Friday, February 23, 2024

Pitkini në Tiranë, burri në moshë që eklipsoi yllin në ngjitje Devid Bekam

 Norman Uisdom, mjeshtri i plastikës që u mitizua në Shqipëri
 
 

Nga Leonard Veizi
 
Në mënyrë të pabesueshme ai erdhi në Shqipëri. Ishin ditë janari në dimrin e vitit 1995 dhe ai ishte 80 vjeç. Kamera e fokusoi teksa zbriste nga avioni i linjës dhe tek shkallët bëri një rreng kur gati u pengua e pastaj iu drejtua me gisht duke qeshur personave që kishin dalë për ta pritur. Ishte koha kur shqiptarët ishin turrur nëpër botë, por në ato vite të vështira pakkush si personazh i njohur do të merrte mundimin të vinte në Shqipëri...
 
...Përballë hyrjes kryesore të Piramidës, - që dikur kishte qenë Muzeu i Enver Hoxhës, - ndaloi një Mercedes Benz i zi për të cilin gjithashtu u tha se ishte makina që dikur e kishte përdorur Enver Hoxha, por që kishte kaluar në pronësi të Parkut të Delegacioneve. Të rinjtë aty pranë u turrën të shihnin të dilte prej saj fenomeni i radhës. Nuk kishte kamera që ta fiksonte atë çast dhe asnjëri prej nesh që u ndodhëm aty atë çast nuk kishte aparat celulari me të cilin mund të bënte ndonjë selfie e ta postonim sot si trofe..
 
Pitkini
Në Shqipëri ashtu si kudo, ai njihej thjesht si Pitkini. Dhe ky ishte personazhi që ai kishte ndërtuar për t’u bërë i njohur në mbarë botën. Humori i mprehtë i Uisdomit u shfaq në 22 filmat ku interpretoi, 19 nga të cilët mbajti të njëjtin emër: Norman Pitkin.
Në Angli ai po përjetonte një popullaritet në rënie. Për të mos thënë që kishte nga ata që e dinin të vdekur. Ndërsa komedia e tij shpesh shihej si një shou i modës së vjetër. Ndoshta sepse në Angli, prodhohet humor pa fund dhe të jesh në Top Listë asnjëherë nuk është e lehtë. Por meqenëse Tirana nuk mund të barazohej me Londrën dhe në Shqipërinë e sapoçliruar nga diktatura figura e tij, e kthyer gati në mit vite më parë, vazhdonte të mbetej simbolike.
Për të thuhej se kishte mbetur i famshëm, e po aq i dashur dhe simpatik. Dhe vizita e tij u regjistrua me kamera nga programi “Newsnight” i BBC-së.
Ishte Norman Uisdom... 
 
Media britanike
Media britanike e ka tepruar kur shkruante se Uisdom ishte aktori i vetëm perëndimor që transmetohej në Shqipëri. Natyrisht që Shqipëria ishte një vend tejet i izoluar, por pas viteve ‘70 në mungesë të kinemasë ruse e më pas të asaj kineze, në rrjetin e kinemave vendase dhe televizion nisën të shfaqeshin përgjithësisht filma francezë dhe italianë, disa prodhime britanike si dhe ndonjë amerikan. Dhe po aq i njohur sa ç’ishte Pitkini si aktor humori, po aq ishin dhe Çarli Çaplini, Oliver Hard dhe Sten Laurel, Lui De Fine i kinemasë franceze, Antonio de Kurtis i kinemasë italiane, i cili njihet i me emrin e skenës si Toto.
Gjithsesi, britanikët ishin të bindur se fama e Pitkinit kishte mbetur në muret e Shqipërisë së prapambetur. Por nuk kuptohet qartë në ishin krenarë për këtë, apo kërkonin të thonin se shqiptarët vazhdonin të ishin prapa bote.
Madje BBC në një artikull të botuar për vizitën e Norman Uisdomit në Tiranë shkruan: “Ishte Enver Hoxha ai që, në mënyrë paradoksale, e bëri Sir Norman një figurë kulti në Shqipëri. Gjatë Luftës së Ftohtë, kur vendi ishte i prerë nga ndikimet e jashtme, Hoxha dhe miqtë e tij dekretuan filmat komedi të Norman Uisdom”.
Në vitin 1995, gazetari i BBC-së, Bill Hamilton, që iu bashkua Uisdom në udhëtim në Shqipëri, është shprehur se aktori komik u sulmua nga turma adhuruese kudo që shkonte.
Po sipas medias britanike që i referohen Johnny Mans, si agjenti për 30 vjet i Norman Uisdomit, mësohet të ketë thënë për vizitën në Tiranë: “Ishte e krahasueshme me dalldinë për Bitëllsat adhurimi për të në Shqipëri”.
Epo duhet të kemi qenë vërtet prapa bote, përderisa u vendos një shenjë barazimi me dalldinë e Bitëllsave që ndryshoi botën dhe atë të një aktori komedie që me sa duket po ndryshonte Shqipërinë.
Media angleze do të shkruante për më tej se: “Në sytë e autoriteteve shqiptare, Norman Pitkin shihej si arketipi i proletarit perëndimor i shfrytëzuar nga sundimtarët e tij të këqij kapitalistë, duke e kthyer Uisdom-in në një yll të pamundur në vendet më të pamundshme”.
Në një artikull të tij tek The Guardian, Nik Skuajers thotë se: Hoxha mendoi se filmat e Sër Normanit, në të cilët alter-egoja e tij Pitkin u mposht nga shefat e tij, ishin një shëmbëlltyrë komuniste mbi luftën e klasave.
Sa e paskan tepruar britanikët!
Në një shkrim të botuar në The Guardian nga Burhan Uazir thuhet: Gjatë pushimeve në Moskë në vitin 1963, Uisdom u sulmua nga vendasit që bërtisnin 'Zoti Pitkin'.
Pra Tirana nuk ishte precedenti. Paska qenë dhe Moska. Por me sa duket anglezët e kishin harruar këtë fakt.
 
Komediani
Norman Uisdom u lind në Londër në vitin 1915. Ai ishte aktor, komedian, muzikant dhe këngëtar anglez më i njohur për një seri filmash komedi të prodhuara midis 1953 dhe 1966 që shfaqin një personazh fatkeq të quajtur që mbante një kapele të sheshtë të klasës punëtore dhe një kostum të ngushtë.
I lindur dhe i rritur në një atmosferë varfërie dhe dhune në familje, ai do të linte shkollën në moshën 13-vjeçare përpara se të merrte një sërë punësh të rëndomta.
Ndërsa shërbente në Ushtrinë Britanike gjatë Luftës së Dytë Botërore, Uisdom u bë i popullarizuar në mesin e shokëve të tij ushtarë për rutinat e tij të improvizuara të komedisë vizuale dhe shfaqjet muzikore, talentet që ai zhvilloi pas luftës kur vendosi të bëhej një artist profesionist.
Uisdom ra në sy të industrisë britanike të filmit si Norman Pitkin, personazh i tij i thjeshtë dhe mendjemprehtë në konflikt përgjithmonë me eprorët e tij aristokratë.
Ai luajti dhe në 32 variete televizive.
Më pas krijoi një karrierë në Broduej në Nju Jork Siti, duke fituar vlerësimin e kritikëve për rolin e tij dramatik të një pacienti me kancer që po vdiste në shfaqjen televizive “Going Gently” në 1981.
Sir Norman u martua me balerinën e varieteve Freda Simpson në vitin 1947 dhe ata patën dy fëmijë, Nikolas dhe Zhaklin. Çifti u divorcua në vitin 1969. Ditëlindja e tij e 75-të në vitin 1990 u shënua me daljen në pension nga televizioni.
 
Vizita e dytë
Ishte 86 vjeç kur vizitoi për herë të dytë Shqipërinë. Ai mbërrin në Tiranë më 25 Mars 2001. Vizita përkoi me udhëtimin e skuadrës së futbollit të Anglisë e cila luante me Shqipërinë në stadiumin “Qemal Stafa”. Po aq, media angleze do të shkruante: “Paraqitja e tij në terrenin e stërvitjes la në hije atë të Devid Bekam. Ai doli në fushë para fillimit të ndeshjes Shqipëri-Angli i veshur me një fanellë futbolli gjysmë shqiptar dhe gjysmë anglez. Ai u prit me ovacione nga turma, veçanërisht kur shkoi deri në rrethin qendror të fushës. David Beckham, i cili më vonë doli në fushë si pjesë e skuadrës së Anglisë, mori vetëm gjysmën e një pritjeje të ngrohtë”.
Me sa duket as ne shqiptarët nuk e dinim që e donim kaq shumë Pitkinin, derisa e zbuloi media britanike.
Për sa i përket Shqipërisë Norman Uisdom u shpreh se i kishin pëlqyer malet, natyra, ajri, njerëzit mjaft të dashur, madje dhe ushqimi. Gjatë gjithë vizitës së tij ai pushonte së lëvizuri dhe së bëri humor. Dhe pas kësaj vizite pjesë e karrierës së tij u bë edhe një album muzikor, mes të cilave një këngë ia kushtoi Shqipërisë me titull "Big in Albania" apo përndryshe “I madh në Shqipëri”.
 
Popullariteti
Për njëfarë kohe, Norman Uisdom ka qenë interpretuesi më i paguar në Britani. Ndërsa sipas një sondazhi të BBC-së për të thuhej se konsiderohej "një nga personazhet më të qëndrueshme të komedisë britanike".
Kujtojmë se në vitet ‘80 televizioni shqiptar herë pas here transmetonte filmat e Norman Uisdom si "Pitkini ushtar", "Pitkini në spital", "Pitkini shitës qumështi", e për të vazhduar më pas dhe me disa të tjerë.
Në librin e tij dhe serialin televiziv One Hit Wonderland, Toni Hoks u bashkua me Uisdom dhe, së bashku me Tim Rais, publikuan këngën "Big in Albania", në përpjekje për të hyrë në top listat shqiptare të popit. Ajo arriti në vendin e 18-të në tabelën e Top Albania Radio.
I emëruar si kalorës në vitin 2001, Sir Norman Uisdom njoftoi tërheqjen e tij nga komedia në vitin 2005 në ditëlindjen e tij të 90-të dhe fatkeqësisht jetoi vitet e tij të fundit në një shtëpi kujdesi në Ishullin e Manit. Ai vdiq në vitin 2010, në moshën 95-vjeçare.
Vdekja e komikut britanik përbënte lajm kryesor në gazetën “The Sun”, ku shkruhej titulli “Vdes miku i madh i shqiptarëve”. Qeveria shqiptare e kohës shpalli një ditë zie kombëtare në nder të tij. Ai u përjetësua dhe në filatelinë shqiptare, ku një pullë poste e vitin 2015 i mban të stampuar portretin.
Ndërkohë Norman Uisdom është dhe qytetar nderi i Tiranës. Ai vjen në radhë i katërti pas Kontit Galeacio Çiano, Nikita Sergejeviç Hrushovit dhe Kryeministrit Malajzian Mohathir Bin Mohamed.

No comments:

Post a Comment