Sunday, July 26, 2020

Refleksion/ Magneti që tërheq shkrimtarët në vorbullën “e krimit”


Leonard Veizi

Në një komponent të përgjithshëm e pa detaje, shkrimtari është konsideruar gjithmonë si një njeri larg të përditshmes meskine dhe akoma më larg një tavoline thashethemesh. Ai është konsideruar si një subjekt që nuk bën pjesë në organizata sociale e bashkime politike, por si një individualist egocentrik, me gjithfarë vesesh që shfaqën së jashtmi nga bota e tij e brendshme. Madje, shkrimtari është parë si një njeri me jetë bohemi, ndonjëherë aventurier e ndonjëherë ca alkoolist, dhe, në rastin më ekstrem, si një asket i përqendruar vetëm te makina e shkrimit. Por ky perceptim “hyjnor” nuk është se ka pasur tërësisht vlera tokësore.
Në këtë mënyrë duket se mes shkrimtarëve dhe njerëzve me profesione të tjera ishte vendosur një filtër hermetik, gjë që i bënte ata të paprekshëm. Kjo ua ka rritur influencën në mënyrë artificiale.
E gjitha kjo ishte vetëm një ëndërr. Thjesht një iluzion për ta që e donin një gjë të tillë. Sepse, në fakt, shkrimtarët ishin dhe janë njerëz krejt të zakonshëm, që fillojnë e bëhen tekanjozë vetëm si shkak i rrethanave të stimuluara.
Shkrimtarë të përbotshëm kanë qenë të implikuar në kauza sociale, në afera politike, në debate financiare e, madje, deri në organizata terroriste.
Por ajo që i zhvlerëson ata më së shumti në sytë e lexuesve të tyre është rekrutimi pranë shërbimeve të inteligjencës, si agjentë të fshehtë, e që në mënyrë eksplicite cilësohen: spiunë.
Shkrimtarët nuk janë engjëj. Gynter Gras në rininë e tij u tërhoq nga rryma hitleriane dhe u bë pjesëtar i forcave “SS”. Ernest Heminguej është akuzuar si agjent i KGB-së sovjetike dhe ka qenë nën survejimin e FBI-së amerikane. Graham Grin njihet si shkrimtari që ka punuar për shumë vite për MI6-ën britanike. Betrol Breht gjithashtu ishte i përzier në punët e STAS-it të Gjermanisë Lindore. Dhe këto nuk janë rastet e vetme.
Po shkrimtarët shqiptarë?
Ca më pak e disa të tjerë më shumë, edhe shkrimtarët shqiptarë janë të përlyer në “aventurat” e tyre me shërbimet sekrete. Do të ishte vërtet hyjnore që qenësia shkrimtar, gjithkush të shihte një njeri të pakorruptueshëm e të parekrutueshëm. Por kjo, me sa duket, ndodh rrallë.
Dosjet e shkrimtarëve kanë filluar të hapen në Shqipëri. Vite më parë kjo ishte një tabu. Ndërsa në media gëlonin idetë për hapjen e tyre, sepse, sipas burimeve “të besuara”, shumë prej tyre e kishin “ngjyer” nga pak. Dhe në media kërkohej që ato të hapeshin e të shiheshin se a ishin të vërteta ato që qarkullonin si thashetheme.
Sot, duket e trishtueshme hapja e dosjeve të shkrimtarëve, ku një pjesë e tyre o akuzohen si informatorë të Shërbimit Sekret Shqiptar, ose Sigurimi i Shtetit i akuzon se janë rekrutuar nga agjencitë e tjera të inteligjencës. Dhe në të gjitha rastet në lojë janë, o CIA amerikane, o UDB-ja jugosllave ose SIM-i i italianëve. Dhe deri tani janë hapur fare pak dosje. Sepse “dikush” na bën të ditur se surprizat nuk kanë fund. Kjo më tremb. Sepse do të thotë që një, dy apo dhjetë shkrimtarë të vlerësuar për krijimtarinë e tyre do të zhvlerësohen, për shkak të implikimit në një organizëm famëkeq, siç ishte Sigurimi i Shtetit.
Për shkak të ngarkesës negative që mban në vetvete të qenët agjent i shërbimeve sekrete, edhe shkrimtarët, ata që tashmë i kanë dosjet e hapura, janë kryqëzuar e nuk u është lënë gjë pa thënë.Kështu, me dosje të hapura nga Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944-1991, deri tani janë Ernest Koliqi, Martin Camaj, Bilal Xhaferi dhe Petro Marko.
Por s’mjaftojnë vetëm dokumentet e mbledhura nga Sigurimi i Shtetit për të nisur akuzat ndaj shkrimtarëve? Padyshim që jo. Sepse për ta vërtetuar katërcipërisht aktivitetin e tyre duhet të kesh në dispozicion edhe atë çfarë thonë shërbimet e huaja sekrete. Sepse nga materialet e sugjeruara duket se kemi të bëjmë me materiale të pretenduara dhe të supozuara. Dhe letra të tilla, të firmosura nga oficerët e Sigurimit të Shtetit, mund të gjesh plot. Por kjo nuk të siguron që kushdo prej tyre ka pasur vërtet një veprimtari agjenturore.
Për sa u përket rekrutimeve të bëra nga vetë Sigurimi i Shtetit, vetëm një gjë mund të themi me siguri të plotë, ato janë bërë nën një dhunë dhe presion të vazhdueshëm. Dhe një shkrimtar është njeri, vështirë të bëhet hero.
Gjithsesi, të qenët njeri politik, të qenët agjent, të qenët luftëtar me armë në dorë për çështjen e një kauze, nuk është se e zbeh ndikimin e shkrimtarit në jetën social-kulturore. Këto “vese” të tij më së shumti ushqejnë shtypin me fabula që duhen zbërthyer; kujt i shërbeu, për çfarë shërbeu, çfarë informacionesh dekonspiroi, e të tjera si këto.
Gjithsesi, shkrimtarët, ashtu si dhe njerëz të tjerë në profesione të tjera, janë nën vëzhgimin e syrit të shërbimeve sekrete, thjesht për rekrutime të mundshme. Dhe, me siguri, për vendet ish-komuniste, rekturimi i shkrimtarëve kishte të bënte me një tjetër platformë. Nëse ata të Perëndimit përgjithësisht rekrutoheshin për shkak të bindjeve të tyre të majta,shkrimtarët në Lindje ishin disidentët më të besueshëm për shërbimet e inteligjencës.

Friday, July 24, 2020

Një përmendore për Mao Ce Dunin


Nga Leonard Veizi

Nuk dua të besoj që, nëse do të bëhej një referendum për t’u lidhur në një konfederatë me shtetin turk, shtetasit shqiptarë do të votonin për bashkim-vëllazërimin. Në fakt, kanë kaluar më shumë se 100 vjet që kur fituam Pavarësinë dhe Porta e Lartë ka mbetur prapa në histori.
Po pse u nisa të bëj një shkrim të tillë?!
Sepse jo shumë larg në kohë, punë ditësh, në fakt, ca shqiptarë të afeksionuar pas Sulltanatit dhe haremeve, nderuan e vendosën lule në një pllakë përkujtimore të vendosur në kodrat e Liqenit Artificial, ku janë shkruar emrat e ushtarëve të rënë gjatë grushtit të shtetit në Turqi. Birinxhi... Pllakati ka nxitur plot polemika, madje ca kodoshë e thyen njërin cep të tij, por, gjithsesi, ka nja dy vjet që qëndron në po të njëjtin vend, ku hera-herës polici i zonës i hedh nga një sy se mos mungon ndonjë emër në apel nga asllanët që ranë në krye të detyrës për të mbytur grushtin e shtetit që u zhvillua 15 korrik 2016.
“Bir ona, bir sana”.
Pyetja është e thjeshtë. Domethënë... këta u vranë për Turqinë, jo për Shqipërinë.…? Se hakshe-hakshe është njësoj sikur në Stamboll të ngrihet një memorial për dëshmorët e Brigadës VI Sulmuese. Ama çë...
Eh ju gazetarët, se ç’kapeni pas ca vogëlsirave.
Epo ja, Erdogani na ka ndihmuar me ca para për të ndërtuar ndonjë xhami. Punët e Zotit. Po vetëm për xhami ama, se paratë e tjera të Turqisë shkojnë për të rregulluar mirëqenien e popullit serb. Besoj dihet kaq gjë. Kështu ka ndodhur edhe kur ishim bashkë nën një perandori. Ne furnizonin Portën me jeniçerë, ata si shpërblim na bënë nja dy ura. Dakord. Sa pa gjë... 50 përqind e dyshimit bie menjëherë. Tani, që të jemi të sinqertë deri në fund, paratë e Erdoganit janë pesë me hiç përpara ndihmës së Ozalit e Demirelit, apo Tansu Çillerit e Bulet Eçevitit që në vitet e errëta të Millosheviçit ishin gati t’i binin Serbisë me detashmentet e tyre, po të prekej kufiri ynë shtetëror. Këtu i ngre duart përpjetë unë. Por ta lemë mënjanë këtë çështje. Fundja brenda Republikës së Turqisë janë të gjithë. Po e bëjmë dhe një sy qorr.
Aferim. Ja ta gëzojnë memorialin, te kodrat e liqenit...
Mirëpo kjo hap shtegun. Domethënë atyre që na japin nga një dorë në malore u duhet larë nderi, qoftë dhe me një kokë bronzi në ndonjë shesh të kategorisë së tretë.
S’na mbetet gjë tjetër vetëm t’i marrim e radhë. Hapim listën.
Nëpër Tiranë gjen buste e shtatore heronjsh e burra shteti, nis me Ahmet Zogun për të vazhduar me Adem Jasharin, Ded Gjo Lulin, Qemal Stafën, ka një basoreliev për Vojo Kushin, e mbi të gjitha kemi monumentin e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriotit. Po me këta tanët rregullohemi, se i kemi të shtëpisë e s’u mbetet hatëri hiç. Por kur vjen puna për figurat e huaja, duhet menduar pak, dhe duhet vlerësuar se për çfarë e meritojnë t’u vihet në dispozicion një skulptor e për t’u ngulur nga një bust në çdo lloj cepi të kryeqytetit shqiptar.
Fjala vjen, Uillsoni ka një statujë në një nga kryqëzimet më të njohura të Tiranës, pikërisht në Tiranën e Re. Po pse ndodhet aty statuja e një presidenti amerikan? Sepse Uillsoni mori në mbrojtje çështjen shqiptare dhe nuk lejoi copëtimin e vendit nga fqinjët që sot i kemi partnerë strategjikë, Italisë dhe Greqisë. Këtij i them burrë unë.
Ja ta gëzojë...
Sipas këtij arsyetimi, po deshe që shqiptarët të të bëjnë një kallëp bronzi duhet të kesh dhënë patjetër ndonjë një kontribut, por jo domosdoshmërisht me para.
Po ne kemi edhe nja dy buste të papëve, të Gjon Palit e Franceskut. Po këta çfarë kanë bërë për Shqipërinë?
Ama pyetje. Po e kruan me gjethe fiku më duket. Po kush është ai burrë shteti që bën xhap, pa marrë izën e Papatit. Edhe Trampi që është burrë zamani, s’pyet njeri e po lufton dhëmbë për dhëmbë me establishment-in e vjetër, nuk kruan dot as kokën pa marrë miratimin e Bergolios nga Argjentina. Pastaj të dy papët që i kemi nderuar me buste e kanë shkelur këtë tokë dhe e kanë bekuar. Iku dhe kjo punë.
Ja t’i gëzojnë edhe ata...
Po ne kemi pasur edhe buste e monumente të Stalinit. Do të thoni ju, çfarë kontributi ka dhënë ai për Shqipërinë? Krahasimisht me Leninin, që ka pasur po aq buste e monumente e që me shumë gjasa as që e dinte nga binte Shqipëria, Stalini na dha ca traktorë, ca vinça, ca makina riportabël, ca grurë dhe ca armatime. Ato që i kërkuam tek e fundit. Por na i dha atëherë kur desh po i binim këmbës, pra pas lufte. Pikërisht kur në depot e shtetit nuk kishte as një koçan kallamoq nga ata që hanë bagëtitë e jo më grurë që mund të bëje byrek. Por që e zhgrapi fare na bëri si dhuratë dhe një kombinat tekstili, i cili u montua në periferi të Tiranës, ku u ngrit një qytezë me emrin “Kombinat”, ndërsa vetë kombinati u quajt “Stalin”. Kështu e meritonte që m’u në mes të tij t’i ngrihej një shtatore bronzi diktatorit gjeorgjian të sovjetikëve.
Epo e meriton kaq gjë. Ja ta gëzojë dhe ky...
Prit o prit, se e paske marr përpjetë sot. Stalini ka shkuar për skrap që këtu e yhyyyy..., d.m.th. monumenti. Një shtatore tjetër e tij rri si rojë prapa Galerisë së Arteve. Si i bëhet???
Djall o punë. Sot emrin e tij nuk guxon kush ta zërë me gojë, ashtu si emrin e Uillsonit gjatë viteve të komunizmit në Shqipëri, as mendohej të përmendej dhe jo më t’i ngrihej gjithë ajo shtatore.
Epo mirë, varja Stalinit. Nuk humbëm ndonjë gjë të madhe. Veç 21-shit që na kujton datëlindjen e tij meazallah se ia heqim dot damkën. Kështu që u barazuam.
Epo, ta gëzojë 21-shin...
Kush na mbeti tjetër...? Kush është ai që e meriton ta ketë një statujë prej bronzi në kryeqytetin e shqiptarëve.
U… se desh harruam, është edhe Mao Ce Duni në tavë.
Po ç’ka bërë ky për Shqipërinë?
Pyetje me vend. Se nga mosnjohja bëhen gafa të mëdha. Po ja ta shkoqisim: në kohën e tij të artë, Kina mike i ka dhënë aq ndihma motër Shqipërisë, sa po të mos ishin bërë tanke e bunkerë lufte, apo rrush e kumbulla, siç thotë populli në zhargon, sot do t’i kishte Shqipëria bankat e Zvicrës dhe zviceranët me shumë gjasa do të zinin radhën në konsullatë për një vizë shqiptare. Gjatë kohës së Maos vaporët kinezë shkarkoheshin me mall e gjë në portin e Durrësit. Dhe na vinin nga Lindja e Largme veç orizit me shumicë dhe lapsat me ngjyra, lodrat për fëmijët, biçikletat që kishin një stampë ku reklamohej teoria e tri botëve e deri te bilbilat që policët të rregullonin trafikun e makinave të komunales. Pa u shkarkuan nga vaporët shumëtonësh me torno e freza. Pastaj u shkarkuan një tufë agregatesh për uzina. Dhe se fundi një shqelm bythëve dhe... Shoku Enver i shkroi një letër shokut Mao ku e bënte qepaze, se kishte shkelur parimet dhe doktrinën. Ja këtu të parimet nuk dua të ngatërrohem, se secili e di vetë ku i pikon çatia. Mirëpo ikën ndihmat, filluan triskat.
Hajde qyfyre, hajde.
Domethënë edhe këtij ia paskan shkrirë bustet.
Ç’thua ore. I shkreti Mao Ce Dun nuk ka pasur fare, as statuja e as buste në Shqipëri. Ai vetë po nuk ndihej në botë. Burrë pa naze tjetri. Kinez mo. Pastaj ne shqiptarët 20 vjet me radhë dhe emrin ia kemi thënë së prapthi mor jahu. Po vate kjo punë. Ndërsa për t’i vënë shenjën e barazimit të miliarda dollarëve që i hëngrëm e përjetësuam vetëm në një edicion pullash që i ngjisnin kalamajtë nëpër kartolina. Ja u mbyll me kaq.
Mirë po a e meriton Mao Ce Duni një monument në Shqipërinë tonë?
E meriton që ç’ke me të. Nëse ka ndonjë burrë shteti që e meriton ta ketë një monument në Shqipëri, ai është i timonieri Mao, më të madh si ai i komandant Enverit që ishte 8 metra mbi bazament. Se edhe Maoja e bëri një kërcënim ndërkombëtar, kur foli për ushtrinë kineze që nuk do të pyeste për shtete e kufij, nëse prekej Shqipëria. Dhe ec e t’u bësh karshillëk ushtarëve kinezë, të kam rixha.
Mirëpo çështjen e monumentit të Maos nuk e hedhim dot as për votim në forume. Se shqiptarët e traumatizuar nga dogma, do të qajnë e do të na qeshin. Ndaj e kanë më të lehtë të pranojnë nderet e vogla të Erdoganit dhe ushtarët e tij dëshmorë për çështje kushtetutshmërie, se sa Mao Ce Dunin me gjithë ndihmën e madhe që i dha vendit tonë në ditët aspak rentabël të kooperativizmit. Se me ritmet që kishim parimi “edhe bar do të hamë...” nuk do të ishte intensifikuar në ‘85-sën, por që pas viteve ‘60.
Fundja, mos e vrisni mendjen shumë për çështje monumentesh bronzi e bustesh në allçi. Paratë shkojnë e vijnë... Të kemi shëndetin.





Thursday, July 23, 2020

Në bibliotekën e Dhimitër Shuteriqit, kolosit të letrave

Në përvjetorin e ndarjes nga jeta të shkrimtarit e studiuesit sqimatar të letrave shqipe, njeriut që lindi dhe vdiq në muajin korrik
Dhimitër Shuteriqi

Nga Leonard Veizi

Me hapin e ngadaltë, i kujdesshëm për të mos prishur asnjë nga rendi që kishte vendosur me veten dhe gjithçka kishte përreth, ai hynte çdo ditë në botën e tij të magjishme, që ishte veç një studio, e mbushur nga të katër anët me libra. Në të gjallë dhe në të vdekurit e tij makina e shkrimit “Oliveti” qëndronte po aty dhe me këmbëngulje. Nuk ishte zëvendësuar nga ndonjë ordinator, me njësi e tastierë elektronike. Ndërsa ajo ishte një nga bibliotekat e rralla në Shqipëri. Dhe nuk ishte pronë e shtetit, as e ndonjë fondacioni kulturor, madje as e ndonjë qyteti të rëndësishëm e me shumë kulturë, me fond të rrallë librash. Ajo ishte biblioteka e një shkrimtari, apo studiuesi, nëse duan shumë të tjerë ta quajnë kështu… por që në fakt ai vetë parapëlqente ta thërrisnin: poet. Dhe vazhdon të mbetet biblioteka e Dhimitër Shuteriqit...

...Ishte impresionuese të vizitoje shtëpinë e Dhimitrit, si një gazetar me mision për të shkruar diçka, e si një turist gjithashtu që kërkon të shohë gjëra të panjohura. Bashkëshortja e tij, Myneveri, së cilës 10 vjet më parë, në korrikun e vitit 2010, i kërkova një intervistë, më priti pikërisht aty, në dhomën muze të tij. Dhimitri kishte vdekur tashmë, por gjithçka e tij vazhdonte të jetonte. Mund të kisha kërkuar të dija e të shihja se në çfarë ambienti jetonte një i shquar letrash, krevatin ku flinte a tryezën ku hante. Por asgjë nga këto nuk më shkoi në mend. Dhe as që më interesoi të shihja çfarë kishin dhomat e tjera të apartamentit, kolltukë të modës së fundit, apo divanë nga ata të “xhaxhit”, në kishte sixhade, perde gjithllojesh, televizor pa ngjyra apo impiant stereofonik me CD-të e Vagnerit. Kujt mund t’i hynin në punë të gjitha këto. Dhimitër Shuteriqi nuk e kishte të lidhur jetën pranë sofrës dhe te gjumi mbi dyshek masazhues. Jeta e tij kishte mbetur peng i librave dhe i pagjumësisë, sepse vazhdimisht e në çdo kohë i duhej të sistemonte gjithçka të shkruar prej tij, një punë voluminoze që dukej se nuk kishte ndër mend të mbaronte kurrë.

Bashkëshortja
Mynever e Dhimitër Shuteriqi 12 prill 1986
“Biblioteka e tij është dhimbja ime”. Kështu më pati thënë që në hyrje të intervistës Mynever Shuteriqi, duke lënë të kuptohej se pikërisht nga studioja e tij plot libra të çmuar, Dhimitër Shuteriqi do të përcillej për në banesën e fundit, në korrikun e vitit 2003. Kështu, prania e trupit dhe shpirtit mes librave të tij ndoshta ishte dhe ndjesia e fundit e pasvdekjes. Ndërsa ajo vazhdonte të ndiqte të njëjtin ritëm, të qëndronte krejt e vetme në studion e madhe, të ndizte një cigare dhe të futej thellë në botën e kujtimeve.
Ishte 14 vjeç kur dëgjoi për herë të parë se qyteti i Elbasanit ishte shtuar me një poet të ri. Ishin njohur kur ajo ishte një normaliste 19-vjeçare dhe ai 28, një mësues te Normalja, pasi ishte diplomuar në Paris. “Më konsideronte shoqe të ngushtë. Nuk shkonte asgjëkundi pa mua. Ne kemi qenë gjithë jetën bashkë”, u shpreh Mynever Shyteriqi, e cila më pas më tregoi se Dhimitri nuk ishte vetëm një shkrimtar e studiues, por dhe një piktor. Në bagazhin e tij Dhimitri ka më shumë se 500 portrete të pikturuara. Ai hidhte në letër çdo portet që i bënte përshtypje, me një shpejtësi të habitshme. Janë disa qindra vizatime, madje dhe piktura me ngjyra, që Dhimitër Shuteriqi ka bërë gjatë në vazhdimësi. Dhe një pjesë të tyre i ka publikuar përmes dy ekspozitave: një në Tiranë dhe një në Prishtinë. E, megjithatë, pjesa me e madhe e punëve të tij janë ende të paekspozuara.
Ndërsa sa për jetën akademike, që prej vitit 1947, kur botoi librin “Metrika shqipe” e deri në botimet e pasvdekjes, është një krijimtari 70-vjeçare dhe rreth 110 libra në fondin personal. Pa dyshim, kjo është një punë kolosale, ku Dhimitër Shuteriqi paraqitet me poezi, tregime, romane e mjaft studime serioze.
Idhuj për të kanë qenë rilindasit, si Naimi, De Rada apo Çajupi. Por kishte shumë për zemër dhe Lasgush Poradecin. Admironte Fishtën, por dhe Migjenin, që e kishte pasur shok. Pëlqente shumë dhe autorë si Verlen, Bodlerin, Hygoin, të cilët i lexonte drejtpërdrejt nga gjuha frënge.
Dhe, natyrisht, ka pasur takime e ka mbajtur kontakte dhe me francezin Pol Elyar, brazilianin Zhorzh Amado, australianen Dymfna Kystak etj. Ndërsa një tjetër takim i veçantë i Dhimitër Shuteriqit ka qenë dhe ai me shkrimtarin rus Ilia Erenburg. Këto takime ai i ka hedhur në ditarin e tij.

Biblioteka
Ah sa për bibliotekën, po, ajo është një vepër arti më vete. Vërtet një bibliotekë universale. I paçmuar është fondi albanologjik. Por në të gjen gjithfarë veprash të gjinive të tjera. Të shumtë janë librat e autorëve botërorë, të shkrimtarëve ballkanikë apo dhe të vendeve të Lindjes evropiane, që ia kanë dhuruar me nënshkrime Shuteriqit. Të shumta janë gjithashtu dhe dedikimet e shkrimtarëve shqiptarë. Gjatë vizitës sime, bashkëshortja Mynever më pati sqaruar se në skedarin e bibliotekës së Shuteriqit ndodhen 30 syze, në të cilat janë strehuar më shumë se 20 mijë skeda. Dhe në këto skeda studiuesi kishte hedhur gjithçka ka pasur në bibliotekë. Dhe vetëm kështu mund të gjente e të citonte në mënyrë të shpejtë atë çfarë i duhej të kërkonte.
Shumë skrupuloz Dhimitri. Ai nuk mund të tallej e të bënte shaka me punën e tij shumë serioze.
Por Dhimitri nuk pati dot kohën e mundshme për t’i shfrytëzuar të gjitha. Rruga ishte e gjatë, pasioni edhe më i madh. Por jeta në të gjitha format e saj, gjithsesi është e shkurtër.
 “Nuk është puna te sasia e madhe e librave që ka, - më tha Moikom Zeqo, vetëm një orë pasi kisha dalë nga studioja e Shuteriqit, dhe i kisha shprehur entuziazmin tim për atë që kisha parë, - puna është si Dhimitri ka një bibliotekë me libra të rrallë e shumë të çmuar, të cilët i ka sjellë nga Franca, dhe që nuk mund të gjenden dot aq lehtë.”

Epilogu
Dhimitër Shuteriqi do të ishte 105 vjeç, nëse do të jetonte akoma. Dhe, pa dyshim, nëse do të ishte në jetë, sërish do ta gjenim në studion e tij. Por në datën 22 korrik të vitit 2003 ai i ndërpreu marrëdhëniet e tij me botën e të gjallëve. Gjithçka është e lidhur me korrikun, vapën përvëluese e flladet e buzëmbrëmjes. Mund të ishte veç një muaj fatlum, por ja që ka sjellë dhe trishtim. Dhe nëse dita e lindjes do të ishte pikërisht një e hënë korriku e vitit 1915, dita e ndarjes nga jeta gjithashtu do të ishte e hëna e një korriku tjetër, veç 88 vjet më pas. Gjatë kësaj hapësire kohore, si me një magji të organizuar nga një dorë e padukshme e misterioze, i njëjti muaj do të ishte sa i ndjeshëm aq dhe kërcënues për jetën e tij të brishtë prej letërshkruesi. Do të ngjitej në “majën e Olimpit” si një i gjallë me mish e kocka dhe do të zbriste nga andej në po të njëjtën vapë acaruese të muajit veror, por vetëm trupi i tij. Sepse shpirti me siguri ka mbetur në eterin e përjetësisë.
Dhimitër Shuteriqi


Friday, July 17, 2020

Depresioni i Madh i 2020-ës


Nga Leonard Veizi

Në statistikat e ardhshme viti 2020 me siguri do të mbahet mend si koha e sëmundjeve mendore apo si “depresioni i madh”. Ashtu si Amerika e viteve ’30 të shekullit të kaluar, me krizën ekonomike e cila u shfaq edhe në shumë vende të tjera për një periudhë gati 10-vjeçare. Në epokën moderne dhe vitet e shpejta të zhvillimit teknologjik, depresionet kanë qenë të herëpashershme, por shpesh të ndara nga njëri shtet në tjetrin. Ndërsa depresionet e mëdha mbahen mend për globalizimin e tyre.
Prej rënies së Murit të Berlinit, në këto tridhjetë vite të gjata të tranzicionit, Shqipëria futet për herë të dytë në një periudhë depresive. Hera e parë ishte ajo e vitit 1997.
Një mjek psikiatër me përvojë, me të cilin mora kontakt ditët e fundit, duke më shpjeguar shkaqet e traumave të mëdha shoqërore, më tha se aktualisht baza e njerëzve që paraqiteshin me simptoma ankthi e paniku, për të marrë ndihmë mjekësore, ishin nga kontingjenti i njerëzve me postrtraumat prej tërmeteve të vjeshtës 2019. Tetëdhjetë për qind e tyre ishin nga rrethi i Durrësit, pikërisht aty ku tërmeti u ndie më i fuqishëm, ku pati viktima e shumë dëme të mëdha materiale. Trauma thellohet edhe më fort kur shpresa për apartamentet e premtuara që do ndërtoheshin shpejt, është zbehur dhe ende asgjë s’po duket në horizont.
Sa për traumat si pasojë e karantinimit tremujor, të cilat erdhën në mundësi të shmangies së infektimit nga virusi “Sars Cov-2”, duket se kanë edhe pak kohë deri në shfaqjen e plotë të simptomave që kanë të bëjnë me ankthin dhe panikun.
Pacientët pritet të zënë radhën për të marrë konsulta ambulatore apo terapi të thelluara spitalore, pas pak kohësh. Ndoshta në fillim të vjeshtës. Pikërisht atëherë kur trumbetohet se Sars Cov-2 do të bëjë revolucionin e dytë shkatërrues brenda vitit. Kjo pa dyshim që do të sjellë pasoja zinxhir.
Pra, kemi të bëjmë me një “depresion kombëtar”.
Në vitin 1997 shqiptarët kaluan gjithashtu një traumë të tillë gjithëpërfshirëse, ku të sëmurët mbushën pavijonet e psikiatrikut, si fillimisht kishin tejmbushur ato të kirurgjisë e reanimacionit me të plagosurit e shumtë nga armët e zjarrit. Humbja e kursimeve në të ashtuquajturat “firma piramidale”, shoqëruar me zbrazje automatikësh e hedhje granatash në një luftë artificiale, ishte po aq traumatike sa një tërmet shkatërrues shoqëruar nga një luftë bakteriologjike e heshtur, e keqja e së cilës nuk dihet asnjëherë se nga të vjen.
Këtë herë nuk do të jetë problem vetëm Infektivi me numrin e kufizuar të shtretërve. Po aq në krizë së shpejti do të jetë dhe “5”-sa e Tiranës, “17 “ e Elbasanit apo psikiatrikët e Vlorës e të Shkodrës. Numri do të rritet ndjeshëm, sepse jo të gjithë janë të gatshëm t’i përballojnë sprovat e jetës me mospërfillje e duke i futur një mendje të lehtë.
Aktualisht, zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë po na bombardojnë me statistika të përditësuara mbi të infektuarit me COVID-19. Situata bëhet më e rëndë kur përmendet numri në rritje i të vdekurve. Akoma më e rëndë, kur me kalkulime përqindjesh e veprime matematikore të vështirësisë së lartë na thuhet se për të infektuar, intubuar e viktima po arrijmë Italinë e Spanjën, e po vazhdoi kështu, do t’ia kalojmë dhe Amerikës. Kjo paradë shifrash, si një spektakël triller me skenar e regji të komanduar, e thellon situatën e depresionit e cila në një të ardhme të afërt do të jetë e pandalshme.
Tanimë virusi “Sars Cov-2” që në infektim e sipër ndërron kodin e kthehet në COVID-19, është i pari në Top Liste. Por ne nuk kemi informacion mbi të sëmurët nga kanceri, nga ata që ndërrojnë jetë për shkak të sëmundjeve kardiovaskulare, për diabetikët, hemofilikët... Ne kemi të dhëna të përditshme vetëm për Covid-in. Dhe këto shifra duken vërtet të frikshme, nëse ballafaqohen krahasimisht me asgjënë. Ka 5 muaj rresht që Ministria e Shëndetësisë delegon një zyrtare, të hipë mbi një foltore e të na japë një informacion të panevojshëm. Sepse Covid-i nuk është më i keq, më i vështirë apo dhe vdekjeprurës nga gjithfarë sëmundjesh të tjera. Tanimë ai thjesht është kthyer në një gogol me të cilin tremben të rriturit.
Një gjë e tillë shkakton traumë. Dhe njerëzit që janë të prirë të dëgjojnë për ditë zyrtaren e radhës që ngjitet te foltorja e Covid-it, nëse kanë shpëtuar nga infektimi prej virusit, do të bëjnë pjesë në kontingjentin e atyre që së shpejti do të kërkojë një shtrat te Spitali Psikiatrik.
Sot, me këdo që mund të pish një kafe, shok, mik a i njohur i largët, do të të hapet e tregojë pa doreza se sa i stresuar është nga gjithçka ndodh përreth. Dhe nuk duhet shumë për të kuptuar që kjo është një traumë kolektive. Mjafton që kafenë ta pish te një lokal pranë një kryqëzimi me semafor. Dhe doza paranojake do të të shtohet dyfish. Aty do të shohësh se si shqiptarët që nuk i hipin më autobusit, por bredhin me makina prodhuar në vitin 2020, nuk durojnë dot as sekondën, por u bien borive në kor si të çmendur, sherrosen e shajnë brenda kabinave me ajër të kondicionuar, duke shtrënguar çdo sekondë me njërën dorë timonin dhe tjetrën celularin që i apdejton në mënyrë pabesueshmërisht të shpejtë.
A nuk është ky një tregues kolektiv i paqëndrueshmërisë psikike?
Çfarë duhet tjetër për të kuptuar se shoqëria po përjeton traumën dhe depresionin. Nuk është e nevojshme të dëgjosh lajmet për shtimin e numrit të vetëvrasjeve, apo të këshillave që japin psikologët për të mbajtur të presuara simptomat e sapofilluara. Mjaft të përqendrohesh te njerëzit në rrugë, në markata, në vendet e punës, në kafene e aty rreth vendbanimeve. Do të ndeshesh me gjithfarë çudirash të papara, nervozitet të pajustifikuar, me veprime absurde, me fjalor të tmerrshëm banal e konflikte të paqena. Dhe kjo nuk ka të bëjë me temperaturat e larta të stinës. Madje, e gjitha kjo situatë nuk ka të bëjë as me nivelin e kulturës apo edukatës së çdonjërit prej nesh. Thjesht, ka të bëjë me nivelin e mbajtjes nën kontroll të presionit e të stresit. Dhe kur nuk arrin ta menaxhosh dot më, pa dyshim do të japësh një spektakël negativ publik.
Në një studim të lexuar së fundmi, mbi situatën e sëmundjeve mendore në Shqipëri, thuhej se ato ishin në nivele të larta ku 1 në 4 persona të moshuar kishin shenja klinike të depresionit. Fakt tjetër, sipas këtij studimi, është që depresioni te gratë është më i shpeshtë se te burrat, ku pothuajse 1/3 e tyre kanë gjithashtu shenjat e depresionit. Pa dyshim, studimi nuk arrinte të kapte periudhën e tërmeteve apo të Covid-it, sepse një studim i tillë, nëse ka filluar tani, do kohën e vet deri në daljen e përfundimeve.
Dhe së fundi, dua të theksoj se ne flasim e i japim shumë rëndësi vetëm sëmundjeve mendore për të rriturit, por ndërkohë harrojmë se janë dhe fëmijët shtresa më e prekshme në situatat e depresionit gjithëpërfshirës. Duket sikur ata nuk janë aq të vëmendshëm ndaj zhvillimeve problematike, ndërkohë që janë po ata të cilët kanë përthithur të gjithë informacionin e pafiltruar, që përpunohet vazhdimisht në trurin e tyre, deri në shfaqjen e parë të atakut. Periudha të tilla depresive, pa dyshim do të shpërthejnë si simptoma të forta e plot ngarkesa vite më vonë, kur fëmijët e sotëm të jenë rritur mjaftueshëm, të kenë hyrë në jetë dhe të kenë marrë ‘stafetën’.



Tuesday, July 14, 2020

Laura Brahimi: Piktura ime s'ka logjikë, por ndjenjë dhe emocion


“E kam të vështirë të përshkruaj ndjenjën përballë telajos, mirëpo mund të them që para saj ndiej momentin e duhur dhe nevojën e duhur”

Nga Leonard Veizi

Kur merr telajon e bardhë dhe e vendos rrëmbimthi mbi këmbalec, bojërat e shkartisura aty-këtu, gjithfarë ngjyrash aspak të njëtrajtshme dhe një penel ende të pashkriftuar, ajo është e gatshme të kryejë “sakrificën” e radhës. Aty përballë saj diçka e re do të marrë jetë, dhe mund të vdesë po aty, nëse peneli dhe bojërat e patrajtshme nuk do të mund të kenë kiminë e dëshiruar. Një ndjesi marramendëse e mundon teksa vazhdimisht çliron diçka nga e gjithë ngarkesa që nuk arrin ta mbajë më brenda vetes. Pikërisht në ato çaste munduese e me një gëzim që fshihet herë pas here në skutat më të errëta të ndërgjegjes, ajo nuk arrin të mendojë matematikisht apo me një probabilitet të shtirë, se çfarë do të mund të dalë nga e gjithë kjo; një hyjni përtej imagjinatës a një djall i pakonceptueshëm, sidoqoftë. Sepse në të dyja rastet dhe në një të tretë gjithashtu, ajo nuk ka për ta përmbajtur dot veten, që një figurë të padekriptuar e plot mister ta shkodojë e ta kthejë në një realitet të trishtë mediokrish. Sepse e, mbi të gjitha, ajo nuk është një arkitekte e kalkuluar dhe as dizenjatore reklamash mediatike a sloganesh patetike, por një piktore e lirë, e frymëzuar pikërisht nga liria e saj e pakufizuar...

...Laura Brahimi është lindur në Ferizaj. Ka marrë pjesë në gjithfarë ekspozitash vetjake dhe kolektive, nja 25 të tilla, së paku. Në biografinë artistike të saj shkruhet se ka mbaruar Fakultetin e Arteve, “Pikturë Bachelor” dhe “Pikturë Master”, ku është diplomuar me temën “Psikanaliza dhe arti”. Gjithsesi, ajo ka dhe një diplomë tjetër për “Biznes Ndërkombëtar”. Por kjo për momentin nuk na intereson fare. Sepse po flasim për art e ndjenja të holla, dhe jo për blerje aksionesh ndërkombëtare në bursën e Nju-Jorkut. E pyetur në këtë këndvështrim, Laura Brahimi tregohet e gatshme, që me lexuesin e gazetës “Fjala” të ndajë mediatikisht raportin e saj me atë gjë shumë të rëndësishme që bën prej vitesh, pikturën.

Ju dhe piktura, si ndiheni para telajos?
Shumica e njerëzve me pikturën nënkuptojnë, ngjyrën, brushën dhe kohën e lirë. Arti komercial duhet të dallohet nga arti i vërtetë. E kam të vështirë të përshkruaj ndjenjën përballë telajos, mirëpo mund të them që para saj ndiej momentin e duhur dhe nevojën e duhur.


Në çfarë rryme përfaqësoheni?
E kisha të vështirë të kuptoja se çfarë bëja dhe çfarë do të doja të bëja. Mirëpo, duke u nisur nga përvojat e mia emocionale, nga përjetimet e mia, kam kuptuar që arti është hiç më pak se një metaforë, se një sublimim i instinkteve tona dhe është plotësisht i pavetëdijshëm... Një kërkim për një botë tjetër.
Me një ndjenjë melankolie, një dëshpërim në një pamje të bukur, pra pikturat e mia janë psikologjia ime, një rrymë moderne...

Cila është preferenca juaj, të realizoni objekte konkrete apo të punoni me imagjinatë?
Arti është një përpjekje për t’u integruar drejt njerëzve në përgjithësi, një revoltë në kërkim të dijes dhe të panjohurës, mirëpo duke ofruar një pamje sipas imagjinatës sime.
Gjërat konkrete mbeten te shikuesit që ngacmohen përballë artit tim.

Shqiptarët këtej dhe andej kufirit kanë shkolla të ndryshme pikture. Mund të bëni një vlerësim të tyre?
Për ne shqiptarët, në përgjithësi, njoh artistë të mirëfilltë dhe pa dashje, edhe art jo të mirëfilltë, d.m.th. “art kich”... Po ndalem te vlera e mirëfilltë.
Mendoj që në art nuk duhet akademi për të qenë vërtet artist, sot jemi në një kohë pa kohë, sepse nuk dallohet vlera nga antivlera, ndoshta kjo më brengos tek artistët me akademi profesionalisht të shkolluar. E kuptoj personalitetin e veçantë që s’kanë kohë të merren me antivlerë, por duhet një seleksionim që publiku të shijojë artin e mirëfilltë.

A ka pasur ekspozita të përbashkëta mes piktorëve të Tiranës dhe Prishtinës?
Ekspozita kolektive mes piktorëve të Shqipërisë dhe Kosovës ka mjaft, por uroj të bëhen më shumë projekte për t’u realizuar një lëvizje e tillë. Shkaku që ka shumë pakënaqësi të tjera,  mund të jetë pengesë për bashkëpunimin mes tyre.

Ju keni hapur një seri ekspozitash vetjake, në fakt, a jetohet vetëm me pikturë apo mbetet një profesion i dytë?
Mendoj që arti për mua s’mund të jetë profesion, mbase mendoj që është më shumë nevojë sesa një profesion që mund të jetoj prej tij.
Arti për mua s’ka logjikë, ka ndjenjë dhe emocion që anën intelektuale e ndihmon për t’u dhënë zgjidhje kërkimeve drejt një jete më ndryshe.


Thursday, July 9, 2020

Dënimi i dytë për Camajn e Koliqin



Nga Leonard Veizi

Rëndom ndodh, që për të shuar një argument që ka marrë flakë, sipër hidhet për diskutim një tjetër që mund ta ketë flakën edhe më të madhe, por që tërheq turmën gjithashtu, ose për të shuar zjarrin, ose për të bërë sehir. Por mbase ky nuk është rasti tipik i asaj për të cilën do të flasim më poshtë. Dhe që ta bëjmë më të lehtë peshën po e nisim me një film ‘alla socrealist’, i cili në të gjithë performancën prej 76 minutash që çon ujë në mullirin e propagandës, e lan veten me një batutë të jashtëzakonshme.
Zoti Tosti ishte një agjent i regjur i SIM-it. Ai mbante veshur kostumin elegant të një inxhinieri ndërtimi, por që më mirë se aq dinte të rekrutonte njerëzit e dobët e t’i vinte në shërbim të agjenturës italiane. “Njeriu zihet ngushtë, gëlltit diku një lugë çorbë të prishur e pastaj vjell tërë jetën”. Kjo ishte shprehja e tij proverbiale që do të justifikonte dobësinë njerëzore.
Ernest Koliqi ka qenë ca kohë ministër i Arsimit, kur Shqipëria ndodhej nën pushtimin fashist të Musolinit.
Martin Camaj në të ritë e tij ka hedhur një firmë për llogari të Sigurimit të Shtetit. Sipas parimit të inxhinier Tostit, të dy duhej të villnin gjatë jetës, për shkak të çorbës së prishur që kishin ngrënë. Mund të mos e kenë bërë në vazhdim. Por, në fakt,u duhet të vjellin në pasvdekjen e tyre.
Auron Tare, për të cilin thonë se është studiues historie, na servir një shkrim me plot faksimile, ku mund të gjesh gjithfarë faktesh e të bësh hamendësime se dy njerëz të letrave shqipe, Ernest Koliqi dhe Martin Camaj pas tij, të cilët ishin cilësuar si “armiq” gjatë regjimit të Hoxhës, kanë qenë agjentë të shumëfishtë.Kjo në shqipen korrekte do të thotë poliagjent. Në fakt, deri pak kohë më parë, si poliagjent ne kemi njohur vetëm Mehmet Shehun. Se populli thotë, “dy kunguj nën një sqetull nuk mbahen”. Imagjino të mbash tre e më shumë. Dhe të rrallë janë ata burra që arrijnë ta bëjnë rolin e poliagjentit deri në fund të jetës, pa u hyrë gjemb në këmbë. Shokut Mehmet, fjala vjen, “iu dogjën kartat në duar”.
Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, duket se ka deklasifikuar disa prej dosjeve. Dhe Agjencia Qendrore e Inteligjencës, e njohur si CIA, ka deklasifikuar një pjesë të arkivit të saj. Dhe në këto kushte letrat rreth Ernest Koliqit dhe Martin Camajt përbëjnë objekt studimi. Parimisht, në botën e gazetarisë, nga personazhet publike, ashtu siç duhet të dalin cilësitë e mira, duhet të evidentohen edhe negativet. Madje, kjo ka vlerë më shumë. Kështu, nisi rrëmimi. Kadareja u anatemua me një dosje ku flitej për jetën private të vajzës së tij, pikërisht kur ai ishte më pranë se kurrë çmimit “Nobel”. Ismaili i madh u zvogëlua në sytë e publikut, sepse tek e fundit,pavarësisht madhështisë së tij prej shkrimtari, kishte luajtur e rrezikuar jetën e një njeriu.
Por le të vijmë te Camaj.
Çfarë jete njerëzore ka rrezikuar ai? Kujt “ia futi” dhe e rrasi në burg? Kujt i shtoi vitet e dënimit pas denoncimit?Kë çoi në syrgjyn, pasi i tha në vesh operativit se “filani nuk duartrokiti kur kaloi me makinë anëtari i Byrosë Politike”. Për këto nuk kemi asnjë fakt. Vetë dosja e tij është bosh. E vetmja gjë që kemi në dorë është një firmë mbi një letër të zverdhur.
Për shans Martin Camaj nuk konkurron gjëkundi tashmë.Nuk ka nevojë as për lavde e as për çmime. E, megjithatë,ai sërish anatemohet. Sepse u gjet një letër, ku pasi ka pranuar të bëhej bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit,nën emrin e koduar “Bregu i Kuq”, thjesht ka firmosur. Dhe Tare ka të gjithë të drejtën e Zotit ta publikojë këtë fakt. Pastaj zullumi shtohet kur flitet se pasi u arratis e përfundoi në Jugosllavi, Martini i Camajve u bë agjent i UDB-së dhe kjo e fundit e çoi me mision në Itali, ku i zuri pritë SIM-i që, në fakt, ishte Shërbimi Inteligjent i Ushtrisë, pra nuk kishte të bënte me jetën civile. Dhe, pikërisht aty në Romë në lojë futet edhe Ernest Koliqi, që nuk na surprizon në fakt, pasi i kishte të hapura bindjet e tij filoitaliane. Dhe, padyshim, CIA amerikane ishte vërdallë në këto anë, dhe nuk mund të punoje e të përmbushje detyrën pa izën e saj. Pra, Martini u bënjë superspiun. Punonte për katër agjencinjëherazi. Sekrete pa fund. Këtë do ta kishte zili edhe Kim Filbi, në fakt.
Por çfarë raportonte Camaj; u shiste jugosllavëve vendbazimet e ushtrisë shqiptare, apo sillte nga Beogradi planet e shtatmadhorisë serbe për ndërhyrje ushtarake në Shqipëri? Po italianëve çfarë materialesh u transmetonte? Po amerikanëve? Sepse të gjithë paskëshin varur shpresat te Martini. Vetëm KGB-ja dhe STAS-i kishin mbetur jashtë loje.
Përtej ironisë e shakave pa sens. A ishte Martin Camaj një agjent aktiv? Nëse po, dosja e tij do të përmbante qindra faqe me të dhëna. A mundet që ai nën presion, apo nën dhunë tëketë pranuar të firmosë për Sigurimin e Shtetit dhe në këtë mënyrë të ketë blerë lirinë e tij? Me siguri, sipas propabilitetit. Sepse fill pas kësaj ai u arratis. Dhe nëse do të ishte hedhur nga Sigurimi i Shtetit, padyshim do të kishte raportuar herë pas here dhe deri në vitin 1992, kohë kur u nda nga jeta, me siguri do të kishte jo një dosje por nja tri të tilla.
Ernest Koliqi dhe Martin Camaj nuk kanë qenë në panteonin e letrave shqipe të pas vitit 1944, sepse ata ishin të anatemuar gati 50 vite me radhë dhe krijimtaria e tyre nuk njihej në rrethet e gjera, përveçse nga njerëz të veçantë. Por, pas viteve ‘90 rehabilitimi i figurave të tyre, botimi i veprave, padyshim i çoi në piedestalin e merituar. Sot askush nuk mund ta marrë dot guximin e të thotë të kundërtën mbi këtë krijimtari. E, megjithatë, kjo duket si një tentativë e dytë për t’i dënuar përsëri, 30 vjet pas rehabilitimit. Ajo që po vihet në diskutim ka të bëjë me një dobësi të jetës njerëzore në rrethana të caktuara. Aspak kjo për të përligjur firmën, nëse ajo ekziston vërtet.
Në studimin e Auron Tares, Ernest Koliqi është një personazh dytësor dhe duket qartë se nuk është ai në qendër të goditjes, edhe pse njësoj si Camaj, ishte agjent i shumëfishtë, dhe po aq ndikues në letrat shqipe. Si ta marrim këtë?
Camaj mbetet peng i një firme. Cila është pasoja e një firme? Nëse nuk ka produkt agjenturor, thjesht kemi të bëjmë me një marrëveshje nga e keqja. Çfarë të keqe i solli atdheut Martin Camaj, edhe po ta marrim të mirëqenë që ai ka qenë dhe në shërbim të agjencive të tjera të shërbimit sekret. Se këtu nuk flitet që ai dekonspiroi vendndodhjen e qendrave të zjarrit, numrin e tankeve, avionëve apo aseteve të tjera të ushtrisë. Nuk është hedhur me parashutë si diversant dhe as është orvatur të hedhë në erë ndonjë uzinë ushtarake të rëndësisë së veçantë. Pra, mund të kemi të bëjmë me një agjent të heshtur.
Por çfarë shërbimesh i bëri atdheut?
Veprimtaria e tij letrare dhe albanologjike është shumë e gjerë. Sipas biografisë zyrtare, ai e nisi kontributin e tij duke themeluar në Prekal shkollën ku veproi si mësues i vetëm deri më 1948. Ka mbrojtur me vlerësime maksimale pranë Universitetit të Romës, tezën e doktoraturës mbi “Mesharin” e Gjon Buzukut. Kërkimet akademike të Camajt u përqendruan në gjuhën shqipe dhe dialektet, në veçanti në gjuhën e arbëreshëve të Italisë Jugore.Veprimtaria e tij letrare në harkun 45-vjeçar ka nisur me poezinë, së cilës i mbeti besnik gjithë jetën, edhe pse vitet e fundit u përqendrua shumë te proza.Është përfshirë thuajse në të gjitha antologjitë dhe veprat ku flitet për shkrimtarët shqiptarë. Po kaq, dhe ca më shumë, mund të thuhet edhe për Ernest Koliqin.
Pra,gjithçka shqiptare, nga dy shqiptarë që më shumë sesa flirtimin me agjencitë e inteligjencës, marrjen dhe shitjen e informacionit, si qëllim kryesor kanë pasur emancipimin e letërsisë dhe gjuhës shqipe, duke qenë kalorës të mëdhenj të saj.

Saturday, July 4, 2020

In Memoriam/ Për tim atë, Aliun



In Memoriam
Për tim atë, Aliun


Nga Leonard Veizi


Tani tretet ngadalë në nëntokën e brishtë, në një kuotë thellësie të papërfillshme, ndoshta vetëm 150 centimetra, vendosur gati në një majë kodre, aty ku fillon një rrëpirë e parrëshqitshme, pas çimentimit barbar, plot me beton e mermer që i kanë bërë të gjallët. Është një proces i pamëshirshëm, i pakthyeshëm, me një vazhdimësi agresive, të paqtë dhe krejt organike. Qyteti i të pajetëve duket i qetë, i bardhë, dhe shtrihet poshtë luginës, nën kabllot e tensionit të lartë që zhurmojnë midis shtyllave me konstruksion metalik dhe një qielli blu, i cili të jep përfytyrimin e lirisë së munguar. Mbi sipërfaqen marramendëse lartohen statuja të çuditshme, herë fytyra konkrete njerëzish e herë engjëj anonimë me flatra, ngrehina me kapitele si mbetjet antike të kulturës greko-romake, e gjithfarë epitafesh të shkruara me germa floriri, shenjë e një egoizmi të pandreqshëm të garës së shfrenuar urbane. Gjithçka rrezëllitëse është shumë më pak simbolike se jeta e varfër e atyre që kanë pushuar së ekzistuari, dhe teoria e barazisë nuk lexohet dot nga sytë e përlotur dhe as nga vështrimet djallëzore që skanojnë rivalët e heshtur mbi eshtrat e të cilëve nuk rëndon dheu i lehtë, por mermeri i importuar nga ishujt e largët të Mesdheut. Aty mes tyre, shtëpia e tij e fundit është e thjeshtë, sfondi gri, një foto e kohëve të fundit ku shquhet kapela emblematike, dhe një mbishkrim me shkronja dore: “Nga bashkëshortja dhe fëmijët”...

Ali Veizi
...Ai iku butë, pa na lodhur, madje pa na shqetësuar aq sa të vinim kujën e të mos dinim nga të përplasnim kokën. Nuk u ankua, nuk u mallëngjye, nuk u bë tekanjoz, sa të mendoje se po ndodhte kataklizma, por nuk pati mundësi as të përlotej teksa ikte, duke e ditur se nuk do të na shihte më. Thjesht iku. Sepse kishte ardhur koha. Sepse engjëlli i vdekjes, që i kishte vënë duart në fyt dhe i mbante mbyllur gojën e hundën, duke e shtrënguar nga pak dhe duke i ndërprerë frymëmarrjen, ishte aty, fare pranë nesh, por ishim ne ata që s’mund ta shihnim dot. Lufta për jetën ishte tendencioze, nëpër galeri pulmonesh me trupa sulmuesish agresivë që shkatërronin gjithë ç’gjenin përpara dhe mbrojtësit e pafuqishëm që largoheshin kokulur e dëshpërues nga toka e djegur.
Viteve të fundit ia kishte “hedhur” disa herë vdekjes, ishte përballur me të në sallën e operacionit, e kishte mundur, por nuk është se besonte që do ta shmangte në vazhdimësi si një hero legjendash që nuk di të mposhtet, as pasi ka marrë nëntë plagë në trup. Ai nuk ishte hero, s’mund ta pretendonte kurrë një gjë të tillë absurde, por tek e fundit thjesht një luftëtar i paepur në betejat e ashpra të jetës, ishte. Qe munduar të merrte ca të mira prej saj, por dhe kur ishte goditur fort, kishte mundur të ringrihej. E, megjithatë, ishte nga ata që e pranonte dhe vdekjen.
Duhet të lajmërosh njerëzit”, më pati thënë një pasdite vonë, teksa pas një gjumi halucinant më foli për njerëzit e afërm që nuk ishin më kësaj bote, por që ai i kishte takuar në botën tjetër ku kishte shkuar e ardhur brenda një kohe të shkurtër. Në vend të keqardhjes ndjeva një lloj gëzimi. Ndihesha i lehtësuar, sepse tek e fundit ai ishte takuar me ata që i kishin munguar për një kohë të gjatë, qoftë dhe në një dimension tjetër, aspak real.
Real? Çudi e madhe. E kush na e vërteton se ne që jetojmë mbi tokë përbëjmë realitetin e patundshëm? Nuk ka aq të zotë sa ta vërtetojnë katërcipërisht dhe me fakte të pakundërshtueshme një gjë të tillë. Ndërsa ai kishte fatin e madh ta kalonte kufirin midis botëve krejt thjesht, pa sforcime, dhe pa bërë pakt me djallin. Sepse tërësia e tij po përgatitej të bëhej pjesë e botës andej.
Në fund iku. Dhe ndoshta vetëm ai e ndiente se po ikte vërtet. Sepse unë dhe nëna ime, që po i qëndronim te koka, kishim një shpresë të pakuptimtë, madje krejt naive, se ai nuk do të na braktiste. Xhelati si engjëll i zi i qëndronte mbi kokë dhe vetëm ai mund ta ndiente praninë e tij ankthndjellëse dhe ligësinë e tij prej ekzekutori gjakftohtë. Vendimi ishte dhënë dhe çekiçi i gjykatësit kishte rënë. Ai qëndronte i shtrirë në shtrat me një temperaturë afebrile që nuk e mposhtnin dot as antibiotikët e sofistikuar.
Ishte darka e fundit. Mund të kishte porositur një meny të pasur me proteina dhe karbohidrate, ndopak verë apo një pikë rakie kumbullash të egra, por u mjaftua me pak qetësues në vena dhe ca oksigjen në hundë, për të lehtësuar frymëmarrjen. Ndoshta në ndonjë çast kthjellimi, kur e ka kuptuar se ishte i mbërthyer, në një instinkt jetësor të pabindur, ka dashur të shpëtonte dhe një herë, madje ta rijetonte sërish të gjithë jetën e tij. Por duket se nuk funksionoi. Ndaj iku qetësisht, në një kllapi 12-orëshe të pakthyeshme. Një mal me ilaçe i qëndronte mbi komodinë, dhe tubat e serumeve bashkë me ato të oksigjenit i ngatërroheshin aty-këtu mbi trup.
Ato ishin ditë të vështira. Brenda 140 orëve të qëndrimit në spital, që prej çastit të shtrimit në urgjencë, dhoma e tij u ndërrua 5 herë. Dy ditë qëndroi në reanimacion. Në ditën e dytë gjendja e tij dukej e përmirësuar, por mjeku që e mbante nën kontroll më bëri të ditur se parametrat ishin mjaft të dëmtuar.
-Bëhu i fortë, - i thashë duke shtrënguar grushtet dhe muskujt e krahut, me një entuziazëm të ligjshëm, - do t’ia hedhësh. Kisha një besim të tepruar se do ta shtynte edhe disa muaj të tjerë që, për të thënë të vërtetën, do të ishin mjaft të vështirë.
Ai më pa qetësisht, sepse ndoshta dhe vetë besonte plotësisht se situata ishte marrë nën kontroll pas disa ditëve plot përpjekje, për t’i dhënë një mundësi afatshkurtër. Dhe si për të më dhënë të kuptoja se e kishte marrë mesazhin tim, më tha vetëm: “Mirë”. Këto ishin fjalët e fundit që shkëmbyem. Një ndihmësmjeke nisi të lajmërojë se të afërmit e pacientëve duhet ta linin sallën e reanimacionit për t’i lënë të qetë dhe të sëmurët, edhe mjekët. Orari i kufizuar i vizitave prej 15 apo 20 minutash kishte përfunduar. Krejt i qetë u largova nga salla e reanimacionit me një bindje ekstreme se të nesërmen ai do të ishte edhe më mirë, edhe pse 36 orë përpara se të largohej përgjithmonë, parametrat jetësorë nuk të jepnin optimizëm.


***
Im atë quhej Ali. Sipas kodeve të vjetra, unë sot do të quhesha Leonard Ali. Sepse sipas gojëdhënave edhe mbiemri Veizi, ka qenë veç një emër që është kthyer në mbiemër. Por statusi i ri i gjendjeve civile më pengonte të merrja për mbiemër emrin e babait. Dhe nëse këmbëngulja, duhet të bëja një gjyq formal. Por kjo më dukej një gjë e kotë.
Tanimë ai nuk është në botën e të gjallëve, dhe nuk e dija se do të më mungonte aq shumë. Qoftë dhe për një kafe që na qëllonte rrallë ta pinim, por më shumë për atë birrën që e konsumonim më shpesh, në ndonjë bar apo zgarë demode, sepse më kthente tek i pari lokal që shihte, teksa na qëllonte të takoheshim rastësisht në rrugë. Por nuk më linte të ikja pa ndarë ndonjë bisedë bashkë e ku temë e ditës nuk bëhej asnjëherë zhvillimi i fundit nga politika, as problematika me komunitetin për plehrat dhe ujin, madje as shqetësimi për rritjen e pensionit, por thjesht dhe vetëm flisnim për Selenicën e Pishës, fshatin e tij të lindjes, në Kolonjë. E rrëmbente pasioni për vendin dhe nuk përtonte të shkonte më shumë se dy herë në vit e të kalonte ca ditë te njerëzit tanë të mbetur, në një fshat që kishte një pyll të madh me pisha, por që nuk kishte më njerëz. Më kishte marrë “për veshi” që të vogël dhe kishim kaluar katër qafa, të Kërrabës, të Thanës, të Plloçës e të Qarrit për t’u njohur me fshatin 1380 metra mbi nivelin e detit, ndërtuar rrëzë një mali me mbiemrin i “Zi”
Natyrë e butë, miqësor, por dhe liberal. Nuk e ndiqte muzikën “hard rock”, por nuk më ndalonte ta dëgjoja. Ai vetë vishej me uniformë ushtarake, qaforen e bardhë e i mbërthyer deri në grykë, por nuk më detyronte të mos i vishja pantallonat kauboj, të cilat i zgjeroja poshtë nga një centimetër, sa herë qepja një palë të reja. Ai vetë ishte i fokusuar më së shumti të ndiqte Revistën Televizive, por nuk më ndalonte që unë të informohesha nga RAI, se televizionet sllave nuk i honepsja dot. Kur e teproja, më mbante ndonjë fjalë të gjatë moralizuese, për të më sjellë me këmbë në tokë, por nuk jam ndier aspak i dhunuar psikologjikisht prej tij. Nuk më kufizoi kurrë me orare, edhe pse shumë prej shokëve të mi asokohe mbrëmjeve u numëroheshin këpucët në korridor. Unë e shijoja lirinë më shumë se kushdo, dhe ky ishte një fat i madh për jetën e para viteve ’90.
Im atë ishte natyrë studioze, i diplomuar dy herë, por me një kërkesë të mbetur pezull për të vazhduar dhe një degë të tretë. Dhe po aq i vullnetshëm ishte për të vazhduar me punët e shumta të zyrës edhe gjatë orëve të vona të natës, në shtëpi. Nëse më shpjegonte matematikë, arrija të merrja një 7, por dhe 8 në zgjidhjen e problemeve. Por kjo ndodhte rrallë, sepse unë i shmangesha gjithmonë aritmetikës, algjebrës apo trigonometrisë. Nëse më shpjegonte histori, e kisha të sigurt një 10 dhe habinë që pasonte mësuesen e cila më pyeste vazhdimisht: “Ku i ke lexuar, se asnjë nga këto që the nuk është në tekst?” E që të jem plotësisht i sinqertë, unë as që e dija nga e kisha hedhur librin, - dhe kjo nuk ishte ndonjë trimëri e madhe, - por mbaja mend me hollësi gjithçka më kishte shpjeguar im atë një natë më parë. Meqenëse ishte mëngjarash nga natyra, për shkak të disiplinës për të vënë në përdorim të djathtën, shkruante me të dyja duart pa problem. Kjo veç kënaqësisë më sillte gjithmonë një ndjenjë humori, kur i kërkoja të ma bënte këtë “numër shpejtësie”. Dhe po aq sens humori më ndillte teksa ai me mend e unë me një kalkulator elektronik bënim ushtrime të një vështirësie, disi lartë, por që nxirrnim të njëjtat përfundime. I pasionuar pas shifrave, mund të kishte përfunduar dhe ndonjë degë inxhinierie, por e mbylli si ekonomist në ushtri, dhe ata që e njohin nga ana profesionale thoshin se edhe si revizor “ishte i zoti në laps”. Në fund të karrierës së tij si ushtarak, mbajti gradën e kolonelit, dhe unë isha shumë krenar për të. Ndërsa në jetën civile siguroi një licencë si “kontabël i miratuar”.
Kishte dëshirë që unë të merresha me shkenca ekzakte, sepse siç thoshte ai, ajo të bënte “të zotin në jetë”, por, me sa duket, këtë segment të ADN-së së tij e kishte përcjellë tek e bija, pasi unë fluturoja në halucinacione jokonkrete. Unë shkoja i papërgatitur në orën e matematikës, kimisë, por edhe fizikës, gjë që nuk kompensohej me notat e mira në lëndët shoqërore, për më tepër që shkollën e mesme që frekuentoja, kishte profil profesional, pasi m’u desh që për shkak të tij, të merrja dëftesën e maturës pranë Politeknikumit “7 Nëntori”.
Gjatë 8-vjeçares, katër vite nga të cilat i bëra te “10 Korriku”, nja dy prej tyre i shpenzova te një kurs pikture në Pallatin e Pionierëve, e ku ca e ca, që shihnin punimet e mia në akuarel, më thoshin se do të kisha të ardhme si piktor. Por në fund hoqa dorë prej saj, sepse për shans nuk m’u duk vetja si Mikelanxhelo dhe as si Vangjush Mio, sigurisht. Shkruaja vazhdimisht poezi, por kjo ishte ende shumë personale, dhe e papublikuar, edhe pse ato që shkruaja më dukeshin më të bukura se të Poradecit e Agollit marrë së bashku, apo të Kiplingut e Bërnsit, kur doja ta rrisja shkallën e budallallëkut në eufori e sipër.
Pasi bëra dhe nja dy vite shërbimin e detyrueshëm ushtarak, - në bazën e famshme detare të Orikumit të mbiquajtur “Pashaliman” ku më veçuan për “sy pushke”, pasi në qitje nuk nxora asnjë fishek jashtë tabele, - iu ktheva studimeve, veç jo për inxhinieri mekanike, por për inxhinieri agrare. Dhe ky ishte një tjetër budallallëk imi, në kushtet e humbjes së orientimit dhe panikut që më kishte përfshirë, pasi kisha mbetur në udhëkryq. Në vitin e dytë i braktisa studimet me argumentimin e thjeshtë: Pse duhet të merrja leksione në një fakultet me të cilin nuk kisha asnjë lloj lidhjeje? Tek e fundit, babai im nga fshati u rregullua me punë në kryeqytet. Unë si “çun Tirone”, po bëja një shkollë që ishte më afër fshatit. Dhe me shumë gjasa ky vendim i ri do ta zhbënte disi budallallëkun tim, dhe do të ndihesha më i qetë sesa fakti që sot kam diplomën e cila vërteton në mënyrë zyrtare arsimin tim të lartë. Ç’është e vërteta, unë as me Politeknikumin nuk është se kisha ndonjë lidhje, sepse edhe sot e kësaj dite mezi i lidh dy tela dhe, sipas këtij arsyetimi, i binte të mbetesha me 8-vjeçare. Im atë u dëshpërua nga deliri im i pakuptimtë duke u shprehur se kisha thellësisht një mungesë të theksuar të vullnetit, që nëpër të donte të thoshte: një mungesë përgjegjshmërie, e që t’i biem në kokë: papërgjegjshmëri.
Por pak më vonë do t’i provoja të kundërtën. 
Nuk e kam fjalën për pesëdhjetegjashtë provimet që do të më jepnin titullin “inxhinier agrar”, një diplomë që nuk më ka hyrë në punë deri tani, e s’e besoj se do të më hyjë në vazhdim. E kam fjalën për 10 librat e mi, disa mijëra artikuj, intervista, por dhe kronika televizive, si dhe dorëshkrimet e shumta që tashmë janë pluhurosur nëpër dosje. 
Unë u rrita në një familje që kishte një bibliotekë të madhe me libra, ku midis tyre kishte plot tituj politikë, ekonomikë, por në dy rafte të veçanta kishte dhe letërsi artistike. Ishte pikërisht prania e kësaj biblioteke që më bëri të dashurohem pas Balzakut e ca më vonë pas Shekspirit. Ishte e çuditshme, sepse, në fakt, dhe kur më shkrepi në kokë të pikturoja e të hidhja ngjyra mbi një fletë formati, i pakënaqur nga kutia me 12 lapsa kërkova diçka tjetër. Dhe nuk e di se në çfarë rrethanash kishte mbërritur aty, në shtëpinë tonë, por kërkesës sime të ethshme për bojëra dhjami, prindërit e mi, për habinë time, iu përgjigjën në mënyrë të behtë, duke nxjerrë nga “fundi i dheut” një kuti me bojëra uji e cila kishte dhe një penel brenda. Besoj se këto dy elemente, librat dhe bojërat, bënë që unë të isha më i vëmendshëm ndaj artit dhe ta ndaja kohën e lirë mes leximit dhe shkarravitjeve me laps plumbi. Dhe nëse nuk do të ishin ato, me siguri do të isha përqendruar te lëndët ekzakte dhe do t’i kisha përfunduar studimet për inxhinieri mekanike, ose elektrike në rastin më fatlum.
Kur nisa punë në një redaksi gazete, im atë u habit me përkushtimin tim. Kthesa ishte 180-gradëshe. Më parë ai kishte ndërhyrë me njohjet e tij dhe unë kisha zënë “vend pëllumbash” dy herë, tek organika civile e dy reparteve ushtarake, ku për të thënë të vërtetën, veç shqetësimeve me miqtë e tij, drejtues regjimentesh, për thyerje të disiplinës së punës, nuk i kisha sjellë asnjë lloj kënaqësie. Por si gazetar tregova të kundërtën, sepse i dhashë entuziazmin e munguar të cilin ai nisi të ma stimulonte, jo me fjalë, por thjesht duke më lexuar gjithçka që shkruaja. Kjo ndodhi që nga çasti kur lexoi një shkrimin tim në gazetë dhe duke më rënë shpatullave nuk më tha “Të lumtë!”, por përdori shprehjen aq shumë të vjetruar në fjalorin e shqipes urbane: “Bravo!”
Që prej atij çasti, ai u bë një adhurues fanatik i asaj çfarë shkruaja unë. Madje, lexonte në dorëshkrim, të gjithë letërsinë time. Dhe e shijonte atë. Nuk mbaj mend të më këtë bërë ndonjë vërejtje, as atëherë kur nëna ime, grindej, duke më thënë se e kisha tepruar me sekuencat erotike. Për të njëjtën sekuencë letrare, kur kërkova mendimin e tij ai më tha qetësisht dhe me bindje: “Ishte shumë mirë!”. Në çastin kur po mendoja se e tha vetëm për kompromis a për të mos më prishur qefin, ai vazhdoi argumentimin e tij: “...ishte brenda kontekstit.”
U habita me gjykimin e tij. Më kishte thënë atë që dëshiroja. Dhe kishte suportuar thjeshtësisht atë që bashkëshortja e tij nuk e kalonte dot.
Romanin e fundit, ia dhashë të parit ta mbante në duar. Ishte rënduar me shëndetin, dhe nuk është se i mbante mend ato që lexonte, por çuditërisht e shihja ta shfletonte vazhdimisht e të humbiste nëpër rreshta, edhe pse nuk ishte në gjendje të më thoshte diçka konkrete mbi atë që lexonte.


***
Pas një nate të zhurmshme dasme, atë mesditë të diele kisha dalë për një kafe që mendoja se do të më nxirrte gjumin e do të më qetësonte timpanet e veshit, të cilat vazhdonin të më zhurmonin nga disa orë më parë, ngaqë bokset prej nga dilte muzika i kisha pasur fare pranë. Telefonata e nënës me një zë të shqetësuar se “babai nuk ishte mirë!”, më tensionoi, por gjithsesi e mendoja si një situatë të kalueshme përderisa një gjë e tillë kishte ndodhur dhe herë të tjera. E gjeta të shtrirë në krevat, por asgjë në pamje të parë nuk të jepte ndonjë përshtypje emergjence. Pyetjes sime të parë “Si je?” ai iu përgjigj qetësisht “Mirë”. Nuk dinte të ankohej. Nuk mbaj mend ta kishte bërë kurrë një gjë të tillë. Asnjë herë nuk na kishte shqetësuar, edhe kur kishim përfunduar në spital. Edhe kur e pyesnin mjekët, ai gjithashtu thoshte se ishte mirë. Unë i hodha një vështrim dyshues nënës sime si për t’i thënë se kishte dhënë një alarm të kotë, por ajo me nervozizëm më tha: “Nuk është mirë. Jam unë ajo që e njeh gjendjen e tij më mirë se kushdo!” Dhe kishte të drejtë. Autoambulanca kishte mbërritur sakaq. Pas një ekzaminimi të shkurtër mjeku tha se duhej vazhduar me analiza të thelluara në spitalin “Shefqet Ndroqi”. Mushkëritë po dilnin nga funksioni. Sinjalet automatike të trurit shkonin në drejtim të gabuar. Kjo donte të thoshte se shumë shpejt do të futej në kolaps. Autoambulanca u nis përpara me dritat e sinjalet që zhurmonin, ndërsa unë e bashkëshortja ime i ndoqëm nga pas të heshtur, por me shpresë se gjithsesi do të ktheheshim shpejt. Por nuk ndodhi kështu. Qëndroi vetëm 6 ditë: Ishte e diel, pasdite e 30 qershorit 2019, kur u shtrua në katin e tretë të spitalit, rreth orës 02.00 të mesnatës së 6 korrikut ndërroi jetë. Në orën 14.00 të po asaj dite kortezhi i përmortshëm ndaloi në parcelën e porsahapur të varrezave të Sharrës. Ishte banesa e fundit. Dy ditë më vonë, në 8 korrik 2019, Ali Veizi do të mbushte 77 vjeç.