Friday, February 23, 2024

Shqiptarët që ndezin duhan poshtë tabelës “no smoking”


Nga Leonard Veizi
 
Të gjithë po pimë duhan. Në vende ku nuk të thotë njeri “plaç” me gojë, por dhe në vende ku është sanksionuar me ligj ndalimi. Sikur e bëjmë nga inati?!
Ligji antiduhan po forcohet, ai ka kaluar në një dy etapa përmirësimi. Çmimet e paketave po rriten aq sa duhani po barazohet me kilen e mishit. Të gjitha këto lëvizje duket sikur do ta frenojnë pirjen e duhanit. Por jo... askush nuk e lë duhanin.
Situata në fjalë të kujton epokën e Prohibicionit në Amerikën e viteve ‘30 të shekullit XX. Pra 100 vjet më parë. Nuk ia dolën dot amerikanët me alkoolin. Edhe Al Kaponen e dënuan për evazion fiskal, por jo për kontrabandë. Prandaj e lanë të lirë konsumin e uiskit, se rakinë nuk e njohin nga ato anë. Kush do të pijë le të fryhet, të dehet e ta zërë gjumi në stolat e parqeve. Vendosën vetëm një stekë. Të rinjve poshtë moshës 21 vjeç në asnjë vend publik nuk u shërbehet alkool. Dhe kaq.
Për duhanin nuk është marrë ndonjë nismë e tillë, edhe pse ai është më problematik se sa alkooli. Sepse alkoolin e pi ti e të bën dëm ty. Tymi i duhanit që ti çliron, të vret ty por dhe të tjerët përreth, të cilët gjithashtu marrin po të njëjtin efekt. Edhe pse thonë gjithë ditën e Zotit: Unë s’e vë në gojë duhanin. Se vë ti po kush të le? 
Njeriu e ka të vështirë të heqë dorë nga veset.
-...edhe ta dinë që do ta hedhin në një kazan me zift të valuar, përsëri të bën t’i shkosh nga pas, - do t’i thoshte hallë Esmaja e Mato Grudës nënës së Murat Shtagës, që kish shkuar për vizitë e po i jepte haberet e reja nga fronti i luftës. Do thoni ju se ishte fjala për Shegën që ishte goxha pelë dhe për femrat në përgjithësi, që ua bëjnë mendjen ujem burrave. E, ashtu është, por hiq një emër vendos një tjetër, dhe u gatit. Batuta mbetet përsëri me vlerë.
E lamë te duhani...
U mbytëm nga tymi i duhanxhinjve në fakt. Nuk dimë ku të futemi e të bëjmë dy pare muhabet rehat. Se vjen tjetri e ndez llullën e ta lëshon shtëllungen o m’u në surrat, o pas qafe. Dhe kur shkon në shtëpi duhet të futesh gollomesh drejt e në lavatriçe, që të lahesh dhe t’i në centrifugë bashkë me rrobat.
Kjo është situata.
Dhe femrat vëlla, femrat si puna e Shegës, pinë duhan më shumë se meshkujt. Vetëm ndonjë femër me llullë s’kemi parë akoma. E vetmja që e kish staturën për një gjë të tillë ishte Aspasia, motra e Nikollaq Jorganxhiut, të cilës i kishin dalë dhe mustaqet e u thoshte grave duke shfryrë nga hundët tymin e  një “Diamanti” që s’e ndante nga vetja: Një feçkë, një feçkë kanë të gjithë burrat.
Thonë se e pinë nga halli... Ku ta dish. Edhe halle kanë boll.
Duhani dëmton shëndetin si dhe...  xhepin. Por në fakt askush nuk e merr seriozisht një moto të tillë. Zakonisht njerëzit kujtohen kur është vonë. Se sa për ta pirë, janë kahil ta ndezin dhe në korridoret e spitalit.
Por nuk është puna tek kostoja që të vret xhepin dhe as te nikotina që çdo njeri i jep vetes.
-Çështja duhet parë diçka më tutje, diçka më thellë. Pra çështja duhet parë në koncept, - do të thoshte Sekretari i Rinisë tek mbledhja që bëhej për Xha Beqon dhe Xha Sulon e Deçkës, që e pinte duhanin me llullë aq sa desh i vuri zjarrin shtëpisë.
Çdo njeri e di vetë sa ka në portofol, dhe çdo bëjë me mushkëritë e tij. Halli është tek të tjerët, që portofolin nuk e hapin për të blerë duhan, dhe kështu kursejnë mjaftueshëm për të bërë pushime, por mushkëritë ama i ka njëlloj me duhanxhiun që e pi me të dredhur. Sepse ata qëndrojnë të dy në të njëjtin ambient ku pihet duhan si në Karadake.
Në vendet publike duhani nuk lejohet të konsumohet. Ka ligj për këtë punë. Ka dhe tabela që të paralajmërojnë. Deri 10 vite më parë askush nuk e respektonte një tabelë të varur ku shkruhej në anglisht “No smoking”. Se jemi trima ne shqiptarët, ta ndezim cigaren atje ku s’e pret.
Mirëpo ca kohë sikur u terezit. Ndoshta ngaqë tabelat nisën të shkruanin “Ndalohet duhani”. Shteti e kishte seriozisht dhe si vendosi ca gjoba të majme, aq sa dhe më trimave u ranë pendët. Prandaj ka dalë dhe shprehja: Po ku ka trima sot ore babam, trimat u vranë në luftë. Sot, po të paguash 500 mijë lekë të vjetra gjobë se ke ndezur në vendin e gabuar një cigare 200 lekëshe, edhe më trimin e rreh gruaja. Ndaj disa vite të gjithë ranë rehat. Futeshe në lokal si zotni, as hundët nuk të mbusheshin me tym e as rrobat nuk ngarkoheshin. Dilje buzë rruge po të të çahej hunda për duhan.
Por ka ca kohë që kanë ndryshuar.
Vigjilenca ka rënë.
Të gjithë pinë duhan nëpër lokale. Shumica e lokaleve, apo ambienteve të brendshme publike tanimë e kanë prishur rregullin. Tymoset atje ku nuk tymosej më parë. Pronarët e lokaleve me tendencën për të mos humbur klientelën e liberalizojnë pirjen e duhanit, pa kuptuar ndoshta se ashtu si kanë fituar klientët duhanpirës ashtu dhe kanë humbur ata që nuk e durojnë dot tymin e duhanit. Dhe nuk bëjnë fajde as gjobat që vendos Inspektorati Shtetëror Shëndetësor. Edhe pse ligji e ndalon po të pyesësh kamerierin do thotë pa teklif: Pije rehat, mos çaj kokë. Mirëpo posterat e vjetër vazhdojnë të jenë të gozhduara nëpër mure “No smoking”, bashkë me shenjën e rrethit të kuq me vizën e ndalimit. Me sa duket jo të gjithë dinë anglisht.
Mirëpo më ndodhi një ditë prej ditësh që shkova në 4 lokale dhe kudo pihej duhan. Ishte ftohtë, e s’mund të rrihej jashtë. Po bashkëshoqëruesi im nuk e duronte dot duhanin. Dhamë e morëm e si përfundim u detyruam ta pinim kafen në të ftohtë, se brenda në të ngrohtë ishin dendur duhanxhinjtë.
Kjo sa për ilustrim.
Çdo literaturë po t'i referohesh në lidhje me duhanin do të mësosh pak a shumë këto gjëra:
Duhani nuk është i mirë për shëndetin. Duhani ka lidhje me shumë probleme shëndetësore. Pirja e duhanit mund të ketë rreziqe serioze për shëndetin. Është një shkaktar kryesor i sëmundjeve të ndryshme, duke përfshirë kancerin e mushkërive, sëmundjet e zemrës dhe problemet e frymëmarrjes.
Këtu nuk po bëjmë propagandë që një duhanpirës ta lërë duhanin. Këtu thjesht po evidentojmë faktin që tymi i duhanit lëshuar prej tij dëmton dhe të tjerët.
Ligji i duhanit i njohur si “Ligji për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit” është një ligj që vazhdon të synojë ashpërsimin e luftës ndaj pirjes së duhanit. Ky ligj ka hyrë në fuqi më 26 maj të vitit 2007. Në vitin 2014 u miratua sërish një ligji antiduhan. Ndërsa në vitin 2019 u bënë ndryshime të tjera në ligj. Dhe përcaktohet se në asnjë ambient të rrethuar qoftë me xham apo plastmas nuk lejohet konsumi i duhanit pasi konsiderohet ambient i mbyllur nëse më shumë 50% e hapësirës është e rrethuar apo e mbuluar.
Nëse ndokush kapet duke pirë duhan në një mjedis të mbyllur gjoba i vendoset pronarit të mjedisit dhe shkon deri në 50.000 lekë.
Sot, si kanë kaluar ca vite, në shumicat e tavolinave të lokaleve gjen edhe tavllë. Dhe tavlla në mes të tavolinës do të thotë që mund ta ndezësh pa teklif.
Ne s’na mbetet gjë tjetër vetëm ta thithim kur të tjerët e ndezin.

No comments:

Post a Comment