Friday, April 29, 2022

Tmerri i kahershëm i shqiptarëve, qokat, dorovitjet dhe një funeral biznes


Nga 
Leonard Veizi
 
-Dolën lekët e varrimit, - thotë hallexhiu me zë të ulët mos e dëgjojë kush.
Kartmonedhat lihen teposhtë filxhanit të kafesë, me delikatesë, që të duket sikur nuk i shikon kush: “U ardhshim për të mirë”. Në fakt, sytë të gjithë aty i kanë. Kështu ikën 20-çja. “Epo ia kisha taksur, se më erdhi kur më vdiq babai. Tani ai një dhjeçe më hodhi, por unë ia lash kopilin në derë. E dyfishova dorën”.
-Më duket se dolën dhe lekët e drekës, - ia pret hallexhia tjetër, e po të njëjtit hall.
Kjo do të thotë se familjarët e xhenazes nuk do ta fusin dorën në xhep as për arkivolin dhe as për rakinë që është pirë në drekën e përmortshme.
Epo halle-halle kjo dynja...  Ku ta kesh mendjen më parë. Të qash të ndjerin, apo të merresh me llogaritjen e qokave.
 
***
Shqiptarët jetojnë në një makth të madh. Janë ftesat e dasmave që janë kthyer në terror. Janë lajmërimet e vdekjeve. Le më kur flitet për synetllëqet.
-Kam sebep sot... ia preva atij të madhit. Ftesat janë me konfirmim në numrin e celularit 0900... Lëre fare se u ngatërruam, më duket.
Burrë e grua në hall.
-Sa do t’i hedhim mor aman? S’kemi marrë as rrogat.
-Ja të shoh shënimet, sa na ka hedhur ai, se nuk e mbaj mend.
Të keqen e llogarive. Dasmat në një anë të fletores, vdekjet nga ana tjetër. Nga mesi, që të mos ngatërrohen si zorrët e barkut janë lindjet, ditëlindjet, fejesat dhe sëmundllëqet. Se ato e kanë dorën më të vogël. I shkova, - më erdhi. I hodha një 50-çe, - po aq ma ktheu.
Birinxhi.
-Lefka, hë moj ajo që ishte në dasmën e sat motre, Florës. Që na solli ato gjashtë pjatat e që thanë njerëzia se i kishte të përdorura. Por dhe unë, kur martoi Pilon, ato i çova...
Ja, kjo ishte strategjia e Ollgës nga qyteti. Por në fakt ky është koncentrim i përvojës popullore. Çfarë më sjell do të jap. Dalim jek e jek.
Zakoni e do të shkosh tek tjetri por jo pa gjë në dorë. Shyqyr thuaj që iku koha kur shkonim tek komshiu me një pako llokumesh, a me një pako biskotash, se kishte blerë... televizorin. Tani rrethi është më i ngushtë, por më i shtrenjtë.
Po hidh a derëbardhë sa e ke takatin, pse e mundon veten.
Mirëpo takati nga një anë, e inati nga ana tjetër. Po turpi... jallah, do bëhemi me turp.
-Ç’do thonë bota...?
Shqiptarët i ka zënë tmerri. Shkon në vaki dhe dorovit, shkon në dasmë dorovit, shko në spital, lë paratë tek komoja e të sëmurit...
-Sa lekë i hodhe filanit?
Çlirohuni nga ky makth o vëllezër, se nuk jemi në garën me kooperativën fqinje.
-Aaaaa, po i hëngra bukën do t’ia paguaj. Se e kam në fyt.
Ja, kjo është logjikë e drejtë, e pastër... restoranti. Supë, byrek, patate me mish dhe në fund hallvë. Pastaj nis llogaria: Bjeri një çikë lapsit, sa vete. Fut edhe një dopjo raki, se desh e harrove.
Kaq shpenzuam, kaq fituam.
Biznes. Edhe në dasma edhe në morte. Vetëm se TVSH nuk paguan dhe fitimi është i pastër fare. Kësaj i thonë të punosh me paratë e të tjerëve.
Në zhargonin e përditshëm nuk ka shqiptarë që të mos thotë: - Lëre-lëre, më ka ardhur një fletë gjobë kësaj radhe që, ç’të të them.
-Ke parkuar keq makinën?
-Nuk e gjete. Makinës ia bëj hallall, se një dhjetëmijë lekësh të vë policia. Po atë që ta bën shoqnia s’ta bën as perëndia. Më ka ftuar një mik se marton djalin. Iku 100-çja.
Po mos shko o vëlla, pse rraskapitesh kaq shumë. Ti 300 ke rrogën. I bie ta shtysh muajin me bukë thatë. E sidomos tani që u rritën çmimet, as me bukë thatë nuk ia del dot. Ndaj kur kalamajtë të kërkojnë ndonjë pare xhepi u thua: Jemi ca ngushtë të keqen babai se ato që kishim i lamë në një sebep.
-Epo më ka ardhur kur martova vajzën. E kam në fyt.
Para do kohësh takova një mik. Nuk dinte ku të fuste kokën. Sezoni i dasmave më kaloi me 11 ftesa e gjoba të rënda. Më tha: – Lashë leshtë duke kërcyer “Napolonin”. Të gjitha paratë që kisha mbledhur për të bërë një palë pushime të hajrit, i sakrifikova. Tani do shëllehem në diell me gruan te ballkoni i shtëpisë, se shyqyr diellit nuk i kanë vënë akoma taksë.
 
***
Shqiptarët jetojnë nën terror të vërtetë. Janë ftesat e dasmave me konfirmim. Janë lajmërimet e vdekjeve pa konfirmim, por edhe pa parapajmërim. Dhe janë synetllëqet o ta marrsha sa për të gjitha bashkë. Vetëm mos harro të blesh zarfe, se tani paratë nuk hidhen hapur mbi tabakanë me llokume as te filxhani i kafesë. Tani ato lihen në zarf. Me emër e mbiemër sipër. Dhe adresën e shtëpisë po pat mundësi. Se jemi njerëz të qytetëruar.
 

Friday, April 22, 2022

Kur problemet e shqiptarëve kthehen në protestën paqësore të një kleriku


Nga 
Leonard Veizi

A është Shqipëria një vend i pabanueshëm?
Pyetjes mund t’i japësh lloj-lloj përgjigje por një përkufizim e ka dhe himni i një spektakli humori që thotë mes të tjerash: Këtë vend në breg të detit kam vendos ta bëj shtëpi,/ menjëherë e shpall dekretin dhe e quaj Shqipëri. Sipas kësaj logjike, ky truall ka qenë fort i lakmuar për çfarë i ka falur Natyra ose Zoti. Por si ka mundësi që nga një vend i lakmuar, - për të cilin janë vrarë e therur mijëra e mijëra ushtarë, që kanë dashur ta kenë nën zotërim të gjitha perandoritë e botës, - tani është kthyer në një vend ku shumëpak dëshirojnë të qëndrojnë, sepse një pjesë e madhe kanë ikur me kohë, e ca të tjerë vazhdojnë të plotësojnë formularë për t’u bërë qytetarë të vendeve të tjera, por gjithsesi larg Shqipërisë?! Ndaj jemi katandisur në një vend që kërkojmë fuqi punëtore se nuk ka kush na i bën punët e na mban me bukë.
Përkundër gjithë këtyre që sa thamë më sipër, në këtë rast do të doja të evidentoja duke perifrazuar disa shprehje të një fjalimi brilant që ditët e fundit më ka mbetur fort në kujtesë.
Padyshim, ka fjalime të rralla, bërë nga oratorë të shquar, të cilët janë si gurë kilometri dhe bota e të gjallëve u referohet sa herë e ndjen nevojën të vetpastrohet nga ndotja e llumi me të cilin janë përlyer. Një fjalim disaminutësh mund të thotë shumëçka, e për më tepër nëse bëhet në kohën e duhur dhe në vendin e duhur.
Një fjalim në Vigjilje Pashkësh, është gjithashtu inspirues, për njerëzit që besojnë në fe sidomos, por dhe ata që nuk e kanë në praktikë një gjë të tillë, sigurisht.
Nëse gjithkush prej nesh, që flasim e shkruajmë shqip, kërkon të marrë qetësinë e nevojshme, atë që i ka munguar prej kohësh, të ndërpresë për pak çaste marrëdhënien frymore me njerëzit e tjerë dhe paranë, e të lidhet drejtpërdrejtë me Zotin e tij, për të qenë pjesë e një bote hyjnore, nuk duhet ta humbë meshën e Pashkëve, dhe vetë fjalimin e Imzot Arjan Dodajt, Kryeipeshkvi në Arqidioqezën Metropolitane Tiranë – Durrës. Dhe është një fjalim i jashtëzakonshëm, bërë nga Katedralja e Shën Palit, në një natë të madhe si ajo e Pashkës Katolike, teksa kremtohej Ringjallja e Krishtit.
Me shumë gjasë, nëse të njëjtat fjalë do të thuheshin nga foltorja e Kuvendit, e do të dilnin nga goja e njërit prej 140 deputetëve të tij, asgjë nuk do të merrte kaq shumë vlerë. Sepse ne të gjithë jemi mësuar me fjalimet bombastike e shfaqjet bumerang të hedhura nga i njëjti vend. Por në altarin e një kishe është ndryshe, sepse nuk ke të bësh më me inflacionin e akuzave që mbeten veç të tilla dhe që nuk e kapërcejnë derën e sallës plenare për të shkuar prej Kuvendit deri në SPAK.
Kur ky fjalim mbahet në një vigjilje Pashkësh, nga një klerik katolik që për më tepër mban pozicionin e lartë të arkipeshkvit, çdo fjalë merr kuptim të veçantë.  Dhe pasi t’i zbërthesh të gjitha me kujdes, do të gjendesh përballë një humbelle, që tenton të të thithë në thellësinë e kraterit të saj, por që t’i me besimin tënd ia del të mos biesh brenda e të mbijetosh.
Ndaj unë do të doja që në këtë shkrim të shkurtër të mund të përcillja sadopak nga fjala e tij. Nëse mundem ta bëj një gjë të tillë, dhe nëse dikush arrin t’i përthithë ato qoftë dhe nga përcjellësi i dorës së dytë.
Imzot Dodaj, në fjalimin e tij mbresëlënës tha aq sa do të duhej të thuhej, dhe çdo orvatje për ta veshur me të përngjashme nuk do të bënte gjë tjetër veçse do t’i prishte bukurinë. Sepse siç tha vetë ai: “Ata që besojnë në Krishtin e ringjallur e çojnë kokën lart, shkëputen nga interesat e tyre banale, mediokre e kalimtare. Nuk kanë frikë ta shpallin bukurinë e së vërtetës. E vërteta pa bukurinë është vrastare. Bukuria me të vërtetën manifeston mëshirën dhe dashurinë hyjnore”.
Ne jetojmë në një periudhë krizash. Kriza politike, kriza financiare, dhe mbi të gjitha kriza idesh. Gjithçka ka kaluar në stanjacion. Asgjë nuk po lëviz. Dhe nëse nuk lëviz, padyshim kriza do të bëhet më e thellë. Ndaj kjo ka sjellë dhe një degradim moral. Këtu më vjen në ndihmë një nga sentencat e fjalimit të imzot Dodajt i cili tha: “Jo rrallëherë jeta dhe dinjiteti i njeriut vuajnë çekuilibrin, kur janë shkelur të drejtat e punëtorëve në kategori të ndryshme nga fermerët e thjeshtë tek punëtorët e fasonerive, nga pensionistët me të ardhura të pamjaftueshme tek ata persona me aftësi të kufizuara të cilëve iu mungon një mbështetje më e përshtatshme, nga studentët me premtime të pambajtura tek të rinjtë, pre e krimit të organizuar dhe e përdorimit të substancave narkotike, nga familjet që shpeshherë nuk arrijnë të plotësojnë nevojat dhe ëndrrat e fëmijëve të tyre, e më keq akoma, tek dimri demografik të shumë lindjeve të munguara, shpeshherë si pasojë e varfërisë edhe në vendin tonë”.
A jemi të gjithë në një mendje se çfarë u tha është mëse e vërtetë? A mund të ketë opozitë më të fortë se kjo? Më e fortë se ajo që u shua me gazin lotsjellës, dhe nga çfarë pretendohet se “luftohet” në Kuvend? A ka të vërteta më të hidhura të thëna me shumë elegancë në një vigjilje feste, por që nënkuptojnë tone të ashpra e me dinjitet. Sepse duhen vetëm kaq pak rreshta për ta thënë në mënyrë sintetike atë që vlon përbrenda, që derdhet në tryeza kafenesh, por nuk arrin dot të shpërthejë.
Shtëpia jonë e përbashkët është si anija që po mbytet. Titaniku jep sinjale alarmi, por “Kalifornia” bën sikur s’e dëgjon sinjalin SOS”, ndërsa “Karpatia” është ende larg për t’i dhënë një dorë shpëtimi. Katastrofa është në prag. Ndaj njerëzit po ia mbathin nga rreziku. Hipin nëpër varka duke iu turrur... Gjermanisë, se Italia e Greqia nuk kanë më vende bosh.
Pra kemi nevojë vëllezërit e mi për Pashkë, për ringjallje, për rilindje, për risi, në shoqëri, në politikë në sipërmarrje dhe në edukim, për të rimëkëmbur një popull që përballë sfidave i dorëzohet tundimit të emigrimit, përballë mosrealizimit të premtimeve i dorëzohet indiferencës, përballë padrejtësisë i dorëzohet heshtjes” – do të citoja sërish një pjesëz nga fjalimi i Kryearqipeshkvit të Arqidioqezës. Dhe sërish jemi tek të vërtetat e hidhura, që po t’i thotë një deputet do të duket si tallje.
E në fund të fundit Arjan Dodaj, nuk është politikan dhe si njeri i fesë natyrisht ka optikën e tij të të perceptuarit të fenomeneve kur thotë se: “Krishti është shpresa jonë... Këtë mbrëmje ne nuk po bëjmë një shfaqje, nuk po zhvillojmë një teatër, nuk po manifestojmë një shou. Ne me të vërtetë takojmë Krishtin e ringjallur”.
Ndërkohë që për shumë shqiptarë të tjerë, shpresa e tyre nuk mund të jetë kurrsesi Krishti, sepse për ta është... është kryetari i partisë së rrethit, deputeti i zonës, ministri apo vetë kryeministri ynë.
Vëllezërit e mi, duhet ta pyesim veten: a besojmë akoma në forcën e dashurisë? A dimë akoma të dashurojmë? A lejojmë akoma të dashurohemi dhe a presim që dikush të na dashurojë? Kemi humbur “Abc”-në e jetës. Kemi humbur atë që është forma më klasike dhe më e thjeshtë e fillimit të jetës”.
Ja, kjo është ajo që na bën me dije ky klerik i lartë, detyra e të cilit është të kujdeset për grigjën e tij e t’ua thotë në sy atë çka nuk shkon në jetët e tyre. Dhe pas kësaj, ai do të bënte një tjetër thirrje: “Ta ndërtojmë së bashku jetën me shumë përgjegjësi në vendin tonë. Ftoj bashkëkombësit e mi shqiptarë që së bashku të marrin përgjegjësinë që ta mundin errësirën që gllabëron shoqërinë në rrugën pa dalje ku është futur e që është korrupsioni... Të çlirohemi nga borxhi që ndjejmë përmes ryshfetit kur kërkojmë një vend pune... Të çlirohemi nga borxhi për të dhënë një bakshish përballë të drejtës që çdo njeri të ketë një kurë mjekësore...”.
Jemi vërtetë në ditë të hallit përderisa një natë e madhe feste që i duhet kushtuar besimit hyjnor, merremi gjerësisht me perversitetet tokësore që na kanë mbuluar tërësisht. Dhe kjo është trishtuese, po aq sa njerëzit që me torba mbi shpatulla nisen të kërkojnë “eldoradon”.
Ndaj të gjithë ne si shqiptarë, të krishterë e jo të tillë, nëse duam të dimë se nga se vuan shoqëria sot e të marrim ca mesazhe kuptimplota, le ta ndjekim fjalimin e Imzot Arjan Dodajt, Arqipeshkvit të Tiranës dhe Durrësit bashkë, dhënë në Vigjiljen e Pashkës Katolike. Është lehtësisht e gjetshme. Është lehtësisht e dëgjueshme.


Friday, April 15, 2022

Shqiptarët, ky popull qiradhënës e qiramarrës


Nga 
Leonard Veizi
 
Ne jemi nga ata që e përballojmë krizën me sukses. Rriten çmimet e ujit, bukës, karburantit..., rriten dhe çmimet e qirave.
-Po jeta po shtrenjtohet përditë mor baba, një frangë kripa, - i thoshte të atit djali i tij, që kërkonte të punonte hamall, një me Hodo Leckamanë, pikërisht te depot e pushtuesve italianë.
Por i ati ishte shqiptar i vërtetë. Duke i bërë hyzmetin tokës ku prodhonte zarzavatet e stinës ia pret shkurt të birit:
-Lene atë muhabet. Bukë e hije në shtëpi. Le të shtrenjtohet kripa, le të shtrenjtohen edhe barishtet.
Batutat janë shkëputur nga filmi "Në fillim të verës" prodhim i Kinostudios “Shqipëria e Re”, i vitit 1975, me regji të Gëzim Erebarës, e skenar nga Peçi Dado.
Por atëherë flitej për vitet e Luftës së Dytë Botërore. Sot jemi në mijëvjeçarin e ri. Shqiptari i ri ka të tjera terbjete.
Jeta është shtrenjtuar vërtetë, se nuk mjaftoi Covidi, por ia plasi dhe lufta në Ukrainë. Mirëpo veç panikut të dy ditëve të para dhe tre demonstratave në katër ditët pasardhëse, shqiptarët e morën veten dhe i thanë krizës tutje. Padyshim, në ndihmë erdhi dhe shtesa sociale prej 30 mijë lekësh të vjetra për pensionistët në nevojë. Dhe një bord i ngritur nga Qeveria u kujdes për mbajtjen e çmimit të karburanteve... në nivele katastrofe.
Mirëpo, çuditërisht dhe fare papritur, kriza u zbut.
Po si u zbut, do pyesni ju?
Ja ashtu, si me marifet.
Ne si shqiptarë, tani dhe më parë se kaq, kemi jetuar dhe jetojmë si pashallarët. Se për punë pak ia thekim.
-Burrat nën hije lozin kuvendojnë...
Edhe në të kaluarën, më qejf kishim të shkruheshim xhandarë, të kapardiseshim me gradat e kapterit nëpër qytet e të merrnim një rrogë shteti se sa t’i futeshim parmendës.
-Unë ç’është e vërteta punën mund të mos e kem shumë qejf, - do të thoshte Jovan Bregu i Adelina Balashit tek komedia “Pallati 176”, - por për sa e njoh veten kështu, unë për të ndershëm e njoh.
Ja, kështu sintetizohet marrëdhënia e shqiptarit me mjetet prodhuese, sa me pak fjalë përmblidhet në një batutë komedie.
Por ne si shqiptarë, edhe kur nuk punojmë vetë, dimë të vëmë të tjerët të punojnë për ne. Domethënë, do apo nuk do, një pjesë e shqiptarëve do të punojnë sa do t’u kullojë djersa në ulluk, e t'u bjerë bretku që pjesa tjetër e shqiptareve të jetojnë si pashallarë. Dhe kjo vjen vetëm ngaqë dimë të japim gjithfarë gjërash me qira.
Shkurt, ne jemi një popull qiradhënës e s’kemi lënë gjë pa dhënë me qira.
Puna e një shqiptari është të bëjë paratë sa të blejë dy shtëpi se pastaj zgjidhet vetë çështja. Një shtëpi e mban të nakatoset me gruan, e shtëpinë tjetër e jep me qira. Edhe pensioni i shtetit nuk i hyn në punë fare. Le po të ketë pasur shtëpinë në kat të parë e ta ketë kthyer në lokal, as rroga e xhandarit nuk i bën fajde. Tani, jo se nuk jemi punëtorë, si shqiptarë. Por ne punojmë e sërish të fundit në Europë kemi mbetur. Kjo me sa duket do të thotë që nuk punojmë dhe aq fort, ose nuk kemi teknika pune shumë frytdhënëse. Kështu që, i kemi dhënë karar. Japim me qira çdo gjë të dhënshme. Dhe po u rritën ëmimet e produkteve të shportës, hop, ngrihet dhe qiraja. Kriza nuk ndihet fare.
-Sa e mban cjapin or mik?
Dialogu mund të jetë si stisur, e i montuar me batuta filmash, por ngjarja është e vërtetë.
-S’e kam për ta shitur. E jap me qira. Cjap i mirë, cjap race. E kam të Gjokës së Bardhë. Ma ka lindur tri vjet më parë. E kam pritur ke këto dy duar. Kush nuk ma kërkon për të mbarsur dhitë. Fshat më fshat shkoj.
Të keqen e cjapit. Bëj qejf vëlla, bëj... Se kisha dëgjuar për kuaj race, edhe për dema race, si puna e Nuredinit.
-Nuredini është dem.
-Ça thua ore, Nuredini dem?
Me të drejtë, Nuredinit i vareshin poturet, si kokosh i ngordhur, kërkonte të bënte dhe demin. Por, në fakt, një të drejtë e kishte, se kur e jepte me qira, dem bëhej vërtet.
-Demek e paske cjapin zhigolo?
-Jo a derëbardhë, se cjap është.
Le më ne si shqiptarë, kur i futemi gjyqeve e marrim ndonjë pronë të majme. Atëherë po, e vëmë festen mbi sy. Shtëpi me qira, lokale me qira, tokën me qira, kafshët e oborrit me qira... Ja kështu vete kjo punë. Një pjesë punojnë e u del xhani të paguajnë të gjitha detyrimet me faturë, të tjerët rrinë e trashen duke pritur lekët e qirasë.
-Ore, kaloi ora e s'më ke dhënë lekët e qirasë, - të mbin qiradhënësi te pragu i shtëpisë.
Pjesa më e madhe e Shqipërisë është dhënë me qira. Edhe pyjet, edhe deti, edhe ajri... se kalojnë avionët jo për gjë. Ka konventa për këtë punë.
Po të pyesësh shqiptarët që rrinë tërë ditën e ditës o në kafe o në mejhane të thonë se e kanë një pronë të dhënë me qira, se nuk duan të punojnë vetë si banakierë te lokali, edhe tokën nuk duan ta lërojnë se u bëhen duart me kallo. Ka hallexhinj plot që vijën e punojnë në tokat tona.
Dhe ja kështu...
-Do thoni ju: turp. Turp sa s’ka ku të vejë, se ne jemi dhe me biografi të mirë...
Por ne si shqiptarë kemi dhe një gjë tjetër të mirë, kur e kemi në përdorim atë pak pronë që na takon. Në një lokal 15 metra katrorë, punojnë banakierë e kamerierë,.. edhe pastruese, por pronari vetëm sa vëzhgon punën dhe del të bëjë ndonjë xhiro me makinë. Pse pronari do punojë?! Gjithë ai lokal, i bën a s’i bën 10 kafe në ditë. Po del për të gjithë, dhe për pagat e punonjësve dhe për sigurimet shoqërore e mjekësore, dhe për taksat e tatimet, edhe për qiranë, por, dhe pronarit i mbeten ca pare në xhep, që kafenë ta pijë te lokali përkarshi, ku me ymër të Zotit mund t’i lërë dhe një bakshish të mirë kamerierit.
"Sa të rrojmë do mësojmë", - është një fjalë e urtë e popullit tonë qiradhënës.
E popull, popull, sa shumë gjëra bëhen nën emrin tënd... Bile dhe Lartmadhnia flet në emrin tënd...
 

Friday, April 8, 2022

Pagesat e frikës së një jete të frikshme!


Nga Leonard Veizi
 
Jetojmë në grackën e jetës së vdekshme. Nuk është zbulim, por përforcim i dialektikës minore të sanksionuar që në kohën kur njerëzimi u bë i arsyeshëm.
Njeriu është i projektuar për të qenë pjesë e një rrethi vicioz nga i cili nuk është i aftë të dalë dot. Ai mbetet rob i saj. Më saktë, çmimin e lirisë e ka të barabartë me vdekjen e tij.
Ai duhet të jetë një skllav në ngrehinën që vetë e ka ngritur. Dhe për t’i mbijetuar kaosit ka vënë në funksion një skemë marramendëse pagese e taksimi.
“Pagesa e frikës” është një roman me titullin origjinal "Le salaire de la peur", i shkruar nga shkrimtari francez Zhorzh Arnaud, i cili më pas u prodhua dhe si film nga regjisori Henri-Zhorzh Kluzo. Është një thriller klasik plot tension ku flitet për burrat që nuk kanë asgjë për të humbur në një vend shumë të vështirë për të jetuar. Zgjedhja e tyre është e thjeshtë: të largohen nga ai vend ose të vdesin. Ata marrin një pagesë për të transportuar një ngarkesë të frikshme në një udhëtim të frikshëm. Por ata duhet të jenë gjallë për aq kohë sa zgjat dhe udhëtimi. Dhe nëse ngarkesa shkon në destinacionin e kërkuar, jeta e tyre nuk ka më asnjë vlerë. Pagesa, e cila gjithashtu është një “pagesë frike”, sërish është pa vlerë. Sepse në fund të gjithë vdesin edhe pse detyrimet janë shlyer.
Qenia njerëzore është e brishtë, dhe në një planet të egër me gjithfarë qeniesh të tjera të gjalla vështirë të kishte mbijetuar nëse nuk do të kishte të zhvilluar trurin, për aq sa fillimisht të shpikte rrotën. Dhe rrota është si rrethi, ai viciozi nga i cili nuk del dot.
E dini cili është kuptimi i togfjalëshit “rreth vicioz”: Një rreth vicioz është një problem ose situatë e vështirë që ka efektin e krijimit të problemeve të reja, të cilat më pas bëjnë që problemi ose situata origjinale të përsëritet.
Populli ynë e ka shprehur me një filozofi më të thjeshtë të gjithë këtë, kur ai thotë: jep 1 lek e hyn në valle, jep 100 e nuk del dot.
Ne jemi në grackën e jetës së vdekshme. Dhe shpejtojmë të shkojmë drejt vdekjes me gëzim të madh. Sepse kërkojmë të shpëtojmë nga tërësia e problematikës së jetës. Por, dhe që të shkosh deri tek vdekja, ka një kosto shumë të madhe. Dhe mbi të gjitha, nuk është kaq e lehtë, sepse ti nuk mund të vdesësh asnjëherë pa shlyer të gjitha detyrimet që të tjerët të kanë ngarkuar mbi shpinë.
A mos duket si tepër fataliste?
Është vërtetë një pesimizëm i shëmtuar, por po të bësh një bilanc të vogël arrin ta kuptosh, - edhe atëherë kur nuk do, - se gjithë jeta jote në mos ka shkuar për dhjamë qeni, do të shkojë me siguri. Sepse fuqia jote punëtore ka shkuar në dobi të dikujt tjetri. Dhe në fund fare, të gjitha të ardhurat që ke marrë nga djersa që të ka kulluar, i ke lënë sërish një e më një, ose të kanë detyruar t’i lësh një e më një. Jemi si në një fushë bixhozi, ku nuk fiton askush veç atij që drejton lojën. Dhe kur vjen dita, ti shkon drejt banesës së fundit krejt lakuriq, ashtu siç duhet në fakt.
Por nuk është këtu thelbi i çështjes.
Sot hapësirat janë të gjitha të zëna, ndërsa ti si krah i thjeshtë pune je veç një pagues i rregullt i faturave të tua. Ti duhet të jetosh vetëm sepse duhet të paguash. Dhe për këtë merr gjithmonë një “pagesë frike”. Për asgjë tjetër nuk vlen. Sepse pjesa tjetër jotja, vetëm ndot planetin. Dhe si ndotës i pariparueshëm t’i përsëri dhe në mënyrë të vazhdueshme duhet të paguash dhe për ato që nuk ke përse..., dhe për ato që nuk të nevojiten, dhe për ato që t’i stimulojnë.
Ti sot nuk ke emër, por vetëm një numër shasie në databazën themeltare. Për ty thonë se je një taksapagues, dhe si i tillë të japin mundësi për të marrë kredi në bankë. Dhe që këtu ta kanë zënë kokën me derë, e ti nuk mund të lëvizësh më. Me këto para kredie duhet të blesh një shtëpi dhe automobil. Por mund të blesh dhe gjithfarë sendesh personale, varet nga shuma që ke kërkuar në aplikacion. Do të të duhen 20-30 vjet për t’i shlyer bashkë me interesat. Që nga ky çast askush nuk është i interesuar që t’i të vdesësh. Sepse t’i duhet të shlyhesh borxhet duke u futur në borxhe të tjera. Ti duhet të jetosh me pikatore, të punosh fort, të bësh çdo ditë shpenzimet e radhës dhe të shlyesh faturat çdo fund muaji. Ky është rrethi vicioz nga i cili as që ke shans të dalësh. Dhe ke mbetur gjithë jetën një skllav, ose një rob... ose... Mund t’i vendosësh çfarëdolloj emri të duash sepse përmbajtja është e njëjtë.
Sepse nuk ka për të t’u dhënë mundësia që t’i ta kapësh veten aq shumë sa t’i hedhësh hallet tutje. Me punë të ndershme jo e jo një herë. Me punë të pista ta bëjnë gropën shpejt e shpejt dhe ti futesh në një tjetër burg, ku faturat nuk do të të ndahen dhe ti je i detyruar t’i paguash një më një dhe pa bërë zë. Por nuk ka shans të hedhësh zaret dhe të të bjerë fati nga qielli. Sepse e gjitha është një algoritëm i programua i cili të ka krijuar idenë se tek makineta e fatit ku ti ke futur paratë, ke humbur për fare pak dhe në mos këtë herë, radhën tjetër me siguri do të fitosh.
Por ti nuk fiton asnjëherë.
Ti nuk ia del dot as me jetën në komunitet, madje as me pushtetin lokal dhe as atë me qendror, as me sistemin e taksave dhe as me atë të gjobave. Nuk ia del dot as me drejtësinë, por nuk ia del dot as me shëndetësinë!
Ti ke për të qenë gjithmonë një pacient që do marrësh medikamente edhe kur nuk i ke të nevojshëm, sepse je pjesë e sistemit që duhet të paraqitesh me se s’bën sa në klinikë për ekzaminim, aq dhe në një farmaci. Ti ke 36 dhëmbë dhe do të shkosh te stomatologu yt shumë herë më tepër se kaq. Por ti je bërë po aq rob i dhjetëra ilaçeve të cilat në përmbajtjen e tyre të qartësojnë për të mirat dhe efektet anësore: se të qetësojnë dhimbjen e kokës, stimulojnë zemrën, hollojnë gjakun, ulin tensionin, rregullojnë diabetin, normalizojnë reumatizmën...
Ti do të jesh një klient i përhershëm, sepse je i detyruar të blesh cigare e alkool me akcizë të rritur dhe pije të sheqerosura. Nuk ke mundësi të bësh ndryshe, sepse tregu këtë të afron. Ti do marrësh drogë, - nëse je përdorues i saj, sigurisht, - te shitësi ambulant me çmim të pareduktuar, sepse edhe pse gjithkund bëhet një luftë e madhe kundër trafikut të narkotikëve, droga shitet kudo... por me çmimin që duhet.
Energjia që t’i shpenzon ka një sahat matës që të taton, edhe pse në fakt dielli të jep një sasi jashtëzakonisht të madhe energjie free. Por jo, ti do ta marrësh energjinë ose nga një hidrocentral, ose nga një central bërthamor, me një kosto shumë më të lartë.
Ti duhet të paguash për oksigjenin që thith, dhe për këtë arsye të detyrojnë të mbash një maskë të thjeshtë – duke të bombarduar me informacion se ajri është i ndotur, - që me gjasa nesër do të jetë një më e sofistikuar dhe shumë më e shtrenjtë natyrisht.
Ti duhet të bësh një dozë vaksine,... dy doza, edhe të tretën, sepse po të mos jesh i vaksinuar nuk të ngrihet trau i doganës dhe ti do të mbetesh edhe më i izoluar brenda rrethit vicioz.
Ti nuk ia del dot se nëse tokën ta kanë zënë dhe kërkon dëmshpërblim, do të zvarritesh në vite në dyert e gjykatave, do të lësh shumë më tepër para se sa ka vlerën prona jote dhe sërish nuk do ta përfitosh atë. Këto gjithashtu janë “pagesa frike”.
Ti nuk ia del dot po re në dorë të prokurorit se ai do të të mbërthejë prej fyti, jo për të të mbytur, por për të bërë biznes me jetën tënde, nëpërmjet një tjetër “pagese frike”.
Të gjithë elementët që na i ka falur natyra ti duhet të paguash për t’i pasur. Edhe ujin, edhe oksigjenin... edhe varrin në fund të fundit.
Ne jetojmë në rrethin vicioz e të padepërtueshëm, nga ku edhe nëse nuk do të shtyjnë të hysh. Edhe nëse do të dalësh nuk të lë kush. Ti del prej aty vetëm me vdekjen tënde. Prandaj shpejtojmë aq shumë për të shkuar drejt saj.
Është një disfatizëm ekstrem. E di.
Por gjithsesi, edhe me optimizmin më të lartë nuk ke për t’ia dalë dot kurrë...
 


Wednesday, April 6, 2022

Vaçe Zela, diva shqiptare e muzikës së lehtë


Nga Leonard Veizi

 
Është folur në vazhdimësi për emra këngëtaresh të reja, të cilat mund të ishin pasardhëse të denja për t’u ulur në fronin e mbretëreshës. Ndoshta diku, për “iks” arsye, apo për një “ypsilon” të tillë, ato mbetën në mes të rrugës. Dhe nuk u kurorëzuan dot në fron edhe pse e pretendonin fort. Sepse për nga shtrirja vokale e saj dhe fuqia e interpretimit mbretëresha e vërtetë dhe e pa rënë nga froni mbetet ende me një rekord të pakapërcyeshëm...
 
...Kush tha se 7 prilli i vitit 1939 ka qenë vetëm një ditë e zezë për Shqipërinë. Sepse çdo gjë, kudo dhe kurdoherë janë dy faqe të medaljes. Dhe 7 prilli i vitit 1939 i cili është i lidhur ngushtësisht në kujtesën e shqiptarëve me atë të pushtimit fashist të atdheut, nuk është vetëm një ditë që duhet parë bardhezi. Pasi pikërisht në një 7 prill të tillë u lind ajo që do të kthehej në një mit, këngëtarja e rrallë për shqiptarët dhe jo vetëm, Vaçe Zela.
 
Karriera
Ishte dhe mbetet një ikonë e skenës shqiptare të këngës. Lindi në Lushnjë, por jetën e saj aktive të interpretimit e pati në Tiranë.
Për të thuhet se e filloi karrierën e saj në moshë shumë të re. Ndërsa 26 dhjetorin e vitit 1962, - që përkon me Festivalin e parë të Këngës në Radio, - fitoi çmimin e parë. Dhe kënga titullohej “Fëmija i parë”. Dhe ishte gjithashtu e para në një festival të parë që merr çmimin e parë. Atëherë ishte një vajzë e re, vetëm 23 vjeçe. Për shans rastësor apo për atë çfarë yjësia kishte paracaktuar për të, ajo do të mbetej po e parë gjatë gjithë karrierës së saj.
Por ditët e fundit të vitit 1962, përmes valëve të radios ku transmetohej Festivali i Këngës, Vaçe Zela dëshmoi se bashkë me lindjen e “Fëmijës së Parë” kishte lindur gjithashtu dhe idhulli i muzikës së lehtë shqiptare.
Fituese e çmimeve të para në 12 festivale të këngës, - duke vendosur kështu një tjetër rekord të pakalueshëm, -Vaçe Zela fitoi një famë të madhe gjatë viteve të ndërtimit socialist të vendit, dhe në vitin 1973 iu dha titulli “Artist i Merituar”. Vetëm pak kohë më pas, në vitin 1977 asaj do t’i jepej edhe titulli i lartë “Artist i Popullit”. Por Vaçe Zela ishte dhe diamanti mbi margaritarë tek përfaqësimet e Shqipërisë në turnetë ndërkombëtare që zhvillonte në ato vite Ansambli i Këngëve dhe i Valleve Popullore. Ndaj kudo që shkonte do të merrte duartrokitje pa fund.
Në vitet liberale të demokracisë, për Vaçe Zelën shkruhet se mbeti ndër të rrallat e nderuar në të gjallë me Urdhrin "Nderi i Kombit" të cilin ia akordoi presidenti Alfred Moisiu më 24 dhjetor 2002 me motivacionin: “Për vlerat e rralla si Artiste e Shquar, me popullaritet të jashtëzakonshëm, për interpretimin mjeshtëror të këngës së muzikës së lehtë dhe asaj popullore, për pasurinë e vyer që krijoi në shkollën shqiptare të interpretimit muzikor.”
Vetëm dy rreshta për t’i thënë të gjitha.
Repertori i  këngëtares Vaçe është më shumë se i pasur. Numërohen me dhjetëra këngë popullore, të lehta, kantata, balada, etj., të interpretuara prej saj. Këngë si “Djaloshi dhe shiu”, “Lemza”, “Sot jam 20 vjeç”, “Valsi i lumturisë”, “Mesnatë”, “Gjurmë të arta”, “Kënga e gjyshes”, “Të lumtur të dua”, “Nënë moj do pres gërshetin”, “Gonxhe në pemën e lirisë”, “Shoqet tona ilegale”, etj, kanë mbetur në fondin e artë të muzikës shqiptare. Por Vaçe Zela ka dhënë një kontribut të rëndësishëm edhe në muzikën e filmit, ku ka interpretuar disa këngë si kolonë muzikore e filmave të prodhuar nga Kinostudio “Shqipëria e Re”. Ndaj nuk mund të harrohen kolonat e filmave “Në shtëpinë tonë” apo “Fillim i vështirë” të dyja kompozime të të mirënjohurit Aleksander Peçi.
 
Vlerësimet
Asaj i është vënë shenja e barazimit herë me Edit Piafin e francezëve, e herë me Minën italiane. Por për shqiptarët ka qenë dhe mbetet e papërsëritshme si këngëtare, dhe e vetme në llojin e saj. Sepse shqiptarët kishin matësin e tyre, dhe ajo ishte Vaçe Zela.
Kompozitorët gjithashtu do t’i besonin vetëm asaj krijimet e tyre të vështira. Ndaj vetëm ajo mund ta interpretonte këngën: “Për ty Atdhe” të barasvlershme me atë të një baritoni si Mentor Xhemali.
Duke folur për veçoritë vokale të Vaçe Zelës, një maestro si Ferdinand Deda do të shprehej se ajo “përdorte një mjeshtëri të veçantë të kënduari, ku gjenin vend ngjyrime të shumta”.
Mjeshtri tjetër i muzikës shqiptare, Avni Mula, është shprehur se: “Vaçja kishte një inteligjencë natyrale”. Ndërsa këngëtari fort i njohur Luan Zhegu do të thoshte: “Vaçja ishte e lindur si talent. Kishte një zë brilant dhe këndoi gjithmonë “dal vivo”. Kjo mënyrë e të kënduarit i jepte vokalit të saj një amplitudë të madhe”.
 
Epilogu
Vaçe Zela u largua nga jeta aktive skenike në vitin 1981. Në jetëshkrimin e saj zyrtar thuhet se ishte e martuar me Pjetër Rodiqin dhe së bashku kanë vajzën e tyre Irma. Por Vaçe Zela është dhe motra e një tjetër këngëtari të rrallë të muzikës popullore, Hysni Zela. Që prej viti 2002 Vaçe Zela jetoi me bashkëshortin e saj në Bazel të Zvicrës, për të marrë një kujdes më të mirë për shkak të problemeve shëndetësore që i ishin shfaqur asokohe.
U nda nga jeta më 6 shkurt të vitit 2014, në moshën 75–vjeçare.
Për nder të këngëtares, me rastin e 70-vjetorit të saj viti 2009 u shpall nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve si “Viti Vaçe Zela”. Kinoteatri i qytetit të saj të lindjes, Lushnjes, gjithashtu iu vu emri “Vaçe Zela” së bashku me një shtatore prej bronzi. Së fundi, edhe një rrugë në Tiranë mban emrin “Vaçe Zela”.
Por Vaçe Zela është përfshirë edhe në librin e 500 personaliteteve me më shumë influencë në botë, e vetmja shqiptare që mori këtë çmim nga Instituti i Biografive në Amerikë.
Dhe kaq... sepse çmimet në nder të saj vazhdojnë...