Sunday, November 10, 2024

“Trashëgimtari”, ekzekutimi i një prej njerëzve më të pasur të Evropës

 


 Nga Leonard Veizi
 
“Trashëgimtari” është një nga filmat ikonik të kinemasë së përbashkët franko-italiane. Cilësohet si një film brilant që trajton temën mbi misteret e financave dhe pushtetit të lartë, i realizuar në mënyrë mjeshtërorë nga aktori që luan në rolin kryesor. Ky film është transmetuar edhe nga ekrani i “Tirana”-s, që në fund të viteve ’70, ndaj ai është i njohur edhe për spektatorin shqiptar...
 
... “L'Héritier” në origjinal, apo i përkthyer në shqip si "Trashëgimtari", është një filmi thriller i vitit 1973, ku Zhan-Pol Belmondo interpreton protagonistin, Bart Kordell. “L'Héritier” është një film dramatik dhe i mbushur me tension, që pasqyron kompleksitetin e pushtetit, korporatave, dhe një rrjeti të ngatërruar intrigash politike.
Regjia e filmit është nga Filip Labro, ndërsa skenari nga Filip Labro dhe Zhak Lonzman. Kasti i aktorëve kryesohet nga Zhan Pol Belmondo, për të vazhduar me Karla Gravina, Zhan Rushifor, Sharl Diner, dhe emra të tjerë njohur të kinemasë franceze dhe asaj italiane
 
Ngjarja
Hugo Kordell, manjati mediatik dhe industrial, vdes një aksident misterioz kur avioni i tij shpërthen gjatë fluturimit midis Gjenevës dhe Parisit. Ekzaminimi i mbeturinave të avionit nuk mund të përcaktojë shkakun e rrëzimit.
Bart Kordell, është një i ri i suksesshëm dhe i pavarur, i cili kthehet në Francë pasi ka jetuar për dhjetë vjet në Shtetet e Bashkuara.  Ai është i detyruar të marrë përsipër drejtimi e biznesit të fuqishëm të babait të tij. Bart Kordell trashëgon "Le Globe" një perandori përrallore industriale dhe mediatike, dhe padyshim kjo e bën një nga njerëzit më të pasur të Evropës.
Në Paris, drejtuesit e 'Globe', e përjavshme franceze dhe media kryesore e perandorisë Kordell, presin me ankth ardhjen e trashëgimtarit të Hugo Kordell, Bartit - që interpretohet nga Zhan-Pol Belmondo, - i cili dëshiron të lexojë numrin e fundit të revistës përpara se të dalë në shtyp. Megjithatë, disa nuk e vlerësojnë shumë faktin që ky i fundit është tashmë në krye të grupit.
Në fluturimin e kthimit nga Shtetet e Bashkuara, Bart flirton me një femër joshëse, Lorenën, e cila tinëz fut në xhepin e tij një biletë bagazhesh. Në aeroport Bart pritet nga menaxhmenti i 'Globe' dhe reporterët e televizionit. Pas kontrollit nga një agjent doganor gjendet një çantë të mbushur me drogë që korrespondon me biletën që Bart mban në xhep. Ai akuzohet për trafik të paligjshëm. Kjo i lë të kuptojë se ardhja e tij në krye të perandorisë “Cordell” nuk ka miratimin universal.
Me të mbërritur, Bart kundërshtoi imazhin e një “playboy” që i kishin dhënë revistat, duke imponuar një autoritet dhe kompetencë të papritur. Menjëherë, ai u bë njeriu i ditës, duke krijuar një ton të ri dhe marrëdhënie më të drejtpërdrejta me punonjësit e tij, duke menaxhuar pasurinë me ndihmën e këshilltarit të tij David Lovenstein.
Bart trashëgon një perandori industriale të ndërlikuar që përfshin media, energji dhe ndërtim, dhe së shpejti kupton që pushteti që e rrethon është i lidhur ngushtë me korrupsionin dhe interesa të errëta. Barti kupton se disa njerëz të fuqishëm të lidhur me kompaninë e tij nuk duan që ai të hedhë dritë mbi mënyrën e funksionimit të saj. Ai gjithashtu ndjen se grupi i tij kërcënohet nga një komplot i gjerë.
I ndihmuar nga miku i tij besnik, David – i cili interpretohet nga Sharl Diner, - Bart Kordell vendos të kryejë hetimin e tij. Duke ndjerë erën e komplotit kundër grupit të tij nga rryma të fuqishme industriale evropiane, Kordell punëson një detektiv për të hetuar rrethanat e vdekjes së babait të tij. Ai do të zbulojë se avioni i Hugo Kordell u sabotua nga një grup industrialistësh të lidhur me të djathtën ekstreme, përfshirë vjehrrin e tij të pasur, për ta penguar atë të zbulonte ekzistencën e një komploti të udhëhequr nga ky grup.
Bart ka dyshime edhe tek gruaja e tij Xhovanela, dhe mendon se ajo është manipuluar nga i ati. Xhiovanela është vajza e një manjati italian, Luixhi Galaci, të cilin babai i Bartit e urrente dhe që rezultoi të ishte armiku numër Një i grupit Kordel. Babai nuk e kishte miratuar martesën e djalit të tij me Xhovanela Galacin, vajzën e Luixhi Galaci, manjatit të çelikut dhe liderit të së djathtës së re italiane. Hugo e kishte zhvendosur Bartin në Nju Jork, por ende e kishte vendosur atë në krye të interesave të tij në Amerikën e Veriut.
Gjatë filmit Bart bëhet viktimë e disa sulmeve me armë. Ai po përgatit një numër special të "Globe" në bashkëpunim me Lizën, redaktoren e cila bëhet shumë e afër dhe intime, për të kaluarën e dyshimtë të industrialistit italian ku mes të tjerash gjatë Luftës së Dytë Botërore ai do të ishte përgjegjës për dëbimin e kolonisë hebreje romake. Ndërkohë Luixhi Galaci financonte partinë neofashiste dhe shpresonte në fitoren e zgjedhjeve të ardhshme.
Përgatitja e shkrimit për botim rezultoi të ishte një gabim fatal...
Duke ndjerë rrezikun Bart i dorëzon stafetën djalin e tij Hugo Kordell i riu. Rrugës për në aeroport ai i thotë të njëjtat gjëra që i kishte thënë babai i tij rreth tridhjetë vjet më parë: "Ti nuk je si të tjerët, ti je trashëgimtari".
Dhe në fund, teksa ndodhej në terminalin e aeroporti të Romës, Bart pengohet nga disa burra ndërsa një tjetër, shumë pranë tij e qëllon dy herë me pistoletë për ta lënë të vdekur në vend. I shqetësuar, David Loveinstain mbërrin në vendngjarje, por është tepër vonë. Bart Kordell ka vdekur. Dhe këtu filmi mbaron.
 
Mesazhi
Filmi sjell në vëmendje idenë e një trashëgimie që bart jo vetëm pasuri, por edhe përgjegjësi të mëdha si dhe rrezik. Po ashtu, eksplorohet lufta e brendshme e Bart Kordell për të ruajtur vlerat e tij personale, përballë presionit për të përqafuar botën e korruptuar.
"Trashëgimtari" e lë shikuesin të mendojë mbi çmimin e vërtetë të pushtetit dhe përgjegjësitë që vijnë me të. Filmi flet për ndershmërinë e individit kundër korrupsionit të fuqive të mëdha dhe për sfidën e të mbajturit të vlerave në një botë të dominuar nga interesa të ngushta.
Kritika e ka vlerësuar rolin e  Bart Kordellit si ideal për Zhan-Pol Belmondon, i cili në këtë film ka sjell me mjeshtëri guximin dhe shpirtin rebel të personazhit të tij. Me stilin e tij të veçantë, Belmondo i jep Bart Kordellit një energji të brendshme që e bën atë të duket vendimtar dhe të papërkulur. Përballja e tij me sfidat dhe të papriturat rrit tensionin dhe misterin në film.
Me këtë thriller elegant, Filip Labro bëri disa goditje të gjykuara me kujdes, ndërkohë që iu referuar disa shqetësimeve kryesore të kohës - duke përfshirë korrupsionin në politikë dhe industri.
 
 
 

No comments:

Post a Comment