Monday, April 20, 2020

Italianët e luftës dhe shqiptarët e paqes


Nga Leonard Veizi

Lajmi se 30 mjekë e ndihmësmjekë shqiptarë shkuan të ndihmonin Italinë në një kohë pandemie të frikshme, bëri xhiron e botës. Iniciuesi i kësaj historie, kryeministri Edi Rama, gjithashtu u rrotullua rreth botës me një fjalim të hatashëm. Dhe të vërdallosesh nëpër botë, në faqen e parë të revistave televizive, kur deri pak më parë lajmi rezervohej vetëm për bandat shqiptare të hakmarrjes dhe drogës, nuk është pak.
Padyshim habia më e madhe ndaj këtij gjesti ishte nga vetë italianët, të cilët nuk është se kishin ndonjë shpresë prej Shqipërisë së vogël dhe e varfër, të cilës prej vitesh i mbante emigrantët me punë si dhe e ndihmonte në vazhdimësi me projekte e investime konkrete. Të paktën që prej viteve ’60 të shekullit të kaluar, Italia mbetet një nga vendet më të industrializuara në botë, për prodhim makinash, farmaceutikë, por dhe për tregun agro-ushqimor. Por është gjithashtu kampione edhe tek shërbimi mjekësor dhe sidomos me emergjencat civile.
Ndërkohë, pandemia e fundit e provokuar nga “Sars Cov-2” duket se e vuri përfund shtetin e fuqishëm të Apenineve, por vetëm për njëfarë kohë, të kuptohemi. E vetme, përballë armikut të padukshëm, Italia kishte nevojë për maska, respiratorë, si dhe personel mjekësor. Në të gjithë çudinë që mund të ndodhte në një kohë të tillë krize, ajo që bënte më shumë përshtypje ishte se Italisë i kthyen shpinën, duke u përqendruar tek çatia e tyre e vogël, shtete të fuqishme të Bashkimit Evropian, pjesë e të cilës ajo është që në themelim e tij.
Në vakuumin e krijuar papritmas, oferta e Shqipërisë, për të dërguar përtej Adriatikut 30 mjekë dhe ndihmësmjekë, kapi majat e hit-parades. Ofertën bujare, italianët jo vetëm e pritën me pozitivitet por kënduan dhe himnin e Shqipërisë. Ndërsa shtypi vendas, me përjashtim të ndonjë rasti të rrallë, e cilësoi si veprim human, duke nxjerrë nga arkiva dhe histori përligjëse për shqiptarët. Ca të tjerë e cilësuan si kthim borxhi.
Tani, që Shqipëria është vend borxhli, kjo dihet. Po sa është borxhi në fakt???
Një shkrim të botuar nga “lanotiziagiornale.it”, gjeneral Fabrizio Lisi, ish-drejtues i misionit italian, në forcat e përbashkëta, liston çfarë ka bërë Italia për Shqipërinë në 30 vitet e fundit. Nën titullin e shkrimit “Shpëtuam paqen. Ja arsyeja pse Shqipëria i është mirënjohëse Italisë”, gjenerali italian kujton ndihmat e vitin 1991, me misionin “Pellicano” ndërhyrjen në vitin 1997 me misionin “Alba” ndërhyrjen në Kosovë në vitin 1999 si dhe misionet ndihmëse të përbashkëta me “Guardia di Finanza” për të eliminuar trafiqet e paligjshme. Gjeneral Lisi nuk nguron të përmendi edhe incidentin e anijes “Sibilla” që përplasi “Katerin e Radës” ku nga fundosje tragjike vdiqën 120 shqiptarë që kërkonin të zbarkonin në Itali pas luftës së pakuptimtë që kishte pasur në Shqipërinë e asaj kohe.
Po çfarë dua të them, në atë që nuk ka arritur të kujtojë një ushtarak i lartë italian si Fabrizio Lisi.
Kthehemi në vitet e Luftës së Dytë Botërore. Në 7 prill 1939 trupat e Mussolinit, dhjetëra anije lufte dhe qindra avionë, të drejtuara nga gjeneral Alfredo Guzzoni, ndërhyjnë në katër portet shqiptare duke zbarkuar me mijëra trupa e tanke. Ky ishte pushtimi. Në 8 shtator të vitit 1943, Italia Fashiste shpalli kapitullimin. Pesë divizione italiane në Shqipëri si dhe njësi të tjera të vogla të pavarura, në përbërje të së cilës ishin të paktën 100 mijë forca, mbetën në mëshirë të fatit. Pas këtij kapitullimi për turp të Zotit, Shtabi i Përgjithshëm i UNÇSH i bëri thirrje Komandës së Lartë Italiane dhe gjithë trupave, të rreshtoheshin në një luftë të përbashkët, ose përndryshe të dorëzonin armët. Komanda Italiane u dha urdhër divizioneve, “Parma”, “Perugia”, “Firenze”, “Arezzo’ e “Brennero” që të dorëzoheshin tek aleatët e tyre gjermanë, të cilët ishin futur menjëherë në Shqipëri, nga kufiri grek, me dy divizione luftarake.
Bilanci i mëpasmë ishte ky:
Shumica e ushtarakëve italianë që u dorëzuan tek njësitë e Vermahtit, u përcollën në kampet e përqendrimit për punë të detyrueshme. Pjesa tjetër u masakruan. Fatin më të keq e pësoi divizioni “Perugia” ku brenda një dite, në 2 tetor 1943, në brigjet e Sarandës, iu pushkatuan 150 oficerë mes të cilëve dhe komandanti i divizionit gjeneral Ernesto Chiminello, për të vazhduar asgjësimin pjesë-pjesë të 3-4 mijë ushtarëve e nënoficerëve të tjerë. Dokumentet e kohës thonë se operacioni “Spaghetti” në terren u udhëhoq nga majori gjerman Dodel, në krye të një  batalioni të sofistikuar, pjesë e regjimentit 99 malor.
Afro 15.000 ushtarakë të tjerë italianë iu dorëzuan forcave partizane dhe komandave të vendit. Prej tyre 1.500 vetë u rreshtuan pranë formacioneve partizane ku formuan dhe një batalion të quajtur “Antonio Gramshi”, pjesë përbërëse e Brigadës së Parë Sulmuese. Pjesa tjetër, të paktën 13.500 të tjerë u shpërndanë nëpër shtëpitë e fshatarëve shqiptarë, të cilët i morën në mbrojtje deri në fund të luftës.
Që në ditët e saj më të mira, si shtet i fuqishëm, Italia na ndihmoi, e respektojmë dhe i heqim kapelën. Por akti i shqiptarëve ishte shumë herë më human, kur në ditët e Luftës së Dytë Botërore, të varfër sa më s’ka, morën në mbrojtje pikërisht ata ushtarë që deri një ditë më parë ishin pjesë e ushtrisë pushtuese të Fashos. Shqiptarët e varfër natyrisht nuk e kishin luksin t’i mbanin ushtarët italianë nëpër sofatet e shtëpive që të luanin letra e domino, ndaj u dhanë punë, dhe në mënyrë të përbashkët, duke u marrë me bujqësi e duke meremetuar shtëpitë e shkatërruara nga bombardimet, dolën nga lufta.
Prej një situatë të tillë shumë trishtuese, nga letërsia shqiptare dolën dhe personazhe disi groteske, ku mbahen mend batutat e Agushit të Mato Grudës që shkroi Dritëroi apo ushtari dezertor i “Divizionit të Hekurt”, 1.82 i gjatë që përshkruan Kadare.
Që 30 mjekë e ndihmësmjekë shqiptarë shkuan të ndihmonin popullin italian me mundësinë e tyre, kjo është padyshim një gjest i lart humanitar. Po disa mijëra jetë të shpëtuara nga ekzekutimi i sigurt i skuadrave naziste, a nuk duhet të jetë po aq humanitar sa të bëjë xhiron e munguar të botës pas kaq vitesh?


No comments:

Post a Comment