Wednesday, June 22, 2022

Xhevdet Bajraj, poeti që u shua por nuk u largua




Nga Leonard Veizi
 
Ai nuk ishte thjesht një njeri që dinte të thurte vargje dhe pastaj t’i botonte në një libër me kopertinë të bukur.
Ai nuk ishte poet sepse njihte në mënyrë mekanike e të keqpërdorur metrikën, vargun e thyer apo atë të lirë e të shpenguar nga detyrimet.

Ai ishte poet sepse..., ishte i tillë. Dhe nuk mund të zhbëhej dot.
Por tanimë Xhevdet Bajraj nuk është më mes poetësh të gjallë. Dhe unë thjesht dua të qaj... bashkë me të. Por në një pamundësi ekstreme... më duhet veç të shkruaj ca rreshta të brishtë.
Tanimë ai është mes poetësh pa jetë. Dhe kolegëve të tij më të hershëm, - a homologëve nëse duhen quajtur kështu, - do t’u recitojë poezi të freskëta. Sepse, padyshim, është më i riu mes tyre.
 
Mes datës së lindjes dhe datës së vdekjes
viza që duket në mes nuk është gjë tjetër
veçse poezi
 
Ishte një poet i rrallë. Nuk kishte të dytë si ai. Ose më dukej mua. Ose nuk ishte fare e vërtetë dhe unë isha i çartur përkohësisht. Ose ishte vërtet kështu dhe imagjinata ime surealiste në fakt përbënte një realitet të pagabueshëm.
Ai thjesht ishte poet. Lundronte në vargjet e tij. Si kapiten. Sepse në varkën e përbashkët ku ca rremëtarë çanin të sforcuar, të tjerë, të gozhduar si mbi kryqe varresh, dëgjonin vargjet e tij.

Rozafa Shpuza, Kliton Nesturi, Xhevdet Bajraj, Leonard Veizi, Gazmend Bytyçi

Ushtarët e armikut në Kosovë
Kishin meny të pasur shqiptare
Në mëngjes
Qumësht nga gji të shqyer nënash
Dhe foshnje të palindura, të ziera në zjarr shtëpish
 
-Ej... a ishte në vete ky poet. Ishte një haluçinacion. E si mund të ma bënte këtë.... këtë gjëmë. Sepse kështu e kisha njohur Xhevdet Bajrajn. Në këto kushte. Me këtë poezi. Por ai e kishte shkruar, e ndërkohë e recitonte për ne, një tufë njerëzish që ishin rrekur mbi letra e mbi rrema, por që ishin mbledhur për ta dëgjuar...
 
Në drekë
Zemra të plasura të të gjitha moshave
Të ziera në lëng eshtrash në njërën anë
Dhe mish kurrizi të pjekur në gacë
Përcjellë me tru të fërguar fëmijësh
E sallatë klithmash spërkatur me uthull tmerri
Dhe nga një litër e gjysmë gjaku vashash të dhunuara…
 
Mund të na e kishte kursyer këtë dhimbje. Por ai nuk mundej ta linte në mes. Dhe ne nuk kishim mundësi ta ndërprisnim. As tentonim. Për më tepër nuk donim kurrsesi ta linte në mes. Veç donim ta dëgjonim...
 
Në darkë
Mushkëri të zeza e të bardha
Aty-këtu ndonjë veshkë
Mish fëmije të përzier me gjakun e nënave
Ca tul plake a plaku pjekur në hell
 
Kur e kam njohur Xhevdet Bajrajn jam mahnitur. Sepse nuk e dija që në shqipen e sotme, pas një Lasgushi plot thellësi e një Migjeni të madhërishëm, mund të ishte dhe dikush tjetër që sfidonte haptazi, e që të kishte po të njëjtën fuqi shprehëse.
 
Kliton Nesturi, Xhevdet Bajraj, Leonard Veizi


Nga rrënojat e shtëpisë së djegur
fluturon një tufë e hijeve të pëllumbave
Në oborrin e saj
një lis i vdekur më pret në këmbë
e fantazma e qenit e lëviz bishtin
aty ku dikur ishte dera
Kështu që
mos më pyet nëse kam ku të kthehem
 
Asokohe shkrova një dedikim me titullin: “I thjeshti Xhevdet Bajraj, poeti pa superpozim”. As sot nuk di të them se përse e vendosa një titull të tillë. Ishte tepër instinktiv. Ndoshta sepse me aq thjeshtësi, por me aq madhështi njëkohësisht ai recitonte vargjet e tij. Dhe ato merrnin më shumë kuptim.
Dhe unë vazhdova të shkruaja: Ai recitonte e unë nuk arrija ta besoja. Nuk e mbaja mend që kur nuk kisha shijuar një ritëm të tillë poetik. Nuk ishin vargje dekadente, as poezi për dashurinë e tradhtinë të marra bashkë. Por thuhej gjithçka.
– Na recito dhe një poezi tjetër o Xhevdet!
Dhe ai nis nga fillimi:
 
Për shëndetin e nënës sime
nganjëherë pi raki
të fortë si loti…
 
Xhevdet Bajraj nuk është më mes nesh. Shkoi në amëshim. Shkoi pranë Zotit... Ose ndoshta nuk e ka marrë fare atë rrugë dhe ka ndjekur një tjetër itinerar. Atë që e di vetëm ai. Nuk mund ta kuptoj se pse duhej të ikte në fakt, edhe nëse kishte 100 arsye të marra bashkë. Sepse bota shqiptare e letrave kishte ende shumë nevojë për vargjet e tij.
Por ai iku. Dhe është veç një zgjedhje.

Asgjë nuk lëviz
me përjashtim të vetmisë
e cila vazhdon të rritet
dhe lisit që do të shërbejë për arkivol.

E gjitha kjo nuk ishte një shaka rrjetesh sociale. Aty ku lajmërimet e vdekjeve të faniten para syve si hologramë objektesh antikë, për ta kthyer gjithçka virtuale në një realitet të dëshpërues. Sepse me vdekjen nuk mund të bëhet kurrë shaka... qoftë dhe të trishtë. Dhe ai vetë ka shkruar për vdekjen, pa e përbuzur fuqinë e saj, pavarësisht se ka ngadhnjyer fortherë mbi të. Përveç 22 qershorit të vitit 2022.

Ferizaj - “Muzat e Jezercit”, Klubi Letrar “De Rada” 


Sunday, June 19, 2022

Dasmorët shqiptarë, tangërllëk edhe shpenzime sa s’u mban kandari e samari


Nga 
Leonard Veizi
 
Ti je dasmor dhe je idiot njëkohësisht. Duket sikur nuk është se shkojnë të dyja bashkë, por shkojnë që ç’ke me të e nuk ke nga ia mban. Po a di zotrote se ç’do të thotë “idiot”? Se “dasmor” jam i bindur që ia di kuptimin.
Ja ta shpjegojmë. 
Ftesa, me letër bakalli për 5 lekë, të vjen me zarf ku emri të është shkruar me varak, por ty të duket si flori. Dhe mendja të ngrihet keq se mendon që të kanë vlerësuar sa s’thuhet ndaj duhet ta tregosh veten. Dhe gati sa nuk fluturon.
Përgatitjet për dasmë nisin. Dhe me seriozitetin e duhur.
Ore kush po martohet xhanëm?
Ti je i ftuar, por shqetësimi për lukun tënd, - domethënë për pamjen tënde të jashtme, - ka marrë një tjetër dimension. Në kohë dhe në hapësirë, demek. Domethënë, në stratosferë. Sepse ti duhet të jesh model..., - ose topmodel.
“Veshja kopileshja”, - thoshte dikur shkodrani. E thotë edhe tani. Dhe ti i përmbahesh pikë për pikë kësaj sentence të ardhur nga përvoja popullore.
Nga njëra anë është i zoti i dasmës të cilin e ka zënë vërtet belaja dhe ngryset e gdhihet duke bërë hesape. Me laps e letër në dorë, e herë i dalin llogaritë, e herë nuk i dalin.
Nga ana tjetër, ti si dasmor nuk bën hesape fare. Se ty të del llogaria fiks, e nuk të lëviz as gjysma e lekut. Tepeleku nuk lëviz e nuk lëviz. Se e ke dyst, vetëkuptohet. Ndaj del të bësh shoping..., se do shkosh në dasmë de. Dhe i merr dyqanet mbarë.
Por nuk je vetëm. Ftesa është familjare. Pra burrë e grua, e dy kalamaj në rastin më të mirë. Gjithsej katër vende, që do të thotë katër pjata shumëzim për... Domethënë: ...e parë, e dytë, e tretë, e katërt, e pestë... e sa ta ketë takanë i zoti i punës. Ha sa të fryhesh.
-Dua të ha po s’kam ku e fus!
-O Perëndi e madhe!
Por ty nuk ta ndjen fare nga kjo anë. Pse hesapet e tjetrit do bësh ti?! Ke të tuat.
Gjeja e parë është të blesh veshjet e reja: kostum, kollare, këpucë llustrafinë, çorape, brekë e kanotiere për burrin. Gruaja ka ca yçkla më shumë: fustan, korse, sandale, geta të holla, krehje flokësh, manikyr e pedikyr, tualet e llangosje...
-Hajde borgjezi hajde, kjo paska më shumë vegla se mitralozi i Sherifit.
Dhe mitrolozi i Sherifit ishte “shars” nga ai gjerman i Luftës së Dytë.
Por janë dhe fëmijët. Edhe ata me të reja, nga koka të këmbët.
Epo dasmë hesapi. Ka lezet. Një herë martohet njeriu.
Po mor vëlla, por martohet ai tjetri, se ti e ke ngrënë çahirin me kohë. O po rroftë sebepi: Ku leh qen e ku del tym, ku ia bën daullja bym.
Epo, një martohet 100 tërbohen. Nuk thonë kot. Për fjalë të urta e të kalkuluara jemi të vetmit ne.
Do shkojmë në dasmë. Pse morracakë na dini? Të veshim ato të dasmës së kaluar. Ku është parë e dëgjuar?!
-Ore se desh harruam, sa lekë do hedhim në dasmë se harrova të blej një zarf?
-100 mijë lekë të vjetra, jo më shumë.
Vazhdojnë me hesapet e tjera.
Mirë qoka, po përgatitjet sa na vajtën?
Po ja: kostum, fustan, kollare, korse, këpucë, sandale, çorape, geta, brekë, kanotiere, tualet... gjithë-gjithë 800 mijë lekë të vjetra.
-Luj more vendit. Jaaaaallah.
Ç’ke o byrazer? Për qejf ke ardhur. Qejfi... thonë... ha kumbulla të tharta.
Nis dasma. Hyn çifti. Të gjithë kthejnë sytë nga nusja. Të shohin sa e bukur është. Se thonë që kurioziteti ka mbytur dhe macen. Ja sërish sentenca popullore na dolën.
-Ore ku është nusja, se s’po e shohim gjëkundi?
-Ja ajo atje..., jo ore është ajo tjetra...
Prit se u ngatërruam më duket. Këto janë dasmore. Epo të gjitha si nuse janë bërë. Nuk gjendet nusja për qamet. Ajo që martohet me gjithë mend. Se këto të tjerat janë martuar nga një herë, kanë dhe kalamaj.
Epo kjo është konkurrenca. Ja që ia dhjemë nuses... mender jush. Fundja... çka nusja më shumë se ne?!
Hajde dasmorë hajde. Të jeni kaq idiotër vërtet?! Të mos e lini as çiftin të gëzojë në dasmën e vet. Po tek e fundit i lini dhe nuses ca vend, se e ka për herë të parë e duhet ta mbajë mend si ditën më të bukur të jetës. Jo si ditën e konkurrencës agresive dhe negativitetit.
Po kush të lë se?
Por nuk harrohet të bëhet dhe një selfie, se çu pa puna. Duhet ta marrin vesh me kuç e me maç qe ishim në dasm, dhe që shkëlqenim, veshur me të reja, më shumë se të tjerë me gjithë çiftin bashkë.
Dhe te çanta e gruas, që mezi mban një pasqyrë a një krehër, janë mbështjellë me letra tavoline dhe nja katër biftekë. Duhen, se të kërkojnë në punë që me sabah. Dhe ti nuk ke kohë se gjithë natën je dredhur e spërdredhur në valle. Mirëpo nuk do t’ia dijë njeri se ke qenë në dasmë.
Dhe në fund duhet të japësh opinionin tënd, por jo te blloku i protokollit, por ashtu nën zë: - Aman ore se dasmë koti fare: orkestra e ngordhur, organizimi i vdekur, mishi po dihet, do ketë qenë ndonjë dem plak se nuk shtyhej për qamet. Kot që erdhëm.
Ky është epilogu, nëse më parë se kaq nuk ka plasur sherri me karrige kokës dhe pistoleta në vend të shtjerë në ajër, qëllon drejt e në mish.

Post scriptum: Ti dasmor, kur të lexosh këto rreshta dhe e sheh veten se je ti ai, nuk do lesh gjë pa sharë. Demek ta paskan ty me negativitet. Dhe kujt pa, surratit tat. Po herën tjetër, kur të të ftojnë në një ceremoni të tillë vër ca mend, mos u krekos shumë dhe mbi të gjitha mishin e pjatës mos e fut te çanta e gruas, se do laturisesh i tëri dhe do blesh një çantë të re pasi atë më të vjetrën do e nxjerrësh jashtë përdorimit. Dhe kështu shpenzimet vazhdojnë...

 

Friday, June 10, 2022

Tym e flakë në Sazan, te Lungomare birra dhe aheng pasioni


Nga 
Leonard Veizi
 
Herë pas here, është vërtetuar se edhe pse një strukturë e rregullt, Emergjencat Civile në Shqipëri nuk janë fort efikase. Sepse sa herë ndodh ndonjë kataklizmë, u drejtohemi të huajve për ndihmë. Kjo do të thotë se Emergjencat Civile i ke, por zëre se s’i ke. Ke njerëz në krye të detyrës, por nuk ke mjete. Kështu që: ku ishim – hiçgjëkundi...
Nëse bie zjarr në Shqipëri, - për pyjet pa zot e kam fjalën jo në vilën e ndonjë oligarku - ne i kthejmë sytë nga qielli dhe i lutemi Perëndisë të na hedhë ndonjë pikë shiu. Se ne, aha, nuk e luajmë bythën vendit që të shkojmë e ta shuajmë.
-Pse bëhet shaka me zjarrin?!
Në logjikën e përhershme të rehatisë personale, e kemi mirë, se duam që tymi të na shkojë drejt, dhe nuk duam që tymin e oxhakut tonë ta ngatërrojmë me tymin e zjarrit që na vjen nga Sazani, fjala vjen.
Pastaj ne si popull e njohim mirë trekëndëshin revolucionar: me zjarrin jo e jo, as me ujin nuk bëhet shaka, por dhe me qeverinë mos e kruaj!
Ndaj le të bjerë zjarr e le të digjet ishulli se nuk e kalon dot mezokanalin e të mbërrijë në Karaburun. Pastaj Sazani është pronë e qeverisë e ajo të bëjë ç’të dojë.
Dhe qeveria i dha drejtim. Si nuk i doli dot për zot nja 3-4 ditë të mira, thirri për ndihmë avion “Canadair CL 415” të forcave greke të emergjencës. Grekët po erdhën menjëherë, ngaqë janë stërvitur fort me zjarret e tyre. Se dhe në Greqi bie zjarr, nuk është se i mbron Apoloni. Por ata i kanë blerë ca helikopterë nga ata që marrin ujë në det dhe e hedhin mbi zjarr. Ja kaq e lehtë është puna.
-Tobe stakfrullah!
Ka dhe një mënyrë tjetër, të shpejtë e efikase: kur mobilizohesh si popull dhe ashtu me kova e legenë, i hedh ujë zjarrit. Jo benzinë në këtë rast. Meqenëse nuk kemi helikopterë. Se kemi vite që s’kemi, por zjarret ccuditërisht i kemi të përvitshme. Dhe qeveria e ka të lehtë sa herë plas zjarri, thërret grekun dhe e paguan me paratë e tua, si popull. Por ti si popull mund ta bësh... nëse ke dhe sensin e duhur qytetar... me punë vullnetare. Ja ashtu, yxhym. Se me aq birra sa pihen në Lungomare, po t’ia hedhësh zjarrit, e shuan.
A bëhet me e hedh si ide këtë të fundit, duke i hequr alkoolin sigurisht?
-Mos e dhëntë Zoti...
Mirëpo të hedhësh idenë për të dalë vullnetar e të shkojmë ta shuajmë zjarrin me mjete rrethanore, aha... gjete kë të kandisësh. Se tek ne fjala vullnetarizëm është hequr nga fjalori, sidomos pas abuzivizmit në kohën e “xhaxhit” ku qeveria demek ta linte të dielën pushim, por organizatat e masave ta kthenin në punë vullnetare... të detyruar.  Fjala dhe veprimi bashkë morën një sens më pezhorativ, kur pas vitit 1985 e “diela vullnetare” u kthye në “ditën e Enverit”. Thuhet se ky i fundit kishte shkuar mos linte ndonjë takim me Shën Pjetrin, por në emrin e tij punohej e derdhej djersa çurg pa para, për të mirën e socializmit. Por as kjo nuk e shpëtoi socializmin. Por Sazanin e shpëton. Se dy kovë ujë duhen të shkretën. Dhe Sazani për shans është m’u në mes të ujit.  Ndaj një ditë punë vullnetare do ta kishte shuar flakën shumë më parë se të digjej e të shkretoheshin kush e di sa hektarë gjelbërim.
Por për punë vullnetare nuk flitet në Shqipëri se të rrasin në “tabelën e emulacionit” e të thonë se po na kthen pas në kohën e Baba Qemos.
-Allau na rrojtë! Që misrin e prishi ca bryma, e prishi.., po në qoftë llaf pe kulaku nuk e zë më në gojë. I kam sahanët e ndarë me ata.
Mirëpo ajo kohë ka ikur. Tanimë puna vullnetare ka të bëjë me sensin qytetar, dhe jo me punën e papaguar si fshatar kooperative për zhveshje misri dhe prashitje panxhari. Edhe kur ra tërmeti i nëntorit 2019 njerëzisë nuk i bëri thirrje kush për punë vullnetare, dolën vetë të ndihmonin tjetrin me aq sa mundeshin. Kjo ka të bëjë me sensin qytetar. Ja, kaq gjë mund ta bënim dhe për Sazanin.
-Vjen puna kështu more vëllezër, njëlloj si dje në luftë, nuk mund të rrish dot mënjanë... O do të tregohesh patriot, o je....
-Shumë thellë na fute djalë, shumë thellë. Mati fjalët se në ato thekra nuk hyjmë ne!
Po sa rrimë në Lungomare, dëgjojmë muzikë live, dehemi me birra, e shajmë mbarë e mbrapsht në tavolina, do kishim bërë mirë që me ato skafet e turizmit që shëtisim për të parë bregdetin, të kishim hedhur ca djem deri në Sazan. Pesë minuta me skaf janë të shkretat nga Triporti tek kalatat e ish-bazës detare të katrave silurues. Edhe zjarrin e kishim shuar në një kohë rekord, edhe grekut nuk i ishim lutur të na ndihmonte. Se dukemi të pafuqishëm përballë një zjarri dhe bëjmë sehir si llavën e vullkanit që shpërthen nga Vezuvi...
Ne një ishull mezi e kemi. Nuk jemi si grekërit që i kanë ishujt me duzina. Laj-thaj, Sazani na ka mbetur. Me të dikur mburreshim se e kishim kthyer në fortifikatë buzë Adriatikut e sot po mundohemi ta kthejmë në atraksion turistik. Ndaj Sazani duhet mbajtur i gjelbëruar, që ata turistë të cilët e kanë ndarë mendjen ta vizitojnë të mos i hedhin rezervimet në det.

Thursday, June 9, 2022

“Thika” që ndan Bulevardin e Ri me “Zogun e Parë”, qetësi dhe kaos


Nga Leonard Veizi
 
Si ke dalë nga unaza, tek kryqëzimi ku dikur ishte Stacioni i Trenit, dhe ke lënë pas lukuninë e makinave me boritë që bien pambarim, papritur je futur në një tjetër oaz, shumë më të qetë, i cili nuk ngjan aspak me pjesën fort të urbanizuar të Tiranës, siç është territori që përmbledh perimetrin brenda Unazës së Mesme. Pra, je futur në Bulevardin e Ri. Jo në një dimension të ri, kuptohet...
 
...Do të duheshin të paktën 80 vjet që kryeqyteti të bëhej edhe me një bulevard të tretë në të njëjtin aks. Në atë që simbolizon dhe aksin më domethënës në Shqipëri. Pra kemi bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, bulevardin “Zogu i Parë” dhe “Bulevardin e Ri”. Ky i fundit i nisur fillimisht në vitin 2013 dhe i përfunduar në 2019 nuk ka ndonjë emër specifik. Ndërsa dihet që segmentet e tjera të këtij aksi kanë kaluar në disa etapa emërtimesh, sepse fillimisht bulevardi “Dëshmorët e Kombit” mbante emrin “Zogu i Parë”, dhe më pas ajo që sot quhet “Zogu i Parë” dikur quhej “Bulevardi Stalin”. Ndoshta dhe për këtë shkak “Bulevardi i Ri” është lënë pa emër, sepse me siguri pushtetet që do të vijnë më pas do ia ndërrojnë sërish emrin.
 

Inspektim i pamotivuar
Mund të quhej ndryshe dhe një xhiro rikonjicioni, - në terma ushtarakë, - e që do të thotë: njohje terreni, - në terma civil. Nëse do ta marrësh në këmbë, Bulevardit të Ri mund të ecësh qetësisht në rrugën dedikuar taksive dhe autobusëve. Duke qenë se ende asnjë linjë autobusi nuk kalon në këtë segment dhe taksitë më së shumti kalojnë në rrugën kryesore, me dy ndarje. Për shkak të trafikut të pakët, kjo rrugë më së shumti përdoret nga biçiklistët, që gjithashtu e kanë një rrugë të tyre të dedikuar. Por si gjithmonë ne shqiptarëve na pëlqejnë t’i thyejmë rregullat, sidomos kur e dimë që nuk na vëzhgon njeri dhe vigjilenca e policisë rrugore është e ulët.
Bulevardi i Ri është 1600 metra i gjatë, me një gjerësi tërësore prej 70 metrash, por që vetëm 1/3 e kësaj gjerësie përdoret nga automjetet. Pjesa tjetër është e dedikuar për korsitë e biçikletave dhe zonat e këmbësorëve. Midis tyre nuk mungojnë as pemët pisha dhe as gjelbërimi elementar. Por ka dhe plot stola, padyshim, ku mund të rrish e të çlodhesh nëse dielli të bie në kokë.
Si ke kaluar semaforin e dytë, poshtë ish-Stacionit të Trenit, për nostalgji e për t’i thënë botës se edhe ne kemi pasur hekurudhë, mbi një platformë është vendosur relika e një lokomotive. Është lokomotiva e parë e prodhuar në vitin 1951, në “Fablok of Chrzanoë” Poloni, për hekurudhën shqiptare. Quhej "Avullorja 02" e cila e përfundoi misionin e saj në vitin 1986. Por nuk do të ishte keq sikur përballë saj të vendosej edhe një lokomotivë tjetër, cilat e të cilave prehen në Stacionin e Durrësit, e cila njihej gjerësisht si kampionia e tërheqjes së vagonëve të punës dhe të udhëtarëve, e që ishte lokomotiva T669 e prodhimit çek.
 


Fundi i aksit
Pasi ke kaluar gjashtë semaforë, së fundi ke mbërritur në pikën fundore të Bulevardit të Ri, aty ku disa traversa betoni të pengojnë të vazhdosh udhëtimin. Le që nuk ke ku të vesh më shumë se aq. Përtej është Paskuqani. Janë disa fshatra të Tiranës, të cilat pak nga pak po e humbasin identitetin sepse po bëhen pjesë përbërëse të kryeqytetit. Thënë ndryshe, emër fshati, por lagje qyteti. Duket se këtë fat do të ketë dhe Paskuqani.
Nëse do të udhëtosh më shumë nga sa është asfalt, atë mund ta bësh vetëm në këmbë pasi përballesh me pirgje dheu të hedhur, saqë është ngritur një kodrinë e vogël.
Me një shpejtësi të moderuar dhe duke ndaluar në pestë semaforë, segmenti prej 1.6 kilometrash i Bulevardit të Ri përshkohet me makinë për 3.5 minuta. Në këmbë do të duhen rreth 20 minuta.
Prej pikës fundore orientohesh lehtë me qendrën e Tiranës, jo vetëm sepse aksi është i drejtë e nuk ke nga ngatërrohesh, por prej atij pozicioni duket pika e referimit që është një ndërtesë 45-katëshe ende në ndërtim. Gjithsesi, Tirana është një qytet që në qendër gjithmonë e ka pasur një kullë për pikë orientimi. Dikur ishte Kulla e Sahatit, por edhe minarja e xhamisë së Et'hem Beut. Më pas si pikë orientimi u bë 15-katëshi, ndërtesa më e lartë në Shqipërinë komuniste. Dhe në ditët e sotme merret si pikë orientimi 45-katëshi i 15-katëshit. Kështu që përsëri jemi në rregull.
 


Retrospektiva dhe avangarda
Në vitet ‘30 të shekullit të kaluar, në Tiranën monarkike u ngrit si lapidar shprehja “Bulevardi pa qytet” sepse aksi i bulevardit projektuar nga Florestano de Fausto dhe Armando Brasini, të dy italianë, nuk kufizohej nga ndërtesa por thjesht nga një tokë fushore. Por shpejt Tirana do të njihte një bum ndërtimesh dhe bulevardi u bë me qytet.
Sot, kjo shprehje i përket Bulevardit të Ri. Investimet janë të pakta dhe zona ende nuk është futur në ndërtim, me përjashtime modeste. Kjo do të thotë se ndërtuesit ndoshta ende nuk kanë interes për këtë zonë. Ndërkohë që janë po ata të cilët kanë mbingarkuar territorin brenda unazës duke e bërë Tiranën më të betonuar.
Ndërtesa më e fuqishme qeveritare në Bulevardin e Ri është një dykatëshe ku me germa të mëdha blu shkruhet “Policia Bashkiake”. Pak më tutje, në të djathtë, në tokat djerrë është ngritur një treg provizor për shitjen e rrobave të përdorura. Disa investitorë kryejnë veprimtaritë e tyre në këtë zonë, por të vendosur në territoret ku dikur kanë qenë ndërmarrjet socialiste. Për këtë arsye, trafiku në këtë bulevard është i vakët, një gjë që ndryshon si me thikë nga pjesa tjetër e Bulevardit, e që në fakt është një kaos urban. Gjatë gjithë rrugës të ndjekin posterat - e vendosura mbi telat që kufizojnë bulevardin nga pjesa tjetër ku më së shumti janë ngritur shtepi dykatëshe, - ku shkruhet “Vizioni juaj për qytetin tuaj”, “Zonat e gjelbra” etj... Bashkia është kujdesur që përveç koshave të zakonshëm të mbeturinave të vendosi edhe disa të rinj ku mbi dizajnin e verdhë shkruhej në shqip e anglisht e italisht: “Letër/ Karton, Plastikë/ Qese, Kanoçe/ Metale”
 


Tirana kaotike
Sapo del nga Bulevardi i Ri dhe hyn në bulevardin “Zogu i Parë”, në të hyrë të rrugës së Brrakës dhe në krah të Maternitetit ku dikur ishte një fushë e zezë, janë ngritur pallate me një arkitekturë të thuash moderne, por që më shumë se sa hyjnë në punë, nuk hyjnë në punë. Por nga ndërtesat e dikurshme është ruajtur godina fine e Maternitetit, sipas stilit italian dhe ajo e fakultetit të shkencave sipas stilit sovjetik. Ka dhe më shumë se kaq por që nuk ia vlen t’i përmendim.
Dhe trafiku kaotik vazhdon. Ai ndërpritet në zonën pedonale të Sheshit Skënderbej dhe Parkut Europa, - sepse kalon përmes Unazës së Vogël tashmë, - për të krijuar një lloj disipline mes godinave të Ministrive e deri tek Korpusi i Politeknikut.

 
Paskthim në histori
Italianët erdhën si pushtues në Shqipërinë e vitit 1939, por nuk u sollën si armiq. Madje, ata, për qëllimet e tyre kolonialiste, u munduan t’u japin një fytyrë “alla romana” qyteteve më të mëdha të tipit oriental në vend. Dhe për të vënë në jetë planin e tyre ambicioz, Benito Musolini solli në Shqipëri arkitektët më të mirë të Romës.
Ariola Prifti, Doktore e Shkencave në Trashëgimi Kulturore, e cila është marrë gjatë me një studim të thelluar mbi profilin arkitekturor të Shqipërisë në vitet 1925-1943, ka dhënë një panoramë më të qartë rreth investimeve italiane në periudhën e Zogut dhe të asaj që u drejtua nga Fasho, kur në një intervistë për “Fjala” është shprehur: Pati një kërkesë nga qeveria shqiptare, që italianët të merrnin në dorë planin rregullues të Tiranës. Qeveria fashiste do dërgonte një nga eksponentët më aktivë të urbanistikës italiane të kohës, arkitektin Armando Brasini. Ai erdhi në Shqipëri në vitin 1925, me dëshirën për të projektuar një qytet monumental. Propozoi ndryshimin e Tiranës duke u frymëzuar nga stili barok. Pas analizës që Brasini bëri për kryeqytetin, - në të cilin mbizotëronin tiparet orientale, -mendoi të ndërhynte në mënyrë radikale në raport me indin urban të qytetit, duke krijuar një prerje të fortë me sensin e një bulevardi monumental. Orientimi i bulevardit do të ishte sipas aksit veri-jug, tipar ky i ndërhyrjeve urbanistike që kryenin romakët e lashtë në kolonitë e tyre, sipas aksit të ashtuquajtur në latinisht “cordo maximus”, duke krijuar në pjesën e ndërthurjes së akseve një “Forum”, që në latinisht është sheshi, pra “Piazza”. Brasini i dha një karakter të fortë gjysmë rrethor sheshit të ministrive. Gjuha arkitektonike e propozuar prej tij ishte e tipit neoklasik-monumental, ku shpesh dalin në pah trajtat baroke. Në planin rregullues të Tiranës u përfshinë edhe arkitektët e talentuar të viteve ‘30, Florestano di Fausto dhe Gherardo Bosio. Këta i dhanë Tiranës frymën e një kryeqyteti perëndimor modern. Këto ndërtesa të ndërtuara në njëzetvjeçarin fashist, kanë lënë shenja të thella në të gjitha kolonitë italiane ku ato janë ndërtuar. Pas manisë së madhështisë së Benito Musolinit, fshihet një rrymë arkitektonike ndër më interesantet dhe inovativet. Brasini propozoi një plan i cili parashikonte që qenda e Tiranës të përbëhej nga një grup me 6-të ndërtesa për ministritë dhe në mes të tyre do kishte një bulevard qendror. Ky plan në vazhdimësi do të kishte edhe variante të tjera, të cilat u thjeshtëzuan nga Florestano di Fausto. Projekti i Brasinit ishte madhështor, madje të krijohet përshtypja sikur ka ngjashmëri me sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan. Ai mendonte të krijonte një qendër monumentale gjatësore, pa u përzier me pjesën tjetër të qytetit ekzistues. Ky aks monumental duhet të ishte zinxhir linear i lidhjes ndërmjet qytetit të vjetër dhe atij të ri që do të ndërtohej. Në bulevard pjesa e xhamisë është ruajtur gjithmonë, kjo ishte kryesore për arkitektët. Sepse kishin si synim të ruanin tiparet e vendit ku punonin. Pra nëse i referohemi ndërtesës së Politeknikut, shohim që është ruajtur tipari i kullës shqiptare. Kjo lloj kulle përdorej gjerësisht në Veri por dhe në Gjirokastër. Në këtë mënyrë u përshtat arkitektura moderne me arkitekturën vendase.
 


Të dhëna rastësore
I gjitha aksi, që fillon tek Sheshi Nënë Tereza e deri në fundin e Bulevardit të Ri, kap një gjatësi prej 3500 metrash.
-Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” nga sheshi Nënë Tereza deri në Sheshin Skënderbej shtrihet në një gjatësi lineare rreth 1300 metrash.
-Bulevardi “Zogu i Parë” nga ish-Stacioni i Trenit deri në Sheshin Skënderbej, shtrihet në një gjatësi prej 600 metër.
Bulevardi i Ri që nis nga ish-Stacioni i Trenit deri në Paskuqan ka një gjatësi prej 1600 metrash.
Nëse nuk i mbledh dot me mend, mund të përdorësh kalkulatorin elektronik të telefonit dhe përsëri do të marrësh të njëjtën shifër.
Kjo është Tirana moderne, - kryeqyteti i Shqipërisë, - por vetëm në aksin kryesor të saj.


Friday, June 3, 2022

Zakoni i vjetër i shqiptarëve: të vrasin njëri-tjetrin


Nga Leonard Veizi
 
Degradimi i një pjese të shoqërisë shqiptare,  - pezhorativiteti i së cilës vjen kur konsiderohet e gjithë shoqëria në të njëjtin nivel,  – është parë prej kohësh në horizont. Po këtë gjë ne, herë nuk e dallojmë dot nga miopia, - që tek e fundit është një lloj sëmundje e cila i bashkëngjitet degradimit, - por dhe bëjmë sikur nuk e shikojmë, se duke u krekosur si gjeli majë plehut, nuk na vjen mirë as të na quajnë dhe as të vetëquhemi të degraduar.
Tani është kthyer në modë që kohë pas kohe, - relative dhe elementi kohë - titujt nëpër gazeta e portale plasin me germa të mëdha: “Është rritur niveli i krimit për motive të dobëta”, “Është rritur numri i aksidenteve”, “Është rritur numri i krimit brenda familjes”... Dhe bordet, - jo si ai që përcakton çmimin e naftës, - po shoshitin kërkesën që tani e tutje kësaj mega rubrike t’i shtohet edhe një nënrubrikë tjetër: “Rritet kriminaliteti në radhët e policisë”.
“Polici vrau policin”. Është e njëjta gjë që është thënë kaherë: “Shqiptari vrau shqiptarin”. Se nuk jemi në luftë me askënd që ta motivojmë nxjerrjen e kobures dhe shkrepjen e këmbëzës.
Ne nuk heqim dorë nga zakoni unë i vjetër, ta vrasim tjetrin në pije e sipër, si gjakrat janë nxehur pasi kemi bërë një copë herë muhabet rëndshëm e kemi hapur në tavolinën e rakisë zorrët e barkut.
-Më gjakftohtë mo Arif, më gjakftohtë!
-Po më shau o, hajvani i derrit.
Batutat janë shkëputur nga një film i njohur i Kinostudios së dikurshme, që tek e fundit tregon në një segment kohe se si shqiptarët luftonin me njëri-tjetrin më shumë se me armikun. Realiteti i sotshëm është më i ashpër se kaq.
Para pak kohësh, tek isha përqendruar të ndiqja lajmet e mbrëmjes në televizor, u mjaftova vetëm me dy informacionet dhe të parat, se pastaj i dhashë karar: më mirë të shihja “I teti në bronz” dhe dyluftimin e mistërnikut Arif me Sali Protopapën e xhandarmërisë që e mësoi të ishte nishanlli mbi kokën e gjelit. Në fund të fundit ngado ta ktheje kanalin, vrasjet ishin përfundimi i temës.
Lajmi i parë: Pasi konsumuan alkool, shoku vrau shokun se e shau “malok”.
Lajmi i dytë: Kushte të reja për të paraburgosurit, do punësohen edhe 80 policë të rinj.
- Po hë, ndonjë lajm të tretë s’ke?
- Edhe atë do ta gjejmë. Mos u merakos!
Shqiptarët po vriten mes njëri-tjetrit. Ky nuk është ndonjë term i ri. Por shokues mbetet sërish. Sidomos kur në gjaknxehtësi e sipër nxjerrim koburet dhe nën avujt e alkoolit nxjerrim thikën. Dhe nuk është se vritemi për gjëra madhore, por për ato krejt elementare. Shumë herë fare banale.
Dhe a bëhemi pishman pas kësaj...?
-Si qeni.
Por ç'e do, se lëkurën e tjetrit e çon po për dhjamë qeni.
Ne thjesht nuk duam që tjetri të na cenojë krenarinë. Ne pranojmë që shteti në emër të ligjit të na e lërojë para e mbrapsht, por kur vjen puna për një gërvishtje makine, për një vend në parkim, për një karikus celulari apo ritmin e muzikës në mejhane, ne mund të shuhemi dhe me fis e me farë. Ore luftë frontale hapim, në istikame e me vezme fishekësh rreth brezit. Se nuk durojmë dot.
-Na keni fyer në dinjitetin kombëtar...
Ku ma gjen. Kjo po, është një arsye për t’u vrarë e për t’u shpallur hero. Por jo se tjetri në pije e sipër, kur mezi thotë fjalët e nuk çohet dot nga karrigia, të thënka epitetin: malok. Pse kaq e lirë qenka jeta, sa mund t’ia marrësh një burri për një fjalë goje. Që t’i mbyllësh derën një familje. Që t'i thash lotët një nëne. Të lësh pa baba fëmijët. Edhe gruan pa burrë.
Pastaj vjen rasti tjetër: Më shau qorr. Drang tjetri koburen e s'e bën dysh. Pse me sytë e gjete të tallesh. Ti më shan por unë t'i fus kokërdhokët brenda. Ç’prazet xhepaneja dhe tjetri i jep lamtumirën kësaj bote sepse dikujt nuk i mban kandari fare.
-Po thellohu more djalë... thellohu!
Dhe nuk dua të zgjatem te çështja e dytë pasi dihet që për shkak të problematikave shteti ynë shqiptar nga një shtet ushtarak një herë e një kohë, tanimë është kthyer në shtet policor. Sepse ky shtet mbledh kufomat e lëna rrugëve dhe ruan pas hekurave të arrestuarit e shumtë. Dhe ata shtohen përditë. Një herë se pijnë e dehen dhe ia shkelin gazin dërrasë të makinës me vlerë 200 mijë euro, e nuk dihet kë marrin përpara. Pastaj shahen e sherrosen dhe zgjidhjen më të shkurtër dhe efikase e kanë të pavetëdijshme, kur dora u shkon në brez.
-Epo... jemi apo s’jemi burra?
Ndaj dhe na duhen policë, vazhdimisht na duhen policë të rinj. Duket zgjeruar në kapacitet dhe Akademia që të mund t’i trajnojë. Se po i more nga rruga, u dhe nga një kobure në dorë dhe nga një kapele në kokë, ata si shqiptarë të vërtetë që janë të bëjnë gjëmën.
Tek e fundit koburja nuk mbahet në brez si mjet zbukurimi, apo thënë ndryshe: si aksesor.