Monday, December 30, 2019

Gazetarët e Shqipërisë, përse mungojnë martirët e Fjalës së Lirë


nga Leonard Veizi


Ca vite më parë, vendosa të “vras” një gazetar. “Lufta brenda llojit”, do të arsyetojë ndokush.
Mundet...
Por vendimi im për të hequr qafe një njeri të medias nuk kishte të bënte me një akt të pastër terrorist dhe as për të provuar syrin e pushkës duke e marrë nishan drejt e në zemër. Nuk kisha marrë porosi nga askush, madje nuk isha unë dora e zezë e atentatorit me veshje meshini, maskë në fytyrë e silenciator në grykën e pisqollës. Por, i përfshirë isha në krim sa nuk thuhet. Tek e fundit isha urdhëruesi i një vrasjeje ‘makabër’.
Tek e fundit, në një “vrasje” të paralajmëruar, edhe kur ajo ndodh brenda një vepre letrare, autori mbetet gjithmonë ekzekutor.
Kjo ka ndodhur në faqet e fundit të romanit “Rrënimi”.
Por, përse e nisa kështu këtë shkrim...?!
U motivova të hedh ca fjalë e ca mendime, sepse për së fundi lexova axhanset e, “Reporterëve pa kufij”, ku jepeshin të dhëna mbi numrin e gazetarëve të vrarë e të dhunuar anembanë botës. Gjeta aty gjithfarë emra shtetesh ku gazetarët kishin shkuar “mish për top”, ishin vrarë e masakruar, ishin prangosur e dhunuar, apo u ishte mohuar e drejta bazë: liria e fjalës. Dhe të mendosh se për vitin 2019, ishin vrarë 49 gazetarë, 57 ishin kapur peng dhe 389 ishin arrestuar. Por “Reporterët pa Kufij” thonë se tek e fundit viti 2019 kishte më pak gazetarë të vrarë në krahasim me vitet e tjera.
Kjo është ngushëlluese.
Po a janë për t’u marrë shembull këto axhanse?
Sepse në këtë 10-vjeçar, numri i gazetarëve të vrarë nëpër botë kapi majat në vitin 2012 me 147 të tillë, ndërsa një vit më pas, pra në 2013-tën shifra kishte një tendencë uljeje me 143.
Hajde luftë, hajde. Domethënë, në vit vriten më shumë gazetarë se ushtarë në frontin e vendeve të nxehta ku kërcet kallashi dhe hidhen raketa me rreze të mesme veprimi. Thuajse dy kompani me gazetarë.
Gjithashtu “Reporterët pa kufij” theksojnë se vendi me numrin më të lartë të gazetarëve të vrarë është Meksika, Siria, Afganistani, Pakistani dhe Somalia...
Shqipërinë nuk e gjenda kund.
Ja një fakt që duhet marrë me optimizëm.
Nuk kemi asnjë viktimë në radhën e kolegëve. Tani, me thënë të drejtën në Shqipëri janë nja 2000 a 3000 gazetarë, shumica e të cilëve punojnë si anonimë pas ekranit të një kompjuteri. Por kjo nuk ka pikë rëndësie. E rëndësishme është që ne kemi gazetarë edhe pse nuk ballafaqohen me frontin e ashpër të “luftës” dhe merren me thashetheme apo hedhin shashka tymuese.
Liria e fjalës, liria e medias, liria e shtypit, janë shprehje të fort diskutueshme në Shqipërinë e pas vitit 1990. E megjithatë, gazetarët shqiptarë kanë qenë në ballin e luftës. Kanë përballuar edhe ‘96 e rrahjeve pas zgjedhjeve, edhe ’97 terrorin që solli shkatërrimi i firmave piramidale, edhe ’98 e grushtit të shtetit pas vrasjes së një deputeti edhe ’99 e Luftës së Kosovës. Por përballuan dhe 15 marsin e Gërdecit në 2008 apo 21 Janarin e vrasjeve në bulevard në vitin 2011. Por gazetarët shqiptarë kanë pjesën e tyre në luftën kundër krimit e korrupsionit dhe nuk janë të pakta faktet e denoncuara prej tyre publikisht.
Por asnjë gazetari shqiptar nuk i është shënuar emrin me germa të arta në panteonin e martirëve të fjalës së lirë. Apo qoftë dhe në panteonin e dëshmorëve të rënë në luftë. Sepse Shqipëria ka dërguar në vendet e nxehta detashmentet e Brigadës Komando, por ne nuk njihemi për fabrikimin e gazetarëve të luftës.
Fundja vend i vogël jemi.  
Gjithsesi, nga njëra anë duhet të gëzohemi që nuk kemi viktima mes gazetarësh. Por sa duhet të gëzohemi, thellësisht? Sepse po ta shohësh nga ana tjetër e medaljes, është njëlloj si të gëzohemi fjala vjen që gjatë luftës së Dytë Botërore të mos kishim asnjë luftëtar të vrarë, por luftën ta fitonin gjithsesi.
Ja, kësaj i thonë luftë: Të vrasësh e të mos vritesh.
Dhe ta fitosh një gjë pa luftë nuk është fitore, por dhuratë. Por, të jeni të bindur se, dhuratat e shtrenjta, zakonisht nuk t’i bën kush.
Çdo luftë ka heronjtë e vet. Dhe kauzat e mëdha ngrihen mbi trupat e martirëve.  Kështu ndodhi në Revolucionin Francez ku nën moton “Liri, Barazi, Vëllazëri” u sakrifikua në gijotinë dhe koka e Luigjit XVI.
Shqipëria ka plot heronj, nga ata të pushkës dhe nga ata të penës, që u përpoqën për të ndriçuar mendjen e varfëruar nga otomanizmi. Por viteve të fundit nuk është se kemi nxjerrë ndonjë hero.
Kjo ka dy mundësi, ose ne jemi të paaftë, ose ne dimë mirë t’ia hedhim bythës e të dalim pa lagur. Vija e kuqe është aty, por asnjëri prej nesh nuk ka guxuar ta kalojë atë.
Në Shqipëri nuk vritet njeri për punë idealësh, vetëm kur banditët heqin qafe njëri-tjetrin. Ka pasur gazetar të kërcënuar, të rrahur, të gjobitur nga Gjykata, por jo të vrarë.
Ndaj i vetmi gazetar martir, i vrarë në krye të detyrës, mbetet Rron Grabova, gazetari që gjallonte tek unë në një nga skutat më të errëta, por që gjithsesi nuk e lija të merrte jetë.
Dhe sot, sipas naivitetit tim artistik, ai gjendet i vrarë për fjalën e lirë, sepse zbuloi një korrupsion dhe nuk pranoi ta mbyllte gojën. Por kjo është vetëm një e vërtetë artistike. Një iluzion letrash. Realiteti flet ndryshe. “Reporterët pa kufij nuk e rreshtojnë Shqipërinë në listën e vendeve ku shtypi i lirë në tërësi, apo gazetarët në veçanti, kanë probleme të rënda.
Por as kjo nuk është shenjë e mirë!

Saturday, December 21, 2019

Reportazh/ Atmosferë dramatike në pragun e festave të fundvitit


nga Leonard Veizi

Fund dhjetori. Ditë pushimi. Sa ngrihem në mëngjes, pa larë sytë dhe dhëmbët dhe pa i hequr briskun fytyrës, i propozoj gruas:
Çdo bëjmë sot? I fusim një rrugë andej nga Mulleti a Bërzhita e hamë ndonjë pjatë mish?!
Gruaja tund kokën si për të më thënë se po dëgjonte çudinë më të madhe, pas rënies së tërmetit të 26 nëntorit.
Aty e ke mendjen ti, te pjata e mishit. Nuk e di që jemi drangull në shtëpi!? Apo nuk jeton me situatën?!
Epo ne drangull kemi qenë gjithmonë. Si në kohën kur ndërtonim socializmin me forcat tona ashtu dhe në vitet e Ekonomisë së Tregut me ndihmën e të tjerëve. “Tek e fundit, ç’punë kam unë me drangullin”, desha t’i kthehesha gruas, por në çastin e fundit ndërrova mendje.
- Epo ç’urdhëron moj zonjë... Nga t’ia mbajmë?
U ngritëm për të bërë ritualet e mëngjesit dhe pastaj u mblodhëm bashkë me fëmijët në tryezë si për të marrë vendimin më të mirë të mundshëm.
- Unë them të bëjmë një pazar, - flet gruaja, ndërsa kalamajtë zgurdullojnë sytë. - E nisim nga tregu fshatar se i mbajnë çmimet më lirë. Nuk është shumë larg, shkojmë në këmbë. Fëmijët nuk po i marrim. Pastaj po na vijnë festat dhe duhet të jemi të përgatitur. Furnizohemi mirë e mbledhim mendjen.
Prishur mos qoftë. Ditën e pushimit e bëjmë javën tjetër. Se po e nise ditën me pazar, aha... nuk e merr më veten. Zëre se ke punuar me kazmë apo ke bërë normën në qilizmë. Pastaj ka të drejtë gruaja, Krishtlindjet, Viti i Ri. Se ne në Shqipëri jemi si punë paganësh, i festojmë të gjitha. Presim të na hyjnë dhe festat hindu, se me këto të Lindjes së Mesme jemi rrafshu. Epo... shpirtin shejtanit nuk do t’ia japim. Punë e vetëm punë. Se ne nuk jemi as në Gjermani o të keqen.
Qyqja! - ia pat gruaja sa futemi tek tregu. - Qenkan shtrenjtu të gjitha.
Sa nuk më pushoi zemra. Mendova mos po binte përsëri tërmet e nuk po e ndjeja. Ka 30 vjet i njëjti refren. Bota i ul çmimet për festat, ne i ngremë. Tek e fundit nuk është ndonjë çudi e madhe.
Po ç’na ngatërron me djathëra e sallame gjithë yndyrë, - i them. - Unë them ta shtrëngojmë një çikë dorën. Se kam ndër mend që nga 1 janari 2020 të filloj dhe dietën.
Sapo isha njohur me një metodë të re që prej pak ditësh, e kisha lexuar në internet dhe isha fiksuar pas saj. Në fakt, asnjëra nuk më kishte dhënë efekt deri atë çast. Por kisha besim të patundur tek kjo e fundit.
Pika dietës tënde. Pastaj hallin tënd kam. Po kalamajtë?
Përsëri ka të drejtë gruaja. Epo Viti i Ri. Duhet të gëzojmë. Të hamë e pimë sa të na dhembi barku. Nga 1 janari e tutje ka lezet dieta. Jo për gjë por s’ke dhe nga ia mban, se buxheti ka shkuar në fund dhe duhen ca kohë të mbledhësh veten.
Shkojmë në ndonjë qendër tregtare. Marrim dhe kalamajtë e u bëjmë ndonjë dhuratë për festat.
Demek nga tregu fshatar në atë qytetar. Epo gjysma e së keqes. Më duhet të marr makinën. Të paktën nuk do më zgjaten krahët si tek tregu i fshatarëve.
Te qendra tregtare dukej sikur ishte dyndur gjithë Tirana.
-Ç’ka ndodhur?
50 përqind ulje, - më drejton gruaja vështrimin nga një tabelë e madhe.
Hymë brenda. Humba ekuilibrin nga njerëzit që vinin vërdallë.
Uau! - ia pat përsëri gruaja sa kishte në kokë. - Kam qëlluar me zemër të fortë se do kisha vdekur ne vend. - I ke parasysh, si këto këpucët, në të dalë të sezonit në Milano i gjetëm për 5 euro, këtu me 50 përqind ulje janë 50 euro.
Nuk më kujtohej ky detaj nga udhëtimi i fundit në Itali. Por për një gjë isha i sigurt: që çmimet ishin skandaloze.
Po pse s’i bleve në Milano e kishim rënë rehat?
Gruaja ngriti supet pa dashur t’i bashkëngjitet sarkazmës time.
S’ma mori mendja.
“Herën tjetër”, thashë me vete. Mbase lirohen dhe biletat e avionit.
Vazhduam guidën tonë. Fryma po më zihej. Temperatura e ambientit ishte si në ditët e plazhit të korrikut. Njerëzit ngarkonin karroca me ushqime dhe shkonin me nxitim t’i hidhnin në bagazhet e makinave. M’u krijua ideja e një situate paniku. Para sysh më kaluan imazhet e vitit 1991 kur na thanë se kishte vetëm 6 ditë bukë. Unë vetë, pasi çava në radhë te furra e bukës, mora katër copë. Ti kishim rezervë. Kur shkova në shtëpi gjeta dhe tre të tjera. U furnizuam ding, të kishim bukë pas 6 ditësh. Se kush e di kur do na dërgonin grurë Fuqitë e Mëdha. “Grurë, grurë... Kulakët nuk kanë brirë,... ja kështu nisin e trashin zverkun... Stalini do na sjellë sigurisht... Maunet janë ngarkuar. Maunet apo vaporët???”.  Nisa të qesh me vete sepse m’u kujtuan ca batuta nga romani “Përballimi” i Teodor Laços. Me sa duket zija e bukës na paska kapur përsëri e nuk e kemi kuptuar.
-Mos shpenzo shumë, - i them gruas, - të paktën të na mbetet ndonjë lek sa të hamë ndonjë pjatë supë aty te vetëshërbimi se po na bie barku.
-Ekzakt mor jahu! - ma kthe ime shoqe. - Ikim, se këtu qenka një variant modern i Medresesë kineze.
Ç’na u kruajt të linim rrogën e muajit nëpër tezga. Unë për vete bleva vetëm një çakmak 40 lekë të reja. Të vetmit që u vinte buza vesh më vesh ishin fëmijët që kishin marrë dhuratat e kërkuara. Drejtohemi për nga vetëshërbimi. Radha kishte shkuar 12 metra. Pjatat plastike mbusheshin me kapul: pure, lazanja, musaka, qofte e salsiçe.
Hani o vëllezër hani, sa më shumë yndyrë. Po këtu në Tiranë nuk bën as ftohtë...
Fillova të shfryja. “Pa ngrënë keni mbetur?”, - shpërtheva. Tre veta kthyen kokën. Ca të tjerë bënë sikur nuk dëgjuan. Doja të ikja, por zorrët po më kërcisnin.
-Mos bërtit aman, - m’u lut gruaja, - se ty të kuptoj më mirë kur nuk flet.
Posi pra.
Atë çast gruaja mori dhe vendimin vetëmohues që më preku pa masë, të qëndronte në radhë derisa të mbushte pjatat. Unë u lirova nga detyra.
-Supë dojë zotrote?
Edhe një pjatë pilaf, po qe se të dalin paratë.
Derisa të vinte ushqimi u ulëm dhe hapëm celularët. Secili të vetën. Iphone-i im po del nga moda. Nuk ma mban të blej një të ri. Lajmet vërshuan në ekran: Vetingu, SPAKU, ambasadorja e re, fondet për të pastrehët e tërmetit... Pirdh, pirdh...
Më mirë të kaloja te fashat e Showbizz-it, se sa me politikën e ditës. Me këtë rast çlodh dhe sytë. Është edhe fasha e sportit, por nuk ajo anë nuk para ia them. Një ditë ngatërrova Maradonën me Messin. Epo, të dy me “M” fillonin.
Papritur u ndjeva i lodhur. Shumë më i lodhur se kur mbaja trastat me ushqime që më zgjatën krahët. Kisha nisur të flisja përsëri nën zë: “Vari trapin politikës...”. Në mënyrë krejt instinktive. Fëmijët qeshnin me mimikën time. Isha gati t’u bërtisja, si për të shfryrë tërë dufin e asaj dite pushimi që më kishte ikur kot. Papritur, si për të na shpëtuar të gjithëve, erdhën pjata. Sherret u shuan që në gjenezë.
Ne u shtruam të hamë dhe mbyllëm gojën.

Monday, December 16, 2019

“Fjala”, ky tundim kaq i madh


Nga Leonard Veizi

“E para ishte fjala…”, thuhet në Dhiatën e Vjetër. Për më tutje nuk rrekem të perifrazoj asgjë më shumë se kaq. Sepse në të kundërt, do të më duhet të drejtohem për regjistrim e marrje leksionesh në institutin jezuit të fretërve, ose atë françeskan, nëse më pranon kush.
E shkëputa këtë fjali nga Bibla e Shenjtë, pasi dua të shtroj një argument të stërnjohur, por këtë herë sipas meje natyrisht, gjë që më del herë ballazi e herë tërthorazi, sa herë ulem të shkruaj. E gjitha kjo mund të marrë ndopak vlerë, por dhe mund të shumëzohet me zero në infinit, pasi me shkrime të tilla janë mbushur tej e mbanë librat e analistëve “gjitharmësh” dhe muret e gjirizeve publike, ku mendimet origjinale e të paturpshme shkruhen pa drojë.
“E para ishte fjala…”, thuhet në hyrje të dëshmisë së Gjon Pagëzorit.
Mund të ketë edhe 99 kuptime të tjera ky fragment frazeologjik, por ajo që më vjen më përshtat, është se në kapitullin “Mishërimi i Fjalës” shprehja merr kuptim universal, domethënë hyjnor, dhe më pak tokësor, që do të thotë se po të kapet, jep masë elektrike e me pasoja. Kjo ka të bëjë me thënien e fjalës, pra të një mendimi të lirë dhe fare të pa censuruar, që vjen nga kohët për të sjell diçka të paperceptueshme, ose udhëton për në një destinacion transparent.
Përndryshe ç’kuptim kishte që “Fjala” të ishte e para.
Çuditërish Bibla nuk parashtron, fjala vjen se: “E para ishte buka…”, që me siguri do të nënkuptonte mbushjen e barkut deri në grykë, me mish, raki e… fruta deti. Për më keq se kaq, Bibla nuk i mëshon as idesë se “E para ishte paraja…”. Sepse me siguri kjo do të na tundonte aq shumë të gjithëve, sa do ta sfidonim njëri-tjetrin për t’u bërë, në mos bankierë e anëtarë bordi, të paktën nëpunës banke ose punonjës security-je, në hollin e saj.
Po përse “Fjala”?
Sërish mund të dalin 99 pikëpyetje të tjera. Por në argumentimin tim më vjen më për shtat të them: Sepse robi kërkon ta thotë një fjalë djalli e mori, një mendim të lirë pa censurë dhe pa auto ç’është më e rëndësishmja, edhe pse kjo mund t’i kushtojë ca si shumë shtrenjtë, kur rasti nuk është oportun.
Ndaj dhe Bibla, sipas meje, ka dashur t’i japi ligjshmëri fjalës, ndoshta duke e marrë thellësisht në konsideratë atë aq Aristoteli kishte thënë ca shekuj më parë se “njeriu është një kafshë politike”. Pra “kafsha politike” në këtë rast është njeriu që komunikon, apo thënë ndryshe: që i jep gojës edhe atëherë kur nuk duhet. Mirëpo ja që në Bibël, fjala na qenka e para, ndërsa në vitet moderne të “Hi Tech”-ut, fjala e lirë mbrohet me ligj.
Ndaj është e rëndësishme ta përsërisim sot e gjithë ditën: “Fjala është e para”. Për më tepër sot, kur liria e fjalës i ka fituar betejat e mëdha ndaj censurës, apo asaj që në zhargonin e përditshëm e quajmë: mbyllja e gojës.
E që të mos ngatërrohemi, fjala e lirë nuk ka të bëjë shumë me propagandën, edhe pse aty llomotitet pa fund për bëma dhe idera strategjike. Por kjo nuk është se ka ndonjë rëndësi të veçantë në këtë mes. Ajo që dua të them për së fundi është se tanimë, zërin në gazetë, radio, a portal televizion nuk e ndalon dot kush.
Ai është i destinuar të mbetet në eter.
Dhe kaq na duhet për të shkuar më tej. Sepse kushdo ka të drejtë ta thotë mendimin e tij, edhe kur çirret me portavoce para një turme njerëzish që e dëgjojnë plot adhurim, por dhe kur është i vetëm në shkretëtirën përvëluese a në stepën siberike dhe mendimet e tij ia thotë me zë të lartë vetëm vetvetes.
Tek e fundit, “Fjala” ishte e para dhe është e para, sigurisht.

Wednesday, December 4, 2019

Maksim Zotaj: Ju rrëfej masonët e Shqipërisë. Pse Nano, Rama dhe Enver Hoxha s’janë pranuar në “Loxhën Blu”


Intervista me frimasonin shqiptar të Lozhës Blu në Nju Jork: Ja sekretet që mbaheshin të kyçura




nga Leonard Veizi

Kur zbriti nga shkallët e “Boeing 737 8F2” në “Airoport Rinas” ai e kishte të qartë se cili ishte synimi i tij i afërt. Donte ta bënte të njohur “kodin e fshehtë” që mbante brenda vetes. Askush nuk e ndiqte si të dyshimtë, dhe rreziku që të vihej nën pranga si anëtarë i një shoqërie të fshehtë, nuk ekzistonte më. Kohët kanë ndryshuar. Por realiteti i ri, fillimisht, nuk dukej fort premtues. S’ishte e lehtë të paraqiteshe poshtë “maskës” së një emri që kishte shkaktuar një “turbulencë aktive”, në auditorin shqiptar, sidomos pas publikimit të romanit të njohur të një shkrimtari amerikan. I “fshehur” pas emërtimit të një shoqërie sekrete, anëtarët e të cilës kishin qenë burra të pushtetshëm në botë, ai dukej jo më si i ardhur nëpërmjet një linje ajrore, por si i rënë nga qielli, me një mision krejt të padeshifrueshëm. Mosbesuesit nuk e morën seriozisht deklarimin e tij, se ai ishte “oficer” pa grada dhe yje mbi supe, por me një unazë dhe medaljon ku vizatoheshin kodet e fshehta. Por pak më vonë do të ndryshonin qëndrim...

...Tirana ende nuk e ka Lozhën e saj dhe përpjekjet për të pasur një të tillë duket se do të kushtojnë edhe disa vite të tjera pune. Por Maksim Zotaj, një frimason shqiptar i Lozhës së Nju Jorkut, me emërtimin “Mjeshtër në Lloxhën Blu”, mendon se Shqipëria ka një potencial të vërtetë njerëzish të cilët “hap pas hapi” do të plotësojnë kushtet për t’u bërë pjesë e shoqatës aq shumë të përfolur sot në botë, asaj të masonëve. Gjatë një interviste për “Telegraf” Maksim Zotaj, rrëfen se si u bë pjesë e organizatës së fshehtë, e cila tanimë nuk konsiderohet më si e tillë:
Cili qe kontakti i parë me ata që mbajnë emrin “mason”?
Kam jetuar në Amerikë që nga viti 1995. Dy vite më pas, pothuajse krejt papritur, rrashë në kontakt për herë të parë në jetën time, me një mason të Lozhës së Madhe të Nju Jorkut. Ky njeri, në mënyrë krejt të çuditshme filloi të më fliste për masonët dhe masonizmin, por unë nuk isha në dijeni se ç’ishin masonët dhe çfarë përfaqëson ata si filozofi dhe si urdhër. E thënë pak më ndryshe, unë isha thjesht një injorant në këtë fushë dhe ato pak gjëra që kisha dëgjuar ose i kisha lexuar aty këtu më informonin që masonizmi nuk është gjë e mirë. Mirëpo vëllai im i ardhshëm Davit Stenbar ishte shumë këmbëngulës në idenë e tij që unë vërtet ndonjë ditë mund të bëhesha një mason i mirë. Kjo më mori vite të tëra duke biseduar me Stenbarin që unë më në fund të dorëzohesha apo të bindesha që masonizmi ishte vërtet diçka shumë e mirë dhe unë patjetër do të isha pjesë e këtij urdhri që është i famshëm dhe ka mbijetuar për mijëra e mijëra vite me radhë. Për çudi, pasi unë mora titullin dhe u ngrita në nivelin e “mjeshtrit” në 30 mars të vitit 2003, e pyeta vëllanë Stenbar: “Përse ti për dy vjet me radhë këmbëngule që unë të bëhesha frimason?” Ai m’u përgjigj thjeshtë; “Jemi ne Maks që tërheqim nga jashtë brenda kandidatët e mundshëm për t’i bërë frimason, dhe arsyeja tjetër që unë isha i palëkundur që ti do të bëheshe i tillë. Është prirja juaj për të blerë dhe lexuar libra që çuditërisht, kishin një përmbajtje humanizmi dhe diturie universale”. Vëllai Stenbar, është një afrikano-amerikan që i përket lozhës së madhe të Nju Jorkut dhe pikërisht Franklit Llozh 0447 e Distriktit 4 të Manhatenit. Kështu unë pra fillova karrierën e mjeshtrit të masonëve dhe jam i klasifikuar në grupin e oficerëve me gradën “Mjeshtër me eksperiencë” brenda Lozhës Blu Masonike.
Cilat kanë qenë marrëdhëniet historike të Shqipërisë me Masonët?
Kur unë arrita nivelin e mjeshtrit mua më lejohej tashmë që të merrja pjesë në ritualet e Lloxhës në të tri nivelet e saj. Nga ky shkak fitova titullin “Mjeshtër Mason”. Ishte fakt që në këtë kohë edhe anglishtja ime kishte arritur një standard të mirë komunikimi. Çuditërisht gjatë ritualit i cili është ende më i vjetër dhe shpesh herë thuhet se vjen nga thellësia e shekujve, shumë fjalë dhe fjalëkyçe që përdoreshin gjatë ritualit ishin thjesht fjalë shqip. Ajo ishte vërtet surprizë sepse shpesh kur diskutohej për to, masonë të ndryshëm nuk e dinin se nga vinte origjina e këtyre fjalëve dhe jepnin një përgjigje steriotipe, duke thënë se këto fjalë mund të vijnë nga latinishtja, ose greqishtja e vjetër. Mirëpo unë siç duket e kisha fatin e vetëm t’u thosha atyre se këto fjalë vijnë nga shqipja, për faktin e vetëm se në gjuhën shqipe këto fjalë përdoren me të njëjtin kuptim sot e gjithë ditën. Këto nuk i gjen as në latinisht dhe as në greqishten e vjetër. Kjo ishte çudi. Këto zgjuan tek unë kureshtjen dhe dëshirën për të kërkuar më thellë në fenomenin gjuhësor të këtyre fjalëve. Disa vite më vonë, me ndihmën dhe të disa masonëve të tjerë, po aq entuziast sa unë, arrita të gjej dhe fakte të tjera që kanë të bëjnë me traditën masonike edhe në truallin shqiptar. Por më e rëndësishmja që unë mund ta theksoj në këtë intervistë është fakti se në enciklopedinë e përgjithshme masonike, përmendet emri i Albanit të Shenjtë. Sipas kësaj enciklopedie Albani i Shenjtë, ishte një inxhinier ndërtimi, apo arkitekt, i cili merrej me ndërtime banesash dhe harqe urash, por njëkohësisht ishte dhe praktikues i masonizmit si filozofi. Kështu ishte i pari masoni, asaj kohe, që shkon në Angli në vitin 298 në periudhën e sundimit të perandorit romak Konstantus Klorus, i cili ishte babai i Konstandinit të Madh, një ilir nga Nishi. Është ky, Albani i Shenjtë, i cili çoi për herë të parë në teori dhe praktikë masonizmin edhe si paradoks ose shpërblim i asaj që bënë të parët tanë mbas 1700 vjetësh duhet të vijë një frimason si puna ime që të vendosi në vend pas një shkëputje kaq të gjatë masonizmin në Shqipëri që sot ka në historinë botërore atë emër dhe reputacion që çdokush do ta ëndërronte. Në rrjedhën e shekujve qysh gjatë perandorisë maqedonase, romake, bizantit e osmane, masonizmi nuk ka qenë shuar kurrë. Ai ka vazhduar të mbijetojë edhe në tokat e ilirëve apo shqiptarëve të sotëm.
A ka pasur emra të shquar shqiptarësh në rrjetin e masonerisë?
Ne mund të përmendim pa frikë, Aleksandërin e Madh, një numër perandorësh ilir, po ashtu perandorë të Bizantit që ishin me origjinë shqiptare. Por veçanërisht, periudha e rilindjes evropiane dhe asaj shqiptare, është shquar për një numër emrash si; Jeronim De Rada, Sami e Abdyli Frashëri, Hoxha Tasim, Mithat Frashëri, Vaso Pasha, Simon Bolivari (që kishte lindur në Shkodër), Mehmet Aliu i Egjiptit, Ataturku, Ismail Qemali, Nuredin Bej Vlora, Lasgush Poradeci, Nikolla Naço, Petro Nini Luarasi, Faik Konica etj. Këta jo vetëm që ishin masonë, por ishin dhe patriotë të mëdhenj, iluminist dhe njerëz që luftuan për progres. Nuk është rastësi, që Sami Frashëri thoshte: “Se drita e diturisë përpara do të na shpjerë”. Kjo tregon që masonizmi është jo vetëm filozofi universale, por ka dhe nota të theksuara patriotizmi gjë që vjen natyrshëm si pjesë e filozofisë dhe i zhvillimit human.
Pretendohet se disa politikanë e drejtues shteti shqiptarë kanë qenë Mason. Sa e vërtetë është kjo?
Bindja ime është se nuk ka masonë të mirëfilltë në Shqipëri, brenda të gjitha rregullave dhe normave masonike. Megjithëse edhe unë si shumë të tjerë kam dëgjuar që ka masonë të tjerë në Shqipëri, të ardhur nga Turqia, Franca, Italia apo Greqia, por seriozisht dua të them se këta njerëz nuk plotësojnë kushtet elementare për t’i thirrur masonë. Kjo është një mjegull që është përhapur në popull nga disa ish-punonjës të shërbimit sekret të cilët janë mjeshtra në përpunimin e propagandës në Shqipëri, duke shpërdoruar emrin e mirë dhe famën e masonëve të thelb. Ka pasur disa artikuj në shtypin shqiptar pas vitit 1998, që janë marrë me këtë temë, por vetëm se kanë krijuar një konfuzion më të madh me konceptin e të qenurit mason dhe filozofisë së masonizmit në përgjithësi. Midis tyre dua të përmend disa politikanë që mashtrojnë njëri tjetrin përballë opinionit shqiptar me pretendimin se janë mason. Për shembull pa sens është deklarata e Fatos Nanos në një intervistë televizive duke atakuar një tjetër politikan, Edi Ramën, si “mason i pasur”. Po kështu është folur poshtë e lart për Enver Hoxhën sikur na paska qenë një mason francez. Por e vërteta që njohim ne është se këta jo vetëm që janë politikanë që kanë probleme të mëdha, por këta janë dhe njerëz me kushte jo të mjaftueshme për t’u bërë mason. Ndërsa Fatos Nano vetë indirekt nëpërmjet njerëzve të tjerë ka shprehur dëshirën për t’u bërë mason, por dhe ky si dy të parët nuk i plotëson kushtet për t’u bërë masaon. Kjo është tabloja masonike  në Shqipëri deri në lindjen e shoqatës së miqve të masonëve.

Deklarata
Shoqata e masonëve në Shqipëri
Pas një periudhe të gjatë në Amerikë dhe i mësuar tashmë me idenë se në Shqipëri nuk ka masonizëm vendosa të kthehem në Tiranë. Pas gjithë këtyre vitesh i pajisur me një njohuri të thellë mbi masonizmin, më kishte lindur dëshira që të mos e shikoja më Shqipërinë pa masonë dhe pa lozhë masonike. Duke pasur parasysh lidhjet tradicionale të vendit tim me masonizmin më dukej e pamoralshme që ne të mos kishim lozhën e madhe të Tiranës. Nga ky shkak, sapo erdha në Shqipëri, fillova të kërkoj dhe të pyes se mos ndoshta ishin kthyer masonë shqiptarë që kanë jetuar në vende të tjera të Evropës gjatë këtyre 20 viteve të fundit. Dhe sipas ligjit të vjetër të masonizmit, dy masonë duhet me doemos të komunikojnë me njëri-tjetrin e të krijojnë kushte për ngritjen e një lozhe masonike. Por fatkeqësisht megjithë përpjekjet e mija duke u shtuar faktin edhe të daljes time nëpër intervista televizive, apo nëpër gazeta askush deri më sot nuk ka ardhur tek unë asnjë person, që të më deklarohet si mason, që pastaj unë t’i jap shenja njohje dhe bashkëpunimi. Në fillim flitej për disa lozha të ashtëquajtura masonike, të ngritura në Tiranë dhe në Korçë, por për mua deri më sot ato kanë rezultuar inekzistente. Kështu që në këto kushte më lindi e drejta e cila buron nga pozitat e mia masonike, siç është titulli i “mjeshtrit” dhe veçanërisht “mjeshtri me eksperiencë i ceremonive”, që të ngre lozhën e parë masonike me masonë shqiptarë. Padyshim që në Shqipëri ka kandidatë të mrekullueshëm për t’u bërë mason, por koha që procedohet për t’u bërë mason është e gjatë. Ajo kërkon si minimum 10 vjet për të arritur titullin e mjeshtrit. Në Shqipëri ekziston një lëvizje masonike dhe një koncept i përgjithshëm pozitiv ndaj masonëve, por kjo nuk mjafton. Unë personalisht jam kujdesur që të hyjë një literaturë masonike fillimisht dhe në tregun e librave kanë dalë dhe librat e parë mbi historinë e masonizmit dhe mbi filozofinë e tij. Kjo nuk mjafton por ja që ne jemi në fillimet tona. Gjatë dy viteve e gjysmë të kthimit tim në Shqipëri, jam takuar me shumë njerëz të cilët kanë treguar interes të njohin masonizmin në përgjithësi dhe disa individë kanë shprehur dëshirën e drejtpërdrejtë për t’u bërë mason. Nga ky shkak unë dola në konkluzionin që masonizmi nuk fiton shumë nga biseda nëpër kafene apo rastësi të tjera. Masonizmi kërkon punë dhe që ai të praktikohet kërkon lozhën e vet. Për momentin, nga kjo pikë investimet duket të mëdha dhe të paarritshme, por duke përdorur politikën “hap pas hapi”, siç thonë masonët, asgjë nuk është e pamundur. Dhe me 13 nëntor, unë bashkë me një grup aktivistësh e dashamirës të masonizmit hodhëm hapin e parë serioz drejt kësaj ideje. Për herë të parë ne dolëm përballë opinionit shqiptar me shoqatën “Miqtë e masonëve”. Në përbërjen e këtij grupi janë disa individë shumë interesant dhe qytetarë të mrekullueshëm të Shqipërisë të cilët nisën odisenë e tyre për t’u bërë mason. Shoqata miqtë e masonëve, konsiderohet një paradhomë ku do t’i çojë ata në lozhën e vërtetë masonike. Ky është një lajm i mirë dhe ne që i hymë kësaj punë e kemi shpresa të mëdha. E gjithë shoqata drejtohet me qëllimin e seleksionimit dhe e përgatitjes së kandidatëve të rinj shqiptarë për t’u bërë mason dhe gjithashtu krijimit të lozhës së madhe të Albanit të Shenjtë në një të ardhme të afërt. Ne kemi një organizim legal tashmë, brenda gjithë ligjeve të shtetit shqiptar, dhe kushtetutës.

Historia
Masonizmi në botë 
“Përsa i përket masonizmit botëror pretendohet se ai ka ekzistuar mbi 3000 vjet më parë. Në fakt janë gjetur evidenca shumë përpara krijimit të piramidave për ekzistencën e masonizmit, por masonizmi modern, ky që njohim sot, datën e tij të fillimit e ka në 1717, kur katër lozha indipendentë të Londrës u bashkuan në një të vetme dhe krijuan lloxhën e madhe të Londrës. Mbas lozhës së madhe të Londrës, u krijuan disa lozha të tjera në harkun e 15 viteve. Në 1840 ish ngritur Grand Orienti i Parisit, Lozha e Madhe e Prusisë, e Vjenës e Gjermanisë e pak më vonë e Italisë dhe kështu me radhë. Ky quhet masonizmi spekulativ, por jo në kuptimin e keq të fjalës. Por një murator dhe një mbret qëllonte që të ishin masonë në të njëjtën lozhë dhe ne e dimë që një mason përkthehet “murator”. Por fjala mbret nuk përkthehet; murator. Kështu që në aspektin spekulativ, ata të dy ishin masonë brenda lozhës. Pra në lozhë tashmë, masonët aplikonin ritualet dhe studionin historinë universale të njeriut, dhe raportet e tij të dukshme dhe të padukshme, me kozmosin ose universin. Në 1917 ne kiskim emra të mëdhenj masonësh të cilët janë pjesë studimi të sistemit botëror të studimit. Emra si Isak Njuton, Kristofor Marlou, Xhejms Huku, Bajroni, Robert Bërns, Uollter Skot, Uiston Çërçill, Viktor Hygo, Lenini, Stalini, Leon Trocki, Volteri, Maksimilian Roberspieri, Garibaldi, Mazini, Dante Aligeri, Mozarti, Bethoveni, Vagneri, Henri Hajne, Tolstoi, Aleksandër Sergejeviç Pushkin, Pjetri i Madh, dhe shumë e shumë emra të tjerë të cilët në një mënyrë apo në një tjetër i kemi hasur të gjithë këta emra nëpër librat ku ne u edukuam dhe u ritëm me frymën e të qenurit qenie humane. Si rezultat i kësaj realizohet në praktikë thënia e famshme masonike që për të bërë një mason të mirë, duhet të zgjedhësh një person me reputacion të mirë dhe me nivel të lartë edukimi dhe kur bëhet “Mjeshtër Mason”, ai është ngritur në një nivel shumë të lartë human dhe shembull pozitiv e shumë influencues për gjeneratat që vijnë pas. Këta masonë quhen mendjendritur, dhe tepër revolucionarë në procesin e ndryshimit të jetës”.
  
Gazeta Telegraf - Intervista është zhvilluar në 25 nëntor, viti 2009


Tuesday, December 3, 2019

Çmimi i jetës dhe dilema: Të rrosh a të vdesësh



nga Leonard Veizi

 “Të rrosh a të mos rrosh”.
Çështja, sipas këtij versioni zyrtar, është shtruar për zgjidhje që në shekullin e XVI. Por taksirati ynë që enigmën e kësaj pyetjeje nuk e kemi gjetur dot as sot.
Në ditët e një ekonomie tregu pa kthim, njerëzit nuk e vrasin mendjen shumë për filozofira dhe as për të zgjidhur çështje që kanë mbetur pezull prej 500 vjetësh. Në është zgjidhur, mirë, në nuk është zgjidhur në djall të vejë. Sot pikëpyetja e madhe e ditës është: Si të bësh lek? Domethënë kur themi lek, zëre se kemi thënë dhe euro, dollarë e paund.
Mirëpo, një ditë të bukur vjen tërmeti. Edhe kur vjen natën njëlloj është. Ai nuk të pyet fare, je i pasur, i varfër, njeri publik e me reputacion të lartë apo pacient i spitalit psikiatrik. Ai thjesht të tund të të shkund me ç’ke. Nëse ke bërë para boll dhe i ke shndërruar në prona të patundshme, t’i rrënon deri në themel. Nëse ke preferuar t’i mbash në letër dhe paratë i ke siguruar në bankë, ai thjesht të gropos bankën pesë pashë nën dhè, e ty të mbetet karta e kreditit në dorë. Atë mbaje ta kesh, se si dihet. Sa për paratë, “eja t’i marrësh kur të çlirohet Shqipëria”.
Thënë shkurt: një fuqi e madhe si tërmeti, t’i çon në zero të gjitha investimet e jetës. Dhe ti mbetesh përsëri në dilemën: Të rrosh a të mos rrosh, kjo është çështja.
Se, fjala vjen, po të jesh nga 65 a 70 vjeç dhe të duhet t’ia nisësh nga e para, është ca vonë. Si t’ia bësh, të marrësh rrugën e emigracionit me objektivin e largët për të bërë 1 milion dollarë.
Kështu që menjëherë pasi ke psherëtirë fort, “shyqyr që shpëtoi koka”, vjen dhe tjetra, “pse nuk më mori me vete, por më la në këtë derexhe”.
Dhe nga ky çast nis avazi. Ka nga ata që të afrohen vërtet për të të dhënë një dorë ndihme. Ashtu siç ka nga ata që edhe në derexhenë ku ke rënë, mundohen të të shesin ndonjë gjë nga malli stok.
Ja, këtij i them biznesmen unë. I qëndron punës në kokë.
Edhe ky tërmet na kujtoi shumë gjëra. Na kujtoi se jemi të vdekshëm, në më pak se 30 sekonda. Na kujtoi se i gjithë investimi i jetës të kthehet në zero e të duhet t’ia fillosh sërish nga e para. Por na kujtoi se në raste të tilla rreziku, na gjendet një dorë ndihme për të na nxjerrë nga rrënojat e për të na lehtësuar ta hedhim hallin e madh.
Dhe pasi ka kaluar e keqja, njeriu bën bilancin me veten, duke vënë dhe pikëpyetjet e mundshme. A duhet të jem më i mirë pas gjithë kësaj? A duhet të fal më shumë dashuri?? A duhet që nga kuleta te xhepi i brendshëm i xhaketës, të shpenzoj ca para për humanizëm???
Ama gjete çfarë të thuash. Gjithë kjo mirësi pa arsye.
Sapo ke shpëtuar nga një bllok betoni që gati sa nuk të ka rënë mbi kokë, njihesh me faktin se ca ndihma që po vinin drejt teje, d.m.th ndonjë batanije, ca miell, oriz e vaj, i ka vjedhur dikush. Domethënë një person a një bandë, ç’rëndësi ka.
-Si ore i vodhën? Po a shtyhet poshtë ai oriz e ai vaj...?
Shtyhet që ç’ke me të, po ta bësh pilaf sidomos.
Sërish kthehemi te zeroja. Domethënë asgjë nuk harrohet. Më parë se kamioni i ndihmave, vjen hajduti, grabitësi. Vjedhjet shtohen, korrupsioni po ashtu. E përse na u dashka të bëhemi më të mirë. Vetëm pse pamë vdekjen me sy? Hiç o fare. Ne ia hodhëm pas ‘97-ës kur kërciste kallashnikovi nga t’i donte qejfi, e jo më tërmetit.
Duket se në çaste të vështira njeriu nxjerr anën e tij më fisnike. Kjo ka ndodhur gjithmonë dhe me shqiptarin. I pritëm kosovarët 20 vjet më parë, na pritën ata 20 vjet më pas. Por ç’e do, s’të le njeri t’i gëzohesh këtij fakti. Se paska nga ata që në të tilla raste nxjerrin anën e tyre më e errët. Përfitimi nga e keqja e tjetrit. Dhe kjo nuk është ndonjë gjë e rrallë. Ndaj, kur nuk je i zoti mbetesh sërish pa ngrënë, pa një batanije dhe vetëm me yjet mbi kokë.      
Merrini or vëllezër, merrini dhe këto ndihma që na i japin me aq zemër ata që mezi nxjerrin muajin për vete. Hani hallvë e pilaf sa t’u dojë xhani. Nuk mbarohet or jo, sado keq që jemi.
-Ore po se u kujtova, ajo Holanda a na solli ndonjë lek...? Jo, se, mungon në apel, andaj.
Ja, kjo është situata e jetës dhe e çmimit të saj në ditët e sotme shqiptare.
Dhe pas kësaj të del nga shpirti shprehja: “spekulatorët në litar”.
Po kush t’i çojë se...
Kështu si kanë shkuar punët në këtë vendin tonë duhet me jetu me kobure në brez. Ndërkohë që jeta ka treguar se dhe trimat nuk rrojnë gjatë. Ndaj dhe hallvën ta hanë dy herë, një herë me pjesën tënde nga miell i ndihmave, dhe një herë në restorant pasi të kanë përcjellë tek banesa e fundit.
Ja, sërish te zeroja u kthyem.
 “Të rroç' a të vdeç', kjo është puna”, thuhet në toskërishten bazë tek një film fort i njohur shqiptar. Me të drejtë.
Por cili është çmimi i jetës në Shqipëri? I barabartë me atë të vdekjes.
Joooooooo... Ku e ke dëgjuar këtë pazar.
Vdekja është me e lirë se jeta. Shumë herë më e lirë madje. Sot paguan paratë e dynjasë që ta blesh jetën. Paguan ndërtuesin që të të sigurojë kokën në një shtëpi. Paguan mjekun që të të operojë kokën. Dhe po nuk eci njëra prej këtyre dy investimeve më të mëdha të jetës të duhet të paguash një ceremoni modeste varrimi, sepse vdekjen e ke qyl.
Ja, kështu vajti kjo punë.
Ndaj dhe dilema hamletiane është ringritur po aq në art sa dhe më parë.
Të rrosh apo të vdesësh.
Ec e t’i japësh përgjigje të kam rixha.