kineasti italian Begnini në filmin e tij “La vita e Bella”, jetën në kushtet e kampeve shfarosëse naziste! Ajo që tregoj edhe unë në shkrimet e mia, si për shembull te novela “Turma” dhe novela “Periskopi”, është se jeta është gjithmonë e bukur edhe në kushtet e vështira të diktaturës së proletariatit. Ka që me shembjen e Murit të Berlinit që letërsia dhe artet i janë kushtuar atij tmerri që diktatura e proletariatit i bëri njeriut në vendet e Europës Lindore, por ka shumë pak punë letrare dhe artistike në lidhje me atë se si njeriu i përballoi ato kushte të vështira. Ne lindëm nga prindër që dolën fitimtarë nga Lufta e Dytë Botërore, por që për shkaqe gjeopolitikës që nuk vareshin nga ata, u ndodhën në mes të luftës së quajtur të “Lufta e Ftohtë”. Luftë e cila për ta nuk ishte aspak e tillë. Prindërit tanë dhe mësuesit e mençur më shkollë na edukuan, pra na rritën, na mësuan e formuan për të përballuar kushtet e tmerrshme të diktaturës së proletariatit. Ata na vunë në bazë të edukimit dashurinë për njeri-tjetrin në familje, në shkollë dhe në shoqëri. Ky edukim (në të vërtetë opozita e vetme qeverisëse e kohës), shkonte krahas edukimit zyrtar: punë-mësim-kalitje, në të cilin vlerë kryesore merrte dashuria dogmatike, ku mbizotëronte dashuria për partinë.
Ndërkohë kishte dhe një edukim tjetër që cilësohej: edukimi fizik...?
Në fakt, një nga komponentët e rëndësishëm të edukimit tonë (pra të rritjes, arsimimit dhe formimit) ishte edukimi fizik. Mësuesit, trajnerët dhe instruktorët e edukimit fizik në shkolla, në qendra sportive dhe Shtëpi Pionieri, ishin jo vetëm mësuesit tanë por edhe shembulli i njerëzve me karakter të fortë. Në edukimin tim fizik kam kontributin e figurave të shquara të edukimit sportiv shqiptar: Avni Zajmi i Pallatit të Pionierëve, Tiranë: në eskursionizëm dhe çiklizëm, Luigj Shala gjithashtu në Pallatin e Pionierëve, për alpinizëm, Thoma Papa i ekipit të Flamurtarit për not, Petrit Caslli i ekipit të Partizanit në not dhe vaterpolo, Adem Karapici i gjimnazi Qemal Stafa në Tiranë, Petrit Qendro po ashtu i të njëjtit gjimnaz, Napolon Tare dhe Agim Tabaku në Universitetin e Tiranës, mjeshtër Nallbani në tenis, Sokol Morina në kayak, Koço Ziso nga Flota Luftarake Detare, në varkë me vela, Ramadani e Kiu të Shkollës së Marinës në Vlorë për kanotazh. Edukimin tonë fizik mësuesit tanë e mbështetën në parimet e olimpizmit. Në vitin 1983 regjistruam Shoqata Sporti për të Gjithë, me kryetar prof. Sokol Saliu. Shoqata e dytë e regjistruar, mbas regjistrimit të shoqatës tjetër jo qeveritare: Shoqata e Balonave, me kryetar piktorin Zamir Mati. Shumë prej nesh, mbushën radhët e ekipeve sportive të Republikës, por asnjëherë nuk u shkëputën nga aktivitetet në rrugica, në lagje a në ndërmarrjet a institucionet ku punonin. Si të tillë po përmend: Agim Fagu, Gut Tafaj, Ilirjan Kreshpa, Pavllo Kici.
Tenisi ishte sport i kufizuar në Shqipërinë e para viteve ‘90. Si organizohej ai nga të rinjtë e kryeqytetit?
Tenis në Shqipëri është luajtur që në vitet 30. Kampion i fundit i kampionateve të tenisit ishte Këlliçi. Ne mësuam tenis në Pallatin e Pionierëve me zotni Nallbanin, i cili kishte luajtur tenis para lufte në Itali. Raketat i blinim në dyqan të sportit dhe i rregullonim te mjeshtër Nallbani. Në Tiranë në vitin 1970 kishte fushë tenisi në Pallatin e Pionierëve, në Pallatin e Brigadave (ku luanin autoritetet shtetërore, se ua kishte rekomanduar mjeku), në Klubin Studenti (ku është sot Pallati i Kongreseve) dhe te Shallvaret (fusha nën kujdesin e Komitetit Ekzekutiv të Tiranës). Ne loznim gjithë ditën te Shallvaret, pasi na i kishte dhënë atë mjedis Sokol Morina, aso kohe shef i kulturës fizike në Komitetin Ekzekutiv të rrethit, me kusht ta mirëmbanim e t’i bënim të gjitha punët vetë. Aty u afruan edhe më të mëdhenj se ne, piktori Qamil Prizreni, arkitekti Maks Velo, përkthyesi Isuf Vrioni. Unë e kam frekuentuar atë mjedis deri në vitin 1973, pastaj fillova punë në Vlorë, ku me Herman Shërnzer (arkitekt) ndërtuam një fushë dhe filluam të luanim atje. Në Tiranë futa në vallen e tenisit mjeshtrin e pingpongut e të volejbollit, shokun tim të shkollës së mesme ing. Perlat Voshtinën. Perlati ishte talent në të gjitha, më mundte në pingpong me të majtën pa qenë sallaks. Filloj nga ‘zero’ tenisin dhe sërish më mundi!
Ilir Mati, detar në FLD me roba pune, shtator 1968
Të rinj nga Tirana ushtroheshin me patina të bëra vetë, në sportin e hokeit. A keni ju një përvojë të tillë?
Kishte një rreth në Pallatin e Pionierëve, i cili u mbyll, por pasioni nuk u shua. Bënim patina me kushineta ashtu si shokë tanë të tjerë bënin karroca me kushineta. Pastaj erdhën ca patina nga Republika Demokratike Gjermane e mblidhnim lekë për t’i blerë. Pastaj sajonim e sajonim. Djemtë e patinave e kishin vendin te Universiteti, aty ku sot ja u kanë zënë me një restorant të tipit “ushqim i shpejtë”. Ndeshjet e hokit ngjallnin interes, mblidhnin shikues njësoj si ndeshjet e futbollit të dielave te fusha e Pallatit të Pionierëve.
Në muajt e verës plazhi i Durrësit popullohej nga banorët e kryeqytetit. Si e kujtoni atë kohë?
Plazhin e Durrësit e mbaj mend që nga fundi i viteve 50, kur arkitekt Gani Strazimiri ftoi mikun e vet, tim atë të kalonin pushimet në hotel turizmin që ai kishte projektuar. Ai hotel u ngjante gjithë hoteleve të kohës në Rimini. Ashtu si në Rimini shkonin e pushonin punëtorë gjerman të Wolksvagenit, edhe në Durrës pushonin punëtorë të Lindjes. Aty ishte plazhi i gjermanëve, çekëve, polakëve, etj. Por pas viteve ‘60 plazhin e frekuentonin vetëm punëtorë e nëpunës shqiptarë si edhe grupe marksiste-leniniste që bëni pushime gati ‘gratis’. Në vitet ‘70 ne u interesuam dhe hapëm Kampin e Studentëve të Universitetit të Tiranës te segmenti i quajtur “Apollonia”. Ishte sukses e shkuar suksesit. Sa kam qenë student i kam kaluar pushimet aty. Tre turne, u blija fletët e kampit shokëve të mi të rretheve që shkonin e kalonin pushimet në shtëpi. Në plazhin e Durrësit jemi dëshmitar të ndryshimeve të kostumeve të banjës të femrave pasi gjithë vitin rrinim e mendonim për bërjen e atyre kostumeve, ne dhe femrat. Kështu nga kostumet bashkë, te ato të ndara dhe në fund të viteve 80 edhe bikini.


Ilir Mati,1972, Dajt

“Kërcenim në dëborë me altoparlantët e paradave”
Në periudhën e dimrit amatorët e skive detyroheshin të iknin larg kryeqytetit pasi as mali i Dajtit nuk kishte një pistë të mirëfilltë. I pyetur rreth ushtrimit të këtij sporti Ilir Mati thotë: “Skitë! Eh... pasion i tim eti. I kishte mësuar ato në shkollat ushtarake të Italisë. Po ashtu mjeshtri Belul Hatibi drejtonte kursin e përvitshëm të skive të Institutit të Fizkulturës. Në kampionatin e skive merrnin pjesë fshatarë nga zonat malore me borë kryesisht Kuksi e Korça. Ne ishim studentë. Klubi Sportiv Studenti bëri një mbledhje mësimore dimërore në Voskopojë ku ne vajtëm dhe mësuam të rrëshqasim. Pastaj nuk ju ndamë kurrë. Deri në vitin 1989 shkuam vit për vit në Dardhë. Të parët shkuan në dardhë Kujtim Kita e Shkëlqim Mema, pastaj shkuam ne një grup prej 14 vetësh dhe më vonë kampi veror i Dardhës u bën edhe kamp Dimëror, hapej dy dhe tre turne për skiatorë. Grupi ynë amator i skive, u drejtua gjithmonë nga trajneri i talentuar i Studentit Sulejman Poda. Dardha ishte për ne i vetmi vend në Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë ku nuk kishte polic për të na ndaluar të këndonim e të kërcenim si të na i kishte qejfi. Aty Hysen Sala, teknik i RTVSH, vendoste dy altoparlantë nga 200 vat nga ata që viheshin për paradat ushtarake, dhe na vinte muzikën që dëshironim, e cila shpesh quhej dekadente! Në Dardhë, i bëmë miq fshatarët nga se fshati i tyre gjallërohej e kish punë edhe në dimër. Aty unë njoha xha Kiço Racin, ish prift i fshatit, por që ishte bërë meteorolog. Kujdesej për stacionin meteorologjik të fshatit. Tek ai lexova atë kohë gjuhën e bukur të Kristoforidhit, te përkthimi që Kristoforidhi i kishte bërë Dhiatës së Re”.


Të informoheshe njëlloj me botën
“Përveç blerjes së librave dhe marrjes së tyre në biblioteka, një fat në rininë time shkollore dhe studentore ishte prania në shtëpinë time e një gramafoni me një koleksion të pasur pllakash, e një magnetofoni “Sony” dhe e një televizori “Philips” bardh e zi. Gramafoni me koleksionin e pllakave ishte koleksion i prindërve, ata e pasuronin vazhdimisht koleksionin e tyre. Kishin muzike klasike dhe muzikë vallëzimi, përgjithësisht latino-amerikane. Një nga disqet e bukur ishte kënga “Zëri i Shtatë” kënduar nga amerikani Pol Robson, pastaj pjesë për klarinetë luajtur nga Beni Gudman, këngë të Mahalia Jacson, këngë të Edith Piaf, kënga e famshme e Olimpiadës së Romës "Arivederci Roma"- Renato Rachel. Magnetofoni ishte në shtëpi që prej vitit 1961. Kur nuk ishte e mundur më të blinim disqe filluam të incizojmë këngët që na pëlqenin nga RAI dhe Radio Luksenburg. Veçanërisht incizonim nga dy emisione Bandiera Giala dhe Hit Pareid. Njihnim të gjitha këngët e “Beatles” dhe “Rolling Stoens” dhe ishim në kontakt me gjithë muzikën që pëlqente rinia në Europën dhe Amerikën e asaj kohe. Ndërsa televizori erdhi në vitin 1964. Në Tiranë kishte pak televizorë. Radio Televizioni Shqiptar ende ishte eksperimental, ndërsa i pranishëm ishte sinjali i televizionit italian RAI, i ritransmetuar. Pra i kapur dhe përsëritur për ata pak televizorë në shtëpitë e autoriteteve që jetonin në rezidencën e tyre qeveritare, te Blloku. Ne jetonim në rrugën e Durrësit, por edhe aty sinjali i ritransmetuar vinte mirë. Emisioni i preferuar ishte filmi i të hënës. Në atë rubrikë kemi parë filma të famshëm të historisë së kinematografisë. Po ashtu emisioni variete i të shtunës. Komikët italianë, kartonat si edhe emisionin "Non e mai tropo tardi" emision për mësimin e gjuhës italiane që RAI e transmetonte për zhdukjen e analfabetizmit në Itali. Shtëpia ime nuk ishte shumë e madhe, por dhoma ku ishte televizori u kthye në sallë kinemaje. Merreni me mend në një dhomë 5x4m kemi parë si në një kuti sardeleje Kampionatin Botëror të Futbollit të vitit 1966. Radio e televizioni italian ishin burime që shkonin ndesh me informimin zyrtar. Ato u bënë burimi kryesore duke e lënë mënjanë informimin dogmatik të radio televizionit zyrtar shqiptar. Tek rubrikat sportive të RAI-t ne gjenim veten. Ndiqnim kampionatet e disiplinave të ndryshme të Italisë. Njihnim çdo gjë! Diskutonim për gjithçka. Përgjithësisht në jetën tonë kishim vënë re se ne me pantallona doku e me këmisha me mëngë të përveshura diskutonim për sportin, letërsinë muzikën, kurse shokë tanë të veshur me xhaketa e me kravata diskutonin për politikën e kuadrit”.

Flokët dhe basetat
Ilir Mati thotë se historia e flokëve të gjatë dhe pantallonave kauboj apo  “thundër elefanti”, është sa e bukur aq dhe e trishtueshme në regjimin socialist. “Na pëlqente t’i mbanim flokët dhe basetat e gjata aq sa të mos ngjallnim zemërimin e këshillit të lagjes, komiteteve të rinisë e veçanërisht të shuanim frikën e prindërve tanë. Vajzat i mbanin kalipso, alla BB (Brigite Bardot), etj. Por në Universitet, vinin edhe fotografi me profil të ndonjë shokut tonë për të na treguar si duhej të qetheshim. Nuk shkonim as te berberët, se edhe ata kishin urdhër te na qethin sipas rregullores. Qetheshim vetë”.

Policia me shkopa gome
Rinia gjithsesi duhej mbajtur nën presion, përndryshe... “Për herë të parë Policia Popullore nxori shkopat e gomës në Tiranë në festën e vitit të ri 1972. Bëhej një mbrëmje në Pallatin e Kulturës ku të rinjtë kërcyen valle të cilësuara në kundërshtim me moralin komunist. Ishin valle të cilat ne i kërcenim nëpër ditëlindje në shtëpitë tona, dhe ku për herë të parë u sulmuan sipas tyre “të degjeneruarit qafëleshë”. Kam bërë ç’është e mundur t’i shpëtoja atyre shkopave të gomës si edhe kapjes dhe ngarkimit në kamionët e policisë. Shokët të mi provuan si shkopat mbi kurriz e kërcinj ashtu edhe shoqërimin në komisariat apo lënien në rrugë disa km larg Tiranës që të vinin në këmbë”, rrëfen Ilir Mati.

Mbijetesa
“Me këtë intervistë unë dua të tregoj se jeta është e gjithmonë e bukur, madje edhe nën diktaturën e tmerrshme të proletariatit. Kjo nuk do të thotë se ne nuk kishim sy, veshë e zemër për të kuptuar se çfarë ndodhte rreth nesh, për të ndjerë ato dhembje të shkaktuara nga nxitja artificiale e luftë së klasave, veçanërisht ndaj familjeve dhe shokëve tanë, fëmijë të personave të dënuar nga pushteti i Diktaturës së Proletariatit. Ne nuk e pranonim misterin e teatrit grek që fëmijët të vuanin bëmat e prindërve apo anasjelltas. Sa më shumë na vinin të studionim marksizëm-leninizmin, aq më tepër e kuptonim fundin e asaj filozofie sipas thënies së Leninit se do të fitoj ai sistem shoqëror që do të dëshmojë rendiment shoqëror më të madh. Dhe ne e kuptonim se në të gjitha fushat e veprimtarisë shoqërore, rendimenti shoqëror i shoqërisë ku jetonim ishte shumë më i ulët se në perëndim, të pranishëm tek ne nëpërmjet RAI-t. Gjithsesi, ne ja dolëm. Po të më pyesni se çfarë bëra nën diktaturë, do t’iu përgjigjem me një shprehje të JP Sarter: Mbijetova. Po të më pyesni se ç’bëj tani, do t’u përgjigjem: Vë re se si fëmijët e mi dhe të shokëve të mi, edukojnë fëmijët e tyre me dashurinë për njeri-tjetrin në familje, shkollë e shoqëri e sigurisht edhe atë pjesë te rritjes që ka të bëj me edukimin fizik në natyrën dhe kulturën e Shqipërisë”.


 Publikuar në gazetën SHEKULLI më 10. 02. 2014

Monday, October 16, 2017

Mihal Luarasi: Pas Festivalit të 11-të, 7 vjet në burgun e Ballshit

Dhjetori i vitit 1972, situata ku u zhvillua Festivali 11 në Radio Televizion. Udhëheqësi shkon me pushime në Vlorë. Ramiz Alia “harron” të kontrollojë evenimentin e fundvitit. Biseda kofidenciale me Piro Kondin: “Po përgatitet një goditje e madhe në kulturë dhe art”. Qëndrimi i Nefo Myftarit e Todi Lubonjës


nga Leonard Veizi

-Shileri erdhi në skenën shqiptare me më të famshmen dramë të tij. Ishte viti 1957 dhe regjisori i sapo diplomuar në Hungari kishte marrë mbi vete eksperimentin më të madh të jetës së tij artistike, t’i tregonte platesë me spektatorë veshëngritur një “Intrigë e Dashuri” të padëgjuar më parë. Suksesi i pritur, apo i papritur nëse ka qenë i tillë, nuk vuri më dyshim planet e tij për të ardhmen. Ai ishte ylli i ri i regjisurës shqiptare…

…Pesëmbëdhjetë vite më pas situata do të ishte krejt e ndryshme. Viti 1972 do të karakterizohej nga “lulëzimi i shfaqjeve të huaja”. Nga frekuenca aktive e Radio-Tiranës dëgjohej muzikë “Country&Rock”. Vetë muzika shqiptare po tentonte të ishte sa më pranë modelit perëndimor. Nga Lindja e Largme, veç armatimit, nuk na vinte ndonjë gjë tjetër për t’u pasur zili, në mos po eksporti solli “dacibaot” dhe një implementim alla shqiptar të Revolucionit Kulturor. E në këto ditë festive, të një fryme të skajshme liberale, Festivali 11 do të kulmonte me muzikë të hareshme e klithma melodrame më pas. Mihal Luarasi, regjisori nga më të njohurit të skenës shqiptare, rrëfen për “Shekulli”- n gjithçka ndodhi në ditët e pasura për krijimin e një festivali modernist, gjë që shkaktoi për të dhe familjen e tij një dramë, rikuperimin e së cilës e ka bërë vetëm elementi kohë:

A ishte një atmosferë liberale në fillim të fiteve ’70?
Mendohej që ishte e tillë, por nuk është e vërtetë që kishte një frymë liberale. Vërtet pati një bisedë mes Enver Hoxhës dhe Agim Meros që ishte sekretari i Parë i KQ të Rinisë, për të futur një frymë të re, por nuk u bë asgjë nga ato që u tha atje. Mirëpo kjo gënjeu shumë njerëz.
Ndërkohë ajo që u cilësua si pika kulmore ishte Festivali i 11 në RTSH?
Në fakt Festivali 11 nuk ra nga qielli. Pra nuk ishte një befasi. Por kujtohet mirë edhe sot për faktin se ai u godit. Duhet të rikujtoj se po unë isha regjisor edhe i festivalit të 10 në RTSH. Edhe ai, po të flasim me gjuhën e kohës, ishte po aq modernist apo revizionist sa dhe pasardhësi.
Përse Festivali 10 i shpëtoi goditjes?
Sepse nuk i kishte ardhur koha. Por mund të kujtoj një fakt. Në një takim informal, apo miqësor, me Manush Myftiun, që ishte dhe Sekretari i Parë i Tiranës, duke iu referuar Festivalit të 10 ai më tha: “Isha për një udhëtim jashtë shtetit. Si gjithmonë radion time portative e mora me vete, sepse dëgjoj gjithmonë “Radio Tiranën”. Kur u ktheva dhe zbrita në aeroport e ndeza radion. Për çudi dëgjoj muzikë moderniste. Mendova mos pa dashje kisha ndërruar frekuencën. Por jo, ishte festivali juaj”. Pra dua të them që edhe Festivali 10 ishte po as modernist sa dhe i 11-ti.
Cili ishte roli i drejtuesve të RTVSH-së në atë kohë?
Todi Lubonja nuk kishte shumë muaj që kishte ardhur si drejtor. Nefo Myftiu kishte bërë një ndryshim të madh në radio, si drejtoreshe e saj. Në atë periudhë transmetohej edhe muzikë perëndimore, por me kufi. Të dy këta drejtues ishin njerëz me shumë kulturë. Atmosfera para festivalit ishte e lirshme. Ai që ndiqte më nga afër provat ishte Todi Lubonja. Nuk bënte shtrëngime për tekstet, as për muzikën, skenografinë e kostumografin. Ai i shihte të gjitha lëvizjet e mia në skenë por nuk më bënte vërejtje. Drejtues artistik ishte Nikolla Zoraqi.
Ju dolën probleme të ndonjë karakteri tjetër gjatë provave?
I vetmi problem që kishin në atë kohë ishte se ku do t’i gjenim copat për të qepur veshjet që kishim planifikuar. Në një nga këto ditë Nefo Myftari më jep një ide që kishte të bënte me një ekspozitë që bëhej atje ku më pas u emërtua “Shqipëria sot” ku kinezët kishin ekspozuar mallra të ndryshme e sidomos copa shumë të mira. Ekspozita kishte përfunduar dhe kinezët i kishin lënë të gjitha mallrat në Shqipëri. Aty gjetëm copat që dëshironim. Kështu u gjet zgjidhja.
Ndërkohë ky Festival pati dhe risi?
Ajo që ndryshova ishte prezantimi. I vura në lëvizje dy prezantuesit, Edi Luarasin dhe Bujar Kapexhiun. Madje bashkë me Bujarin shkruam skenarin ku prezantuesit dialogonin me këngëtarët. Nuk doja që të kishim thjesht një anonçim të këngëve siç ishte bërë deri në atë kohë. Edhe juria përbënte risi, sepse u bënë lidhje drejtpërdrejt me rrethet.
Ndërkohë ende nuk keni marrë asnjë vërejtje…?
Çështë e vërteta edhe ne na bëri përshtypje ky liberalizëm. Mes nesh thoshim: “Këtu do të ketë ndonjë gjë që s’po na bën askush një vërejtje” Madje edhe heqja nga Drejtor i Përgjithshëm i Thanas Nanos që njihej si konservator, ishte një problem më vete që na bënte të dyshonim. Pra ne të gjithë mendonim se, gjithsesi, liria që na u dhurua ishte e tepërt.
Ramiz Alia i pa provat gjenerale?
As Ramiz Alia dhe askush tjetër nga Byroja Politike nuk erdhën të shihnin provat e Festivalit. Nëse do të kishte ardhur Ramizi, me siguri do të kishte bërë vërejtje. Mendoj se do ta shtynte nja dy ditë festivalin por do të rregullonim diçka që kishte lidhje me kostumet e skenografinë. Por asnjëri nga të mëdhenjtë nuk u duk në provën gjenerale. Rmizi erdhi vetëm në Festival dhe në përfundim të tij tha këto fjalë të cilat Todi Lubonja i ka shkruar në librin e tij me kujtime: “Mos ndoshta këngët e këtij festivali janë si bonbone me sheqer që kanë brenda helm?”. Por ai e mbylli me kaq, nuk bëri më vërejtje të tjera.
Po Enver Hoxha…?
Ato ditë Enver Hoxha ndodhej familjarisht me pushime në Vlorë. Vetë Sulo Gradeci, shefi i sigurimit të Sekretarit të Parë, shkruan në kujtimet e tij se Enveri do të informohej nga vajza e tij Pranvera, që do t’i thoshte: “Eja të shikosh se capo bëhet në Tiranë”. Pas dy ditësh Enver Hoxha kthehet në Tiranë. Në 9 janar 1973 bëhet mbledhja e parë e zakonshme e Presidiumit të Kuvendit, ku Enveri ishte anëtar i thjeshtë. Në këtë mbledhje ai goditi festivalin duke e quajtur si “shfaqe armiqësore”. Kjo fjalë e tij nuk u bë publike.
Në Plenum IV Enver Hoxha tha: “Todi Lubonja mblodhi në Korçë njerëz të deklasuar, si një farë Minush Jero dhe Mihal Luarasi. Këtë të fundit e kurorëzoi dhe në televizion”. Por në dy reshta Enveri bëri tre gabime. Asnjëri nga ne të dy nuk ishte i deklasua. Minushi kishte aktivitet të gjerë në Vlorë, gjatë luftës. Unë 14 vjeç dola malit partizan. Unë s’kisha pse grumbullohesha në Korçë se kisha lindur në Korçë. Todi nuk më kurorëzoi në televizion sepse unë u lidha me televizionin që kur filluat emisionet e para eksperimentale.

Biseda me Piro Kondin
“Enveri po përgatitet për një goditje të madhe”
Gjatë intervistës së tij për “Shekullin” Mihal Luarasi thotë: “Të nesërmen e fjalës së Enver Hoxhës në Presidiumin e Kuvendit, na thërrasin ne të gjithë pjesëmarrësit e festivalit në një mbledhje të madhe ku na u tha: “Do të flitet për Festivalin”. I deleguar nga Komiteti Qendror ishte Piro Kondi. Ne të gjithë menduam se do të na lavdëronin për punën e mirë, pasi në drejtimin tonë kishin ardhur shumë letra të cilat na vlerësonin. Unë u futa në zyrën e drejtorit ku gjeta Todin, Nefon dhe për rastësi edhe Ismail Kadarenë. Aty më thonë: “Shoku Enver e ka hedhur poshtë festivalin”. Ndërsa Nefo Myftari më rekomandoi: “Mos u ul në presidium se do digjesh, por ulu në sallë”. Dhe unë u ula në një vend pranë Kadaresë. Mbledhja filloi. Si rregull i atyre viteve ishte që në fillim fliste masa. Më pas e mori fjalën Piro Kondi i cili tha: “Ju po flisni vetëm fjalë të mira për Festivalin. Por në Komitetin Qendror kanë ardhur disa letra nga të rinjtë e Lushnjës të cilat thonë se këngët e këtij festivali nuk janë këngë shqiptare. Unë bëj autokritikë që nuk e kam kontrolluar festivalin. Shikojeni dhe ju me këtë sy kritik”. Atë çast ngrihet Nikolla Zoraqi e i thotë: “Shoku Piro edhe ne kemi marrë shumë letra, por ato vetëm na lavdërojnë”. Piro Kondi e kishte shtëpinë jo shumë larg asaj ku banoja u unë, e në përfundim bëmë një copë rruge së bashku. Aty ai më tha: “Mihal mos u mërzit. Shoku Enver po përgatitet për një goditje të madhe ndaj influencave të huaja në vendin tonë. Jo vetëm pantallonat kauboj, minifundet e flokët e gjata, por këto kohë janë shtuar shumë edhe vjedhjet e xhepave. Festivali është një kokë turku. Duhet një pretekst. Pastaj do harrohet në aq shumë gjëra që do goditen”. Mirëpo nuk ndodhi kështu. U harruan shumë gjëra, por Festivali 11, jo”.

Dëshmia
Transformimi, nga regjisor u bëra bojaxhi me 7 kategori
“Ato ditë një tjetër mbledhje e madhe u bë në Lidhjen e Shkrimtarëve. Megjithëse isha anëtar i Kryesisë së Lidhjes unë nuk u ftova në mbledhje. Mbledhjen e drejtonte Ramiz Alia dhe Dritëro Agolli si i sapozgjedhur në krye të Lidhjes. Aty ndodhi një fenomen. Ramiz Alia me shumë dinakëri i vuri artistët kundër njëri-tjetrit. Dhe ia arriti qëllimit. Në atë mbledhje u godit i gjithë arti shqiptar. Pas kësaj u krijuan grupe të “rinjsh revolucionarë” që bënin kontrolle kudo, grisnin pantallonat kauboj, ndalonin që vajzat të viznin minifunde dhe qethnin të rinjtë që mbanin flokët e gjata. Madhe qethën dhe një djalë të një anëtari të Byrosë Politike sepse nuk e njohën. Në fund të marsit 1973 duke shkuar për në TVSH rrugës takoj Nefo Myftarin e cila më thotë: “Mos shko në televizion sepse je pushuar nga puna dhe do të të dëbojnë me ceremoni”. Në një nga këto ditë i them Vangjush Furxhiut që të lajmëronte Todi Lubonjën të vinte në shtëpinë time, meqenëse unë isha me grip e s’dilja dot. Kur Todi erdhi unë i shpjegova situatën. Atëherë Todi më tha me një dialekt tiranasish “Është për t’u hek, jo për të vdek”. Por mua nuk më ngrohu kjo shprehje e tij. Me sa duket një dekoratë që i dhanë Todit me rastin e 50 vjetorit të lindjes e kishte vënë në gjumë. Natyrisht në një situatë të tillë ne të gjithë kishim bërë autokritika. Më pas më kërkuan që të bëja një autokritikë në zyrat e Komitetit Qëndror. Gjeta një pretekst të mos shkoja. U thashë: “jam i sëmurë”. Pas kësaj. Pipi Mitrojorgji, një nga aparatçikët e KQ thërret bashkëshorten time, Edi Luarasin, që vazhdonte punën në Teatër, e i thotë: “Meqenëse Mihali na qenka sëmurë dhe nuk vjen dot, i thuaj të përgatiti një autokritikë me shkrim ku të thotë se edhe dramën “Njollat e murrme” e ka vënë në skenë i ndikuar nga Todi Lubonja”. Natyrisht as këtë nuk e bëra. Të nesërmen në vjen urdhri për të shkuar për riedukim në një kantier ndërtimi në Ballsh. Atje punova ca kohë në një betoniere. U arrestova i pari nga i gjithë grupi. Dola në gjyq pas gjashtë muajsh hetuesi. U dënova me 8 vjet burg. Kudo që flitej për mua më dukej sikur flitej për një njeri tjetër. Burgu i Ballshit ishte më shumë një kamp ku mbaheshim rreth 1000 veta nga të cilët nga 200-300 i njihja. Plenumi i IV nuk ishte fillimi i sulmit, ai ishte konkluzioni pasi gjatë atyre muajve goditja ishte bërë në të gjitha fushën e kulturës dhe artit. Enver Hoxha i bëri cilësimin si “Rrufjan politik” Fadil Paçramit dhe Todi Lubonjës. Todi pas u arrestua rreth dy vjet pasi u largua nga drejtimi i Televizionit dhe u dënua me 13 vjet burg. Ndërsa Fadil Paçrami u dënua me 15. Bëra 7 vite burg, pasi për shkak të një amnistie përfitova një vit, unë dhe Minush Jero. Pasi u lirova u bëra bojaxhi, ku mora kategorinë e 7-të, ku bashkë me dy punonjës të tjerë kemi lyer të gjitha kopshtet dhe shkollat e Tiranës nga dy herë. Këta dy persona ishin të vetmit që më flisnin, pasi askush tjetër nuk m’i hidhte sytë”.

Regjisori i veprave që u dënuan
Mihal Luarasi lindi më 16 shtator të vitit 1929 në Korçë. Shkollën e mesme e kreu në liceun artistik “Jordan Misja” në Tiranë, ndërsa studimet e larta në Akademinë e Arteve të Teatrit dhe Filmit në Budapest të Hungarisë. Është regjisor i dramës “Njolla te murrme” me trupën e Korçës me të cilën fitoi të gjitha çmimet e para në Festivalin e IV kombëtar të teatrit 1969. Pas tre ditësh spektaklin e pa Enver Hoxha dhe e dënoi si vepër armiqësore. Më 1972 në teatrin A. Moisiu të Durrësit vuri në skenë dramën “Çështja e inxhinier Saimirit” të Fadil Paçramit, vepër që u dënua. Me festivalin 11 në RTVSH 1972, Luarasi u ndesh përsëri me goditjen që u bë në Letërsi dhe Art. U dënua me tetë vjet heqje lirie.

Shkatërimi i arvkivës
Mihal Luarasi thotë: “Goditja ishte aq e pamëshirshme saqë bobinat e regjistrimit të Festivalit të 11 u dogjën. U zhduk gjithashtu gjithçka flitej për të, partitura e tekste këngësh. Mbeti në arkivën e Kinostudios vetëm një kronikë rreth këtij festivali. Në vitin 2003 Tish Daija i dorëzoi Arkivit të Shtetit 16 partitura të këngëve nga festivali të cilat i kishte ruajtur me shumë fanatizëm gjatë gjithë këtyre viteve. Këtë vit, me rastin e 40 vjetorit të Festivalit 11 do të këndohen 11 nga këto këngë, pikërisht në festivalin 51 të funddhjetorit 2012”

Çmimet e Festivalit 11 në RTSH
Kënga fituese ishte “Erdhi pranvera” e kompozitorit Pjetër Gaci, me vargje të poetit Fatos Arapi, kënduar nga Tonin Tërshana. Në vendin e dytë u rendit kënga “Udhët e jetës”, kënduar nga Lindita Sota, kurse në vendin e tretë kënga “Kush më njeh mua”, kënduar nga Ema Qazimi. Në festival morën pjesë edhe këngëtarë të tjerë të njohur të asaj periudhe, si V.Zela, Sh.Merdani, J.Aliaj, L. Kondakçi, Z. Saraçi, F.Radi S.Qatiti, B. Alibali etj., të cilët kënduan këngë, të kompozitorëve të njohur, si T.Daia, A.Krajka, A.Peçi, F.Deda, K.Laro, A.Lalo, F.Shehu, A.Xhunga, E.Shengjergji…


Publikuar më gazetën SHEKULLI më 08. 12. 2012



Wednesday, October 11, 2017

Arben Morina: Në Europë pikturova princeshat, në Shqipëri burrat e Pavarësisë

Jeta mes Tiranës, Firences e Nju Jorkut. Njohja me “mbretëreshën” e Firences, Bona Freskobaldi dhe Tatianën, mbesën e Xhani Anjelit. Lidhja me artin amerikan, jeta e artistit tej Atlantikut dhe dalja disa miutëshe në televizionin prestigjioz “FOX”


nga Leonard Veizi

Nuk ka dilema dhe sforco nuk është se ndjen teksa rreshket penelin me bojën mbi një telajo, a kur tërheq majën e lapsit mbi një fletë formati çfarëdo. Grafikë, akuarel a tablo në vaj marrin të njëjtin përkushtim dhe vlerë padyshim. Talentin e falur pa kursim tashmë ai e ka fokusuar në një punë që duket se nuk ka ndër mend të ndali ndonjëherë. Në Firence, Nju Jork apo Tiranë, ai është frymëzuar me të njëjtin pasion, dhe ashtu siç i “dhuroi” jetë princeshës së një oborri perëndimore, u dha “frymë” dhe baballarëve të kombit shqiptar, atyre që firmosën për Pavarësinë...

...Pasi ka njohur jetën mondane të elitës evropiane dhe ka shëtitur nëpër sallonet e disa prej familjeve të mëdha njujorkeze, Arben Morina, piktori shqiptar me origjinë të përbërë nga Morina e Gjakovës dhe Kanina e Vlorës është stacionuar në qytetin e tij, Tiranë. Kjo ka ndodhur disa vite më parë, ndërsa ftesat që e thërrasin sërish të jetë i pranishëm me penelin e tij në oborret princërore, nuk kanë reshtur asnjëherë. Thotë se ndjeshmëria që ka është dhuratë e natyrës dhe se kjo mbase nuk merr shumë rëndësi për artin e tij, për derisa i duhet shtuar dhe volumi i një pune këmbëngulëse. Madje është pikërisht një gjë e tillë që e ka çuar drejt një suksesi të pabesueshëm. Për gazetën “Shekulli” Arben Morina tregon jo vetëm odisenë që e çoi në oborret më të famshme të Firences, e që padyshim njihet dhe një prej qyteteve më të famshëm të botës së artit, por dhe iniciativën stërmunduese për të bërë të njohur me penelin e tij portretet e 40 firmëtarëve të harruar.
Si u njohët me botën perëndimore të pikturës?
Rasti e solli që një kushëriri im, i cili punonte në Tregtinë e Jashtme, kishte krijuar marrëdhënie shumë të mira me princin austriak Egon Von Fuerstenberg, i cili nga ana e nënës ishte dhe nip i familjes Anjeli, pasi nëna e tij ishte motra e Xhani Anjelit. Ai ishte një koleksionist i madh dhe i pëlqente ndjesia e pikturës, që vinte nga vendet e Lindjes. Ishte viti 1988 kur Egon Von Fuerstenberg i kërkon kushëririt tim ta ndihmonte me një piktor të mirë, pasi donte të bënte disa portrete të familjes. Ai i adresoi emrin tim, që në fakt, edhe pse i ri, në atë kohë kisha fituar goxha emër të mirë në Tiranë.
Si u lidhët me Princin Egon Von Fuerstenberg?
Vetëm në rrugë shtetërore. Në atë kohë s’mund të bëhej ndryshe. Nga ambasada më erdhi një zarf me stemën e familjes, ku brenda saj ishin katër fotografi: e Egon Von Fuerstenberg, e djalit Alesandro, e vajzës, Tatiana, dhe e mikes së tij të ngushtë, një gazetare e njohur e “Il Messagiero”.
Ju ndoqët të njëjtën procedurë për t’ia dërguar pikturat?
Jo. Shteti shqiptar në atë kohë ishte i interesuar që Egon Von Fuerstenberg të investonte në industrinë e tekstileve në Shqipëri, dhe kushëriri im (natyrisht në emër të shtetit) e ftoi princin austriak për një vizitë private. Ai u prit në hotelin e gjuetisë, në ishull Lezhë, në një drekë madhështore, ku isha i ftuar edhe unë. Egon Von Fuerstenberg erdhi vet i gjashtë, me mikeshën e tij, presidentin e sallonit më të madh të modës në Itali, presidentin e klubit të Gjuetisë, si dhe dy pilotët e avionit personal, me të cilin zbriti në Rinas.
Si reagoi nipi i Anjelit kur u njoh me punët tuaja?
Kisha më se një muaj që punoja me katër portretet. Dhe i vendosa në murin përballë tryezës së ngrënies. Për rreth 45 minuta ai vetëm diskutoi me mua dhe të pranishmit e tjerë për katër pikturat. Kishte mbetur fort i kënaqur. Pastaj u ul për të ngrënë dhe kërkoi që piktori, pra unë, të kishte vendin përballë tij. Them se në atë kohë, për dy orë u ndjeva si një mbret, pasi isha në qendër të vëmendjes.
Sa kohë qëndroi në Shqipëri princi Egon Von Fuerstenberg?
Ai qëndroi dy ditë, por me sa mora vesh, kishte mbetur i pakënaqur nga industria shqiptare e tekstileve dhe nuk e pranoi propozimin e palës shqiptare.
Kur u takuat sërish me të?
Sapo mbërrita në Itali në fund të vitit 1990. Isha vendosur në një hotel të vogël. Kisha kartëvizitën e tij dhe i rashë numrit të telefonit. Më doli sekretarja, por e ndjeva që ai e ndërpreu sapo njohu emrin tim: “Përshëndetje Morina, ku je? – më pyeti. “Jam vendosur në Itali, në Firence”, i thashë. Ai qeshi dhe më tha. “Urime, ke bërë zgjedhjen e duhur. Ndërsa unë do të të njoh me Mbretëreshën e Firences, që është Bona Frescobaldi”.
Dhe ju njohu me të?
Natyrisht. Madje Bona Frescobaldi telefonoi vetë në hotel dhe e zonja e hotelit hidhej përpjetë nga gëzimi që gruaja më e fuqishme e Firences i kishte telefonuar. Më kujtohet që Bona Frescobaldi më priti në pallatin e saj, ndërsa unë shoqërohesha nga vëllai im dhe e zonja e hotelit, pas këmbënguljes së kësaj të fundit, dhe natyrisht pasi unë kisha marrë leje që edhe ajo të ishte e pranishme në takim. Duhet të them se Frescobaldët ishin një familje 1000-vjeçare në Firence, përfaqësuesit më të mëdhenj në botë të verërave të Toskanës. Familje që i ka dhënë jo vetëm Italisë, por edhe Evropës.
Ndërkohë, ju keni pasur dhe suksesin e duhur në Amerikë. Si mbërritët aty?
Në fakt, ishte një çift amerikanësh, që, pas një rekomandimi, erdhën në studion time në Firence. Burri ishte zv/president i një prej firmave më të mëdha të optikës, të quajtur “Bausch&Lomb”, në Rochester të Nju Jorkut. Në këtë mënyrë u lidha edhe me pjesën e artit amerikan. Pas disa kohësh e kuptova se emri im kishte filluar të lakohej në disa qarqe, madje edhe televizioni “FOX”, nga më të rëndësishmit në SHBA, më la një hapësirë disa minutëshe në edicionin e lajmeve, pra në një transmetim të drejtpërdrejtë.
Prej vitesh jeni stacionuar në Shqipëri, pse kjo zgjedhje?
U ktheva në Shqipëri sepse ndieja një thirrje, ndieja një detyrim ndaj vendit tim...  Lirisë t'i japim një dimension tjetër, të thyejmë barrierat, të bashkojmë njerëzit, të krijojmë ura të fuqishme lidhëse, të bashkojmë idetë, të prekim kordat e ndjeshmërisë njerëzore dhe të gjithë bashkë të ndërtojmë, të krijojmë, ta bëjmë jetën më të bukur, t'i lëmë kësaj toke vlera e vetëm vlera.

Portrete nga Arben Morina
Frymëzimi prej Firences
Pikërisht në Firence ai gjeti vendqëndrimin e tij. E duke e konsideroni këtë qytet, të cilin e viziton shpesh thotë: “Firence! Kjo zgjedhja ime është ëndrra e çdo artisti. Firence, nga hyjnore në tokësore. Pikërisht në këtë vend, në shekullin XV mori formë të jashtëzakonshme ai fenomen që shënjoi një kthesë thelbësore në art dhe kulturë: Rilindja. Firence është qyteti i shpërthimeve krijuese. Firence është dhe qyteti i njerëzve të imagjinatës... Firence është gjithashtu qyteti që la gjurmë të rëndësishme në thellësi të qytetërimit. Për të gjitha këto arsye çdo artist, po të kish mundësi, do të zgjidhte Firencen sigurisht”.

Firmëtarët e pavarësisë në 40 telajo
Ata që firmosën për pavarësinë e Shqipërisë tanimë e kanë nga një portret, me ngjyra e plot jetë Në vit më parë, në kuadër të 100 vjetorit të pavarësisë, në mjediset e Këshillit të Ministrave u hap ekspozita e portreteve të 40 firmëtarëve të deklaratës së Pavarësisë, të  piktorit Arben Morina. At për “Shekullin: rrëfen odisenë e gjatë që përfundoi me ekspozitën e jashtëzakonshme ky 40 firmëtarët me Ismail Qemalin ën krye zonë vend në hollin e kryeministrisë. “Nuk ishte aspak një rastësi, as një përzgjedhje e paramenduar. Pavarësinë e kisha thellë në shpirt, ajo ishte brenda meje, ajo ishte brenda në familje. Gjyshi im, Zihni Abas Kanina (Hamzaraj), ishte njëri nga 40 firmëtarët e Pavarësisë. Janë dhe pesë kushërinj të tjerë të mij firmetarë të pavarësisë. Ata jane: Iljaz Vrioni, Qemal Mullaj, Ferid Vokopola, Qazim Kokoshi, Qemal Elbasani (Karaosmani). Natyrisht ajo mbetet një ditë epokale, një ditë historike, një emocion i mirëfilltë, ku filloi rrugëtimi. Më është dashur punë jashtëzakonisht e madhe për t'i mbledhur bashkë dhe ia kam dalë mbanë falë edhe ndihmës së vyer të historianit të talentuar Niko Kotherja, njëkohësisht miku im. Ai më ndihmoi me fotot e firmëtarëve dhe më pas kam gjetur edhe vetë disa. Nuk ishte e lehtë, shumë miq e dashamirës më pyesnin: a do mund t’i realizosh 40 portretet e firmëtarëve të Pavarësisë? Shumë prej tyre ishin skeptike. Një ndërmarrje e madhe, pothuaj e pabesueshme për t’u realizuar. Unë isha i vendosur, në heshtje u betova ...!!! Dhe kështu “aventura" filloi. Ishte një pune kolosale. Fillova grumbullimin e materialeve fotografike dhe dokumenteve. Nga çastet më të bukura ishin takimet me familjaret e firmëtarëve të pavarësisë, rrëfimet e tyre. Unë jetoja dy kohë në të njëjtën kohë. Ata firmosën pavarësinë, unë firmosa 40 portretet. 40 firmat kishin ngjyrën e flamurit”, thotë Arben Morina

Kosova pjesë e trupit tim
Ai është nga Gjakova po aq sa dhe nga Vlora. Me një origjinë dyfishe prej prindërve të tij. E padyshim kjo e bën të ndihet shumë krenar kur shprehet: “Kosova është pjesë e trupit tim, pjesë e qenies sime, pjesë e popullit tim. Që fëmije jam edukuar me ndjenjat e dashurisë për njerëzit e vendin. Kosova gjithmonë ka qenë objekt i bisedave në familjen time. Kjo falë edhe origjinës nga babai. Motivet e Kosovës kanë shoqëruar gjithë krijimtarinë time. S'kishte si të ndodhte ndryshe. "Jehona kosovare", e titullova ekspozitën e hapur me disa artistë kosovarë në Tiranë., ku ideatori isha unë. Ekspozita parapriu në kohë ngjarjen më të madhe në historinë shumëshekullore të Kosovës: Pavarësinë!”

Autoportret
Jeta e piktorit
Arben Morina u lind më 10 gusht të vitit 1956, në Tiranë. Vazhdoi Akademinë e Arteve të Bukura në vitet 1978-1982 dhe ka punuar në Galerinë Kombëtare të Arteve. Në dhjetor të vitit 1990 transferohet në Firence, ku qëndroi deri në fund të vitit 1998. Gjatë kësaj periudhe pikturoi një numër të madh tablosh. Veprat e tij janë të ekspozuara në koleksionet private italiane shumë të famshme. Në pallatin e Markez Frescobaldit në Firence ka të ekspozuara pjesëtarët e familjes dhe peizazhe me natyrë të qetë. Në pallatin e Markez Antinorit, Firence, ka hedhur mbi telajo pjesëtarët e familjes. Për princin austriak Egon Von Fuerstenberg ka punuar gjithashtu pjesëtarët e familjes. Në dhjetor të vitit 1998 transferohet në Rochester Nju Jork, e më pas, në muajin shkurt 2000, në Nju Jork City. Në shtator 2000 rikthehet sërish në Firence. Tanimë, prej disa vitesh jeton në Tiranë, ku ka hapur dhe një seri ekspozitash.



Botuar në gazetën SHEKULLI më 24. 11. 2013