Monday, February 26, 2024

Historia e Kinës/ Nga perandori Pu Yi në Fronin e Dragoit tek revolucioni i shokut Mao Ce Dun

Historia e “Perandorit të fundit”, autobiografia që u kthye në filmin kult të Bernarto Bertoluçit



Nga Leonard Veizi
 
Në vitin 1908, si një mrekulli e rënë nga qielli, tre vjeçari Pu Yi do të trashëgonte postin e perandorit të dinastisë Çing. Ishte 3 vjeç kur u ul për herë të parë në Fronin e Dragoit si perandor i Kinës, 7 vjeç kur abdikoi dhe 19 vjeç kur u detyruar ta lerë Qytetin e Ndaluar. Ndërsa tetorin e vitit 1967 ai vdiq si një qytetar i thjeshtë. Kishte punuar si lulishtar në një kopsht botanik të Pekinit, por hulumtonte dhe si studiues historie njëkohësisht. Por mbi të gjitha kishte bërë 14 vite burg e rehabilitim politik 9-të prej të cilave nën regjimin komunist të Mao Ce Dunit. Sepse u akuzua për tradhti...
 
...“Perandori i fundit” është një nga kryeveprat që regjisori italian Bernarto Bertoluçi na la si trashëgimi të tij filmike. Në gjuhën italiane filmi njihet me titullin “L'ultimo imperatore” por në anglisht si “The Last Emperor”. Ai është një film biografik-epik dhe prodhim italo-britanik prej 163 minutash, – si version i shkurtuar pasi version i plot është 218 minuta, - i shfaqur për ekranin e madh të kinemasë në vitit 1987. “Perandori i fundit” njihet dhe si filmi i parë që shfaqi periudhën specifike të fundit të monarkisë kineze.
Skenari i filmit u shkrua nga Mark Pepler në bashkëpunim me regjisorin Bertoluçi, dhe u bazua mbi autobiografinë e shkruar nga Aisin-Gioro Pu Yi me titullin e ardhur nga gjuha kinezë “Gjysma e parë e jetës sime; Nga perandori te qytetari”, dhe e botuar në vitit 1964.
“L'ultimo imperatore” ishte filmi i parë artistik perëndimor i autorizuar nga Republika Popullore e Kinës për të filmuar brenda mjediseve autentike të Qytetit të Ndaluar në Pekin. “Qytetit të Ndaluar” është një kompleks i madh mesjetar që mbulon rreth 250 hektarë dhe përmbante 9999 dhoma. Në këtë film interpretojnë Piter O’Tul, Xhon Lon, Xhoan Çen, Juriti Sakamoto, Denis Dan, Lisa Lu. Drejtor i fotografisë është Vitorio Storaro, që konsiderohet si një legjendë e kinemasë italiane.
“Perandori i fundit” u shfaq premierë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Tokio në vitin 1987 dhe u publikua në Shtetet e Bashkuara nga “Columbia Pictures” më 18 nëntor. Ai fitoi vlerësime pozitive nga kritikët duke qenë njëkohësisht dhe një sukses komercial. Në çmimet e 60-ta të Oscar-it, ai fitoi të nëntë çmimet Oscar për të cilat ishte nominuar, duke përfshirë filmin më të mirë, regjisorin më të mirë dhe skenarin më të mirë të adaptuar. Ai gjithashtu fitoi disa vlerësime të tjera, duke përfshirë tre çmime BAFTA, katër çmime “Golden Globe”, nëntë çmime “David di Donatello” dhe një çmim “Grammy” për partiturën e tij muzikore.
Struktura narrative e të gjithë filmit përdor një teknikë montazhi për të na dhënë dy linja kryesore. E para është e kaluara kur Pu Yi ishte perandori i dinastisë Çing. Linja e dytë tregon errësirën dhe një atmosferë më të ftohtë në Kinën e pas Luftës së Dytë Botërore. Skenaristi Mark Pepler dhe regjisori Bertoluçi përdori retrospektivën për të mbuluar 60 vjet histori të largët dhe enigmatike.
 
Autobiografia
Aisin-Giro Pu Yi ose Perandori Pu Yi u lind në 7 shkurt 1906 dhe u nda nga jeta më 17 tetor 1967. Ai ishte perandori i fundit i Kinës. Emri i epokës së tij ishte, "Xuantong", që merr kuptimin "shpallje e unitetit". Babai i tij ishte Princi Caifon Çun II. Ai thuajse nuk do ta takonte dot më nënën e tij dhe u rrit nga eunukët. Më 12 shkurt 1912, gjatë Revolucionit Xinhai, u detyrua të abdikonte. Në vitin 1924, u dëbua nga Qyteti i Ndaluar. Gjatë Luftës së Dytë Botërore u kurorëzua Perandor në shtetin japonez kukull të Mançurisë.
Nga botim në anglisht autobiografia e Aisin-Gioro Pu Yi njihet si “Nga perandori te qytetari”. Është një rrëfim unik i parë përmes syve të një të linduri për të qenë një monark absolut. Libri fillon me rrëfimin e autorit për ditët e fundit dekadente të dinastisë Çing dhe mbyllet me introspektivën; portreti i perandorit i shndërruar në një  pensionist të Republikës Popullore të Kinës. Në librin e tij Pu Yi zbulon se para së gjithash është një i mbijetuar, i shtyrë nga përroi i betejave globale për pushtet dhe konflikti botëror që u shfaq në kontinentin aziatik. Ky përshkrim i drejtpërdrejtë i ngjarjeve dramatike të jetës së tij ishte baza për filmin e njohur ndërkombëtarisht të Bernardo Bertoluçit, “Perandori i fundit”, i cili u cilësua si filmi më i mirë i vitit nga Akademia Amerikane e Arteve.
 
Filmi
“L'ultimo imperatore” mbetet i rrallë në kinematografinë botërore, i transmetuar gjerësisht edhe nga Televizioni Shqiptar. Ja çfarë përshkruhet në të:
Në vitin 1950, 44-vjeçari Pu Yi, ish-perandori i Kinës, ka qenë në paraburgim për pesë vjet pas kapjes së tij nga Ushtria e Kuqe kur sovjetikët u futën në Mançuri. Në Republikën Popullore të Kinës të krijuar së fundmi, Pu Yi mbërrin si i burgosur politik dhe kriminel lufte. Ai tenton vetëvrasjen, por shpëtohet shpejt dhe i thuhet se i duhet të dalë në gjyq.
42 vjet më parë, në vitin 1908, vogëlushi Pu Yi thirret në Qytetin e Ndaluar, - rezidenca perandorake dhe oborri i famshëm të eunukëve, - nga Perandoresha Sishi. Pasi i bën të ditur se perandori i mëparshëm, Guanshu kishte vdekur më herët atë ditë, Sishi i thotë Pu Yi se ai do të jetë perandori i ardhshëm.
Nga dita e kurorëzimit të tij e tutje Pu Yi mbahet i izoluar nga e gjithë pjesa tjetër e Kinës. Atij i ndalohej kategorikisht të largohej nga Pallati Perandorak. Për shkak të pengesave të dukshme të moshës, ai nuk është i informuar për çështjet qeveritare dhe shtetërore dhe nuk ushtron aspak pushtetin e tij të jashtëzakonshëm. Kjo gjë kryhet nga ministrat dhe eunukët e oborrit, të cilët e rritin atë në një klimë hipokrizie të fortë dhe servilizmi. I vetmi person që e do vërtet është Ar Mo, infermierja e tij.
Ndër skenat e para të filmit jepet Pu Yi, i ndjekur nga kujdestarët dhe shërbëtorët e tij, kërcen me padurim nga Froni i Dragoit dhe vrapon drejt derës së dhomës, ku një perde e madhe pengon pamjen. Pastaj perdja hapet dhe spektatori ndeshet me një pamje të pabesueshme: mijëra oborrtarë me veshje tradicionale, të rreshtuar me saktësi gjeometrike, e të përkulur për të nderuar Perandorin.
Një ditë, ai vizitohet nga nëna e tij dhe vëllai më i vogël, Pujie, i cili i thotë se nuk është më Perandor dhe se Kina është bërë republikë. Megjithatë Pu Yi qëndron në Qytetin e Ndaluar si një sovran kukull. I dekoruar në mënyrë ironike me titullin e Perandorit, ai kupton se është i tillë vetëm në emërtim.
Në vitin 1919, britaniku Rexhinald Xhonston, - që në fakt është skocez, - emërohet si mësues i Pu Yi-t dhe i jep atij një arsim të stilit perëndimor. Xhonston, studiues e diplomat plot kulturë, është i pari që ekspozoi dishepullin perandorak ndaj realitetit, me një notë të thellë dashamirësie, por duke tërhequr antipatitë dhe kundërshtimet paragjykuese të oborrtarëve dhe eunukëve. Fërkimi maksimal arrihet kur ai i mëson Perandorit të përdorë biçikletën dhe insiston që Pu Yi të mbajë gjithmonë syze optike, duke parandaluar një humbje të caktuar të shikimit. I ndikuar nga mësimet e Xhonston, Pu Yi dëshiron gjithnjë e më shumë të largohet nga Qyteti i Ndaluar madje të "arratiset" për të shkuar në Universitetin e Oksfordit.
Menjëherë pasi mbeti jetim nga nëna e tij, - e cila vdiq pasi mori një dozë të lartë opiumi, - sovrani i ri martohet me dy gra: Uan Jong, që ishte vajza e një fisniku shumë të pasur dhe me konkubinën Uen Shin si bashkëshorte dytësore. Pas kësaj ai fillon reformimin e Qytetit të Ndaluar, duke përfshirë dëbimin e eunukëve të pallatit. Megjithatë, në vitin 1924, ai vetë dëbohet nga Qyteti i Ndaluar dhe internohet në Tianjin, pas grushtit të shtetit në Pekin.
Për vite me rradhë, ndërsa Kina lodhej nga betejat e kryekomandantëve, ish-sundimtari u kthye në një playboy, me emrin Henri. Ai bënte një jetë dekadente dhe megjithëse një anglofil vendos të bashkëpunojë me japonezët. Gjatë kësaj kohe, Uen Shin divorcohet nga ai, ndërsa Uan Jong i nënshtrohet varësisë nga opiumi. Në vitin 1934, japonezët e kurorëzuan atë "Perandor" të shtetit kukull të Mançurisë. Por supremacia e tij politike e supozuar minohet në çdo hap. Ai mbeti sundimtari nominal i rajonit deri në kapjen e tij nga Ushtria Sovjetike.
Sipas programit të riedukimit komunist për të burgosurit politikë, Pu Yi detyrohet të heqë dorë zyrtarisht nga bashkëpunimi i tij me pushtuesit japonezë. Pu Yi përfundimisht tërhiqet dhe konsiderohet i rehabilituar nga qeveria; ai lirohet në 1959. I mbetet vetëm të jetojë një jetë melankolike dhe të padukshme si kopshtar, si miliona qytetarë të tjerë, pa pasuri, famë, poste e tituj nderi. Deri në vitin 1967, Pu Yi jeton një ekzistencë proletare pas ngritjes së kultit të personalitetit të Mao Ce Dunit. Madje në vitin 1967 gjatë Revolucionit Kulturor, ai sheh një paradë në të cilën ish-guvernatori i burgut që e ndihmoi në rehabilitimin e tij poshtërohej si armik i revolucionit.
I moshuar dhe i pasigurt Pu Yi paguan tarifën e hyrjes si çdo vizitor tjetër në pallatin e tij të mëparshëm perandorak, Qyteti i Ndaluar, dikur rezidenca zyrtare e perandorëve kinezë që nga Mesjeta ishte kthyer në një muze të thjeshtë, të cilin e viziton me shumë emocion, duke kujtuar ditët e largëta të cilat i kishte jetuar atje.
Filmi mbyllet me një episod të 20 viteve më pas, ku një guidë drejton një grup turistësh nëpër pallatin perandorak. Duke u ndalur para fronit, udhërrëfyesi përmbledh jetën e Pu Yi-t në disa fjali të shkurtra, përpara se të përfundojë duke thënë se Perandori i fundit i Kinës vdiq në vitin 1967.
 
Analiza
Padyshim, si në një shaka ironike Pu Yi ishte perandor i asgjëje. I pafuqishëm të ushtronte detyrën megjithëse kishte një titull të madh. Gjatë gjithë filmit ai shihet si një peng dhe viktimë, i shfrytëzuar për qëllimet e të tjerëve,
Procesin e burgun komunist në fakt Pu Yi e kishte nisur shumë vite më parë, kur në një nga skenat e filmit ai pedalon biçikletën rreth Qytetit të Ndaluar derisa mbërrin tek portat e tij që të nxirnin në botën përtej. Por aty ndalohet nga rojet që mbyllin dyert. Pra ai është një perandor që nuk mund të realizonte të vetmen gjë që bënte çdo fëmijë tjetër, të dilte nga shtëpia e tij.
Gjithçka që përfshinte jetën e Pu Yi ishte humbja. Gjithçka përveç një gjëje: nocioni se një jetë e vetme njerëzore mund të ketë vlerë të pafundme. Në një mënyrë filmi argumenton: Froni i Dragoit i dha peshën e një perandor për të drejtuar nënshtetasit e tij. Dhe po aq në mënyrën e vet, revolucioni kinez argumentoi të njëjtën gjë por nga ana e kundërt, duke e kthyer atë nga Perandor në një kopshtar. Vetë filmi është pasqyrimi i jetës së një njeriu që mishëroi të gjitha kontradiktat dhe paradokset e Kinës së shekullit XX.
“Perandori i fundit” përfundon me një sekuencë të jashtëzakonshme, ku një Pu Yi i moshuar shkon për të vizituar Qytetin e Ndaluar, i cili tashmë është i hapur për turistët. Ai sheh një djalë të vogël duke kaluar fshehurazi litarin prej kadifeje dhe duke u ngjitur në Fronin e Dragoit. Dikur kjo do të kishte qenë një vepër fatale.
Jeta e tij është një ironi e trishtë, fundi i tij një elegji e hidhur.
 
Kuriozitete
Regjisori Bernardo Bertoluçi i propozoi filmin qeverisë kineze si një nga dy projektet e mundshme; tjetra ishte një përshtatje e "Gjendje njerëzore" shkruar nga André Malraux.
Për rolin e perandorit të rritur, u zgjodh aktori Xhon Lon, i lindur në Hong Kong dhe i angazhuar në Operën e Pekinit, i cili u konsiderua i përshtatshëm për të mishëruar rafinimin dhe dekadencën sensuale të personazhit. Për aktoren Xhoan Çen, e cila luajti gruan e tij, xhirimet nënkuptonin një kthim në atdhe, ku në moshën 14 vjeçare ajo nisi karrierën duke luajtur në filmin “Youth”.
Për të realizuar filmin, Bertoluçi rekrutoi rreth 20 mijë njerëz, - thuajse të gjithë ushtarë nga Ushtria Popullore Kineze, - dhe treqind teknikë italianë, anglezë dhe kinezë, të cilët punuan në shesh për rreth gjashtë muaj. Xhirimeve nisën në 28 korrikut 1986 dhe përfunduan më 30 janar 1987. Përveç Pekinit, xhirimet pati dhe në studiot Cinecittà në Romë.
 
Të tjera
“The Last Emperor” është një tjetër film me të njëjtën temë, i vitit 1986, prodhuar në Hong Kong me regji të Li Han-hsiang. Aktori Toni Leung Ka-fai luajti rolin e Pu Yi. Filmi u nominua për filmin më të mirë në Çmimet e 6-të vjetore të Filmit në Hong Kong. Riçard Li Han-hsiang ishte një regjisor kinez i cili drejtoi më shumë se 70 filma në karrierën e tij.
 
 
 
 
 
 

Friday, February 23, 2024

Pitkini në Tiranë, burri në moshë që eklipsoi yllin në ngjitje Devid Bekam

 Norman Uisdom, mjeshtri i plastikës që u mitizua në Shqipëri
 
 

Nga Leonard Veizi
 
Në mënyrë të pabesueshme ai erdhi në Shqipëri. Ishin ditë janari në dimrin e vitit 1995 dhe ai ishte 80 vjeç. Kamera e fokusoi teksa zbriste nga avioni i linjës dhe tek shkallët bëri një rreng kur gati u pengua e pastaj iu drejtua me gisht duke qeshur personave që kishin dalë për ta pritur. Ishte koha kur shqiptarët ishin turrur nëpër botë, por në ato vite të vështira pakkush si personazh i njohur do të merrte mundimin të vinte në Shqipëri...
 
...Përballë hyrjes kryesore të Piramidës, - që dikur kishte qenë Muzeu i Enver Hoxhës, - ndaloi një Mercedes Benz i zi për të cilin gjithashtu u tha se ishte makina që dikur e kishte përdorur Enver Hoxha, por që kishte kaluar në pronësi të Parkut të Delegacioneve. Të rinjtë aty pranë u turrën të shihnin të dilte prej saj fenomeni i radhës. Nuk kishte kamera që ta fiksonte atë çast dhe asnjëri prej nesh që u ndodhëm aty atë çast nuk kishte aparat celulari me të cilin mund të bënte ndonjë selfie e ta postonim sot si trofe..
 
Pitkini
Në Shqipëri ashtu si kudo, ai njihej thjesht si Pitkini. Dhe ky ishte personazhi që ai kishte ndërtuar për t’u bërë i njohur në mbarë botën. Humori i mprehtë i Uisdomit u shfaq në 22 filmat ku interpretoi, 19 nga të cilët mbajti të njëjtin emër: Norman Pitkin.
Në Angli ai po përjetonte një popullaritet në rënie. Për të mos thënë që kishte nga ata që e dinin të vdekur. Ndërsa komedia e tij shpesh shihej si një shou i modës së vjetër. Ndoshta sepse në Angli, prodhohet humor pa fund dhe të jesh në Top Listë asnjëherë nuk është e lehtë. Por meqenëse Tirana nuk mund të barazohej me Londrën dhe në Shqipërinë e sapoçliruar nga diktatura figura e tij, e kthyer gati në mit vite më parë, vazhdonte të mbetej simbolike.
Për të thuhej se kishte mbetur i famshëm, e po aq i dashur dhe simpatik. Dhe vizita e tij u regjistrua me kamera nga programi “Newsnight” i BBC-së.
Ishte Norman Uisdom... 
 
Media britanike
Media britanike e ka tepruar kur shkruante se Uisdom ishte aktori i vetëm perëndimor që transmetohej në Shqipëri. Natyrisht që Shqipëria ishte një vend tejet i izoluar, por pas viteve ‘70 në mungesë të kinemasë ruse e më pas të asaj kineze, në rrjetin e kinemave vendase dhe televizion nisën të shfaqeshin përgjithësisht filma francezë dhe italianë, disa prodhime britanike si dhe ndonjë amerikan. Dhe po aq i njohur sa ç’ishte Pitkini si aktor humori, po aq ishin dhe Çarli Çaplini, Oliver Hard dhe Sten Laurel, Lui De Fine i kinemasë franceze, Antonio de Kurtis i kinemasë italiane, i cili njihet i me emrin e skenës si Toto.
Gjithsesi, britanikët ishin të bindur se fama e Pitkinit kishte mbetur në muret e Shqipërisë së prapambetur. Por nuk kuptohet qartë në ishin krenarë për këtë, apo kërkonin të thonin se shqiptarët vazhdonin të ishin prapa bote.
Madje BBC në një artikull të botuar për vizitën e Norman Uisdomit në Tiranë shkruan: “Ishte Enver Hoxha ai që, në mënyrë paradoksale, e bëri Sir Norman një figurë kulti në Shqipëri. Gjatë Luftës së Ftohtë, kur vendi ishte i prerë nga ndikimet e jashtme, Hoxha dhe miqtë e tij dekretuan filmat komedi të Norman Uisdom”.
Në vitin 1995, gazetari i BBC-së, Bill Hamilton, që iu bashkua Uisdom në udhëtim në Shqipëri, është shprehur se aktori komik u sulmua nga turma adhuruese kudo që shkonte.
Po sipas medias britanike që i referohen Johnny Mans, si agjenti për 30 vjet i Norman Uisdomit, mësohet të ketë thënë për vizitën në Tiranë: “Ishte e krahasueshme me dalldinë për Bitëllsat adhurimi për të në Shqipëri”.
Epo duhet të kemi qenë vërtet prapa bote, përderisa u vendos një shenjë barazimi me dalldinë e Bitëllsave që ndryshoi botën dhe atë të një aktori komedie që me sa duket po ndryshonte Shqipërinë.
Media angleze do të shkruante për më tej se: “Në sytë e autoriteteve shqiptare, Norman Pitkin shihej si arketipi i proletarit perëndimor i shfrytëzuar nga sundimtarët e tij të këqij kapitalistë, duke e kthyer Uisdom-in në një yll të pamundur në vendet më të pamundshme”.
Në një artikull të tij tek The Guardian, Nik Skuajers thotë se: Hoxha mendoi se filmat e Sër Normanit, në të cilët alter-egoja e tij Pitkin u mposht nga shefat e tij, ishin një shëmbëlltyrë komuniste mbi luftën e klasave.
Sa e paskan tepruar britanikët!
Në një shkrim të botuar në The Guardian nga Burhan Uazir thuhet: Gjatë pushimeve në Moskë në vitin 1963, Uisdom u sulmua nga vendasit që bërtisnin 'Zoti Pitkin'.
Pra Tirana nuk ishte precedenti. Paska qenë dhe Moska. Por me sa duket anglezët e kishin harruar këtë fakt.
 
Komediani
Norman Uisdom u lind në Londër në vitin 1915. Ai ishte aktor, komedian, muzikant dhe këngëtar anglez më i njohur për një seri filmash komedi të prodhuara midis 1953 dhe 1966 që shfaqin një personazh fatkeq të quajtur që mbante një kapele të sheshtë të klasës punëtore dhe një kostum të ngushtë.
I lindur dhe i rritur në një atmosferë varfërie dhe dhune në familje, ai do të linte shkollën në moshën 13-vjeçare përpara se të merrte një sërë punësh të rëndomta.
Ndërsa shërbente në Ushtrinë Britanike gjatë Luftës së Dytë Botërore, Uisdom u bë i popullarizuar në mesin e shokëve të tij ushtarë për rutinat e tij të improvizuara të komedisë vizuale dhe shfaqjet muzikore, talentet që ai zhvilloi pas luftës kur vendosi të bëhej një artist profesionist.
Uisdom ra në sy të industrisë britanike të filmit si Norman Pitkin, personazh i tij i thjeshtë dhe mendjemprehtë në konflikt përgjithmonë me eprorët e tij aristokratë.
Ai luajti dhe në 32 variete televizive.
Më pas krijoi një karrierë në Broduej në Nju Jork Siti, duke fituar vlerësimin e kritikëve për rolin e tij dramatik të një pacienti me kancer që po vdiste në shfaqjen televizive “Going Gently” në 1981.
Sir Norman u martua me balerinën e varieteve Freda Simpson në vitin 1947 dhe ata patën dy fëmijë, Nikolas dhe Zhaklin. Çifti u divorcua në vitin 1969. Ditëlindja e tij e 75-të në vitin 1990 u shënua me daljen në pension nga televizioni.
 
Vizita e dytë
Ishte 86 vjeç kur vizitoi për herë të dytë Shqipërinë. Ai mbërrin në Tiranë më 25 Mars 2001. Vizita përkoi me udhëtimin e skuadrës së futbollit të Anglisë e cila luante me Shqipërinë në stadiumin “Qemal Stafa”. Po aq, media angleze do të shkruante: “Paraqitja e tij në terrenin e stërvitjes la në hije atë të Devid Bekam. Ai doli në fushë para fillimit të ndeshjes Shqipëri-Angli i veshur me një fanellë futbolli gjysmë shqiptar dhe gjysmë anglez. Ai u prit me ovacione nga turma, veçanërisht kur shkoi deri në rrethin qendror të fushës. David Beckham, i cili më vonë doli në fushë si pjesë e skuadrës së Anglisë, mori vetëm gjysmën e një pritjeje të ngrohtë”.
Me sa duket as ne shqiptarët nuk e dinim që e donim kaq shumë Pitkinin, derisa e zbuloi media britanike.
Për sa i përket Shqipërisë Norman Uisdom u shpreh se i kishin pëlqyer malet, natyra, ajri, njerëzit mjaft të dashur, madje dhe ushqimi. Gjatë gjithë vizitës së tij ai pushonte së lëvizuri dhe së bëri humor. Dhe pas kësaj vizite pjesë e karrierës së tij u bë edhe një album muzikor, mes të cilave një këngë ia kushtoi Shqipërisë me titull "Big in Albania" apo përndryshe “I madh në Shqipëri”.
 
Popullariteti
Për njëfarë kohe, Norman Uisdom ka qenë interpretuesi më i paguar në Britani. Ndërsa sipas një sondazhi të BBC-së për të thuhej se konsiderohej "një nga personazhet më të qëndrueshme të komedisë britanike".
Kujtojmë se në vitet ‘80 televizioni shqiptar herë pas here transmetonte filmat e Norman Uisdom si "Pitkini ushtar", "Pitkini në spital", "Pitkini shitës qumështi", e për të vazhduar më pas dhe me disa të tjerë.
Në librin e tij dhe serialin televiziv One Hit Wonderland, Toni Hoks u bashkua me Uisdom dhe, së bashku me Tim Rais, publikuan këngën "Big in Albania", në përpjekje për të hyrë në top listat shqiptare të popit. Ajo arriti në vendin e 18-të në tabelën e Top Albania Radio.
I emëruar si kalorës në vitin 2001, Sir Norman Uisdom njoftoi tërheqjen e tij nga komedia në vitin 2005 në ditëlindjen e tij të 90-të dhe fatkeqësisht jetoi vitet e tij të fundit në një shtëpi kujdesi në Ishullin e Manit. Ai vdiq në vitin 2010, në moshën 95-vjeçare.
Vdekja e komikut britanik përbënte lajm kryesor në gazetën “The Sun”, ku shkruhej titulli “Vdes miku i madh i shqiptarëve”. Qeveria shqiptare e kohës shpalli një ditë zie kombëtare në nder të tij. Ai u përjetësua dhe në filatelinë shqiptare, ku një pullë poste e vitin 2015 i mban të stampuar portretin.
Ndërkohë Norman Uisdom është dhe qytetar nderi i Tiranës. Ai vjen në radhë i katërti pas Kontit Galeacio Çiano, Nikita Sergejeviç Hrushovit dhe Kryeministrit Malajzian Mohathir Bin Mohamed.

Shqiptarët që ndezin duhan poshtë tabelës “no smoking”


Nga Leonard Veizi
 
Të gjithë po pimë duhan. Në vende ku nuk të thotë njeri “plaç” me gojë, por dhe në vende ku është sanksionuar me ligj ndalimi. Sikur e bëjmë nga inati?!
Ligji antiduhan po forcohet, ai ka kaluar në një dy etapa përmirësimi. Çmimet e paketave po rriten aq sa duhani po barazohet me kilen e mishit. Të gjitha këto lëvizje duket sikur do ta frenojnë pirjen e duhanit. Por jo... askush nuk e lë duhanin.
Situata në fjalë të kujton epokën e Prohibicionit në Amerikën e viteve ‘30 të shekullit XX. Pra 100 vjet më parë. Nuk ia dolën dot amerikanët me alkoolin. Edhe Al Kaponen e dënuan për evazion fiskal, por jo për kontrabandë. Prandaj e lanë të lirë konsumin e uiskit, se rakinë nuk e njohin nga ato anë. Kush do të pijë le të fryhet, të dehet e ta zërë gjumi në stolat e parqeve. Vendosën vetëm një stekë. Të rinjve poshtë moshës 21 vjeç në asnjë vend publik nuk u shërbehet alkool. Dhe kaq.
Për duhanin nuk është marrë ndonjë nismë e tillë, edhe pse ai është më problematik se sa alkooli. Sepse alkoolin e pi ti e të bën dëm ty. Tymi i duhanit që ti çliron, të vret ty por dhe të tjerët përreth, të cilët gjithashtu marrin po të njëjtin efekt. Edhe pse thonë gjithë ditën e Zotit: Unë s’e vë në gojë duhanin. Se vë ti po kush të le? 
Njeriu e ka të vështirë të heqë dorë nga veset.
-...edhe ta dinë që do ta hedhin në një kazan me zift të valuar, përsëri të bën t’i shkosh nga pas, - do t’i thoshte hallë Esmaja e Mato Grudës nënës së Murat Shtagës, që kish shkuar për vizitë e po i jepte haberet e reja nga fronti i luftës. Do thoni ju se ishte fjala për Shegën që ishte goxha pelë dhe për femrat në përgjithësi, që ua bëjnë mendjen ujem burrave. E, ashtu është, por hiq një emër vendos një tjetër, dhe u gatit. Batuta mbetet përsëri me vlerë.
E lamë te duhani...
U mbytëm nga tymi i duhanxhinjve në fakt. Nuk dimë ku të futemi e të bëjmë dy pare muhabet rehat. Se vjen tjetri e ndez llullën e ta lëshon shtëllungen o m’u në surrat, o pas qafe. Dhe kur shkon në shtëpi duhet të futesh gollomesh drejt e në lavatriçe, që të lahesh dhe t’i në centrifugë bashkë me rrobat.
Kjo është situata.
Dhe femrat vëlla, femrat si puna e Shegës, pinë duhan më shumë se meshkujt. Vetëm ndonjë femër me llullë s’kemi parë akoma. E vetmja që e kish staturën për një gjë të tillë ishte Aspasia, motra e Nikollaq Jorganxhiut, të cilës i kishin dalë dhe mustaqet e u thoshte grave duke shfryrë nga hundët tymin e  një “Diamanti” që s’e ndante nga vetja: Një feçkë, një feçkë kanë të gjithë burrat.
Thonë se e pinë nga halli... Ku ta dish. Edhe halle kanë boll.
Duhani dëmton shëndetin si dhe...  xhepin. Por në fakt askush nuk e merr seriozisht një moto të tillë. Zakonisht njerëzit kujtohen kur është vonë. Se sa për ta pirë, janë kahil ta ndezin dhe në korridoret e spitalit.
Por nuk është puna tek kostoja që të vret xhepin dhe as te nikotina që çdo njeri i jep vetes.
-Çështja duhet parë diçka më tutje, diçka më thellë. Pra çështja duhet parë në koncept, - do të thoshte Sekretari i Rinisë tek mbledhja që bëhej për Xha Beqon dhe Xha Sulon e Deçkës, që e pinte duhanin me llullë aq sa desh i vuri zjarrin shtëpisë.
Çdo njeri e di vetë sa ka në portofol, dhe çdo bëjë me mushkëritë e tij. Halli është tek të tjerët, që portofolin nuk e hapin për të blerë duhan, dhe kështu kursejnë mjaftueshëm për të bërë pushime, por mushkëritë ama i ka njëlloj me duhanxhiun që e pi me të dredhur. Sepse ata qëndrojnë të dy në të njëjtin ambient ku pihet duhan si në Karadake.
Në vendet publike duhani nuk lejohet të konsumohet. Ka ligj për këtë punë. Ka dhe tabela që të paralajmërojnë. Deri 10 vite më parë askush nuk e respektonte një tabelë të varur ku shkruhej në anglisht “No smoking”. Se jemi trima ne shqiptarët, ta ndezim cigaren atje ku s’e pret.
Mirëpo ca kohë sikur u terezit. Ndoshta ngaqë tabelat nisën të shkruanin “Ndalohet duhani”. Shteti e kishte seriozisht dhe si vendosi ca gjoba të majme, aq sa dhe më trimave u ranë pendët. Prandaj ka dalë dhe shprehja: Po ku ka trima sot ore babam, trimat u vranë në luftë. Sot, po të paguash 500 mijë lekë të vjetra gjobë se ke ndezur në vendin e gabuar një cigare 200 lekëshe, edhe më trimin e rreh gruaja. Ndaj disa vite të gjithë ranë rehat. Futeshe në lokal si zotni, as hundët nuk të mbusheshin me tym e as rrobat nuk ngarkoheshin. Dilje buzë rruge po të të çahej hunda për duhan.
Por ka ca kohë që kanë ndryshuar.
Vigjilenca ka rënë.
Të gjithë pinë duhan nëpër lokale. Shumica e lokaleve, apo ambienteve të brendshme publike tanimë e kanë prishur rregullin. Tymoset atje ku nuk tymosej më parë. Pronarët e lokaleve me tendencën për të mos humbur klientelën e liberalizojnë pirjen e duhanit, pa kuptuar ndoshta se ashtu si kanë fituar klientët duhanpirës ashtu dhe kanë humbur ata që nuk e durojnë dot tymin e duhanit. Dhe nuk bëjnë fajde as gjobat që vendos Inspektorati Shtetëror Shëndetësor. Edhe pse ligji e ndalon po të pyesësh kamerierin do thotë pa teklif: Pije rehat, mos çaj kokë. Mirëpo posterat e vjetër vazhdojnë të jenë të gozhduara nëpër mure “No smoking”, bashkë me shenjën e rrethit të kuq me vizën e ndalimit. Me sa duket jo të gjithë dinë anglisht.
Mirëpo më ndodhi një ditë prej ditësh që shkova në 4 lokale dhe kudo pihej duhan. Ishte ftohtë, e s’mund të rrihej jashtë. Po bashkëshoqëruesi im nuk e duronte dot duhanin. Dhamë e morëm e si përfundim u detyruam ta pinim kafen në të ftohtë, se brenda në të ngrohtë ishin dendur duhanxhinjtë.
Kjo sa për ilustrim.
Çdo literaturë po t'i referohesh në lidhje me duhanin do të mësosh pak a shumë këto gjëra:
Duhani nuk është i mirë për shëndetin. Duhani ka lidhje me shumë probleme shëndetësore. Pirja e duhanit mund të ketë rreziqe serioze për shëndetin. Është një shkaktar kryesor i sëmundjeve të ndryshme, duke përfshirë kancerin e mushkërive, sëmundjet e zemrës dhe problemet e frymëmarrjes.
Këtu nuk po bëjmë propagandë që një duhanpirës ta lërë duhanin. Këtu thjesht po evidentojmë faktin që tymi i duhanit lëshuar prej tij dëmton dhe të tjerët.
Ligji i duhanit i njohur si “Ligji për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit” është një ligj që vazhdon të synojë ashpërsimin e luftës ndaj pirjes së duhanit. Ky ligj ka hyrë në fuqi më 26 maj të vitit 2007. Në vitin 2014 u miratua sërish një ligji antiduhan. Ndërsa në vitin 2019 u bënë ndryshime të tjera në ligj. Dhe përcaktohet se në asnjë ambient të rrethuar qoftë me xham apo plastmas nuk lejohet konsumi i duhanit pasi konsiderohet ambient i mbyllur nëse më shumë 50% e hapësirës është e rrethuar apo e mbuluar.
Nëse ndokush kapet duke pirë duhan në një mjedis të mbyllur gjoba i vendoset pronarit të mjedisit dhe shkon deri në 50.000 lekë.
Sot, si kanë kaluar ca vite, në shumicat e tavolinave të lokaleve gjen edhe tavllë. Dhe tavlla në mes të tavolinës do të thotë që mund ta ndezësh pa teklif.
Ne s’na mbetet gjë tjetër vetëm ta thithim kur të tjerët e ndezin.

Wednesday, February 21, 2024

Ura e Bushtricës, kryevepra arkitektonike që nuk shërben për gjë


Nga 
Leonard Veizi
 
Nëse të bie rasti të kalosh përmes segmentit rrugor që lidh Librazhdin me Përrenjasin, nuk ka si mos të të bjerë në sy, një urë e lartë betoni, poshtë të cilës në mënyrë gjarpërore kalon rruga automobilistike.
Ajo njihet si “Ura e Bushtricës” e projektuar që mbi të, të kalonte linja hekurudhore e cila nisej nga Durrësi, për të kaluar në Elbasan, Librazhd, Përrenjas e për të mbërritur në Gurin e Kuq që ishte dhe stacioni i fundit për Juglindjen.
Sot mbi Urën e Bushtricës nuk kalojnë më trenat me vagona udhëtarësh. As sirena e lokomotivave nuk ndihet prej së largu, jehona e të cilës rikthehej nga përplasja me terrenin shkëmbor që e rrethon. E vetmja zhurmë që prish qetësinë e një peizazhi të mrekullueshëm është ajo e makinave të cilat kanë një qarkullim fort të dendur. Por megjithatë ura lartohet aty, si dëshmi e një kohe tjetër, ende e aftë të mbajë mbi vete gjithfarë vagonash me mallra rifuxho dhe me udhëtarë, të cilët mund të nisin qarkullimin në të ardhmen.
Në vitet ’80 të shekullit të kaluar ajo cilësohej një nga kryeveprat arkitektonike të ndërtuara në Shqipëri. Ishte një vepër shumë e vështirë inxhinierie, për më tepër kur flitej se në Shqipërinë e atyre viteve, mjetet në dispozicion me të cilat mund të bëhej një urë e kalibrit të tillë, nuk ishin dhe aq të sofistikuara.
Ura e Bushtricës është pjesë e hekurudhës Elbasan – Përrenjas apo më saktë e segmentit Librazhd-Elbasan.
Në kuadrin e ndërtimit të hekurudhave në vendin tonë, të cilat nisën mbas Luftës së Dytë Botërore, ajo Elbasan – Prrenjas u ndërtua mes viteve 1969-1974. Traseja në fjalë ishte e dallueshme nga të tjerat, për shkak të relievit tepër malor, ku duheshin ndërtuar dhe shumë vepra arti, të destinuara si ura dhe tunele, kryesisht.
Hapja e rrugës së hekurt ishte kthyer në një kantier të madh, ku përveç qindra punëtorëve të ndërtimit, inxhinierëve dhe teknikëve, në trase punonin me aksion vullnetar edhe mijëra të rinj universitarë nga e gjithë Shqipëria. Ndaj forcës stabël prej 2400-2600 vetash specialistë dhe punëtorë, paralel i ishin shtuar dhe rreth 10 mijë vullnetarë, të cilët punonin në çdo turn.
Në faqet e Fjalorit Enciklopedik gjendet ky shpjegim: “Ura hekurudhore e Bushtricës është ura më e lartë në vendin tonë me gjatësi 255 m, lartësia 48 m, gjerësia 4 m, e ndërtuar në vitin 1973 në hekurudhën Elbasan-Përrenjas”. Përsa i përket anës inxhinierike në enciklopedi thuhet se “materialet ka 15 hapësira, me themelet prej betoni masiv, këmbët prej betonarmeje, me seksion katërkëndësh. Mbistruktura është me trarë betonarmeje monolite”.
Ura e Bushtricës i atribuohet si projekt inxhinierit të talentuar Shkëlqim Bumçi i cili në ato vite ishte dhe drejtor i Hekurudhës Elbasan-Përrenjas.
Në një intervistë të dhënë në vitin 2013 dhe të botuar në gazetën “Shekulli”: Agim Mero, ish-Sekretari i Parë i Komitetit Qendror të Rinisë dhe pjesëmarrës i drejtpërdrejtë në disa nga aksionet e mëdha ku ishte përfshirë rinia vullnetare është shprehur: – “Puna më e vështirë ishte në ndërtimin e hekurudhës Elbasan-Përrenjas. Ishin gjithsej 13 tunele dhe disa ura për t’u ndërtuar, më e larta ishte ura e Bushtricës. Por në këtë hekurudhë kishte dhe makineri pune. Erdhën nga Suedia dy makina që përdoreshin për hapjen e tuneleve. Mbi 50 mijë pjesëmarrës punuan në këtë hekurudhë”.
Hekurudha Elbasan – Përrenjas, kalon në një terren të vështirë malor ku u ndërtuan tunele me gjatësi të përgjithshme rreth 4 kilometra. Tuneli më i gjatë ishte ai i ndërtuar në Murrash me gjatësi rreth 990 m. Në vazhdim të hekurudhës për te Guri i Kuq u ndërtua në Qafë Thanë tuneli hekurudhor më i gjatë në vend me gjatësi rreth 3020 m. 
Por kohët kanë ndryshuar. Prej vitesh treni është braktisur dhe shqiptarët udhëtimet ia kanë besuar tanimë makinave personale dhe autobuzëve të linjës.
Hekurudha shqiptare ndodhet sot në ditët e saj më të vështira. Në Shqipëri, janë 677 kilometër rrjet hekurudhor, nga këto 447 km janë linja kryesore. Por shumë kilometra të tjerë kanë qenë në shërbim të industrisë, prandaj me sistem hekurudhor kanë qenë të pajisura dhe Porti i Durrësit si dhe Kombinati Metalurgjik.
Hekurudha shqiptare ka pasur në përdorim rreth 100 lokomotiva të tipeve të ndryshme ku kryesonte lokomotiva çeke tip T669, të cilat lëviznin pothuajse 184 vagonë pasagjerësh dhe rreth 2250 vagonë mallrash.
Aktualisht një lokomotivë me dy vagona udhëtarësh vazhdon të funksionojë në linjën Durrës-Elbasan si dhe në linjën Shkodër – Laç.
Megjithëse ka pasur disa projekte për mëkëmbjen e Hekurudhës Shqiptare dhe për ta vënë sërish në eficencë, duket se deri më tani asgjë nuk është bërë realitet.

Tuesday, February 20, 2024

Në Porto Romano, dikur bëhej plazh e sot ndërtohet Porti

Shënime udhëtimi



 Nga Leonard Veizi
 
Qyteti i Durrësit nuk do të ketë më Portin Tregtar dhe sqepat e vinçave që zgjaten, ulen e ngrihen për të shkarkuar e ngarkuar mallrat nga vaporët, do të mbetet në kujtesë vetëm nga imazhet që na ka lënë Ish-Kinostudio, si në rastin e filmit “Horizonte të Hapura”, “Binarët”, “Kush është vrasësi”, etj, por edhe në filmat dokumentarë të kohës. Porti prej kohësh po zhvendoset për atje ku deri dje në mënyrë të papërfillshme quhej thjesht me emërtimin e mbartur në thuajse 2000 vite histori: Porto Romano...
 
...Me siguri nga hera e fundit që kam qenë në Porto Romano, - si stacioni fundor i Durrësit që ishte qendër e banuar, - duhet të kenë kaluar 20 vite. Por për të bërë plazh në këtë zonë të bregdetit duhet të kenë kaluar të paktën 35 vite.
Ishte stacioni i fundit ku autobusi që nisej nga stacioni çdo 30 minuta, bënte një kthesë të detyruar, sepse më tej rruga nuk të çonte askund.
 
Nostalgjia
Në vitet ’85 të shekullit të kaluar, për shkak se një i afërmi im ishte me banim në këtë pjesë periferike të Durrësit, shkoja shumë shpesh në zonë. Dhe ndihesha i familjarizuar me të. Porto Romano kishte një plazh të zbrazët, - që fillimisht nuk më joshte pasi isha mësuar të vërdallosesha të Pista, - por që mbushej me çadra ditore vetëm të dielave. Kushërinjtë e mi që jetuan për disa vite në atë zonë, më thanë se durrsakët, nuk e bënin plazhin as tek Teuta, as tek Hekurudha dhe as tek Iliria, të cilat për të thënë të vërtetën pushtoheshin nga pushuesit e shumtë të Tiranës që ishin jo vetëm ata të sezonit dyjavor, por edhe shumë nga ata ditorët që vinin me tren. Ditës së vetme të pushimit të atyre viteve ata i hipnin autobusit urban dhe zbarkonin në Porto Romano. Plazhi ishte i qetë dhe ujët e detit shumë i pastër. Dhe ndoshta kjo ishte një mënyrë se si vendalinjtë u shmangeshin kryeqytetasve fodullë.
 
Nga Tirana
Sot për të shkuar në Porto Romano nuk duhet shumë kohë në dispozicion.
Nga qendra e Tiranës për në zonën që njihet me emrin “Rinia” janë 44.6 kilometra të cilat mesatarisht përshkohen për 56 minuta.
Por që nga qendra e Durrësit, - po qe se marrim ndërtesën e Bashkisë si pikë referimi, -  Porto Romano është 7.2 kilometra e cila në një rrugë të drejtë me emrin Aleksandër Goga, në një trafik normal disi të ngarkuar, përshkohet për rreth 20 minuta.
Për të shmangur trafikun, e që të mos futesh në qytet, e mira është që tek mbikalimi  i Shkozetit, të marrësh djathtas tek rrethrrotullimi që të orienton me një tabelë “Unaza e Durrësit”. Dhe fill pas kësaj, tek rrethrrotullimi i dytë pak metra më poshtë nuk duhet të marrësh majtas, sepse ajo rrugë me trafik të rënduar vërtet të çon në unazën e qytetit, por duhet të ecësh drejt ku tabela të orienton “Parku energjitik”. Rruga është e drejtë dhe e gjerë dhe kalon mes përmes ish-kënetës së dikurshme, që prej vitesh është bonifikuar, por që nuk do shumë për të kuptuar se vende-vende, fusha merr sërish ujë dhe është e gatshme të kthehet menjëherë në gjendjen e mëparshme, nëse nuk do të funksionojnë kanalet kulluese dhe hidrovorët.
 
Rruga
Investim me gjatësi rreth 6 km është pjesë e aksit të ri rrugor që lidh autostradën Tiranë-Durrës me zonën e Porto Romanos. Ky projekt i rëndësishëm po lehtëson ndjeshëm trafikun dhe është në funksion të Parkut Energjitik, Portit Industrial, si dhe zonave të lira ekonomike.
Në anën e djathtë të rrugës ndeshesh me një bllok pallatesh të reja të sistemuara por ende të pabanuara. I përkasin zonës së Spitallës. Kjo është një lagje e re me ndërtesa të bëra për ata që humbën shtëpitë e tyre pas tërmetit të nëntorit 2019.
Duhet edhe disa minuta për të mbërritur në destinacion. Kalojmë dhe nja dy rrethrrotullime të tjera. Një herë ecën drejt e për së dyti kthehesh majtas. Dhe aty sërish në të djathtë do të ndeshesh me disa fusha futbolli. Zona pranë Porto Romanos që është përdorur për shumë vite për hedhjen e mbeturinave të qytetit të Durrësit, është kthyer tashmë në një park të madh urban. Projekti Eco Park, një territor prej 155 mijë metrash katrorë, ka transformuar zonën e Porto Romanos nga një landfill ku hidheshin 80-90 mijë tonë mbetje në vit, në një park ekologjik që  shërben për qytetin e Durrësit.
Mbërrijmë në destinacion.
 
Terreni
Porti duket që tej. Ka filluar lëvizja dhe makinat e tonazhit të rëndë lëvizin rrugës. Në port gjenden anije transporti të ankoruara dhe vinça pune. Pamja nga buza e detit është relaksuese. Varka peshkimi që qëndrojnë të lidhura e lëkunden nga valët e detit, por duket që janë pushim po aq sa të zotët e tyre. Dhe po aq nuk funksionon asnjë nga restorantet me prodhime deti. Zona duket e shkretë edhe pse dita është plot diell. Një nënstacion elektrik gjithashtu është në ndërtim. Ndërkohë që depozitat e karburanteve duket se e kanë nisur aktivitetin.
Nga raportimet e mëparshme, mësojmë se plazhi i Porto Romanos rrezikonte të zhdukej, pasi për shkak të erozionit, brenda pak viteve deti kishte hyrë rreth 15 metra në brendësi të tokës.
Porti i Durrësit do të zhvendoset në Porto Romano duke ndërtuar nga e para këtë infrastrukturë. Kjo erdhi pas miratimit të një tjetër investimi mbi Portin ekzistues në Durrës ku do të zhvillohet “Durrës Marina & Yachts”.
Natyrisht ndërtimi i Portit ka sjellë jo pak shqetësime për banorët e zonës, të cilën janë ankuar edhe për ndotje të ambientit. Por ja që zhvillimi, i ka të mirat dhe të këqijat bashkë.
Në një distancë prej rreth 2-3 km më në jug ndodhet zona e parashikuar për realizimin e parkut fotovoltaik të Spitallës. Ky është dhe parku i dytë fotovoltaik më të madh në vend. Kjo zonë do të shndërrohet në zonë industriale dhe do të vihet në shërbim të portit të ri. Pranë portit, në verilindje dhe jugperëndim të fshatit Rinia, janë parashikuar ndërtime rezidenciale.
Me sa duket, për pak vite zona do të lulëzojë.
 
Arkeologjia
Dikur një zonë pak e banuar tanimë Porto Romano ka 20 mijë banorë të cilët kanë ardhur nga rrethe të ndryshme të vendit, por kryesisht nga verilindja.
Por Porto Romano ka qenë i banuar qysh në lashtësi. Jo më kot ka dhe këtë emër.
Porto Romano është edhe një vend arkeologjik, sepse nëse ka mbetur toponimi “Porto Romano”, do të thotë që aty ka qenë një port ku zbarkonin anijet e ushtrisë së Romës, e cila natyrisht ka pasur dhe fortifikatat mbrojtëse. Sot disa mure gjenden mbi ujë, por shumica e tyre janë nën det, që nga koha kur Durrësi është goditur nga tërmetet e fuqishme që kanë shkatërruar qytetin antik dhe shumicën e fortifikimeve.
Sipas historianëve dhe ekspertëve të arkeologjisë, gërmadhat e Porto-Romanos i përkisnin sistemit të fortifikimit të perandorit Anastas I. Të tilla mure po të kësaj periudhe dhe të të njëjtit perandor, ka edhe në qytetin e Durrësit.
Tanimë duket se Porto Romano nga një plazh i harruar, po kthehet në një zonë e cila do të ketë lëvizje pa fund. Dhe këtë mendohet se do t’ia japë ndërtimi i Portit të Ri, i shoqëruar dhe me resorte të shumta buzë detit.
Për më tej, na duhet të mbetemi në pritje...


Gjergj Vlashi/ Shuhet fisniku i Durrësit

 Në intervistën e tij të dhënë para se të mbushte 90 vjeç, dhe i pyetur se çfarë do të bënte pasi kjo datë të kishte kaluar, ai do të përgjigjej thjeshtë dhe pa ekuivoke: “Asgjë të veçantë. Do të vijoj jetën e zakonshme që më ka caktuar Ai atje lart! 

Nga 
Leonard Veizi
 
Ata që e njihnin mirë thoshin se ai është “babai i humorit”. Padyshim ky vlerësim urban mund të mos gjejë një alternativë të dytë, përderisa trupa e estradës ku ai ishte themelues qe pararojë, qoftë në prodhimtarinë e humorit qytetar po ashtu dhe për cilësinë e përcjelljes së tij. Dhe kjo është vetëm njëra anë e medaljes. Por ai njihet gjithashtu dhe si një letrar me kuota të latra lexueshmërie.
Autori i dhjetra tregimeve si dhe i 16 romaneve do të renditej ndër shkrimtarët më në zë të epokës së re. Ndërkohë, në karrierën tij të gjatë si regjisor trupe, numërohet të ketë ngjitur në skenë të paktën 100 shfaqje të ndryshme. Dhe nuk duhet më shumë se kaq, për ta fituar termin urban “i madh”, sepse në terminologjinë zyrtare artistike ky term është i rrëzuar me kohë.
Sepse sipas kritikës nuk ka shkrimtarë të mëdhenj, por ka vetëm shkrimtarë, ashtu siç nuk ka as regjisorë të mëdhenj, por vetëm regjisorë. Sepse në tentativën e mundimshme për të qenë diçka në jetë, je ose nuk je i tillë, ndaj prapashtesa nuk merr vlerë…
 
…Në intervistën e tij të dhënë para se të mbushte 90 vjeç, dhe i pyetur se çfarë do të bënte pasi kjo datë të kishte kaluar, ai do të përgjigjej thjeshtë dhe pa ekuivoke: “Asgjë të veçantë. Do të vijoj jetën e zakonshme që më ka caktuar Ai atje lart!”
Dhe firma e Zotit vlejti deri në 4 tetor 2020. Prej 80 ditësh e kishte kaluar 92 vjetorin, ndërsa në 5 tetor nuk do të mund të përgjigjet më në apel.
“Gjergji i madh i Durrësit”, do ta vlerësonte ekipi i Teatrit “Aleksandër Moisiu,” në njoftimin e rastit për humbjen e regjisorit.
Me titujt “Nderi i Kombit”, “Artist i Popullit” dhe “Mjeshtër i Madh i Punës” Gjergj Vlashi mbetet ikonë e qytetit të lashtë bregdetar, me portin e madh dhe Kullën Veneciane. Sepse Gjergj Vlashi ishte një nga personazhet me karizmatike të jetës kulturore të qytetit, krijues me shumë kontribute!
Prej vitesh ai jetonte mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Spanjës dhe Durrësit, atje ku kishte pjesë të familjes. Udhëtonte shpesh e nuk lodhej dhe kjo padyshim i ka dhënë dimensione të reja krijimtarisë së tij. Një ritëm i tillë gjithashtu e bëri që gjatë gjithë kohës të ishte duke krijuar diçka të re. Sepse s’mund të bënte dot ndryshe.
 
Nisja
Gjergj Vlashi u lind në Durrës më 13 korrik të vitit 1928. Në jetëshkrimin zyrtar të tij thuhet se shkollën fillore dhe të mesme e kreu në qytetin e lindjes. Që në vitet e para të pas luftës u mor me teatrin amator dhe debutoi në disa shfaqje si “Nën gështenjat e Pragës”, “Prefekti”, “Çani hoxhë”, etj. Pas shërbimit ushtarak punoi si regjisor ne klubin e portit detar dhe në vitin 1957 u emërua regjisor në shtëpinë e kulturës.
Njihet si themelues i Varietesë dhe regjisor i Estradës së këtij qyteti. Në vitin 1960, së bashku me aktorët Spiro Strati, Ramazan Njala, Enver Likmeta, Aishe Stari e të tjerë krijoi Teatrin e Estradës profesioniste të qytetit të Durrësit. Për 30 vjet me këtë trupë ai krijoi humor dhe një galeri tipash e prototipash, që ende vazhdojnë të ekzistojnë si personazhe me batutat e tyre. Detyrën e regjisorit të trupës e mbajti deri në vitin 1990, kur doli në pension. Ndërkohë ka punuar me shumë trupa të tjera, duke vënë shfaqje në Tiranë, Shkodër, Korçë, Lushnje, Pogradec, me Estradën e Ushtarit, etj.
 
Regjisori i skenës
Në jetëshkrimin e tij thuhet gjithashtu se ka punuar për disa vite si pedagog i jashtëm në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë. Ka marrë pjesë me trupën e Durrësit në shumë festivale, duke fituar disa çmime të para. Me dhjetëra shfaqje të trupës së estradës së Durrësit mbajnë vulën e tij. Aktorë si Ramazan Njala, Enver Likmeta, Fadil Hasa, Spiro Strati, Aishe Stari, Lumturi Dashi etj rritën performancën e tyre artistike nën drejtimin e regjisorit Vlashi.
Por ai është dhe autor i librit “Si vihet në skenë një shfaqje estradë” dhe i shumë artikujve e studimeve për estradën dhe teatrin. Ndaj nuk mund të thgemi se ishte thjesht një regjisor i mirë, por dhe një studjues i skenës.
 
Krijimtaria letrare
Krahas punës si regjisor ka zhvilluar një veprimtari të dendur letrare, si shkrimtar dhe përkthyes. Ndërsa ka botuar më shumë se 45 vepra jo vetëm tregime, novela e romane, por dhe komedi si dhe një sërë përkthimesh. Librat e tij tanimë gjenden të botuara jo vetëm në Shqipëri por edhe në Kosovë, madje dhe në Itali.
Njohës i disa gjuhëve të huaja Gjergj Vlashi ka sjellë në gjuhën shqipe një varg botimesh me përkthime nga autorë të njohur si Franz Kafka, Jose Saramago, Agata Kristi, Dino Buxati, shkrimtarë rusë, italianë, austriakë, spanjollë, portugezë dhe hispanoamerikanë të shekullit XX, etj. Madje ai njihet si përkthyes i parë i Kafkës, me librat “Metamorfoza” dhe “Proçesi”.
Në kujtimet e tij ai thotë se për shkak të udhëtimeve që ka bërë në kontinentin tonë e përtej oqeanit, ka pasur fatin të takojë kolosët e letërsisë botërore: Hose Saramago, Paulo Coelho e Hose Camilo Sela.
 
Ikja
“Iku Fisniku i Kulturës Shqiptare!”, do të shprehej regjisori Mevlan Shanaj në një shënim të tijin. “I paharrueshem Gjergj Vlashi! Do të kujtohet me veprat dhe punën e tij!”, do të shtonte Zamira Kita. E pak më tutje Arben Derhemi shkruante: “Vërtetë një njeri me vlera të mëdha artistike por mbi të gjitha, qeshja dhe fisnikeria e tij do t’i mungojë komunitetit tonë”. E ndërkaq, Aksinja Xhoja, vajza e aktorit Nikolin Xhoja shkruan: “Durrësi dhe Shqiperia humbën një kolos të Kulturës”. E bashkë me ta do të bashkoheshin në ngushëllimet për artistin e madh dhe Robert Radoja, Suela Konjari, Namik Dokle, Violeta Banushi, Ben Apolloni, Alfred Trebicka, Shegushe Bebeti, Ermir Nika, etj.

Friday, February 16, 2024

Parfumi: Historia me aromë mahnitëse e një vrasësi vajzash


Nga Leonard Veizi
 
Ai kërkonte përsosmërinë. Të krijonte një parfum të papërballueshëm nga askush. Diçka që ta kalonte të zakonshmen e të kishte efekt të mbinatyrshëm. Dhe ia arriti. 12 erëra të veçanta marrë nga lëkura e 12 vajzave të ndryshme, për të prodhuar një miks. Dhe gjithçka arriti përsosmërinë kur viktimë e tij bëhet vajza e 13-të, flokëkuqja me emrin Lora Riçis. Kjo do të sillte një mrekulli aromë tunduese deri në marrëzi. Dhe çuditërisht aromat kanë një fuqi bindjeje më të fortë se vetë fjala. Vetëm një pikë parfumi e shpërndarë në eter përmes një shamie do të sillte një dehje kolektive, një orgji masive dhe një çorientim psikologjik aq sa vetë vrasësi i tmerrshëm i vajzave, nga përbindësh do të quhej: engjëll...
 
...Spektatorët u tronditën kur panë filmin “Parfumi: Historia e një vrasësi”. Ata që e kishin lexuar librin më parë se kaq edhe pse e njihnin subjektin por gjithashtu do të ngrinin përpara imazheve filmike. Pamjet tregonin një histori ekstravagante të një njeriu që zotëronte një nuhatje magjike dhe një obsesion të çuditshëm shkatërrues.
Filmi nis me dënimin e një vrasësi famëkeq të quajtur Zhan-Baptiste Gronuill. Ai lindi korrikun e vitit 1738 në një treg ushqimor të Parisit, ngritur mbi “Cimetiere des Innocents”. Një grua shtatzënë që punonte në tezgën e peshkut, lindi fëmijën dhe e hodhi atë në mes të mbeturinave me qëllim që të vdiste. Por klithmat e foshnjës tërhoqën vëmendjen e klientëve aty pranë që e çuan beben në një jetimore ndërsa nënën e tij e dorëzuan tek autoritetet të cilët pa e bërë të gjatë e varën në litar me motivin: tentativë vrasjeje.
Çuditërisht trupi i foshnjes nuk binte erë, dhe si i tillë u cilësua që në fillim "fëmijë i djallit". Por ndërkohë ai kishte dhuntinë për të nuhatur gjithçka. Zhan-Baptiste Gronuill e zbuloi herët talentin e tij të madh, ekuivalentin nuhatës të zërit të përsosur, të kombinuar me kujtesën absolute të nuhatjes. Në rrugën e tij të jetës, foshnja i rritur tashmë, mësoi të krijon parfume. Por puna e tij merr një kthesë vdekjeprurëse, kur në kërkim të parfumit perfekt nis të vrasë vajza të reja dhe t’u marrë aromën e trupit.
Në skenën klimatike të romanit, pikërisht kur Gronuill është gati të ekzekutohet, ai përdor si armë shpëtimi parfumin që kishte krijuar. Urrejtja e banorëve të qytetit, - të cilët kishin shkuar për të parë ekzekutimin, - papritur u kthye në dashuri.
Dhe si shpëton nga ekzekutimi në gijotinë, Zhan Baptist shkon në një lagje të varfër të Parisit, spërkatë veten me pjesën tjetër të parfumit. Kjo do të sjellë kanibalizimin e tij nga një grup endacakësh e kriminelësh. Sipas kritikës, me këtë zgjidhje dhe mbyllje të veprës autori kërkon të japë një lloj vetëvrasjeje me prokurë.
Nga kritika “Parfumi: Historia e një vrasësi” është  cilësuar si një rrëfim jashtëzakonisht i fuqishme i vrasjeve dhe shthurjes sensuale.
 
Libri
“Perfume: The Story of a Murderer”, në fakt është një roman i botuar në vitin 1985, fillimisht në gjermanisht si “Das Parfum” nga shkrimtari gjerman Suskind Patrik. Sipas një kritike të botuar në gazetën “Dia” të Madritit, kjo ishte një vepër që la të mahnitur kritikët si nga Berlini po aq dhe nga Roma, Parisi e Londra. “Kjo është përgjigjja e Europës drejtuar realizmit magjik latinoamerikan", do të shkruante kritika.
Historia sjell Zhan-Baptiste Gronuill, një jetim në Francën e shekullit XVIII, i cili ka lindur me një sens të jashtëzakonshëm nuhatjeje, i aftë për të dalluar një gamë të gjerë aromash rreth tij.
Me përkthime në 49 gjuhë dhe më shumë se 20 milionë kopje të shitura në mbarë botën deri më sot, “Parfumi” është një nga romanet gjermanë më të shitur të shekullit të XX. Titulli mbeti në listat e bestsellerëve për rreth 9 vjet dhe mori thuajse njëzëri vlerësim pozitiv nga kritika vendase dhe ndërkombëtare. Ai u përkthye në anglisht nga Xhon E. Uods dhe fitoi çmimin “World Fantasy Award” dhe Çmimin e Përkthimit PEN në vitin 1987. Disa botime të romanit, përfshirë të parin, kanë si kopertinë pikturën e Antuan Uatu, Jupiter dhe Antiope.
Autori i këtij romani u lind në Ambah, në jug të Gjermanisë. Suskind, ka punuar si gazetar dhe ka shkruar për televizionin dhe radion. Monodrama e tij "Kontrabasi" ishte suksesi i parë letrar dhe u pasua nga romani i jashtëzakonshëm "Parfumi".
 
Personazhi
Në lagjet e varfra të Francës së shekullit të XVIII, foshnja Zhan-Baptiste Gronuill lind me një dhuratë të jashtëzakonshme - një shqisë absolute të nuhatjes. Por çështja është se trupi i tij nuk ka fare erë. Mungesa e erës së trupit e kthen atë në një të dëbuar, të mallkuar por dhe të bekuar njëkohësisht. Vetë Gronuill është i përhumbur nga erërat. Ai njeh aromat e gurëve të veçantë madje dhe të llojeve të ujit; ai mund të gjejë edhe parfumin më drithërues nga kilometra larg; mund të ndajë erën më të thjeshtë në elementët e saj të ndryshëm - atë të një qenieje njerëzore.
Ambicia e tij e vetme është të bëhet parfumieri më i madh i të gjitha kohërave. Për të fshehur mungesën e erës së tij, ai kërkon të krijojë një parfum që jo thjesht si një aromë, "por si një qenie njerëzore që lëshon një aromë." Ai jeton për të deshifruar aromat e Parisit dhe praktikohet te një parfumier i shquar, i cili i mëson atij artin e lashtë të përzierjes së vajrave dhe bimëve të çmuara. Por gjenialiteti i Gronuill është i tillë që ai nuk kënaqet të ndalet me kaq dhe bëhet i fiksuar pas kapjes së aromave të gjithkujt objekti. Pastaj ai tërhiqet nga një aromë që do ta shtyjë atë në një kërkim gjithnjë e më të tmerrshëm për të krijuar "parfumin përfundimtar" - aromën e një virgjëreshe, të re e të bukur. Përshkrimet e përvojave të nuhatjes së Gronuill janë të harlisur. Ai nuhat gjithçka, nga era mbytëse e Parisit të mbipopulluar me varrezat e tejmbushura, tregjet e peshkut, lëkurët e përpunuara në fabrikë si dhe aroma e ëmbël të të gjitha luleve. Pastaj ai zhduket në shkretëtirë për shtatë vjet, në një rajon pa erë, ku fuqia e tij personale duket se rritet shumë. Por pas kthimit të tij në qytetërim ai rifillon karrierën e tij fatale. Gronuill mëson si të distilojë parfumet dhe të nxjerrë aromat. Por më vonë ai magjepset kur njeh një vajzë të re flokëkuqe me një aromë të mrekullueshme e të patejkalueshme, një aromë që nuk mund ta shpërfillte. Ai nuk dinte si të reagonte ndaj saj, nuk donte që era të prishej, pasi e kapi dhe e mbyti, duke mos e kuptuar plotësisht se çfarë po ndodhte. Ajo u bë dhe viktima e parë e tij. Ndërsa parimi i aromës së saj urdhëronte gjithë botën e tij të brendshme nuhatëse.
Grenouille është një personazh i çuditshëm. Autori e ka trajtuar atë të margjinalizuar nga ana sociale dhe psikologjike. Ai është çuditshëm si në pamjen fizike ashtu edhe në temperament. I përmbajtur, i shkëputur nga bota që e rrethon e me sa duket pa asnjë ndjenjë të përshtatshmërisë sociale apo ndërgjegjes, ai bëhet gjithnjë e më i fiksuar pas dhuntisë së tij.
Dhe në fund obsesioni i tij arrin lartësinë e kërkuar, pas një serie vrasjesh, ku kërkon të zotërojë aromë vajzash. Kjo përhap frikë dhe tmerr në të gjithë popullatën, që vihen në gjetjen e vrasësit.
 
Filmi
“Parfumi: Historia e një vrasësi” është një film thriller psikologjik i prodhuar në vitin 2006 me regji të Tom Tykvar, i cili shkroi skenarin me Endriu Birkin dhe Bernd Aishinger, bazuar në romanin e Patrik Süskind. Në film luajnë Ben Uinshu, Alen Rikmën, Reiçëll Hërd-Uod dhe Dastin Hofmën. Producenti Aishinger bleu të drejtat e filmit për romanin e Süskind në vitin 2000 dhe filloi të shkruante skenarin së bashku me Birkin. Tykvr u zgjodh si regjisor dhe iu bashkua të dyve në zhvillimin e skenarit në 2003. Xhirimet nisën më 12 korrik 2005 dhe përfunduan më 16 tetor 2005; dhe u zhvilluan në Spanjë, Gjermani dhe Francë. Filmi u realizua me një buxhet prej 50 milionë eurosh ose 60 milionë dollarë, duke e bërë atë një nga filmat më të shtrenjtë gjermanë. Bashkëprodhimi i Gjermanisë, Francës, Spanjës dhe Shteteve të Bashkuara, u publikua më 14 shtator 2006 në Gjermani, nga “Constantin Film”, 26 dhjetor 2006 në Mbretërinë e Bashkuar, nga “Pathé Distribution” dhe 27 dhjetor 2006 në Shtetet e Bashkuara, nga “Paramount Pictures”. Ai fitoi mbi 135 milionë dollarë në mbarë botën, nga të cilat mbi 53 milionë dollarë u arkëtuan vetëm në Gjermani.