Monday, February 26, 2024

Historia e Kinës/ Nga perandori Pu Yi në Fronin e Dragoit tek revolucioni i shokut Mao Ce Dun

Historia e “Perandorit të fundit”, autobiografia që u kthye në filmin kult të Bernarto Bertoluçit



Nga Leonard Veizi
 
Në vitin 1908, si një mrekulli e rënë nga qielli, tre vjeçari Pu Yi do të trashëgonte postin e perandorit të dinastisë Çing. Ishte 3 vjeç kur u ul për herë të parë në Fronin e Dragoit si perandor i Kinës, 7 vjeç kur abdikoi dhe 19 vjeç kur u detyruar ta lerë Qytetin e Ndaluar. Ndërsa tetorin e vitit 1967 ai vdiq si një qytetar i thjeshtë. Kishte punuar si lulishtar në një kopsht botanik të Pekinit, por hulumtonte dhe si studiues historie njëkohësisht. Por mbi të gjitha kishte bërë 14 vite burg e rehabilitim politik 9-të prej të cilave nën regjimin komunist të Mao Ce Dunit. Sepse u akuzua për tradhti...
 
...“Perandori i fundit” është një nga kryeveprat që regjisori italian Bernarto Bertoluçi na la si trashëgimi të tij filmike. Në gjuhën italiane filmi njihet me titullin “L'ultimo imperatore” por në anglisht si “The Last Emperor”. Ai është një film biografik-epik dhe prodhim italo-britanik prej 163 minutash, – si version i shkurtuar pasi version i plot është 218 minuta, - i shfaqur për ekranin e madh të kinemasë në vitit 1987. “Perandori i fundit” njihet dhe si filmi i parë që shfaqi periudhën specifike të fundit të monarkisë kineze.
Skenari i filmit u shkrua nga Mark Pepler në bashkëpunim me regjisorin Bertoluçi, dhe u bazua mbi autobiografinë e shkruar nga Aisin-Gioro Pu Yi me titullin e ardhur nga gjuha kinezë “Gjysma e parë e jetës sime; Nga perandori te qytetari”, dhe e botuar në vitit 1964.
“L'ultimo imperatore” ishte filmi i parë artistik perëndimor i autorizuar nga Republika Popullore e Kinës për të filmuar brenda mjediseve autentike të Qytetit të Ndaluar në Pekin. “Qytetit të Ndaluar” është një kompleks i madh mesjetar që mbulon rreth 250 hektarë dhe përmbante 9999 dhoma. Në këtë film interpretojnë Piter O’Tul, Xhon Lon, Xhoan Çen, Juriti Sakamoto, Denis Dan, Lisa Lu. Drejtor i fotografisë është Vitorio Storaro, që konsiderohet si një legjendë e kinemasë italiane.
“Perandori i fundit” u shfaq premierë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Tokio në vitin 1987 dhe u publikua në Shtetet e Bashkuara nga “Columbia Pictures” më 18 nëntor. Ai fitoi vlerësime pozitive nga kritikët duke qenë njëkohësisht dhe një sukses komercial. Në çmimet e 60-ta të Oscar-it, ai fitoi të nëntë çmimet Oscar për të cilat ishte nominuar, duke përfshirë filmin më të mirë, regjisorin më të mirë dhe skenarin më të mirë të adaptuar. Ai gjithashtu fitoi disa vlerësime të tjera, duke përfshirë tre çmime BAFTA, katër çmime “Golden Globe”, nëntë çmime “David di Donatello” dhe një çmim “Grammy” për partiturën e tij muzikore.
Struktura narrative e të gjithë filmit përdor një teknikë montazhi për të na dhënë dy linja kryesore. E para është e kaluara kur Pu Yi ishte perandori i dinastisë Çing. Linja e dytë tregon errësirën dhe një atmosferë më të ftohtë në Kinën e pas Luftës së Dytë Botërore. Skenaristi Mark Pepler dhe regjisori Bertoluçi përdori retrospektivën për të mbuluar 60 vjet histori të largët dhe enigmatike.
 
Autobiografia
Aisin-Giro Pu Yi ose Perandori Pu Yi u lind në 7 shkurt 1906 dhe u nda nga jeta më 17 tetor 1967. Ai ishte perandori i fundit i Kinës. Emri i epokës së tij ishte, "Xuantong", që merr kuptimin "shpallje e unitetit". Babai i tij ishte Princi Caifon Çun II. Ai thuajse nuk do ta takonte dot më nënën e tij dhe u rrit nga eunukët. Më 12 shkurt 1912, gjatë Revolucionit Xinhai, u detyrua të abdikonte. Në vitin 1924, u dëbua nga Qyteti i Ndaluar. Gjatë Luftës së Dytë Botërore u kurorëzua Perandor në shtetin japonez kukull të Mançurisë.
Nga botim në anglisht autobiografia e Aisin-Gioro Pu Yi njihet si “Nga perandori te qytetari”. Është një rrëfim unik i parë përmes syve të një të linduri për të qenë një monark absolut. Libri fillon me rrëfimin e autorit për ditët e fundit dekadente të dinastisë Çing dhe mbyllet me introspektivën; portreti i perandorit i shndërruar në një  pensionist të Republikës Popullore të Kinës. Në librin e tij Pu Yi zbulon se para së gjithash është një i mbijetuar, i shtyrë nga përroi i betejave globale për pushtet dhe konflikti botëror që u shfaq në kontinentin aziatik. Ky përshkrim i drejtpërdrejtë i ngjarjeve dramatike të jetës së tij ishte baza për filmin e njohur ndërkombëtarisht të Bernardo Bertoluçit, “Perandori i fundit”, i cili u cilësua si filmi më i mirë i vitit nga Akademia Amerikane e Arteve.
 
Filmi
“L'ultimo imperatore” mbetet i rrallë në kinematografinë botërore, i transmetuar gjerësisht edhe nga Televizioni Shqiptar. Ja çfarë përshkruhet në të:
Në vitin 1950, 44-vjeçari Pu Yi, ish-perandori i Kinës, ka qenë në paraburgim për pesë vjet pas kapjes së tij nga Ushtria e Kuqe kur sovjetikët u futën në Mançuri. Në Republikën Popullore të Kinës të krijuar së fundmi, Pu Yi mbërrin si i burgosur politik dhe kriminel lufte. Ai tenton vetëvrasjen, por shpëtohet shpejt dhe i thuhet se i duhet të dalë në gjyq.
42 vjet më parë, në vitin 1908, vogëlushi Pu Yi thirret në Qytetin e Ndaluar, - rezidenca perandorake dhe oborri i famshëm të eunukëve, - nga Perandoresha Sishi. Pasi i bën të ditur se perandori i mëparshëm, Guanshu kishte vdekur më herët atë ditë, Sishi i thotë Pu Yi se ai do të jetë perandori i ardhshëm.
Nga dita e kurorëzimit të tij e tutje Pu Yi mbahet i izoluar nga e gjithë pjesa tjetër e Kinës. Atij i ndalohej kategorikisht të largohej nga Pallati Perandorak. Për shkak të pengesave të dukshme të moshës, ai nuk është i informuar për çështjet qeveritare dhe shtetërore dhe nuk ushtron aspak pushtetin e tij të jashtëzakonshëm. Kjo gjë kryhet nga ministrat dhe eunukët e oborrit, të cilët e rritin atë në një klimë hipokrizie të fortë dhe servilizmi. I vetmi person që e do vërtet është Ar Mo, infermierja e tij.
Ndër skenat e para të filmit jepet Pu Yi, i ndjekur nga kujdestarët dhe shërbëtorët e tij, kërcen me padurim nga Froni i Dragoit dhe vrapon drejt derës së dhomës, ku një perde e madhe pengon pamjen. Pastaj perdja hapet dhe spektatori ndeshet me një pamje të pabesueshme: mijëra oborrtarë me veshje tradicionale, të rreshtuar me saktësi gjeometrike, e të përkulur për të nderuar Perandorin.
Një ditë, ai vizitohet nga nëna e tij dhe vëllai më i vogël, Pujie, i cili i thotë se nuk është më Perandor dhe se Kina është bërë republikë. Megjithatë Pu Yi qëndron në Qytetin e Ndaluar si një sovran kukull. I dekoruar në mënyrë ironike me titullin e Perandorit, ai kupton se është i tillë vetëm në emërtim.
Në vitin 1919, britaniku Rexhinald Xhonston, - që në fakt është skocez, - emërohet si mësues i Pu Yi-t dhe i jep atij një arsim të stilit perëndimor. Xhonston, studiues e diplomat plot kulturë, është i pari që ekspozoi dishepullin perandorak ndaj realitetit, me një notë të thellë dashamirësie, por duke tërhequr antipatitë dhe kundërshtimet paragjykuese të oborrtarëve dhe eunukëve. Fërkimi maksimal arrihet kur ai i mëson Perandorit të përdorë biçikletën dhe insiston që Pu Yi të mbajë gjithmonë syze optike, duke parandaluar një humbje të caktuar të shikimit. I ndikuar nga mësimet e Xhonston, Pu Yi dëshiron gjithnjë e më shumë të largohet nga Qyteti i Ndaluar madje të "arratiset" për të shkuar në Universitetin e Oksfordit.
Menjëherë pasi mbeti jetim nga nëna e tij, - e cila vdiq pasi mori një dozë të lartë opiumi, - sovrani i ri martohet me dy gra: Uan Jong, që ishte vajza e një fisniku shumë të pasur dhe me konkubinën Uen Shin si bashkëshorte dytësore. Pas kësaj ai fillon reformimin e Qytetit të Ndaluar, duke përfshirë dëbimin e eunukëve të pallatit. Megjithatë, në vitin 1924, ai vetë dëbohet nga Qyteti i Ndaluar dhe internohet në Tianjin, pas grushtit të shtetit në Pekin.
Për vite me rradhë, ndërsa Kina lodhej nga betejat e kryekomandantëve, ish-sundimtari u kthye në një playboy, me emrin Henri. Ai bënte një jetë dekadente dhe megjithëse një anglofil vendos të bashkëpunojë me japonezët. Gjatë kësaj kohe, Uen Shin divorcohet nga ai, ndërsa Uan Jong i nënshtrohet varësisë nga opiumi. Në vitin 1934, japonezët e kurorëzuan atë "Perandor" të shtetit kukull të Mançurisë. Por supremacia e tij politike e supozuar minohet në çdo hap. Ai mbeti sundimtari nominal i rajonit deri në kapjen e tij nga Ushtria Sovjetike.
Sipas programit të riedukimit komunist për të burgosurit politikë, Pu Yi detyrohet të heqë dorë zyrtarisht nga bashkëpunimi i tij me pushtuesit japonezë. Pu Yi përfundimisht tërhiqet dhe konsiderohet i rehabilituar nga qeveria; ai lirohet në 1959. I mbetet vetëm të jetojë një jetë melankolike dhe të padukshme si kopshtar, si miliona qytetarë të tjerë, pa pasuri, famë, poste e tituj nderi. Deri në vitin 1967, Pu Yi jeton një ekzistencë proletare pas ngritjes së kultit të personalitetit të Mao Ce Dunit. Madje në vitin 1967 gjatë Revolucionit Kulturor, ai sheh një paradë në të cilën ish-guvernatori i burgut që e ndihmoi në rehabilitimin e tij poshtërohej si armik i revolucionit.
I moshuar dhe i pasigurt Pu Yi paguan tarifën e hyrjes si çdo vizitor tjetër në pallatin e tij të mëparshëm perandorak, Qyteti i Ndaluar, dikur rezidenca zyrtare e perandorëve kinezë që nga Mesjeta ishte kthyer në një muze të thjeshtë, të cilin e viziton me shumë emocion, duke kujtuar ditët e largëta të cilat i kishte jetuar atje.
Filmi mbyllet me një episod të 20 viteve më pas, ku një guidë drejton një grup turistësh nëpër pallatin perandorak. Duke u ndalur para fronit, udhërrëfyesi përmbledh jetën e Pu Yi-t në disa fjali të shkurtra, përpara se të përfundojë duke thënë se Perandori i fundit i Kinës vdiq në vitin 1967.
 
Analiza
Padyshim, si në një shaka ironike Pu Yi ishte perandor i asgjëje. I pafuqishëm të ushtronte detyrën megjithëse kishte një titull të madh. Gjatë gjithë filmit ai shihet si një peng dhe viktimë, i shfrytëzuar për qëllimet e të tjerëve,
Procesin e burgun komunist në fakt Pu Yi e kishte nisur shumë vite më parë, kur në një nga skenat e filmit ai pedalon biçikletën rreth Qytetit të Ndaluar derisa mbërrin tek portat e tij që të nxirnin në botën përtej. Por aty ndalohet nga rojet që mbyllin dyert. Pra ai është një perandor që nuk mund të realizonte të vetmen gjë që bënte çdo fëmijë tjetër, të dilte nga shtëpia e tij.
Gjithçka që përfshinte jetën e Pu Yi ishte humbja. Gjithçka përveç një gjëje: nocioni se një jetë e vetme njerëzore mund të ketë vlerë të pafundme. Në një mënyrë filmi argumenton: Froni i Dragoit i dha peshën e një perandor për të drejtuar nënshtetasit e tij. Dhe po aq në mënyrën e vet, revolucioni kinez argumentoi të njëjtën gjë por nga ana e kundërt, duke e kthyer atë nga Perandor në një kopshtar. Vetë filmi është pasqyrimi i jetës së një njeriu që mishëroi të gjitha kontradiktat dhe paradokset e Kinës së shekullit XX.
“Perandori i fundit” përfundon me një sekuencë të jashtëzakonshme, ku një Pu Yi i moshuar shkon për të vizituar Qytetin e Ndaluar, i cili tashmë është i hapur për turistët. Ai sheh një djalë të vogël duke kaluar fshehurazi litarin prej kadifeje dhe duke u ngjitur në Fronin e Dragoit. Dikur kjo do të kishte qenë një vepër fatale.
Jeta e tij është një ironi e trishtë, fundi i tij një elegji e hidhur.
 
Kuriozitete
Regjisori Bernardo Bertoluçi i propozoi filmin qeverisë kineze si një nga dy projektet e mundshme; tjetra ishte një përshtatje e "Gjendje njerëzore" shkruar nga André Malraux.
Për rolin e perandorit të rritur, u zgjodh aktori Xhon Lon, i lindur në Hong Kong dhe i angazhuar në Operën e Pekinit, i cili u konsiderua i përshtatshëm për të mishëruar rafinimin dhe dekadencën sensuale të personazhit. Për aktoren Xhoan Çen, e cila luajti gruan e tij, xhirimet nënkuptonin një kthim në atdhe, ku në moshën 14 vjeçare ajo nisi karrierën duke luajtur në filmin “Youth”.
Për të realizuar filmin, Bertoluçi rekrutoi rreth 20 mijë njerëz, - thuajse të gjithë ushtarë nga Ushtria Popullore Kineze, - dhe treqind teknikë italianë, anglezë dhe kinezë, të cilët punuan në shesh për rreth gjashtë muaj. Xhirimeve nisën në 28 korrikut 1986 dhe përfunduan më 30 janar 1987. Përveç Pekinit, xhirimet pati dhe në studiot Cinecittà në Romë.
 
Të tjera
“The Last Emperor” është një tjetër film me të njëjtën temë, i vitit 1986, prodhuar në Hong Kong me regji të Li Han-hsiang. Aktori Toni Leung Ka-fai luajti rolin e Pu Yi. Filmi u nominua për filmin më të mirë në Çmimet e 6-të vjetore të Filmit në Hong Kong. Riçard Li Han-hsiang ishte një regjisor kinez i cili drejtoi më shumë se 70 filma në karrierën e tij.
 
 
 
 
 
 

No comments:

Post a Comment