Tuesday, April 28, 2020

Tmerri pas karantine, ngado “mbijnë” gotat e kafesë



Nga Leonard Veizi

Shqiptarë, mos kini frikë. Nuk ka sëmundje që na kap ne. As “Covidi”, as “Sarsi” e “Mersi”, as gripi sezonal, madje as murtaja nuk ka ç’na bën. Nuk është puna vetëm tek ato vaksinat TBC që na i ka bërë xhaxhi Enver me detyrim e që na kanë mbetur si vula poste nëpër trup. Jemi thjesht imunë nga natyra. Ç’them dhe unë, Perëndia na ka bërë të fortë e rezistentë sa më s’ka. Jemi si të thuash... derra. Prandaj “gripi i derrit” s’ka ç’na bën. Përplaset te ne dhe kthehet pas. Epo..., antitrupa të të njëjtës familje.
Karantina thuajse mbaroi. Ai “i gjati” toleroi dhe na e hapi ca rubinetin. Njerëzia po janë turrur rrugëve sikur kanë dalë nga 313-ta. Unë vetë kam qenë partizan i heqjes së karantinës, të paktën pas tre javëve të para. Sepse jam i mendimit që jo vetëm jeta është në plan të parë por dhe mundësia për të qenë i lirë brenda jetës tënde është po aq e rëndësishme. Se mund të jetosh tërë jetën në karantinë, 80 apo 90 vite, por praktikisht je i vdekur. Mirëpo, domosdo, kush ma dëgjoi zërin mua?! Dhe mirë bënë. Pas gjashtë javëve u pa rezultati. Fëmijët vazhdojnë të qëndrojnë në shtëpi, se shkollat janë të mbyllura. Por nënat e baballarët e kalamajve ia kanë kërcitur me kafe, në çdo qoshkë, furrë buke e minimarket. Pi kafe me gota kartoni njëpërdorimshme e hidh në rrugë. Pi ndonjë gotë rakie me gota plastike e vërvit nga jeshillëku për të humbur gjurmët. As që e rruan njeri t’i hedhë mbeturinat në kosh edhe pse ato janë montuar në çdo shtyllë elektriku.
Sa po i gëzoheshim faktit se për shkak të karantinës ajri ishte pastruar në të gjithë trevën, qytet e rrethina, dhe pesëmbëdhjetëkatëshi shihej nga maja e Dajtit aty ky janë antenat e televizioneve. Po kush të le të gëzohesh mor jahu. Le që pse duhet me u gëzu kaq shumë?
“Është pastruar deti” – më thanë ca durrsakë... Po or po, mos u bëni merak, ja sa të fillojë sezoni pa ta shihni ju. Do ta kthejmë atë të shkretë Adriatik në një WC gjigande...
Ne nga natyra jemi sanguinë, mesdhetarë mo, ç’i do llafet. Marrim rreze me shumicë e s’na durohet. Prandaj ha patatina dhe hidh qeset në rrugë. Pi coca-cola e vërtiti kanoçet ku të mundësh. Mbaj maska në fytyrë e pasi mbaron punë e hedh po në rrugë. Mbaj doreza plastike për t’u ruajtur nga papastërtitë e si mbaron punë sërish i hedh në rrugë. Po pse në shtëpi do futemi ne me turli lloj mbetjesh toksike. Larg pisllëku nga kalamajtë tanë. Atje në rrugë le të qëndrojnë, derisa t’i heqë bashkia, se për atë punë i merr taksat.
Por nuk është vetëm kjo; në rrugë padyshim nuk ecën dot se të merr përpara ndonjë makinë, por edhe në trotuar vështirë të ecësh, pasi në çdo metër katror do të gjesh të ndoturat e qenve, që me sa duket edhe ata kanë dalë nga karantina e po i gëzohen lirisë. Kapërcim me pengesa... Dhe sado atlet të jesh, si zor t’ia hedhësh pa e zhytur këmbë në m...
Kjo është tabloja e re sinoptike e kryeqytetit në këto ditë fundprilli. Tirana në mënyrë të pashembullt, të paturpë e të pacipë është qelbur.  
Ore jeni në metro, apo keni rrëshqitur përfundimisht? Këtu është bërë për të vënë kujën. Ikëm nga shiu po biem në breshër. E përse duhen mbajtur këto mjete mbrojtëse kur si përfundim nuk hyjnë fare në punë. Pështyma ngado, mbetjet e qenve gjithashtu. Nuk ke nga hedh hapat. As tabelat e vizatuara në rrugë për mbajtjen e distancës, - që kanë mbirë kudo në Tiranë, - nuk bëjnë punë. Me këmbët plot pisllëqe futemi në shtëpi. I çojmë aty të gjitha papastërtitë e viruset që kemi marrë rrugëve. Por ja shifrat e të intektuarve nuk janë për të dhënë alarmin. Përsëri nuk na ka gjetur gjë. Jemi kockë e fortë ne. Jo “Covidi” që është një çikërrimë, por as kolera nuk ka ç’na bën. Ehu, sa tallaze kanë kaluar këtej nga anët tona, do na kishte shuar me farë e me rrënjë. Por jo, ne kemi mbijetuar.
Tek e fundit kur s’na bëri gjë as turku, çdo na bëjnë një virus kinez.
























Sunday, April 26, 2020

E frikshme bota e së ardhmes



Nga Leonard Veizi

Bota po bëhet e frikshme. Jo më nga pandemia, por nga ajo çfarë do të ndodhë më pas. Që në fillimet e kësaj lëvizjeje na u bë e qartë se pandemia në fjalë do të ndryshonte sjelljen njerëzore. Pra, në njëfarë mënyrë ky ishte një objektiv. Sepse zakonisht ndodh që pas një veprimtarie të tillë, dhe pas analizave përkatëse, të dilet në një konkluzionin që: “pandemia ndryshoi sjelljen njerëzore”. Këtu kemi të bëjmë me një detyrim-përcaktim: Do ndryshosh sjelljen, do apo nuk do.
Po si do të ndryshojë sjellja?
Kohët e fundit zërat që flasin për një epidemi të sajuar apo të amplifikuar, për një vaksinë çip që do të injektohet me detyrim për të shtuar kontrollin mbi qenien njerëzore dhe për ndikimin e rrjetit 5G në të gjithë këtë ndërmarrje, janë shtuar shumë. Po t’i analizojmë hapat një për një duket se po i afrohemi së tepërmi këtij skenari ogurzi. Dhe nuk po themi se mes këtyre zërave njëri  është teknik lavatriçeje dhe tjetri ka punuar si teknik televizori. Përgjithësisht ata janë mjekë shumë të njohur, shkencëtarë me influencë ose njerëz të medias me informacion të dorës së parë.
Fillimisht duhet të zgjidhim enigmën: a është “Sars Cov-2” një virus natyral apo një virus i modifikuar në laborator? Duke qenë se zërave të specialistëve për një virus eksperimental i janë shtuar ethshëm dhe akuzat e ndërsjella të shtetarëve, duhet të biem në emëruesin e përbashkët që “Sars Cov-2” u prodhua në laborator, që ende nuk i është vënë gishti saktësisht, por që u la i lirë në një pazar kinez. Që nga ky çast teoritë e konspiracionit bien, sepse ngrihet frikshëm një realitet i pakundërshtueshëm: “Sars Cov-2” i familjes së Coronavirusit e që shkakton sëmundjen “Covid-19” është një armë biologjike. Dhe armët dihet përse përdoren. Ato nuk prodhohen për qëllime zbukurimi dhe as muzeale, por për të eliminuar kundërshtarët.
Kësaj fature duhet t’i shtojmë edhe sloganin: “Jemi në luftë” që nisi të përdorej gjerësisht nga krerët e vendeve, të cilët me këtë rast kërkonin të justifikonin futjen në karantinë të njerëzve. Dhe karantina filloi me 11 milionë banorët aziatikë të Uhanit e rrethinave të tij, për t’u përhapur pastaj në Evropë, Amerikë e Australi, ku së fundi mund të numërohen si të ngujuar të paktën 50 përqind të 7.7 miliard qenieve humane që frymojnë sot mbi Tokë. Nga llogaritja rezulton se janë mbi 90 vende të botës, me mbi 3.9 miliardë njerëz të detyruar ose të rekomanduar nga qeveritë e tyre të qëndrojnë në shtëpi për të izoluar në këtë mënyrë dhe përhapjen e “Covid-19”.
As kjo praktikë nuk është se e shpëton globin nga virusi, përveçse është rënë dakord nga të gjithë që ajo vetëm e vonon disi shkuarjen e tij në 70 përqind të trupave njerëzorë..
Çfarë po ndodh tanimë?
Në qoftë se 3.9 miliard njerëz qëndrojnë këmbëkryq në shtëpi duke parë televizor apo duke luajtur “candy crash” me celular, do të thotë që një pjesë e mirë e tyre të cilët janë aktivë, të mos paraqiten në vendet e punës dhe të mos prodhojnë. Fare e qartë për të mos marrë lapsin dhe as për të kërkuar ndihmën e ekselit në bërjen e llogarive: shkatërrim i turizmit, transportit ajror, një stopim krejtësor i aktiviteteve sportive e kulturore, teatrit e kinemasë për të krijuar njëkohësisht dhe një boshllëk të madh në jetën intelektuale e emocionale. Në këtë mënyrë ekonomia në rastin më të mirë do të bjerë në recension, në rastin më të keq...
A është bërë ndonjë studim se sa rezerva kanë vendet për të mbajtur me ushqim popullsitë e tyre, nëse bujqësia nuk prodhon dhe nëse industria e lehtë nuk përpunon? Natyrisht që studime të tilla ka sa të duash. Dhe nëse bujqësia e dëmtuar, gjë që do të çojë detyrimisht dhe në dëmtimin e blegtorisë, nuk do të mbushi hambarët me grurë dhe as frigoriferët me mish, sa rrezikohet që bota prej frikës ndaj virusit korona të kalojë në një frikë edhe më të madhe, atë të urisë?
Do duhen vetëm pak muaj që magazinat që po pastrohen me shpejtësi të mbeten krejt bosh, në pritje të rifreskimit me mallin e ri që pritet të fabrikohet. Nëse e lejon karantina një gjë të tillë.
Po kujt i intereson kjo gjë?
Konspiracionistët thonë se kjo u intereson qeverive në hije apo trusteve të fuqishme që kanë drejtuar dhe vazhdojnë të drejtojnë botën. Por këtë herë kanë qëllime të tjera, dhe e gjitha kjo bazuar mbi zhvillimin e skajshëm të teknologjisë që u ka dhënë në duar armë më të fuqishme se ato të luftës së Dytë Botërore, në epilogun e të cilës u testuan dhe dy shpërthime bërthamore.
Njerëzimi tani e tutje me shumë gjasa do të përballet me një armik më të rrezikshëm se ushtria e Rajhut III dhe oficerët SS të Partisë Naziste.
Dhe deri këtu... sepse jo të gjitha mund të thuhen brenda një shkrimi. Ca i kam thënë në shkrimet paraardhëse dhe ca të tjera do t’i shkruaj në vijim.
Ajo që mund të themi në vazhdim është se Shqipëria është në fund të rreshtit në këtë luftë të madhe globale. Por tek ne po aplikohen me përpikëri paketat e dala nga zyrat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Madje po aplikohen me zell të tepruar gjë që shkon deri në arrogancë. Demonstrimi me sirenat e “Hyundai”-ve të policisë dhe “Humvee” të Forcat të Armatosura, për t’i mbajtur njerëzit me doemos brenda katër mureve të shtëpisë e ka kthyer Shqipërinë në një burg të madh, aq sa liridalja dy orëshe, herë e pensionistëve, herë e nënave me fëmijë, po përjetohet po me aq gëzim sa dhe fermanët “rozë” të sulltanit për nënshtetasit e vilajeteve të perandorisë.
Pas gjashtë javësh izolim, shumëkush beson se prej zbatimit të kësaj taktike Shqipëria ka pak të infektuar dhe shumë pak të vdekur.
Por le të kthehemi pak mbrapa. Nuk duhet anashkaluar fakti se presidenti Donald Tramp e cilësoi OBSH-në si të dështuar në politikat e saj duke i ndërprerë në këtë mënyrë dhe financimin amerikan prej rreth 500 milionë dollarësh. Dhe kur flet Tramp, flet një prej zërave më të fuqishëm të botës, i cili i kundërpërgjigjet kundërshtarëve të tij të cilët janë po aq të fuqishëm.
Pra, ku është OBSH-ja në gjithë këtë terror që po përjeton bota?
Ndërsa në Shqipërinë tonë të brishtë, ka ende nga ata idiotë që merren me llafe pazari: çfarë tha Edi, si iu kundërpërgjigj Luli dhe pse Liri u bë palë duke firmosur ndryshimet në Kodin Penal. Dhe ndoshta ende nuk e kanë kuptuar përfundimisht se të gjithë këta që përmendëm janë aktorë të papërfillshëm në arenën e madhe, për të mos thënë që janë thjesht figurantë në mizanskenë. Por jemi në ata që u japim fuqinë e pamerituar.
Ndërkohë e ardhmja jonë mund të jetë e rrezikuar. Teoritë e konspiracionit që thamë më sipër, duket se tani kanë marrë më shumë krahë. Dhe me të drejtë, pasi ka shumë vend për dyshim. Në Perëndim masat e sugjeruara nga OBSH dhe të ndërmarra nga qeveritë përkatëse kanë filluar të kundërshtohen fuqishëm. Protestuesit nuk kanë nguruar të dalin nëpër rrugë me pankarta nëpër duar dhe t’i kundërvihen policisë. Dhe po aq fuqishëm janë zërat që po hedhin argumente se e gjitha kjo është një “lojë” që po e çon botën në zgrip.
Përderisa nga vetë organizmat shëndetësorë pretendohet se 70 përqind e popullsisë së botës do të infektohet nga ky virus, edhe sistemi i karantinës përveçse do ta vonojë disi, nuk është se do ta bllokojë krejtësisht virusin. Për të mos thënë që nëse ky virus nuk arrin ta plotësojë objektivin, nuk është aspak habi që së shpejti në skenë të kemi një version të tij të ri. Jo pa qëllim flitet se ai do të rikthehet në vjeshtë; herë origjinal ashtu si është dhe tani e ca të tjetër thotë se do të pësojë mutacion.
E megjithëse një rrezik evident, protestues të shumtë nuk bien më dakord me zgjatjen e izolimit. Sentenca “unë rri në shtëpi” po humbet gjithmonë e më shumë terren.
Ndërsa Lufta e Parë dhe ajo e Dytë Botërore vazhduan përkatësisht nga 6-të vjet, për luftën ndaj Covidit pretendimi fillestar është se do të vazhdojë deri në tre vjet. Dhe nëse në tre vite do të kemi ende të tilla masa, e imagjinoni se si do të dalë bota nga kjo luftë???


Thursday, April 23, 2020

RIKARD LJARJA - Vdekja që do ta çojë në Apogjeun e legjendës


Nga Leonard Veizi

Që nga ky çast ai do kthehet në legjendë, dhe heronjtë e legjendave nuk janë kurrë të gjallë. Sepse në të gjallë ata janë thjesht punëtorë, ndërsa vdekja, ajo i çon në Apogje...

...Nuk mund të përcillej aq thjeshtë e aq pa zhurmë për në banesën e fundit. “Është shumë më e bukur, shumë më njerëzore kaq thjeshtë”, do të shprehej mes ngashërimit Marjeta. Dhe ndoshta kishte të drejtë. Sepse dhe një ceremoni madhështore, me homazhe të lodhshme e bandë që luan marshe funebër, nuk do të sillte asgjë më shumë tek emocionet njerëzore. Në fund të fundit, ai iku të takojë Krijuesin, por në celuloid vepra e tij mbeti e plotë.
Rikard Ljarja ishte 77 vjeç. Dhe i mbushi veç pak ditë në parë, në 1 prill. Sepse në 1 prill kishte lindur, në vitin 1943, pikërisht në Shkodër, vendin e kulturës që nxori jo pak aktorë të talentuar ashtu si dhe artistë të tjerë.
Me një repertor për t’u pasur zili, Rikardi do të mishëronte të paktën 27 role në kinema. Dhe si i tillë, ai ishte vazhdimisht i pranishëm në ekranin e madh, por dhe në televizione, filmat e të cilit transmetohen në vazhdimësi. Ai ishte Dritan Shkabaj që hapte shkollat në Mirditën e pas luftës, fillrojtësi modest me emrin Ded, Lluka apo Naimi, si teknicien e burokrat, apo dhe Kujtimi një mekanik arrogant. Dhe këto janë aq pak në jetën e tij filmike.
Rikardin e gjen kudo në filmin shqiptar, ai aktor, regjisor dhe në dy raste edhe si skenarist. Në këtë mënyrë mund të thuhet se ai e plotësoi tërësisht egon e tij profesionale, për më tepër kur këtyre u shtoi dhe botimin e katër librave, tre prej të cilave romane. Pra ishte një artist shumëdimensional, dhe i tillë do të mbetet tanimë.
I martuar me Marjetën, gjithashtu aktore emblematike, ai do të luante në dy filma me të: “Në pyjet me borë ka jetë” dhe “Rrethi i kujtesës”.
Ishte 53 vjeç kur luajti në filmin e fundit, dhe padyshim, do të mund të ishte po aq aktiv në vitet e mëpasme, si aktor e regjisor. Por nuk ishte e lehtë në një Shqipëri të trazuar, ku filmi ashtu si dhe shumë arte të tjera, për një kohë të gjatë nuk patën dot frymëmarrjen e duhur.
Rikard Ljarja nuk do të jetë më prezent në tavolina miqsh e aktivitete kulturore. Por ai do të ketë vazhdimisht ndikim tek brezat, sepse gama e gjerë e roleve të tij i jep mundësinë kujtdo të gjejë diçka nga vetja tek një personazh.
Ai u përcoll në vendlindjen e tij në Shkodër për të çuar në vend amanetin e tij. Dhe jo vetëm se lindi në këtë qytet, por se i pas diplomimit në Shkollën e Lartë të Aktrimit “A. Moisiu”, Tiranë, tetë vite me radhë kontribuoi si aktor i teatrit në Teatrin “Migjeni”.
Por ceremonia e varrimit të tij është diktuar nga rregullat e pandemisë. Me maska në fytyrë, por dhe me lot në sy, njerëzit e mbledhur poshtë banesës e kanë përcjellë mjeshtrin e madh drejt banesës së fundit me duartrokitje. Dhe kurrsesi, nuk mund të jenë duartrokitjet e fundit për të...

Tuesday, April 21, 2020

“Covidi” i Infektivit, ky ‘top model’ që përballet me tumoret e Onkologjikut


Nga Leonard Veizi

Tirana ndihet më e relaksuar, madje ka filluar të marrë dhe pak nga zhurma e dikurshme, edhe pse zyrtarisht ndodhemi në gjendjen e situatës së jashtëzakonshme, me kufizime lëvizjesh e shërbimesh. Kjo ndoshta dhe për shkak se ditët e fundit ka pasur një numër të ulët të personave që në testime kanë dalë pozitiv me Covid-19, e ku mes datave 20 dhe 21 prill, nga këto testimet, për herë të parë që prej 9 marsit, në kryeqytet nuk pati asnjë rast të tillë.
Nuk di në mund të quhet sukses një gjë e tillë në këto kushte, por edhe sukses mund të quhet gjithsesi dhe nuk është gabim. Sa për meritat, ato po, mund të ndahen mes burrave të shtetit vendimmarrës dhe popullit të thjeshtë e stoik që ka ditur të qëndrojë brenda në transhe. “Urdhri zbatohet, nuk diskutohet” është një nga ligjet postulat të kohës së luftës. Dhe siç thotë kryeministri, ne sot jemi në luftë.
E meqë jemi në një luftë, e cila parë për së largu duket se është në ditët e fundit të saj, më vjen në mendje shprehja fort e gjetur e Erih Maria Remark “Asgjë e re nga fronti i perëndimit”. Më këtë shprehje, që më pas u bë tepër e famshme, shkrimtari i njohur gjerman do të simbolizonte ditët e fundit të Luftës së Parë Botërore. Me këtë shprehje të një optimizmi të parakohshëm, do të doja ta mbyllja në epilog shkrimit tim përshkrues në territorin rreth Spitalit Infektiv, aty ku duket se terrori nga armiku mikroskopik “Covid-19” ka lënë një terren të zbrazët e të frikshëm.
Por me sa duket nuk është tërësisht kështu.
Gjithsesi, numri i pozitivëve në ditën e fundit për gjithë territorin e Shqipërisë ishte 25, shumë afër me datën e 26 marsit, kur kurba u ngjit me 28 raste pozitive, duke pretenduar në këtë mënyrë dhe një pikë kulmore në ditët e pandemisë shqiptare.
Gjithsesi, brenda territorit të Spitalit Universitar “Nënë Tereza” gjendja ka një tjetër panoramë.
Tek dera e QSUT-së trau që të ndalonte të ecësh përpara nëse je në një makinë modeste apo dhe në një super të tillë, vazhdonte të jetë po aty ku ka qenë dhe më parë, ndërsa kioska e vjeljes së të ardhurave nga parkingu ka punuar gjatë gjithë kohës pa u trembur nga alarmi “karantinë”. Paratë e parkingut mund të mos jetë të mjaftueshme për të blerë ilaçe, apo aparatura mjekësore, por me siguri ato ndihmojnë në furnizimin e pavijoneve me detergjentë, dezinfektantë dhe sapunë të thjeshtë me sodë kaustike.
Prej ditësh zhurmën e zakonshme në territorin e spitalit “Nënë Tereza”, e ka zënë një paqe oportune. Gjithsesi, nuk është më qetësia vrastare e ditëve të para të karantinës. Pas më shumë se 40 ditësh, të gjithë duket se janë mësuar me këtë fakt.
Tek “Infektivi” situata nga jashtë dukej gati e përgjumur. Lëvizje të pakta në territorin e jashtëm të rrethuara me një gardh portativ ku në tabelat e kuqe shkruhet “Zonë në karantinë – Hyrje e autorizuar”.
Këtej gardhit operatorët dhe gazetarët që kanë instaluar kamerat prej ditësh vazhdonin të raportonin live për lajmet në TV. Nga krahu tjetër nja dy policë me maska në fytyrë bënin tutje-tu në formë patrullimi. Lëvizjet brenda territorit të Infektivit ishin të pakta dhe të motivuara, padyshim. Kë la njeri mendja, që në një situatë të tillë të dalë për një dorë muhabeti se u lodh nga puna, apo të tymosi një cigare se iu ça hunda?!
Por gjithsesi, askush nuk di që se çfarë ndodh në pavijonet e Infektivit, ku mjekët me kostumet e bardha hermetike dhe skafandra në kokë, duken si aktorët e një seriali horror.
Tek “Onkologjiku”, pamja është shumë më ndryshe. Njerëzit prisnin në radhë, për të bërë vizita diagnostikuese dhe për të kryer seancat e kimioterapisë. Përgjithësisht është kontingjenti i Tiranës. Më pak mundësi kanë ata të rretheve, të cilët për hir të së vërtetës, në ditët e zakonshme krijojnë aq shumë popullim sa e bëjnë spitalin onkologjik “njëshin” e spitaleve brenda Qendrës së madhe spitalore.
Por këtë herë, në rivalitet e sipër Infektivi po përjeton ditët kur ka marrë vëmendjen e munguar.
“Onkologjiku” dhe “Infektivi”, si godina, janë thuajse në krah të njëri-tjetrit, veç me qëndrim më të kithët.
Shoqëroj të afërmin tim deri te dera e spitalit ku nuk hynte as miza veç pacientëve që vërtetonin katërcipërisht që ishin kontingjenti i atij spitali me një dosje letrash, vula e firma mjekësh. Pacientët janë me maska në fytyrë e doreza në duar. Të afërmit që i shoqërojnë gjithashtu. Kanceri nuk është një sëmundje e transmetueshme nëpërmjet prekjes, por godina e Infektivit është vetëm 150 metra larg, duke e bërë shumë të afërt sulmuesin “Covid-19”.
Vetëm pak ditë më parë, duke iu referuar pacientëve me kancer, mjekja kirurge proktologe Lindita Shosha në një intervistë televizive, e cila u pasqyrua gjerësisht edhe në shumë portale informativ, u shpreh me një revoltë të brendshme: “Po na vijnë raste ekstreme. Po vdesin njerëz. Janë mosha të reja që po u rrëshqet jeta para syve”.
Ky ishte një apel, si për të thënë që “Covit-19” tani na u kthye në një “top model”. Dhe për hir të tij janë lënë mënjanë sëmundjet e tmerrshme të tumoreve dhe atyre kardiovaskulare, që vazhdojnë të sjellin në botë, dhe tek ne gjithashtu, vdekshmërinë më të lartë. Kjo të kujton atë shprehjen e urtë popullore: “Ujku, ujku, por çakalli bën kërdinë”.
Dhe në përfundim, nuk më shkon për mbarë të përdor titullin e romanit të famshëm të Remark, “Asgjë e re nga fronti i perëndimit”, sepse kemi të bëjmë me një thikë që ka dy presa: Në sforcim e sipër për të fituar betejën me coronavirusin, pacientët po përballen me një tjetër betejë që është edhe më e vështirë për t’u fituar, atë me kancerin.

Monday, April 20, 2020

Italianët e luftës dhe shqiptarët e paqes


Nga Leonard Veizi

Lajmi se 30 mjekë e ndihmësmjekë shqiptarë shkuan të ndihmonin Italinë në një kohë pandemie të frikshme, bëri xhiron e botës. Iniciuesi i kësaj historie, kryeministri Edi Rama, gjithashtu u rrotullua rreth botës me një fjalim të hatashëm. Dhe të vërdallosesh nëpër botë, në faqen e parë të revistave televizive, kur deri pak më parë lajmi rezervohej vetëm për bandat shqiptare të hakmarrjes dhe drogës, nuk është pak.
Padyshim habia më e madhe ndaj këtij gjesti ishte nga vetë italianët, të cilët nuk është se kishin ndonjë shpresë prej Shqipërisë së vogël dhe e varfër, të cilës prej vitesh i mbante emigrantët me punë si dhe e ndihmonte në vazhdimësi me projekte e investime konkrete. Të paktën që prej viteve ’60 të shekullit të kaluar, Italia mbetet një nga vendet më të industrializuara në botë, për prodhim makinash, farmaceutikë, por dhe për tregun agro-ushqimor. Por është gjithashtu kampione edhe tek shërbimi mjekësor dhe sidomos me emergjencat civile.
Ndërkohë, pandemia e fundit e provokuar nga “Sars Cov-2” duket se e vuri përfund shtetin e fuqishëm të Apenineve, por vetëm për njëfarë kohë, të kuptohemi. E vetme, përballë armikut të padukshëm, Italia kishte nevojë për maska, respiratorë, si dhe personel mjekësor. Në të gjithë çudinë që mund të ndodhte në një kohë të tillë krize, ajo që bënte më shumë përshtypje ishte se Italisë i kthyen shpinën, duke u përqendruar tek çatia e tyre e vogël, shtete të fuqishme të Bashkimit Evropian, pjesë e të cilës ajo është që në themelim e tij.
Në vakuumin e krijuar papritmas, oferta e Shqipërisë, për të dërguar përtej Adriatikut 30 mjekë dhe ndihmësmjekë, kapi majat e hit-parades. Ofertën bujare, italianët jo vetëm e pritën me pozitivitet por kënduan dhe himnin e Shqipërisë. Ndërsa shtypi vendas, me përjashtim të ndonjë rasti të rrallë, e cilësoi si veprim human, duke nxjerrë nga arkiva dhe histori përligjëse për shqiptarët. Ca të tjerë e cilësuan si kthim borxhi.
Tani, që Shqipëria është vend borxhli, kjo dihet. Po sa është borxhi në fakt???
Një shkrim të botuar nga “lanotiziagiornale.it”, gjeneral Fabrizio Lisi, ish-drejtues i misionit italian, në forcat e përbashkëta, liston çfarë ka bërë Italia për Shqipërinë në 30 vitet e fundit. Nën titullin e shkrimit “Shpëtuam paqen. Ja arsyeja pse Shqipëria i është mirënjohëse Italisë”, gjenerali italian kujton ndihmat e vitin 1991, me misionin “Pellicano” ndërhyrjen në vitin 1997 me misionin “Alba” ndërhyrjen në Kosovë në vitin 1999 si dhe misionet ndihmëse të përbashkëta me “Guardia di Finanza” për të eliminuar trafiqet e paligjshme. Gjeneral Lisi nuk nguron të përmendi edhe incidentin e anijes “Sibilla” që përplasi “Katerin e Radës” ku nga fundosje tragjike vdiqën 120 shqiptarë që kërkonin të zbarkonin në Itali pas luftës së pakuptimtë që kishte pasur në Shqipërinë e asaj kohe.
Po çfarë dua të them, në atë që nuk ka arritur të kujtojë një ushtarak i lartë italian si Fabrizio Lisi.
Kthehemi në vitet e Luftës së Dytë Botërore. Në 7 prill 1939 trupat e Mussolinit, dhjetëra anije lufte dhe qindra avionë, të drejtuara nga gjeneral Alfredo Guzzoni, ndërhyjnë në katër portet shqiptare duke zbarkuar me mijëra trupa e tanke. Ky ishte pushtimi. Në 8 shtator të vitit 1943, Italia Fashiste shpalli kapitullimin. Pesë divizione italiane në Shqipëri si dhe njësi të tjera të vogla të pavarura, në përbërje të së cilës ishin të paktën 100 mijë forca, mbetën në mëshirë të fatit. Pas këtij kapitullimi për turp të Zotit, Shtabi i Përgjithshëm i UNÇSH i bëri thirrje Komandës së Lartë Italiane dhe gjithë trupave, të rreshtoheshin në një luftë të përbashkët, ose përndryshe të dorëzonin armët. Komanda Italiane u dha urdhër divizioneve, “Parma”, “Perugia”, “Firenze”, “Arezzo’ e “Brennero” që të dorëzoheshin tek aleatët e tyre gjermanë, të cilët ishin futur menjëherë në Shqipëri, nga kufiri grek, me dy divizione luftarake.
Bilanci i mëpasmë ishte ky:
Shumica e ushtarakëve italianë që u dorëzuan tek njësitë e Vermahtit, u përcollën në kampet e përqendrimit për punë të detyrueshme. Pjesa tjetër u masakruan. Fatin më të keq e pësoi divizioni “Perugia” ku brenda një dite, në 2 tetor 1943, në brigjet e Sarandës, iu pushkatuan 150 oficerë mes të cilëve dhe komandanti i divizionit gjeneral Ernesto Chiminello, për të vazhduar asgjësimin pjesë-pjesë të 3-4 mijë ushtarëve e nënoficerëve të tjerë. Dokumentet e kohës thonë se operacioni “Spaghetti” në terren u udhëhoq nga majori gjerman Dodel, në krye të një  batalioni të sofistikuar, pjesë e regjimentit 99 malor.
Afro 15.000 ushtarakë të tjerë italianë iu dorëzuan forcave partizane dhe komandave të vendit. Prej tyre 1.500 vetë u rreshtuan pranë formacioneve partizane ku formuan dhe një batalion të quajtur “Antonio Gramshi”, pjesë përbërëse e Brigadës së Parë Sulmuese. Pjesa tjetër, të paktën 13.500 të tjerë u shpërndanë nëpër shtëpitë e fshatarëve shqiptarë, të cilët i morën në mbrojtje deri në fund të luftës.
Që në ditët e saj më të mira, si shtet i fuqishëm, Italia na ndihmoi, e respektojmë dhe i heqim kapelën. Por akti i shqiptarëve ishte shumë herë më human, kur në ditët e Luftës së Dytë Botërore, të varfër sa më s’ka, morën në mbrojtje pikërisht ata ushtarë që deri një ditë më parë ishin pjesë e ushtrisë pushtuese të Fashos. Shqiptarët e varfër natyrisht nuk e kishin luksin t’i mbanin ushtarët italianë nëpër sofatet e shtëpive që të luanin letra e domino, ndaj u dhanë punë, dhe në mënyrë të përbashkët, duke u marrë me bujqësi e duke meremetuar shtëpitë e shkatërruara nga bombardimet, dolën nga lufta.
Prej një situatë të tillë shumë trishtuese, nga letërsia shqiptare dolën dhe personazhe disi groteske, ku mbahen mend batutat e Agushit të Mato Grudës që shkroi Dritëroi apo ushtari dezertor i “Divizionit të Hekurt”, 1.82 i gjatë që përshkruan Kadare.
Që 30 mjekë e ndihmësmjekë shqiptarë shkuan të ndihmonin popullin italian me mundësinë e tyre, kjo është padyshim një gjest i lart humanitar. Po disa mijëra jetë të shpëtuara nga ekzekutimi i sigurt i skuadrave naziste, a nuk duhet të jetë po aq humanitar sa të bëjë xhiron e munguar të botës pas kaq vitesh?


Arkiva/ Historia e pilotit Azbi Serani, enigma e rrëzimit të avioni gjatë stërvitjes “Peza 72”


Piloti, avioni i të cilit shpërtheu në ajër nga municioni kinez
Azbi Serani
Leonard VEIZI

 
Ai ishte vetëm 32 vjeç, dhe kishte jo pak, por 14 vjet që pilotonte. Abaz Seranaj, nuk i kishte mbushur 18 vjeç kur hipi për herë të parë në bordin e një avioni luftarak, këtë herë jo më si kursant, por si drejtues i tij. Që nga ai çast ai do të ishte piloti… Që nga ai çast ai do t’i kushtohej vetëm ajrit…

…Ka qenë 4 tetori i vitit 1972, kur avioni i drejtuar prej tij, një Mig-19 humbi lartësinë i mbështjell në zjarr. Asnjë gabim njerëzor. Deri në ato çaste, gjithçka e kryer nga Azbi Serani ishte në përpikmëri me instruksionet. Por “armiku” kishte qenë fare pranë tij. Një predhë do të shpërthente ende pa u shkrehur. Ishte dita e zhvillimit të një stërvitje të madhe ushtarake e koduar “Peza 72”. Allaman Isaku, miku i tij i ngushtë jo vetëm gjatë viteve të punës, por dhe gjatë periudhës së studimeve, kujton me emocion, jetën profesionale të Azbi Seranajt dhe ngjarjen e ndodhur mëngjesin e asaj vjeshte të 37 viteve më parë, ku ai humbi jetën në mënyrë tragjike:
Allaman Isaku


Që kur jeni njohur me Azbiun?
Kemi qenë shokë të ngushtë së bashku, kemi vazhduar shkollën “Skënderbej”, por dhe shkollën e aviacionit. Por në verën e vitit 1957-të Ministria e Mbrojtjes Popullore vendosi që unë, Azbiu dhe të tjerë të shkonte për studime jashtë shtetit meqenëse ishim me rezultate të mira. Por më kujtohet që ditën që do niseshim Azbiun e kthyen.

Cila ishte arsyeja?
Një fshatar nga anët e Azbiut kishte bërë një letër në Ministrinë e Mbrojtjes, ku shkruante se babai i Azbiut ka qenë xhandar në kohën e Zogut. Prandaj e kthyen ne aeroport duke i thënë se duhej të ishte bërë ndonjë gabim dhe se ky problem duhej sqaruar.

Po si mundi t’i vazhdonte studimet?
Azbi Serranaj ka ardhur në Bashkimin Sovjetik pasi është takuar me Enver Hoxhën personalisht, pasi ka këmbëngulur fort në të drejtën e tij. Pas këtij takimi, Enver Hoxha ka marrë në telefon Et’hem Gjinushin, i cili ishte Drejtor i Drejtorisë së Kuadrit në Ministrinë e Mbrojtjes dhe i thotë: “Azbi Seranaj duhet të shkojë për atje ku e kishit nisur më parë”.

Cilën shkollë do të ndiqnit?
Ne filluan studimet pranë Shkollës Ushtarake të Aviacionit “Valerij Pavlloviç Çkallov” në qytetin e Borisoglebskit të BS. Kjo ishte një shkollë e famshme sepse edhe vetë Çkallov kishte qenë një pilot i jashtëzakonshëm, i cili kaloi Polin e Veriut dhe u ul në Amerikë. Gjatë atyre tre vjetëve që studioi aty, Azbiu u dallua si një nga kursantët më të shkëlqyer. Përveç përgatitjes teorike që e bëmë vitin e parë, Azbiu u dallua në veçanti për përvetësimin e elementëve të fluturimit në stërvitjet praktike, duke u cilësuar si një nga kursantët më të guximshëm dhe më me qendrueshmëri në proceset e vështira të fluturimit me avionët luftarakë.

Kur do të ktheheshit në Shqipëri?
Shkollën e Aviacionit e përfunduam në vitin 1960-të dhe në tetor të atij viti Azbiu u diplomua si “Pilot Gjuajtës” me rezultate të shkëlqyera. Pra kishim pilotuar avionët me helikë “Jak” fillimisht, pastaj gjuajtës Mig-15 dhe në fund Mig-17. Po në atë kohë kishin filluar dhe mosmarrëveshjet me partive. Atëherë u kthyem në atdhe në nëntor të vitit 1960 në kohën kur në Moskë zhvillohej mbledhja e famshme e 81 partive komuniste. Kur u kthyem na dhanë vetëm 10 ditë leje të shkonim nëpër shtëpi dhe menjëherë u mobilizuam pasi na thanë se situata ishte mjaft e rënduar dhe nga çasti në çast mund të na sulmonin. Kështu që itenerari ynë ishte nga Rusia në Qytetin Stalin. Atje na priti Shefi i Shtabit të Përgjithshëm Petrit Dume, komandanti i Aviacionit Edip Ohri dhe shumë kuadro të Ministrisë së Mbrojtjes.

Situata ishte vërtet kaq kërcënuese?
Në fakt drejtuesit madhorë të MM mendonin se meqenëse ne kishim qenë në Rusi, mund të ishim infektuar, pra mund të merrnim avionët dhe të arratiseshim. Kështu që donin të siguroheshin për patriotizmin tonë. Por asgjë e tillë nuk ndodhi. Nga pilotët e aviacionit nuk është bërë asnjë marrëzi e tillë përsa i përket historisë deri në vitet ‘90

Cili ishte niveli i pilotëve të rinj të porsaardhur nga studimet?
Ne filluam menjëherë fluturimet. Komandant i regjimentit në atë kohë ishte Niko Hoxha, ndërsa zv/komandant Fahri Bubsi. Në vitin ‘61 u testuam dhe morëm klasin III si aviatorë ndërsa një vit më vonë morëm klasin II, ku fluturohej natën në kushte të thjeshta dhe ditën me re. Ndërsa klasin e I nuk e morën dot sepse në vitin 1965 pas rrëzimit në Niko Hoxhës u pezulluan fluturimet e vështirësisë që kërkonte klasi i parë. Por megjithatë ne ishim pilotë që i kryenim këto fluturime të vështira edhe pse kjo certifikatë nuk jepej më.

A iu besuan detyra drejtuese Azbi Seranajt?
Azbi Serani u kthye në Shqipëri dhe u emërua menjëherë me detyrën e Komandantit (të çiftit) në Skuadriljen e dytë të Regjimentit të 23-të, të Aviacionit gjuajtës-bombardues në Kuçovë. Që në fillimin e marrjes së detyrës, ai iu përkushtua me një mobilizim maksimal dhe ajo gjë ra në sy të komandës, e cila shpesh herë e falënderonte dhe e bënte shembull. Duke u nisur nga ajo përgatitje e lartë e Azbiut, në shtatorin e vitit 1961 Komanda e Regjimentit e emëroi atë si komandant katërsheje. Gjatë asaj periudhe Azbiu ishte pjesë në disa stërvitje të mëdha të përgatitjes luftarake, që u zhvilluan nga ana e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, siç ishin ato të koduara me emrat “Drini”, në vitin 1961, “Dumreja” në vitin 1962 dhe “Gramozi” në vitin 1963. Pas atyre stërvitjeve luftarake ku Azbiu u dallua për një përgatitje të lartë profesionale, në vitin 1962-63, atij iu ngarkua detyra e instruktorit për përgatitjen e kursantëve të rinj pilotë që studionin në Shkollën e Aviacionit të Kuçovës. Në vitin 1964 Azbiu u emërua zv/komandant skuadriljeje, ndërsa dy vjet më vonë në 1966-ën, ai u emërua zv/komisar i Grupit Ajror të Regjimentit të Kuçovës.


“Peza 72”: Stërvitja që i mori jetën pilotit
Pas gjithë atyre stërvitjeve ushtarake që Azbi Serani mori pjesë si pilot me avionin e tij gjuajtës-bombardues “Mig-19”, në tetorin e vitit 1972 ai u ngarkua që në krye të katër avionëve, të merrte pjesë në një stërvitje të madhe të koduar “Peza 72”, e cila do të zhvillohej në zonën e Belshit të Elbasanit. Të pranishëm në këtë stërvitje kanë qenë dhe krerët e ushtrisë, kryeministri Mehmet Shehu, ministri i Mbrojtjes Beqir Balluku, shefi i Shtabit të Përgjithshëm Petrit Dume e Komandanti i Aviacionit Edip Ohri. Lidhur me këtë, Allaman Isaku dëshmon: Ne ishim të ndarë në dy grupe. Lufta bëhej midis të “kaltërve” dhe të “kuqve”. Sepse kuptohet, duhet të ishin dy palë. Unë isha përgjegjësi i të “kaltërve”. Të “kuqtë” ishin në Kuçovë ndërsa ne një grup pilotësh të “kaltër” erdhëm në Rinas, sepse na duhej të bënim veprime të kundërta. Ne ngriheshim për zbulim e bombardim (teorikisht) dhe ata duhet të na kapnin. Sapo kisha dhënë urdhrin për të ngritur çiftin e parë të avionëve. Por komandanti i Rinasit më merr në telefon në pikën e drejtimit dhe më thotë: Urdhëro çiftin të kthehen në bazë e të shuajnë motorët. Kur e pyeta se përse ndodhte kjo ai ma kthehu: Vij unë atje dhe të sqaroj. Ndërkohë ishte vrarë Azbiu, kishte ndodhur fatkeqësia. Vjen komandanti i regjimentit me GAZ në pikën e drejtimit dhe më thotë “Është vrarë Azbi Seranaj”. Aty filluam duke qarë.

 Aksidenti Ajror
Po ç’kishte ngjarë me avionin e pilotit Azbi Serani? Lidhur me këtë, Allaman Isaku thotë: “Aksidenti që i mori jetën Azbi Serani, erdhi si pasojë e një defekti që i ndodhi avionit të tij nga predhat e prodhimit kinez në topin 25 mm. Një parti predhash që kishin ardhur nga Kina, ashtu si dhe avionët nuk kanë pasur sustën e sigurimit. Kjo predhë plasi brenda topit, brenda aeroplanit. Kështu që Azbi Seranaj ka përfunduar i djegur në tokë”.

 Letra e Enver Hoxhës
Enver Hoxha, në një letër që i dërgonte familjes me anë të Manush Myftiut, me këtë rast shkruante: “Është një krenari e ligjshme, që në gjirin e popullit tonë, sot po rriten e po edukohen filizë të tillë, të cilët me vendosmëri të madhe janë në gjendje që po ta lypi nevoja, të mbrojnë me gjoksin e tyre të çeliktë Atdheun tonë të dashur, duke luftuar në të gjitha drejtimet: nga toka, nga ajri, nga qielli. Shqipëria është shumë e shtrenjtë për të gjithë bijtë e bijat e saj, për çdo njeri të ndershëm. E tillë qe ajo edhe për Azbiun, i cili sa herë që fluturonte me avion e shihte atë si zbukurohej e lulëzonte pandërprerë, përpara syve të tij vigjëlentë”

Kujtim Serani
DËSHMIA/ Flet Kujtim Serani, vëllai i dëshmorit të ajrit
E pash vëllanë në ëndërr të ngjitej në qiell si engjëll
Nuk ka qenë aspak e lehtë për familjarët të merrnin vesh lajmin e vdekjes së njeriut të tyre të dashur. Kujtim Seranaj rrëfen se çfarë i ndodhi atij vetëm 4-5 orë përpara se të merrte vesh lajmin tragjik të rënies në krye të detyrës të vëllait të tij. “Kjo e ka zanafillën në 4 tetor 1972 duke u gdhirë. Isha turni i tretë dhe aty nga ora 3 ose 4 e mëngjesit më vinte për gjumë. Nuk i mbaja dot sytë hapur. Mbështeta kokën në tavolinën e punës dhe më kishte zënë gjumi. Pashë një ëndërr të çuditshme. “Një avion po fluturonte rrëzë malit të Dajtit. Në një çast ai merr flakë. Piloti hidhet me katapultë dhe parashuta e hapur në vend që të ulej, filloi të ngjitej lart derisa m’u zhduk nga sytë. Pra piloti u bë engjëll”. I tmerruar, u zgjova, u ngrita dhe vrojtova disa minuta, por nuk pashë gjë. Ku ta dija unë se atë ditë pas pesë orësh do vritej Azbiu, vëllai im i dashur! Ndaj mua më është fiksuar se ai është engjëll”.

Fatura: Lin Biao akuzohet nga Shqipëria
Pas vdekjes tragjike të Pilotit Azbi Seranit, atij iu krye një ceremoni mortore e veçantë me të gjitha nderet. Ish- komandanti i regjimentit të Kuçovës Bardhyl Taçi ka bërë një fluturim me avion në shenjë nderimi ndërsa trupi i të ndjerit është nisur nga Kuçova për në Tiranë. Trupi i tij u vendos në varrezat publike të Sharrës, në parcelën e veçantë. Po kështu në shtëpinë e Azbi Seranit, në atë kohë shkuan për ngushëllime që nga Kryeministri Mehmet Shehu, Ministri i Mbrojtjes Beqir Balluku, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Petrit Dume dhe shumë ushtarakë të tjerë madhorë. Kujtimi mban mend që gjatë vizitës ngushëlluese të kryeministrit në shtëpinë e tyre, Mehmeti duke përshëndoshur të atin e dëshmorit është shprehur, “Na e vranë kinezët Azbiun xha Ramadan”. Edhe pse ishte ende herët nga fillimi i mosmarrëveshjeve mes krerëve të lartë të partive komuniste shqiptare dhe asaj të Kinës, duket qartë se kryeministri këtë viktimë e ka regjistruar si një incident të stimuluar nga “aleatët” e mëdhenj. Në qarqet e larta ushtarake aksidenti tragjik u interpretua si një sabotim nga pala kineze. Edhe pse një aksident i pazbardhur mirë, pala kineze për të “larë duart” ia faturoi dërgimin e municionit difektoz, ish- ministrit të Mbrojtjes, Lin Biaos. Ishte koha kur ai ishte shpallur armik pas eliminimit të tij fizik duke e goditur avionin e tij në ajër, me pretekstin se kishte dashur të arratisej nga Kina për në Mongoli.



Jetëshkrimi i shkurtër
Azbi Serani u lind më 1 mars 1940-të në Çorush të Mallakastrës. Babai i tij, Ramadani gjatë viteve të Monarkisë kishte shërbyer si xhandar në krahinën e Mallakastrës. Gjatë viteve të pushtimit nazi-fashist të Shqipërisë, Ramadan Seranaj u lidh ngushtë me lëvizjen antifashiste dhe mori pjesë aktive me armë në dorë si partizan. Pas mbarimit të Luftës në vitin 1944, ai u titullua oficer dhe shërbeu në armën e Ushtrisë Popullore në disa rrethe të vendit si në Mallakastër, Librazhd, Durrës etj. Azbi Serjanaj që ishte dhe fëmija i dytë i Ramadanit, fëmijërinë e tij e kaloi në fshatin e lindjes në Çorush të Mallakastrës. Klasën e parë të shkollës fillore, e nisi në qytetin e Librazhdit dhe më pas e vazhdoi atë në Plazhin e Durrësit, ku u transferua babai i tij. Në vitin 1950-të në moshën dhjetë vjeçare Azbiu u regjistrua në Shkollën Ushtarake “Skënderbej” ku mbaroi shtatëvjeçaren dhe të mesmen me të gjitha notat shkëlqyeshëm. Në përfundim të asaj shkolle atij iu akordua Medalja e Artë dhe emri i tij u shkrua në “Librin e Nderit” të Shkollës “Skënderbej”.


Nderimi i fundit
Vendimi – Nr 29 datë 22-04-2009 me këtë motivacion: “Në shenjë respekti e konsideratë të lartë aviatorit trim e guximtar, i drejtuesit dhe intelektualit të zot, për kontribute të shkëlqyera në armën e aviacionit për të cilën nuk kurseu as jetën” Vendosi: Dhënien e titullit “Qytetar nderi” i Kuçovës, Dëshmorit të Atdheut z. Azbi Serani (pas vdekjes)
Ne muzeun historik të Mallakastrës është vendosur fotoja dhe jetëshkrimi i tij. Ndërsa në lagjen "Kombinat" të Tiranës një rrugë gjithashtu mban emrin e pilotit dëshmor. Dhe së fundi është propozuar që në qytetin e Ballshit të ngrihet një memorial kushtuar dy Dëshmoreve të Atdheut si mallakastriotë, Azbi Seranit dhe Luto Sadikut.


Thursday, April 16, 2020

Lufta e ardhshme, në sherr për të marrë një leje plazhi


Nga Leonard Veizi

Kur mora vesh lajmin se për të shkuar në plazh tash e tutje duhet t’i drejtohesha e-albanias për një leje të posaçme, stampuar në letër përcjellëse me çadër dielli e det në sfond, m’u bë zemra mal e gati sa s’më doli vendit nga emocioni. Se, me thënë të vërtetën, na ishte bërë plazhi verem. Turli farë surretërish gjeje aty. Ca në det, ca në rërë... Joooo, tani ktheu fati. Për cilësinë e surratit vendos e-albania. Fillimisht do të fusë në skaner. Po nuk i pëlqeve nuk ta jep lejen ta bësh dhëmbin sa të elefantit. Lahu në dush po deshe dhe merr rreze dielli nga ballkoni sa të duash.
Ja kështu funksionon shteti.
Ca më parë se kaq isha gëzuar pa masë dhe kur u njoftova se koha e liridaljes dhe ajrimit nga 60 minuta u tolerua në 90 minuta. Pra qeveria e vuri dorën në zemër. Jo, ky ishte një sukses i vërtetë, i pabesueshëm. Se edhe qentë e zagarët po kaq e kanë lirinë nga të zotët që i mbajnë të lidhur me qafore.
“Ky është shtet”, - thashë me vete, meqenëse kisha ca kohë që nuk para kisha besim te ai, që nga koha kur nuk po i funksiononin institucionet e sistemit të drejtësisë. Por kot nuk ka dalë shprehja lavdiplotë: “qeveria e kap lepurin me qere”. Me qerre vëlla me qerre, edhe po pate guximin t’ia mbathësh me një “Ferrari” model i fundit. Vërtet shtet me brekë nëpër këmbë, por ca huqe nga ato të Gestapos po mundohet t’i aplikojë edhe te ne, pikërisht në vendin e shqiponjave për të cilët thuhet se vetë Hitleri na kishte cilësuar si racë të pastër ariane.
Por plazhi është ende larg, dhe që t’ia arrijmë asaj dite do të na duhet të heqim dhe shumë belara të tjera.  
Në ditët e zymta të karantinës kam vënë re se orët më të mira të saj kalojnë fare pa u vënë re, sepse jam gjatë gjithë kohës duke aplikuar për të marrë gjithfarë lloje lejesh, dhe të pres përgjigjet e radhës. Unë jam njeri i kujdesshëm dhe i trembem ligjit si “djalli nga temjani”, kështu që mundohem ta marr çdo gjë shtruar: të aplikoj për fletë-leje dhe kur më teket të pi një cigare poshtë pallatit. Sepse kam parë në internet të postohen lloj-lloj videosh, ku thuhet se “njoni dul pa leje me hudh plenat e hongri dru nga policia si gamori në polloge”. Por ka pasur dhe rast të tjera kur janë çuar në komisariat për të vazhduar “formalitetet”. Po muhabete koti janë. Ehu, sa llafe ka fshati... se mos janë të gjitha të vërteta. Sa video fallco qarkullojnë, aq të mira qofshin. Madje me këtë fake news një herë na u ngatërrua dhe ai “i gjati” dhe drurin e policisë në një protestë antiqeveritare në Algjeri, ia faturoi policisë spanjolle për situatën e Codit 19-tës.  Kësaj i thonë të ngatërrosh kekun me byrekun or tungjatjeta, apo siç e ekzagjeron një miku im i vjetër: plehrat me sultjashin.
Nejse, iku ajo punë dhe u mbyll me një të falur në rrjetet sociale. Ndaj aksioni vazhdon.
Mirëpo kohët e fundit duket se Qeveria po e trash zullumin ca si tepër. Dhe nuk po e kupton ende. Ose jam unë ai që i bëjnë sytë e nuk jam në terezi. Por ta analizojmë qetësisht. Ja ta marrim nga fillimi: Që Qeveria apo shefi i saj i mbylli ambientet sociale dhe e futi popullin në karantinë mirë e bëri. Por duhet theksuar se asnjë shtet në Evropë nuk e bëri me një dhunë ushtarake si në rastin e Shqipërisë. Le që ne nxorrëm dhe autoblindat për çdo rast, me mitraloza 12.7 sipër kupoles. Ndërsa në vend të MIG-ëve që po kalben në lëndinat e Kuçovës, qiellit të Tiranës i vërtiten dronët. Por tani do biem rehat: Kush prish rregullat e karantinës shkon drejt e në birucë. S’ka llafe. Janë nja dy nene të reja or lum miku që ta bëjnë rrup-sup. As avokati nuk të hyn në punë. Epo, zaten, ne fashën orare e njihnim vetëm nga filmi i Kinostudios “Nusja dhe shtetrrethimi”. Jo, po shyqyr Zotit, nuk do vdesim ka e kuptuar thellësisht se çdo të thotë të ta masin kokën me pe, dhe të mos e nxjerrësh atë farë koke në dritare pa sinjalizuar më parë e-albanian.
Qeveria tani kërkon të kontrollojë gjithçka. Si ai xhandari ndërkombëtar që dikur ia faturonin Amerikës. E-albania na u bë "babai" i shtëpisë. Me të drejtë... Anarki s'ka këtu. “O Shef efendi, ty të paçim sa malet edhe na rrofsh përjetë, sepse edhe qetësinë na e ruan edhe shtëpitë na i shpëton nga zjarri, edhe bagëtinë po na i shton e na i shumon, edhe fëmijët qeshin edhe këndojnë kur vjen zotrote...
Po na afrohet diktatura, thonë ca gjakprishur. Këta po, është për t'i marrë vërtet në dru sa të mos u zënë këmbët the. Se ku e shohin diktaturën... më sa shohin virusin.
Lëreni o vëllezër qeverinë të punojë, se pastaj po qeverisë do t’i kërkojmë llogari. Lerë të na i mbledhë lakun, e t’i bëjmë aferim çdo ditë që po na jep mundësin të marrim frymë. Se ka dhe më keq, jo për gjë.
Por me sa duket Qeveria nuk e di që zakonisht këto qeveri nuk e kanë fort të gjata, edhe pse bariu i tufës përbetohet se gjithçka po e bën në të mirë të deleve. Po me të njëjtën kartë luajti dhe qeveria komuniste e Enver Hoxhë. U dëgjua ndonjëherë që të flitej për masa në dëm të popullit? T’u thaftë gjuha jarebi. Jo, absolute. Masat ishin vetëm në të mirë të popullit. Dhe vajti deri aty ku ku nuk mbante më.
Aman, mos na kujtoni revolta e rrëzime statujash. Jemi në ditë karantine.
Ndaj dhe masat e qeverisë aktuale, janë vetëm në të mirë të popullit.

Thursday, April 9, 2020

“Psikologjia e turmave” dhe manipulimi masakrues me shifrat


Nga Leonard Veizi

Mos u shqetësoni nga titulli i këtij shkrimi, pasi nuk kam ndërmend t’i kundërvihem psikologut me famë botërore Sigmund Frojd e për më tepër as psikologut tjetër po aq të famshëm Gustav Le Bon. Por nuk është se po bëhem gati të nxjerr as ndonjë teori të re mbi “psikologjinë e turmave”, pasi të them të vërtetën, më mungojnë argumentet. Dua vetëm që përmes citimeve të tyre të ngre një hipotezë mjegullore dhe fare të paargumentuar, por që më pëlqen të bëj një lojë fjalësh.
Kush ka kohë të më ndjekë vetëm në 70-80 rreshta më poshtë.
Për analizën e “shpirtit të turmave” nga Le Bon, dhe i motivuar prej librit të tij, Sigmund Frojd arriti në cilësimin “e mrekullueshme” kur midis të tjerash e citon: “Turma është tepër e sugjestionueshme dhe e padjallëzuar, ajo beson me lehtësi dhe është e zhveshur nga shpirti kritik...”
U futëm në thelb të çështjes pa i ardhur fare rrotull, apo siç themi kur flasim me zhargon: nga Kina.
Në kohët e sotme, që prej 20 vjetësh e quajmë “mileniumi i ri”, nuk është më e nevojshme të mbash fjalime patetike, me qëllimin e vetëm, të orvatjes së manipulimit të turmave. Një status në rrjetet sociale dhe shpërndarja në qindra faqe të tjera me ndikim populist deri në banalitet, është më efikas se sa të çjerrit të zërit nga ana e oratorit, mbi një podium të sajuar, për adhuruesit që e ndjekin nga pas.
"Qëllimi justifikon mjetin", do të shprehej italiani fiorentin Nikolo Makiaveli të paktën 500 vjet më parë, i cili gjithashtu përmes librit të tij “Princi” u rrëfente shtetarëve, se si duhet të udhëhiqnin, ose thënë ndryshe si të kishin ndikim mbi turmat duke marrë kontrollin e tyre.
Po çfarë po ndodh sot me psikologjinë e turmave? A po manipulohen ato?
Afërmendsh që po. Madje me mjete të sofistikuara ku dhe vetë veprimi është kthyer në art sugjestionues, ashtu siç shprehej Le Bon.
Psikologu francez që studioi shkencërisht sjelljen e turmave, në vitin 1895 botoi librin e tij studimor “Psikologjia e popujve dhe e turmave”, ku shpjegon “shkrirjen e identitetit individual në një identitet kolektiv”. Sipas Le Bon në turmë, njeriu bëhet “kafshë” dhe instinktet e tij primitive e bëjnë praktikisht identik me ata që ndajnë të njëjtën eksperiencë grupi. Për të, turmat nuk mund të udhëhiqeshin nga arsyeja, për arsye se fryma e turmës karakterizohet nga të ndjerit dhe jo nga të menduarit.
Tani jemi larguar pak nga thelbi i problemit sepse po merremi me garniturën.
Libri i Le Bon, që edhe sipas Frojdit u bë tepër i famshëm, zuri vendin e një udhërrëfyesi, apo manuali, për shumë politikanë të rëndësishëm të shekullit XX që pas marrjes së pushtetit u kthyen në diktatorë. Hitleri, Musolini, madje dhe Lenini përpara tyre, u ndikuan nga tezat e psikologut të famshëm francez.
Pra, përmes tezave të Le Bon, ata mësuan me themel artin e manipulimit të turmave.
Në sqarimin e ideve të tij Le Bon shkruan se: “Turma është një qenie amorfe, e paaftë të dëshirojë apo të veprojë pa udhëheqësin e saj”.
Sot flitet për udhëheqës që bota i shikon dhe i dëgjon në kohë reale. Por flitet shumë dhe për ata që qëndrojnë në hije e drejtojnë në mënyrë misterioze, duke manipuluar turmat pikërisht përmes këtyre të parëve dhe atyre çfarë nxjerrin nga goja si të besueshme deri në 99 përqind e më shumë. Ç’është e vërteta, turmat janë manipuluar herë pas here, për të mos thënë që ato kanë qenë në vazhdimësi të manipuluara. Shkurt, turma nuk arrin të ketë një mendim të vetin. Individi i shkëputur prej saj, po. Por ai është fare i dobët,  dhe krejt i pafuqishëm.
Pas suksesit të Le Bon, po aq i famshëm si psikolog, austriaku Sigmud Frojd botoi studimin e tij “Psikologjia e turmave”. Të gjitha këto, analiza politike dhe psikike, na mësojnë se si ata që janë “sipër nesh” na manipulojnë dhe kontrollojnë njëkohësisht.
Tani të vijmë te çështja jonë, e shkurtër, për të cilën bëmë këtë hyrje të gjatë.
Në mënyrë mediatike, “Covid 19” po cilësohet si armiku kryesor i njerëzimit. Masa e të vdekurve që ka shkaktuar ky virus edhe pse mediatikisht i hiperbolizuar, ku futen ata që vdesin nga “Cov” dhe ata që janë me “Cov”, sërish nuk po kap ndonjë shifër ekstreme ndaj të cilës duhet të fillonte vërtet frika dhe paniku.
Ndërkohë, frika dhe paniku ekziston. Atë na e kanë injektuar.
Dua të kujtoj se statistikat e të vdekurve gjithmonë nuk janë reale, por lëvizin sipas interesave të atyre që arrijnë të manipulojnë turmat. Fjala vjen. Fillimisht, për numrin e viktimave në ish-Bashkimin Sovjetik të Luftës së Dytë Botërore u tha se ishin 18 milion, disa vite më pas kjo shifër u rrit në 20 milion, pastaj në 22 milion, dhe së fundi shifra është ndalur në 27 milion, pra kemi një rritje prej 9 milion jetësh njerëzore, shtesë. Dhe kush i numëroi që ishin kaq...?
A është ky manipulim?
Për viktimat e “gripit spanjoll” shifra ka varjuar dhe më keq. Shifra e parë e të vdekurve që shkaktoi ky grip ishte 17 milionë qenie humane. Dhe shifra e fundit mbyllet me 70 milionë jetë njerëzore të humbura. Të shkonte nga 17 në 18 do të ishte e besueshme, por nga 17 në 70, kjo është e frikshme.
A nuk është dhe ky një manipulim?
Çfarë na bën të besojmë se “Covid 19” ka shkaktuar deri tani 30 mijë të vdekur, kur për shumicën absolute të tyre thuhet se kanë pasur edhe nga një, dy apo tri diagnoza shtesë. Pra realisht nuk kanë vdekur nga “Cov” edhe pse mund të kenë pasur “Cov”, ashtu si shumë e shumë të tjerë që janë në jetë shëndoshë e mirë. Statistika të tjera thonë se po kaq vdekje nga gripërat stinore janë shënuar përgjatë gjithë viteve të fundit. Pra, nëse nuk do të kishim një informacion të fryrë, me siguri askujt nuk do t’i binte në mend për “Covid-19”, e jo më ta kthenim në një gogol.
A është kjo një teori konspirative apo thjesht rastësi?
“Në histori, - citoj Le Bon tek “Psikologjia e turmave”, - pamja ka pasur gjithmonë një rol më të rëndësishëm se sa realiteti”. Por cili është realiteti ynë në këtë rast?
Ne jetojmë të bombarduar nga një mizëri lajmesh, të cilat kanë të njëjtin logo të frikshme “Covid-19”. Krejt e pazakontë, deri në mizori ajo që thuhet e transmetohet në mënyrë të pandërprerë në lajme, titra, emisione... pra në gjithçka që ndeshim.
Nëpër rrugë patrullojnë autoblinda të ushtrisë me grykat ngrehur. Por armiku thuhet se është një mikrob mikroskopik i cili merr fund vetëm nga një e larë duarsh me sapun 15 lekësh nga ai i Rrogozhinës. Policia ka nxjerrë bllokun e gjobave dhe vazhdimisht mbush letrat. Ndëshkohet kush thyen orarin fashë të karantinës. Buxheti i shtetit u bë. Nuk ka nevojë për doganat dhe as për tatimet. E po vazhdoi kështu nuk do kemi nevojë as për ndihmat nga Evropa e Turqia.
Po kush është i interesuar, që në emër të shëndetit, të mbajnë të mbyllur në karantinë gati një të tretën e botës, pra në kufirin e dy miliard njerëzve?
Një mjeke shqiptare, e quajtur Juna Musa, njëkohësisht Kandidate Shkencore post doktorate, e cila punon si mjeke në klinikën e njohur “Mayo Clinic” në Minesota USA, jo rastësisht gjatë një interviste për emisionin “Opinion” e lidhi situatën e “Sars Cov-2” me frekuencën 5G.
Po kjo, a është një teori konspirative?
Pyetjeve që unë ngre sot do t’u jepet përgjigje, pa padyshim, dhe kjo do kohën e vet. Pra nesër...