Monday, October 23, 2017

Gjovalin Paci: Familja ime erdhi nga Firence, pasi u shpërbë nga Mediçët

Piktori  rrëfen historinë e rrallë të familjes. Vrasja që përndoqi familjen Pacaj nga Italia në Shqipëri. Mbijetesa e pinjollëve të derës së madhe fiorentinase që u shqiptarizuan në Razëm të Shkodrës

Leonard Veizi

Ata morën rrugën për të ikur larg, shumë larg, aty ku shpata s’i arrinte dot, por as plumbi s’mund t’i gjente. Armiqtë ishin aty pranë. Nuk mbanin xhubletë e as kësulë mbi kokë, madje nuk ishin as malësorë të krisur, por pinjollë të një prej dyerve më të mëdha të veriut italian. Pacët gjendeshin në gjak me Mediçët. Historia, në plan të parë kaq e madhe, ishte shndërruar në një hakmarrje mesjetare. Ishin vitet 1700 dhe Evropa ende nuk kishte kufij. Në Apenine e Iberik latinët vazhdonin të ishin zot në tokat e tyre, por Ballkani sundohej nga jeniçerët e Portës së Lartë. E megjithatë Shqipëria dukej një vend ideal nga ku mund t’i shpëtoje çdo lloj represioni...

...Edhe pse kanë thuajse 300 vjet që janë shkëputur nga rrënjët e Firences, gjurmët e të parëve i ndjekin edhe sot. Është ajo pemë gjenealogjike që ka përvijuar në dejet e të gjithë brezave të familjes Paci, përmes gjakut që vlonte nga sakrificat, vështirësitë dhe shpërfilljen për shkak të historisë që mbarte vetë trungu. Janë copëza jete të cilat s’mund të harrohen lehtë. Përkundrazi, pinjollët e kësaj familje të madhe janë përndjekur për shkak të vijës së origjinës së paraardhësve të tyre, aq sa dhe sot duket se fati i tyre ka qenë shkruar i tillë. Ndërkohë  piktori i njohur shqiptar, Gjovalin Paci, jo më i fundit i derës “Pacaj” rrëfen historinë e rrallë të të parëve të tij:
Si trajtohej një familje me origjinë italiane në Shqipëri?
Unë them se jam me fat që kam lindur në Razëm, në zonën e Shkrelit. Familja ime ka qenë në gjendje mjaft të mirë ekonomike për kohën. Por fati që duhej të shpërnguleshin nga Firence, në Shkodër e më pas në Razëm, ka bërë që të ndihej shumë ndryshimi. Më ka shqetësuar origjina në atë pikë kur paragjykoheshim se ishim borgjezë. Për atë që na shihnin na trajtonin si të huaj.
Në çfarë kushtesh të parët e tu erdhën nga Firence në Shkodër?
Historia është e gjatë, e duket e pabesueshme, por ajo ka ndodhur. Mbiemri ynë origjinal është Pacaj, që në italish merr kuptimin “të marrët”. Pacajt ishin familje e madhe në mesjetën fiorentinase, ishin bankierë. Por kishte një rivalitet me familjen akoma më të madhe, Mediçët. Kjo u shfrytëzua nga papati dhe Pacajt bënë një vrasje nën bekimi e Papës. U vra i madhi i Mediçëve. Por mëkati më i madh është se vrasja u bë në ambientet e një kishe. Mediçët u organizuan dhe iu kundërvunë Pacëve, i vranë e i përndoqën, aq sa meshkujt e pakët që mbetën nga familja morën rrugën e mërgimit. Për rreth 50-60 vjet nuk dihej vendndodhja e tyre. Por diku mes viteve 1720-1730 nëpërmjet rrugëve që kontrollonte Venediku ata u futën si tregtarë në Shkodër. Në Razmën e atëhershme me 5-6 mijë banore e kishën e Shën Premtes që ishte ndërtuar rreth vitit 1200, Pacajt blenë truall në pjesën e pabanuar të vendit. Ishin të huaj, por thuhej se kishin sjellë shumë pasuri me vete. Ndërtuan një shtëpi me gurë e dërrasa, me një teknologji të lartë që ekziston dhe sot. Në derën kryesore vendosën një gur që e kishin sjellë nga Firence. Ai gur, që tregon origjinën e tyre ka të gdhendur me daltë një kryq, të vendosur horizontalisht dhe koka e kryqit është e drejtuar nga perëndimi.
Si do të shkonte filli i Pacajve të mbijetuar në Shqipëri?
Pak kohë më pas ata janë dekonspiruar dhe Mediçët që ishin vigjilent dërguan mercenarë. Pacajt u zunë në pusi. U qëllua mbi shtatë meshkujt e mbetur gjallë nga familja. U vranë 6 prej tyre por për fat i fundit mbijetoi i plagosur. Në kushtet reja ai u kthyet të bëjë jetën e një shqiptari dhe u martua me një shqiptare. Mbiemri ynë u transformua në Paci dhe pasardhësit u pagëzuan me emra katolik por të shqiptarizuar. Në Razëm një lagje ende quhet “Gil Pacaj”. Them se vrasja e bërë në një institucion si kisha mori nga pas dhe mallkimin e vetë institucionit. Pacajt e kanë vuajtur një gjë të tillë për breza me radhë. Të paktën për 250 vjet vetëm një nga Pacët meshkuj jetonte. Tjetri, më i vjetri, vdiste nga shkaqe të ndryshme. Vonë Pacajt filluan të shumohen.
A keni objekte të familjes?
Tanimë kanë mbetur shumë pak. Më duhet të them se lugët e floririt kanë shkuar “për skrap” kur burrat e familjes u martuan dhe u ndanë. Por edhe stema e familjes ka qenë deri vonë, unë e mbaj mend. Por më themelorja është guri me kryqin e gdhendur që ndodhet në derën e shtëpisë.

Si mësoi të bënte art
Në terrenin e vështirë të Razmës, që sot është një nga pikat e bukura turistike, prindërit e tij ia edukuan në një mënyrë tjetër, ata i mësuan artin që një fëmijë mund të krijonte prej gurit, drurit, baltës dhe thëngjillit. “Vij prej një vendi që është shumë i bukur, ku kam kaluar një pjesë të jetës. Atje kushdo që të shkojë, e që merret me art, ka se çfarë të krijojë. Në Razëm kam përjetuar të gjitha gojëdhënat, fantazitë, peripecitë e familjes. Jam ngarkuar me ato pjesë negative dhe pozitive që më vonë kanë ndikuar për mirë tek unë. Kam pasur një gjyshe që vdiq shumë e vjetër dhe ajo tregonte histori nga më të çuditshmet për familjen, njerëzit, për vendin ku jetonim, për kuçedra, përbindësha, gjarpërinj me dy koka. Kjo tek unë ka ndikuar edhe në pikturë, tek jeta apo vazhdimësia e formimit tim personal. Këto detaje janë përfshirë në pikturat e mia, herë si simbol, herë si elemente përbërës. Janë ato simbole që i kam dëgjuar, i kam perceptuar dhe vazhdoj t’i perceptoj. Vetë piktura ka një strukturë të tillë ku gjendet mes tokës dhe qiellit. Formohen tre dimensione iluzive. Nuk ekziston figura as në tokë dhe as në qiell por diku mes të dyjave. Është imagjinata që ka mbetur brenda meje si strukturë e pandërtuar. Ajo qëndron e ftohtë në një zonë ku është e vështirë ta prekësh”.

Ëndrra në telajo/ “Nënë Tereza më bekoi dorën e djathtë”
Ai i dha dorën, ta ndihmonte sadopak në humbellën e improvizuar prej kujtesës haluçinante… dhe ajo e bekoi. Një realitet iluzionist apo ëndërr e vërtetë, kjo tashmë nuk ka aspak rëndësi. Sepse qoftw në realitetin pa masë të gëzuar apo dhe atë fare të trishtë, dora e tij mbeti e bekuar prej saj… Ky është një nga detajet e rralla që piktori shqiptar, ndër më të njohurit dhe përtej kufijve të Shqipërisë, ndan me lexuesit. Një seri portretesh të humanistes së madhe shqiptare, kanë mbetur në telajo, si pasojë e një çasti shumë solemn. Ndërsa me rastin e 100 -vjetorit të Nënë Terezës, dhe të përvjetorit të lumturimit të saj në ambientet e Parlamentit Austriak, për herë të parë në historinë e këtij institucioni u çel një ekspozitë pikture nga Gjovalin Paci me portrete të humanistes shqiptare. Por cili ka qenë motivimi apo çasti inspirues që piktori Paci të merrte penelin për të hedhur në telajo dhjetëra portrete të Nënë Terezës. Ai e shpjegon kështu një fakt të tillë: “Nënë Terezën e kam parë një ëndërr. Mund të duket disi qesharake, por kjo është e vërtetë. Ëndrra ishte e tillë: M’u duk sikur Nënë Tereza ishte e varrosur dhe më thotë: Më jep dorën. Dhe unë i jap dorën e djathtë. Atëherë ajo më flet sërish: E ke të bekuar këtë dorë. Kjo ishte një ëndërr që nuk do më shuhet asnjëherë nga kujtesa. Pastaj kisha dhe mbresa të jashtëzakonshme nga vizita e saj kur erdhi në Shkodër. Atëherë pash një grua të imët, me një veshje të bardhë e shirita të kaltër, që nuk ecte, por fluturonte. Çudia ishte kaq e madhe sa thosha me vete: Ku qëndron forca e këtij njeriu? Ajo ishte një grua në moshë, jo më e bukur, por ishte si një engjëll. Ajo ishte vërtet një nënë, me duar me rrudha, me fraktura. Por ajo që më bënte përshtypje ishte se ajo dukej sikur nuk takonte me tokën kur ecte. Pastaj kam lexuar shumë libra mbi jetën e saj dhe korrespodencën, por kam studiuar karakterin dhe nëpërmjet shumë fotografive. Ky është i gjithë inspirimi. Më pas krijova një seri portretesh të saj që mbajnë firmën time”.

Në Galerinë e KE-së, Bruksel
Gjovalin Paci sjell krijime në të gjitha gjinitë e pikturës, kompozim e portretit, por edhe në disa lloj teknikash si akrilik, vaj, tempra, guashe dhe teknika të tjera grafike, bardh e zi. Paci është i pari dhe i vetmi piktor shqiptar, që ka arritur të ekspozoje veprat e tij në Galerinë e Komisionit Evropian në Bruksel, ku është prezantuar me punime të realizuara me teknikën e akrilikut të pjekur. Gjithashtu ai është ndalur në disa kryeqytete evropiane, mes te cilave edhe ne Frankfurt duke ekspozuar në galerinë gjermane, "Arti në shtëpinë blu".

Cikli i Skënderbeut
“Skënderbeu  kalorësi i lirisë dhe simbol i bashkimit”. Kështu e titulloi  ekspozitën e tij në 100 vjetorin e Pavarësisë Gjovalin Paci, çelur në Muzeun Historik Kombëtar. Piktori prezantoi 100 portrete kompozim frymëzuar nga prijësi i shqiptarëve Skënderbeu. Paci në punimet e tij nëpërmjet ndërthurjes së simbolit të Skënderbeut solli figurat më përfaqësuese të kombit shqiptar në rrugëtimin e tij.


Publikuar në gazetën SHEKULLI më 04. 02. 2014 


No comments:

Post a Comment