Thursday, August 26, 2021

Kërcënimet e shtatorit dhe shpëlarja e truve prej shiut të parë


Nga 
Leonard Veizi


Ne jemi në një pritje të vazhdueshme, të përhershme, e të pambarimtë. Domethënë si Godo, që Vladimir dhe Estragon e prisnin poshtë një peme. Drama është shkruar nga nobelisti Samuel Becett, por interpretuesit e saj janë të ndryshëm.
Edhe ne po presim shtatorin, se këtë fillim vjeshte të vitit 2021 çoç do të ndodhë. Me sa duket këtë herë ka ndër mend të plasë. Nuk e kam fjalën te formimi i qeverisë së re, as tek afganët që po vijnë, madje as te bangladeshasit që po marrin kontrata pune për të na dhënë një dorë ndihme nëpër ndërmarrjet e fasonerisë, meqenëse punë ka sa nuk e hanë as qentë, por për djall nuk ka profesionistë. Diçka më e thellë po luhet. Ndaj mezi po e presim këtë shtator.
...nga shtatori në shtator...
Ç'është e vërtetë në vitet ’70, - të shekullit të kaluar, - kur e kishim mirë me Kinën motër dhe aplikonim herë pas here ca elementë të Revolucionit Kulturor, “Tv Tirana” transmetonte një film, të prodhuar nga studiot filmike po kinezë, që titullohej “Nga fitorja në fitore”.
...eeeehhhh...
Që nga vitet 2000 e këndej, - pra nga fillimi i mijëvjeçarit të tretë, - tek shqiptarët iku shija e fitoreve të njëpasnjëshme dhe tashmë është krijuar një sindromë e re, ajo e shtatorit. Pra, si të thuash: “Nga shtatori në shtator”.
Megjithatë, nga kjo sentencë ende nuk është bërë një film, pavarësisht ndonjë skenari të gatshëm që mund të jetë shkruar underground.
Po çfarë do të thotë e gjitha kjo?
Ja ta fillojmë sqarimin:
Drejtësia pret shtatorin që të kapë një peshk të madh. Një peshk që të jetë sa një peshkaqen. Sa një balenë nëse është e mundur. Apo të paktën sa një peshk shpatë, si ai i plakut Santiago, për të cilin na rrëfen Heminguej. Një peshk që dhe kur arrin ta kapësh, nuk e ha dot... Kështu është premtuar prej vitesh nga më të mëdhenjtë e Prokurorisë së Përgjithshme: Peshku i madh do bjerë në grepat e shtatorit. E po nuk ra këtë vit me siguri do bjerë në rrjetën e shtatorit të ardhshëm. S’ka nga vete. Ia kemi zënë shtigjet.
Mirëpo shtatorët kanë kaluar njëri pas tjetrit, dhe në peshkarexhën e lodhur të Drejtësisë janë përplasur vetëm cironka, aq sa mund të presohen në kutitë e fabrikës së Vlorës. Politika gjithashtu starton pikërisht në shtator.
“Hajd se ta tregoj unë ty”, kërcënon i gjati i opozitës atë që është ca më i gjatë e në mazhorancë. Demek do ta rrëzojë me mjete të dhunshme por demokratike, meqenëse ankohet poshtë e lart se i vodhi votat ditën për diell. Dhe aksionin politik, për çudi e ka lënë pas pushimeve, pikërisht në shtator. Pushimet duhen bërë ama. Se ç'është e vërteta vera 2021 ka qenë fort e nxehtë. Duhej përballuar. O në plazh, o në ndonjë vend andej nga Evropa Veriore... edhe në Holandë po po të jetë mundësia.
Në shtator mblidhet dhe seanca e parë e Kuvendit. Pa do bëhet kalendari i ri i punimeve, e do miratohen ligje të reja. Mirato ligje pa fund e mos i zbato... Ec mo...
Në shtator nxënësit fillojnë shkollën. Domosdo. Por në shtator varet dhe fati i studentëve. Jo, kësaj radhe është thënë se në 31 gusht do shpallen fituesit e të drejtat e studimit. Por kjo sa për të prishur syrin e keq. Regjistrimi ama do të nisë në Një Shtator.
Domethënë gjithçka varet nga shtatori.
Le po në shtator nis dhe merkatoja më e madhe e mundshme. Që të mos e marrë kush jangëllësh: flas për merkaton e gazetarëve, jo atë të futbollistëve. Hajde store hajde... “X format televiziv, bashkë me të zotin, kalon nga një kanal në një tjetër kanal”. Të mos ngatërrohemi dhe këtu: Nuk flitet për kanalet kullues ore, as për kanalet e ujërave të zeza.... Se shqipja ka sinonime sa të duash. Flitet për kanale televizive. Se gazetarët me bythë or tungjatjeta, nuk rrinë e të vegjetojnë pas kompjuterit. Ata janë në ballë të... pazareve.
Lekë ore lekë.
Të keqen e gazetarëve... sa të vjen turp të të quajnë të tillë...
Iku dhe kjo punë.
Shtatori.., po pse çdo gjë niska në shtator? Se me hamendje çdo fillim i bie të nisë nga Janari. Me bismilahi, fillim viti...
Normalisht, një shtet serioz funksionon në 12 muajt e vitit. Në 365 ditë, të themi. Ndërsa ne varemi nga shtatori. Vetëm te një muaj. Se pas tij nuk ka më rëndësi se çfarë ndodh.
Mirëpo në pushime, - përgjatë muajit gusht sidomos, - ka një letargji të përhershme..., të përgjithshme të themi. Një shkrehje të administratës publike, dhe të vetë ndërmarrjeve kapitaliste.
Rroftë proletariati, bashkë me klasën punëtore.
Të gjithë pushojnë, të gjithë luajnë pesëkatësh e tavllë dhe të gjithë rrinë e shkoqitin tespihet nën hijen e palmës.
Fati ynë i keq në fakt.
Ndërkohë jemi të destinuar, që të shëllyer në shezllon, në rërë, apo det, të ndjekim dhe lajmet. Të gjitha mediat flasin për shtatorin.
Pika lajmeve.
Aty do të strukturohen të gjitha. Edhe qeveria aty do të organizohet... Edhe Stefan Bardhi...
Fryji zjarrit fryji...
Shtatori nuk ka të bëjë vetëm me prodhimin e rrushit, e për pasojë edhe të rakisë. Në aleancë këtë herë ka hyrë dhe Covidi. Duket sikur përmes gojës së ekspertëve thotë: Hë se ua tregoj unë juve..., në shtator.
Bravo “Covidi”. Duket që ia more dorën. E kuptove lojën, edhe pse virus.
Mirëpo ikën vjeshta dhe ne vazhdojmë të notojmë në ujërat tona. Peshku i madh nuk kapet e nuk kapet dot. Shpresa vdes e fundit, gjithsesi. Dikur do kapet dhe peshku...
Po me të njëjtat kërcënime, ikin 12 muajt e vitit. Shtatori vjen sërish. Sepse Toka rrotullohet rreth Diellit e nuk ka ndër mend të ndalet.
Dhe t’i e kap diçka në rrjetë... Veç nuk e kupton në është peshk, apo ndonjë gaforre...
Hë mo varja...
Mirëpo, pas verës me temperatura të larta vjen shtatori. Dhe shtatori sjell shiun me vete. Ky shi aq shumë i dëshiruar pas të nxehtit përvëlues duket sikur i lan e i shpëlan të gjitha fjalët e premtimet, për t’i çuar në lumin e Lanës, në Erzen, e prej andej të rrjedhin drejt ujërave të Adriatikut. Prej këndej askush nuk mban më përgjegjësi. Sepse, ca milje më tutje janë ujërat ndërkombëtare, dhe aty mund të lundrojë gjithkush... me precedent apo pa precedentë qoftë ai.
...mos e zgjat shumë ore... se pas shtatorit vjen tetori, e me radhë...

Friday, August 13, 2021

Të përligjësh indiferencën e absurdit


Nga Leonard Veizi
 
Megjithëse mesdhetar, si popull jemi goxha indiferent. Dhe indiferenca është gjë e mirë, se do të thotë të mos kesh kureshti e të fusësh hundët dhe aty ku nuk të takon. Por jo në të gjitha rastet është një shenjë pozitive kjo. Sepse ne si popull jemi indiferent dhe për gjera që na bien në kurriz e na këpusin bretkun. Fjala vjen: ne jemi indiferent edhe për ngritjen e çmimeve, edhe për rritjen e taksave... madje dhe kur bie zjarr nuk është se na bën ndonjë përshtypje të madhe. Po fundja le të bjerë... do bjerë dhe shi e do ta shuajë. Cikli i natyrës.
Mirëpo kjo lloj situatë më sjell ndërmend atë anekdotën a barsoletën, që tregohej për një dembel, të cilin kur e lajmëruan se kishte rënë zjarri në qytet, pa u ngritur nga shtrati që nuk dihej prej sa kohësh kishte rënë, tha: Ohu.. sa të vijë deri te bytha ime, ka kohë!
Kështu dhe puna jonë. Mirëpo ne harrojmë se zjarri është shumë i shpejtë dhe të vjen te bytha sa hap e mbyll sytë. Të ngroh në fillim pastaj të përcëllon, ndaj po e more me nge s’të le as kockat pastaj. Ndaj e mirë është të mos jemi aq indiferent, por të marrim masa kur ia do puna!
-Çfarë do me thënë të marrësh masa?
Kjo do të thotë se po ra zjarr, apo përmbytet vendi, veç forcave që e kanë për detyrë të merren me këto probleme, e mira është të ketë dhe vullnetarë. Dhe në Shqipëri, kohët e fundit janë shtruar këmbëkryq të gjitha: edhe përmbytjet, edhe tërmeti, edhe zjarret. Dhe nuk po e përmendim farë pastrimin e territorit prej mbetjeve urbane dhe plazhet nga plastika, se ai është një problem i përditshëm. Ndaj duhet një dorë ndihme në këto raste. Dhe kjo lloj pune e papaguar kthehet në domosdoshmëri.
 -Domethënë: “aksion me goditje të përqendruar”
Për analogji, vendet në perëndim e kanë shumë të zhvilluar këtë kulturë. Pavarësisht se në shqip, togfjalëshi “punë vullnetare” të vë në alarm, sa të mos dish ku ta mbash frymën. Sepse në 45 vitet e pushtetit popullor, u bënë aq shumë të diela punë vullnetare me detyrim, saqë çdo shqiptari të para viteve ’90 do t’i dridhej barku po të mendonte se si në diktaturë edhe në demokraci, puna vullnetare dhe e papaguar do vazhdonte t’i binte në qafë.
Gjithsesi, çdo medalje i ka nga dy anë. Varet kë do të shohësh.
Personalisht kam qenë kundër punës vullnetare. Të paktën deri para pak kohësh. Dhe jo se kam ndryshuar fort nga ky mendim. Sepse kam menduar që tek e fundit, detyrimin tim ndaj shtetit për punë të papaguar e kam realizuar, madje dhe e kam tejkaluar. Sepse veç të dielave vullnetare, për prashitje misri e vaditje ulliri, pas vitit 1985 na u shpif dhe “Dita e Enverit”, e cila mund të bëhej në çdo ditë të javës. Plani u dyfishua, se pa e marrë veten nga Dita e Enverit vinte e diela me punë vullnetare. Dhe ne të shkollave të mesme, ku nuk na plasnin.
-Pse kot ju mban shteti nëpër shkolla?!
Po përse po reagoj, atëherë? Se kësaj i thonë: “dhe të ha dhe të kruhet”
Po ja ta sqaroj ca...: Këto ditët e fundit jam duke u ndeshur me dy të kundërta, të cilat edhe nuk më bëjnë përshtypje, por edhe më bëjnë. Se ja; ti ke marrë lejen dhe ke shkuar në plazh andej nga Vlora, ca më poshtë a ca më sipër, ç’rëndësi ka. Je shëllyer në diell e ke marrë rreze sa nuk dallohesh nga indigjenët e Afrikës. Mirëpo pas shpinës tënde flakët e zjarrit ia kanë behur, në fillim si duke vallëzuar e më pas duke marrë përpara ç’kanë gjetur. Ndërkohë ti mendon se me rritjen e vapës, edhe para edhe prapa, dy janë mundësitë: Ose të qëndrosh gjithë ditën e ditës në ujët e detit, ose t’i kërkosh pronarit të hotelit të dyfishojë kapacitetin e kondicionerit se nuk i dilet ndryshe. Por nuk të shkon në mendje fare që të bëheni ca burra azganë aty, qoftë dhe me rrobat e banjës, të rrëmbeni nga një legen plastik e t’u bashkoheni forcave të Emergjencave Civile, që gjithashtu qenë nxirë e bërë si qymyri, por jo nga rrezet e diellit, sigurisht. Ja kjo është një punë vullnetare, por jo nga ato të kohës kur ndërtonim socializmin ne forcat tona.
-Hajt t'punojmë/ Djersa le t'kullojë/ Se ndërtojmë/ Shqipërinë e re!
Por jo..., ti nuk i ndërpret pushimet vëlla. Të digjet maja e Karaburunit bashkë me ujët poshtë tij. Ti qëndron shtrirë në shezllon e poshtë hijes së çadrës prej kashte që e ke paguar sa frëngu pulën, dhe rri e bën sehir. Ke marrë dhe një libër me vete që të bësh një selfie e ta hedhësh në “story”, me qëllim që të tjerët të hamendësojnë se pushimet tuaja janë të mbushura me veprimtari kulturore... dhe kaq.
-Hajt pushime të mbara, vëlla! Vetëm kujdes nga rrezet, se thonë që pas orës 11 të paradites kthehen në kërcënim kancerogjen. E meqenëse çadra e kashtës nuk e mban dot gjithë diellin gjej një hije pishe, a bredhi po pat mbetur ndonjë vërdallë. Se dhe me kondicionerin keq do ta kesh punën.
Jemi popull indiferent, ske ç'i thua. Nuk para na bëjnë përshtypje dramat e mëdha. Edhe pse për cingërimat marrim zjarr shpejt e jemi kahil t'i shprazim të gjitha fishekët e kobures.
...te e fundit, indiferenca duhet përligjur...
 

Thursday, August 5, 2021

Emergjencat Civile dhe ndeshja e madhe për dominim, Shqipëria apo Kosova


Nga Leonard Veizi
 
Kur Shqipëria u godit nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, shteti i Kosovës, që politikisht na pëlqen ta cilësojmë si një filial të trungut amë, meqenëse është dhe shteti më i ri në botë, nuk priti që nëna Shqipëri t’i binte telefonit a të dërgonte ndonjë telegram me tri vija të kuqe ku t’i kërkonte ndihmë?! Autokolona me makina dhe gjitha paketa e ndihmës, çau doganën e Morinës dhe mbërriti në Durrës për një kohë rekord.
Forcat e Emergjencës së shtetit Shqiptar po punonin me duar, duke u munduar me thonj e dhëmbë të hynin poshtë strukturave të betonit e të nxirrnin prej aty të mbijetuarit. Gazetarët që ishin në terren non stop informuan se detashmenti i Emergjencave nuk kishte as krik për të ngritur traversat e betonit dhe as qen special për të gjetur njerëzit nën rrënoja. Për ndihmë ishte ofruar një servis e u kishte dhënë nja dy krike nga ato që i përdornin për të ngritur përpjetë makinat e t’u ndërronin gomat.
Kujë e zezë.
Mirëpo Kosova, në paketën e saj të emergjencës civile i kishte marrë masat: kishte krik e qen special.  
Shyqyr Zotit.
Na dhanë një mësim të mirë, por mirë që jemi tanët e nuk u bë e madhe kjo punë, se do ishim bërë gazi i botës.
Kohët e fundit ka plasur lufta me zjarret.
Jemi në ditët kur pyjet po shkrumbohen. Dhe veç tyre po vihet në rrezik jeta e shumë njerëzve. Mirëpo këto zjarre i kemi të përvitshme, dhe nuk është se na zënë në befasi e s’kemi nga ia mbajmë. Presupozohet se i kemi mjetet eficente për ta përballuar situatën. Për zjarret dhe për përmbytjet të paktën.
Ndërkohë një fjalë e urtë popullore thotë: “Fshati digjet, kurva krihet”. Është një lloj si ta konvertosh e të thuash se: “Shqipëria digjet e ca e ca bëjnë sehir nga ballkoni”. Padyshim, po të digjej çifligu i tyre do të bënin nami, me kova plastike e ujë pusi do ta shuanin zjarrin. Por kur digjet Shqipëria, nisi vargani i justifikimeve: Jo i kemi të pakta mjetet, jo s’kemi helikopterë, jo po s’kemi as ujë… Kështu që trupat e Emergjencave Civile, por dhe të reparteve të tjera të ushtrisë, po bëjnë ç’është e mundur me mjete primitive të ndalojnë valët e zjarrit që po e fshinin Karaburunin.
Mirëpo kjo punë nuk bëhet më me sqeparë e qysqi, si në vitin 1969, kohë kur ra në krye të detyrës Isuf Plloçi prej Martaneshi, i cili u përlesh me flakët që kishin marrë përpjetë pyllit, por që i morën dhe jetën rojtarit hero.
Shohim lajmet. Veç në Greqi e Turqi, zjarret masive janë përhapur dhe në Kosovë. Epo ditë të nxehta afrikane. Një cingaro të ndezësh për qejf e flaka del në qiell. Jo më që mund t’i vësh shkrepësen edhe “se ashtu është puna”.
Mirëpo ata nga Kosova kishin helikopterë që hidhnin ujë nga sipër, gjë që do të thoshte se shkurtonte punën e nja 2000 forcave në terren. Do thoni ju që Forca e Sigurisë së Kosovës u ndihmua dhe nga KFOR-i. Po mirë ata se janë shtet i ri, po Shqipëria që është shtet i vjetër, me Princ e Mbret, me Kryetar Presidiumi e President, dhe që tek e fundit i kemi pasur të ngritura strukturat që prej shumë vitesh, si i bëhet që nuk po funksionojnë më?
Nisur nga kjo situatë të vinte keq të shihje trupat e Forcave të Armatosura që rrezikonin aq shumë me sëpata e fshesa, të ndërprisnin flakët lubi të zjarrit.
-Do hosten bualli, jo pickima pleshti...
Se me zjarrin nuk bëhet shaka, ashtu siç nuk bëhet as me ujin dhe as me Qeverinë!
Por ne këtej nga Shqipëria kemi gjetur karar. Kemi shënuar në databazë gjithfarë numrash telefoni, dhe këtu nuk na e ha qeni shkopin. Po ra zjarr a tërmet, a bëhet ndonjë përmbytje, me vrap i telefonojmë Evropës: Ore do na jepni ndonjë dorë ndihme, se nuk kemi as mjete as para?
Këtë herë dorën në zemër e vuri Holanda, e se kush u ngrit njëri andej e tha: Jepuni nga dy helikopterë këtyre shqiptarëve, se po e lamë në dorë të tyre na erdhi zjarri te dera e shtëpisë.
Ja kështu me qelepirë... Po gjende mirë, ia dalim.
Një herë e një kohë Shqipëria kishte një batalion të Mbrojtjes Civile, e cila pas borës së madhe që bllokoi Veriun e vendit në vitin 1985 u pa e arsyeshme që të reformohej e të kthehej në një regjiment MCR, me objektiv që më pas të zgjerohej e të kthehej në një brigadë MCR. Sa për njohuri, një regjiment ka 3 batalione në përbërje, por një Brigadë ka 5-së të tilla. Kjo donte të thoshte se sipas organizimit, 5 batalione mbulonin të gjithë territorin e Shqipërisë. Reparti u vu në gadishmëri me një kolonë automjetesh me kilometrazh zero, të cilave u bëhej shërbim vetëm për të qëndruar në gadishmëri. Pas vitin 1992 ushtria u fut në një proces riorganizimi.
Sot Emergjencat Civile janë katandisur si “kokoshi një thelë”. E gjithë ushtria ka në inventar 22 helikopterë, por kur erdhi puna për t’i ngritur në ndihmë të shuarjes së zjarrit u tha se vetëm një prej tyre ishte në gjendje të kryente misionin. Të tjerët flenë nëpër hangare.
Hyj në google dhe kërkoj për Mbrojtjen Civile. Më del: “mod.gov.al”. I hedh një sy. Ke qejf të njihesh me strukturën:
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) është pjesë përbërëse e strukturës së Ministrisë së Mbrojtjes.
1- Drejtoria e Zvogëlimit të Riskut dhe Fatkeqësive dhe e Parandalimit
2- Drejtoria e Gatishmërisë dhe Koordinimit të Përgjigjes Emergjente
3- Drejtoria e Rehabilitimit, Rimëkëmbjes dhe Kompensimit nga Fatkeqësitë
4- Drejtoria e Bashkëpunimit Ndërkombëtar dhe Projekteve
… … … … … … … …
Ore ka rënë zjarr… ç’i do llafet… Do hidhni ndonjë kovë ujë apo t’i kërkojmë ndihmë Kosovës. Se vetëm ata na vijnë brenda 12 orësh me paketë të plotë, e i futen punës pa bërë zhurmë. Tek e fundit i qahemi tonit, nuk vëmë kujën nëpër Evropë.
-Jemi shteti më qesharak në botë, - do të shprehej Pilo Vrana, personazhi i filmit “Tuneli” të regjisorit Ilir Harxhi.
Epo... nëse jemi, jemi. S’kemi ç’bëjmë.

Tuesday, August 3, 2021

Reportazh/ Pogradeci, oazi i qetësisë në mes të terrorit diellor


Veç kulinarisë për të pangopurit, në Pogradec, më shumë se kudo, gjithkush që është i dashuruar me artin dhe letërsinë, do të mund të gjejë në shëtitore kilometrike të qytetit piktura origjinalë të peneluar nga artistët vendas si dhe libra artistik gjithfarësh.

 

Nga Leonard Veizi
 
Si rrallëherë më parë, zonat e ulëta dhe ato bregdetare të Shqipërisë u vunë nën shënjestrën e një terrori diellor. Meteorologët që dalin nëpër ekrane, saktësuan se temperaturat do të shkonin në hije të paktën 40 gradë celsius, por për shkak të lagështisë në ajër ato do të ndiheshin 45 e kacafiu. Njëlloj si me iu fut punës që me sabah në një furrë buke, ose nga ato furrat e dikurshme që piqnin tavat me speca e patëllxhanë.
Dita nuk shtyhej as me kondicioner. Dhe nata ca më keq akoma. Kjo situatë nuk pritej të mbaronte brenda tre ditësh...

...Por nëse doni të kaloni pushime më të qeta dhe më të freskëta, por që dhe të kridhesh në ujë e të bësh banja dielli, qyteti më i mirë i mundshëm është Pogradeci. Dhe a e dini pse: se temperaturat janë ca më të ulëta se në Tiranën e betonizuar, dhe pikun e ditës mund ta kalosh nën hijen e një peme, pa kërkuar ndihmën e kondicionerit, i cili përveçse të ftoh, jo rrallëherë të fut plevitinë e të bën për spital, ku jo vetëm do të të skanojnë gjoksin e do të bëjnë një tampon urgjence, por do të të mjekojnë për Covid, do apo s’do ti.
E mbi të gjitha, në Pogradec, dimër dhe verë, sezon apo jashtë tij, çmimet nuk ndryshojnë. Askush nuk shkon me idenë: “na erdhi zogu në dorë... ec e ta rrjepim tani”. Nuk flitet për abuzim jo e jo, por as ngritjen e një 100-lekëshi të vjetër më shumë për asortiment. Dhe veç kësaj, do të kesh me vete dhe mirësinë e buzëqeshjen e vendasve që të mirëpresin kudo hyn, e nuk dinë të të thonë një fjalë të keqe e as të të shohin vëngër.
 
Faturat
Meqenëse si destinacion Pogradeci nuk është fort larg me Tiranën, më duhet ta bëj disa herë në vit rrugën, përgjithësisht në ditë të favorshme. Këtë herë e pashë veten ngushtë, sepse asnjë faturë tavoline nuk më bënte ta fotografoja e ta hidhja në rrjetet sociale për demonstrim. Vetja më dukej fakir. Isha i bindur se shokët e miqtë fejsbukistë do më thoshin: “Të paska ra fort pazari, paske shku te kafja 50-lekëshe”. Po ore po, në kulmin e sezonit, në Pogradec gjeje kafe 50 e 60-lekëshe. E për më lart se kaq do duhej të bridhje shumë. Por a mund të hidhej një faturë e tillë në facebook? Mos qoftë thënë...
Jo për gjë, por thonë që nga andej nga Jugu..., domethënë nga Jug Perëndimi e kam fjalën, ku mbaron Adriatiku e fillon Joni, çmimet kanë kapur stratosferën e pritet të dalin në kozmos, aq sa me tre ditë pushime në zonën e quajtur Himarë, me disa fshatra buzë detit, mund të kalosh 10 ditë të shkëlqyera në Pogradec dhe sërish të të mbeten para në xhep. Se, përsëri me thashetheme e kam, - andej nga kjo zona që e ka qëndisur Perëndia, por që e kullandris njerëzia, - turistët shkojnë me portofolin e mbushur me para, por kthehen me over-draft.
-Ec o burrë se një herë vdes njeriu!
 
Panorama
Buletini meteorologjik transmetoi të dhëna premtuese për pushuesit që zgjedhin në vazhdimësi këtë oaz për të kaluar ca ditë të qeta. Gjithsesi, ata e dinë që Pogradeci është një vend me mundësi të kufizuara për plazh, që në totalin e tyre përbëjnë vetëm 45-50 ditë. Por gjithashtu, ky qytet i njohur ndryshe dhe si “qyteti i luleve” është nga të rrallët, i cili pret turistë në çdo ditë të vitit… Kështu që është apo jo sezon veror për të nuk ka shumë rëndësi. Turizmi vazhdon dhe në vjeshtë, por dhe në dimër kur bie borë dhe e bën liqenin bashkë me bregun e tij krejtësisht të mahnitshëm.
Për t'i ikur vapës së tmerrshme, apo të nxehtit afrikan që pushtoi Tiranën, zgjedhja më e shpejtë dhe më e mirë padyshim mbetej një fundjavë në Pogradec. Meqenëse janë vetëm 125 kilometra, të cilat mesatarisht bëhen për dy orë udhëtim me makinë, zona e Pogradecit, - ku hyjnë lehtësisht Lini dhe Tushemishti, - mbetet një nga atraksionet më të frekuentuara në vend.
Si ke kapur majën e Qafës së Thanës dhe zbret postë, liqeni i Ohrit të shfaqet përballë, po aq sa dhe Joni nga Llogoraja. Ujët e liqenit është i qetë dhe i kaltër. Rruga që zbret poshtë pavarësisht nga kthesat mbetet panoramike, dhe më shumë se kaq vetë rruga që vijon buzë liqenit derisa futesh në qytetin e Pogradecit, të paktën 18 kilometra, është një atraksion më vete.        
 
Pushimet verore
Dita e fillimit të vërtetë turistik për ne shqiptarët, është 1 gushti, sepse atë ditë zyrave të shtetit u vihet “tutiusi” dhe nga drejtorët e deri te roja i derës shkojnë të kapin ndonjë çadër se mos mbeten pa gjë. Prandaj dhe çmimet rriten papandehur. Se çadrat bashkë me shezlongët, fillojnë me 300 lekë dita, por përfundojnë me 5000 lekë dita, për ato sete që ngjajnë tëpkë me ato të oficerëve të lartë osmanë, kur shkonin për ekspedita pushtuese e ngrinin kampet poshtë kalave.
Këtë verë 2021, qëlloi që fundjava e plotë një këmbë ta kishte në ditën e fundit të korrikut e një në ditën e parë të gushtit. Pra nuk ishte në pronësi të asnjë muaji. E shtuna, e diela. Gjithsesi mbetet rast i rrallë, apo një precedent që varet kur i bie llogaria të përsëritet.
E në një lotari të tillë ia vlente të flije dy netë në “qytetin e luleve” ku edhe pse nuk u përdorën për mbulim as batanije e as çarçafë, gjithsesi nga një bluzë të hollë me mëngë të shkurtra e mbajtëm veshur.
 
Romantizmi
Pogradeci është qyteti ku ia vlen të shkosh si turist. Qoftë për qytetarinë, për pastërtinë, për nikoqirllëkun dhe për bukurinë që të ofron e gjithë treva. Jo më pak vlerë kanë dhe ajri, freskia në ditë përvëlimi, uji i kulluar i liqenit dhe peshqit që kundrojnë afër teje, e paqëtojnë ndaj lazdrimit tënd nën ujë. Por mund të vizitosh dhe 7-të burimet me ujin e ftohtë që pihet drejtpërdrejt, e që ndodhet në lagjen e vjetër të qytetit, aty ku ngrihet dhe një kishë ortodokse e cila vështirë mos të të bjerë në sy.
Ja se e morëm ca me frymëzim poetik këtë herë.
Sa herë rrugëtohet për në Pogradec, nis e qetësohesh nga mendimet se sapo të shohësh liqerin e Lasgushit, mendja do të zbrazet nga zhurma me të cilat të kanë mbushur qendrat urbane. Vetë rruga përcjell ndjesi lirie. Është muzika e zogjve verues në sfond që maleve kapërcyer dhurojnë simfoni të ndryshme. Është gjelbërimi fushor e malor me larmi pemësh që ngjajnë me një ekspozitë pikture të pambarimtë. Janë ujëvarat që gjithashtu rrjedhin nga burimet e panumërta që zbresin maleve të Librazhdit. Ato ta bëjnë udhëtimin të lehtë, me tërheqjen vizuale. Është lumi Shkumbin që në degëzime përgjatë shtrirjes mbi gurë zalli, edhe pse i tharë në 80%, ka gjurmë që i japin panoramës natyrore lirinë e të jetuarit.
Mos e tepruam me këtë patetizmin?
Ka raste kur ia vlen të bëhesh patetik, po aq sa dhe poetik, e ndonjëherë së rralli edhe ca qaraman sentimental. Lëre-lëre se ç’vete...
Një fundjavë në Pogradec, por pse jo edhe më gjatë nëse ta mban xhepi dhe ia ke takatin, të ndryshon humorin, gjendjen shpirtërore që të gjithë këto kohëra e kemi tejet të brishtë. Te bujtësit ku zgjedh të shkosh, vendasit, ata që jetojnë aty, ta bëjnë kimetin si në kohërat e vjetra. Janë të thjeshtë, mikpritës, edhe tolerantë.
Ç’i do fjalët: kërnackat janë të Korçës, vera e butit vjen nga kantina e familjes, qepët nga Bozhigradi... jo në të gjitha rastet sigurisht. Dhe mund të rrish ku të duash, në breg të liqenit apo në lulishte, se nuk të thotë njeri: pse e shkele barin.
Tek e fundit në Pogradec shkohet edhe për të bërë ekonomi. Çmimet e shërbimeve të tryezës janë goxha të volitshme, përveç koranit që e kanë mbret, dhe mbreti ka kosto. Po në qoftë se korani do të lundronte në ujërat e Jonit, atëherë do vinte çdo vinte. Se do të dukej fatura sikur ke blerë moto-gjenerator që ta vësh në punë kur të ikin dritat.
Se mos harroj: Veç kulinarisë për të pangopurit, në Pogradec, më shumë se kudo, gjithkush që është i dashuruar me artin dhe letërsinë, do të mund të gjejë në shëtitore kilometrike të qytetit piktura origjinalë të peneluar nga artistët vendas si dhe libra artistik gjithfarësh.
 
Epidemia
Në Pogradec nuk flitej për pandeminë dhe njerëzit nuk bënin ende llogari nëse nga vjeshta do të mbylleshin në shtëpi, apo do të ishin po aq të lirë. Një gjë e tillë i bënte turistët më të gjallë, e në kërkim të shijimit të çdo minute që ikte. Në lokalet me muzikë live nuk gjeje vend, por mund të qëndroje te një tjetër aty pranë dhe të merrje të njëjtën adrenalinë. Se po të ishte për pandeminë dhe statistikat, njerëzit nuk do ishin më në këmbë.
Në fakt askund në Shqipëri, në këto ditë në nxehta që na i dhuroi Afrika, nuk flet për pandeminë e Covidit, veç Ministrisë së Shëndetësisë dhe buletinit të saj i cili na njofton përditë, “u ngrit”... apo “ra... numri i të prekurve”.
Në fund të fundit, njerëzit duan të jetojnë; buzë liqenit të qetë me ujë të ëmbël, dhe buzë detit të kripur me rritëm shfrenues që të sjell në tavolinë fatura edhe më të kripura.