Wednesday, April 6, 2022

Vaçe Zela, diva shqiptare e muzikës së lehtë


Nga Leonard Veizi

 
Është folur në vazhdimësi për emra këngëtaresh të reja, të cilat mund të ishin pasardhëse të denja për t’u ulur në fronin e mbretëreshës. Ndoshta diku, për “iks” arsye, apo për një “ypsilon” të tillë, ato mbetën në mes të rrugës. Dhe nuk u kurorëzuan dot në fron edhe pse e pretendonin fort. Sepse për nga shtrirja vokale e saj dhe fuqia e interpretimit mbretëresha e vërtetë dhe e pa rënë nga froni mbetet ende me një rekord të pakapërcyeshëm...
 
...Kush tha se 7 prilli i vitit 1939 ka qenë vetëm një ditë e zezë për Shqipërinë. Sepse çdo gjë, kudo dhe kurdoherë janë dy faqe të medaljes. Dhe 7 prilli i vitit 1939 i cili është i lidhur ngushtësisht në kujtesën e shqiptarëve me atë të pushtimit fashist të atdheut, nuk është vetëm një ditë që duhet parë bardhezi. Pasi pikërisht në një 7 prill të tillë u lind ajo që do të kthehej në një mit, këngëtarja e rrallë për shqiptarët dhe jo vetëm, Vaçe Zela.
 
Karriera
Ishte dhe mbetet një ikonë e skenës shqiptare të këngës. Lindi në Lushnjë, por jetën e saj aktive të interpretimit e pati në Tiranë.
Për të thuhet se e filloi karrierën e saj në moshë shumë të re. Ndërsa 26 dhjetorin e vitit 1962, - që përkon me Festivalin e parë të Këngës në Radio, - fitoi çmimin e parë. Dhe kënga titullohej “Fëmija i parë”. Dhe ishte gjithashtu e para në një festival të parë që merr çmimin e parë. Atëherë ishte një vajzë e re, vetëm 23 vjeçe. Për shans rastësor apo për atë çfarë yjësia kishte paracaktuar për të, ajo do të mbetej po e parë gjatë gjithë karrierës së saj.
Por ditët e fundit të vitit 1962, përmes valëve të radios ku transmetohej Festivali i Këngës, Vaçe Zela dëshmoi se bashkë me lindjen e “Fëmijës së Parë” kishte lindur gjithashtu dhe idhulli i muzikës së lehtë shqiptare.
Fituese e çmimeve të para në 12 festivale të këngës, - duke vendosur kështu një tjetër rekord të pakalueshëm, -Vaçe Zela fitoi një famë të madhe gjatë viteve të ndërtimit socialist të vendit, dhe në vitin 1973 iu dha titulli “Artist i Merituar”. Vetëm pak kohë më pas, në vitin 1977 asaj do t’i jepej edhe titulli i lartë “Artist i Popullit”. Por Vaçe Zela ishte dhe diamanti mbi margaritarë tek përfaqësimet e Shqipërisë në turnetë ndërkombëtare që zhvillonte në ato vite Ansambli i Këngëve dhe i Valleve Popullore. Ndaj kudo që shkonte do të merrte duartrokitje pa fund.
Në vitet liberale të demokracisë, për Vaçe Zelën shkruhet se mbeti ndër të rrallat e nderuar në të gjallë me Urdhrin "Nderi i Kombit" të cilin ia akordoi presidenti Alfred Moisiu më 24 dhjetor 2002 me motivacionin: “Për vlerat e rralla si Artiste e Shquar, me popullaritet të jashtëzakonshëm, për interpretimin mjeshtëror të këngës së muzikës së lehtë dhe asaj popullore, për pasurinë e vyer që krijoi në shkollën shqiptare të interpretimit muzikor.”
Vetëm dy rreshta për t’i thënë të gjitha.
Repertori i  këngëtares Vaçe është më shumë se i pasur. Numërohen me dhjetëra këngë popullore, të lehta, kantata, balada, etj., të interpretuara prej saj. Këngë si “Djaloshi dhe shiu”, “Lemza”, “Sot jam 20 vjeç”, “Valsi i lumturisë”, “Mesnatë”, “Gjurmë të arta”, “Kënga e gjyshes”, “Të lumtur të dua”, “Nënë moj do pres gërshetin”, “Gonxhe në pemën e lirisë”, “Shoqet tona ilegale”, etj, kanë mbetur në fondin e artë të muzikës shqiptare. Por Vaçe Zela ka dhënë një kontribut të rëndësishëm edhe në muzikën e filmit, ku ka interpretuar disa këngë si kolonë muzikore e filmave të prodhuar nga Kinostudio “Shqipëria e Re”. Ndaj nuk mund të harrohen kolonat e filmave “Në shtëpinë tonë” apo “Fillim i vështirë” të dyja kompozime të të mirënjohurit Aleksander Peçi.
 
Vlerësimet
Asaj i është vënë shenja e barazimit herë me Edit Piafin e francezëve, e herë me Minën italiane. Por për shqiptarët ka qenë dhe mbetet e papërsëritshme si këngëtare, dhe e vetme në llojin e saj. Sepse shqiptarët kishin matësin e tyre, dhe ajo ishte Vaçe Zela.
Kompozitorët gjithashtu do t’i besonin vetëm asaj krijimet e tyre të vështira. Ndaj vetëm ajo mund ta interpretonte këngën: “Për ty Atdhe” të barasvlershme me atë të një baritoni si Mentor Xhemali.
Duke folur për veçoritë vokale të Vaçe Zelës, një maestro si Ferdinand Deda do të shprehej se ajo “përdorte një mjeshtëri të veçantë të kënduari, ku gjenin vend ngjyrime të shumta”.
Mjeshtri tjetër i muzikës shqiptare, Avni Mula, është shprehur se: “Vaçja kishte një inteligjencë natyrale”. Ndërsa këngëtari fort i njohur Luan Zhegu do të thoshte: “Vaçja ishte e lindur si talent. Kishte një zë brilant dhe këndoi gjithmonë “dal vivo”. Kjo mënyrë e të kënduarit i jepte vokalit të saj një amplitudë të madhe”.
 
Epilogu
Vaçe Zela u largua nga jeta aktive skenike në vitin 1981. Në jetëshkrimin e saj zyrtar thuhet se ishte e martuar me Pjetër Rodiqin dhe së bashku kanë vajzën e tyre Irma. Por Vaçe Zela është dhe motra e një tjetër këngëtari të rrallë të muzikës popullore, Hysni Zela. Që prej viti 2002 Vaçe Zela jetoi me bashkëshortin e saj në Bazel të Zvicrës, për të marrë një kujdes më të mirë për shkak të problemeve shëndetësore që i ishin shfaqur asokohe.
U nda nga jeta më 6 shkurt të vitit 2014, në moshën 75–vjeçare.
Për nder të këngëtares, me rastin e 70-vjetorit të saj viti 2009 u shpall nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve si “Viti Vaçe Zela”. Kinoteatri i qytetit të saj të lindjes, Lushnjes, gjithashtu iu vu emri “Vaçe Zela” së bashku me një shtatore prej bronzi. Së fundi, edhe një rrugë në Tiranë mban emrin “Vaçe Zela”.
Por Vaçe Zela është përfshirë edhe në librin e 500 personaliteteve me më shumë influencë në botë, e vetmja shqiptare që mori këtë çmim nga Instituti i Biografive në Amerikë.
Dhe kaq... sepse çmimet në nder të saj vazhdojnë...


No comments:

Post a Comment