Tuesday, October 25, 2022

QSUT-ja, spitali i shtetit në darën e klinikave private


Nga Leonard Veizi
 
QSUT nuk është në ditët e saj më të mira. Dhe kjo është një gjë që dihet tashmë. Madje ka vite që nuk është në ditë të mira në fakt. Por padyshim, që me pak mundim e me nerva të tendosura, aty mbaron punë, sipas rregullit, pa paguar asnjë faturë. Mirëpo meqenëse QSUT-ja nuk është në ditët e saj më të mira dhe jo rrallë bie dhe në ditë fort të këqija, në ndihmë të saj vijnë simotrat private. 
Sot alternativat janë të shumta. Kush të le të biesh në tokë?!
E gjitha performanca e spitalit shtetëror me siglën e çmuar “QSUT”, më erdhi në mend teksa dëgjoja moderatorin e një emisioni televiziv i cili ndërsa i bënte reklamë një spitali privat, këmbëngulte rreth adresës, e që njerëzit ta kuptonin mirë e të mos ngatërroheshin e të shkonin në ndonjë derë tjetër, saktësonte: Përballë QSUT-së. Domethënë, spitali privat përballë spitalit shtetëror. Në përfundim: nuk ka vlerë të thuhet emri i rrugës, por pika e referimit më e dukshme për këdo. Dhe a ka më të dukshme dhe më të njohur për çdo njeri në Shqipëri se sa QSUT-ja?
Edhe nga fshati më i humbur të vish, e s’ke qenë kurrë në Tiranë, QSUT-në e gjen me sy mbyllur. Ose me nuhatje më mirë të themi. Të çon halli vet deri atje. S’ka nevojë për kallauzë.
Reklama në fjalë ka dy anë të medaljes: E para se kërkon myshterinj. E dyta në njëfarë mënyrë kjo është dhe një thirrje: Mos shkoni në QSUT se do ktheni patkonjtë nga dielli, shkoni te spitali privat se do dilni prej andej shëndoshë e mirë si kokrra e mollës.
Një në dorë.
Se kur dy spitale janë ngritur pranë njëra-tjetrit, kjo nuk do të thotë bashkëjetesë paqësore. Kjo ka të bëjë me rivalitet mes tyre, kush të tërheqë sa më shumë pacientë e klientë bashkë.
Lek or vëlla, lek se o bo keq.
Dy në dorë.
Në të vërtetë sfida është e hapur për spitalin shtetëror. Sepse ai ka qenë aty prej shumë e shumë vitesh. Ahu... që në kohën e Partisë. Madje dhe ca më parë. Dhe vetëm vitet e fundit sulmi ndaj tij është bërë i paprecedentë. Ka prej tyre që do të donin ta shembnin spitalin shtetëror, se u prish mjaft punë.
Tre në dorë... e nuk po vazhdoj më.
Të gjithë ne e kemi pasur nga një hall që na ka lidhur me spitalin. Ata që kanë probleme po e po, por dhe ata që janë mirë me shëndetin. Se një vizitë e një qokë tek një mik a i afërt do ta bësh se s’bën. Dhe nuk është e vështirë të verifikosh se si spitali shtetëror është i rrethuar nga të katër anët nga spitale, klinika diagnostikuese, laboratorë analizash dhe farmaci private. Në këtë mënyrë spitali është futur në një darë të hekurt nga konkurrentët.
Se kur nuk mbaron dot punë te shtetërori, se helbete ashtu i ka hallet... tak-fak të vjen në ndihmë privati. Nuk të lë të bësh as 100 metra në këmbë se të sjell ambulancën në pikë të vrapit me fenelina e sinjale akustike të ndezur sa të të duket se po hipën në avion. Dhe faturën e këtij shërbimi e ke sa zbret.
Ku ka sot xhaba vëlla! Faturën me gjithë TVSH. Se kanë dalë për kontroll ata të tatimeve
Në fakt aty ka dhe farmaci dhe laborator analizash por dhe spitale që e rivalizojnë qendrën më të madhe spitalore në vend. Kur nuk ka ndonjë medikament, farmacia e spitalit të thotë. “Çap një vrap deri te privati se mbaron punë shpejt”. Të gjithë bëjnë kështu. Të dërgojnë edhe për analiza, kur nuk ka reagentë. Të çojnë dhe për diagnostikime kur prishet aparatura.
- Mbahu o burrë...
Përballë, djathtas-majtas e nga pas QSUT-së mbahet e rrethuar nga klinikat private. Por më dinjitozët janë ato që i qëndrojnë përkarshi. Ballë përballë.
-Ah të kishim një mitroloz në konakun përkarshi!
-Nuk mund të kalohet oborri o mullixhi!
QSUT-ja, si institucion shteti mbahet e rrethuar nga një mori institucionesh private të mjekësisë. Si në një darë të hekurt. Nuk guxon të dalësh nga porta e saj se përfundon te porta tjetër, s’ke nga ia mban. Dhe t'i kesh parametrat në vizë të drejtë do të ta nxjerrin ndonjë kleçkë që të të mbajnë varur. Si puna e gozhdës së Nastradinit.
-Unë them të asgjesojmë të kësaj ane, pastaj mbi urë dhe asgjesojmë të tjerët.
-Jo byrazer, në urë të fshin ai matanë. Ku do futesh?!
Epo rivaliteti i fuqishëm i ka këto gjëra. Se kështu është katandisur mjekësa jonë. Aq sa nuk i ke besë as shtetit e as privatit.
Dhe kështu, si padashur m’u kujtua intervista televizive e një politikaneje jo pa peshë, - por që bashkëshortin e ka më me peshë, - e cila tregonte për përvojën e saj të kurimit në një spital të Austrisë, ku kishte rastisur me një tjetër burrë shteti shqiptar, që zanatin e dikurshëm e ka pasur mjek kardiolog. Kjo ekspoze përkon dhe më keq në këto ditë të vështira sepse tregonte katërcipërisht se këta të dy politikanë të lartë, si dhe shumë të tjerë më të ulët, kur u dhemb koka e kanë nevojë për një aspirinë, marrin rrugën spitalore të botës se nuk i besojnë as QSUT-së dhe as klinikave private në vend. Dhe më e bukura është se as ish-mjeku që ka punuar vite me radhë në Spitalin Shtetëror nuk u beson kolegëve të tij.
Ja këtu fillon e mbaron shteti.
-Hajde ç’vete hajde, ngrihet i biri ia dhjet të atit!
Dhe tani ankohemi se gjermani po na merr mjekë e ndihmësmjekë e po na i degdis. Jo në kampe përqendrimi, se mos ngatërrohemi, nëpër spitale e me rroga të mira, të kuptohemi.
-Po ju ç’prisni, ëëëë... ikni dhe ju bashkë me atë të madhin dhe le të këndojë qyqja në këtë shtëpi!
QSUT-ja është aty ku ka qenë. Veç në territorin e saj të vjetër mbahet e ngujuar, si në shtetrrethim.

Wednesday, October 19, 2022

Mrekullia e natyrës, në Karavastanë e mahnitshme të rregulluar prej dorës hyjnore

 
Shënime udhëtimi

 

Nga Leonard Veizi
 
-Ajo është një mrekulli e natyrës. Aty Zoti ka vënë dorë për qëllimet e tij, ndërsa njeriu vetëm e shfrytëzon. Sepse po vuri dorë ai, me siguri gjithçka shkatërrohet. Dhe këtë e kemi dhënë me prova konkrete. Ujë dhe oksigjen, po aq sa dhe kur në botë nuk kishte ardhur konkurrenca e motorëve diezel. Pemë të rrëzuara nga “plakja” por jo nga prerjet. Dhe asnjë betoniere nuk e ka destinacionin aty rrotull. Veç kësaj, në tokë e hapësirë gjen zogj të rrallë që herë shtegtojnë e herë ngrenë foletë apo aty, por dhe kafshë të cilat i ndesh gjithmonë e më rrallë në pyjet e vendit....
...Guida elektronike tregon se për të mbërritur në lagunën e Karavastasë, nisur prej Tiranës, do të të duhet të përshkosh një rrugë prej 98 kilometrash për të paktën 1 orë e 40 minuta. Nëse do të anashkalosh autostradën e Durrësit dhe të marrësh atë të Elbasanit, guida të paralajmëron se do të bësh vetëm 5 kilometra më shumë dhe do të vonohesh vetëm 10 minuta për të mbërritur në destinacion, pra 103 kilometra rrugë që përshkohen për rreth 1 orë e 50 minuta.
 

Hyrja  në Park
Hyrja për në park kryhet nëpërmjet rrugës kryesore që lidh Divjakën me Parkun Kombëtar. Rruga e ndan pyllin në dy pjesë. Një shëtitore prej druri është ndërtuar me qëllim që njerëzit që duan të ecin në këmbë të përdorin këtë pedonale dhe jo rrugën ku kalojnë vazhdimisht makina.
E megjithëse një park i rrallë ku Bashkia ka marrë masa për të vendosur kudo kosha për mbeturina, njerëzit nuk janë fort të respektueshëm ndaj gjelbërimit përderisa edhe në një vend të tillë hedhin pa kujdes mbeturina plastike.
 

Filmi i Kinostudios
I gjithë pylli dhe territori i lagunës na kujton se një herë e një kohë ka qenë në pronësi të zotit Lam. Kjo sa për shaka. Sepse shumëkush e mban mend Vlashin, personazhin e njohur të filmit “Pylli i lirisë”. Filmi artistik i Kinostudios Shqipëria e Re, - prodhim i vitit 1976, - është realizuar në territorin e Divjakës dhe Lagunës së Karavastasë. Ai u mbështet mbi tregimin bazë të Naum Priftit: “Njeriu që ndiqte kuajt”. Bashkëpunimi i skenaristit Kiço Blushi me regjisorin Gëzim Erebara, nxori në dritë një prej filmave më të realizuar të Kinostudios, i cili – pavarësisht propagandës së kohës, - vazhdon të transmetohet në çdo kohë.
 
Kulla 360 gradë
Përndryshe quhet dhe si “Ballkoni i Divjakës”. Ajo është një kullë e cilësuar 360 gradë, pikërisht prej pamjes së plotë të terrenit që të ofron. Kulla 36 metra e lartë, e cila tanimë është kthyer një pikë referimi, ndodhet në zemër të parkut. Ajo ka shkallë prej betoni por nga jashtë është e ndërtuar me dru. Dhe ka një çmim nëse do të sodisësh prej saj. 100 lekë të reja për person.
13 kate, kulla është ndërtuar në shërbim të ekipit zjarrfikës, për të vrojtuar qendrat e zjarrit, por vizitorët e kanë parë si një alternativë më të mirë për të shijuar pamjen e parkut. Sepse pikërisht përbri saj ndodhet edhe një rajon policie i cili patrullon gjatë gjithë kohës.
Pikërisht në majë të saj do të shohësh një pamje vërtet fantastike ku ka një gërshetim të kaltërsisë së detit me diellin dhe blertësinë e pyllit. Por në anën tjetër do të mund të shquash edhe ndërtesat e qytetit të Lushnjes.
 
Të dhënat enciklopedike
Të dhënat për Lagunën e Karavastasë i ndesh në të dhënat enciklopedike të cilat janë bërë të njohura dhe në faqen zyrtare.
Karavastaja bën pjesë në parkun kombëtar të Divjakës. Ndodhet në qendër të Ultësirës Perëndimore, 5 km larg qytetit të Divjakës dhe 40 km larg nga qyteti i Lushnjes. Kufizohet nga lumi Shkumbin në veri, nga kodrat e Divjakës në lindje, nga kanali i Myzeqesë dhe lumi Seman në jug, dhe laget nga deti Adriatik në perëndim. Materialet enciklopedike thonë se është më e madhja e vendit tonë dhe në gjithë bregdetin jugor të Adriatikut, me një sipërfaqe 4330 hektarë, gjatësia 10.6 kilometra, gjerësia 4.3 kilometra dhe thellësia maksimale deri në 1.5 metra.
Ajo njihet si streha e një numri të madh shpendësh, të rreth 252 llojeve të ndryshme por dhe e 12 lloje gjitarësh dhe 16 lloje zvarranikësh. Dhe këtu nuk po përmendim bimësinë gjithfarësh.
 
Skifteri i rrallë
Kjo zonë konsiderohet si një zonë me vlera të veçanta për natyrën dhe biodiversitetin. Bota bimore dhe bota shtazore përbëjnë një pasuri të rrallë jo vetëm për këtë zonë. Nuk është vetëm Pelikani kaçurel, por dhe çafka e bardhë dhe flamingot që i japin aq shumë bukuri të gjithë zonës. Por kohët e fundit është shtuar edhe një banor i ri
Arjani, shoqëruesi unë, i cili na shëtit me një varkë me motor, - të cilat në fakt janë në pronësi të Bashkisë së Divjakës, -  na tregon për shpendët e rrallë të lagunës, por dhe kuriozitete të tjera, të cilat ndonjëherë nuk mund t’i gjesh as në enciklopedi.
Ai drejton vëmendjen tonë tek një shpend që mezi shquhet mes degëve të pemëve dhe na sqaron: Ai është skifter, më i shpejti në botë që ka  shpejtësinë maksimale prej 380 kilometrash në orë. Dhe quhet Pelegrin. Ka mbërritur në luginën e Karavastasë vetëm tre vitet e fundit.
 
Fotot dhe videoklipet
Kush nuk do të vinte në Divjakë, dhe pikërisht në Parkun Karavastasë, që të ketë kujtimet e tij të stampuara në letër, - dhe jo vetëm në memorie, - të ketë të paktën dhe disa foto ku në sfond të jetë natyra e jashtëzakonshme. Vendi preferohet shumë nga këngëtarët për të bërë videoklipet e këngëve të tyre si kopertina për t’u hedhur në treg, si dhe fotot e dasmave. Çiftet e reja, shëtisin me varkë nëpër lagunë, por dhe pozojnë nga maja e kullës 360 gradë. Në zonë sheh vazhdimisht operatorë që ngrenë dronë për të regjistruar pamjet nga lart. Dhe kujtimet janë vërtet të mrekullueshme.
 
Konventat Ndërkombëtare
Parku i Divjakës nuk është vetëm një pasuri e shqiptarëve. Duke qenë i rrallë, që nga viti 1994 ai është vënë dhe nën mbrojtjen e Konventës Ndërkombëtare të Ramsarit. Zona e Parkut është vlerësuar edhe zonë e rrjetit Emerald sipas Konventës së Bernës, “Për konservimin e jetës së egër dhe habitateve natyrore të Europës”.
 
Ekosistemi dhe biodiversiteti
Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta është një ndër zonat më të rëndësishme komplekse për sa i përket biodiversitetit në Shqipëri. Në brendësi të zonës Divjakë-Karavasta ndeshen ekosisteme të ndryshme të dallueshme, që mund të klasifikohen në sisteme tokësore, ujërash të ëmbla dhe ligatinore. Ky park është një nga destinacionet më të preferuara për argëtim, qetësi dhe pushim gjatë fundjavës për qindra qytetarë që e frekuentojnë në çdo stinë. Për të parë mrekullitë që të ofron Laguna e Karavastasë, vijnë vizitorë nga të gjitha qytetet e Shqipërisë, nga rajoni, por edhe turistë të huaj.
 

Plazhi
Në mbyllje të një dite fundjave me diell, edhe një vizitë të shkurtër në Plazhin e Divjakës. Ai është një prej bukurive natyrore të ruajtura më mirë në Shqipëri. Plazhi i Divjakës ka një shtrirje prej 15 kilometrash, deti është i cekët dhe rëra e bardhë, ndërsa është i kufizuar nga një pyll gjigant me pisha. Sipas statistikave, këtë plazh e vizitojnë të paktën 300-mijë pushues gjatë sezonit veror.


Friday, October 14, 2022

Shqiptarët e shastisur në një botë të çmendur


Nga 
Leonard Veizi
 
Bota po çmendet.
Ekuilibrat e vendosur aq mundimshëm nuk po mund të rezistojnë më. Ato janë gati të këputen. Të çmendurit janë gati t’i vënë flakën. Po aq sa dikur kur Neroni dogji Romën. Sepse thonë që ishte i çmendur aq sa kërkonte të frymëzohej për të thurur vargje duke parë flakët që ngriheshin në qiell. Se nuk kishte muzë. Dhe muza na qenka shumë e rëndësishme për dikë që merr vendime për fatin e të tjerëve.
Sot, djegia e një qyteti nuk përbën lajm. Qoftë ai dhe qendra e një perandorie. Sepse të çmendurit e tjerë janë të gatshëm të bëjnë shumë më tepër se kaq. Më shumë se dhe vetë Adolfi që dogji në furra elektrike miliona trupa njerëzorë. Jo për ngrohje, sigurisht.
Edhe për të thonë se ishte i çmendur, e për më tepër me një test mangët. Ndaj e kishte të vështirë të frymëzohej, qoftë dhe për të shkarravitur një pikturë.
Dhe bota vazhdon të prodhojë të çmendur të tjerë.
Vazhdimisht prodhon të çmendur.
Prandaj dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë, burra të mençur dhe mjekë me diploma Harvardi, ka vendosur që 10 tetorin ta rekomandojë si ditë botërore të shëndetit mendor. Meqenëse kemi ditën e diabetit, të zemrës, të hepatitit... por mungon ajo e zorrës së trashë.
Bota po çmendet.
Shqiptarët po ashtu. Se dhe ata janë pjesë integrale e kësaj bote. Nuk janë si në vitet e socializmit kur ishim të ndarë me klon dhe na dukej se nuk ishim të infektuar nga çmenduria. Atëherë pretendonim se nuk kishim probleme me shëndetin mendor. Veç ama jetonim në çmendurinë tonë e gjithçka na dukej se shkonte vaj.
Bota po çmendet.
Ajo tashmë ka dhe një ditë për ta.
Sot e kuptojmë se kemi probleme me shëndetin mendor, pas 30 vjetësh terapi intensive. Por meqenëse dhe bota po shkon drejt çmendurisë totale, në me gjasa mund të çmendemi më shpejt se ata. Na kujtohet sëmundja jonë e vjetër.
Bota po çmendet.
Sipas një raporti që vetë OBSH-ja e ka bërë publike, 1 në 8 persona diagnostikohet me probleme të shëndetit mendor. Kjo do të thotë se, - po sipas kësaj statistike, - se 970 milion njerëz në mbarë botën kanë probleme me ekuilibrin mendor. Thënë shkurt një e teta e botës.
Bota po çmendet.
Një i çmendur si Putini kërcënon se do të përdori armët atomike në një botë të çmendurish. Do pastrojë botën nga çmenduritë. Po aq sa pretendoi Adolfi se do pastronte racën. Dhe nuk ia arriti dot.
Bota po çmendet krejt.
Sipas Urdhrit të psikologëve të Shqipërisë në dyvjeçarin e fundit është dyfishuar në mos gati trefishuar numri i personave me probleme të shëndeti mendor, të cilët kërkojnë ndihmën e psikologut. Valbona Treska, si Presidente e Urdhrit të psikologëve është shprehur se trendi në rritje i ngarkesës psikologjike përfshin të gjithë popullatën. Njerëz të pakënaqur, të pasigurt, me dëshirë për t’u larguar nga vendi, ankth e stres kronik.
-Ku po shkon kjo botë....  Ky refren kënge i kënduar nga Aurela Gaçe siç e ka nisur duket do zëvendësojë dhe himnin kombëtar.
Shqiptarët janë shastisur krejt. Sidomos pas tërmetit e pandemisë, por jo dhe aq nga lufta në Ukrainë. Halli më i madh i tyre është si të kalojnë ngushticën e La Manshit, nga Franca për në Angli. Se Amerika është larg, e nuk i dilet as me not as me gomone. Padyshim që shëndeti i mendjes ndikon dhe në shëndetin fizik. Kjo do të thotë: o popull, ruani mendjen që të ruani trupin!
Po kujt i thua.
Struktura e shoqërisë ka ndryshuar ndjeshëm. Sepse edhe femrat janë kthyer si prodhim seri nga bisturia e kirurgut estetik, dhe një pjese tjetër nuk u merret vesh gjinia pasi janë mbështjellë me një flamur shumëngjyrësh.
Njerëzit po flasin me vete dhe ty të duket se kanë kufje në vesh e po komunikojnë me dikë nga një botë tjetër. Të tjerë janë kthyer në qenie asociale, nuk e dinë se ku ka një bibliotekë, por me nuhatje mund të gjejnë një zgëqe ku piqen paidhaqe në prush e piket raki dëllinje. Nuk shkojnë të teatër dhe as në kinema, por gjithmonë kanë para për të ngrënë qofte e për të pirë birrë fuçie shoqëruar me domate turshi. Shohin video në Tik Tok, gajasen së qeshuri dhe kruajnë gurmazin duke pritur surprizën e radhës.
Bota po çmendet.
Kjo me sa duket e ka shtyrë Organizatën Botërore të Shëndetësisë, - mbushur me burra të mençur e mjekë me diploma Oksfordi, - që t’i japë më shumë hapësirë propagandës: o të çmendur shkoni për vizitë te psikiatri. Merrnin konsultë me ndonjë psikolog. Diagnostikohuni. Tetori është rozë, por është edhe blu, e në fund mund të kthehet edhe në të zi.

Friday, October 7, 2022

Në pelikulën e filmit të pambaruar të Pluton Vasit


Përjetime
 
Nga Leonard Veizi
 
Në një sallë modeste montazhi, - pa bobina filmi për kamerat Arriflex dhe pa ampilifikatorë a miksera gjithfarësh, - ulem në vendin nga ku sapo është ngritur një prej mjeshtrave më të mirë që sot punon në formatet digjitale. Përballë kam një ekran të gjerë kompjuteri, po aq sa në imazh mund të përfytyrosh dhe një kinema me ekran po të gjerë. Në harddisk, ende i nxehtë nga prerjet e ngjitjet, shtrihet filmi i sapomontuar por ende i papërfunduar. Një material aspak bruto por gjithsesi jo tërësisht i përpunuar. Kërshëria për të ditur çfarë ka ndodhur diku larg, - në një shesh xhirimi që ka lëvizur sa në Tiranë, në Durrës e Shkodër, me aktorë vendosur mbi të si mbi një disk kozmik “enterprise”, - më bën të shtyp komandën “enter”, pasi jam siguruar se derën e dhomës e kam mbyllur me çelës që të mos më shqetësojë njeri dhe celularit i kam dhënë opsionin “airplan mode”. Jam i vetëm. Dhe i qëndroj larg ekranit, pa e kuptuar se në fakt jam futur krejtësisht brenda tij...
 
...Unë jam Ziguri i lig e i paskrupullt por i dashuruar marrëzisht pas viktimës së tij. Unë jam Mirjami elegante dhe e pafat nga fati i saj. Unë jam Agimi i ekzekutuar me plumba që e shëtisin rrugëve qytetase mbi një karroceri të hapur IFE. Po aq unë jam dhe Flora, vajza e lindur prej një përdhunimi...
Mendoja se isha thjesht një spektator i ftohtë e pa nerv, por qenësia ime u gjend në mes të skenave, po aq sa nuk kam qenë prezent në vendin ku kamera regjistronte sekuencat, duke qenë gjithkund pa qenë askund.
Me siguri ishin haluçinacione ose thjesht fragmente që më fanepseshin në kokë dhe pasi kisha ndaluar transmetimin në planin e fundit. Sepse nga çasti kur në ekran askush nuk lëvizte më, brenda kokës time asgjë nuk reshte së lëvizuri. Ishin si dy filma të ndryshëm, në vazhdim të njëri-tjetrit, me po të njëjtat plane. Dhe aktor isha veç unë.
Ah..., ishte e tepërt kjo. Naiv dhe në një çmenduri pasive. Mund të dashurohesh pas roleve të të tjerëve, por je pa asnjë fije kontributi. Mund ta quash fatkeqësi edhe pse nuk është e tillë. Ndaj duhet ta kalosh me sportivitet, ose... të ndërrosh profesion, të bëhesh regjisor e të prodhosh një film ku të shprehësh egon tënde. Çfarë fantazie...
Ta lëmë mënjanë këtë lloj egoizmi absurd. Unë thjesht kisha fatin e një surprize, ende të pabërë publike, të cilën nuk do ta kem për shumë kohë, në fakt. Sepse filmi është në prag të prezantimit.
Heq çelësin nga dera e studios dhe vendos celularin në gjendje pune aktive. Nuk jam në aeroplan.
Më duhej të pija një kafe. Dhe të ftohesha nga emocionet. Sepse të nxehtat nuk janë domosdoshmërish më të mirat e mundshme, qoftë dhe për të shkruar impresionet e çastit.
Intriguese deri në skaj ajo çfarë ndodh në botën e kinemasë. Jo në atë që si spektatorë të thjeshtë shohim në projeksionin mbi bezen e bardhë, 100 përqind të gatshme. Vështirë të konceptosh se çfarë ndodh brenda kur je jashtë saj. Nuk di si shkruhet skenari, as si zbërthehet ai në mënyrë tekniko-regjisoriale, nuk di as si përzgjidhen aktorët me audicione dhe as si miksohen zërat, për të ardhur në një produkt konkret mesatarisht prej 90 minutash. Sepse gjithçka që deri tek ty vjen e zbukuruar nga një lojë aktorësh, përmes një këndi fotografie veshur me një muzikë ndjesore, ka të bëjë me një mekanizmin pune stërmunduese.
Teksa pi kafenë, përpallë kam regjisorin dhe në krahun e djathtë montazhierin. Mungon skenaristi. Por kjo nuk ka shumë rëndësi, sepse skenarin e kam të gjithin në kokë po aq sa mizanskenat e zgjedhura mes dublave.
Vogëlushja me emrin Flora nuk e ka njohur kurrë babanë e saj, madje nuk e ka parë as në fotografi. Ajo vetëm e ka imagjinuar dhe portreti i tij është ngritur në bazë të fantazisë së saj. Ajo di vetëm që ai ka qenë një poet, që thurte vargje të padisiplinuara dhe që regjimi i egër pasi e kishte ekzekutuar në burg, e kishte shkrirë në një gropë gëlqereje të pashuar. Kështu nga ai nuk kish mbetur asgjë, përveç disa vargjeve që nëna e saj ia recitonte përherë. Dhe ky quhej Martin Jasa.
Shumë vite më vonë, Flora e rritur tashmë, përballet me një realitet të ri, krejt absurd dhe alarmues. Gjithçka i kishte thënë nëna e saj ishte veç një fabul triller. Babai i saj ishte gjallë. Nuk ishte aq i ndjeshëm sa një poet dhe aspak nuk ishte martirizuar nga regjimi. Për ironi të fatit, ai kishte qenë pjesë integrale e tij. Një oficer besnik i Sigurimit të Shtetit që për vite me radhë kishte kryer punën e rëndomtë të një përgjuesi me kufje në vesh.
A mund të jetë tronditëse kjo?
Regjisori Pluton Vasi, mbështetur mbi skenarin e Bashkim Hoxhës, na jep një pasqyrë të gjallë të një realiteti fort të trishtë. Një dramë familjare e viteve ‘70-‘80 në Shqipërinë e shekullit të kaluar. Dhe bashkëpunimi i tyre do të na sjellë në kinema një film të ri të titulluar “Këtu vallëzohet me hijet”.
Miriami është një vajzë e survejuar. Në shtëpinë e saj janë vënë përgjuesa. Ajo kujton se bën një jetë të lirë brenda mureve të shtëpisë së saj, por pa e kuptuar se dikush e dhunon pareshtur me një trysni sfiduese. Ajo vallëzon e shpenguar. Reciton gjithfarë vargjesh që nuk kanë në qendër njeriun e ri socialist. Por e gjithë kjo veprimtari transkriptohet dhe mbush dosjen e saj.
A është ajo një armike? E si mund të jetë në fakt.
Mirjami e ka të errët biografinë e saj. Është një balerinë klasike, e lirë në shpirt dhe ka disa miq me të cilët ndan të njëjtat mendime. Nuk është e angazhuar në strukturat e partisë dhe për më tepër ka një baba me origjinë austriake, i cili kishte mbetur në Shqipëri pas Luftës së Parë Botërore. Me këto të dhëna, Mirjam hynte potencialisht tek “armiqtë e pushtetit”. Jo se do ta rrëzonte shtetin me veprimtari subversive. Por sepse nuk e donte atë. Dhe aq ishte mjaftueshëm.
E vetmja gjë që e shpëton nga burgu është se oficeri i shërbimit sekret që kishte për detyrë ta përgjonte, - e që në vitet e diktaturës komuniste në Shqipëri quhej Sigurimi i Shtetit, - kishte rënë keq në dashuri me të. Por çdo gjë e ka një kosto. Dhe Mirjami është viktimë e hijeshisë së saj dhe e vetë fatit që e ka hedhur në anën tjetër të barrikadës.
Dhe lind Flora, vajza që u ngjiz nga marrëdhënia poshtëruese dhe e dhunshme e një sigurimsi me një të deklasuar. Lufta e klasave kishte dështuar po aq sa ishte bërë dhe më e tmerrshme se kaq.
A është kjo një autopsi e vetë regjimit?
Nuk ka nevojë të hysh brenda Byrosë Politike, - të shfletosh vendime Plenumesh a të dëgjosh debate mbi të ardhmen e njeriut të ri, - për të bërë autopsinë e diktaturës komuniste. Mjafton një jetë njerëzore, denigrimi i saj, për të kuptuar se çka ndodhur në tërësinë e saj. Si fabrikoheshin armiqtë, si ekzekutoheshin njerëzit që donin veç të shprehnin mendimin e lirë, si degradohej jeta e një njeriu që nuk i pëlqente rreshti dhe as kënga: Ndër ara, fabrika, kantiere... Duhet vetëm të çmontosh një jetë njerëzore të dhunuar për të bërë autopsinë e gjithë sistemit.
Bashkim Hoxha si dramaturg e skenarist me plot përvojë dhe Pluton Vasi si regjisor bashkëkohor që më shumë i përket së ardhmes, janë munduar të na e japin këtë në një dimension tjetër. Por ata nuk do t’ia kishin arritur dot tërësisht nëse në ndihmë nuk do t’u vinte një kast i shkëlqyer aktorësh. Përzgjedhja ka nisur me Karafil Shenën në rolin e Zigurit, e për të vazhduar me Eri Shukan në rolin e Mirjamit, Rovena Lule Kuka në rolin e Florës, e për të vazhduar me Neritan Liçajn, Juli Emirin, Eni Shehun, Elert Çeloalinë, etj. Në këtë film Pluton Vasi rikthen me një rol dhe aktoren Merita Çoçoli.
I gjithë produksioni i udhëhequr nga Vjollca Dedei është një bashkëpunimi i “Artfilm” me “Papadhimitri Produksion”, si dhe me kompanitë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë si “Dardania Films” nga Maqedoni e Veriut dhe “Doli Media Studio” nga Bullgaria.
Përveç pjesës së dukshme që janë aktorët, me Pluton Vasin kanë bashkëpunuar dhe disa specialistë nga më të mirët e filmit shqiptar si: drejtor fotografie Spartak Papadhimitri në kamera Adi Grishaj, piktor i filmit, bashkëpunëtori i përhershëm Adnand Kastrati, mjeshtër montazhi Gjergji Pano ndërsa muzika është shkruar nga i mirënjohurin Hajg Zaharian.
Dikur filmat i bënte Kinostudio. Paratë i jepte shteti. Çensorin e delegonte Partia. Gjithçka ka të bëjë me një reminishence mes kohëve të prodhimit të një filmi. Sot vështirësitë me filmin janë shumë më të mëdha. Dhe me paratë janë dorështrënguar ata që dorovisin më së shumti spektaklet laramane. Por kushtet që Shqipëria të përfaqësohet kudo me filmin e saj janë optimale duke pasur parasysh se forca prodhuese është krejt aktive. Me Kinostudio me Albafilm, apo pa një të tillë, regjisorët kanë treguar se mund të prodhojnë filma shumë të mirë e konkurrues, në kushte shumë më modeste se ato që ofrojnë studiot e mëdha perëndimore.
Por filmi gjithsesi vjen: shqip.
Për shkak të ngjarjes që trajton, lojës së aktorëve dhe komponentëve të tjerë, “Këtu vallëzohet me hijet” me siguri do të ketë një jetë të gjatë dhe aktive në festivale e kompeticione të ndryshme, përveçse transmetimit nëpër ekrane kinemash dhe televizionesh gjeneralistë. Tanimë mbetet veç premiera...
...se filmi është gati.