Thursday, May 16, 2024

“Kalergi”, një plan i dyshimtë me mesazhe tronditëse që vijnë nga Apogjeu


Nga Leonard Veizi
 
A duhet të besojmë se në Evropën e sotme po zbatohet një plan i hartuar në vitin 1925 për shkatërrimin e kontinentit të vjetër?
Për shkak të lirisë së fjalës, dhe sidomos shumëfishimit në ditët e sotme me anë të rrjeteve sociale përmes internetit, teoritë e konspiracionit kanë marrë dhenë.
Gjithsesi, u bënë vite që Evropa është në krizë.
Momentalisht nuk është në krizë financiare, por në krizë shoqërore padyshim që është.
Në vitin 1933 Evropa u fut në krizën kulturore kur nazistët e Adolf Hitlerit të porsa ngjitur në pushtet nisën të digjnin tonelata me libra në sheshet qendrore të qyteteve. Dhe bibliotekat, - që prej kohësh ishin marrë në mbrojtje me fanatizëm, -  nuk ishin djegur që nga koha e Aleksandrisë. Dhe pas kësaj erdhi Lufta.
Ku jemi në fillimin e mijëvjeçarit të ri?
Tanimë Evropa ka liberalizuar së tepërmi çështjen e orientimit seksual. Madje gjithmonë e më shumë po rregullohet me ligje e akte nënligjore kjo veprimtari. Kjo do të thotë se për orientime seksuale të kundërta nga ato që jemi mësuar, nuk të djeg më njeri në turrën e druve, madje as të dhunojnë dhe as të bullizojnë. Përkundrazi, tanimë fuqinë e kanë “damat”.
Eurovizionin, - pra festivalin Evropian të Këngës, - me sa duket e ka të vështirë ta fitojë më një femër me hire që del në skenë dhe me një veshje provokuese. Kjo mund të përbënte risi në vitet ‘60-’70 të shekullit të kaluar, por jo në vitet e mijëvjeçarit të ri. Sepse me sa duket, një femër seksi, apo një femër “pjeshkë” siç quhet rëndom në zhargon, i ka ngopur evropianët. Po një mashkull me tanga, geta dhe sutjena bën shumë herë më tepër eros në nuhatjen seksuale.
Kështu ndodhi dhe me festivalin e fundit ku këngëtari 25-vjeçar Nemo, me fustan e geta rozë, i cili përfaqësoi Zvicrën, fitoi trofeun. Dhe kjo fitore erdhi 10 vjet pas Konçitës, transseksuales austriake që na shastisi me pamjen e saj prej gruaje me mjekër e mustaqe. Nemo na shastisi kur tha se nuk ishte as mashkull, as femër. Për ne ballkanasit, që kemi qenë nën sundimin otoman të Portës së Lartë, këta lloj njerëzish i njihnin si eunukë. Pra, pashallarët që kishin harem i tridhnin këta djem, me qëllim që të bëheshin të urtë e punëtorë, e t’u shërbenin me devotshmëri femrave të tyre të haremit, e jo të ishin si kuajt pa kapistall që u erreshin sytë e të bënin namin me ndërzime, në banjat ku graria lahej gjysmë nudo.
Jetojmë në epokën ku “pjeshkave” u ka rënë vlera dhe hyzmeti po i bëhet “fasadës së pasme”. Por se nga na vjen kjo histeri nuk po e kapim dot. Se edhe pse hamendësojnë sa të duash për axhenda të stërholluara e të planifikuara, nuk është se kemi fakte. Dhe pa fakte mund të lëshosh tym e të bësh ca zhurmë por nuk është se ndreq gjë.
Mesazhet që Eurovizioni po transmeton prej vitesh, është se ku duhet orientuar bota. Herë “andej”, herë “këtej”... sipas strategjisë. Dhe mos harroni se këtë palo festival e ndjekin miliona e miliona njerëz, ca të formuar e akademikë, dhe shumica me aq shkollë sa të “hedhin firmën në bordero”. Dhe mundësia për manipulim është në Apogje.
Në majin e vitit 2016, kur në festivalin evropian të radhës Elhajda Dani zuri vendin e 16-të në natën finale, shkrova një shkrim me titullin “Evropa Provinciale”. Sepse asokohe më bënte përshtypje mënyra e votimit të shteteve, duke ia dhënë pikët njëri-tjetrit, “fshatçe”. Dhe mes të tjerash shkrova këto radhë: “Nuk është fare për t’u habitur që Evropa vazhdon të jetë po aq provinciale sa dhe në mesjetë. Dhe këtë mentalitet duket se nuk e ka zhbërë as Rilindja italiane as Filozofia gjermane e as Kulla e Eifelit francez si një prej kulmeve të zhvillimit teknologjik. Madje-madje, këtë mentalitet fshati nuk e ngushëllon as haberi që u dha me axhele të madhe se Irlanda më në fund ua lëshoi kapistallin martesave gay.”
Asokohe Shqipëria konkurronte me një nga zërat e rrallë të saj. Por Besa Kokëdhima, sfidantja e fundit, nuk ia doli të futej as në Natën Finale, pavarësish performancës spektakolare, edhe riskut që mori mbi vete duke dalë skenë me një fustan aty-këtu të tejdukshëm.
Por duket qartas, - e thamë dhe më sipër - se në Evropë ka kohë që ka rënë kulti i femrës dhe tërheqja seksuale ndaj tyre nuk përbën risi. Por kur një mashkull bën rolin e femrës ngrihen antenat e rritet nuhatja.
Ku po shkon Evropa kështu???
Kontinenti i vjetër po mbushet me femra, por me femra shterpë. Se nuk pjellin dot, dhe pse në mënyrë artificiale kirurgët mjeshtra, djemve që u ka çartisur truri, u kanë “montuar” nga një vaginë. Dhe përderisa lindjet kanë rënë, popullsia e Evropës është plakur e kërkon fuqi punëtore nga Azia e Vogël dhe ajo e Madhe, por dhe nga Afrika, vihet në pikëpyetje ajo që qarkullon rëndom: A po zbatohet gjë “Plani Kalergi”?
Po çfarë është “Plani Kalergi”?
Këtu kemi një problem të madh. Sepse platforma pretenduese për shkatërrimin e Evropës nuk është e përkthyer në shqip. Pra ne nuk kemi një tekst që të mund ta lexojmë e të krijojmë një ide tonën. Padyshim, libri anglisht e gjuhë të tjera shitet në Amazon. Po rrugë e gjatë deri atje. Ndaj për shpejtësi, meqenëse nuk po bëjmë ndonjë analizë të thelluar, jemi të detyruar të bazohemi më së shumti mbi analizat e të tjerëve.
Riçard Kolenhov-Kalergi me titullin Kont ishte politikan dhe filozof. Me origjinë holandeze, greke, bohemiane dhe japoneze, prindërit e tij ishin njohur ndërsa babai i tij shërbente si ambasadori i Austro-Hungarisë në oborrin e Japonisë. Teoria e konspiracionit buron nga një pjesë e librit të tij, botuar në vitin 1925, që titullohet, “Praktischer Idealismus” apo i ardhur në shqip si "Idealizmi praktik".
Thuhet se në këtë “libër manual” Kalergi parashikoi se një racë e përzier, mes evropianëve, aziatikëve dhe afrikanëve do të lindte "njeriu i së ardhmes". Kjo racë e përzier do të ishte pasive, e parashikueshme dhe me karakter dhe inteligjencë inferiore, e mundshme për t’u manipuluar.
Mirëpo ka të tjerë që thonë se Kalergi është keqkuptuar sepse libri i tij i parë, “Pan-Europa”, i botua në 1923 ishte një tjetër manifest, por që shërbeu në themelet e Bashkimit të Evropës.
Gjithsesi Nazistët sulmuan Kalergin, sepse Hitleri kishte plane të ndryshme nga ai, qoftë dhe për bashkimin e Evropës. Kështu Kalergi u largua nga vendlindja e tij, Austria në 1938, duke kërkuar azil fillimisht në Francë, pastaj në Shtetet e Bashkuara. Të gjitha veprat e tij të botuara para majit 1933 u hodhën në flakë gjatë djegies së librave, e cila nisi në 10 maj të vitit 1933, ku nuk shpëtoi as Albert Ainshtain e Sigmund Frojd, si autorë “jo gjermanë”.
Edhe të duash të mos i besosh, ka plot fakte të pakundërshtueshme tashmë, që të bëjnë të besosh tek Teoritë e Konspiracionit, se kanë marrë jetë e po veprojnë platforma të nëndheshme, të cilat radikalizojnë marrdhëniet shqoqërore në një kontinent të përparuar si Evropa dhe të dominuar nga një racë e bardhë e cilësuar si “agresive”.
Tanimë pretendimi se në librin e tij "Idealizmi Praktik", Riçard von Kolenhov-Kalergi theksoi nevojën për të shfarosur racën e bardhë, cilësohet si pjesë e teorisë së konspiracionit "Plani Kalergi".
Megjithatë, të vërteta apo teori konspiracioni, në Evropën e sotme ka burra si Konçita apo Nemo Mettler, por s'ka më burra si Karli i Madh, i perandorisë së shenjtë Romake, as si mbreti Ragnari i Vikingëve dhe as si Gjergj Kastrioti i Arbërve.

Friday, May 10, 2024

Pandemia Covid-19/ Një situatë dramatike vjen nga Italia, arkivole që presin kufomat


Nga Leonard Veizi

Një gjendje e trishtë dhe tepër dramatike vjen nga Italia. Fotografitë që po qarkullojnë tregojnë se situata është pak më e rëndë nga sa e kemi imagjinuar gjatë gjithë kësaj kohe. Arkivole të vënë në rresht, si ushtarët e një garde me bajoneta ngrehur, por ende bosh. Dhe me sa duket jo për shumë kohë. Nuk janë shtëpi funeralesh, ku shërbehet kafe, biskota dhe pak verë, në kujtim të të ndjerit. Janë ambientet e kishës “Ognissanti”, pjesë përbërëse e varrezave të Bergamos, dhe të një çadre fushimi diku më në periferi, në të cilat arkivolet e nxjerra nga magazinat, apo të prodhuara me shpejtësi nga ndërmarrjet e përpunimit të drurit, janë vendosur për të qenë në gatishmëri për të vdekurit e radhës.
Kjo është situata më e fundit në Itali, për të cilën mediat vendase thonë se ka dalë jashtë kontrollit.
Por më e trishtë se kaq është që të vdekurit përcillen për në banesën e fundit vetëm nga punonjësit e bashkisë. Nuk ka të afërm rreth e rrotull, as prift që të kryejë ritet e fundit. Madje nuk ka më varre të cilave u lidhet përsipër ndonjë lopatë me klor për dezinfektim. Të gjitha shkojnë drejt krematoriumit.
Mediat vendase bëjnë të ditur se është mbyllur hyrja e varrezave në Bergamo, sepse shumë të moshuar bënin vizita. Por më e rënda ishte që të mos shihej skena e tmerrshme që e bëri provincën të goditet shumë rëndë. “Një skenë që e transformoi këtë kishë në një dhomë shumë të madhe të vdekurish. Ndërsa furra e krematoriumit punon pa ndalim”, shkruan mes të tjerash portali “it.aleteia.org”.
Coronavirusi ka çorientuar krejtësisht jetën e kryeqendrës evropiane të kulturës.
Nuk është e nevojshme të jesh prezent në rrugët e Italisë për të parë nga afër situatën ku është mbërthyer vendi. Edhe po të duash ta bësh këtë, të marrësh parasysh rrezikun e të shkosh në qendrën e vartës, nuk të le kush. Gjithçka, këtej dhe andej kufirit është në një shtetrrethim të egër, ku lëvizja e lirë tanimë duket si një utopi apo një ëndërr e tejkaluar.
Mjaftojnë fotografitë, videot dhe mesazhet që na sjellin të afërmit tanë që jetojnë prej vitesh në shtetin fqinj përtej Adriatikut, për të kuptuar mirë se çfarë po ndodh në këto ditë plot diell në vendin që i dha aq shumë kulturës botërore.
Por virusi i koduar si “Covid-19” nuk pyet shumë për kryeveprat e Mikelanxhelos e Leonardo Da Vinçit, as për ballkonin e Zhulietës dhe katedralen e Milanos, dhe as për Firencen apo Venecian e pashembullt. Ai ka depërtuar gjerësisht për të shkaktuar shumë viktima të deritanishme, dhe shumë të tjera të cilat priten, në fakt.
“Kjo është Bergamo”. Togfjalëshin shoqëruar me pamjet e arkivoleve që mbajnë kryqin katolik mbi syprinë jo rrallë i ndesh nëpër portalet italiane, sidomos atyre lokale në përbërje të rajonit të Lombardisë. Pamjet janë vërtet dramatike, parë vetëm në kohërat e luftërave të mëdha.
Por le t’i referohemi portalit “bergamonews.it”.
“Në Bergamo të prekurit janë 3760, ose 344 më shumë se e diela e kaluar, ndërsa në Brescia janë 2918, me një rritje prej 445 brenda një dite. Të dhënat e Bergamos, duke marrë parasysh tokat kufitare në luftën kundër koronavirusit, regjistruan një rritje më të ulët se të tjerët. Për të demonstruar se kjo pandemi nuk po ndalet, duhen parë numra të tjerë: ato të vdekjeve. Le të shohim vetëm ato të qytetit Bergamo. Të dielën e 8 marsit dhe të hënën e 9 marsit pati 44 të vdekur. Më pas, java mori një kthesë vërtet dramatike në rritje: e marta shënoi 31 vdekje, e mërkura 44, e enjtja 43, e premtja 50, e shtuna (kur zyra e komunës ishte e hapur gjysmë dite) u regjistruan 35 vdekje. Të ndjerët e të dielës 15 mars dhe ata të së hënës së 16 marsit, sipas të dhënave të verifikueshme për Komunën e Bergamos, shkuan në shifrën 83. Nga një fundjavë në tjetrën, nga 44, vdekjet shkuan në 83 vdiqën”.
Edhe pas alarmit se situata ka dalë jashtë duarsh, ajo mund të cilësohet ende nën kontroll, por shëndetësia italiane është vënë përpara vështirësish të mëdha dhe një presioni edhe më të madh.
Në këto kushte u është bërë thirrje për ndihmë mjekëve dhe infermierëve të cilët tanimë janë në pension . “Ne kemi nevojë për ekspertizën tuaj, përvojën dhe efektivitetin tuaj”, ka bërë apel këshilltari Rajonal i Mirëqenies për Lombardinë, Giulio Gallera, duke i ftuar ata të kthehen në shërbim.
“Ky virus tani nuk prek më vetëm të moshuarit ose njerëzit me patologji të caktuara, ai shkakton viktima edhe në mesin e shumë të rinjve. Duke qëndruar te matematika, në të njëjtën javë të marsit 2019, Komuna e Bergamos regjistroi 23 vdekje, ndërsa në të njëjtën periudhë të këtij viti jemi me 330 vdekje: pra 14 herë më shumë”, shkruan “bresciaoggi.it”.
Në kishën “Ognissanti” të Bergamos tanimë nuk ka pushim. 40 arkivole qëndrojnë në të njëjtën dhomë, dhe shumë të tjerë në një çadër fushimi. Dhe askush nuk e di se kur do te marrë fund ky makth.
Por ka edhe një lajm që mund të cilësohet i mirë, kur “papaboys.org” informon se në Kremona do të ngrihet një spital fushor me 60 shtretër dhe 8 njësi të terapisë intensive të dhuruar nga OJQ amerikane, American Samaritan Purse
Ndërkaq, pjesa tjetër e Evropës, në pritje të përhapjes së virusit, po merr masa shtrënguese. Situata nuk është aspak rozë dhe në Gjermaninë e fuqishme industriale dhe as në ishullin Britanik që ndahet nga Evropa përmes kanalit të La Manshit. Në Shqipëri pretendohet se virusi është në hapat e parë të tij, ndërsa kulmi pritet në 3-4 javët e ardhshme. Dhe për më tej nuk dihet se çfarë surprizash na presin.
Por deri kur do të vazhdohet kështu…?
Askush nuk është në gjendje të japi përgjigje.

Botuar në gazetën FJALA
https://fjala.al/2020/03/17/nje-situate-dramatike-vjen-nga-italia-arkivole-qe-presin-kufomat/


Shqipëria 2024 në vorbullën e ëndrrës skenike “nga fitorja në fitore”


Nga 
Leonard Veizi
 
Çfarë presim tanimë nga viti 2024 kur jemi në muajin e 5-të të tij?
-Plot ore, sa të duash!
Shqipëria po përgatitet të bëjë një kapërcim epokal këtë vit. Ngjarje madhore po e presin.
Ndërkohë që lajmet janë të mbushura me dhunë e terror, vrasje e vetëvrasje, si dhe me politikë absurde, ku SPAK-u tundet mbi koka mëkatarësh si shkop bejsbolli, Shqipëria do të përballet këtë sezon edhe me ngjarje të tjera të mëdha, që pretendojnë ta zbusin atmosferën e ta bëjnë më “fraxhile”. Dhe do Zoti e na sheh, se presim fitoret njëra pas tjetrës. Por kjo jo domosdoshmërish do të na kujtojë filmin e vitit 1952 që i përket socrealizmit kinez të regjisorëve Yin Cheng dhe Xiaodan Tang, i cili titullohet “Nan zheng bei zhan”  që në anglisht njihet si “From victory to victory” por që në shqip është transmetuar nga ekrani i “Tirana” me titullin  “Nga fitorja në fitore”. Natyrisht, për shkak të marrëdhënieve të shkëlqyera që kishim me Kinën motër, na takonte të transmetonim filmat epope të fitoreve të hatashme të ushtrisë së Kuqe Kineze drejtuar nga komunisti Mao Ce Dun herë mbi ato Japoneze e herë mbi forcat e kundërshtarit të tij nacionalistit Çan Kai Shi.
Por ta lëmë mënjanë Kinën e madhe dhe të përqendrohemi tek Shqipëria jonë e vogël ku spektatorët janë mprehur të shohin spektaklin e pritur prej vitesh.
 
Eurovizioni
Besa Kokëdhima do të performojë në Eurosong. Eurovision Song Contest 2024 është edicioni i 68-të i Eurovision Song Contest. Edicioni po zhvillohet në Malmoe të Suedisë, pas fitores së vendit në konkursin e vitit 2023 me këngën "Tattoo" kënduar nga Loreen. Këngëtarja Kokëdhima, përfaqëson Shqipërinë mes 37 vende të tjera, ku në skenën “Malmö Arena” do të performojë me këngën “Zemrën n’dorë” por që në versionin anglisht mban titullin “Titan”.
Deri tani në Eurosong vendin më të mirë Shqipërisë ia ka dhënë performanca e Rona Nishliut kur në vitin 2012 në Baku të Azerbajxhanit me këngën “Suus” ajo u ngjit në vend të pestë. Anjeza Shahini mban vendin e dytë kur në Stambollin e Turqisë u ngjit në vendin e shtatë, pikërisht kur Shqipëria u përfaqësua për herë të parë në kompeticionin e madh të Eurovizionit në vitin 2004 me këngën “Imazhi yt” por që në versionin anglisht njihet si "The Image of You".
Vendin e tretë më të mirë për Shqipërinë në Eurovizion e mban Eugent Bushpepa kur në vitin 2018 me këngën "Mall" të kënduar në shqip, kapi vendin e 11- në renditje, pikërisht në Lisbonën e Portugalisë.
Shqipëria do të paraqitet për herë të 20-të në Eurosong, duke hequr këtu një rast, pasi festivali i vitit 2020 nuk u zhvillua për shkak të pandemisë Covid duke mos i dhënë mundësinë këngëtares Arilena Ara dhe këngës së saj "Shaj" - që në versionin anglisht u njoh me titullin "Fall from the Sky" - të lançohej nga Holanda.
E s’është çudi që këtë herë të fitojmë Eurosongun, se shumë kemi pritur pas liste e do na ketë ardhur radha. Sepse siç dihet, pavarësisht këngës dhe risive, në Eurovizion votohet fshatçe, ku vendet frankofone dorovisin njëra-tjetrën, ashtu si ato gjermanike dhe po aq sa vendet sllave. Dhe Shqipëria përgjithësish mbetet e zbuluar, me ca pikë më tepër nga Maqedonia e Veriut. Ndaj pikët që kemi marrë, i kemi “me forcat tona”.
Fundja le të bjerë një herë daci në kos, se nuk u bë qameti. E ta organizojmë Eurosongun jo te pallati i Kongreseve të Partisë, larg qoftë, por te stadiumi “Air Albania” që mban 22 .500 vende. Se menaxherin për organizime të tilla e kemi të paparë dhe ka dhënë prova në të gjitha takimet ndërkombëtare ku marrin pjesë jo më artistë, por burra shteti, firma e të cilëve rëndon aq sa të nisë Lufta e Tretë Botërore.
 
Kampionati Evropian
Nëse në Eurovizion paraqitemi për herë të 20-të, me Kampionatin Botëror nuk kemi ndonjë bilanc për t’u marrë shembull. Paraqitemi për herë të dytë. Por sa pa gjë...
-Paçim gjithmonë, paçim gjithmonë! Bereqaversën!
-Po ç'më bën duva si në xhami o derbardhë?
Për herë të parë në vitin 2016, Kombëtarja Kuq e Zi e Shqipërisë me trajner italianin Gianni De Biasi, - asokohe 60 vjeçar, - kualifikohet në finalet e Kampionatit Evropian. U bë nami në Tiranë. Se e kishim dhe për herë të parë.
-Tifozët e rinj janë si dhëndurët e rinj, të papërmbajtshëm.
UEFA 2016, ishte Kampionati i 15-të Evropian për ekipet kombëtare të futbollit të meshkujve organizuar nga UEFA. Sepse gara mbahet çdo katër vite që nga viti 1960.
Kompeticioni u mbajt në Francë nga 10 qershor deri 10 korrik 2016.
Kombëtarja shqiptare u eliminua nga grupet e “Euro 2016”, pasi humbi dy ndeshje dhe fitoi një. Shqipëria humbi me Zvicrën dhe me Francën, por fitorja me Rumaninë nuk e ngrinte dot aq sa të kalonte grupin për të vazhduar më tej.
Kjo ishte sprova e parë, gjithsesi.
Në Kampionatin 17-të të Futbollit Evropian, i cili zhvillohet nga 14 qershori deri më 14 korrik 2024 në dhjetë stadiume të Gjermanisë, marrin pjesë 24 skuadra. Shqipëria u kualifikua ndërsa drejtohej nga trajneri brazilian, - tanimë 49-vjeçar - Sylvio Mendes Campos, i njohur për publikun si Silvinjo.
Thuhet se Kombëtarja Kuq e Zi do të përballet me titanët në Kampionatin Evropian. Jemi pjesë e asaj që konsiderohet si "grupi i vdekjes" ku përfshihen Spanja, Kroacia dhe Italia. Çfarë të heqësh e çfarë të lësh. Por moralin e kemi të lartë. Ne Italinë e hodhëm në det në ‘20-tën me Selam Musain në krye që kishte një gjysmë opinge, e jo më tani kur djemtë tanë kanë këpucë me taka. Le po i i kemi vënë pushkën dhe në vitin 1943 kur ushtrinë e drejtonte Spiro Moisiu, por me komisar politik shokun Enver, sa që sa e bëmë Benito Musolinin të ngrinte duart përpjetë bashkë me Klareta Petaçin. Pyesim ne për ekipin e futbollit?! E keni parë filmin “Fushë e kuqe fushë e blertë”. Ja ashtu do t’i rrahim italianët, si atëherë kur stërviteshim me top pe lecke.
-Vaj, vaj vaj, duart me kajmak...
...- lojën e futbollit sot e kemi hak.
-Hidhe një top këtu. Je i modh. Pesë gola do bëj sot unë, jo një gol.
 
Sezoni turistik
Vetë Shqipëria, e cila sipas statistikave zyrtare priti vjet 10 milionë turistë të huaj, shumica pjesë e sezonit veror, këtë vit po përgatitet seriozisht që të mbajë dyfishin e kësaj shifre, por me më pak punëtorë sezonalë në fushën e shërbimeve dhe jo me aq shtretër sa është e nevojshme. Se ne e mendojmë turistin si veten tonë, që flemë dy veta në një krevat, hamë në një gavetë, dhe po qe se nuk ka ujë, nuk është se bëjmë shamatë po biem e flemë si na zë nata. Madje dhe po nuk pati energji elektrike bëjmë si bëjmë. Por detin e duam ama, dhe për atë sakrifikojmë të flemë dhe në çadra e kampingje me fenerë te koka dhe dyshekë portativë mbushur me ajër dhe me racion ushqimor të përgjysmuar.
Por turisti i huaj ka salltanete. Se këtë periudhë e ka kaluar që kur Evropa u pushtua nga Roma dhe ndërtoi banja publike për ushtarët e civilët.
Këtë vit shqiptarët po fërkojnë duart të bindur se 20 milionë turistë do të shkelin këtë tokë. E kanë nisur të bëjnë hesapet, - por pa hanxhinë, sigurisht - se sa para do të lënë jabanxhinjtë për ngrënie, fjetje e gjezdisje poshtë e lart me “rent a car”... Llogaritë na dalin mirë, ahuuu, sa edhe buxheti i shtetit do notojë në para, se privati po e po.
Se si do arrihet kjo një Zot e di. Se tani s'po kemi më as krahë pune.
-Ore po atë kushëririn tim Kristaqin, të vetmen lidhje farefisnore me fshatin, si e kam?
-Mirë, çka. Po me gjithë ata kalamaj e ka pak të vështirë, meqë s’ka as krahë pune.
Ashtu si një Zot e di se si do të fitojmë ndaj Spanjës. Apo do të humbim… Shpresa vdes e fundit gjithsesi. Bën vaki dhe fitojmë. Madje mund të fitojmë dhe me Italinë, por dhe me Kroacinë. E kështu shpallemi kampionë sa të kalojmë grupin e s’ka nevojë t’i shkojmë garës deri në fund.


Monday, May 6, 2024

“Shihemi së shpejti” tragjedia e ushtarëve francezë që mbijetuan nga tmerret e Luftës së Madhe


Nga Leonard Veizi
 
Më së shumti duket sikur e gjithë historia e bëmave të Luftës së Parë Botërore është e përmbledhur në romanin e ekranizuar tashmë në të paktën tre variante, të autorit gjerman Erih Maria Remark: “All Quiet on the Western Front” ose e ardhur në shqip “Asgjë e re nga fronti i Perëndimit”
Pas tij një peshë të madhe do të mbante dhe romani i kthyer gjithashtu në film: “War Horse” apo “Kali i Luftës” i shkrimtarit anglez Majkëll Morproger botuar të vitit 1982. “War Horse” do të kishte përshtatjen e tij skenike të vitit 2007
Ndërkohë që edhe francezët nuk do të mbesnin pas, sepse shkrimtari Pier Lymetr dha një panoramë mjaft interesante të frontit dhe të ngjarjeve të pas luftës me romanin e tij “Au revoir la-haut” apo në i ardhur në shqip si “Shihemi së shpejti” botuar në vitin 2013, i cili u përshtat në një film dramatik me skenar dhe regji të Albert Dupontel, prodhuar po nga francezët në vitit 2017. Fundi i filmit, krahasimisht me fillimin e tij duket fort spektakolar por që realisht është po aq i dhimbshëm sa të lë pa frymë.
 
Libri
“Shihemi së shpejti” konsiderohet si një roman tërheqës dhe mjaft origjinal. Është një satirë e jetës sociale të pas Luftës: mashtrimi përkujtimor i luftës, skandali i varrezave të luftës si dhe rindërtimi i fytyrave të thyera. Ngjarjet janë të vendosura në një periudhë kur Franca nuk dinte më çfarë të bënte me ushtarët e saj, duke qenë shumë e preokupuar me rindërtimin e vendit. Dy personazhet kryesore janë veteranë të Luftës së Madhe të paaftë për të rifilluar rrjedhën e jetës së mëparshme brenda shoqërisë civile. I pari, Eduardi, djali i një familje të pasur, me fytyrë të thyer, refuzon të kthehet në  familjen e tij, të besojnë se ai ka vdekur. I dyti, Alberti, me prejardhje modeste, bën ç'është e mundur për të ndihmuar njeriun që i shpëtoi jetën dhe tek i cili sheh një mik të përjetshëm. Dy të mbijetuarit e kaosit të Luftës së Madhe, kuptojnë shpejt se vendi nuk i do më. Franca lavdëron të vdekurit e saj dhe harron të mbijetuarit.
Roman i Pier Lymetr transmeton një reflektim ekzistencial përtej narrativës ku ngrihet dhe pyetja: a mund t'i mbijetojmë mizorisë së një lufte? Me sa duket Jo.
Ngjarja ka nisur në ditët e fundit të Luftës së Parë Botërore, ku toger Henri d'Alne-Pradel qëllon dy nga njerëzit e tij pas shpine për t'i bërë trupat e tjera të besojnë se janë vrarë nga armiku dhe të provokojnë një sulm përfundimtar ndaj gjermanëve, duke dashur të krijojë kështu reputacionin si hero lufte. Megjithatë, Albert Maiard dhe Eduard Periku ishin dëshmitarë të krimit të tij dhe janë plagosur rëndë kur Alne-Pradel tenton t'i vrasë gjithashtu. Albert Maiard dhe Eduard Periku, i mbijetojnë sulmit, megjithëse Periku është plagosur rëndë. Pradel, Maiard dhe Periku luftojnë për t'u përshtatur me jetën civile pas përfundimit të luftës. Periku dhe Maiard vendosin të hakmerren ndaj një shoqërie që duket se ka më shumë simpati për të vdekurit e luftës sesa për të plagosurit në luftë, duke ngritur një skemë për t'u shitur monumente fiktivë heronjve të luftës. Ndërkohë, Pradel, - i cili është martuar me motrën e Eduardit, Madalenën - ka krijuar skemën e tij mashtruese ku arrin të rivarrosi ushtarët francezë në arkivole të lira e jashtë standardit dhe të fitojë shumë para.
Autori i romanit ka shpjeguar në fund se mashtrimi me arkivolin bazohet në një histori të vërtetë, ndërsa mashtrimi me përkujtimoret e luftës është tërësisht imagjinar.
 
Filmi
Skena hapëse e filmit flet për vitin 1920, ku Albert Maiard, një ish-kontabilist dhe ish-ushtar, i cili sapo kishte ikur nga Franca, u mor në pyetje nga një oficer i Xhandarmërisë Franceze në Marok, ku u arrestua. Aty ai tregon historinë e tij dhe të Eduard Periku, një dizajnë brilant, djali i një borgjezi, të cilin nëna e kishte lënë të vogël dhe ndihej i lënë pas dore nga babai i tij. Kjo ishte dhe arsyeja pse Eduard në formë rebelizmi ishte regjistruar në ushtri, ishte larguar nga familja dhe kishte luftuar në front.
Marrëdhënia në llogore e miqësisë mes Albertit dhe Eduardit, mori një kthesë më 9 nëntor 1918, pak para përfundimit të Luftës së Madhe. Alberti ishte dëshmitar i një krimi të tmerrshëm: toger Pradel, megjithëse kishte marrë urdhrin formal për të ndërprerë luftimet, arrin të nisë një ofensivë përfundimtare duke bërë të besohet se gjermanët, - të cilët megjithatë presin armëpushimin si francezët, - vranë dy zbulues. Gjatë ofensivës, Pradel, duke e ndjerë veten të demaskuar, e shtyn Albertin në kraterin e një predhe, ku ky i fundit për pak varroset për së gjalli. Éduard, në minutën e fundit, e shpëton Albertin nga vdekja e tmerrshme, por me çmimin e lartë pasi një copëz predhe i dëmton krejtësisht pjesën e poshtme të nofullës.
Të çmobilizuar pas Lufte, Albert dhe Eduard, jetojnë plot vështirësi në Paris. Eduard është i varur nga morfina, që i qetëson dhimbjet e plagës, të cilën Alberti, duke mos mundur ta sigurojë dot, fillon t'ua grabisë të plagosurve të luftës. Alberti humbi punën si llogaritar dhe e fejuara pasi e mashtroi e braktisi. Albert ndërkohë duke ndërruar emrin e Eduardit, ka bërë të besojnë dhe familjarët se djali është vrarë në Luftë. Ndërkohë Eduard, si mjeshtër i dizajnit, përgatit gjithmonë maska të ndryshme për të fshehur poshtë tyre problemet me fytyrën e tij të dëmtuar.
Falë zgjuarsisë dhe talentit të Eduard, më pas këmbënguljes së Albertit, dyshja zhvillon një mashtrim tregtar të shoqëruar me një mashtrim bankar: ata marrin pjesë në një konkurs kombëtar për të shitur nëpër komuna të ndryshme, përkujtimore për të vdekurit, të cilat në fakt do të mbeten fiktive.
Nga ana e tij, Pradel përfitoi nga ushtarët e shumtë që vdiqën dhe u varrosën në varre të improvizuara në fushën e betejës për të nënshkruar një kontratë me shtetin që parashikonte rivarrosjen e tyre, me dinjitet, në varrezat ushtarake. Por, në vend të kësaj, ai përdor mijëra arkivole të shkurtuara, ndonjëherë të mbushura me dhe dhe gurë, madje edhe me kufoma ushtarësh gjermanë, për t'u pasuruar në mënyrë të paskrupullt.
Me afrimin e 14 korrikut, - që është dhe festa kombëtare e Francës - ngjarjet dalin jashtë kontrollit. Gazetat zbulojnë një mashtrim të mundshëm me monumentet. Marsel Periku, - i cili është dhe babai i Eduardit, - mëson se ata janë mashtruar dhe i kërkon Pradelit, dhëndrit të tij, tashmë i akuzuar për një skandal shtetëror, të gjejë fajtorë. Ky i fundit gjen gjurmët e Eduardit, i cili jetonte në hotelin “Lutetia” ku Alberti po bën përgatitjet e fundit për t’u larguar jashtë vendit.
Marsel Periku vendos të shkojë në hotelin ku strehoheshin fajtorët, si i shtyrë nga një forcë e papërmbajtshme, pasi mendon se ka njohur nënshkrimin e djalit të tij në fund të vizatimeve në katalogun e monumenteve. Eduardin e gjen në tarracën e dhomës së tij të cilin e njeh pavarësisht maskës që mban. Babai kërkon falje dhe pendohet para djalit të cilin nuk dinte ta donte më parë. Dy burrat përqafohen dhe duket sikur gjithçka po shkon mirë. Por befas Eduard, me maskën e një zogu në fytyrë, hidhet nga tarraca. Dhe gjithçka mbyllet këtu.
 
Vlerësime
“Shihemi së shpejti” si film u nominua për 13 herë në çmimet e edicionit 43 “César”, - që është një version francez i “Oscar”, - duke fituar 5 prej tyre. Filmi fitoi edhe çmime të tjera ndërkombëtare.
Romani me titullin origjinal: “Au revoir là-haut” u botua në frëngjisht nga “Albin Michel” në 2013, u përkthye në anglisht nga Frank Uin në 2015 dhe u botua nga “MacLehose Press” nën titullin “The Great Swindle” ose “Mashtrimi i Madh”. Romani fitoi disa çmime të rëndësishme, si çmimi “Goncourt”. Është i pari nga tre romanet e planifikuar të Lymetr që përfshin periudhën ndërmjet luftërave. Romani i dytë i serisë, “Couleurs de l'incendie”, u botua në janar 2018. Romani i tretë dhe i fundit i serisë, “Miroir de nos peines”, u botua në janar 2020.
Për “Au revoir là-haut” kritika është shprehur se është magji e pastër e filmit. “Au revoir là-haut”, para së gjithash, të bën përshtypje për madhështinë e saj vizuale. Në të vërtetë, kinematografia magjepsëse rigrupon pamjet e fantazisë, ngjyrave, por edhe errësirës që na kujton se filmi përmban elemente dramatike por dhe komike.
Filmi përfshin gjithashtu aktorin Luron Lafit, aktorin argjentinas Nauel Pérez Biskajart, Nils Arestrup, aktoren belge Emilie Deken në rolin e Rosetës, Melani Tiri dhe aktoren fëmijë Eluis Balster në rolin e saj të parë.

Thursday, May 2, 2024

1 maji qesharak i shqiptarëve


Nga Leonard Veizi
 
Duket sikur në Shqipëri, Dita e Punëtorëve është pa klasë punëtore. Domethënë: ka klasë intelektuale, ka klasë politike, ka klasë katundarie..., por nuk ka punëtorë.
-Që punë ka, as diskutohet, ka sa të duash. Problemi është se nuk ka profesionistë.
Pra, thënë shkurt: nuk ka punëtorë.
1 Maji kaloi. Nuk u pa kurrkush në rrugë të protestonte. Trafiku nisi vonë se helbete, duhej ngopur syri me gjumë një herë. Nuk u pa kurrkush të dilte në Bulevard, tek Dëshmorët e Kombit, tek Zogu i Parë apo tek Sheshi Skënderbej dhe të kërkonte ndonjë rritje rroge, ndonjë kompensim, ndonjë 8-orarësh në punë, apo 40 orë punë në javë, apo... Lëre fare.
Kjo vlen për kryeqytetin që ka ca njerëz, se qytetet e tjera, aha...
Por i duhet parë dhe ana tjetër medaljes.
Duket se në këto 34 vite post diktaturë jemi rregulluar ca, aq sa dhe kërkesat kanë rënë njëra pas tjetrës. Tani po jetojmë në aheng e bollëk.
Si i thoshe Huan torollaku kryetarit të ri të Kooperativës, shokut Vasil, në ceremoninë e vdekjes së ish-kryetarit, babait të Nashos:
-Eh sa ndere më ka bërë ai mua. Kush ma dha karrocën e Ekonomisë Ndihmëse? Dhe u rregullova ca.
Ja kështu, si puna e Huanit jemi të gjithë ne. Ca torollak nga trutë, por që po rregullohemi pak e nga pak me anën e karrocave të ekonomisë ndihmëse.
-Të na rrojë qeveria more shokë!
 
Qasi shokë, shokë të këndojmë/ Jetën tonë që ta shërojmë
Hapi krahët, krahët të punojmë/ Tokën tonë ta lulëzojmë.
 
-Të këndoftë zemra!
Njerëzia u kënaqën se data 1 maj ra në mesjavë dhe ishte pushim zyrtar. Dy ditë me parë kishte qenë fundjavë dhe ishin dy ditë pushimi. Dy ditë më pas vjen më shpejt fundjava po me dy ditë pushim.
Kësaj i thonë t’i thuash punës: Ku të kam parë or tungjatjeta! Prandaj nuk e ngre zërin njeri në Shqipëri.
Për më tepër që data 5 maj nuk është pushim si Dita e Dëshmorëve, por do merret pushim për nder të festës së Pashkës Ortodokse. Dhe kur bëhen nja tri ditë rresht sikur s’ka lezet ta kalosh kohën as në lokalet e zonës së Ndroqit, as në ato të Cërrikut, ndaj me shumë gjasa njerëzia o do marrë avionin, o do mbushi serbatorin me karburant e do kalojë kufirin.
-Hajt, pushime të mbara!
Dhe mos u bëni fort merak se ja... filloi sezoni dhe oferta të reja do ketë këtej-andej. Ehu, sa pushime do kemi.
Në ditën legjitime, kur çdokush e ka të drejtën të dalë në shesh e të kërkojë kushte më të mira pune, pagë më të lartë, këtë në Shqipëri nuk e bën kurrkush. Nuk e bëjnë as Sindikata, as Konfederata, se partitë politike nuk ka përse ta bëjnë. Sa për iniciativa personale më mirë të mos flasim fare se ndyjmë gojën.
Kapitalistët e rinj të Shqipërisë post socialiste kanë rënë rehat. Askush nuk ua prish dremitjen e drekës. As sindikatat, as partitë politike. Veç njerëzit protestojnë fuqishëm, nga mëngjesi në darkë, nëpër bare ku pihet kafe e konjak, dhe sidomos në restorante ku hahet bukë misri me shëllirë dhe patate të skuqura në vaj.
-Ja se po presim të na vijë mishi i kecit në hell.
-Ore, kush është ai qerrata që e ka çpikur rakinë?
Dhe vuuu gurmazit. Hani o vëllezër hani! Po pate për të ngrënë e për të pirë për çfarë arsye duhet të ngrihesh në protestë? Apo për sytë e bukur.
1 Maji vazhdon të konsiderohet si ditë ahengu, po si dikur në socializëm. Vetëm se nuk dalim në parakalim me portretet e udhëheqësve në dorë, për të treguar arritjet. Ja ky element mungon në ditët e sotme. Na kanë lënë azat, të hamë kopshteve të botës si Tomori, si demi që desh na shqeu Koçin e teto Ollgës në Marenë. Se sa për të tjerat... copy past: nga socializmi në kapitalizëm apo ekonominë e tregut. Kështu që në vend ta shqyenim gojën, e zumë me mish e xaxiq dhe e përcollëm me raki.
Mirëpo, andej nga akshami, media na informoi se në fakt punëtorë e aktivistë në Tiranë e Prishtinë e kanë shënuar Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve me kërkesa për përmirësim të kushteve të punës. Flasim si koncept, jo sa pjesmarrje kishin. Se aty na thyhet maja e kalemit e si bëjmë dot llogaritë. Po, birinxhi. Të paktën paska ca shqiptarë që dinë të protestojnë. InshAllah shtohen. Se protestë është ajo që të thyen brinjtët, jo ajo që të gudulis e të bën për të qeshur.
-Do hosten bualli, jo pickima pleshti.
Ah po... në 2 maj, një ditë para 3 majit, që njihet dhe si Dita Ndërkombëtare e Lirisë së Shtypit, edhe do gazetarë të terrenit u mblodhën para hyrjes së Kuvendit të Shqipërisë, ku protestuan për të drejtat e tyre, pasi statistikisht vetëm gjatë muajve të parë të vitit 2024 janë raportuar rreth 30 raste të sulmeve ndaj gazetarëve dhe mediave.
Këtu s’di ç’të them! Janë apo nuk janë gazetarët Klasë Punëtore? Por gjithsesi shyqyr që u ngritën dhe ata. Se në tërësinë tonë ne jemi të papërfaqësuar nga shoqatat dhe aktivistët civilë, por vetëm nga partitë politike, që pasi bëjnë sikur na marrin në mbrojtje, na kërkojnë votën. Dhe fillimisht kartën e identitetit: se mos voton për krahun tjetër ore.
-Hë kopil e bir kopili... sa i qut qeke mor bab?!
Të kthehemi përsëri tek 1 Maji.
Thuajse në të gjithë botën 1 Maji synon të kujtojë angazhimin e lëvizjeve sindikale dhe protestave të punëtorëve për të kërkuar dhe siguruar të drejtat, liritë dhe kushtet e punës.
Në histori 1 Maji lidhet ngushtë me protestat e përgjakshme të dhjetëra-mijëra punëtorëve të fabrikave të Çikagos në Amerikë, më 1 Maj 1866, ku punëtorët kërkonin të drejtat e tyre në punë.
Federata e Tregtisë së Organizuar dhe Sindikatat e Punës zgjodhën 1 majin e 1886-s, si data kur dita e tetëorarëshit do të bëhej standard.
Pas protestave të dhunshme në SHBA, Konferenca e Gjashtë e Internacionales së Dytë e vitit 1904 u bëri thirrje “të gjitha organizatave të Partisë Socialdemokrate dhe sindikatave të të gjitha vendeve që të demonstrojnë në 1 maj për vendosjen ligjore për tetë orë punë në ditë, për kërkesat klasore të proletariatit dhe për paqen universale.
Për herë të parë 1 Maji në Shqipëri është kremtuar në vitin 1905, kohë kur Shqipëria ende ishte ende pjesë e Perandorisë Osmane.
Stilian Adhami, në librin “Kronikë e lëvizjes punëtore e sindikale në Shqipëri” publikuar në vitin 1969 shkruan se më 1 Maj të vitit 1905, një grup të rinjsh e punëtorësh organizuan në një manifestim nëpër rrugë dhe një piknik jashtë qytetit të Shkodrës.
Tanimë jemi në vitit 2024.
“E vjetra shembet, kohët po ndryshojnë, një jetë e re po lulëzon gërmadhash”. 

Wednesday, May 1, 2024

“Muzat e Jezercit”, ngarkesë emocionale mes vargjesh poetike




Nga Leonard Veizi

Nuk do të flasim thjesht për Koloninë Letrare "Muzat e Jezercit  - Edicioni 7" që u mbajt në 26 – 28 prill të vitit 2024 në qytetin e Ferizajt të Kosovës, por nisur nga “Muzat e Jezercit” padyshim do të flasim dhe për “Muzat...”

Pjesëmarrësit në koloninë letrare "Muzat e Jezercit - 7"
Introduksion 
Ca vargje të ndjera e tunduese, të lira apo aleksandriane, ca herë të brishta e plot herë me temp, të bëjnë të ëndërrosh skajshmërisht, atje ku mendja njerëzore hera-herës ka drojë të shkojë. Sepse njeriu është i prirë të ëndërrojë zgjuar duke i kontrolluar dëshirat e tij në imtësi, ashtu siç ëndrra vjen vetë në pafajësinë e gjumit, por ti si njeri nuk i kontrollon dot më. Dhe në rast se ëndrrat të mungojnë, apo ti vetë druhesh të lundrosh me to, këtë mundësi ta jep një baladë për piano e orkestër, një tingull violine e vetmuar... si dhe vargje kuptimplote që shtjellojnë botën tënde të pleksur kuturisshim. Ndaj kur nuk e vendos dot gishtin mbi një antologji, ta zbresësh nga etazheri, ta shfletosh e të përhumbesh mes rimash nanuritëse, një takim letrar me emra poetësh miksuar, mbetet tentativa më e mirë për të krijuar një raport të ri me veten dhe botën që të mban rrethuar në zhgjëndrrën dramatike. 
 
Kondratemp
Në Shqipëri, - e kam fjalën për Republikën e Shqipërisë, - takimet letrare janë një flluskë sapuni. Nëse doni që t’i shtoj vlerën, sepse e teprova ca, po e vlerësoj si një... flluskë shampoje, e asgjë më shumë. Dhe nuk është se kam marrë pak herë pjesë në takime të tilla sa mund të thuash se: nuk e njeh realitetin objektiv.
Në Kosovë, - e kam fjalën për Republikën e Kosovës, - një takim letrar, konsiderohet si një festë. Dhe organizimi i tij merret me shumë seriozitet por dhe me pasion. Ndaj gjërat shkojnë vaj, ndaj dhe poetët e trevave të Shqipërisë Republikë turren të kalojnë kufirin dyfish, atë të postbllokut “Kastrati” ku paguan një detyrim se ke përdorur Rrugën e Kombit, dhe dokumentin e identifikimit tek Pika Doganore ku një piramidë në abstraksion na ndan me territorin tjetër të shqiptarëve që zyrtarisht njihet si Republika e Kosovës. Dhe për fat kam marrë pjesë në disa takime të tillë. Ndaj mund të them me plot gojën se: e njoh realitetin objektiv.
Por meqenëse Republika e Shqipërisë është “nona”, më e madhe në formë e përmbajtje, dhe me më shumë se 110 vite shtet i pavarur nga Turqia, nuk është keq ta prishë traditën e ardhur nga shekujt e vjetërsuar e të mësojë ndonjë diçka nga vajza më e vogël në formë por jo në përmbajtje, - siç mundohemi ta konsiderojmë trevën e Kosovës, - që tanimë është Republikë dhe ka 25 vite Pavarësi nga Serbia, edhe pse zyrtarisht Pavarësia mban moshën 16 vjeç. Është si ai raporti i përhershëm i nxënësit me profesorin, por jo në rastin kur profesorin e shtrëngon prostata dhe për më tepër ka nisur ta lërë kujtesa.
 
Rezervat
Me Prof.Dr. Agim Vinca
Të refuzuarit e ftesave, zakonisht vijnë për “arsye pune” ndaj unë personalisht u riktheva në Ferizaj tek “Muzat e Jezercit” pas 6-të vitesh me një ftesë të përsëritur. Sepse për herë të parë në një event të tillë kam qenë në vitin 2018, ku për të thënë të vërtetën jam mahnitur në disa drejtime. Asokohe në drejtimin e Klubit Letrar “De Rada” ishte Gazment Bytyçi, me bashkëpunëtorët më të afërt Zyrafete Shala, Arsim Haliti e Laura Sineri. Sot, për shkak të rotacionit që është vendosur në statusin e shoqatës dhe që zbatohet korrektësisht, në krye të Klubit është Zyrafete Shala me bashkëpuntorët e saj të ngushtë, Arsim Hamitin, Laura Sinerin dhe Fatushe Halitin. Vlen të theksohet se ky aktivitet i Klubit Letrar “De Rada” është mbështetur nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport. Dhe nuk duhet harruar se ky Klub organizon shumë seriozisht edhe konkursin letrar “Ora e Astritit”.
Po ministria e Kulturës së Republikës së Shqipërisë?
Ama pyetje, në ditën për diell, ku dhe të gënjyerit nuk merr vlerë artistike.
Në fakt ajo nuk ndihet fare, ka rënë në letargji, sepse si institucion anësor është shkrirë brenda në një mega ministri me shumë emra, në të cilën më së shumti flitet për lek, euro e dollarë, por shumë pak për trashëgiminë kulturore, e për të mos folur për takimet letrare që është një luks i tepruar e me raste dhe “një shfaqje e huaj dekadente”.
Nga e majta: Orjona Tresa, Zyrafete Shala dhe Fatushe Haliti
 
Ferizaj City & Co
Për sqarim Klubi Letrar “De Rada” e ka selinë në Ferizaj. Dhe Ferizaj konsiderohet si një nga qendrat e reja urbane të Kosovës. Qyteti me popullsi zyrtare prej rreth 50 mijë banorësh, ndodhet në pjesën juglindore të trevës.
Ferizaj është konsideruar si një qytet me bashkëjetesë dhe tolerancë të konsiderueshme fetare dhe kjo duket edhe në faktin që një kishë ortodokse dhe një xhami në qendër të qytetit ndajnë të njëjtin oborr.
Por qyteti pa semafor, me një trafik të paparë kaotik, ka dhe një vijë hekurudhore të ndërtuar nga turqit osmanllinj që në vitin 1873. Epo perandoria e paska zgjidhur qesenë me ca lira më shumë në buxhet, se i duhej për vete hekurudha, jo për shqiptarët. Të keqen o baba Sulltan që na le këtej kufirit malet e Veriut dhe baltërat e Myzeqesë, të cilat mezi i bonifikuam. Se Fushën e Kosovës, me konsensusin e ambasadorëve të mbledhur në Londër ia le në administrim Serbisë. Bravo, bravo... dhe të lumtë që na konsideron ende: vëllezër. Kujë e zezë. Kështu që në Shqipërinë Republikë, - asokohe Socialiste - treni u pa vonë. Përveç dekovilit të ndërtuar nga austriakët gjatë Luftës së Parë Botërore, zyrtarisht segmenti i parë hekurudhor është inauguruar më 7 nëntor 1947, me linjën modeste Durrës – Peqin. Pra 74 vjet më pas. Por kjo s’ka rëndësi, se ne e kapëm veten shpejt, ndaj ndërtuam një rrjet të gjatë hekurudhor... të cilin e nxorëm sërish jashtë përdorimit, me vetëmohim. Punë shqiptarësh tek e fundit.
 


Për-logaritma
Google maps-i të thotë se Ferizaj ndodhet në veri-lindje të Tiranës në një largësi rrugore prej 238 kilometrash. Por me Prishtinën ndajnë veç 41 kilometra. Ndërsa është 57 kilometra larg nga Shkupi. I përmenda këto tre kryeqendra shqiptarësh sepse edhe të ftuarit vinin më së shumti pikërisht nga këto qytete, pa përmendur vendalinjtë, që në fund të fundit janë dhe mbeten të shtëpisë.
Nga Tirana vinin Prenga, Valbona, Klitoni e Leonardi. Nga Shkodra Rozafa. Mirela udhëtoi nga Fieri. Nga Peja erdhi Naimja. E Sabiti nga Gjilani. Ndërsa nga Shkupi: Agimi, Avniu e Shkëlzeni. Dhe ja u bë grupi.
 
Ekzibicion
Duhet të futesh me këmbën e djathtë që të eci mbarë, thoshin më të vjetrit, Dhe duket se të gjithë ne kemi hyrë me këmbën e djathtë. Tani,... kush i pa të gjithë tek e fundit. Por përderisa punët ecën mrekullisht, merret e mirëqenë se poetët me siguri e kanë respektuar këtë besëtytni. 
Risi në këtë edicion u cilësua bashkëpunimi me shoqatën “Hithi” në organizmin e ekspozitës së karikaturës të dy karikaturistëve nga Ferizaj, Selajdin Hajdini dhe Imri Musliu. Kjo ekspozitë, që përfshinte rreth tridhjetë karikatura kryesisht të personaliteteve nga bota e artit, shoqëroi të dy mbrëmjet poetike. Dhe gjeje mes punimeve portretet e Migjenit por dhe të Tina Tërnerit, atë të Bujar Kapexhiut, por dhe të Manjola Nallbanit, si dhe disa tematika të tjera fort interesante.
 

De Rada e Jup Kastrati
Jeronim De Rada kishte 210 vjetorin e vdekjes ndërsa studiuesi kryesor i veprës së tij, Jup Kastrati 100 vjetorin e lindjes. Dhe këto dy data përballë njëra-tjetrës bënë që organizatorët e Klubit Letrar “De Rada” të lançonin një shumatore kumtesash. Sepse takimi poetik nuk mund të jetë vetëm poetik, por dhe prozaik, ndryshe mbetet i vetëm si jetim. Takimi filloi me kumtesën e Prof. dr. Agim Vincës, për të vazhduar me Prof. dr. Diana Kastrati, Dr. Fatmira Kastrati, prof. asoc. dr. Abdurrahim Maxhuni, Prof. ass. dr. Faton Krasniqi, Kemajl Aliu, Abdyl Hajredini, Preng Maca dhe Bekim Kelmendi. Jo pak, për të marrë një informacion të detajuar mbi krijimtarinë e dy kolosëve të letrave shqipe.
 
Zyrafete Shala dhe Arsim Hamiti

Lidership
Të dyja mbrëmjet poetike dhe tryeza u drejtuan me autoritet dhe elegancë nga Zyrafete Shala, që është dhe kryetarja e Klubit Letrar “De Rada”. E nëndheshme dhe fort efikase ishte puna organizative e Arsimit që rrallë e shihje ulur. Poezitë u shoqëruan me kitarë nga i talentuari Dren Loxha, i cili interpretoi edhe disa këngë nga repertori i tij. Dhe Dreni, ishte vërtet i talentuar me kitarën e tij dhe me krijimtarinë e tij, duke i dhënë jo pak tonalitet atmosferës poetike. Madje dhe në post-darkat ngopëse askush nuk kish dëshirë të dëgjonte dixhein e lokalit me muzikë interneti, përsa Dreni derdhte butësish nota mbi tryezën e zbrazët nga mishi por të mbushur me qelqurina pijesh.

Teknikalitet
Dhe çfarë ndodhi përgjatë dy mbrëmjeve? Asgjë e pazakontë në pazakonshmërinë e saj.
Në mbrëmjen e parë lexuan poezitë e tyre: Shkëlzen Halimi, Naime Beqiraj, Donika Dabishevci, Rozafa Shpuza, Xhevat Latifi, Preng Maca, Aziz Mustafa, Kliton Nesturi dhe Besim Zymberi. Mysafir ishte edhe zëvendës ambasadori i Kroacisë në Prishtinë, Nedjeljko Špilek, me vëllimin poetik dygjuhësh “Qyteti i shpirtrave” i cili u përurua me këtë rast. Një vlerësim kritik për librin paraqiti Arsim Hamiti, nënkryetar i KL “De Rada”. Autori lexoi poezi në gjuhën kroate, ndërsa Drita Miftari të njëjtat poezi i lexoi në gjuhën shqipe.
Në mbrëmjen e dytë poetike lexuan vargje: Avni Halimi, Xheladin Rexhepi, Sabit Rrustemi, Nexhat Rexha, Valbona Mulaj, Arsim Halili, Muharrem Kurti, Nafije Zogaj, Mirela Papuçiu, Faruk Tasholli dhe Ismet Delija.
Ne tërësi, poetët dinë ta organizojnë mirë poezinë si varg të shkruar, por dhe ta lexojnë përsosmërish... veç me veten e tyre. Sepse ne realitet, stonimet qëllojnë që ta prishin ritmin melodik. Por ky është një defekt i papërfillshëm, sepse, tek e fundit, të gjithë poetët nuk mund të kenë tonalitetin e Maja Anxhelout.
Dhe në perceptimin tim, me përjashtime të vogla, niveli poetik i poezive ishte për t’u admiruar. E duhet thënë: shyqyr që kemi poetë të paktën.
 
Nga e majta: Kliton Nesturi, Rozafa Shpuza, Xhevdet Bajraj, Arsim Hamiti, Leonard Veizi, Zyrafete Shala, Drita Popa dhe Gazment Bytyçi

Xhevdeti
Ferizaj ka dhe një të veçantë tjetër, dhe kësaj rradhe flas për ndjesi personale. Tek “Muzat e Jezercit” jam njohur me Xhevdetin. Kush është Xhevdeti??? Është njëlloj si të thuash Ismali dhe të nënkuptosh Kadarenë, si të thuash Rexhepi dhe të nënkuptosh Qosen, si të thuash Dritëroi dhe të nënkuptosh Agollin. Dhe të thuash Xhevdeti duhet të nënkuptosh Bajrajn.
Që në fillim të shkrimit bëra me dije se në Ferizajn e vitit 2018 kam mbetur i mahnitur. Mikpritja dhe organizimi ishte dy elementë, por mahnitja më e madhe ishte njohja me këtë poet të klasit botëror, Xhevdet Bajrajn prej Rahovecit.
Sot, Xhevdet Bajraj nuk jeton në tokë, sepse është ngjitur në Panteon, lart tek Krijuesi. Por letërsia e tij vazhdon të lançohet e të lexohet pafundësisht. Sepse ajo është poezi e përbotshme. I thjeshtë si ai, në kontaktin e parë më bëri përshtypje performanca fine dhe kapela e tij republike mbi kokë. Dhe kjo kishte të bënte me pak çaste të papërfillshme, teksa pihej një cigare e ngrihej ndonjë dolli mirëseardhje. Sepse për nga fuqia e vargut, Xhevdeti duhet ta mbante kokën aq lart, sa mund të shihte dhe Amerikën Latine, vendin që kish zgjedhur të jetonte pas përfundimit të luftës në Kosovë. Sepse prej vitit 1999 ai jetonte në Meksikë ku punonte edhe si profesor i Letërsisë dhe i Shkrimit Kreativ në Universitetin Autonom të Meksiko Sitit. Por ky reagim do të vinte më pas, kur vet Xhevdeti lexoi poezitë e tij.
Eh,... ç’t’i kujtojmë ato kohë. Se pas kësaj erdhi pandemia.
Gjithsesi, Xhevdet Bajraj mbetet një gur kilometrik në poezinë shqiptare. Dhe natyrisht, jo vetëm...
Që nga viti 2018 Xhevdet Bajraj ishte anëtar nderi i Klubit letrar “De Rada” dhe ishte i pranishëm pothuajse në të gjitha edicionet e mëparshme të kolonisë “Muzat e Jezercit”. Pra veç Rahovecit, Ferizaj dhe vetë “Muzat...” ishin po aq shtëpia e tij.
 
Tek "Parku i Lirisë"

Jashtë teme
“Muzat 2024” kishin një veprimtari të dendur ku ishin parashikuar dhe çaste çlodhjeje, qoftë dhe me një vizitë të dedikuar në “Pikën 6” ku nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës kanë rënë dy dëshmorë, Sali Baliu e Arsim Zeqiri.
Dhe pas kësaj një tjetër shëtitje, por këtë herë tek “Parku i Lirisë”, një pyll magjepsës, dikur i minuar nga ushtria Serbe, por që pas çminimit të zonës ishte kthyer në një pikë fort atraktive ku qytetarë të shumtë bënin piknik, apo vraponin nëpër tapetin e butë natyral që përshkonte pyllin.

Epilogu
Një fotografi familjare e takimit mund të quhet dhe si përmbyllje. Por më shumë se kaq janë miqësitë, në dukje të vogla, që lindin mes poetësh e prozatorësh, të cilët nisin të shkëmbejnë numra telefonash e të bëjnë foto të tjera, por këtë herë në grupime më të ngushta.
Dhe ky ishte edicioni i shtatë i Kolonisë Letrare “Muzat e Jezercit”.
Nga e majta: Leonard Veizi, Orjona Tresa, Fatushe Haliti, Kliton Nesturi, Zyrafete Shala dhe Dren Loxha