Friday, October 29, 2021

Babëzia e “tregtarëve” që shkatërrojnë kulturën e shqiptarëve


Nga Leonard Veizi
 
Kemi pasur kohë mjaftueshëm për ta shkatërruar kulturën tonë. Jo në një shekull të tërë aq sa daton shtetformimi ynë, as në pesë dekada totalitarizëm, por vetëm në 20 vjet. Dhe nuk kanë qenë vite lufte apo regresi, por vite paqeje dhe progresi. Madje progresi drejt modernitetit ka ecur me hapa kaq gjigantë saqë e ka mbuluar krejt kulturën antike, që ndodhet poshtë këmbëve tona.
-Gjëra të vjetra, kujt i duhen...?!
Kanë rezistuar vetëm kalatë, shumica e të cilave kanë themele nga koha e ilirëve, por me mure të ngritura rishtas në periudhën e arbrit. Pra mesjetare.
Ne e kemi shkatërruar kulturën tonë. Dhe po vazhdojmë ta bëjmë pa ndalim. Jo vetëm pse shembëm një godinë teatri dhe disa godina kinemaje. Kjo është më e pakta. Por ne po shkatërrojmë themelin, aty ku është gjeneza, ADN-ja jonë. Përditë nga pak. Me fadroma e matrapikë, por dhe me sasi të mëdha betoni, ku muroset jo më një grua si në legjendë, por një histori e tërë.
Me sa duket jemi çliruar plotësisht nga dogma nacionale, dhe teksa e cilësojmë veten njerëz të lirë të një bote të madhe e pa kufij, nuk na pëlcet shumë se nga e kemi origjinën: nga Eva dhe Adami apo... nga majmuni. Mjafton që frymojmë mbi këtë tokë të begatë dhe kemi internet as sa të mund të shohim sherret në “Big Brother”. Të tjerat nuk kanë rëndësi.
Ne po vazhdojmë ta shkatërrojmë kulturën tonë. Me këmbëngulje. Arkeologjia tanimë është një shkencë që nuk vlen më as për t’u studiuar në universitet dhe as për t’u praktikuar në nëntokë. Sepse nëntoka jonë nuk përmban vetëm thesare si naftë, krom, e ndopak flori të papërpunuar, mall të cilin e ngarkojmë rifuxho në vaporë e marrim lekët në dorë. Nëntoka jonë fsheh dhe historinë e stërgjyshërve tanë. Në fakt, ajo e mban atë të konservuar, të paprishur. Duhet vetëm pak durim e vullnet i mirë që të mund ta zbulosh. Dhe pas kësaj ta kthesh edhe në një atraksion turistik, ku gjithsesi mund të fitosh po aq para. Sepse asnjë turist sot nuk vjen në Shqipëri të shohë 15-katëshin e Enverit, as 25-katëshin e Saliut dhe as 45-katëshin e Edit, por të shohë skulpturat e hyjnive në mermer, teatrot e lashtë në të cilat luheshin tragjeditë e famshme të Eskilit apo amfiteatrot ku gladiatorët ndesheshin me luanët për të fituar lirinë.
Në po shkatërrojmë kulturën tonë. Pa mëshirë.
I gjithë ky mllef i mbajtur nën vete me kohë, dhe i hedhur nga pak me pikatore përmes shkrimeve të tjera, vjen e derdhet tanimë, pasi u njoha edhe një herë me fakte kokëforte e të pakundërshtueshme të publikuara nga gazetari Marin Mema në një nga edicionet e “Gjurmë shqiptare”. Ai tregoi as më pak e as më shumë se si Durrësi i ri, - ky që kemi ndërtuar ca me para të pastra emigrantësh dhe ca me para të pista trafikantësh, ku pallatet shumëkatëshe, tulla, xham dhe beton, po kapin qiellin, - ia kishte hipur atij të vjetrit për ta bërë të mos ngrejë kokë më, as sot dhe as viteve të tjera që do vijnë më pas. Dhe askujt, - përpara një fitimi të shpejtë, - nuk i dhimbset dhe as i hyn në punë se sapo vë kazmën për të hapur themelet e godinës së re, ke copëtuar tullat e një ngrehine 2000-vjeçare, e cila për shkaqe natyrore është zhytur pak metra më poshtë. Përpara kësaj masakre i kanë mbyllur sytë të gjithë. Dhe do të vazhdojnë t’i mbyllin sërish për sa tokë ka mbetur ende pa u licencuar si projekt ku do të nisë ndërtimin shumëkatëshi i radhës.
Dyrrahu apo dhe Epidamni më i vjetër se kaq, mund të flisnin shumë nëse do t’i rizbuloheshin vlerat. Dhe është për të bërë kryq e për të ndezur qiri, që të paktën ka shpëtuar nga kjo kasaphanë amfiteatri antik, të cilën arkeologu fort i njohur Vangjel Toçi e zbuloi në vitin 1966. Por 50 vite përpara tij ishte bërë një zbulim tjetër i rrallë. “Bukuroshja e Durrësit”, një mozaik i lashtësisë që doli nga balta në vitin 1916 gjatë Luftës së Parë Botërore, krejt rastësisht, sepse ushtria austriake po hapte një transhe fortifikuese. E megjithëse luftë, arkeologu austriak Camillo Praschniker si dhe kolegu i tij Arnold Schober u kujdesën për mozaikun, në mënyrë që të mund të ruhej më mirë. Ndaj e mbuluan të mos dëmtohej. Kështu që arkeologu shqiptar Vangjel Toçi arriti ta nxjerrë në dritë në vitin 1959. Ky rast i arkeologëve austriakë nuk është si rasti i ekipit që kërkonte të trafikonte gjetjet arkeologjike të zbuluara në Apoloni, - po gjatë viteve të Luftës së Parë Botërore,- për të cilat bën fjalë dhe filmi i kinostudios “Dëshmorët e monumenteve”. Sepse ishin austriakët gjithashtu, të cilët pushkatuan tre ushtarakë shqiptarë vetëm se guxuan ta ndalonin trafikun e kulturës kombëtare.
Po kush pyet sot për gjakun e tyre?!
Gjithsesi, atë që na shpëtuan të huajt apo që nuk mundën të na i rrëmbenin dot, ne si shqiptarë të sotëm, - krejt modernë dhe të pandikuar nga e kaluara - nuk e kemi për gjë ta hedhim në det. Madje ka prej nesh që janë të gatshëm t’ia shesin Butrintin grekëve, mjaft që ata të na japin pasaportën dhe një pension 300 evrosh, që të hamë e të pimë pa punuar.
Të vjen të zësh kokën me duar e të ulërish, kur njihesh hap pas hapi me shkatërrimin që i bëjnë shqiptarët kulturës së tyre. Sepse atë gjë që ne ia bëjmë vetes nuk ka armik që të na e vendosë mbi shpinë. Madje edhe në vitet e Luftës së Dytë Botërore forcat pushtuese kanë qenë shumë më të kujdesshëm me bombardimet, që të mos i rrafshonin qendrat e banuara.
Në po e shkatërrojmë kulturën tonë. Metamorfoza jonë është e çuditshme.
Ndaj në territorin e administruar prej nesh, gjithmonë e më pak sot ka monumente kulture. Sepse ato lihen të degradohen nga koha, dhe më pas kthehen në truall ku lulëzon një qiellgërvishtës.
Ndërtimi i “Velierës” në Durrësin modern, ka nxjerrë në sipërfaqe disa mure të cilat specialistët i kanë vlerësuar së paku mesjetare. Por edhe ato u murosën me beton për hir të një instilacioni gjigant hekuri, i cili nuk i jep asnjë pikë më shumë një qyteti ku mund të lulëzonte antikiteti po aq sa në Romë apo Athinë.
Mirëpo ne kemi vendosur ta shkatërrojmë kulturën tonë, dhe t’i humbasim lidhjet me rrënjët. Sepse na duket se jemi më të lirë të marrim një trajtë tjetër, dhe të quhemi sa më shpejt... fjala vjen: amerikan, vetëm e vetëm se na ka dalë lotaria.
Vetëm pak vite më parë Ministria e Kulturës publikoi një listë prej 1982 monumentesh, ku u deklarua se 112 prej tyre ishin tërësisht të shkatërruara, ndërsa 332 rrezikonin të njëjtin fat. Vetëm kryeqyteti numëron rreth 260 monumente kulture, ku shumë prej tyre janë lënë në harresë, shembur ose degraduar. E teksa shfletoja njoftimet mbi problematikat e monumenteve të kulturës ndesha dhe fjalët e Emin Rizës, një nga ekspertët më të mirë të trashëgimisë kulturore, i cili ishte shprehur se “Shqipëria po humbte disa nga objektet më të mira kulturore, për shkak të ndërtuesve të pangopur”.
..."Grykësia", një nga shtatë mëkatet e Biblës.
Durrësi është qyteti tipik ku si vendbanim i mëtejshëm është ruajtur e njëjta tokë mbi vendbanimin e vjetër, i cili daton në themelim këtu e 2700 vite më parë. Por nuk do të ishte çudi që e gjithë kultura jonë nëntokësore të kishte të njëjtin fat nëse Saranda do të ndërtohej mbi Butrintin, Fieri mbi Apoloninë, apo Orikumi i sotëm mbi Orikun e dikurshëm. Kështu, gjetjet arkeologjike do të zhdukeshin nën themelet e betonit dhe askush nuk do të mund ta ngrinte historinë; cilët kemi qenë dhe pse jemi katandisur në këtë farë derexheje.

Friday, October 22, 2021

Shqiptarët... këta njerëz kaq të shëmtuar


Nga 
Leonard Veizi

VIP-at shqiptarë janë turrur të bëjnë korrigjime: hundën, buzët, veshët. Duan të duket estetikisht të bukur. Domethënë, deri tani kanë qenë të shëmtuar dhe pa estetikë. Kështu del në derivatin logjik. Këtyre VIP-ve u kanë dalë në krahë dhe ca që në fakt nuk kanë fare lidhje me VIP-llëkun, por që edhe ata duan të duken të bukur, se me sa duket u ishte mërzitur vetja me pamjen që u dilte çdo ditë në pasqyrë. Dhe së fundmi, turmës i janë bashkangjitur dhe ata që janë kahil të marrin kredi në banka për të përballuar shpenzimet e të bërit “të bukur”.
U hap thesi...
Mjekët plastikë sot po vlejnë më shumë se kardiologët, më shumë se urologët që trajtojnë çrregullimet e traktit urinar, madje çuditërisht dhe më shumë se kirurgët që operojnë kancerin në zorrën e trashë.
Hajde qyfyre hajde.
Por jeta është e gjatë. A shtyhet 30-40 vjet me etiketimin “i/e shëmtuar”?
Duhet trajtuar njeriu. Femrat sidomos. Se aty merr kuptim dhe fjala “e bukur”.
Në fillim si etalon u morën buzët e Anzhelin Zholisë. E bukur tjetra sa s’ka ku të vejë. Ta ketë lëshuar Zoti dorën te ajo, e se ka mbajtur hiç. Pastaj si shembull estetik u morën bythët e Kim Kardashianit. Këtu nuk hynte në punë më Zoti. Ishte dora e njeriut që i kishte rrumbullakosur me kompast gjeometrie. Hajde bythë, hajde... Qark i shkurtër sa i sheh. Dhe pavarësisht se silikoni i është bërë gunga-gunga e po bie në tokë, sërish idhulli i femrave vazhdon të jetë ky person që u vu në qendrën globale të vëmendjes rozë, në mënyrë të çuditshme.
Ore, se mos keqkuptohemi, çfarë mendoni ju, se jam kundër korrigjimeve plastike.
Vdektë ai që e thotë një gjë të tillë, inshallah!
Të ndërhyhet që ç’ke me të. Përderisa evoluon truri, përse të mos evoluojë dhe trupi. Nuk është herezi. Tek e fundit çdo njeri e di vetë se çfarë bën me veten e vetë. Se nëse nuk ke besim te vetja, mendon se nuk ta var njeri pasi për djall nuk i ke parametrat e duhur, 90-60-90, futesh në servis, heq dhe ndonjë brinjë për të ngushtuar belin, e del andej sa mos të të njohin as prindërit dhe as mjeku që të ka bërë.
Do thuash ti: me dhimbje.
“Me dhimbje vëlla, me dhimbje...”
Statistikat thonë se trendi në masë i vajzave të reja është që të fryjnë buzët. Duan t’i ngjajnë Zholisë. Mirë shumë. Dhe statistikat nuk i bëj unë, i marr nga kompetentët nëpërmjet axhanseve. Mirëpo statistikat thonë gjithashtu se në rritje fort është dhe trendi i ngritjes së të ndenjurave përpjetë. Duan t’i ngjajnë Kardashianin...
Hajde byt...
...lere lere, e thamë një herë më duket.
VIP-at shqiptarë, o të keqen, janë turrur të bëjnë korrigjime: hundën, buzët, veshët. Pastaj ca më poshtë akoma, gjoksin barkun, bythët.
Epo, mjaft me kaq, se ku do shkojë trendi. Veç në marrtë malet.
Kirurgët plastikë kanë pushtuar ekranet. Në mëngjes i ke aty, në mesditë, pasdite e pasdarke. Janë më të kërkuarit. Ose klinikat që e dërgojnë në studio paguajnë pa problem te arka e financës me qëllim reklamën.
Dmth aty u bëkan para me thasë.
Të dhjefsha kultivimin e hashashit.
Ç’i do fjalët e tepërta. Puna është si të bësh punën. Se trupi duhet mbajtur në formë perfekte, përndryshe do të duhet të kapësh cepin e trotuarit, të vesh një shami në tokë e të presësh që ndokujt t’i lindi në zemër e të të hedhë ndonjë qindarkë. Ndërsa me një pamje të kuruar, një vend punë në administratë e gjen me bythë... Më falni. Për hir të fasadës së pasme duhet më thënë.
Por orë të shumta sot po shpenzohen dhe për të hequr dhjamërat. Kishim 30 vjet që hanim çfarë gjenim përpara, se na ishte tharë barku nga periudha e komunizmit. Ha e pi sa s’na mbante haleja. Tani po na u trumpetoka, e kundërta. 30 vjet ja paskemi futur kot. Domethënë prasi i Enverit paska qenë më i mirë se makaronat linguini dhe sallata me futat e detit në ditët e sotme. Të keqen e prasit. Edhe me pajdhaqe u shqepëm nëpër lokalet e mishit  ndërtuar buzë lumenjve. Mirëpo na doli që mishin qenka kancerogjen dhe se Enveri na e paska bërë mirë që na e racionoi e nuk na la të binim në të keq aq sa ta shanim me ç’i mbante pragu. Kishte kulturë merceologu Enveri, kot nuk kishte studiuar në Francë. 
-Roftë Komiteti Central me shokun...
Lere fare më mirë, se na kujtohet dhe Revolucioni Kulturor i Kinës.
Po ashtu deri dje talleshim me fizkulturën masive të mëngjesit, nëpër shkolla e reparte pune. Mirëpo sot njerëzia ka zënë radhën nëpër palestra. Muskulozë e të dhjamosur sa s’dinë ku ta çojnë barkun. Bo, bo ç’i paskemi kemi bërë vetes... kolesteroli mirë, por po na ha dhe diabeti. Epo domosdo, veç këtyre çikërrimave, të shkon thika deri në kockë e të bëhet gjaku ujë kur sheh komshijen e veshur sport e të bërë fil nga trajtimi sportiv. U bë dhe kjo...
Në fakt duhet ta pranojmë se ecën përpara bota, nuk ri nëpër mejhane zabërhanësh me kanoçen përpara.
Dhe për të gjithë ata që nuk ua mban takati të vrapojnë në tapet e të ngrenë shtanga, ka dalë në skenë metoda e balonit. U instalohet një si punë topi në stomak, dhe kjo ua përgjysmon sasinë e ushqimit, se ndryshe si dihej fundi. Domethënë ha e pi...
Ja kështu shqiptarët e mijëvjeçarit të ri po kërkojnë me sforco të rregullojmë trupin e tiparet. Të bëhen më të bukur nga sa janë.
Në fakt për ne thonë se jemi populli i bukur, ja ashtu në mënyrë natyrale e si na ka bërë Zoti. Por ne kemi ambicie të shfrenuar, duam të dukemi edhe më të bukur. Në fund të fundit ambicia e ka çuar përpara botën, përndryshe do flinim akoma në kashtë. Veç kësaj, ne duhet t’ia bëjmë hyzmetin vetes për pak estetikë më shumë, se mbase Zoti, edhe pse arkitekt me shkollë të lartë, nuk ishte dhe aq prefeksionist sa thuhet. Tokësorët mund të rregullojnë diçka që ai se bëri aq mirë, pasi nga lodhja e madhe shtatëditore kur krijoi botën, do ketë qenë në dremitje e sipër tek merrej me rifiniturat e njeriut të shkretë.
Sipas kësaj teorie: na rrofshin malet.
Ndaj për të qenë mirë me veten o burra... vrap, o në palestër, o te kirurgu plastik që ta heq dhjamin me bisturi.
Dhe në fund fare: Na fal o Zot që vumë ca dorë në punët e tua, e s'dimë ç'bëjmë. Po për të mirë e kishim.
Ja këto ishin çështjet që nuk di pse aq shumë më preokupuan këtë herë. Ndoshta ngaqë mjekët plastikë i ndesh çdo ditë, në mos në një studio televizioni, të paktën në një kolibe radioje.

Thursday, October 21, 2021

Në Krujë, aty ku gjithçka është kuq e zi!


Shënime udhëtimi
 
Nga Leonard Veizi

Aty ka pasur selinë qendrore kryezoti i shqiptarëve, Gjergj Kastrioti, një ushtarak i pashembullt, dhe po aq politikan e diplomat me klas. Por kjo i përket të kaluarës. Këtu e 500 vite më parë. Atëherë kur mbi territoret e shqiptarëve Perandoria Romake e Lindjes kishte humbur fuqinë, ndërsa një tjetër perandori po luftonte për t’i marrë nën kontroll, ajo Osmane. Sot me takëmet e “Atletit të Krishtit” bëhet biznes. Kalaja që në shekullin XV i rezistoi tri rrethimeve të mëdha, tanimë vizitohet çdo ditë nga disa dhjetëra turistë që vijnë prej vendeve të ndryshme të botës. Skënderbeu është po aty, rrethuar nga pretorianët e tij, veç këtë herë mbi një altoreliev apo basoreliev, që të pret sapo futesh në Muzeun me emrin e tij...
 

...Kruja është një nga destinacionet më të afërta me kryeqytetin, për të kaluar një fundjavë a qoftë një ditë pushimi të ndërmjetme. Distanca mes dy qendrave është vetëm 32 kilometra, nëse do të marrësh rrugën e Kamzës. Por nëse do të preferosh t’i biesh nga Rinasi, do të shtohen dhe nja 4-5 kilometra të tjerë. Personalisht preferoj të marr rrugën e Kasharit e të dal në Rinas, në një kuotë prej afro 20 kilometrash, me qëllim që të shmang trafikun e rrugës së Kamzës dhe trafikun e Unazës në ndërtim tek "Astiri". Zgjedhja ime padyshim nuk është më e mira, por është e fundit mundësi.
 
Udhëtimi
Tabelat orientuese pranë rrethrrotullimit të Aeroportit, ku qëndron shtatorja e Nënë Terezës të tregojnë se tanimë je në zonën e Fushë Krujës, dhe se ke dalë nga juridiksioni i kryeqytetit. Sepse duket sikur aeroporti i vetëm civil në Shqipëri i përket tokës së Tiranës, por në fakt ai është në “pronësi” të krutanëve, sepse është në një zonë që administrohet prej tyre si pushtet lokal. Po të kërkosh në enciklopedi do të gjesh: Rinasi është një fshat në Komunën Nikël në Rrethin e Krujës. Ndërsa në versionin zyrtar shkruhet: “Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës Nënë Tereza - Rinas”.
Si je kthyer në të majtë tek rrethrrotullimi dhe ke lënë terminalin e aeroportit nga pas, do të ecësh përmes një rruge piktoreske të mbushur me hurma. Si ke gjarpëruar ca mes gjelbërimit, bashkohesh me aksin kryesor që vjen prej Vorës dhe drejtohet për në Veri. Nga Rinasi për të mbërritur në Fushë Krujë janë vetëm 8 kilometra. Dhe nga Fushë Kruja për të shkuar në qendrën e Krujës mbeten edhe 7 kilometra të tjerë. Nga Tirana ky udhëtim zgjat afro një orë, në varësi të trafikut dhe duke pasur parasysh segmentin e fundit që të çon për në qytetin muze është malore e plot kthesa.
 
Në Fushë Krujë
Në hyrje të Fushë Krujës dallohen punonjësit e policisë, të cilët kontrollojnë trafikun nga “çakmakët” që nuk lënë makinë pa parakaluar. Por brenda qytetit, trafikun e disiplinon edhe një ndarëse betoni në mes të rrugës kryesore që nuk të jep mundësi të bësh akrobacira, por të vë në detyrim për të respektuar radhën. Është fundjavë, për më tepër një ditë me diell pas disa ditëve më shi, dhe ndoshta për këtë arsye trafiku është ca i rënduar. Në qendër të Fushë Krujës do të dallosh edhe shtatoren 3 metra të lartë mbi një piedestal prej 1.5 metra, të ish-presidentit amerikan Xhorxh W Bush, sportiv e me mëngë përveshur, në përkujtim të vizitës që ai bëri në këtë qytet në vitin 2007.
Si ke dalë nga Fushë Kruja, në një rrugë të drejtë si vizore, të mbeten vetëm rreth 7 kilometra për të mbërritur në destinacion. Por tanimë rruga karakterizohet nga malorja dhe kthesat e njëpasnjëshme. Por nëse do të shkosh deri në Sarisalltik, si pika fundore e pelegrinazhit, - për të vizituar vendin e shenjtë dhe shpellën e famshme e mistike të misionarit bektashi, - do të të duhen edhe të paktën 10 kilometra të tjerë, gjithashtu në një terren të thyer.
 

Në Krujë
Kruja dallohet për së largu, pasi është e vendosur në shpatin e malit me të njëjtin emër: mali i Krujës.
Si ke dalë nga Fushë Kruja, - një qytet ndërtuar në një terren të zhveshur e fushor, ku censusi i para 10 viteve të informon se ka rreth 27 mijë banorë, - merr të përpjetën. Por këtu ndryshon gjithçka sepse rruga bëhet shumë më piktoreske që gjarpëron mes malit të mbuluar më së shumti nga pemët. Gjatë rrugës do të ndeshesh edhe me tyrbet e teqetë bektashiane, të cilat për të thënë të vërtetën ky vend i ka me shumicë.
Si je futur në qendër të qytetit, pak më poshtë se vendndodhja e monumentit të Skënderbeut mbi kalë, - vepër e Janaq Paços, e vendosur që në vitin 1949 e që ishte i pari monument i Heroit Kombëtar në Shqipëri, - ndodhen dy parkingje publike, ku mund të lësh makinën pa merak dhe për më tepër pa pagesë, e të fillosh të vizitosh qytetin, për aq sa ke interes. Dhe ndodh që shumica e vizitorëve nuk i kthejnë sytë nga godina e Hotel Turizmit ndërtuar gjatë periudhës komuniste, dhe as te pallatet e reja moderne ndërtuar në vitet e demokracisë, por ndalen tek Pazari i Vjetër, i cili shtrihet në të dy anët e rrugës së shtruar me kalldrëm, gjë që në vazhdimësinë e saj të çon drejt portës kryesore të Kalasë, portë që nuk e kaluan dot as 100 mijë trupat aziatike që drejtoheshin nga sulltan Murati II.
Sot në Kala mund të futesh lirshëm dhe s’ka kështjellar që të pengon. Veç në hyrje të Muzeut duhet të paguash një biletë me çmim gati simbolik.
Në kuotën e 600 metrave mbi nivelin e detit, prej qendrës së Krujës, ose prej ballkonit të Kalasë, shikimi të rrok një hapësirë të madhe, ku arrin të shohësh edhe kaltërsinë e detit Adriatik.
Ndërsa më poshtë se kuota e Krujës dallohen qartë avionët që i drejtohen aeroportit të Rinasit, të cilët vijnë duke e ulur lartësinë.
 
Pazari i vjetër
Në Krujë je i mirëpritur kudo që shkon. Në kafene e restorant çmimet për konsum janë më të ulëta nga sa mund të pretendosh për një zonë turistike. Dhe si në pjesën muzeale të qytetit edhe në qendrën urbane të tij do të ndihesh po aq komod.
Si zbret shkallët dekorative përballë monumentit të Skënderbeut, je i prirë të njohësh skutat e Pazarit, me shpresë se do të gjesh diçka të veçantë e simbolike.
Bluzat, xhamadanët, opingat e çorapet e leshta, çantat e grave të punuara më avlëmend, gotat e porcelanit nga ato të fabrikës, çiftelitë madje dhe kitarat akustike, janë të stolisura me nga një shqiponjë të zezë dykrenash dhe ngjyrat e flamurit kombëtar. Pa folur për shpata e jataganë, që gjithashtu mbajnë simbolet shqiptare. Po aq dhe qilimat gjithfarësh, të cilët qëndrojnë të varur gjatë gjithë rrugës së Pazarit. I gjithë pazari i Krujës të jep përshtypjen e një dite festive, ku dominojnë ngjyrat kuq e zi. Mund të gjesh suvenire pa fund dhe nëse do të të duhet një veshje për në stadium, që të bërtasësh për kombëtaren edhe kur humbet, po ashtu mund të kompletohesh aty.
Tanimë është krejtësisht i restauruar, por Pazari i Krujës ka qenë në funksion që prej shekullit XV, dhe vendalinjtë e njohin ndryshe edhe si Pazari i Derexhikut.
Enciklopedia shkruan se Instituti i Monumenteve e ka cilësuar Pazarin e Krujës si një monument kulture të kategorisë së parë. Ndërkohë që e gjithë zona muzeale e qytetit njihet si një nga destinacionet turistike më të vizituara në vend. Këtu nuk ka nevojë t’i referohesh ndonjë enciklopedie, sepse kudo shkel do të gjesh grupe turistësh të interesuar për pak histori shqiptare.
 
Nostalgjia
Më parë se kaq, po në ditët e muajit nëntor të disa viteve me parë, kisha qenë në Krujë edhe për të zhvilluar një bisedë letrare me nxënësit e shkollës 9-vjeçare nr 1. Nga ky takim kam mbresa të pashlyeshme edhe për faktin se nxënësit e kësaj shkolle ishin të interesuar për librat dhe jetën letrare, shumë herë më tepër nga sa e kisha pritur. Nga takimi në fjalë, mbaj ende si replikë, të gjitha pyetjet, të cilët nxënësit i kishin shkruar në disa formate letre të kthyer në formë fizarmonike, faqet e të cilit kishin të shkruara të gjitha pikëpyetjet që kërkonin përgjigje.
Një herë tjetër, vizitën time në Krujë ia kam dedikuar vetëm vizitës në Kala, dhe në Muzeun Historik brenda saj si dhe në atë Etnografik. Sepse duhet thënë se Muzeu brenda kalasë mban emrin e Skënderbeut, dhe shumica e artefakteve janë të kësaj periudhe, edhe pse pavijonet nisin me periudhën nga lashtësia. Ndërsa Kulla e Sahatit e ngritur në një kuotë prej 16 metrash, është përdorur në mesjetë si kullë vrojtimi. Tanimë kjo Kullë dhe Teqeja e Dollmës, - brenda territorit të Kalasë - i janë nënshtruar restaurimit pas dëmtimeve që ndodhën nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.
Por e kam marrë rrugën për në Krujë edhe kur kam dashur që si destinacion përfundimtar të kisha vendin e shenjtë të Sarisalltikut.
Ndërkohë në kujtesën time kam të fiksuar dhe vizitën e parë në këtë qytet, e cila daton në vitin 1979, kohë kur Kalaja ende nuk kishte marrë trajtën e muzeut, i cili u përurua në nëntorin e vitit 1982.
 
Të tjera
Kur ndeshesh me pamjen e qytetit të Krujës, detyrimisht lidhjen kryesore do ta bësh me figurën e Skënderbeut dhe me Kalanë që ai e ktheu në bastionin e fitoreve të tij. Është aq evidente kjo sa dhe në restorant, bifteku i zgarës të serviret në një pjatë druri me formën e sëpatës.
Por jeta në këtë qytet nuk është e lidhur vetëm me mesjetën. Ky vend, sipas historianëve, është banuar që në shekullin e tretë para Krishtit. Pra është një vendbanim i lashtë. Enciklopedia shkruan se për herë të parë emri “Krujë” përmendet në shekullin e XII-të, ndërsa mendohet ta ketë origjinën te fjala “krua” që do të thotë burim uji. Kjo ndoshta sepse Kruja njihet për burimet e saj të shumta.
Sot Kruja ka një popullsi prej rreth 20 mijë banorësh, dhe pjesa aktive e fuqisë punëtore, - veç shërbimeve dhe tregtisë në Pazarin e Vjetër, ku zanatçinjtë prodhojnë e shesin objekte tradicionale – është punësuar dhe në industriale apo fabrikat e fasonerisë. Në këtë mënyrë Kruja është një qendër e rëndësishme jo vetëm turistike.
 
Kthimi
Kthimi nga Kruja për në Tiranë do të ishte më i lehtë, në një rrugë që merr poshtë, me po të njëjtat kthesa. Veç duhet të hapësh sytë e të jesh i kujdesshëm, sepse gjatë gjithë kohës do të kesh një makinë nga pas që kërkon të parakalojë, ose një makinë tjetër që të vjen përpara në korsinë tënde, sepse është duke parakaluar. Por si je futur në superstradën që të çon drejt qendrës së kryeqytetit nis të risjellësh në mendje gjithçka pe e fotografove në kryeqendrën e shtetit të Arbrit, që si atëherë edhe sot mban për emblemë emrin e një prej gjeneralëve më të shquar të Evropës: Gjergj Kastrioti – Skënderbeu.


Friday, October 15, 2021

Ne patriotët... me bukë e kos, e trastën plot!


Nga 
Leonard Veizi
 
Për patriotizmin e shqiptarëve është folur jetë e mot. Edhe për trimërinë e tyre. Atëherë kur burrat me mustaqe e pushkën krahut shkëmbenin duhan me të dredhur dhe merrnin vendime të forta në logun e burrave.
Por kjo kohë duket se ka ikur po aq sa vapa me gushtin. Ndërsa në vitet e këtij bollëku joorganik, - ku meshkujt pinë cigare elektronike dhe mbajnë në brez celularët - na ka zënë dhjam trupi nga qafa deri tek këmbët, por dhe truri bashkë me të. Madje kohët e fundit kemi rënë në një gjumë letargjik, si ariu në dimër, me përjashtim të ndonjë rasti të veçantë që nuk ngre kandar. Pra, nuk i prishim punë njeriu.
Lum si ne.
Po kështu siç e kemi nisur, duket se nuk kemi gjë në vijë. Se kohë për të marrë një sy gjumë ka gjithmonë. Por kohë për të qenë zgjuar shumë më pak. Dhe që të jetosh ca më mirë, e më me dinjitet, duhet t’u dalësh dhe ca punëve të tjera në ballë. Jo vetëm të shesësh ndonjë mall “nën dorë”, por dhe të kërkosh të drejtat e tua, kur sheh se po të shkelen me këmbë.
Nga kjo anë kemi filluar ta bëjmë një sy qorr.
-Opo, ç'na duhet ne... derisa malli më ecën, rregullohem me të mijat. Edhe trastën plot...
Ky është një egoizëm milimetrik, i papërfillshëm, që duket se ta mbush sofrën e drekës, por që darkën e shtyn me bukë e kos.
-Fiks. Edhe mjekësia kështu thotë: darka sa më e lehtë, që të flesh gjumë top. Të flesh aq saaaa... mezi të ngrihesh.
Mirëpo ndonjëherë edhe duhet prishur rregulli. Edhe duhet thyer qetësia. Se uji po nuk lëvizi, qelbet – thotë populli. Ndaj duhet dhe shpirti qytetar i revoltës. Që të dalim në protestë e t’u kujtojmë grave dhe burrave që kanë marrë frerët e shtetit, që ta tërheqin ca kapistallin dhe ta mbajnë revanin, se populli sipër në karrocë nuk rri vetëm të bëjë sehir. Dhe po nuk patëm këtë ndjenjë revolte, do të mbetemi si skllevërit, herë me pranga në duar e herë me pranga në këmbë. Do të thoni ju: skllevër, por të lumtur ama. Nëse e keni hallin këtu... Patjetër të lumtur. Sepse tek e fundit të gjithë e kemi nga një makinë, e bëjmë xhiro poshtë e lart Tiranës, e jo si ata skllevërit e Romës së lashtë të cilët nuk kishin as gomar e jo më të mendonin për ndonjë kalë shale.
Mirëpo prapë, edhe pse të lumtur, bukë e kos hamë. S’i prishim punë njeriu. Hidh tagji në trastë... pavarësisht vrimave të saj.
Ja ta marrim shtruar muhabetin, e ta shohim nga një tjetër këndvështrim.
Jemi patriotë të çartur, dhe e duam Shqipërinë ta shohim kampione bote. Për këtë vuajmë e jemi në siklet të madh. E ndjekim kombëtaren deri në filifistun, duke paguar para për vajtje-ardhje aq sa për të mbajtur një duzinë punëtorësh fasonerie me rrogë mujore. Tek e fundit, ne u shtypën si sardelet në Air Arena, kundër të gjitha rregullave anti-covid, e u blenë biletat në tregun e zi si frëngu pulën, për të parë një ndeshje ku kombëtarja si gjithmonë luajti mirë, por u për fat të keq u mund. Por dhe ne paq ua bëmë kundërshtarëve. U hodhëm shishe birre mbi kokë... por pa mall brenda, thjeshtë ambalazhin.
Ore, kundërshtarit i duhet treguar vendi. Se këtu duhen treguar vlerat e shqiptarëve, jo të ngrihemi kundër qeverisë e të thyejmë xhamat e kryeministrisë si halabakët.
Meqë ra fjala, për çfarë detyron qeveria studentët të bëjnë vaksina? Në fund të fundit në një auditor mblidhen a nuk mblidhen nja 50 studentë. Në stadium për ndeshjen Shqipëri-Poloni u shtypën më shumë se 22 mijë veta, të cilët merrnin frymë ngjitur në gojë të njëri-tjetrit. Apo, virus inteligjent ky kovidi, ka shtënë sevda me ata që ndjekin universitetet.
-Shqipëri bahçe me lule...
-Ha kos, ha!
Vazhdojmë me argumentin tjetër:
Kur na sulmon greku apo serbi, - me deklarata letre e kam fjalën, - ne tregohemi të gatshëm sa më s’ka. Jo të rrëmbejmë armët, se ato i kemi për të vrarë njëri-tjetrin, por hapim librin e shtëpisë... bashkë me faqen e facebook-ut, dhe i shajmë mbarë e prapa fqinjët tanë kur na cenojnë kufirin. Bëjmë dhe shenjën e shqiponjës me pëllëmbët bashkuar, për inat të tyre. Edhe kjo është një shenjë e devotshme atdhedashurie.
Po kur qeveria ngre taksat dhe mbyll syrin ndaj rritjes së çmimeve, s’ka burrë nëne që del në shesh të protestojë.
-Po fundja qeveria jonë është. Për të mirën tonë mendon. Pse ta shajmë?!
E drejtë! Mirë e kemi. Dhe në fund të ditës përsëri: bukë e kos. Mbajmë dietën tek e fundit. Se nuk po heqim dot as dhjamin që vumë gjatë karantinës.
Pastaj si mundet të dalim ne, burra 400 dërhemësh, se na u ngrit 100 lek të vjetra buka apo se u ngjit nja 200 a 300 lekë të vjetra karburanti?! Shumë më tepër se kaq ia lëmë bakshish kamerierit. Nuk na e lejon as statusi.
Pastaj, kur e ke trastën plot...
-Ha kos ha!
Por të paktën mos u anko e jargavit në tavolinën e kafesë, dhe as në qebaptore, kur ia ke shtruar me birra, qofte e xaxiq.

Wednesday, October 13, 2021

Dritëro Agolli, i përjetshmi i letërsisë


Nga Leonard Veizi

Për një rastësi fatlume, ai lindi po në 13 tetor. Vinte në jetë 20 vite pas paraardhësit të tij gjithashtu poet i jashtëzakonshëm. Veç njëri lindi në Shkodrën qytet dhe quhej Millosh, ndërsa tjetri në Devoll, tek fshati Menkulas dhe emri iu vu Dritëro. Por dy dekada janë një kohë e papërfillshme, për një komb i cili nxjerr dy poetë që dominojnë në mënyra krejt të ndryshme skenën letrare të vendit. Sot, në kandarin e vlerave, ku gramët nuk bëjnë punë dhe shenja treguese dridhet mes dy anëve, pesha e tyre nuk merr kurrfarë rëndësie, sepse koha vetë, me një njësi matëse krejt të pagabueshme i ka ngjitur lart në piedestal...

 ...Titulli si “patriarku i letrave shqipe” nuk bie me vdekjen e tij. Përkundrazi, tanimë ai qëndron mbi të gjitha çmimet e titujt që kishte marrë sa ishte gjallë. Dhe titujt e çmimet për të nuk kanë munguar. Gjithsesi, Dritëro Agolli cilësohet ndryshe dhe si një nga shkrimtarët më të mirë në letërsinë shqipe, në lëvrimin e vargjeve poetike dhe në të shkruarin e prozës gjithashtu.
Dritëroi ishte njeri i thjeshtë e popullor. Isha rritur nën hijen e mistershme e disi të rëndë që atij i jepte qenësia e Kryetarit të Lidhjes së Shkrimtarëve e Deputet i Kuvendit të dikurshëm Popullor. Pushtet politik me doza të mëdha, por shumë më tepër një pushtet letrar, si dhe një makinë “Polski Fiat” të cilën e kishte në dispozicion sa zbriste poshtë shkallëve të shtëpisë. Sepse për një rastësi tjetër, aspak oportune, apartamenti ku unë banoja në vitet ‘80 ishte vetëm 150 metra larg nga ai që cilësohej si “Pallati i Shkrimtarëve” - në hyrje të rrugës “Bardhok Biba” me pamje nga “Rruga e Dibrës”, - ku banonte Dritëro Agolli, si dhe Ismail Kadare. Sepse, - edhe pse në të njëjtin pallat banonin disa personalitete të tjera të artit, - unë vetë njihja vetëm këta të dy, si persona fizikë të cilët ishin të pajisur gjithashtu me armën e rëndë të një letërsie brilante.
Pas viteve ’90, teksa njihesha me Dritëroin, - tanimë me një peshë të dyfishtë për atë çfarë përfaqësonte, edhe pse jo më si Kryetar i Lidhjes, - hija e tij e rëndë u zhbë njëherazi. Sepse ai ishte Dritëroi, babaxhan e hokatar, me të cilin mund të bashkëbisedoje lirshëm madje dhe të të dëgjonte gjatë, duke tumosur vazhdimisht një cigare, për ato ç’ka mund t’i llomotisje, që mbase për të nuk përbënin as një kuriozitet të përciptë.
Si rrallëkush, ai u tërhoq nga jeta politike, por mbeti strumbullari i mendimeve të kthjellëta e plot debat, të cilët gazetarët ia merrnin më së shumti nëpërmjet telefonatave, që ai nuk i refuzonte kurrë.
Me flokë të thinjura që gati i binin mbi supe, ai mbeti fisnik në brendësinë e tij, po aq sa transmetonte në pamjen e parë.
Sot në bibliotekën personale, librat e Dritëro Agollit qëndrojnë në radhë. Janë aty poemat “Nënë Shqipëri” dhe “Devoll Devoll”, por dhe romanet “Komisari Memo”, “Njeriu me top”, “Trëndafili në gotë” si dhe “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”. Për më tej, do të më duhet të shkoj sërish në librari, sepse krijimtaria e tij është shumë më e gjerë se kaq.
Ai vinte në Tiranën e viteve ’60, pasi ishte diplomuar në Fakutetin e Arteve të Shën Petersburgut që asokohe quhej Leningrad. Ishte i ri dhe plot energji, ndaj jo vetëm shkruante lajme e reportazhe për gazetën “Zëri i Popullit” ku punonte, por thurte vargje pambarim në copa letrash dhe proza i zinte një kohë të pamjaftueshme.
Vite më pas teksa konsolidohej, u cilësua si poeti i tokës dhe i dashurisë, shkrimtari i filozofisë dhe i dhimbjes njerëzore. Kritika e kohës ishte shprehur për të se u shfaq në letërsi si një autor me kërkesa të larta për poezinë. E sipas kësaj kritike ai krijoi traditën e re të letërsisë shqiptare. Për më tej se kaq do të futeshim në një labirinth shprehjesh të ngurta e skematike, çka në vend ta lartësonte shkrimtarin e madh, më shumë do t’ia zbehte vlerat. Por gjithsesi na lejohet që për një kompromis të shkurtër e teknik të themi se gjatë gjithë karrierës së tij artistike Dritëro Agolli ka lëvruar: poezinë dhe poemën, tregimet dhe novelat, romanin dhe dramën, reportazhin dhe kritikën, analizën dhe raportin e lajmit, e për së fundi dhe skenarin e filmit.
Më i plotësuar se kaq nuk mund të bëhet një shkrimtar, që kishte punuar jo pak kohë dhe si gazetar e njohës i terrenit në përditshmëri, gjë që me siguri e ka bërë ta njohë jetën shqiptare shumë më thellë se një gazetar e shkrimtar që realitetin e sheh vetëm pas xhamave të zyrës.
Dritëro Agolli u lind në Menkulas të Devollit të cilit i këndoi aq shumë e aq shumë i kushtoi vargje. Por ndërroi jetë tek një spital universitar në Tiranë. Prej katër muajsh kishte mbushur 85-vitet e jetës së tij, kur sëmundja pulmonare nga e cila vuante prej ca kohësh e shkëputi nga përditshmëria. Ishte e premte... 3 shkurt 2017.
Sot, pakkush e di ku ndodhet vendvarrimi i tij, por në bibliotekat personale librat që ai shkroi qëndrojnë në radhë. Dhe po aq në pelikulën e kinemasë janë stampuar skenarët e tij në formën e një filmi artistik. Ndaj Dritëroi është po aty, “në ndonje fjalë a ndonjë shkronjë, - mjafton që librin pak ta heqesh - ai do te zbres do t'vi prane teje... ”

Krizat e habitshme, kur shqiptarët flenë mbi ujë e naftë


Nga Leonard Veizi
 
Sapo ndonjë krizë shfaqet te horizonti i globit, në Shqipëri jepet berihaj dhe ngrihen duart përpjetë e para.
Kemi një shtet tek i cili krizat shtrohen këmbëkryq; edhe kur ka vend, edhe kur nuk ka fare vend. Fjala vjen: po u ngrit “5 lekë” çmimi i naftës në bursë, këtu te ne pasqyrohet që të nesërmen, me “15 lekë”. Më shpejt se kaq nuk ka. Edhe me energjinë ndodh i njëjti fenomen. Edhe pse hidrocentrale kemi me bollëk e po vazhdojnë të ngrihen të tjerë. Nuk guxon kush të ngrejë ndonjë çmim andej nga Evropa se Shqipëria e implementon me shpejtësi ere. Jo për gjë por jemi të lidhur me interkonjeksionin.
Pa le kur ngrihet çmimi i grurit: Se këtu fitimi shkon dyfish ngaqë ia kemi gjetur marifetin me kohë; rrisim çmimin ulim dhe volumin. Pra, ha në të dyja krahët.
-Jo Safa, nuk ha dot në të dyja krahët, s’e nduk gjuhën…
Tani së fundi plasi edhe kriza e ujit. Domethënë, më shumë se gjysma e njerëzve të Tokës, nuk kanë sasi të mjaftueshme.
Bo, bo, kush e di sa do shkojë bidoni? Se sa për rritjen nga ana e bashkisë, atë e kemi hak me kohë. Po ai është ujë që përdoret për lavatriçen dhe për shkarkimin e WC-së. Unë e kam fjalën për ujin që i hedhim barkut.
Eh ç'na zuri belaja me këto krizat e njëpasnjëshme. Se edhe Covidi vazhdon të na ngatërrohet nëpër këmbë.
Mirëpo kur kërkon të bësh të zgjuarin e fillon e thellohesh, kupton se ne si Shqipëri nuk kemi të bëjmë fare me krizat globale. Atëherë fillon e bëhesh problematik, se e fut hundën dhe atje ku nuk duhet. Dhe fillon e mendon se meqenëse kërkojmë të aderojmë në Evropë jemi kahil të pranojmë më parë të këqijat e globalizmit me shpresën se më pas do të na vijnë të mirat. Nëse..., gjithmonë.
Në vitet ‘70 të shekullit të kaluar Shqipëria prodhoi grurë aq sa të plotësonte 100 përqind nevojat e vendit. Kështu u deklarua në Kongresin e 7-të. Dhe me Plenumet e Kongreset nuk bëhej shaka. Domethënë, nuk ishte nevoja të blinim as dhe një kokërr bereqeti, jo më të përfundonim në derexhenë që 80 përqind të nevojave t’i merrnin nga Serbia me para në dorë.
Kujë e zezë.
Që prej viteve ‘70 sasia e grurit për të mbuluar nevojat nuk është prodhuar më në vend. Prandaj dhe dacibao propagandistik i xhaxhi Thomait tek “Beni ecën vet” ka mbetur vetëm një batutë humori.
-Po hë moj Leta s’më gjete një herë. Ha byrek e mos na kurse, se këtë vit dolëm shumë mirë me grurin.
Sepse kur dilej mirë me grurin kërciste lakrori e bëhej festë.
-Aman o se dhe me fasule na u bë barku daulle.
Prandaj edhe çmimi i bukës në Shqipëri, tanimë lëviz sipas bursës ndërkombëtare.
Epo... çështje globalizmi. Shyqyr që ia arritëm kësaj dite e të jemi dhe ne si bota.
Po ec e shpjegoja një pensionisti, të kam rixha, që raportin e ushqimit ditor dhe ilaçeve mujore e ka fort të ngatërruar, aq sa për të mbajtur balancën i duhej të luajë me metaliket, ku herë fuqizon njërin buxhet dhe herë dobëson tjetrin. Dhe meazallah se flitet për ndonjë kompensim a indeksim, për ndonjë rritje të vogël pensioni, qoftë dhe sa për të larë gojën.
Por premtimet vazhdojnë.
Kur flitet për karburantin, - naftë e derivatet e saj, - është thënë gjithmonë se prodhimi i brendshëm në Shqipëri mbulon pjesën dërrmuese të shpenzimit. Gjithsesi, industria e naftës ende nuk ka arritur kulmin e saj të viteve ‘70-të, ku pikërisht në vitin 1974 Shqipëria prodhoi shifrën rekord prej 2.2 milionë fuçi nafte në vit. Por edhe sot që po flasim jemi mirë: herë nxjerrim 1.6 milionë fuçi në vit, e herë më pak. Epo Kuçova e Patosi aty janë e nuk kanë lëvizur. Edhe rafineria po ka qenë në punë. Tjetër gjë që ne kemi “dëshirën e mirë” për ta çmontuar e shitur si skrap. Si përfundim, ç'punë kemi ne te futemi nëpër kriza globale? Këtë nuk e kuptoj.
Për së fundi më qesharakja ka mbetur tek produkti ujë.
OKB ka dhënë alarmin se miliarda njerëz rrezikojnë të mbeten pa një pikë ujë.
Mirëpo ne, që dy milion e gjysmë kemi mbetur mbi këtë tokë, ç'punë kemi me miliardat e njerëzve që jetojnë në kontinentin Aziatik?
Dhe këtu tek ne, në çdo cep po hape dy metra tokën, shpërthen uji. Ndërkohë që ne kemi burime pa fund që na shkojnë kot në det e nuk i shfrytëzojmë dot. Po në këtë rast ç’punë kemi me krizën botërore? Apo, sa për të rritur çmimet?! Këtu po, rroftë sebepi...
Për analogji, në vitet e socializmit edhe pse ishim në krizë, trumbetohej se ishim mirë aq sa armiqtë na kishin zili. Tanimë ka ndryshuar pllaka. Nuk ka pse të jemi në krizë e na thuhet se jemi në krizë. Me sa duket vetë ofrohemi për t’u solidarizuar. Dhe fiuuuu…. çmimet, rriten si me katapultë.
Si gjithmonë e ha konsumatori.
Ndërkohë shqiptarët flejnë mbi ujë e naftë, por dhe mbi grurë po qe se i punojnë tokat djerë. Por ja që e kanë parë të udhës të përballen me rritjen e çmimeve dhe globalizmin.
E meqenëse ndjenja qytetare na mungon ca, sindikata nuk ka por nuk ka as parti opozitare, ne nuk ia kemi ngenë të dalim në protesta por zëmë radhën për të blerë bukën me çmimin e rritur, pasi kemi furnizuar më parë makinën me karburant të shtrenjtuar.
Sepse edhe protesta e fundit para kryeministrisë kundër rritjes së çmimeve, nuk është se e tronditi qeverinë.
-Do hosten bualli, jo pickime pleshti.
Dhe tanimë të mos guxojë të qahet njeri për çmimin e ujit. Se përditë e pimë që në mëngjes, bashkë me kafenë, një bidon 500-gramësh, me një vlerë 80 lekë. Uji i Bashkisë vlen vetëm për të larë enët dhe rrobat. Fundja çfarë raporti u prish po u rrit edhe 20 lekë të tjera uji i konservuar. Për salltanet është. Kush e ka me të keq le të fusë kokën te çezma e tualetit, në mungesë të çezmave publike që në Tiranën një milion banorëshe nuk e gjen një për be.