Friday, April 28, 2023

Ilirian Shima, skulptori që na solli “Nënë Terezën”


Nga Leonard Veizi
 
Ai është një nga ata që quhen: artistë race.
Ai ka guxuar të eksperimentojë e ndoshta të kalojë limitet që përballon një shoqëri në tranzicion dhe jo tërësisht të emancipuar.
Ai ka ideuar gjithfarë marrinash estetike, dhe u ka dhënë jetë shumë prej tyre. Sepse i tillë është artisti. Nuk mund të jetë slogan.
Ai ka punuar fort për të sjellë në jetë, gjithçka është ravijëzuar ne mendjen e tij si imazh fillestar e kaotik apo si një projekt tërësor dhe krejtësisht i modeluar.
Ai ka sfiduar për ta paraqitur të arritshme atë që për shumëkënd ishte e paaritshme dhe jofunksonale.
Ai ka arritur t'ia dalë për shumicën që e kuptojnë dhe i duan punën e tij.
Por si kushdo edhe ai nuk mund të jetë aq gjithëpërfshirës sa për të kënaqur orekset e kujtdo, ca që kërkojnë realizëm teknik të vjetëruar dhe ca të tjerë që mendojnë se arti duhet të jetë sipas parimit: lart frymën revolucionare.
Dhe së fundi ai na solli në Tiranë, - vendlindjen e tij, - një shtatore të mahnitshme.
Ajo është Nënë Tereza. Krejt e bardhë e me shiritat blu mbi kokë. Plot hijeshi dhe elegancë. Një Nënë Terezë, gjithsesi. Kompakte.
Mund ta kishte vendosur në Romë, në Athinë, në Bukuresht... si dhe në Prishtinë. Sepse të gjitha këto vend i kishin ofruar një shesh për gruan e shenjtë. Por fati e donte që ta sillte në Tiranë, pikërisht në aeroportin që mban emrin e saj. Sepse ajo është pika universale që lidh shqiptarët me botën, dhe të huajt me Shqipërinë. E tash e tutje, në hyrje të këtij terminali, shtatorja e saj që lutet, do të presë e përcjellë gjithkënd që kërkon të fluturojë. Sepse gjithkush e do një mbrojtje. Për më tepër kur është lart në qiell, e s’ka ku mbahet kund.
Ilirian Shima është një nga artistët më në zë të Shqipërisë, i cili 32 vitet e fundit vendbazimin e ka në Athinë. Megjithatë duhet thënë se ateljeja e tij, - e cila gjeografikisht ka vendndodhjen në kryeqendrën greke, - është një studio që në funksion të krijimeve të tij lëvizi në ccdo skaj të globit. 
Por si u ideua skulptura e shenjtores shqiptare?
Boceti kishte nisur. Autori shpjegon:
Nuk e studiova kurrë atë figurë në sensin anatomik ose proporcional.  Bëra atë që më kishte mbetur në kujtesë. Dhe janë ato dy tre gjëra, ato që i mbeten përjetësisë, një pëlhurë e bardhë me tre vija blu dhe brenda saj një formë e kërrusur që tenton të strehojë në hapësirën e gjoksit të gjithë të varfrit. Vura re se sa më shumë anatomi dhe materie i hiqja aq më shumë frymë i shtohej. E lashë veten të lirë ta vazhdojë këtë proces, deri sa vetë boceti më tha: stop. U gjet e mesmja e artë, midis materies dhe idesë. Ajo mbeti frymë.
Dhe në këtë mënyrë një bocet disa gramësh u kthye në një shtatore disa tonëshe.
Konkurs pas konkursi e propozim pas propozimi, së fundi “Nënë Tereza” në mermer mbërriti në aeroportin me emrin e saj. Nuk kish si ndodhte ndryshe.
Autori u largua për në studion e tij në Athinë. Punë të tjera e presin, ca nëpër bocete e të tjera ende të pambaruara. Krijimtaria vazhdon.
Por Ilirian Shima asnjëherë nuk mungon të vizitojë Tiranën, e cila e ka mirëpritur me ekspozitat e tij të veçanta, krejt moderne e disi abstrakte, madje dhe provokative. Ekspozita “Farajon” me veprave që mbartnin tematikë erotike. Megjithatë ajo u prit mjaft mirë nga artdashësit e Tiranës, ku siç u shpreh vetë autori: “Ekzistonte një si fshehje apo si turp. Njerëzit që kur kalonin para veprave të mia me tematikë erotike, ulnin kokën apo i shikonin me bisht të syrit. Donin t’i preknin… por aty ishte tabuja”. 
Ilirian Shima nuk rresht asnjëherë së punuari. Madje dhe në kohën e frikshme të pandemisë. Asgjë se pengon atë të hedhë bojëra mbi telajo apo të gdhendi mbi mermer. Dhe ashtu siç është shprehu ai: e sheh veten si një njeri në prizë, në lëvizje dhe në krijimtari të vazhdueshme që i sheh gjërat vetëm artistikisht. 
Disa vite më parë Ilirian Shima vendosi në qendër të qytetit të Lushnjës, në një nga përvjetorët e Kongresit që u mbajt në këtë qytet në vitin 1920, punën e tij, një Shqiponjë, të cilën gjatë një interviste të realizuar enkas me këtë rast, ai e përcaktoi si një shpend të fortë e krenar por që gjithashtu përcjell dhe sensualitet pa fund.
Ilirian Shima është një skulptor i veçantë për shumë kënd. Ai është gjithmonë në kërkim të diçkaje të re. Dhe të një motivi të gdhendur që sërish do të na surprizojë.





Tuesday, April 25, 2023

Llazi Serbo, tragjedia e një aktori unik


Nga 
Leonard Veizi
 
Çfarë mund ta bënte një aktor kalibri të vriste veten? Paqëndrueshmëri psikike? Çastet e vendimmarrjes mund të jenë të vështira, por po aq janë të lehta, vetëm një sekondë mendim i tejskajshëm dhe një sekondë tjetër për ta kryer aktin. Dhe kaq. Sepse askush nuk është në gjendje të të ndalë. Pas kësaj mbetesh vetëm një kujtesë. Për më tepër kur kjo kujtesë ka mbetur mbi celulozë të lëvizshme, që mund ta vendosësh në punë sa herë të ndjesh mall.
Dhe ky është një fat që shumë e shumë të tjerë nuk e kanë.
Por dhe kujtesa tek e fundit është një konvencion abstrakt. Herë merr kuptim, herë jo.
Ishte e diel duke u gdhirë e hëna. Mesnata..., atëherë kur akrepi i orës që ndan kohën, duket sikur ka ndarë dy botë të ndryshme, por që në fakt është e njëjtë. Një krismë e mbytur arme ishte ndjerë në errësirë dhe vetëm kaq. Sepse terri i thellë mbyt çdo krismë a klithmë. Të nesërmen në mëngjes u dha lajmi se një aktor fort i njohur i teatrit të Korçës ishte gjendur i pajetë në banesën e vet. Kishte vrarë veten. Pranë trupit ishte gjetur një çifte të cilën e mbante me leje për ditët e tij të gjuetisë si dhe një copë letër ku ishin shkruar fjalët e tij të fundit. Ishte 13 shtatori i vitit 2010 dhe ai ishte 65 vjeç...
 
...Shumëkujt, kur i shkon në mendje Llazi Serbo, njëherësh kujton së pari Kreshnik Martinin. Mund të jetë roli më emblematik i interpretuar prej tij, por jo aq sa roli i Kapiten Edgar, një oficeri nazist pa fjalë, që mbante qytetin e rrethuar në darë dhe nëpër duar kalonte një tufë fotografish me të cilat identifikonte ata që luftonin kundër Rajhut gjerman.
Gjithsesi ai do ta fillonte karrierën filmike si Dalani tek filmi “Yjet e netëve të gjata”.
Por ishte dhe mësues Naimi tek filmi “Shembja e Idhujve”.
-Nuk keni se si të më kuptoni, flasim gjuhë të ndryshme. Për shembull në Kalcë zoti kapedan. E çfarë ka atje: uri, gjakmarrje, padrejtësi dhe padituri. Një kryeplak që nuk di të shkruajë, një prift me dy fakultete që rrjep fshatarët tanë dhe u jep të huajve pasurinë tonë kombëtare, një kapter anadollak, injorant...
Me një zë karakteristik dhe interpretim mjeshtëror, ai është cilësuar si një aktor unik duke u veçuar nga të tjerët. Kishte një interpretim rebel e plot zjarr, dhe kjo përfaqësohej më së miri dhe në rolin e komitit Ajaz Gjika tek filmi “Kush vdes në këmbë”.
-Hakmarrja të na ndezë gjokset dhe armët. Sa më shpejt ta shtrijmë armikun përtokë aq më afër e sjellim lirinë.
Por ai ka dhe një rol interesant si Bexhet Alushi, tek seriali televiziv “I treti”, që vërtet punonte në gurore me vare në dorë, por dhe rekrutonte agjentë për një shërbim sekret të huaj, me rrushfet por dhe presion.
-Hë byrazer, përse nuk përgjigjesh. Mos harro se më ke dhe nja 50 mijë lek borxh. Ku kujton se i gjen une ato para? Atëhere mos e zgjat më por hiqe vallen sipas daulles time.
Për Llazi Serbon thuhej se të gjithë regjisorët e kishin një rol për të, por të paktë ishin ata që merrnin guximin ta ofronin, pas Llazi ishte tekanjoz i madh, dhe dilte në sheshxhirim vetëm pasi kishte provuar të gjithë gardërobën e Kinostudios, sepse herë nuk i pëlqente xhaketa, herë pantallonat e ca më shumë këpucët. Ishte vërtetë aktor me temp, edhe jashtë filmit apo skenës. Në tavolinë mes miqsh shfaqte grintën e tij për gjithçka lidhej me artin që bënte.
Por në interpretim ai ishte një aktor plot klas. Dhe grindja e tij kish aq shumë lezet për një aktor dimensioni.
-Qëllo o Pjetër Mustakuqi, dhe pa u tret bora bjeshkëve nga kjo krismë, dhe një zjarr tjetër do t’u shtohet atyre të pestëve që ndezi populli. Vdekje më të nderuar nuk dua.
Në jetëshkrimin e tij zyrtar thuhet se diplomohet për aktor nga Instituti i Lartë i Arteve në vitin 1969. Nis punën në Korçë si aktor profesionist në teatrin “Andon Zako Çajupi”. Karriera skenike do të niste me dramën “Njolla të Murrme”. Por numri i roleve në skenën e teatrit dhe në ekran, gjatë karrierës së tij 40-vjeçare do të arrinte në të paktën 100 nga të cilat 15-të i interpretoi në kinema. 
Mes viteve 1986 - 1993 punon si regjisor pranë Kinostudios "Shqipëria e Re". Detyrën e re e nisi si asistent në filmin e Besim Kurtit: "Bardhësi". Ndërsa në vitin 1991, Serbo do të realizojë skenarin dhe regjinë e filmit "Kush e solli Doruntinën" bazuar mbi novelën e shkruar nga Ismail Kadare.
Përveç pasionit të aktrimit dhe regjisurës është i pasionuar edhe pas fotografisë dhe mori pjesë në Konkursin Mbarëkombëtar Fotografik “Marubi 2003”.
Për meritat e tij artistike dhe për kontributin e tij të çmuar në kinematografi dhe kulturën shqiptare, Llazi Serbo u vlerësua me titullin “Artist i Merituar”. Ndërsa, Këshilli i Qarkut të Korçës e ka cilësuar “Nderi i Qarkut”.
Për Llazi Serbon thuhej se prej një kohë të gjatë vuante nga depresioni kronik. Ishte kjo sëmundje që u bë shkak të kryente vetëvrasjen në banesën ku jetonte i vetëm. Si gjithmonë, në të gjitha vetëvrasjet dukej një e shtënë e vetme, pranë zemrës. Dhe gjithçka mbaroi aty. Pranë trupit të tij u gjet vetëm arma por edhe një letër testament, ku mes të tjerash kishte shkruar: “Dua të vdes si Bekim Fehmiu”.
Dhe vdiq vërtet.
Gjithkush a të drejtë ta zgjedhë vetë vdekjen e tij. Edhe pse në shumicën absolute të rasteve, ajo vjen atëherë kur ti nuk e pret.

Friday, April 21, 2023

Në ditën e Shekspirit dhe Servantesit: libri në rrugë, njerëzit shesin bibliotekat


Nga 
Leonard Veizi
 
Në tërësinë e tij leximi, por ai i librit artistik në veçanti, mbetet një problem.
Konvejeri i propagandës, të mbush mendjen se lexuesit po shtohen. Ndërsa në realitet njerëzit kanë nxjerrë në shitje bibliotekat, sepse nuk kanë ç’u duhen më. Bukinistët e rrugës kanë ulur çmimet, por pakkush ndalon tek ta.
Deri dje, gara ishte të mbushje një bibliotekë me libra, qoftë dhe në dukje apo për të rregulluar performancën e apartamentit, por mjaft të dukeshe si i lexuar. Sot bibliotekat po zbrazen. Etazherët prej tallashi të presuar po hidhen tek mbeturinat dhe hapësirat në dhomë po zgjerohen.
Me shumë gjasa letra dhe boja e shtypshkronjës, për shkak të kimikateve, e kanë ndotur mjedisin e banimit. Ndaj duke e çliruar nga barra e tepërt duket sikur është bërë më shumë e jetueshme. Edhe pse tanimë vendin e mbetur bosh e zë një televizor për dhomë, një kompjuter portativ si dhe nga një telefon dore, që të gjitha punojnë me wi-fi, por që me shumë gjasa trupi merr impulse negative nga rrezatimi shumë më tepër se sa nga kimikatet e bojës së shkrimit.
Shitja e bibliotekave, - që duket se prej kohësh është futur në modë, - mund të jetë një hap i drejtë e i duhur. Sepse mund të blesh libra me kosto më të ulët në internet, duke i shkarkuar në smartfon dhe të lexosh kur të mundesh, duke e pasur gjithmonë me vete një bibliotekë me 200 apo 300 tituj në inventar.
Por meqë i përkas një brez i mësuar fort me librin fizik, vazhdoj të jem nostalgjik, po aq sa dhe shumë të tjerë, të cilët në kushtet e reja edhe mund të kenë rënë në dilemë.
Jemi në Prill. Dhe mes të tjerash Prilli mbahet mend edhe për datën 23 e cila është “Dita ndërkombëtare e librit”. Dhe e dini pse? Sepse në një ditë të tillë në 23 Prill 1616, u ndanë nga jeta Shekspiri dhe Servantesi. Pra botës i ikën dy shkrimtarë të jashtëzakonshëm brenda një harku kohor prej disa orësh, por me largësi të konsiderueshme: njëri në Londër e tjetri në Madrid. Dhe po në këtë ditë, pra më 23 Prill, por në vite të ndryshme, u lindën disa të tjerë që më pas u bënë shkrimtarë, por që ndoshta nuk janë të jashtëzakonshëm, por gjithsesi mbeten shkrimtarë. Pra një rastësi e pazakontë, për një datë që nuk të thoshte gjë aq sa për t'u mbajtur mend.
400 vite më pas, pikërisht në 15 nëntor të vitit 1995 pas një rezolute të UNESCO-s u vendos që 23 Prilli të ishte Dita Botërore e Librit. Sepse kemi dhe Ditë Botërore të Poezisë, Ditë Botërore të Shkrimtarëve. Kjo është thjesht: e librit.
Atëherë vijmë sërish në fillim të ngritjes së problemit, dhe duket sikur po përsërisim: Ku jemi me librin sot? Sepse është një temë që vazhdimisht ngacmon.
Në një bisedë informale, me një mikun tim botues fort të njohur, nuk arrinin të gjenim dot kleçkën, se ku qëndronte problemi linear e kardinal, që shqiptarët nuk ishin të interesuar të tërhiqnin nga raftet e librarive, botime nga më të njohurat në botë. Sepse realisht në vendet e zhvilluara të hemisferës tonë, rënia e interesit për librin, - për shkak të vërshimit të Hi Tech-ut, i cili alarmoi qarqet letrare disa vite më parë, - cilësohet si problem i ezauruar, dhe lexuesit i janë rikthyer përsëri leximit në faqen print. Madje dhe printimi i gazetave nuk e ndali hapin për shkak të kësaj vështirësie. Në Shqipëri efekti Hi Tech me sa duket është më i ndjeshëm.
-Epo punë shqiptarësh, - do të thoshim në ndonjë rast tjetër.
Por në këtë rast, jo. Sepse tendenca për të ironizuar veten dhe racën tënde në të shumtën e rasteve të kthehet në bumerang.
Padyshim tregu i librit artistik ka hyrë në një fazë të re krize, ndërkohë që dukshëm kriza kishte vite që kishte nisur. Dhe kjo nuk ka të bëjë me mungesën e prurjeve e të rrudhjeve letrare. Përkundrazi, vitet e fundit ato i kemi me shumicë, pasi statistikat thonë që vendet me nivel të ulët jetese kanë tendencë të prodhojnë shumë më tepër poetë e prozatorë se sa ata që e kanë krijuar konsolidimin prej shumë kohësh. Kjo mund të jetë dhe një legjendë urbane, por jo se nuk është e besueshme. Sepse po të shohësh raportin e aspirantëve në rrjetet sociale, do të gjesh më shumë poetë se lexues.
Pra, në rastin konkret, - larg legjendës urbane tanimë, - ne vuajmë për lexues.
Kjo do të thotë se problemi është zhvendosur nga prodhuesi tek lexuesi. Tek mundësia për të rekrutuar lexues të rinj dhe për të mbajtur në llogore lexuesin e vjetër e ndonjëherë të kalcifikuar. Sepse tituj të spikatur të letërsisë botërore tanimë i ke në çdo raft librarie.
Në tregun botëror, një libër që përshtatet edhe për ekranin e kinemasë përkthehet në shitje të mëdha kopjesh. Gjë që nuk ndodh në realitetin shqiptar. Padyshim, kinemaja është fort e shtrenjtë dhe artdashësit që presin një biletë nuk e justifikojnë shpenzimin buxhetor. Dhe kështu mbetemi sërish rob të formateve televizive.
Natyrisht, po qe se ushqimi më i shpejtë, po aq sa një sanduiç e hamburger është edhe një spektakël dramash sentimentale, ku loja e aktorëve amatorë ngrihet në kult, kjo do të rëndojë mbi letërsinë. Sepse për të blerë një libër, një mesatare prej 1200 lekësh, do të të duhen dhe disa pasdite stërmundimi derisa t’i nxjerrësh fundit.
Edhe në këtë rast libri mbetet i mundur në fushën e betejës.
Sepse në të njëjtën kohë, edhe pultin e televizorit e ke në dorën e djathtë, ku një sy, ai më vigjilenti kalon në skaner të rejat e fundit nga bota rozë dhe ajo me shumë ngjyra që të kujton ylberin.
Ndoshta e kemi ne gabim, sepse jemi peng i së shkuarës tonë. Dhe ndoshta vërtet koha e Gutenbergut ka marrë fund. Sepse në ditët e sotme imazhi është gjithçka.
Megjithatë, përpjekja e mësuesve në shkollat e cikleve parauniversitarë, për t’i detyruar në njëfarë mënyre nxënësit të lexojnë letërsi, - qoftë dhe nëpërmjet kurrikulave, - është nga mënyrat më të mira të mundshme për të përfituar lexues të rinj. Përndryshe fëmijët e sotëm - e që i përkasin që ardhmes, - do të marrin një bazë kulturore të përciptë vetëm nga imazhet dhe short videot që shfaqen në smartfon.

Wednesday, April 19, 2023

Gaspër Çurçia, virtuoziteti i një trompisti xhazi


Nga LeonardVeizi
 
Diku në një xhep të brendshëm a në një portofol ndoshta, ai mbante kudo shkonte fotografinë e një trompisti të famshëm amerikan, Luis Amstrongut. Dhe kjo padyshim, në mesin e viteve ‘60 e më pas, konsiderohej një blasfemi. Sepse i gjithë vendi, si një trup i vetëm ishte kundër xhinglave amerikane. Por për të thuhej se ishte një antikomformist i lindur, pikërisht në Shqipërinë totalitare ku procedohej diktatura më e egër komuniste e Lindjes.
Dhe quhej Gaspër.
Materialet për jetën e tij janë në një miniaturë të heshtur e pa dritë. Nga vepra e tij të shumta ka shpëtuar pako gjë. Sepse ato ose janë zhdukur, ose janë futur thellë nëpër skuta arkivash nga ku nuk po e shohin ende dritën. Ndërkohë që për të vetë thuhej se ishte një muzikant i jashtëzakonshëm dhe një orkestrues ekselent. Dhe për ta shëmbëllyer një gjë të tillë, merret për bazë orkestrimi në xhaz i këngës “Natën vonë”, të kompozitorit Tish Daija, por dhe ritmi tuist i këngës “Djaloshi dhe shiu” të Agim Krajkës, të dyja të interpretuara nga Vaçe Zela.
Kolegët e tij, - aty-këtu, - janë shprehur se ai dinte t’i binte trompës në një gjysmë vajtimi. Dhe vija melodike e vaji nuk shihej me sy të mirë nga pushtetarët që kërkonin të ngrinin në këmbë rininë me këngë revolucioni në kuadër të shtypjes së klasës borgjeze. Ndaj më shumë se me një muzikant si Luis Amstrong, ky orkestrues i talentuar që vinte nga Shkodra, me fytyrë të bardhë, flokë kafe, e ca i bëshëm në trup, ngjasonte më së afërti me personazhin Maks Tunei, luajtur nga Pruit Tailor Vins, i cili ishte një muzikant që kërkonte të gjente në bordin e anijes “Virxhinia” mikun tij të vjetër, një pianist të famshëm që quhej thjesht: 1900. Bëhet fjalë për filmin  e njohur të Xhuzepe Tornatores, “Legjenda e pianistit mbi oqean”, ku amerikani Maks Tunei, duket as më pak e as më shumë por si Gaspëri shqiptar që dinte nga trompa e tij të nxirrte tinguj aq magjepsës.
Informacionet e pakta mbi jetën e tij thonë se Gasper Çurçia ishte lindur në Shkodër më 13 nëntor të vitit 1934 por banonte në rrugën “Ferit Xhajko” të Tiranës, që i përkiste lagjes numër 3. Njihej si instrumentist, dirigjent, kompozitor, orkestrues, apo thënë më shkurt: si një artist virtuoz.
Nuk kishte shkollë muzike, por nuk mund të thuash se ishte thjesht një autodidakt. Sepse kishte marrë mësime muzike privatisht nga një pianiste me emër në qytetin e Shkodrës siç ishte Ida Melgushi. Por poeti Sadik Bejko, mik e shok me trompistin e xhazit, në një intervistë të tij për të, është shprehur se Gaspëri e bëri universitetin duke bashkëpunuar me mjeshtrit e muzikës si Agim Prodanin, Tonin Harapin, Tish Daijan dhe me kryemuzikantin Çesk Zadejan.
E megjithatë, në jetëshkrimin e tij mungonte një diplomë liceu a konservatori, që do të vërtetonte katërcipërisht se si ishte në gjendje t’i binte një vegle muzikore sipas notave në partiturë.
Por talenti asnjëherë nuk ka pasur pikë lidhje me jetën administrative të një njeriu. Sepse ai është krejt i ndarë nga ana teknike e institucionale, ku firma dhe vula arrijnë të të bëjnë kryetar shteti, por aspak artist.
Ky ishte rasti i Gaspër Çurçisë.
Përveç pianos ai kishte mësuar të luante në kitarë, fizarmonikë e harmonikë. Por instrumenti i tij i preferuar ishte bërë trompa. Ndërsa timbri i tij nuk ishte ai i muzikës klasike, por një timbër i muzikës së xhazit.
Gaspri shkëlqeu si një muzikant i orkestrave të hoteleve dhe të lulishteve që funksiononin në plazhin e Durrësit në periudhën kur në Shqipërinë e viteve ‘60-të të shekullit të kaluar, vinin turistët nga vendet e lindjes, pjesë e kampit socialist. Më pas luajti edhe në tavernën  e hotel “Dajtit”.
Me krijimin e Estradës së Shtetit nis punën në orkestrën e saj. Më 1962 u emërua në Radio Tirana fillimisht si trompist i orkestrës simfonike. Ai ishte orkestruesi i këngëve dhe dirigjenti i të parës orkestër xhazi në skenë. Kjo ishte një nga arritjet e mëdha të tij.
Por Festivali i 11-të, i Këngës në Radio Televizion ia ndërpreu karrierën e shkëlqyer. Me pamje vizive Gaspër Çurçia dhe orkestra e tij dalin për herë të parë për publikun pikërisht në Festivalin e 11-të, që u zhvillua në Tiranën e vitit 1972, mes datave 22 dhe 25 dhjetor. Por ky do të ishte edhe fundi i shkëlqimit. Si shumë artistë të tjerë edhe Gaspër Çurçia mori një faturë për të gjithë aktivitetin e tij, i cili nuk i përkiste realizmit socialist. Ai vetë daljen nga skena e përjetoi rëndë. E emërua në Peshkopi. Por refuzon të shkojë, duke pranuar qoftë një punë të thjeshtë, vetëm për të të qenë pranë familjes. Për disa kohë punoi në Ndërmarrjen e Mjeteve Mësimore “Hamid Shijaku”. Atje përveçse prodhoheshin mjete mësimore, prodhoheshin dhe vegla muzikore. Në këtë mënyrë Gaspër Çurçisë iu dha mundësia të vinte në jetë një tjetër talent të tij. Shpiku mënyrën se si me tela të temperuara nga veglat tradicionale mund të sajoheshin vegla të reja nga familja e çiftelive apo e lahutave. Por gjithçka ishte e kotë. Vendimi për të ishte marrë. Nuk duhet të dilte më në sipërfaqe.
Fundi i tij ishte edhe më i errët.
Në12 dhjetor të vitit 1984 arrestohet dhe akuzohet për krijimin e një pajisje mekanike e cila prodhonte bileta false të udhëtimit me tren. Flitej për përvetësim parash. Gjykata i dha dënimin më të ashpër: me pushkatim. Kuvendi Popullor nuk e apeloi. Gjithë veprimtaria e tij artistike u ndalua rreptësisht. Më 11 prill të vitit 1985 Gaspër Çurçia ekzekutohet...
...muzika e tij mbeti.

Friday, April 14, 2023

Kur lajmi për rritjen e rrogave u ngrit përpjetë


Nga 
Leonard Veizi
 
Në vitin 1960, Byroja Politike e Drejtuar nga Sekretari i Parë, mori vendimin për shkurtimin e rrogave. Dhe fushata nisi me uljen drastike të rrogës së shokut Enver. Për të tjerët nuk pyeste më njeri. U katandis kokoshi një thelë.
Por sot, në vitin 2023 kur lajmi buçiti në radio e televizor, por e dhanë dhe gazetat, se rrogat mesatare në Shqipëri do të ngriheshin e do të shkonin 900 euro e kacafiu, më ra si shpullë pas qafe e më tromaksi.
-Më pickoni ore, se mos jam në ëndërr...
900 euro...??? Ne, që jemi mësuar ta shtyjmë me gavetën e groshës e me një pras në dorë. Jaaaaallah... Epo shyqyr që ia arritëm kësaj dite. Se aty nga fillimi i viteve ‘90 të shekullit të kaluar, kur lamë minderet e shtëpive, hipëm mbi gardhet e ambasadave dhe mbushëm hambarët e vaporëve që transporton krom rifuxho, mendonim se për pak vite, - sa të bëhej rrotacioni politik, të iknin të vjetrit e të vinin të rinjtë - do të hanim me lugë floriri. Evropa do na ndihmonte. Le po dhe Amerika do hapte thesin. 
Për retrospektivë, edhe në fillim të vitit 1945, menjëherë sapo mbaroi lufta, partizanët që zbritën nga mali nisën të mbanin radhë tek Bankat e nivelit të dytë, për të marrë lugët e floririt që u ishin premtuar. Por të paktën, atyre ua bënë të qartë: Kjo punë do zgjasë ca, sa të gjejmë floririn ku e kanë groposur bejlerët, sa t’i mbledhim, sa ta çojmë në metalurgjik e t’i shkrijmë, të bëjmë lingota, e pas kësaj do prodhojmë lugë floriri. Atëherë po, atëherë do hani me lugë floriri.
Me këtë rast ngritëm dhe kombinatin e shkrirjes në Elbasan. Por meqenëse projekti vonoi ca dhe populli u mësua me lugë alumini, tek e fundit për mirësjellje, ato të aluminit i zëvendësuan me lugë inoksi, të cilat bliheshin në pazar.
Ku ka gjë falas o byrazer?! Kur kushton dhe vdekja sa të këput kryqet, imagjinoni sa kushton jeta?!
Nejse, ajo kohë iku e vate. Tani jemi në demokraci. Për lugët e floririt nuk i bie në mend njeriu. Për euro e dollarë po. Aty kërcet kallashi. Edhe pse në vetvete, një dollarë është vetëm një letër, ndërsa një euro është një metelikë, vlera e të cilës është 100 herë më pak nga sa e hedhin në treg.
Le të vijmë tek rritja e rrogave, angazhim për të cilin vuri dorë mbi Bibël e Kuran, kryeministri ynë. Sepse kryeministri në mes të mexhlisit deklaroi me zë e figurë: Kemi sanksionuar e zeza mbi të bardhë se, në harkun e një viti paga mesatare në Republikën e Shqipërisë do shkojë nga 563 euro në 900 euro.
Bëhet fjalë për rroga administrate, se privati i rregullon vetë punët. Dhe hesapet në Shqipëri kanë kohë që bëhen me euro edhe pse zyrtarisht ne kemi si monedhë kombëtare lekun.
Mësuesit kanë ngritur veshët përpjetë. Mjekët gjithashtu. Ca besojnë se e adhurojnë kryeministrin. Ca të tjerë që anojnë nga opozita nuk besojnë, por qejfi ua ka. Hë mo se gënjen ai, gënjen...
Nga ana e saj qeveria po bëhet gati ta hapë thesin. Jo këtë vit... mos u ngazëlleni para kohe. Për vitin 2024 bëhet llafi.
- Llaf burrash! Me besa-besën. Ja toke këtu...
Fakti që kemi thirrur sa jemi ngjirur: “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”, nuk na jep mundësinë që edhe rrogat t’i kemi si Evropa, përderisa shumë pak gjëra si ato të Evropës, kemi arritur t’i përshtatim në tregun kaotik shqiptar. Në tërësinë tonë ne mbetemi Ballkanik të paepur, të padisiplinuar, por ambiciozë deri në marrëzi kur vjen puna për të rrezikuar.
Por shteti është një ingranazh me xhiro të ngadalta, herë i ndryshkur e herë i lubrifikuar me vajra të skaduar, që nuk arrin t’i përgjigjet ambicieve të nënshtetasve... Ndaj dhe për së shpeshti i biem shkurt: marrim rrugën e emigrimit.
Të vijmë sërish te rritja aktuale e rrogave se shkitën sa si shumë.
Ekspertët, që kanë dalë rëndshëm nëpër ekranet e televizorëve, thonë se ekonomia shqiptare është më pak produktivja në Evropë dhe kjo padyshim që do të ekspozojë dhe pagat më të ulëta në Evropë.
Disa ekspertë kontabël janë të mendimit se rritja e pagave në 900 euro është e papërballueshme për buxhetin e shtetit sepse do të sillte një rritje prej 35% të fondit e pagave.
Një tjetër ekspert finance thotë se kjo gjë mund të dëmtojë rëndë biznesin deri në falimentim. Demek: pagën e vendos ekonomia dhe jo qeveria. Sepse kur e vendos qeveria krijohen dhe probleme.
-Ore do na lini ta shijojmë këtë rritjen e rrogave në ajër, apo si e keni hallin?
Të gjitha pikëpyetjet që ngrihen vazhdimisht në kuadër të realizmit të rritje së rrogave të administratës me një mesatare prej 900 eurosh në muaj, bëjnë që të ngresh edhe pikëpyetjen e madhe: A mos kemi të bëjmë vetëm me një premtim elektoral...? Se prag zgjedhjesh është.
Inshallah jo!
Ore po duket dhe si legjendë urbane, por ky prilli është dhe muaj me damkë. U fut në datën 1 me ditën e gënjeshtrave dhe nuk i dihet se si do dalë në 30...
Të jetë shaka kjo puna e rritjes së rrogave. Apo demagogji për t’i treguar botës se në Shqipëri nuk rriten vetëm çmimet.
Ekuacion me shumë të panjohura.
Mirëpo duke u futur në të thella, harrova që ynë nga financat nuk para ia them. Di të numëroj lekët e rrogës time për mrekulli, por po qe se më duhet të ndaj dhe rrogat e të tjerëve bëhem si Maku te “Zëvendësi i grave”.
-Bo, bo, bo koka...
-Epo kujt i dhemb koka le të pijë një aspirinë!
Tek e fundit ç'më duhet mua sa është “xhidipija” e sa është buxheti vjetor i shtetit. Unë për vete them: shyqyr që do rriten rrogat vëlla, inshallah nuk është ëndërr...

Tuesday, April 11, 2023

Serafin Fanko, aktrimi plot finesë i një regjisori epokal


Nga Leonard Veizi
 
Si rrallëherë emri i një njeriu përfaqëson edhe një epokë të caktuar. Emri i tij gjithashtu përfaqëson një epokë. Miqtë e tij, kolegë të skenës dhe përtej saj, thonë se ai krijoi një teatër i cili sot mban firmën: Teatri Serafinian...
 
...Ishte një figurë komplekse dhe mbetet një prej ikonave të artit shqiptar: në kinema si aktor e në skenën e teatrit si regjisor. Megjithatë po aq ishte dhe skenograf, kostumograf e formulues muzike. I plotësuar deri në skaj për të përmbushur misionin e madh që kishte marrë mbi vete.
Kur flitet për Serafin Fankon nuk flitet thjesht për një aktor, as thjesht për një regjisor, sepse po aq ai ishte dhe pianist, balerin e piktor. Me prirje në shumë dimensione. Dhe thuhet se Serafini kishte një fat të madh, që bashkëpunonte me një trupë të shkëlqyer aktorësh siç ishin ata që përbënin trupën e teatrit “Migjeni” dhe po aq vetë ky institucion arti kishte të njëjtin fat të madh që një regjisor si Fanko ishte pjesë përbërëse e tij.
U lind në Shkodër më 24 Maj të vitit 1937. Pati një fëmijëri fort të vështirë, pasi që prej moshës 6-vjeçare mbeti jetim. Por ishte plot talent. Studimet e larta i ndau mes Akademisë së Arteve të Pragës dhe Institutit të Lartë të Arteve në Tiranë. Pas kësaj nisi jeta e tij artistike.
Do ta fillonte me filmin “Furtuna”, ku në fakt është vetëm një figurant. Por roli i tij i parë ishte Klarku në filmin ”Fije që priten” të regjisorit Muharrem Fejzo, një turist i huaj fort dashamirës i Shqipërisë e që në dialog me bashkëshorten e një diplomati ambasade i thoshte për shqiptarët:
-Duhet të jeni e lumtur që jetoni prej dy vjetësh në këtë vend të mrekullueshëm. E kam fjalën për natyrën e bukur e të qetë. Edhe njerëzit më kanë pëlqyer. Nga kontaktet që kam pasur me ta kam përshtypjet më të mira.
Tek filmi “Shembja e idhujve” ka interpretuar rolin më emblematik të tij, atë të frat Engjëllit që merrej me filozofi e arkeologji por që nuk ngurronte t’u kërkonte fshatarëve të Kalcës edhe detyrimet e kishës.
-Qe bërë bota pasqyrë asaj Tirane. Edhe ti lum miku duhet të mësosh dancin. S’është çudi. Të bën lartmadhnia e tij adjutant dhe po nuk dite dancin të fusin një shkelm në prapanike.
Tek filmi “Yje mbi Drin”, skaliti rolin e inxhinier Lulzimit që projektonte detajet e hidrocentralit të Fierzës dhe për shkak të volumit të punës sakrifikoi dhe pushimet në Sarandë:
-Shoku Dali, ju lutem ç’janë këto ndryshime që më kërkohen në projekt. Mor shok, a e kupton si se ajo kërkon llogaritje dhe kohë. Dhe t’i biem shkurt: Lulzim Luadhi nuk ka ndër mend t’i futet një pune të tillë, për më tepër kuturu.
Ndërsa tek seriali televiziv “Emblema e dikurshme”, ai do të kishte sërish rolin e një inxhinieri, por këtë herë si Bardhyli që ishte një inxhinier nafte dhe që në një bashkëbisedim me mësuesen Ana shprehej:
-Para se të hapja leksionet për kërkimin e naftës do ta filloja me ata dy pleqtë atje. Ju çuditeni. Syrit të popullit nuk i shpëton asgjë. As nafta. Në qoftë se në një legjendë thuhet se një pellg apo gropë ishin të magjepsura nga shtrigat dhe aty kishte një flakë ditë e natë atëherë dysho se aty mund të ketë një zonë nafte ose gazi.
Ndërsa në filmin “Qortimet e vjeshtës”, Serafin Fanko interpretoi rolin e profesor Samiut, një intelektuali përparimtar të fundviteve ’30, i cili u sugjeronte nxënësve të tij të lexonin sa më shumë libra:
-Bukur, fort bukur. Kam edhe unë ca libra në bibliotekën time. Ejani kur të doni. Zoti Luk besoj ua fal këtë faj të vogël.
Tek filmi “Pranvera s’erdhi vetëm” ai do të kishte sërish rolin e një intelektuali plot finesë, por këtë herë nën lëkurën e profesor Halimit që ishte fizikant:
-Ilir, Irenën ka tetë vjet që e njoh. E kam pasur studente, pastaj kolege. Dhe ja tani jemi bashkëpunëtorë të këtij projekti me shumë rëndësi. Ajo nuk ka nevojë për mëshirë. Ajo ka nevojë për ngrohtësi dhe dashuri. Shumë dashuri. Ndryshe do të fyhej.
Tek filmi “Vendimi” në rolin e Filipit, ai do të vishej me uniformën e zezë të oficerit fashist dhe do t’i thoshte kolonel Luçianos:
-Me sa duket zoti kolonel ju nuk i njihni ata sa duhet. Kur marrin një vendim...
Tek filmi “Guna përmbi tela” luajti rolin e kapiten Heliotit që ishte dhe adjutanti i Gjeneralit i cili mbante të pushtuar Vlorën dhe Sazanin.
-Ata thërrasin: “Ja liri, ja gjak” Me sa kuptoj unë ekselencë midis proletariatit italian atij që kundërshton okupacionin tonë dhe këtyre ekziston i njëjti mikrob i cili zhvillohet me një shpejtësi të çuditshme. Ai mund të ndërpritet vetëm nga veprimi ynë i mençur, ndryshe...
Por Serafin Fanko ka dhe një rol tjetër shumë domethënës si kaçaku Cubel Breca tek filmi “Ditët që sollën pranverën”.
Në 44 vitet e punës së tij Serafin Fanko ka realizuar rreth 150 shfaqje si regji, por numëron dhe të paktën 46 role në teatër dhe 13 të tjera në kinematografi. Regjinë skenike e nisi me dramën “Fisheku në pajë” të Fadil Krajës. Kulminacionin e arriti pikërisht duke ngritur në pjedestal dramën shqipe. Dhe ashtu siç shprehet aktorja Rita Gjeka, “Teatri Migjeni e ka pas epokën Serafiniane shumë të fortë”. Janë fort të njohur shfaqet e vëna në skenë prej tij, si: “Gjaku i Arbrit”, “Baca i Gjetajve”, “Këshilli i Ndrikullave”, “Çifti i Lumtur”, “Quo Vadis” etj. Realizimi i tij i fundit ishte “Babai” i Ruzhdi Pulahës.
Në vazhdimësinë e karrierës ka marrë të paktën 21 çmime e tituj. Për kontribut të jashtëzakonshëm në artin skenik Serafin Fanko është nderuar me titullin “Artist i Popullit”. Por më shumë se një titull akademik për të mbetet vlerë epoka e tij në teatër: “Epoka serafiniane”.
“Felini i teatrit shqiptar” siç e konsideron dramaturgu Stefan Çapaliku në një monografi të tij, do të ndahej nga jeta më 29 shtator të vitit 2007. Ishte 70-vjeç. 

Friday, April 7, 2023

Tregu u çmend, çmimet marrin dhenë


Nga Leonard Veizi
 
Tregu po çmendet.
Lajmet se çmimet vazhdojnë të jenë në trend rritje kanë pushtuar mediat. Në fakt trendi i rritjes së çmimeve nuk ka reshtur së rrituri asnjë ditë, por ajo që tronditi themelet e shqiptarëve, - më shumë se dhe vetë tërmeti, - ishte alarmi i lajmit për rritjen e afërt të pllakës së bukës me 20 për qind. Domethënë me 200 lekë të vjetra. Duken sikur nuk ngre shumë peshë. Hë mo se 200 lekë janë... Ose: Epo ç’janë 200 lekë fundja?!
Mirëpo nuk është ashtu.
Buka në Shqipëri është baza e tavolinës. Po rrite çmimin e bukës, zëre se i ke dënuar shqiptarët me nenin 55 për agjitacion e propagandë. Imagjino t’u heqësh edhe duhanin e pastaj kafenë....Ç’e do jetën?! Ndërkohë, duhani dhe kafeja e kanë ngritur çmimin, por këtu të gjithë e kanë bërë një sy qorr e një vesh shurdh. Mirëpo kur vjen puna tek buka e gojës...
Instituti i Statistikave, në raportin e përhershëm tek faqja zyrtare informon se: “Në Shkurt 2023, krahasuar me muajin Janar 2023, çmimet e grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” u rritën me 3,3 %...”. E pas kësaj vazhdon dhe me artikujt e tjerë. Por, duke iu referuar revistës “Monitor” e cila gjithashtu i referohet Eurostat, thuhet se: Rritja e përgjithshme e çmimeve ishte 7.1 për qind në muajin Janar. Sipas matjeve kombëtare niveli i përgjithshëm i çmimeve ishte rritur me 7.2 për qind në Janar 2023.
Dhe kaq me referimet. Sepse rritjet e muajve Mars e Prill, padyshim që dalin më pas.
Çmimet nuk rreshtin së rrituri. Një rrogë e mirë deri dje, sot nuk pi ujë. Një pension i mirë deri dje, sot është keq e më keq.
Ndërkohë, bordi i karburanteve betohet se po e mban nën presion çmimin e naftës, benzinës, gazit dhe.... mazutit. Dhe shyqyr që bordi nga shëndeti mendor është top dhe merr vendime të sakta, se kush e di sa do kishte vajtur litri i karburanteve. Po aq mbeti i pandryshuar, me një heroizëm të paparë çmimi i energjisë elektrike. Zoti na ka hedhur ca shi, ndaj turbinat punojnë.
Sa i përket bulmetrave, edhe pse me lëndë të parë, të ardhur për pako gjë nga Kina, çmimet kanë shkuar sa të të duket djathi si... havjar.
Po rritje të ndjeshme kanë dhe artikujt e bahçes, hudhrat e qepujkat, kungujt e patatet, domatet e kastravecat. Ti shtrosh në tryezë për të bërë një sallatë fshati të të duket sikur po e shtron për Vitin e Ri.
-Po rëndë e paske shtruar, - i thosh kryetari i Komitetit Ekzekutiv, Xhemilit te filmit “Rrethimi i vogël”, që i kish zënë pusinë te gardhi dhe e futi me zor në shtëpi, por që demek Kryetari si parimor nuk begenisi t’i pinte as kafenë.
-Po ç’rëndë o kryetar, - ia ktheu Xhemili me shishen e rakisë në dorë, e një sy nga pulat e pjekura me këmbët përpjetë -  me ato që na ndodhen, me ato që ka oborri.
Ja, kështu i rregullonte fshati punët e veta. Me ato që kishte oborri. Po sot artikujt e oborrit janë bërë për t’u parë nga vitrina se nuk zihen me dorë. Po sërish fshati ia gjen anën bulmetit e zarzavateve. Ndërsa në qytet është goxha e vështirë zgjidhja me këto artikujt e oborrit, se as mund të mbjellin në ballkon, por dhe lopën nuk e mbajnë dot as në kuzhinë. Ndaj kanë ngritur duart përpjetë: ç’të na japë tregu.
Ndërsa gruri... Ah, gruri është kthyer në flori.
-Më sa e mban pazarin e grurit? - pyeste sekretari i parisë, që tek filmi “Përballimi” kish dalë për inspektim në tregun e Korçës.
-Me 120 more zotëri, - i përgjigjej kulaku kokëulur e syvëngër.
-Ç’thua more, mos nuk të duket si shumë i kripur ky çmim?
-Epo tani aq e mban i gjithë pazari. Gruri po rritet nga java në javë. Po nuk e di ti ç’mundime heqim për të rritur këtë grurë? Flori, flori. Na kanë rënë thonjtë. Pastaj ai që ka për të blerë nuk pyet shtrenjtë a lirë.
Mirëpo këta ishin spekulatorët në Shqipërinë e pas Luftës së Dytë Botërore, kur shqiptarët ngaqë ishin mësuar me bukë misri foragjere, gruri u dukej vërtet flori. Epo tani, me sebepin e nisjes së Luftës në Ukrainë, gruri po kthehet sërish në flori. S’ke ku e gjen. Çmimi rritet përditë, gramatura e bukës përditë pakësohet. Realisht çmimi i një buke është rritur me 50 për qind. Shqiptarët po mbledhin rripat. E kam fjalën për ata shqiptarë që punojnë me paga më të ulëta nga sa ka vendosur qeveria, si dhe për pensionistët. Nuk flasim për ata që ccdo fundjavë i hipin avionit. Se ata jetojnë dhe pa bukë.
Ndërkohë medaljes mund ti shohim dhe anën tjetër, se dhe ky problem në thelb e ka të mirën e vet. Gruri duke pasur shumë gluten të dëmton organizmin. Kështu që sa më pak bukë të hash, aq më mirë jeton. Le po të zgjatet dhe jeta.
Është e çuditshme se si për alarmin e rritjes së çmimit të bukës me 20 për qind u krijua ilaritet, ndërsa për artikuj të tjerë, - ca të shportës e ca të qeses, - nuk ndihet njeri.
Veç, nuk i bie në mend njeriu të thotë se në këtë zallamahi ngritjesh së çmimeve, është shtrenjtuar dhe çmimi i një libri. Ka shkuar një roman yhyyy... Stë vjen të lexosh aq një faqe.
...Ç’them dhe unë. E kujt i hyn në punë libri?!
 

Wednesday, April 5, 2023

Në fronin e artë të Margaritës


Nga Leonard Veizi
 
Ajo është monument i gjallë. Dhe qëndron e ulur në fronin e artë. Në dorë nuk mban skeptërin e mbretëreshës dhe as kurorë me diamante nuk vendos mbi kokë. Titujt shkresorë, me vulë e firmë nuk mund t’i mbajë dot në çantën e dorës, por ata verbalë të hedhur në eter mbulojnë qenien e saj.
Ajo është Margarita.
Sot “Nderi i Kombit” dhe dje “Artiste e Popullit”. Më parë se kaq shumë më e thjeshtë edhe pse artiste e madhe. Sot po aq e thjeshtë edhe pse qëndron në apogje. E gjitha kjo është ajo me çfarë është shpërblyer për punën e saj të jashtëzakonshme. Sepse ka ndërtuar jo pak por thuajse 200 karaktere, 150 të ngjitura në skenën e teatrit dhe 32 të tjera kanë mbetur në pelikulën e kinemasë.
Ajo është Margarita.
Në teatër do të luante një gamë shumë të gjerë rolesh, që niste nga Ofelia e tragjedisë shekspiriane “Hamleti” për të shkuar tek Zonja plakë e Vranajve interpretuar në “Kush e solli Doruntinën”, të Kadaresë.
Dhe ajo mbetet gjithmonë Margarita.
Çdo 2 prill ajo ka ditën e lindjes. Sepe lindi në vitin e largët 1934. Por vitet nuk kanë më rëndësi. Ato, si një hologramë hapësinore, nuk mund ta rrisnin më shumë nga sa është.
Ndaj vazhdon të jetë Margarita.
Ishte viti 1950 dhe ajo vetëm vetëm 16 vjeç kur u ngjit në skenë, njëkohësisht vazhdonte dhe studimet në Liceun Artistik. Ndërsa karrierën në kinema do ta niste në vitin 1966 me rolin e Zyrakës në filmin “Vitet e para” të regjisorit Kristaq Dhamo.
-Nuk e kuptoj, i plagosur, i dërmuar dhe tani natë e ditë rrobtohesh në punë. E çfarë lumturie është kjo? Jeta do shijuar Stavri.
Do të vazhdonte si Violeta tek filmi “Gjurma” gruaja e doktorit që rrinte në shtëpi dhe mendonte vetëm për modën. E më pas si Sandra tek “Tokë e përgjakur” që lindi duke mbjellë arën, se burri kishte marrë pendën e qeve me qira te Maksut Beu.
S'është turp të gëzohesh o bir! Të ma gëzosh tokën! E kemi larë me gjak të uruarën. Këtu më ke lindur or bir. Dhe për këtë tokë s’është më yt atë.
Margarita ishte universale, sepse po aq sa mund të luante një zonjë të rëndë e plot hijeshi, po aq futej dhe në lëkurën e një fshatareje të rëndomtë që ecte këmbëzbathur nëpër rrugicat e fshatit.
Sepse është si gjithmonë Margarita.
Ajo ishte nënë Katja tek “Pylli i lirisë” që shtëpinë ia dogji Ibrahim Beu, por dhe Shanoja tek “Dimri i fundit” që kërkonte t’ia kalonte ujët nën rrogoz gjermanëve të Vermahtit.
-Po hë moj Shano ndaje llafin!
-Po sikur të vemi fshaçe për dru...
E megjithatë shkëlqeu më së shumti si Eleni Jankollari e veshur alla frënga në një mjedis otoman, e që luante me pianon Hartman.
-Po ç'e mirë u ka sjellë në këto baltra?
-Kënga moj nënë, kënga.
Ndryshimi në karakteret e roleve ishin nga nëna fshatare e Beles tek “Dollia e dasmës sime” tek zonja e prefekt Krisithonit interpretuar në filmin “Gjeneral gramafoni”.
-Uhhh, u dalldis fukaraja.
-Muzika zonjë.
Por Margarita Xhepa ishte aktore që i ka dhënë një fytyrë reale e shumëdimensionale nënës shqiptare: sepse ishte nëna e Gonit tek filmi “Me hapin e shokëve”, nëna e Gencit tek filmi “Shokët”. Por është shumë më tepër tek ndihej si nëna e Besimit tek “Dora e ngrohtë”:
-Ju keni të drejtë profesor. Kohët e fundit është mbyllur në vetvete. E pyes, i flas… nuk më përgjigjet. Ju e dini që ai nuk e ka dhe aq të lehtë në këtë shtëpi.
Në gamën e gjerë të roleve të saj ajo ishte dhe nëna e Visar Shundos tek “Militanti”, nëna e Irenës tek “Pranvera s'erdhi vetëm”, nëna e Arturit tek “Apasionata” që i thoshte të shoqit: Epo Instituti nuk i lë në mes të rrugës. Por sërish dallon me karakterin që i ka dhënë nënës së Nerënxës, Helenës dhe e xhambazit Dhoskë që dinte të bënte pazar me fatin e motrave të tij, tek filmi “Vitet e pritjes”.
-Moj po kujt i flet kështu ti ta marrim vesh? Kujt i kërkon hesap? E di që jam nëna jote apo s'e di? Në moshën tënde ne s’bënim gëg kur na dilte fati. Të ishte gjallë yt atë e të të shihte si të hazdisur do ta këpuste kokën si të zogut.
Po aq shkëlqeu dhe si nëna e Harunit tek filmi “I dashur armik” të regjisorit Gjergj Xhuvani.
-Thotë se e ka vrarë për qejf.
-Të vret të keqen nëna, të vret gjermani edhe për qejf... Po jepja dreqit e të thyejë qafën.
Ajo është mësuesja autoritare tek filmi “Gabimi”. Por si mësuese Kristina tek filmi një “Një djalë edhe një vajzë” ishte dhe e sertë:
-Anila përse nuk e solle prindin? Hajde vajzë e mbarë dil jashtë. Askush nuk ka të drejtë të thyejë urdhrin e drejtorit. Përjashta! Ikën nga mësimi dhe tani të vjen turp t’u thuash prindërve se ku ke qenë.
Por ajo ishte dhe Kristulla tek filmi “Misioni përtej detit”, një grua e bukur greke e dashuruar me një burrë shqiptar, të cilin po e kërkonin për ta vrarë si tradhtar.
-Kapedan Llambros, ç’bëhet kështu? Të kam pritur fëmijët e djalit. Më thuaj çfarë ka bërë Vasilikosi? Ai është i pafajshëm.
Dhe një tjetër rol shumë domethënës i saj ishte ai i Elisabetës, tek filmi “Ne dhe Lenini”, rol të cilin ia besoi regjisori Saimir Kumbaro.
Dhe duket sikur rolet e saj nuk mbarojnë asnjëherë. Ato marrin vazhdimisht dimension në çdo transmetim. Ndërsa ajo vazhdon të qëndrojë si një monument i gjallë, aty në fronin e saj të artë.