Leonard Veizi
Rënia
e Murit të Berlinit më 9 nëntor të vitit 1989 mbetet një nga ngjarjet më
tronditëse e të paharrueshme të shekullit XX. Për gati 30 vite muri ishte bërë
simbol i ndarjes ideologjike, kulturore dhe politike midis Lindjes dhe
Perëndimit. Duke ndarë dhe fatet njerëzore, shpesh me kosto të mëdha sociale.
Pas 9 nëntorit 1089 u shfaqën dukshëm shpresat për një Europë të bashkuar, për
liri, demokraci dhe të drejta njerëzore.
Sot,
35 vjet pas asaj ngjarjeje madhore, ngrihet pyetja: a e kreu ky akt historik
misionin e tij, apo mbetet një ëndërr e paplotësuar?
Liria pas Diktaturës
E
keqja e Murit të Berlinit nuk ishte vetëm ndarja fizike e një qyteti. Ai
përfaqësonte izolimin e një ideologjie të ngritur mbi frikën, shtypjen dhe
kontrollin. Me rrëzimin e tij, bota përjetoi një çlirim simbolik. Me këtë
rrëzim u mbartën edhe aspiratat e shumë popujve të Evropës Lindore për t'u
larguar nga zgjedha e sistemeve diktatoriale.
Në
rrafshin ndërkombëtar, rënia e murit shënoi edhe fundin e Luftës së Ftohtë.
Shtetet filluan të lidhnin më shumë ura bashkëpunimi sesa të ngrinin barriera.
Lindja dhe Perëndimi, më parë rivalë të betuar, filluan të përafrohen drejt një
bote më pak të polarizuar.
Megjithatë
35 vjet më pas ngrihet sërish pyetja: a jemi ne në të vërtetë aty ku na çoi ky
ideal i lirive të fituara?
Procesi
i bashkimit politik dhe ekonomik brenda Evropës së re rezultoi të jetë një
sfidë komplekse. Pabarazitë e trashëguara të sistemeve socialiste në Evropën
Lindore ende lënë gjurmë të thella, duke krijuar distanca socio-ekonomike
ndërmjet vendeve perëndimore dhe lindore të BE-së. Asimetritë ekonomike e
përkeqësuan integrimin dhe lindën dallime që vazhdojnë të ushqejnë ndjenjat
populiste dhe të ekstremit politik.
Sot,
sfidat e rritjes ekonomike, krizave të migracionit dhe tensioneve të brendshme
në Bashkimin Evropian shfaqin një tablo ku enden dyshimet për suksesin e
misionit që rënia e murit përfaqësonte. Po ashtu, ngritja e mureve të reja –
fizike dhe ideologjike – për të përballuar flukset e refugjatëve ose për të
ruajtur “sigurinë” brenda kufijve shtetërorë ka ngjallur polemika që sfidojnë
idealet për një Evropë të hapur dhe gjithëpërfshirëse.
Kur
e kthejmë kokën mbrapa, është e lehtë të themi që rënia e Murit të Berlinit nuk
përmbushi plotësisht misionin e saj; se bashkimi politik dhe ideali i lirive
universale ende mbeten të pakonsoliduara. Në anën tjetër, duhet të kuptojmë që
misioni i lirisë dhe i përparimit nuk përfundon kurrë – ai është një proces që
duhet mbajtur i gjallë përmes angazhimit të përbashkët.
Në
fund të fundit, rënia e murit përfaqësoi një epokë të re dhe një angazhim për
përmirësim, por ndryshimi i vërtetë nuk ndodh vetëm me rrëzimin e një barriere
fizike.
Shqipëria dhe Demokracia
Në
Shqipëri, rënia e Murit të Berlinit u reflektua më shumë se një vit më pas, në
dhjetor 1990, kur edhe regjimi komunist shqiptar nisi të lëkundej nën presionin
e protestave studentore dhe kërkesave të qytetarëve për liri e ndryshim. Pas
dekadash izolimi dhe shtypjeje nën diktaturë, Shqipëria hyri në një epokë të re
me përmbysjen e regjimit në mars 1991, që solli për herë të parë pluralizmin
politik dhe hapjen e dyerve drejt botës.
E
megjithatë edhe në këtë pikë ngrihet pyetja e përhershme: Ku ndodhet Shqipëria
sot me demokracinë?
Demokracia
në Shqipëri ka qenë një rrugëtim i ndërlikuar që nga vitet ‘90 e deri më sot.
Pas dekadave të një regjimi autoritar, krijimi i institucioneve demokratike u
pa si një nevojë urgjente. Por ky proces nuk është ndjekur gjithnjë nga një
vizion i qëndrueshëm apo i bashkërenduar për një të ardhme demokratike, shpesh
për shkak të sfidave të shumta: papunësia, varfëria, konflikti politik, dhe
korrupsioni janë disa nga pengesat që kanë vështirësuar konsolidimin e
demokracisë shqiptare.
Një
nga sfidat më të mëdha të demokracisë shqiptare është kultura politike e
polarizuar dhe mungesa e besimit të ndërsjellë midis institucioneve dhe
qytetarëve. Krizat e herëpashershme politike, bojkoti i parlamenteve, dhe
akuzat e vazhdueshme për korrupsion e abuzim me pushtetin, kanë dobësuar
besimin e qytetarëve tek demokracia si një sistem që funksionon për të mirën e
përbashkët. Shpesh, zgjedhjet janë shoqëruar me tensione, akuza për manipulime
dhe përplasje, gjë që ka krijuar një cikël të gjatë mosbesimi dhe ndjenjë
pasigurie për të ardhmen.
Megjithë
sfidat e dukshme, Shqipëria ka bërë përpjekje të rëndësishme drejt forcimit të
institucioneve demokratike dhe integrimit evropian.
Procesi
i integrimit në Bashkimin Evropian dhe Reforma në Drejtësi, shënojnë një
përpjekje të madhe për të larguar ndikimin politik nga sistemi gjyqësor dhe për
të ndëshkuar korrupsionin.
Megjithatë,
progresi shpesh duket i ngadaltë dhe i brishtë.
Kur
reflektojmë për rrënimin e Murit të Berlinit dhe idealet e lirisë që ai përfaqësonte,
kuptojmë se demokracia nuk është një arritje e vetme; është një proces që
kërkon përkushtim të përhershëm.
Rreziku nga autoritarizmi
35
vite pas rrënies së Murit të Berlinit rreziku nga regjimet autoritare për
Evropën dhe botën perëndimore është i vërtetë dhe gjithnjë në rritje. Ndikimi i
regjimeve autoritare si ato në Rusi dhe Kinë është bërë më i dukshëm dhe
përfshin një sërë fushash të rëndësishme për stabilitetin global: politikën,
ekonominë, teknologjinë dhe sigurinë. Ky ndikim nuk është më i kufizuar vetëm
brenda kufijve të tyre, por synon të zgjerojë ndikimin në arenën ndërkombëtare,
shpesh duke sfiduar ose minuar vlerat demokratike.
Përhapja
e ndikimit autoritar përbën një sfidë themelore për vetë thelbin e demokracisë
si sistem dhe model qeverisës. Shumë vëzhgues paralajmërojnë se, nëse regjimet
autoritare vazhdojnë të avancojnë pa sfidë dhe të krijojnë modele alternative
që sfidojnë vlerat demokratike, mund të ndodhë një dobësim i rëndësishëm i
rendit ndërkombëtar të bazuar në ligje, të drejta dhe barazi.
Demokratitë
perëndimore duhet të angazhohen për të mbrojtur themelet e tyre. Për të
mbrojtur lirinë dhe të drejtat, nuk mjaftojnë vetëm ligjet; nevojiten përpjekje
të përbashkëta për të përmirësuar edukimin dhe për të krijuar një shoqëri më të
qëndrueshme që mund t’i përballojë sfidat e reja. Vetëm me këtë përkushtim,
Evropa dhe bota perëndimore mund të ruajnë idealet e demokracisë dhe të mbeten
të forta përballë sfidave në një botë gjithnjë e më të ndërlikuar.
No comments:
Post a Comment