Sunday, March 28, 2021

Tek liqeni i Belshit, kryeqytetit hipotetik të shqiptarëve


Në vend të një reportazhi
 

Nga Leonard Veizi


Si ke lënë autostradën që vjen nga Tirana dhe je futur në rrugën e Bradasheshit, tek rrethrrotullimi i kufizuar nga karburantet shumëngjyrësh, nuk do të të duhet të futesh për tek “autostrada” e Metalurgjikut, e cila të çon në Elbasan, por duhet të marrësh djathtas dhe t’ia mbash drejt, e si të kaptosh mbi një urë shkumbinase, fillimisht do ndeshesh me tabelën: Vidhas. Si ke kaluar dhe Paprin, duhet sërish të ndryshosh kurs, e të futesh majtas, për të marrë rrugën që të çon në Cërrik. Dhe pa u futur mirë në qytetin e Cërrikut do të të duhet të ndërrosh sërish rrugë, të marrësh djathtas atje ku kryqëzimi ka si pikë simbolike sërish një karburant. Dhe po të ecësh asaj rruge për pak minuta do të ndeshesh me liqenin e parë të Belshit. Pas tij sigurisht vjen liqeni më i madh dhe Belshi vetë si qendër administrative. Sepse Belshi si qendër e Dumresë përbëhet nga disa liqene.
Shumë i njohur për bukurinë e veçantë të peizazhit, Belshi përshkruhet si kryeqytet i mundshëm i Shqipërisë osmane, nga një ndër personaliteteve më të rëndësishme të Rilindjes Shqiptare, Sami Frashërit. Sepse asokohe shqiptarët, si pjesë përbërëse e perandorisë, kishin një tjetër kryeqytet, Stambollin.
Por dëshira e Sami Frashërit nuk arriti të bëhet realitet. Shumë më pas se Sami Frashëri të botonte librin e tij “Shqipëria ç'ka qenë, ç'është e ç'do të bëhet”, kryeqendra provizore e vendit lëvizi nga Vlora në Durrës... U fol për Shkodrën dhe Elbasanin. Por pastaj u vendos Tirana. Dhe nëse Belshi do të ishte bërë vërtet kryeqytet i Shqipërisë, do të kishte rezervatin e saj natyral të ujit dhe nuk do të duhej punë vullnetare për të krijuar një liqen arificial, si ai që ka Tirana, tanimë.
Por kjo i takon historisë.
Në realitetin e sotëm, Belshi ka një popullsi prej rreth 6000 banorësh dhe si bashki ajo numëron rreth 14.000 banorë. Pra, sa aneksi i një lagjeje periferike të Tiranës. Se thonë që kryeqyteti ynë ka një milion e kusur banorë, dhe s’ka lënë njeri pa ardhur në kryeqendër, që të jetojë pranë mbretit. Ca të tjerë, më të zgjuar, - në dukje besoj, - kanë preferuar të shkojnë pranë detit. Se mbretin e shohin çdo darkë në televizor.
Belshi ndodhet në jug-perëndim të Elbasanit, rreth 30 km larg tij. Dhe 60 kilometra nga Tirana. Përkthyer në një distancë mesatare kohore udhëtimi për të shkuar nga kryeqendra e Shqipërisë në kryeqendrën e Dumresë zgjat përafërsish 60 minuta.
Pamjet e Belshit të ristrukturuar tanimë kanë bërë xhiron e Shqipërisë. Se fillimisht ato i hodhi në tregun mediatik kryeministri Rama, duke u betuar se Rilindja Urbane, do rregullonte jo vetëm kërthizën e Shqipërisë, por edhe cepat më të shëmtuar të saj. E ndoshta dhe për shkak të kësaj sapo hyn në Belsh të pret një pankartë e madhe ngjyrë mavi me sloganin “Shqipëria e ardhmja jonë”
Për një turist të thjeshtë, që nuk do t’ia dijë për politikat urbane, vlerë ka argëtimi në mënyrë të kulturuar, për sa kohë ai kërkon të kalojë në këtë qytet. Belshi nuk të ofron një kala si të Krujës dhe as si ajo e Petrelës, por qetësia e liqenit, dhe gjelbërimi i pllajave përreth tij është shumë domethënës.
Bregu i liqenit nga ana e qytetit është i ndriçuar mirë me drita led, është shtruar për së mbari me pllaka të cilësisë mesatare, dhe mbi liqen është montuar një bankinë dërrasash që kanë filluar të deformohen tashmë. Por aty-këtu në shëtitoren buzë liqenit janë vendosur dhe disa buste ku veçohet ai i Skënderbeut dhe i Sami Frashërit. Për më shumë se kaq, kudo nëpër shëtitore dhe në disa restorante periferike do të ndeshësh kolona me kapitele, aq sa po të mos informohesh se janë punime të kohëve të fundit, për modë, do mendosh se janë mbetje arkeologjike të kulturës helene ose asaj romake që nga koha e pushtimit prej Paul Emilit. Ose-ose, greko-romake të marra së bashku.
E megjithatë duhet thënë se në Belsh ndodhet një nga vendbanimet më të lashta të ilirëve. Gërmimet arkeologjike në Gradishtë kanë dëshmuar se aty ka qenë vendbanim i lashtë, ku në bazë të sendeve të gjetura është vërtetuar se zona ka qenë e banuar që prej periudhës së bronzit të hershëm.
Udhëtimi që të çon në destinacion bëhet i këndshëm, nëpër një rrugë që gjarpëron nëpër kodra të buta e fusha të punuara mirë, gjë që të bën të mendosh se shqiptarët janë po aq bujq të mirë me parmendë në dorë, sa kanë qenë dhe dikur jeniçerë me shpatë në brez.
Dhe e gjitha kjo, sepse zona është turistike. Dhe njerëzit që shkojnë për të kaluar një fundjavë në këtë trevë, padyshim që duan dhe ca ushqime, në mos 100 për qind bio, të paktën bio në përqindje më të lartë se 50. Sepse në kushtet e sotme, ku mendohet se shumë ushqime janë sintetike nuk është e habitshme që edhe pse ke porositur një sallatë fshati të hash kashtë shoqëruar me oriz plastik, për të cilin të “sigurojnë” se është pilaf milanez.
Por zona duket se ka prodhim të mbarë dhe veç tokave të punuara në çdo cep syri të zë dhe shumë sera, të cilat padyshim jo vetëm e shtojnë prodhimin, por japin dhe zarzavate të cilat nuk janë të stinës.
Pasi ke pirë një kafe në qendër të Belshit, ke bërë dhe një xhiro buzë liqenit sa të janë këputur këmbët dhe mesi bashkë, papritur e ndjen se vetëm në dy-tri orë ti hartën e qytetit e ke në pëllëmbë të dorës. Këtu fillon të zbehet dhe interesi për shtëpitë e bukura të ngritura vitet e fundit, ku banorët të bëjnë me dije se kapitali për ndërtimin e tyre ka ardhur si rezultat i punës në emigracion. Ndërkohë ke mësuar ku ndodhen markatat, tregu i prodhimeve sezonale, floktoret, dyqanet e vesh-mbathjeve dhe restorantet. Si ka kaluar dhe kjo valë qejfi e relaksi, dilemës se nuk ke çfarë të bësh më aty, i zë vendin mendimi se ka ardhur koha t’i hipësh makinës e t’ia mbathësh me shpejtësi sportive.
Por jo...
Tanimë Belshi ka dhe një risi që të bën të kalosh të paktën dhe një orë më shumë sa të afrohet orari i drekës, ku qëllimi për të ngrënë një pjatë mishi të dhjamosur shoqëruar me salcë kosi, patate e birrë me kanoçe, nuk të shqitet prej mëngjesit.
Në molin e liqenit të pret një anije e vogël, e cila për një çmim shumë të arsyeshëm të ofron një shëtitje 20 minutëshe përreth liqenit. Të paktën kjo ta largon vëmendjen nga helli që vërtit mishin e qengjit dhe sofra ku shtrohen aq pjata sa me ushqimet që serviren në to to do të nginjej dhe një derr.
Pasi je rehatuar në kuvertën e katit të dytë të anijes “Uniqe”, - ku nuk mungojnë as jelekët e shpëtimit ngjyrë portokalli, - mund të porosisësh një kafe të dytë, sepse aty ka një banak, dhe vetë kuverta është trajtuar si një bar-kafene. Të gjithë udhëtarët turistë shkrepin foto e selfie dhe udhëtimi që nuk është dhe aq i shkurtër, shkurtohet edhe më, pasi koha kalon shpejt.
Moti është i mirë, liqeni i qetë dhe anija rrëshqet mbi ujë.
Floriani, administrator i kësaj anije, thotë se gjatë një fundjave i ka qëlluar që të shëtisi gati 10 mijë turistë. Sepse anija mban turisë në të dy katet e saj, - rreth 120 të tillë, - ku jo rrallë të organizuarit me shkolla apo zyra punë mund të bëjnë një party, e të kërcejnë pak, pasi muzika nuk mungon.
Natyrisht, gjatë verës, njerëzit dynden të bëjnë një udhëtim, pasi dielli është fshehur në perëndimin e tij dhe në qytet janë ndezur dritat.
Atëherë po, gjithçka duket më e bukur!


Thursday, March 25, 2021

Gënjeshtrat inteligjente të fushatës


Nga Leonard Veizi

Çdo ditë e më tepër fushata zgjedhore apo parazgjedhore në mund të quhet kështu, po bëhet po aq interesante sa dhe vitet e shkuara. Madje këtë herë edhe më interesante, ku mungesës së platformave i janë shtuar ca aksesorë të tjerë kontemporanë. Fjalë vjen: Edin si kryeministër e gjejmë kantier më kantier duke inspektuar punimet e pambaruara për të cilat kërkon një tjetër mandat tjetër në përfundim të së cilit pretendon ta bëjë Shqipërinë lule. Ndërsa Luli si kryeopozitar ndeshet kafene më kafene duke takuar baristë e kamerierë por dhe artistë humori ndonjëherë. Ndoshta sepse fushata ka nevojë pak më shumë nevojë për humor, pasi maskat në fytyrë na rrëfejnë se Covidi nuk është zhdukur me një “të ngritur të flamurit” dhe as me nja 60-70 mijë doza vaksinash që na kanë ardhur kohët e fundit me avion portativ.
Por fushata më së shumti sot bëhej nëpërmjet rrjeteve sociale. Nuk ke pse paguan një kameraman me aparat profesional, kur mund të përdorësh celularin dhe ta kesh kryer punën. Madje këtu mund të të ndihmojë free dhe bashkëshortja e cila mund të bëjë dhe montazh me një aplikacion të shkarkuar.
Eh, ku vajti shkenca.
Nisur nga ky zhvillim i paparë teknologjik, sot takimet tetë a tetë nuk janë të nevojshme. Jo vetëm nga rrezikshmëria e përcjelljes së virusit, por më së shumti në ruajtjen e energjive. Sepse takimet me turmat ku duhet të mbash fjalime me zë të lartë, të lodhin e të këpusin jo vetëm nga gjunjët e këmbëve por dhe nga kordat e zërit.
Fushata po shkon për së mbari. Sherret e vogla të militantëve janë të papërfillshme përpara premtimeve për rritje rrogash me euro. Shoku Enver dikur i bënte premtimet me flori. Domethënë me lugë floriri. Sot leku ka dalë nga përdorimi, flitet me euro,
Kjo do të thotë se po bëhemi gati të futemi në Evrope.
Në Shqipëri ka nisur moda e terminaleve. Po ngrihen terminalet e autobusëve, terminalet e trenave, terminalet e trageteve dhe terminalet e avionëve.
Shkurt do bëhet ajo që shoku Enver nuk arriti ta bënte dot: Shqipërinë shkëmb graniti dhe qendrën e botës ku do përplaseshin interesat e mëdha globale.
...dhe përralla vazhdon...

Në udhëkryqin “Kasandra”


Nga Leonard Veizi

Gjatë këtij viti, - që daton nga marsi 2020 e deri në marsin 2021, - kam shkruar shumë rreth pandemisë dhe konspiracioneve që rëndojnë mbi të. Dhe do të vazhdoj ta bëj për më tej, sepse enigmat vazhdojnë. Dhe në një hapësirë ku ka enigma, konspiracionet kanë terrenin e duhur për të lulëzuar e për t’u bërë faktor deri në tejskajshmëri.
Nisja e “epokës pandemike” u konsiderua si nisja e një lufte. Dhe është e tillë. Por zyrtarisht nuk mund të quhet ende si Lufta e Tretë Botërore, pasi mungon emri i zjarrvënësit.
Lufta e Dytë e kishte një emër të tillë, Adolfi, i cili i mori me vete të gjitha mëkatet e kësaj lufte bashkë me vdekjen e tij të fabrikuar. Lufta gjashtëvjeçare la mbi 60 milionë viktima.
Më parë se kaq, Lufta e Parë Botërore gjithashtu e kishte një emër, Habsburgët e Austro-Hungarisë që i shpallën luftë Serbisë për të vendosur në vend nderin pas vrasjes së princit Ferdinand,- që ishte  trashëgimtar i fronit perandorak, - nga një nacionalist serbo-boshnjak, anëtar i shoqërisë “Dora e Zezë”. Lufta në hapësirën e pesë viteve, në fakt, shkaktoi më shumë se 20 milion të vrarë.
Dhe ende pa mbaruar kjo luftë mizore me armë të rënda, u shfaq “gripi spanjoll”, që shkaktoi viktima po aq sa dhe lufta, ndoshta edhe më shumë. Edhe asokohe shtypi shkroi se virusi i ashtuquajtur “gripi spanjoll”, - por që shkencërisht ishte i koduar nën siglën H1N1, - ishte prodhuar nga dora njerëzore në kushte laboratorike.
Historia na ka mësuar se e keqja më e madhe e njerëzimit është po ai vet. S’ka ndonjë gjë për t’u çuditur këtu.
E ndërsa midis dy luftërave botërore kishte vetëm 20 vite paqe, - kohë për riarmatosje me mekanizma më të përparuar, - prej vitit 1945 e deri në 2020 bota përjetoi luksin e 75 viteve qetësi të brishtë e zhvillim të lartë teknologjik.
Por meqenëse shkenca të jep mundësinë të bësh luftë më pak të zhurmshme se sa nisja e miliona ushtarëve në front shoqëruar me tanke, avionë, nëndetëse e anije mbiujëse goditëse, edhe Lufta e Tretë mund të konsiderohet si një përplasje interesash të mëdha, që kur të sheshohen me gjasa mund të sjellin Rendin e Ri Botëror, aq të përfolur.
Të jemi të qartë, kjo është teza e mbrojtur më së shumti nga konspiracionistët. Por në një botë të lirë, tezat dhe librat e botuar prej tyre shiten në miliona kopje. Që do të thotë se një kontingjent i konsiderueshëm njerëzish marrin këtë lloj informacioni dhe ndikohen prej tyre. Dhe këtu nuk flitet për internet pa kufi, që e shumëfishon informacionin.
Megjithatë “ku ka zë s’është pa gjë”, thotë populli. Dhe në raste të tilla të gjitha hipotezat janë të mundshme.
Bota sot është në udhëkryq.
Udhëtimi vazhdon të jetë i mbushur me rreziqe edhe pse injektimi i popullsive me dy doza antivirus po vazhdon me shpejtësi, po ku dalja e 6-7 vaksinave njëherazi përveç optimizmit e futi qenien njerëzore sërish në mendime të thella: A mos ishte e gjitha kjo një gjë e planifikuar???
Herë-herë duket sikur lokomotiva që tërheq vagonët me njerëzit brenda saj, e që udhëton në sistemin e kohës, po bën të njëjtën rrugë, po si ai treni të cilit iu ndryshua destinacioni, dhe u la qëllimisht të shpejtonte mbi një trase të vjetër e të braktisur hekurudhore, shinat e të cilit e çuan mbi një urë metalike të ndryshkur e të pamirëmbajtur, e cila quhej “Ura Kasandra”.
Për ata që e mbajnë mend, ky ka qenë një film, produksion britaniko-italian i vitit 1976, për realizimin e të cilit u angazhuan një kast aktorësh të jashtëzakonshëm si: Sofia Loren, Riçard Harris, Ava Gardner e Martin Shin.
Për ata që nuk e kanë parë në televizor, ai tashmë ndodhet lehtësish i aksesueshëm në kanalin e youtube-it në internet, nën emërtimin origjinal: “The Cassandra Crossing”.
Vite më parë, ky film është konsideruar thjesht si një fiksion, madje dhe është dërrmuar nga kritikët e kinemasë, të cilët e panë me dyshim trillin mbi të cilin ishte inskenuar subjekti. Por i vlerësuar në ditët e sotme, ai mund të lexohet me një regjistër tjetër.
Skenari flet për tre terroristë suedezë që hyjnë në laboratorët e OBSH-së në Gjenevë për të vendosur një bombë. Rojet e shërbimit të brendshëm japin alarmin. Terroristët kërkojnë të fshihen në një nga laboratorët e sigurisë së lartë, ku studiohen viruset e reja. Një prej tyre vritet, tjetri plagoset rëndë; por plumbat shkatërrojnë dhe disa ampula që përmbanin viruse, e që i infektuan ata. I fundit nga grupi arrin të largohet. Ai mbërrin në stacionin hekurudhor të Gjenevës dhe hipën në trenin që kish si destinacion final, Stokholmin. Rrugës zbulohet se terroristi po vuante tanimë nga virusi, e që fillimisht u identifikuar në mënyrë të paqartë si pneumoni apo murtajë, me një normë vdekshmërie prej 60 përqind. Terroristi i arratisur vdes, por ndërkohë virusi është përhapur tek disa pasagjerë. Kjo përbënte problem, pasi një ekip mjekësor mendoi se treni mund të kthehej në qendrën e përhapjes së një epidemie. E si zakonisht në këto raste kërkohet ndihma e ushtrisë. Një kolonel vepron sipas urdhrave që merr nga eprorët e padukshëm. Ai këmbëngul në ndryshimin e udhës së trenit në një linjë hekurudhore të papërdorur, e cila do ta çonte kontingjentin e pasagjerëve në një ish-kamp përqendrimi nazist në Janov të Polonisë, ku udhëtarët do t’i nënshtroheshin karantinës. Linja e ndryshuar përshkonte me një urë hark prej çeliku të paqëndrueshëm, që njihej si Ura Kasundruv ose “Kalimi Kasandra”, e që ishte jashtë përdorimit. Treni u ridrejtua për në Nuremberg ku e prisnin ushtarët të armatosur, me veshje lufte biologjike. Në stacion dritaret e vagonëve hermetizohen. Pasagjerët bëhen të vetëdijshëm për gjendjen e tyre si të burgosur. Gjatë rrugës ata përleshen me ushtarët e armatosur, sepse kanë kuptuar që lokomotiva po tërheq vagonët në një rrugë pa kthim. Treni kalon mbi urën “Kasandra” dhe meqenëse ajo nuk e përballoi peshën e tij shembet dhe disa nga vagonët bien nga një lartësi prej dhjetëra metrash. Ky është dhe epilogu i filmit, pasi ekipi mjekësor ka vënë në dijeni komandën ushtarake se virusi nuk është dhe aq i rrezikshëm dhe se mund të luftohet. Por urdhrat janë urdhra, dhe ushtarakët dinë vetëm t’i zbatojnë ato, qoftë dhe duke marrë jetë njerëzore, aq sa është e mjaftueshme për të quajtur një çështje si “closed case”.
The Cassandra Crossing” ishte një produksion filmik që në njëfarë mënyre i parapriu dhe një kolane të tjerë filmash me tematikë viruset, për të mbërritur te realizimet më të fundit si “Pandemia” apo "Infektimi" marrë përsipër nga Hollivudi amerikan tashmë.
E ndërkohë, kthehemi përsëri me këmbë në tokë, te pandemia që shkaktoi virusi Sars Cov-2 me Covid-19. 
Ai ishte ai një prodhim natyror apo i modifikuar nga dora njerëzore? Rrodhi nga një laborator gabimisht apo u hodh qëllimisht?
Për këto pyetje vështirë se do të marrim një përgjigje të pastër.
Ndërkohë, nga Evropa, pas një viti përpjekjesh, ende nuk vijnë sinjale pozitive. Masat e shtrëngimit vazhdojnë, njerëzit cilësohen ende si të karantinuar, detyrohen të mbajnë maska si aksesorë veshjeje, dhe vazhdojnë të pengohen në lëvizjen e tyre të lirë. Certifikatat që tregojnë se je i imunizuar, edhe pse u tha se nuk do të gjenin zbatim, kanë hyrë në linjën e prodhimit tashmë. Dhe pak nga pak, planet për të cilat u tha në fillim se janë vetëm produkte mediatike për të çorientuar njerëzit, kanë filluar të zbatohen.
Pritet thellimi i tyre. “Epoka” e pandemisë vazhdon. Dhe në një epokë të errët, ku njerëzit shumicën e kohës detyrohen të mos dalin nga apartamenti i tyre, mund të bësh gjithçka nuk mundesh kur ata i ke nëpër këmbë.
Dhe ec e mos beso në teori konspiracioni e fantazi të shfrenuara.
Po a mund të jetë një virus aq rezistent dhe shkatërrues sa në të njëjtën kohë, - me një distancë vetëm prej pak muajsh nga zyrtarizimi i tij si Sars Cov-2, - ai të mund ta mbyllte të gjithë botën në një karantinë pa frymëmarrje e të krijonte një shkatërrim ekonomik të thelluar? Mos ndoshta vetë Toka jonë nuk i mban dot mbi vete gati 8 miliardë njerëzit që gjallojnë mbi të, ku minimalisht secili prej tyre kërkon nga një gotë ujë çdo ditë? Dhe shumë më tepër për t’u larë. Nuk po flasim se sa metra kub dru duhen prerë që njerëzit të pajisen me pecetat higjienike njëpërdorimshme. Nuk po flasim as për mbetjet toksike që derdhen oqeaneve dhe as për plastikën që ka “mbirë” kudo.
A është ky një seleksionim natyral?
Emetimi i gazrave, ngrohja globale dhe burimet ujore janë të tjera probleme të mëdha më të cilët bota po përballet.
Duke ngritur pikëpyetje të tilla kemi vënë në punë dhe motorin për t’i dhënë përgjigje vetes. Por me një marzh të madh gabimi, sigurisht. Sepse e vërteta absolute është në pronësi të një grupimi të vogël, të cilët për konsum të përditshëm hedhin në tregun mediatik të vërteta të tjera, jo absolute.
Dhe së fundi ngrihet edhe një pyetje tjetër: A mos vallë treni ynë i jetës ndodhet mbi atë urën prej metali, e cila nuk e mban dot mbi vete peshën e madhe të vagonëve, dhe që për rastësi të paqëllimshme quhet: Kryqëzimi Kasandra?

Tuesday, March 23, 2021

Sulejman Pitarka, ky gjigand i skenës teatrore dhe pelikulës së filmit

U lind në Dibër në vitin 1924. Interpretoi 70 role në teatër dhe 20 në kinema. U nda nga jeta më 24 mars të vitit 2007, në Tiranë, në moshën 83 vjeçare
 
  


Nga Leonard Veizi
 
Skenës teatrore i vijnë rrallë aktorë si ai, por dhe kamerës së kinemasë po aq rrallë i vijnë. Sepse si interpretues ishte sa skenik aq edhe filmik. Për të nuk përbënte kurrfarë problemi në duhet të luante përballë spektatorëve që e prisnin me duartrokitje të nxehta në plate apo përballë kamerës me lente të ftohta në sheshin e xhirimit, ku zëri i regjisorit dëgjohej çdo çast: Ka motor...
 
 ...Ai ishte Xha Lipja tek “Pas gjurmëve” dhe shoku Sokrat tek “Horizonte të hapura”. E mes tyre ka mbetur e pashlyer dhe figura e gjeneralit italian të Luftës së Vlorës.
-“Ultimatum?! Neve na japin ultimatum? Thonë se të vegjlit kanë zë vetëm për t’u lutur e për të të marrë me të mirë, kurse këta po na nxjerrin dhëmbët për të kafshuar... Me këta asnjë diplomaci. Të thashë një herë kapiten..., ashpër...”
Por me siguri, roli i tij më i plotë e i jashtëzakonshëm ka qenë ai i gjeneralit rus tek filmi “Ballë për ballë”, Zheleznovit.
 -“Do ta kërkojmë Vlorë admiral, por nuk kemi për ta gjetur më kurrë. Dijeni këtë nga unë. Por do bredhim nëpër Mesdhe si çifutët nëpër shkretëtirë. Kjo është ikje, ikje...”.
Ky ishte Sulejman Pitarka, gjigant i skenës dhe kinemasë shqiptare. Një aktor i pashembullt e me një diapazon të madh në realizimin e personazheve të cilët kanë mbetur të gjallë në arkivin e filmit shqiptar.
-“Prapsu... Nuk zihet me dorë Abdi Mamani
E kush mund t’i jepte ton më shumë se kaq një personazhi të tillë tek filmi “Gjeneral Gramafoni”. E për më tepër kush do të mund ta luante më mirë rolin e Llambi Gurit, vjehrrin e kryetarit të Komitetit Ekzekutiv tek “Rrethimi i Vogël”.
-“Mua moj ti Sose m’u prish rehati, ka dy javë që thua zotrote që nuk bëj dot gjumë vape hiç. E sot jam i lodhur do vete të shtrihem. Jo po më falni ëëë”.
Sulejman Pitarka, është konsideruar në vijimësi si një nga aktorët më të mëdhenj të shqiptarë, i cili karrierën e tij e ka pasur gjatë gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX. Ka luajtur me sukses të paktën 70 role në Teatrin Popullor që më pas u emërtua si Teatri Kombëtar. 20 role të tjera të interpretuara prej tij i përkasin kinematografisë.
-“Turp the... A vjen pak se diç dua të të them. Turp duhet të kesh ti mor djalë. Në vend që të vrasësh mendjen për defektin e pilotëve, vete më vritesh me grushte me Robert Çamçakëzin”.
Por Sulejman Pitarka ishte po aq dhe dramaturg. Ai hyri në historinë e dramës shqipe si autor i “Familja e peshkatarit”. Një nga më të suksesshmet e në dramaturgu shqiptar. Vepër që me skenar të tij u kthye në filmin artistik “Oshëtimë në bregdet”
Sulejman Pitarka lind në Dibër në vitin 1924.
Vetëm pak vite më pas, në vitin 1927, kur ishte në moshën tre vjeçare, familja e tij u vendos në Durrës. Në këtë qytet bregdetar ai kaloi dhe fëmijërinë. Pas mbarimit të shkollës së mesme, filloi punë në bankë si ndihmës llogaritar në një firmë të njohur italiane dhe më pas në Bankën e Durrësit. Por pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ai i braktis financat për t’iu përkushtuar teatrit.
Disa përvoja skenike, pothuaj rastësore, gjatë shërbimit ushtarak, të cilin e kreu në vitet 1945 – 1947, e shtynë të interesohej më shumë për teatrin dhe të përfshihej në lëvizjen amatore të Durrësit.
Pikërisht në teatrin e Durrësit interpretoi disa role si në dramat “Ishulli i paqes”, “Invadimi”, etj. Me ndihmën e aktorit të madh shqiptar, Mihal Popi, në 1951 bëhet pjesë e Trupës së Teatrit Popullor.
Interpretoi të paktën 70 role, duke shkëlqyer njësoj, si në dramë, ashtu edhe në komedi.
Ndërkohë, pas suksesit në filmin “Debatik” që ishte dhe interpretimi i tij i dytë kinematografik, Sulejman Pitarka do të siguronte një karrierë të pasur edhe në Kinostudio. Në fakt, ai e filloi me filmin “Furtuna” por pas filmit “Debatiku” interpretoi edhe në “Horizonte të hapura”, “Gjeneral Gramafoni”, “Pas gjurmëve”, “Tinguj lufte”...
-“Më theu violinën e djalit mo, e kam sjellë nga ana e anës, çmë thua”.
 Dhe puna e tij me filmin do të vazhdonte më pas me: “Guna përmbi tela”, “Rrethimi i vogël”, “Vdekja e burrit”, etj.
Një rol tjetër emblematik i tij është dhe ai i Çelo kasapit tek filmi “Nxënësit e klasës time"
-“Pse o lojtar mi thua ti. Pa pastaj edhe federata nuk na ka me sy të mirë hiç. Çke ti kam atë bagabondin tim, vallahi të çan si portjer. Ma kërkojti po nuk e dhashë. Kam frikë se mbetet prapa me mësime. Se vjet çështë e vërteta që mirë, por dhe këtë vit them se do ta krrejë aty të nëntë pikë dyja. Se po i doli mesatarja e mirë i del dhe e drejta e studimit”.
Por gjithsesi roli i tij më i spikatur mbetet ai i Zheleznovit, komandantit rus të bazës së Pashalimanit. “Ballë për Ballë” ka marrë pjesë në Festivalin e Filmit në vitin 1981, ku u shpall dhe fitues i këtij edicioni.
Ndërkohë në vitin 2004 Sulejman Pitarka u nderua me “Çmimin e Madh të Karrierës”
Në vitin 2005 ai mori çmimin “Aktori më i mirë” për rolin e plakut që e dërgojnë në azil tek drama “Pjata prej druri” shkruar nga Edmond Morris, në Festivalin “Apollon 2005”.
Në vitin 2006 u vlerësua sërish për të njëjtin rol si “Aktori më i mirë” në Festivalin e Teatrove në Dibër të Madhe.
“Pjata prej druri” e vënë në skenë nga Teatri Kombëtar më 2006, ishte drama ku Sulejman Pitarka luante rolin kryesor. Kjo ishte dhe ngjitja e tij e fundit në skenë ku për spektatorin dhuroi një rol mjaft mbresëlënës.
Sulejman Pitarka u nda nga jeta më 24 mars të vitit 2007 në Tiranë, në moshën 83 vjeçare.
Në kujtim të Sulejman Pitarkës, Bashkia e Tiranës i vendosi emrin e tij një rruge në kryeqytet. Qyteti i tij i lindjes, Dibra e Madhe, e shpalli me një ceremoni madhështore “Qytetar Nderi”! 
Ndërkohë Sulejman Pitarka për meritat e tij artistike, është vlerësuar me titujt e lartë “Artist i Popullit” dhe “Mjeshtër i Madh”.


Friday, March 19, 2021

Tom Kuka na dhuron një letërsi moderne mbi një histori të vjetër

Ca fjalë të thjeshta drejtuar një lexuesi të pakualifikuar, për një vepër të kualifikuar
 


Nga Leonard Veizi
 
Në thellësinë e tij ka qëndruar gjithmonë qenësia e shkrimtarit, edhe pse në botën publike, shpërfaqja ka qenë pak më e vonë se rendja e të tjerëve, për t’u bërë prezente në letrat shqipe qysh më herët. 14 vjeç mundësisht.
E kam fjalën për Tom Kukën, i cili gjerësisht, edhe për shkak të ekranit njihet si Enkel Demi, ose më shkurt akoma: Keli. Dhe meqenëse nuk na intereson se cilin nga dy emrat ai mban në certifikatën personale dhe atë të familjes, më të cilën paguan faturat e shtetit, dhe gjobat e tij, do të flasim për shkrimtarin Tom.
Në botën letrare flitet vetëm për atë çfarë lexohet, dhe kurrkush nuk merret me analizën e personit në fjalë. Dhe nëse do të ndodhte e kundërta, tavolina e debatit letrar kthehet në një tavolinë thashethemesh, ku mund të mos mungojë as një filxhan kafeje i kthyer përmbys. Veç duhet një kurbatkë, që të deshifrojë vijat përmes llumit.
Pak vite më parë Tom Kuka erdhi si një emër i ri në letrat shqip. Për më tepër që ai u vesh me një vel misteri sepse duhet të gjenim gjëegjëzën se kush fshihej pas këtij pseudonimi. Kishte shumë nga ata që merren me fjalëkryqe e kriptograme që vranë mendjen për të gjetur origjinën e shkrimtarit misterioz. Personalisht nuk më interesoi të dija se kush ishte autori i veprës. Thjesht më interesoi vepra. Ndaj e shijova historinë e parë të publikuar nën titullin “Hide mbi kalldrëm”. Dhe meqë nuk vuaj nga xhelozia profesionale, - ose të paktën kështu më gënjen mendja,-  ca kohë më vonë, në një ambient publik deklarova se ajo çfarë kishte shkruar Tom Kuka ishte një model shumë i mirë letrar.
-Është Kel Demi, - ma bënë të ditur, si për të më shkundur nga një padije e madhe që më kishte lënë pas në kohë. Sepse në ditët e sotme, ku bota është imazh, fytyra e autorit të veprës është domosdoshmërish e lidhur me emrin e tij dhe me vetë veprën. Ai nuk mund të përfytyrohet në përçartje sepse mund të keqpërfytyrohet.
Kjo do të thoshte se fjalëkyçi ishte gjetur.
Edhe u surprizova, edhe jo. E kisha të qartë që një koleg e mik si Kel Demi e kishte aspiruar që herët një gjë të tillë. Vonesa në botim nuk më interesoi pasi e mora me mend. Kur futesh në garë për konkurrim me një peshë të rëndë siç është letërsia, duhet ta masësh bythën mirë dhe të bësh stërvitje në vazhdimësi. Ndaj Keli ishte menduar mirë para se ta hidhte këtë hap. Ndodh që ata të cilët botojnë ndonjë libër para se të mbushin të 18-tat, e kapërcejnë shpejt ngërçin, sepse edhe pse nuk e kanë mësuar notin, janë të prerë t’i futen detit më këmbë. Keli ka menduar të kundërtën. Edhe nëse nuk është kjo e vërteta,-  pra në prapavijë qëndron diçka tjetër po aq enigmë, - sërish për mua nuk ka rëndësi, pasi ky është leximi im. Dhe regjistrat e leximit ndryshojnë.
Po ç’rëndësi kishte emri. Atëherë dhe sot. Rëndësi kishte dhe ka vepra, çfarë ishte shkruar, e zeza mbi të bardhë. Balzak, fjala vjen, shkroi 30 vepra me pseudonim. E çë pastaj. Pse duhet t’i kërkojmë llogari Kelit që ka huazuar emrin e Tomës. Kujt i intereson se ku mbaron Keli për të filluar Toma, përveç ndonjë psikologu që kërkon të mbrojë doktoraturën me studime mbi pacientët bipolarë.
Asnjeri se di se çfarë pamje kishte Shekspiri. Madje thuhet se pas emrit të tij fshihej një fisnik,  herë-herë një fshatar anonim, madje fshihej dhe vetë djali ilegjitim i mbretëreshës. Por asgjë nga këto nuk ndikoi për të mposhtur gjenialitetin e tij. Tek e fundit ai mbetet Shekspir dhe i lexohet vepra, jo biografia.
Kështu Tom Kuka mori për dore Enkel Demin dhe u fut në bibliotekat tona.
Për së fundi lexova librin më të ri të Tom Kukës, “Flama” një botim i prestigjiozes “Pegi”. Dhe meqenëse herë pas here më zë paniku duke kujtuar sentencën: “Hekuri rrihet sa është i nxehte”, nxitova të shkruaj pak rreshta sipërfaqësore, meqenëse nuk e ndjej veten të aftë për të bërë analiza të thelluara: gjak komplet, bilirubina, rruazat e kuqe dhe niveli i diabetit.
Tom Kuka për një kohë relativisht të shkurtër, - në kufijtë e pesë viteve besoj, - ka arshivuar në skedarin e tij tek biblioteka kombëtare katër tituj romanesh. Tre prej tyre janë dhe në bibliotekën time. Por kam lexuar me shpejtësi dhe ëndje të parin dhe të fundit duke e lënë pas dore një të tretë, për të cilin nuk është se do bëj autokritikë. Gjithsesi arrij në konkluzionin, - me matematikë të aplikuar sigurisht, kosinus alfa dhe rrënjë katrore, - se sakrifica ime është e barabartë me leximin e 50 përqind të prodhimit neto nga ky autor. Pra njoh gjysmën e krijimtarisë së Tom Kukës. Dhe kjo nuk është pak, besoj.
Ka qëlluar që të dy librat të cilët kam marrë në konsideratë, janë të së njëjtës familje, pra si “Hide mbi kalldrëm” ashtu edhe “Flama”. Kanë të njëjtën vendngjarje dhe pak a shumë të njëjtët personazhë. Një sagë e kryeqytetit shqiptar të viteve ‘30. Një roman që lexohet rrjedhshëm ku kërshëria se çfarë do të na presë në fundit të tij evidentohet që nga faqja 9-të kur varrmihësi i qytetit i kallëzon kryehetuesit të Tiranës një “krim në kohë kolere”. Dhe libri vazhdon...
Meqenëse Kel Demi është diku tek të 50-tat, që do të thotë se dritën e diellit e ka parë aty nga vitet  ‘70 (plus-minus), nuk më rezulton se njeh mentalitetin e viteve ’30 të Tiranës Orientale. Ne si brez jemi më adapt të themi ndonjë gjë rreth revolucionit kulturore e shprehjes simbol: “Lindja është e kuqe”. Por Tom Kuka, si autor i vërtetë i librit, po. Sepse ai na sjell një Tiranë ideale, të cilën ne që lindëm nja 30 vjet pasi “lindi Partia”, e njihnim vetëm nëpërmjet ca fotografive dhe pak regjistrimeve, të cilat ruheshin në arkivën e institutit “Luce”, andej nga Roma.
Di Hima, personazhi kryesor i veprës, i cili e fillon rrugëtimin e tij që prej “Hide mbi kalldrëm”, është një personazh mjaft interesant. Një burrë i fortë, por dhe mjaft elegant do të thosha. Ai nuk ka studiuar në akademinë “Xherxhinski”, sepse në xhep pa pasur një diplomë vjeneze, por është hetuesi më i mirë i kryeqytetit, që me nuhatje dhe përvojë arrin të zgjidhë çështjet e koklavitura të krimeve fshehur në errësirë.
Meqenëse të dy librat, si “Hide mbi kalldrëm” ashtu dhe “Flama” janë filiale të njëra-tjetrës, nuk do të habitesha nëse Di Hima do të na vinte sërish pas disa kohësh me një tjetër odise për zbulimin e një krimi. Dhe meqenëse tashmë jam dashuruar me inteligjencën e këtij burri tirone, e ndjej si kërkesë që saga mund të vazhdojë. Natyrisht, nëse Keli Demi futet mik tek Tom Kuka që të na e sjellë dhe një herë të tretë Diun si kryehetues, pa ardhur në Tironë qeveria e Enver Hoxhës dhe metodat e KGB-së sovjetike.  
Di Hima kuptohet lehtë që është një tirons 24 karatësh. Dhe qyteti ku zhvillohen ngjarjet është Tirona. Dhe në Tironë mund të ndodhë gjithçka, ashtu si dhe në shumë qytetet të tjera europiane, madje edhe një akt incestual nga e cila lindi një hibrid biond, shkak i një serie vrasjesh. Por në Tiranë ka rënë flama dhe njerëzit po këputen njëri pas tjetrit. Ndaj është vendosur karantina. Dhe ky është sfondi, një paralelizëm me epideminë e ditëve të sotme. Dhe në këto kushte zhvillohet ngjarja. Por nuk po zbulojmë më shumë se kaq. Pasi kënaqësia merret pasi e ke blerë librin në librarinë më të afërt.
Tom Kuka, këtë herë, edhe si autor por edhe si personazh libri, na jep një Tironë të cilën edhe pse nuk e kemi njohur, e përfytyrojmë në të njëjtat kuota, si Kel Demi shkrues ashtu dhe unë që jam lexues. Është një Tironë mjaft interesante, me rrugë kalldrëmi, rrugë asfalti por dhe baltovina, me librari, me akshihane, çingie por dhe prostituta, me kurbatka që jetojnë në kasollet e bregut të lumit e vlleh që kanë arritur të stabilizohen në rrethina. Është një Tiranë e larmishme me një popullsi që vazhdon të ketë të injektuar mentalitetin e imponuar nga Azia e Vogël, por që është e hapur e mikpritëse jo vetëm për dibranët por dhe për turq, italian e ndonjë grek që ushtrojnë veprimtari tregtare, si te Pazari i Vjetër i stilit oriental në mes të kasabasë, ashtu dhe në ndërtesat e reja të modës italiane që asokohe kishin filluar të mbinin nëpër rrugët kryesore të kryeqytetit.
Kjo është Tirana e Tom Kukës, dhe e jona bashkë. Një Tironë që ia vlen ta njohësh nëpërmjet romanit “Flama” por dhe “Hide mbi kalldrëm”. Dhe po aq ia vlen, që pasi ke mbaruar leximin, librin ta vendosësh në bibliotekë mes librave të tjerë.
Ah... nëse nuk e ke një bibliotekë..., duhet ta ndërtosh një të tillë.
Enkel Demi dhe Leonard Veizi


Thursday, March 18, 2021

Heronjtë mitikë të një kinemaje spektakolare



Nga Leonard Veizi


Ka ndodhur jo pak herë që një vepër letrare, apo një prodhim kinematografik me cilësi të lartë, t’i japë vlerën e munguar një ngjarjeje të caktuar apo një personazhi të caktuar gjithashtu. Por një gjë e tillë vlen edhe kur vepra në fjalë jep më shumë se çfarë meriton kjo ngjarje apo personazh i caktuar.
Mos duket si lojë fjalësh...?
Është thënë kaherë se krahasimet apo paralelizmat përgjithësisht çalojnë. Dhe në rastin konkret, për atë çfarë kërkoj të parashtroj, me gjasa mund të çalojë më shumë nga sa duhet. Por gjithsesi e provojmë...
Nisem nga një film i parë së fundi në ekranin e televizionit publik shqiptar, dhe pse prodhimi në vetvete mund të quhet demode tashmë, pasi i përket pelikulës së 7-të vite më parë.
Flitet për një produksion amerikan, i cili ka hedhur 70 milion dollarë për të realizuar një film të titulluar “Dracula Untold” dhe që në shqip është përshtatur si “Drakula, një histori e patreguar”. Dhe flitej për një luftëtar real, që në përpjekjen e madhe për të mbrojtur territoret e veta nga një pushtues i huaj  u kthye në një vampir ireal. Pra një film që futet në zhanrin e fantazisë së errët, pse jo dhe të horrorit. Si shpërblim “Universal Pictures” arkëtoi prej “Dracula Untold” 217 milion dollarë në të gjithë botën, edhe pse mori kritika të ndryshme nga specialistët e kinemasë.
Po çfarë rëndësie ka kjo, sepse në një ndërmarrje fitimprurëse vlerë kanë arkëtimet jo mesazhet.
E rëndësishme është se ngjarja flitet të ketë ndodhur në Transilvaninë e dikurshme, pjesë e shtetit rumun sot. Në shekullin e XV princi i Vllahisë ishte Vlad III Tepes, i cili njihet sot e kësaj dite si Vlad Drakula, për shkak të urdhrit të Dragonit që mendohet se ai mbante. Historia e njeh Vlad Drakulën për mënyrat e pamëshirshme me të cilën ai ekzekutonte armiqtë, gjë që e ktheu dhe në legjendë. Historia e mbështetur mbi fakte konkrete thotë se Vladi III është vrarë në fushën e betejës, kundër ushtrisë osmane të Mehmetit II, në vitin 1476 në moshën 45-vjeçare.
Kjo i përket historisë. Mitizimin e bëjnë tregimet gojore që vijnë nga thellësia e kohës dhe letërsia që i jep penelatën e fundit.
Dhe ndodhi që dikush e zbuloi këtë histori dhe e ngriti në art atë.
Gjithçka nisi pasi shkrimtari irlandez Bram Stoket, në vitin 1897 shkroi romanin “Dracula”. Pra u desh një vepër letrare, që Kontin Drakula e njehsonte me një vampir, e që kështjella e cila ka qenë nën zotërimin e tij, koduar nën emrin “Bran”, e që ndodhet 150 kilometra larg kryeqytetit Bukuresht në Rumaninë e sotme, të kthehet në një vend atraktiv të cilin shkojnë dhe e vizitojnë me mijëra turistë.
Për Drakulën ka mbi 15 produksione kinematografike. Dhe prodhimi i parë filmik i përket vitit 1931.  Ndërkohë edhe vetë turqit që në vitin 1953 kanë prodhuar një film me titullin “Drakula İstanbul'da”. Kjo do të thotë se Konti Vlad është kthyer në një hero të vërtetë filmik, i cili zhvendoset në kohë, sepse edhe qenësia e tij ka një vazhdimësi 500-vjeçare për shkak të kthimit në pavdekësinë e një vampiri.
Historia e Vlad III Tepes ka në themel qëndresën që ky kont e fisnik i Transilvanisë i ka bërë pushtimit osman. Flitet për vitet 1460-1470 edhe pse në vitin 1462 Sulltan Mehmet II pushtoi Vllahinë.
Kjo do të thotë se Vladi III Tepes ishte bashkëkohës me Janosh Huniadin, gjithashtu i biri i një familjeje fisnike me origjinë rumune, por që ishte një udhëheqës i ushtrisë hungarez, i cili njihet për qëndresën e tij ndaj pushtimit osman. Dhe po aq bashkëkohës ishte edhe Gjergj Kastrioti që udhëhiqte shqiptarët në po të njëjtin qëllim qëndrese.
Po çfarë nuk shkon në këtë mes???
Jo ndonjë gjë e madhe. Nuk do të grindemi se kush ishte më i lavdishëm në këtë mes. Edhe pse ne si shqiptarë duam që në vend të parë të jetë ai që meritoi emrin e Aleksandrit të Madh.
Por nuk mund të jemi aq ziliqarë sa të mos e pranojmë Vladin III si një star kinemaje dhe pse këtë magji filmike nuk e ka Gjergji ynë. Sepse edhe pse kanë një pikë të përbashkët, atë të qëndresës ndaj pushtimit osman, mënyrat e luftës së Drakulës dhe Skënderbeut janë të ndryshme nga njëra-tjetra. Skënderbeu nuk ishte mizor që të ngulte kokat e jeniçerëve nëpër hunj e të trembte dynjanë me to. Ai njihet si një strateg, i cili nuk i dha mundësinë armikut të tij të gëzonte asnjë fitore ndaj ushtrisë së bashkuar të shqiptarëve.
Skënderbeu, pati 24 përballje me ekspeditat e ushtrisë osmane nga të cilat tre herë në rrethimin e kryeqendrës së tij, Krujës. Vdiq në shtratin e tij 8-të vite më parë nga vrasja në fushën e betejës së Vlad Drakulës. Janosh Huniadi gjithashtu pati një histori të lavdishme luftimesh, dhe gjithashtu vdiq në shtratin e tij 20 vite para Kontit Drakula. Megjithëse raporti në histori dhe letërsi i dy gjeneralëve, Kastriotit dhe Huniadit është për t’u marrë në konsideratë, në kinematografi Vlad Drakula ka bërë një hop cilësor përpara, duke marrë edhe vëmendjen e Hollivudit.
Në këtë kuadër, Gjergj Kastriot Skënderbeu ka mbetur vetëm me bashkëprodhimin shqiptaro-sovjetik “Skënderbeu”, një produksion i cili për hir të së vërtetës nuk mbetet pas në asnjë nga elementët: lojë aktoriale, fotografi e realizim të skenave masive.
Gjithsesi, një fakt i tillë historik nuk e ka zgjuar vëmendjen e producentëve amerikanë, të cilët hedhin para për të bërë filma spektakli, e ku terreni shqiptar vlen si në rastin e filmit “The Brave” apo ndryshe “Të guximshmit”, ku rrethimi i Lazaratit nga policia përshkruhet me një luftë spektakolare, në të cilën mbetën të vrarë më shumë dëshmorë se sa deklaroi Enver Hoxha në konferencën e Paqes në Paris pas Luftës së Dytë Botërore.
Heroi kombëtar i shqiptarëve, i zhveshur nga çdo mit e legjendë, e duke qenë fort tokësor, ka mbetur si “jetim” përsa i përket pelikulës. Kështjella e Krujës, e cila rezistoi në tri rrethime të furishme përballë ushtrisë më të madhe të kohës, mund të ishte kthyer në një vend shumë herë më atraktiv për turistët se sa është aktualisht, qoftë dhe nëse një vepër letrare si “Kështjella” e Ismail Kadaresë do të ishte realizuar në një film me distribucion ndërkombëtar. Padyshim, një film me skena masive nuk është një mundësi për Albafilmin. Por duket se lobimet e shqiptarëve, për të pasur një “Skënderbe” amerikan, përveç atij sovjetik nuk kanë rezultuar të suksesshme. Ndërsa kështjella e Krujës nuk e ka shkëlqimin e kështjellës Bran në afërsi të Brashovit.
Pa lobim, në mënyrë lineare apo alternative, figura e Gjergj Kastriotit si “Atlet i Krishtit” e mbrojtës i Evropës, ka mbetur shumë më pas Drakulës së pamëshirshëm e gjakatar. Një fat më të mirë nuk është se ka pasur dhe figura e Janosh Huniadit.
Tanimë, një “Skënderbe” hollivudian duket edhe më i largët, kur mundësia që në realizimin e tij të ishte regjisori me origjinë shqiptare Sten Dragoti, është zhbërë.
Referuar asaj çfarë thamë më sipër, mbetemi ende në shpresën e vakët se një produksion i madh Hollivudi, - që do të merrte në konsideratë luftën e heroit tonë kombëtar, - do të na marrë me të mirë ne shqiptarëve, për të lançuar në tregun ndërkombëtar vëmendjen e munguar, atë vëmendje që e ka kthyer në mit Vladin III të Transilvanisë.


Sunday, March 14, 2021

Dita e Verës, mes ahengut dhe frikës së Covidit

Në vend të një reportazhi. 

Në qytetin e Elbasanit, atje ku festa e Ditës së Verës merr kuptim

 Nga Leonard Veizi

 



Introduksioni

Zoti na ruajt, sepse po të jetë për njerëzit, aha..., Covidi i merr përpara si delet.
Pse do të thoni ju?
Pyetje me vend. Por dhe kjo e ka një përgjigje.
Javëve të fundit, Evropa ka shtrënguar masat anti-covid. Shqipëria, çka. Herë i liron, herë i shtrëngon. Ose duket sikur i shtrëngon. Por priremi nga praktika më liberale, pasi shtrëngimin e plotë e morëm si sot një vit më parë, kur dhe frymë duhet të merrnin me leje nga E-Albania dhe nën prezencën e forcave të armatosura që kishin dalë nëpër rrugët e Tiranës me makina të blinduara e diagaç ku ishin montuar mitraloza 12.7-aç.
Luftë ndaj armikut të padukshëm. Mobilizim i përgjithshëm.
Kuptohet, ashtu si dikur në histori, edhe tanimë vazhdojmë të jemi në kufi të perandorisë dhe xhanset vijnë me vonesë deri nga kjo anë. Edhe vaksinat gjithashtu. Asgjë nuk ka ndryshuar. Dhe ndërkohë që italianët po përpiqen t’i vënë kyçin Romës e Milanos për festën e Pashkëve, ne e liruam ca zinxhirin për festën e Ditës së Verës dhe e lamë të lirë Elbasanin. Domethënë, e kaluam me ca këshilla të përgjithshme:
-Kujdes, vendosni një maskë bezeje jo nga ato kirurgjikalet, lani duart me sapun Rrogozhine, mos u puthni e mos u përqafoni me njëri-tjetrin, përdorni sa më shumë alkool... për dezinfektim po për t’u bërë tapë, mos qëndroni më shumë se 10 veta në një tavolinë ku pihet birrë me fuçi e hahen pasha-qofte...
...urdhër i komandaturës... mos ecni me duar në xhepa...
Dhe dihet, kur zinxhiri lirohet të gjithë lëshohen.
Hajd mo, futi një mendje të lehtë. Një herë vdes njeriu.
 
Uvertura
Megjithëse buletini meterologjik kishte paralajmëruar për shi e bubullima, Dita e Verës bëri vërtet një Ditë Vere. Dhe meqë Dita e Verës pretendohet se është një festë pagane, por që qytetarinë e saj prej shumë e shumë kohësh e ka marrë Elbasani, edhe fillimi i verës  nuk mund të festohet më mirë se në këtë qytet në mes të Shqipërisë.
Jo më kot osmanët pushtues i vunë emrin Elbasan. Se deri asokohe, vendalinjtë e quanin me një emër tjetër trevën: Skampa, apo Skampius. Edhe mbetjet arkeologjike nga lashtësia aty, në mes të qytetit janë. Nuk është fort tregues kalaja mesjetare përderisa qytetërimi daton shumë më larg.
Por këto janë muhabete historianësh. Ne e kishim llafin te Dita e Verës.
Ç’është e vërteta, sipas shkencës, pranvera nis të paktën në 22 mars. Kjo pasi në hemisferën e veriut, baraznata e marsit, që ndodh më 20 apo 21 mars, është baraznata e pranverës dhe që quhet: ekuinoksi i pranverës.
Terma shkencorë.
Pikërisht në 21 data, dita dhe nata janë të barabarta, secila nga 12 orë.
U kuptuam më në fund.
Por 14 marsi nuk ka punë me shkencën pasi është një rit i ardhur nga qindra vite më parë. Ndoshta mijëra. Me hamendje e kemi.
Gjithsesi, në Elbasan Dita e Verës ka një ritual të veçantë. Madje as nata e ndërrimit të viteve, që jemi mësuar ta quajmë “Viti i Ri”, nuk e ka peshën e kësaj ngjarje. Dhe në historinë e Elbasanit nuk mbahej mend që kjo ditë të mos ishte festuar sipas të gjitha terbjeteve, përveç 14 marsit të vitit 2020, e cila nga një datë me rreth të kuq është kthyer me rreth të zi.
E ku ishte parë e dëgjuar që popullsia të mbahej brenda katër mureve të shtëpisë duke i trembur me gogolin Covid, me Policinë e Shtetit dhe me një ligj që ta fuste sa krahu, po t’i ngjisje virusin një tjetri. Por ligji të procedonte duke ua bërë të ditur që sakën se nxirrje këmbën nga pragu i shtëpisë do shkoje me duart e tua  të 7 dritaret. Pa shpurë shoqërimi.
Dhe kështu festa e Ditës së Verës u zhbë.
14 marsin e vjetshëm elbasanasit e kapërcyen me vështirësi. Por kjo nuk do të thotë që për shkak të Covidit e të pandemisë, karantina të bëhej rrugë. Këtë vit u turrën bulevardit qendror të qytetit dhe u shtruan këmbëkryq në lulishten e Parkut Rinia, pa e vrarë mendjen nëse virusi Covid ishte një rrezik eventual, apo në ditën e 14 marsit, për shkak të qejfit të madh, edhe ai do ta bënte një sy qorr e një vesh shurdh.
Mëngjesi i Ditës së Verës gdhiu si ditë vere. Elbasanasit ishin sajdisur enkas për këtë festë, dhe gjysma e atyre që po bënin xhiro poshtë e lart mureve të kalasë, kishin dalë me mëngë zhapone, si për ta bërë fakt të kryer që dimrin e kemi lënë pas tashmë, dhe ditët e ngrohta na presin.
Por kjo festa e 14 marsit e ka bishtin prapa, se andej nga fundi i muajit janë “plakat” që të kujtojnë edhe një herë ditët e shkurtit, të ftohta por dhe me borë ndonjëherë.
Këtë shkurt edhe Elbasani u mbulua nga dëbora.
Duhet më ba kujdes mer bab e me i hap sytë katër. Se atë që nuk ta bën Covidi ta bëjnë “plakat”.
 
Epilogu
Ç’është e vërteta, festë vërtetë, por dhe mileti ishte kujdesur fort për të qenë i pakujdesshëm. Mungesë e theksuar maskash. Nëpër bar-kafe kishte shtesa tavolinash, por nuk flitej për distancim social.
-Aman o se një kafe e një gotë rakie po pimë. Nuk bahet nami për kaq gja!
Të baftë mirë mer bab!
Ahengu po aheng. Kudo dëgjoheshin altoparlantë që të shurdhonin me muzikë herë popullore vendase, herë tallava, e herë pop e rrock nga Perëndimi. Por më së shumti dëgjoheshin daullet që binin papushim. E si gjithmonë mbretëresha e festës ballakumja, që shitej kudo.

Friday, March 12, 2021

Në fushën e përbashkët me Covidin zgjedhor


Nga Leonard Veizi

Kur bie fjala për të ardhmen e vendit, për rritjen e prodhimit të brendshëm, integrimin evropian, e ca më thellë se kaq, duhet t’i harrojmë vogëlsirat dhe meskinitetin që na mbyt çdo ditë, e të ngrihemi mbi mbeturinat mikroborgjeze.
-Ç'do të thotë mikroborgjez?
-Kjo do të thotë se ti në trurin tënd.... ke miqësi me borgjezët.
OK. Bëj autokritikë, edhe pse nuk po e marr vesh se ku është thembra e Akilit.
Te zgjedhjet vëlla, te zgjedhjet. Jemi apo s’jemi patriotë?!
Aaa..., mirë thua, më doli nga mendja. E çfarë duhet nga unë, që ta meritoj emrin e patriotit deri në detaj? Karta e identitetit demek, numri i shasisë???
Jo, thjeshtë ta dimë nga të ha tyta, majtas apo djathtas... Se po nuk e vajise pushkën, plumbi të shkon qorr. M'u tek xhamet e shtëpisë së teto Sotiricës. Se nuk ma merr mendja të jesh nga ata burra që t'i biesh drejt e në mes.
Përse shërben e gjitha kjo?
Sepse jemi futur në fushatën zgjedhore, e cila konkretizohet në kutinë e votimit. Pra, duhet vajtur në votime, sepse do bëhet qeveria e re që do drejtojë vendin drejt sukseseve akoma më të reja. Drejt prosperitetit. Do ngrihen rrogat dhe pensionet ndërsa mjekësia do të vazhdojë të jetë falas.
Rroftë qeveria!
Dhe për këtë shkak madhor e të papërmbajtshëm pushon së funksionuari edhe fushata epidemike. 
Ku Sotiri e ku Shekspiri. Ku qeveria ku epidemia.
Ose në rastin më të mirë do të bashkëjetojnë të dyja në të njëjtën fushë. Domethënë bashkekzistencë paqësore. Ore në kohë të vështira kanë fjetur macja me miu bashkë. Sa çudira mban kjo botë.
Vëllezër, Korona s’është asgjë para Zgjedhjeve.
Se... viktima do të ketë.
Luftë e para. Luftë e dyta. Varet si e ndjen luftën. O do biesh dëshmor me flamurin e partisë në dorë, o te shtrati i infektivit. Shkurt hesapi: O me ne, o me ata, rrugë të mesme s’ka! Ne po dihet, mësimet bolshevike i kemi nën sqetull. Se dhe orën e marksizmit e kishim si vulë noterie për të marrë të drejtën e studimit. Pra, le të ishe mirë me notat, i shkëlqyer në shkencat ekzakte, e i formuar në shkencat shoqërore, fillimisht duhet të ishe njeri politik.
U përmbysën sistemet, Muri i Berlinit u bë për muze, por sloganet mbeten... në mendjet e njerëzve sigurisht.
Partitë kanë lëshuar motorët e fushatës. 1500 kuaj fuqi. Jo, shumë më tepër. Me kaq tërhiqet vetëm një karrocë.
“Do fitojmë apo jo? Po, po, po...”
Nëpër kafene tifozllëku ka nisur tashmë. Të dhjefsha kampionatin botëror të futbollit. Ehu, sa është rritur koeficienti i basteve se kush do fitojë zgjedhjet. Edi apo Luli?
Po Mona???
E ç’na u bënë havale këta të LSI-së. Nuk lënë vend pa e fut hundën. Do marrin kovidin, jo për gjë.
Gjithsesi nuk duhet të qahemi. Njëfarë zhvillimi etik e kemi. Të paktën nuk ngjisim nëpër cepa pallatesh e mure rrethues gjithfarë posterash me surretërit e kandidatëve, si dikur traktet e luftës: I bëjmë thirrje gjithë popullit të ndershëm e patriot... të votojnë për... Frontin.
E mirë o mirë.
Vetëm ata më të thekurit fare, ata që vazhdojnë të jetojnë si në vitet ’97-98, dhe nuk e dinë ende se uji nga Bovilla ka zbritur në Tiranë, vazhdojnë të mbajnë siglat e partisë tek xhami i pasmë i makinës. Por ata janë të pandreqshëm. E kotë të harxhosh frymën në tentativë për t’u shpjeguar se gjërat kanë ndryshuar, dhe se armiku tanimë nuk është kundërshtari politik por Covidi.
-Kush është ky, kandidat i ri?
Po të keqen, vetëm se është andej nga fundi.
Listat janë afishuar tanimë. Ca u futën në lojë e ca dolën jashtë fushe. Qejfmbetjet për një vend më përpara janë shoshitur. Kandidatët janë aty një më një për t’u ndeshur.
Ja sheshi, ja mejdani...
-Profesor Zeno, thashë t’i përplasim brirët një herë... si ore unë të të kap te dyshi e t’i të më marrësh lojën. Këtu të kam.
Mirë juristët, biznesmenët dhe ekonomistët, po mjekët çfarë duan nëpër lista?
Eh sikur të mos ishte kjo habia e njerëzve. Meqenëse jemi në luftë me armikun Covid e kam fjalën. Kësaj i thonë që gjenerali të lërë armatën, me pushkë pa fishekë në vijën e zjarrit dhe vetë rehatohet në... mejhane.
-Demek e lënkërke kuzhinën edhe shkuake më ndonjë zyrë...?
-Çne? Kuzhina, kuzhinë e punët e tjera, punë të tjera. Pa duhet përgatitur dhe diskutimi... Punë me telashe shumë.
Si ka mundësi të ndodhi kjo, përderisa një mjek me punë shtetërore paradite e private pasdite, fiton ku e ku më tepër se një deputet? Ç'i duhet një politika një njeriu që ka bërë betimin e Hipokratit?! Pastaj mjekët na duhen. Ca na i mori gjermani, ca na i merr politika.
Pikëpyetje me shumë të panjohura.
Kështu që i bie të shkojmë tek klinika e doktorit popullor Zeqo Pilafit, që në rininë e tij kishte pasur profesionin fisnik të rojës.
Po a na shëron dot ky lloj mjeku me lule mëllage e patkonj kali?
-Ç’thua more, unë me këtë fener ndaloj trenin jo më heqjen e barkut.
Nejse, puna e tyre. Gjithsecili ka hobet e veta.
Fushata ka filluar tashmë. Propaganda do të vazhdojë edhe pse me maska në fytyrë. Nëse zëri nuk dëgjohet mirë, në ndihmë vjen një portovoç.
Propaganda, propaganda, propaganda. Tri herë propaganda.
Lum si ata që merren me fjalë.