Tuesday, April 21, 2020

“Covidi” i Infektivit, ky ‘top model’ që përballet me tumoret e Onkologjikut


Nga Leonard Veizi

Tirana ndihet më e relaksuar, madje ka filluar të marrë dhe pak nga zhurma e dikurshme, edhe pse zyrtarisht ndodhemi në gjendjen e situatës së jashtëzakonshme, me kufizime lëvizjesh e shërbimesh. Kjo ndoshta dhe për shkak se ditët e fundit ka pasur një numër të ulët të personave që në testime kanë dalë pozitiv me Covid-19, e ku mes datave 20 dhe 21 prill, nga këto testimet, për herë të parë që prej 9 marsit, në kryeqytet nuk pati asnjë rast të tillë.
Nuk di në mund të quhet sukses një gjë e tillë në këto kushte, por edhe sukses mund të quhet gjithsesi dhe nuk është gabim. Sa për meritat, ato po, mund të ndahen mes burrave të shtetit vendimmarrës dhe popullit të thjeshtë e stoik që ka ditur të qëndrojë brenda në transhe. “Urdhri zbatohet, nuk diskutohet” është një nga ligjet postulat të kohës së luftës. Dhe siç thotë kryeministri, ne sot jemi në luftë.
E meqë jemi në një luftë, e cila parë për së largu duket se është në ditët e fundit të saj, më vjen në mendje shprehja fort e gjetur e Erih Maria Remark “Asgjë e re nga fronti i perëndimit”. Më këtë shprehje, që më pas u bë tepër e famshme, shkrimtari i njohur gjerman do të simbolizonte ditët e fundit të Luftës së Parë Botërore. Me këtë shprehje të një optimizmi të parakohshëm, do të doja ta mbyllja në epilog shkrimit tim përshkrues në territorin rreth Spitalit Infektiv, aty ku duket se terrori nga armiku mikroskopik “Covid-19” ka lënë një terren të zbrazët e të frikshëm.
Por me sa duket nuk është tërësisht kështu.
Gjithsesi, numri i pozitivëve në ditën e fundit për gjithë territorin e Shqipërisë ishte 25, shumë afër me datën e 26 marsit, kur kurba u ngjit me 28 raste pozitive, duke pretenduar në këtë mënyrë dhe një pikë kulmore në ditët e pandemisë shqiptare.
Gjithsesi, brenda territorit të Spitalit Universitar “Nënë Tereza” gjendja ka një tjetër panoramë.
Tek dera e QSUT-së trau që të ndalonte të ecësh përpara nëse je në një makinë modeste apo dhe në një super të tillë, vazhdonte të jetë po aty ku ka qenë dhe më parë, ndërsa kioska e vjeljes së të ardhurave nga parkingu ka punuar gjatë gjithë kohës pa u trembur nga alarmi “karantinë”. Paratë e parkingut mund të mos jetë të mjaftueshme për të blerë ilaçe, apo aparatura mjekësore, por me siguri ato ndihmojnë në furnizimin e pavijoneve me detergjentë, dezinfektantë dhe sapunë të thjeshtë me sodë kaustike.
Prej ditësh zhurmën e zakonshme në territorin e spitalit “Nënë Tereza”, e ka zënë një paqe oportune. Gjithsesi, nuk është më qetësia vrastare e ditëve të para të karantinës. Pas më shumë se 40 ditësh, të gjithë duket se janë mësuar me këtë fakt.
Tek “Infektivi” situata nga jashtë dukej gati e përgjumur. Lëvizje të pakta në territorin e jashtëm të rrethuara me një gardh portativ ku në tabelat e kuqe shkruhet “Zonë në karantinë – Hyrje e autorizuar”.
Këtej gardhit operatorët dhe gazetarët që kanë instaluar kamerat prej ditësh vazhdonin të raportonin live për lajmet në TV. Nga krahu tjetër nja dy policë me maska në fytyrë bënin tutje-tu në formë patrullimi. Lëvizjet brenda territorit të Infektivit ishin të pakta dhe të motivuara, padyshim. Kë la njeri mendja, që në një situatë të tillë të dalë për një dorë muhabeti se u lodh nga puna, apo të tymosi një cigare se iu ça hunda?!
Por gjithsesi, askush nuk di që se çfarë ndodh në pavijonet e Infektivit, ku mjekët me kostumet e bardha hermetike dhe skafandra në kokë, duken si aktorët e një seriali horror.
Tek “Onkologjiku”, pamja është shumë më ndryshe. Njerëzit prisnin në radhë, për të bërë vizita diagnostikuese dhe për të kryer seancat e kimioterapisë. Përgjithësisht është kontingjenti i Tiranës. Më pak mundësi kanë ata të rretheve, të cilët për hir të së vërtetës, në ditët e zakonshme krijojnë aq shumë popullim sa e bëjnë spitalin onkologjik “njëshin” e spitaleve brenda Qendrës së madhe spitalore.
Por këtë herë, në rivalitet e sipër Infektivi po përjeton ditët kur ka marrë vëmendjen e munguar.
“Onkologjiku” dhe “Infektivi”, si godina, janë thuajse në krah të njëri-tjetrit, veç me qëndrim më të kithët.
Shoqëroj të afërmin tim deri te dera e spitalit ku nuk hynte as miza veç pacientëve që vërtetonin katërcipërisht që ishin kontingjenti i atij spitali me një dosje letrash, vula e firma mjekësh. Pacientët janë me maska në fytyrë e doreza në duar. Të afërmit që i shoqërojnë gjithashtu. Kanceri nuk është një sëmundje e transmetueshme nëpërmjet prekjes, por godina e Infektivit është vetëm 150 metra larg, duke e bërë shumë të afërt sulmuesin “Covid-19”.
Vetëm pak ditë më parë, duke iu referuar pacientëve me kancer, mjekja kirurge proktologe Lindita Shosha në një intervistë televizive, e cila u pasqyrua gjerësisht edhe në shumë portale informativ, u shpreh me një revoltë të brendshme: “Po na vijnë raste ekstreme. Po vdesin njerëz. Janë mosha të reja që po u rrëshqet jeta para syve”.
Ky ishte një apel, si për të thënë që “Covit-19” tani na u kthye në një “top model”. Dhe për hir të tij janë lënë mënjanë sëmundjet e tmerrshme të tumoreve dhe atyre kardiovaskulare, që vazhdojnë të sjellin në botë, dhe tek ne gjithashtu, vdekshmërinë më të lartë. Kjo të kujton atë shprehjen e urtë popullore: “Ujku, ujku, por çakalli bën kërdinë”.
Dhe në përfundim, nuk më shkon për mbarë të përdor titullin e romanit të famshëm të Remark, “Asgjë e re nga fronti i perëndimit”, sepse kemi të bëjmë me një thikë që ka dy presa: Në sforcim e sipër për të fituar betejën me coronavirusin, pacientët po përballen me një tjetër betejë që është edhe më e vështirë për t’u fituar, atë me kancerin.

No comments:

Post a Comment