Thursday, January 24, 2019

Aritmetika e thjeshtë për miliona të përbërë





Nga Leonard VEIZI

Në matematikë, kam qenë ca i dobët. Flas për matematikën e aplikuar dhe sinuset e kosinuset, se në këtë të thjeshtën që bëhet me makinë llogaritëse, të “qaj piten”. Sidomos, i zoti fort më duket vetja, është kur vjen çështja e të merrem me llogaritje parash. Aty jam zhivë fare, nuk më humbet asnjë gjysma e centit. Ndaj kur lexova lart e poshtë, në portale e rrjete sociale, se nga tenderimi i dytë për Unazën e Re iu kursyen shtetit nja 5.5 milion dollarë, m’u bë qejfi qamet. “O po do bëhet Shqipëria, – i dhashë kurajo vetes, – kush tha që s’do bëhemi, që iu thaftë gjuha, jarebi”.
Meqë kureshtja m’u shtua, se bëhej fjalë për objekte të rëndësisë së veçantë ku ne taksapaguesit e thjeshtë na gënjen mendja se jemi të gjithë nga pak investitorë, vendosa të thellohem. Për informacione të mëtejshme iu drejtova një kolegun tim, gazetar gjithashtu, që merret me faqet e ekonomisë.
-Ç’i do fjalët, – më sqaroi ai, – paratë e kursyera janë pjesa e “kafes”. Domethënë … e “kafes”, më kupton.
-Si ore s’të kuptoj, – bëra të zgjuarin unë ndërkohë që njëkohësisht po rrekesha të bëja dhe ca llogaritje të thjeshta me mend, – po ca si e shtrenjtë po më duket “kafeja”?!
-20 përqind, – ma ktheu shkurt kolegu.
“Unaza’, m’u kthye në pranga. Domethënë, po të zbritet “kafeja”, te të gjitha investimet shtetërore, këtu u bëka det kos. Mirëpo ja që nuk u zbritka. Ky i Unazës na qenka rast i rrallë. Se koha ka treguar që për forcë zakoni, “kafeja” është “kafe” e nuk zbritet, por… gëlltitet.
Sa e thjeshtë qenka mor jahu, merr paratë nga kasaforta e buxhetit e futi te xhepi i palltos.
-Sikur ka qenë 10, – kisha shqyer sytë ndërkaq.
Kolegu tundi kokën gjithë përçmim për injorancën time të thellë në këtë drejtim.
-Ore, je i apdejtuar ti apo akoma me ’97-tën.
-Dale, dale… pa prit një herë. – Hap faqen e google në celular, futem me togfjalësh dhe përpara më del lajmi. “Buxheti i vitit 2019 do të kalojë për herë të parë vlerën e 5 miliardë dollarëve. Mësohet se buxheti do të arrijë në 5.19 miliardë dollarë”. – Duhet parë rubrika e investimeve,  -mërmëris.
-Ta them unë, – ndërhyn kolegu mes meje dhe marrëdhënies time me celularin. – 875 milion dollarë janë. Vjet ka qenë nja 10 milion dollarë më poshtë, me sa më kujtohet.
Pesë më poshtë e pesë më lartë nuk është ndonjë hata e madhe. Hajde para hajde.
-Që t’i vëmë kokë muhabetit: 20 përqindëshi i 875 është 175 milion dollarë. Domethënë për një 4-vjeçar qeverisës i bie nja 700 milion dollarë. Kjo do të thotë që për pesë 4-vjeçarë, – pra për 20 vjetët e fundit, – kanë shkuar dëm nja 3.5 miliard dollarë. Tani, dëm nuk kanë shkuar, por… Se edhe buxheti nuk ka qenë kaq gjithmonë. Ja po heqim dhe ca bishta, prapë shumë qenkan në lojë.
Hidhi zarat hidhi: shesh-besh. Aritmetikë për parashkollorë.
-Shiko, shiko. Dreqi vet qenke në matematikë, i bërë hesapet pa tabelën e exelit – tundi kokën kolegu, këtë herë me admirim të theksuar për show-n që sapo kisha dhënë, me një shkallë të lartë inteligjence në çështjet e tabelës së shumëzimit. – Për këto “kafe” ta kisha llafin… Se fillon nga më të vegjlit për t’u ngjitur lart, ndaj ka vajtur çmimi sa “frëngu pulën”.
Po pse “kafe” quhet kjo. Këtu paska para për t’u rregulluar shkollat e spitalet, bashkë me universitetet. Madje të rriten edhe pensionet. Pastaj, kjo është të bëhesh milioner pa bërë asnjë investim, vetëm se je i zoti të hedhësh një firmë atje ku duhet. Domethënë: investim partie. Dhe për këtë nuk ka nevojë të jesh me se s’bën ekonomist. Mund të jesh edhe kardiolog me gradë shkencore, jurist pa aktakuzë apo dizenjator tavoline me bojëra dhjami.
Çudi e madhe. Ca e ca  thonë se “ujët del i pastër nga lart e turbullohet poshtë”. Ndërsa ca të tjerë thotë se “peshku qelbet nga koka”.
Kë të besosh?
Epo ko kjo puna e 20 përqindëshit ç’është e vërteta më lodhi ca. Se më duhej dhe një tabelë e ngjyrosur sipas shkallës së ndarjes së “kafesë”. Se vetëm ashtu mund ta kuptoja vizualisht dhe katërçipërisht se nga shkonin taksat tona, që ne i quajmë të varfra.
Në fakt, me sa duket nuk qenkan dhe aq të varfra. Po miradministrohen…
Ka para ka, gjenden ato.
“O po nuk bëhet Shqipëria, – mendova i mërzitur. – Kush tha që do bëhet mor që iu thaftë gjuha”.
Ndërkohë në mend më erdhi në mend një intervistë e Pandeli Majko, tashmë deputet, i cili teksa rrëfente për jetën e tij në krye të shtetit, këtu e vite më parë, lëshoi edhe këtë batutë: Një nga ndërkombëtarët që hynte e dilte në Shqipëri, i pat thënë se “korrupsioni në ekonominë e tregut është si puna e lubrifikantit të motorit, por duhet pasur kujdes me të, me masë”.
“Medet”, – thashë me vete, – ç’lubrifikant zeza, këtu te ne qenka derdhur kazani i vajit”.

Botuar në 

Sunday, January 20, 2019

Valter Gjoni: Si e takova Santa Klausin në koordinatën 66º 32’ 35” në Arktikun e Veriut


 
Nga Leonard Veizi

Është Krishtlindje…
Për të gjithë ata që nuk besojnë, fëmijë të zhgënjyer nga ëndrra apo të rritur bindshëm që e mohojnë, Babagjyshi i Krishtlindjeve ekziston. Ai quhet Santa Klaus, është i veshur me rroba të kuqe, ka mjekët të bardhë e mban rrip të gjerë në mes e kapele me xhufkë mbi kokë. Asgjë e pazakontë deri këtu që të na çudisë më shumë. Gjithçka sipas legjendës mijëvjeçare. Për më tepër që në këtë periudhë të lavdishme të kibernetikës apo të shpejtësisë kozmike, ai lëviz me të njëjtën slitë të tërhequr nga drerët…
…Në të vërtetë, Babagjyshi nuk është as më pak e as më shumë, po një punonjës i thjeshtë i bashkisë së Rovaniemit, një qytet në thellësi të Finlandës, që me koordinatë të saktë është ndërtuar në atë segment ku kalon dhe paraleli i parë i globit kur zbret nga Arktiku i Veriut.
Sot, në regjistrin e gjendjes civile Babagjyshi mund të ketë gjithfarë emri tjetër, por për të gjithë ata që e takojnë fizikisht, fëmijë a njerëz në moshë, është vetëm se Klausi i Shenjtë. Kush nuk beson, mund të marri rrugën për në Helsinki, dhe pa zbritur nga avioni do të informohet për ekzistencën e Santa Klausit, pikërisht në koordinatën 66º 32’ 35”. Për më tej mund ta zgjedhësh vetë mjetin për të mbërritur në destinacionin e mahnitshëm.
Por për të arritur tek kasollja e Babagjyshit Klaus do të duhet të përshkosh 800 kilometra rrugë. Këtë e bëjnë përgjatë gjithë vitit, të paktën 500 mijë njerëz, të cilët janë të fiksuar të përmbushin një ëndërr të fëmijërisë së kahershme. E në këtë mori njerëzish që ndërmarrin pelegrinazhin e jashtëzakonshëm, padyshim ka dhe shqiptarë, njerëz që lënë klimën e ngrohtë të Mesdheut, për t’u ngjitur afër Polit të Veriut.
Valter Gjoni, aktualisht nëpunës i rëndësishëm në Bashkisë së Tiranës, gjithashtu ka pasur një përvojë të tillë. Për kuriozitetin e çdo njeriu, qoftë dhe të një gazetari që i troket në zyrë ai rrëfen se si mbërriti në qytetin e famshëm të Finlandës, vetëm për të takuar të shenjtin Klaus, që në të vërtetë ashtu si vetë ai, ishte një punonjës Bashkie, veç me një detyre tjetër, të priste e të përcillte njerëzit që ishin të afeksionuar të takonin një herë në jetën e tyre babagjyshin e ëndrrave të vegjëlisë.
Në këtë rrëfim të tij, vjen përvoja e pazakontë; një rrugëtim i gjatë dhe impresionues për në Rovaniem, qyteti finlandez ku jeton Babagjyshi i Krishtlindjeve

Valter Gjoni
Falë një rastësie, u informova mbi përvojën tuaj interesante: keni takuar Santa Klausin. Si ka ndodhur e gjitha kjo?
Ç’është e vërteta edhe unë e them me një lloj kënaqësie që Santa Klausin, apo Babagjyshin e Vitit të Ri siç jemi mësuar t’i themi që shumë kohë më parë, e kam takuar para shumë vjetësh. Ndodhesha në Finlandë, në një stazh të Këshillit të Evropës, ku kalova rreth një muaj në institutin “Gustave Lunden”.
Ishte muaji nëntor dhe gjatë udhëtimit për të shkuar në drejt Helsinkit, që në avion u ndeshëm me një informacion të bollshëm për Santa Klausin. Madje atje na dhanë dhe një pyetësor se çfarë dëshirash kishim për t’i bërë Santa Klausit. Unë kisha dy dëshira, që në fakt m’u realizuan. Një nga dëshirat ishte që Babagjyshi i Vitit të Ri, t’u dërgonte fëmijëve të mi një letër dhe dëshira e dytë ishte që nëse krijohej mundësia të vizitoja qendrën, e cila në fakt ishte goxha larg, të paktën 800 kilometra nga Helsinki. Rovaniem është qendra e qytetit. Ndërsa Babagjyshi i Vitit të Ri qëndron në rrethin Arktik, thënë saktë në 66 º 32’ 35”. Ky është paraleli i parë që vjen nga Poli i Veriut.
Kur do të udhëtonit drejt Rovaniemit?
U shfrytëzua një fundjavë. Sapo u krijua kjo mundësi unë udhëtova me tren për rreth 6-të orë, për të mbërritur në Rovaniem. Aty është një rezidencë shumë interesante që e quajnë “fshati i babait të krishtlindjeve”.
Është organizuar si një resort turistik. Atje shkohet me të gjithë mjetet, tren, avion, makinë, me slitë, me kuaj madje dhe me drerë. Turizmi në këtë vend  është i pandërprerë në dimër dhe në verë. Natyrisht që ka shumë turistë. Por ka dhe një komoditet shumë të përshtatshëm. Është një fshat i tërë me kabina mjaft komode dhe mjaft të sistemuara.
Si ka lindur ideja për të ndërtuar këtë pikë turistike, në bazë të një legjende? 
Vizitën e parë në këtë vend dhe idenë të e parë e ka dhënë Eleonor Rusvelt, bashkëshortja e presidentit amerikan Frenklin Ruzvelt. Ajo ka qenë për disa kohë kryetare e UNRRA-s, që ishte një organizatë paraprijëse e UNICEF-it të sotëm.
Pra është një organizëm i Kombeve të Bashkuara. Ajo u ndodh në atë qytet në vitin 1950 për faktin se ai territor u bë një shesh lufte gjatë Luftës së Dytë Botërore. Aty luftuan shumë ushtri, gjermane, ruse, angleze, suedeze, finlandeze.
Kështu që i gjithë Ravaniemi i dikurshëm u shkatërrua. Në kuadrin e ndihmave humanitare zonja Rozvelt mori rrugën e gjatë e të vështirë për të mbërritur në këtë qendër. Aty u njoh dhe me legjendën.
Në fakt Santa Klausi është një prodhim autentik i Finlandezëve?
Santa Klaus, ose Babagjysh të Krishtlindjeve, ka pothuaj në gjitha vendet e brezit të Arktikut. Por Norvegjia dhe Suedia ia kanë lënë Finlandës të mbajë këtë flamur. Ndërkohë që Santa Klaus ka dhe në Kanada madje dhe në Shtetet e Bashkuara, por asnjë prej tyre nuk ka kthyer dhe institucionalizuar ashtu siç është bërë me atë të Finlandës.
Cila është historia e Santa Klausit finlandez?
Ka lindur mbi bazë legjendash. Në Ravaniem kjo ka qarkulluar për pasojë se banorët jetoni thuajse të izoluar nga pjesa tjetër e botës. Madje dhe vetë ata nuk kishin shumë dëshirë të hapeshin. Ishin grupe sporadike turistësh që i konstatuan.
Zonja Ruzvelt, duke qenë se drejtonte një mision humanitar, mësoi pikërisht për këtë legjendë që fliste për një burrë më vlera humanitare, që dilte vizitonte dhe ndihmonte banorët e zonës. Kjo e ngacmoi mbi idenë e krijimit në institucion të Santa Klausit.
Është një koncept që po të thellohet në studime me siguri dalin dhe gjëra të tjera. Por vetë në Ravaniem flitet për një legjendë ekzistuse, të cilën zonja Rusvelt e konceptoi në këtë formë që praktikohet dhe sot.
Çfarë prezupozon në individualitetin e tij personi që për shkak të veshjes dhe të pamjes së jashtme të gjithë e quajnë “Santa Klaus”?
Ai është një punëtor Bashkie. Në Ravaniem, realisht ka një person fizik i cili luan rolin e Santa Klausit përgjatë gjithë kohës. Kjo zonë administrohet nga një bashki, ka dhe kryetarin e bashkisë. Ka një universitet për zonën. Zona ka 60 mijë banorë.
Është një qytet me të gjitha kushtet. Vetëm se është në distancë nga shumë qytete të Finlandës. Babagjyshi është punonjës i bashkisë dhe paguhet nga bashkia. Por nga mënyra se si është konceptuar dhe organizuar jep mundësinë e grumbullimi të shumë të ardhurave, sepse në këtë resort padyshim gjen kafe, restorante, hoteleri, slita e dhurata të ndryshme.
Të gjithë këtë mal me gjëra që ka ky vend, sjell goxha të ardhura. Por duhet theksuar se kjo veprimtari mbështetet shumë dhe nga shteti. Që në Helsinki, në aeroport, apo në stacionin e trenit është paneli me butonin elektronik që të lidh drejtpërdrejt me Ravaniemin, ku çdo kush mund të telefonojë për të bërë rezervimet e tij. Turizmi kryesisht është dimëror, po që nga matjet shkon deri në 500 mijë turistë në vit.
Arrinte t’i përmbushte dëshirat “Santa Klausi” edhe pse njerëzor dhe aspak hyjnor? Kam parasysh që pak më parë ju më thatë se kishit shprehur dy dëshira…?
Unë shpreha dy dëshira; të vizitoja qendrën dhe Babagjyshi i Vitit të Ri, t’u dërgonte fëmijëve të mi. Dhe m’u realizuan të dyja. Në fakt, unë nuk arrita ta konstatoj këtë emocion, sepse letra për fëmijet kishte ardhur para meje në Shqipëri.
Kështu që nuk isha i pranishëm në gëzimin e tyre. Por, natyrisht edhe vetë u emocionova shumë. Gjithsesi nga e gjithë kjo përvojë mund të them se për gjithçka që thuhet në formë hamendësimesh se babagjyshi e ka shtëpinë “këtu” apo “atje”, unë arrita dhe pashë, Santa Klausin dhe shtëpinë e tij.
Gjatë kësaj vizite më shoqëroi dhe kryetari i Bashkisë së Ravaniem, z.Harri Pokenen, me të cilin bëmë edhe një fotografi në prani të Santa Klausit”.
Sa i rëndësishëm është “Santa Klausi” finlandez për pjesën tjetër të botës?
Nuk janë vetëm fëmijët që kanë dëshirë të madhe të takohen me të. Miti i babait të Krishtlindjeve ka joshur dhe shumë burra shteti të cilët kanë marrë rrugën për në Rovaniem.
15 vjet pas ceremonisë së parë në Rovaniem u projektua kabina e parë nga arkitekti Tempi Purdy dhe madhësia e saj si dhe pajisjet ishin në gjendje t’u shërbenin mirë të gjitha grupeve të turistëve.
Burrat e shtetit që kanë vizituar janë Leonid Brezhnjev i Bashkimit Sovjetik, Lindon Xhonson i SHBA-së, Josif Tito i ish-Jugosllavisë, Eduart Okab presidenti i Polonisë, Princi i kurorës së Suedisë, Karl Gustav, Shahu i Persidë, kryeministri italian Aldo Moro, Kryeministrja Golda Meir e Izraelit, presidenti i Senegalit, Senjor, etj.


Me skulptorin Ilirian Shima: “Shqiponja ime, një vepër që lindi nga bërthama”


Ilirian Shima - skulptor

Nga Leonard Veizi
Ndërsa gishtat shtypnin baltën me një energji të brendshme e fort konkurruese, ai e ndjeu se krejt papritur tavolina familjare e apartamentit të tij në Athinë, ku ishin ulur për të ngrënë me bashkëshorten e fëmijët, ishte shndërruar gati në një punëtori. Mungonin veç dalta dhe mjetet e imta, por jo ideja që sapo kishte marrë jetë dhe vetë energjia që kërkonte. Nuk duhej veç kaq për t’i shkuar deri në fund asaj çka kishte dëshiruar prej kohësh, ndaj largoi me të shpejtë prej syprinës pjatat prej porcelani, gotat e qelqit dhe lugët metalike për të hedhur pa kursim mbi të veç baltë. Nuk kishte kohë të vraponte për në studio dhe as ta ndrydhte fantazinë e shfrenuar, pikërisht në atë çast ku ndjenja e forcës dhe e seksit kërlesheshin me njëra-tjetrën për të dhënë të vetmin produkt, atë që pak nga pak po formësohej nën ritmin e vazhdueshëm të shputës së duarve dhe gishtave të mëdhenj të cilët shtypnin pa pushim materialin që merrte formë. Nuk kish dyshim që pjesa tjetër e familjes, e mësuar tashmë me këtë ritëm, pranoi të lironte një tavolinë të thjeshtë ngrënieje, për të parë me një ngazëllim të fshehur deri në minutën e fundit, se si aty ku ca çaste më parë qëndronte gjella e ngrohtë dhe fetat e holla të bukës, të ngrihej… një shqiponjë…
…Këtë rrëfen Ilirian Shima, skulptori nga Tirana, një prej më të talentuarve shqiptarë të pas viteve ‘90, i cili prej 27 vitesh jeton në Greqinë fqinje. Ndërsa shton gjithashtu se shqiponja e shqiptarëve, edhe pse një shpend i fortë e krenar përcjell gjithashtu dhe një sensualitet pa fund.
Një skulpturë e juaja është vendosur në qendër të qytetit të Lushnjes. Me çfarë rasti?
Vepra duhej të vendosej me rastin e 93 vjetorit të Kongresit, pra që në vitin 2013. Por u vendos më vonë. Puna nga ana ime u bë në kohë rekord. Por gjithmonë ka vonesa. Rruga nga fillimi derisa mbaroi ky monument, me një derdhje precize në një nga studiot më të mira të Greqisë, ishte e gjatë. Ishte një rrugë me shumë vështirësi, por që më ka dhënë dhe shumë kënaqësi njëkohësisht. Ky ishte dhe monumenti im i parë.
Çfarë simbolizon kjo vepër?
Atë çfarë simbolizon vetë shqiponja, lartësinë, forcën, qëndresën. Por te vepra ime mund të ndiesh edhe një dimension tjetër, ajo që ka të bëjë me harmoninë dhe bukurinë shqiptare. Ka një lloj sensualiteti në përmbajtje të veprës, dhe ka të bëjë më shumë më femrën se sa me mashkullin. Kjo ndihet në përgjithësi në krijimtarinë time.
Kur do të zinte vend në fantazinë tuaj prej skulptori ky imazh?
Formalisht, si zanafillë e ka në vitin 2000, në një nga veprat e serisë që titullohej “Pirinas” e që në greqisht do të thotë “bërthama”. E kam fjalën për bërthamën si energji. Ishte një ide ku në çdo formë të përfytyrueshme kishte një kulm, kishte një qendër dhe nga ajo qendër në mënyrë relative përhapeshin rreze dhe energji. Ka qenë dëshira ime për të zbuluar artistikisht “Big Bengun”. Formalisht, e thamë që në fillim. Pra gjithçka e ideuar do të kishte në thelb shpërthimin e energjisë nga një bërthamë.
U desh shumë kohë që të piqej kjo ide përfundimisht?
Këtë punë të serisë “Pirinas” e shihja çdo ditë në studio dhe kisha atë idenë që nuk ishte e mbaruar dhe donte dhe diçka tjetër  të përfundonte. Fillimisht këtë punë e kam ekspozuar te  “Farajon”, një ekspozitë që u hap maj në vitit 2014 në Galerinë Kombëtare të Arteve. Është në formën e gjysmëhënës. Me mendjen time e shihja dhe i bëja dy vrima. Një ditë, isha në shtëpi në tavolinën e ngrënies, marr baltë dhe formova një bocet 17 centimetër të lartë duke i bërë edhe dy vrima që ishin qafat e shqiponjës. Dhe kështu u krijua shqiponja. Është kjo shqiponjë, e cila energjinë e bërthamës e mbart gjithmonë me vete. Sepse lindi nga bërthama.
Si do të vazhdonte odiseja e mëpasme?
Këtë bocet e derdha në bronz dhe e çova në konkurs. Ajo energji rrezatoi te komisioni dhe ndoshta ndër të rrallat herë, të gjithë anëtarët e tij u bënë njësh dhe votuan për të. Asnjë nuk ishte kundra. Pra kemi të bëjmë me energjinë. Energji e cila zhvillohet ashtu se dhe energjia e “Big Bengut”, duke u përhapur e duke lindur planetë të rinj. Dhe një nga planetët, që mund ta quajmë “dielli” ishte dhe monumenti i madh. Pas bocetit të parë bëra dhe një bocet tjetër, me përmasa një metër, që në të vërtetë është një e dhjeta e monumentit zyrtar që u vendos në Lushnje. Këtë bocet tanimë e ka kryeministri Edi Rama në zyrën e tij.
Ndërkohë ju gjithashtu keni fituar një konkurs tjetër për të vendosur një monument në qendër të Tiranës. Në çfarë faze është tanimë ky projekt?
Faktikisht jam në pritje. Është me temën që simbolizon viktimat e diktaturës. Unë mora pjesë me tri bocete. Të tria i kam për zemër dhe kanë të njëjtën vlerë të madhe artistike. Kushdo që të zgjidhej nga këto unë do isha shumë i kënaqur. Sigurisht që entuziazmi im është i madh dhe përgjegjësia shumë e madhe, sepse kjo vepër do të vendoset në qendër të Tiranës. Jam në pritje për të më dhënë dritën jeshile dhe unë filloj direkt ta realizoj.
Ky projekt ka kohë që është lançuar. Ka vonesa…?
Realisht ka vonesa. Madje nuk po e kuptoj dot vonesën. Nuk më japin një përgjigje të saktë, vetëm thashetheme rreth e qark dëgjoj. Mungojnë paratë… apo dëshira… Ky është një projekt i Bashkisë së Tiranës, por ende nuk ka një dakordësi me Ministrinë e Kulturës për këtë çështje.
Kjo është një vepër e cila u realizua pas kërkesës për konkurs?
Jo. Këtë punë e kam bërë përpara 25 vjetësh në Shqipëri. Madje për këtë kam një pasaportë dalje, sepse kur shkova në Greqi mora 4 punë me vete dhe më duhej të merrja katër leje që të mund t’i nxirrja nga kufiri, se nuk ishte e lehtë ta kaloja nga Shqipëria në Greqi me vepra të paliçensuara nga Minsitria e Kulturës.
Njiheni si një skulptor që keni thyer shumë tabu. E rrallë ishte ajo me ekspozitën “Farajon” në GKA. Sa i emancipuar është publiku dhe vetë arti shqiptar në këtë drejtim?
Ekziston një si fshehje apo si turp. Në ekspozitën “Farajon” shihja njerëzit që kur kalonin para veprave të mia me tematikë erotike, ulnin kokën apo i shikonin me bisht të syrit. Donin t’i preknin… por aty ishte tabuja. Ndodhte që bënin një xhiro nëpër sallë dhe ktheheshin sërish. Kjo tregon se njerëzit ende nuk janë të emancipuar sa duhet.
Por megjithatë, kjo ekspozitë u prit shumë mirë e me interes të jashtëzakonshëm. Ishte rinia ajo që e përqafoi fort. Mund të them se ishte një ekspozitë për rininë. Më ndodhi që të merrja aq shumë përqafime prej tyre sa m’u duk vetja si të isha një “rockstar”.
Njerëzit i duan veprat me përmbajtje erosi, por janë frenat e tabusë që nuk i lënë. Unë vetë punë me tematikë erotike kam krijuar që në adoleshencë. Megjithatë, arti ka ecur shumë në Shqipëri. Por shkolla jonë me bazë realiste na ka ndihmuar shumë formalisht, sepse tanimë shkolla është shumë më e lirë por nuk të formon si duhet.
Shumë herë abuzojnë me emrin e skulpturës, për një gjë që nuk është e tillë. E në këtë rast le t’i venë një merr tjetër, por jo “skulpturë”. Unë mbetem skulptor klasik, me materiale, por me frymë bashkëkohore. Dua t’ia ndjej peshën, temperaturën materialit. Dua të ndeshem, ashtu siç dashurohem me të.
Si e menaxhoni jetën tuaj artistike mes Tiranës dhe Athinës ku jetoni prej shumë vitesh?
Studioja ime, e cila gjeografikisht është në Athinë, është studio që funksionin për krijimet e mija të cilat lëvizin gjithandej. Kohët e fundit ngaqë në Greqi ndihet fort kriza ekonomike, në studion time punohen punë për Shqipërinë. Kam punë që po zhvillohen për një ekspozitë të ardhshme që mendoj ta bëj në Paris, që janë skulptura zanore, skulptura që kam 10 vjet që i bëj. Kjo ekspozitë do të jetë më e zgjeruar se ajo e Tiranës, ku unë do të paraqitem me një grup më të madh skulpturash nga ku do të dalin zëra të muzikantëve të njohur por dhe të ndonjë grupi polifonik shqiptar. Pra edhe në Paris do të përçohet fryma kombëtare.



Monday, January 14, 2019

Intervista/ Sabri Godo; Pleqëria më ka bërë zemërgjerë



Nga Leonard VEIZI

Në familjen Godo ende ruhen reliket e vjetra të familjes së madhe të Vrionëve. Sot me siguri e meritojmë të hyjnë në një fond të artë antikuarësh. Historia dhe vjetërsia e tyre ndoshta tregojnë më shumë se vetë historia e shkruar. Shtëpia e tyre, e re tashmë, ndodhet në një nga pallatet e kohës, të ndërtuara në zonën e quajtur “Ali Demi” në Tiranë.
Në moshën 74-vjeçare, njeriu e meriton cilësimin si në moshën e tretë, ose thënë ndryshe, plak. Ndoshta është një emër jo fort i gjetur, por Godo e pranon këtë fakt dhe druhet fare pak teksa shqipton qetësisht se, mosha e ka bërë punën e saj. Ndërsa jeta vazhdon të rrëshqasë edhe në pjesën e fundit për t’i dhënë ndijime të pazakonta. Tashmë ai ka një ecje të ngadaltë. Flet gjithashtu ngadalë, por shkoqur. Nga larg duket sikur një notë plogështie a ndryshku e ka zënë. Por çuditërisht, mendimet i ka  të zhdërvjellta dhe të kthjellëta, me harresa të pakonsiderueshme në subkoshiencë. Nuk ka qenë asnjëherë amator në punët që ka bërë, megjithëse thotë se edhe profesionet nuk kanë qenë ato që i janë dashur të bëjë në jetë.
Ai doli partizan sapo kishte mbushur të 14-at, kur ka guxuar të marrë pushkën, e të bashkohet me luftëtarët partizanë të Çetës së Rinisë së Gjirokastrës, duke u futur kështu në rrjedhën gjigante të Luftës së Dytë Botërore. Në 23 muajt e jetës partizane, ai kalon 5 muajt më të vështirë kur batalioni “Baba Abazi" i Brigadës së 6-të Sulmuese dhe i rreshtuar nën komandën e Divizionit të 6-të, kapërceu kufijtë shtetërorë shqiptarë, për të zmbrapsur forcat gjermane edhe nga tokat e Kosovës, atëherë nën flamurin jugosllav. Pas lufte, titullohet oficer i Ushtrisë Shqiptare. “Unë kam ndryshuar shumë herë profesion. Koha kur kam shërbyer si ushtarak ka pasur një hapësirë prej një vit e gjysmë pas luftës. Pastaj kam shpenzuar 25 vjet të kohës, në atë që quhej “tregtia shtetërore”. Puna si shkrimtar nuk është se ka pasur ndonjë vend të veçantë në jetën time. Shkruaja ndërkohë që punoja”, thotë ai. Sabri Godo kujton se gjithsej, vetëm një vit ka qenë shkrimtar në profesion të lirë. Titullarët e atëhershëm nuk pëlqyen disa nga shkrimet që ai arriti të botonte të shtypin e kohës. Ishin disa tregime me temën e luftës, të cilat u cilësuan si të shkruara nën ndikimet e Rrymës së deheroizimit. Këtu filloi dhe goditja e tij intelektuale. U dha një urdhër i rreptë, që të hiqet si shkrimtar i lirë dhe, ç’është më e keqja, t’i hiqej e drejta e botimit, derisa të riedukohej. “Më dërguan për të punuar në një uzinë këtu në Tiranë. Ngandonjëherë kam qenë edhe pa punë, derisa në fund të viteve ‘80 dola në pension. Në atë kohë mbahesha dhe me honorare të shkrimeve të ndryshme, të cilat botoheshin si bashkëpunime në revistën “Hosteni” apo dhe në Kinostudio. Kam pasur detyrime familjare vazhdimisht. Detyrime që binin drejt mbi mua, aq më tepër që familja ime prej tetë vetësh  banonte në një dhomë e një kuzhinë. Dhe, bëja përpjekje për të mbijetuar", thotë Sabri Godo.

Hyrja në politikë
Në vitin 1991, nën frymën e re të pluripartizmit në Shqipëri, Sabri Godo angazhohet në jetën politike të vendit me krijimin e Partisë Republikane. Në këtë parti, ku për vite me radhë ka qenë kryetari i saj, megjithëse dha dorëheqjen nga posti ekzekutues, vazhdon të aderojë edhe sot. Gjatë kësaj kohe ka qenë deputet pranë Parlamentit Shqiptar në dy legjislatura dhe, siç shprehet vetë ai: “Kam kryer punët që më kanë dhënë të bëj”. Por çuditërisht nuk konkurron më për deputet edhe pse flitej se, nëse kandidonte, kishte gjasa të fitonte pa balotazh. Kështu mbetet ndër të rrallët politikanë në Shqipërinë e tranzicionit postkomunist, që njeh pandërprerje institucionin e dorëheqjes.
Dhashë dorëheqje, pasi e cilësoj si të ezauruar qenien time në krye të Partisë Republikane apo në sallën e Ligjvënësve. Kur e sheh se me një vend ato që kishe për t’i thënë i the, është më mirë të mos vonohesh më në skenë. Pastaj unë asnjëherë nuk e pata marrë si një drejtim të jetës time politikën. Kur hyra në fillim, mendova se do të ishte çështje muajsh sa të bëhej ndërrimi i regjimit dhe të vendosej një sistem demokratik në Shqipëri. Por politika e ka këtë të keqe, që mund të hysh me vullnetin tënd të lirë, pastaj nuk varet më prej teje, se kur del dhe gjithmonë të krijohen detyrime morale ndaj të tjerëve e ndaj asaj që ke marrë përsipër të bësh. Dhe ndjen se po të dalësh krejt papritur në llogarinë tënde, pret me besë ata njerëz që kanë besuar tek ty ose që kanë besuar në forcën politike, duke u nisur më shumë nga konsideratat personale. Kjo më ka ndodhur edhe herë të tjera në jetë, që të hyj në një gjë e pastaj të mos mund të dal. Tani angazhimin politik të drejtpërdrejtë e kam të kufizuar”, thotë Godo.
Por është aktiv edhe në media. Herë pas here është i thirrur në studio debatesh televizive, ku kërkohet opinioni i tij. Kamerat televizive të terrenit nuk të lënë të qetë as kur e kërkon me ngulm këtë qetësi. E mbase më rrallë në faqet e gazetave. Megjithatë ai thotë se nuk kërkon të penetrojë me portretin dhe fjalën e tij në rrjetet televizive.
Nuk është se afrohem vet unë, me përjashtim të ndonjë rasti, kur dua të shpreh opinionin tim nëpërmjet shkrimeve në gazeta, për ndonjë çështje të bujshme që shqetëson shoqërinë ose politikën shqiptare. Po në rastet e tjera është fare korrekte të them se kam qenë i kërkuar nga media. Madje, në më të shumtat e rasteve, duke qenë se më duket sikur përsëris vetveten, i kam eliminuar emisionet televizive, por dhe intervistat për aq sa kam mundur. Por, në qoftë se dikush e kërkon në mënyrë të përsëritur praninë time në median ku punon, nuk mund të mbahem si një njeri mendjemadh, i cili refuzon të komunikojë me të tjerët. Këtu, që megjithëse jam i kufizuar, prapëseprapë në njëfarë mënyre jam i pranishëm".

Intervista

Është e vështirë ta ndjekësh në një ditë të vetme axhendën e ngjeshur të Sabri Godos. Madje për të lëne takim me të nuk është fort e lehtë, megjithëse për gazetarët ai ka një respekt të veçantë. Emblematike është një cigare e tymosur mes buzëve, por dhe atë ia shohim disi më rrallë, ndërsa sinjali i butë i celularit e kërkon vazhdimisht.

Si është një ditë e jetës suaj tashmë?
Unë kam punë tërë kohën. Ndonjëherë punët janë të tilla, saqë kur kthehem në darkë, nuk di se me çfarë u mora gjatë ditës. Kam obligime të ndryshme shoqërore. Vazhdoj të kem marrëdhënie me trupin diplomatik, megjithëse jo me ritmin e mëparshëm. Kemi krijuar një klub të quajtur “Klubi 2002" me disa intelektualë, që kanë një afërsi të mendimeve të lira me njëri-tjetrin dhe që mblidhen një herë në javë, ku mund të diskutojmë për tema nga më të ndryshmet. Ai nuk është kurrsesi një klub politik dhe nuk ka për t’u bërë i tillë. Kam qenë i impenjuar për të ripunuar librin “Ali Pashë Tepelena” në botimin e tij të tretë, i cili do të mund të dalë në qarkullim nga muaji shtator. Dhe pas këtij është përgatitur ribotimi i romanit tjetër historik “Skënderbeu”, por nuk e di në do të mund ta rishikoj edhe atë në gjerësinë që kam parë Ali Pashanë, pasi ky i fundit ka një ripunim mbi 80-të për qind.

Përse një ripunim kaq tërësor. Keni gjetur elementë të rinj historikë?
Romani është botuar në vitin 1972. Është ribotuar në vitin 1992 dhe atëherë e rishkrova me dorë nga e para në fund, sepse m’u duk se kisha lënë shumë gjëra pa thënë. Tani që erdhi puna për ta botuar për herë të tretë, shoh se shumë gjëra që janë botuar atëherë nuk i përgjigjen edhe aq të vërtetës, sepse kam shkruar për një njeri me sy të mbyllur, për vende që nuk i njihja dhe s’kisha qenë ndonjëherë në Greqi apo Janinë për të njohur hapësirën, ku ka qeverisur Ali Pashai. Shkova dhe i pashë ato. Lexova dhe literaturë tjetër. Kështu mendimi im u filtrua më mirë dhe tani më duket se kam arritur të jem më afër të vërtetës nga ana historike, më afër Ali Pashës si figurë, dhe të saktësoj sidomos ngjarjet historike dhe vendet. Tani jam lehtësuar nga ajo ngarkesë që kam pasur kundrejt kësaj figure që më ka munduar për afro 30 vjet me radhë.

E keni ndjerë ndonjëherë veten “Pasha” në letërsinë shqiptare?
Jo. Unë gjithmonë kam dyshuar në ato që bëj, madje mund të përgëzoj veten për këtë se edhe vlerësimet që më bëjnë të tjerët, të cilat askush nuk i refuzon, e ku unë nuk bëj përjashtim, por unë i njoh vetes një të mirë, që gjithmonë u bëj një zbritje për ato që më thonë, pasi njeriu mund të jetë i sinqertë, mundet për mirësjellje të të thotë një fjalë të mirë, dhe në qoftë se të gjitha ato që të thonë për aftësitë e tua i merr për të vërteta, vjen një moment që thua se, “unë i di të gjitha, s’kam më mësoj”. Por në të vërtetë, është pikërisht kjo që mund ta quaj si “pika e vdekjes”.

Cila është gjendja juaj ekonomike? A jeni i pasur?
Nuk jam i pasur. Por nuk mund të them as heq keq, fjala vjen për të pirë një kafe apo për të pasur gjërat e domosdoshme që duhen në jetë. Nuk kam ndonjë pasuri mënjanë. Jetojmë me ato që janë të ardhura të muajit, që për një familje burrë e grua siç jemi ne janë mëse të mjaftueshme. Madje po të jem i kujdesshëm në shpenzime, mund t’i jap të drejtë vetes të pushoj dy javë në ndonjë vend të bukur në Evropë. Mirëpo ne kemi shpenzime të shumta, pasi janë vajzat e nipat që hyjnë e dalin. Gati jetojmë së bashku, megjithëse secili është në shtëpinë e vet, kështu që ndonjëherë shpenzojmë më tepër nga sa janë të ardhurat mujore. Kjo është dhe gjendja ime e vërtetë. Por mund të mbaj dhe një makinë që e kam të domosdoshme e ndërkohë njeriu që punon me mua si shofer, më tepër e bën për dashamirësi, pasi, në të vërtetë, ka një pagë të vogël. Por deri këtu e përballoj. Por them se nuk do t’u lë pas trashëgimtarëve ndonjë gjë të madhe, përveç apartamenteve ku jetojnë aktualisht. Dikur kam jetuar shumë ngushtë, vetë i tetë në një dhomë e një kuzhine, ndërsa tani kam një apartament me rreth 160 metra katrorë, ku ngandonjëherë më duhet të lëviz nëpër shtëpi për të gjetur se ku është gruaja. Domethënë ka hapësirë të mjafta edhe nuk më duhet.

A keni përftuar nga pasuria e Vrionasve ku jeni dhëndër?
E vërteta është se unë nuk kam marrë atë që ka si trashëgim gruaja ime. Kur i kam parë në gazetën zyrtare jam habitur. Është një pasuri e madhe. Mund të kemi marrë më e shumta nja 78 për qind të kësaj trashëgimie. Por unë vetë nuk jam  impenjuar, nuk kam luftuar, duke u nisur dhe nga një lloj paragjykimi politik, sepse, meqenëse në Partinë Republikane, që nga krijimi kemi mbrojtur shumë të drejtën e pronës private në Shqipëri, unë e kam pasur gjithmonë kujdes veten se ç’thonë të tjerët për mua. Paragjykoja se ata që më dëgjonin të flisja apo shkruaja, do të thoshin: “Ky lufton se ka hall të marrë pronat e tij”. Por po të bëhet ndonjë ligj më i mbarë për pronat, tek i cili, në të vërtetë unë nuk shpresoj, mund të jetë më e lehtë të bëjmë ndonjë kompensim, i cili në fakt, më fort do të shkonte në dobi të nipave. Ndërsa më pëlqejnë dhe antikuaret, por nuk është se kam në shtëpi. Kemi vetëm disa mobilie që shpëtuan nga shtëpia e gruas, që janë të vjetra dhe që kanë një vlerë, por asgjë tjetër.

Gjendja juaj civile?
Kam gruan, dy vajza dhe katër nipa, ku secila prej vajzave ka nga dy djem. Do të doja të kisha një mbesë të vogël dhe kur e sjell në mendje se si do të ishin raportet e mia me atë mbesën e vogël imagjinare, them se do të vdisja për të. I dua shumë fëmijët. Nipat tashmë janë rritur dhe kërkojnë pavarësinë e tyre. Duan tërë kohën të jenë jashtë në punët që kanë. Por më pëlqen një gjë, pasi si gjysh gëzoj një autoritet më të madh nga ç’duhet dhe ata e ndjejnë hijen time të rëndë. Unë ju sillem në mënyrë shumë shoqërore, por prapëseprapë prindërit e nipave, kur duan të zgjidhin ndonjë gjë thonë: “Do t’i themi gjyshit”. Kështu vazhdojnë të më përdorin mua për të vendosur rregull me fëmijët e tyre.

Jeni shprehur, se doni më shume fshatin se qytetin. Megjithatë jetoni në qytet.
Mua më bezdis jeta e qytetit. Më pëlqen të jetoj në natyrë dhe kjo nuk erdhi për shkak të moshës ose të lodhjes në politikë. Gjithnjë edhe në moshën më të re më pëlqente malësia, po më pëlqente dhe deti. Kam pasur gjithmonë një prirje që e kam shfrytëzuar, kur kam mundur, që të jem gjithmonë sa më afër natyrës. Por nuk është se dua të vete të jetoj diku si një eremit, i shkëputur nga njerëzit. Nuk kam ndonjë arsye, pasi dhe nuk kam pasur dhe konflikte me shoqërinë përveç konflikteve të natyrës politike në të kaluarën.

Në moshën 74-vjeçare, cila triumfon tek ju biofilia apo nekrofilia?
Do t’i përgjigjem në mënyrë disi të tërthortë kësaj pyetjeje. E them me bindje këtë, se me kalimin e kohës jam bërë një njeri më i mirë dhe jam bërë më zemërgjerë ndaj gabimeve të të tjerëve, duke qenë i predispozuar t’i fal, mbase edhe kur nuk duhet të fal. Sepse them gjithnjë, se të gjesh të vërtetën është e vështirë. E vërteta ka disa shtresa dhe asnjëherë nuk mund të jesh i bindur se përse një njeri nuk e bëri një gjë dhe ti kërkon ta gjykosh atë rreptësisht. Por a e ndihmon atë duke e ndëshkuar apo duke e gjykuar? Ka raste kur inati më mban 24 orë me radhë dhe gjatë kësaj kohe duhet të mbaj veten në fre, sepse mund të bëja ndonjë gjë pa mend. Pastaj më ftohet gjaku dhe e ndjej se jam bërë gjithnjë e më tolerant. Ndërsa pasojat e moshës i ndjen kushdo. Unë nuk mund të them se kam pasur ndonjë sëmundje që mund të më vërë në gjendje invaliditeti, por tashmë nuk ec dot ashtu si më parë. Mua më ka pëlqyer tërë jetën të ec. Mbase dhe nga kjo që eci gjithmonë me makinë nga shtëpia për në punë, e jam bërë si ato patat që i vënë në majmëri. Ndryshimi biologjik vjen si pa u ndjerë dhe duhet të kesh aftësinë ta njohësh dhe ta pranosh. Ka njerëz që e kundërshtojnë atë dhe, sipas mendimit tim, bëjnë mirë. Për shembull, ka njerëz të moshës time që bëjnë vrap nga liqeni. Unë i respektoj ata, por vetë jam i paaftë të bëj gjëra të tilla, sepse në jetën time private asnjëherë nuk kam pasur orar apo rregull të përcaktuar, por kam jetuar sipas rrjedhës së ditës. Nuk mund të them, se kam vënë ndonjëherë veten në zap, të them se kjo është e mirë për mua, qoftë dhe nga pikëpamja ime, dhe të rreptë. Veçanërisht e di se më bën shumë dëm duhani, ndërsa vazhdoj ta pi.

Sa cigare pi në një ditë?
Kur punoj dhe kam ndonjë gjë që më nxit, nuk e vë re se sa cigare pi. Kur jam në kushte normale e kur gjithçka shkon vaj e sheqer me gruan nga mëngjesi në darkë, mund të pi rreth 15 cigare, mbase dhe disa më shumë ndonjëherë. Por kam një këshillim të rreptë të mjekëve, që duhet të le duhanin. Tani kjo quhet dhe si mungesë vullneti, por unë nuk them se këto janë gjëra që tregojnë në fakt vullnetin e një njeriu. Vullnetin unë e çmoj tek përballimi në marrëdhënie me punën. Vullnet do të thotë të çosh deri në fund ato gjërat që kërkohen prej teje.

Leonard Veizi - gazeta DITA 14 qershor 2003


Sunday, January 13, 2019

Parada ushtarake/ Forca e shtetit, tanke dhe raketa në bulevard


Flet Bajram Mana, ish-Komandanti i Përgatitjes së Paradës Ushtarake të vitit 1989. Forca e shtetit, tanke e raketa në bulevard. Si zhvilloheshin parakalimet ceremoniale para tribunës së udhëheqjes. 8000 burra me kambale dhe bajonetat mbërthyer. Kur formacioni me 40 kuadrate ushtarakësh, tanke, raketa e mjete të mekanizuara, pushtonte bulevardin

Bajram Mana
Leonard Veizi


Shteti përgatitej për një paradë ushtarake. Termin, thuajse i harruar prej kohësh, u rikujtua për herë të fundit në përvjetorin jubilar të 100 viteve Shqipëri e Pavarur. Me uniforma luksoze, e me armatim të mbetur nëpër depot e armatës, kuadratet e ushtarëve shqiptar sërish u rrekën të ngjallin traditën e vjetër, kur ushtria edhe pse nuk bëri luftë frontale, të paktën diti të marshojë me hap të fortë aq sa të prishte dhe pllakat e bulevardit me emrin e nderuar “Dëshmorët e Kombit”...

...“Paradaaa... eja në radhë. Për parakalim ceremonial, me kuadrate, distanca një drejtues...” këto dhe të tjera në vazhdim ishin fjalët që Komandanti i përgatitjes së Paradës u drejtonte të paktën 10 mijë burrave të rreshtuar në 40 kuadrate dhe ca të tjerëve hipur nëpër makina transporti ZIS më targat UP. Më pas Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, hipur mbi një BÇ kineze me goma të lyera me bojë të bardhë, i raportonte Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, se jo pak, por një Armatë e tërë, ishte gati të parakalonte para tij. Bajram Mana, ish-Komandanti i Përgatitjes së Paradës Ushtarake të vitit 1989, rrëfen se si funksiononte mekanizmi për të zhvilluar një parakalim dinjitoz, aq sa t’u shkonin të dridhura dhe diplomatëve të huaj që qëndronin të krekosur në tribunën kuqezi të vendosur mes ndërtesës së Kryeministrisë e Komitetit Qendror të Partisë:

Si zhvilloheshin paradat e para vitin 1990?

Paradat Ushtarake organizoheshin çdo 5 vjet dhe veprimtaria kryhej në 29 nëntor ditën e çlirimit të vendit nga pushtuesit nazi-fashistë. Kjo traditë kishte filluar që me parakalimin e parë në Shqipërinë e sapoçliruar. Por vite më pas ajo do të perfeksionohej e ushtria do të krenohej me të. Qëllimi i paradave ishte të tregohej forca e shtetit, pasi në tribunë gjithmonë veç krerëve të lartë të udhëheqjes shqiptare ishte i ftuar trupi diplomatik, atashetë ushtarakë si dhe shumë delegacione të huaja të ftuara enkas për këtë rast.

Cila ishte atmosfera në të cilat zhvilloheshin këto parada?

Mund të them se atmosfera ishte fantastike, madje madhështore. Të gjithë ata që ishin pjesëmarrës në një paradë ushtarake thoshin se e kishin për nder një gjë të tillë. Shumë të tjerë e kishin këtë dëshirë por nuk u jepej mundësia. Ministria e Mbrojtjes vihej në kulmin e aktivitetit të saj. Të paktën për 2 muaj, tetor-nëntor, gjithçka fokusohej në këtë manifestim, për t’u treguar sa më dinjitoz. Paradat ushtarake jo vetëm ishin të planifikuara por kishin edhe një buxhet të përcaktuar e të miratuar, pasi kishte shumë shpenzime.

Kur fillonte përgatitja për të bërë një paradë ushtarake të nivelit të lartë?

Stërvitja me trupa fillonte që disa muaj përpara se të vinte data e caktuar, por ato bëheshin nëpër njësitë e ndryshme. Fillimisht përcaktoheshin pjesëmarrësit të paradë dhe gjithmonë kuadratet formoheshin me ushtarë apo rezervistë që kishin gjatësi të mjaftueshme, mbi 170 cm të gjatë. Në fillim të tetorit gjithmonë trupat grumbulloheshin dhe fillonte përgatitja kompakte e cila bëhej ish fushën e aviacionit në Laprakë, Tiranë. Kuptohet, rëndësia më e madhe ishte ecja me hap rreshtor sipas parametrave. Por pas tyre vinin mjetet e mekanizuara që gjithashtu duhet të ishin uniformë.

Cilat ishin kushtet në të cilat zhvilloheshin stërvitjet paraprake?

Tek ish-fusha e aviacionit, krijoheshin të gjitha kushtet për një stërvitje normale, duke filluar që nga ndërtimi portativ i fjetinave, ujësjellësi, tualetet, ndihma e shpejtë mjekësore, fusha shtrohej me asfalt, ngriheshin qendra ambulatore, etj. Gjatë këtyre dy muajve aty do të kishin veprimtari rreth 8-mijë trupa. Unë kam qenë Komandant i Përgatitjes së Paradës në vitin 1989. Ne si drejtues kishim zyra e infrastrukturën e nevojshme. Altoparlantë kishte të instaluar në të gjitha drejtimet ku urdhrat që jepeshin nga tribuna dëgjoheshin ngado. Për të instruktuar trupat të ecnin me hap rreshtor, mobilizoheshin oficerët më të mirë të këmbësorisë. Një muaj përpara zhvillimit të paradës fillonte përgatitja intensive e përditshme, deri në mesnatë. Nuk duhet harruar se një punë të madhe bënte dhe banda e ushtrisë që shoqëronte provat me marshet luftarake.

Çfarë armatimi mbanin ushtarët e viteve ‘80 gjatë parakalimit?

Armatimi ishte rus dhe kinez. Kuadratet që kishin në përbërje trupa 20x10 pra 200 parakalues, mbanin armë të tipit: kallashnikov, pushkë karabinë, granatahedhëse, automatikë të vegjël me fishekë pistolete që ishin për kuadratet e zbuluesve dhe të femrave. Pushkët mbaheshin në sup me bajoneta të hapura. Automatikët në gjoks. Rreshti nga reshti kishte largësinë e një krahu.

Cilët ishin përgjegjësit direkt të paradës?

I gjithë aparati i Ministrisë së Mbrojtjes vihej në dispozicion të kësaj parade por kryesorët ishin Drejtoria e Përgatitjes Luftarake dhe Drejtoria e Kulturës dhe e Propagandës. Uniforma e paradës gjithmonë ishte e re dhe e porositur enkas për këtë eveniment. Çdo ditë dilte gazeta e paradës, ku jepeshin dhe stimuj për kuadratet që dilnin më mirë gjatë stërvitjes së një dite më parë. Gjatë ditëve të përgatitjes kishte shumë seriozitet edhe në kontrollin e ushqimit. Sidomos përgjegjësia maksimale ishte ditët e fundit, pasi një ushqim i prishur nxirrte nga loja një kuadrat të tërë. Megjithatë masat ishin marrë për çdo rast të mundshëm. Gjithsesi kuadratet kishin gjithmonë 20 ushtarë rezervë, pra një rresht, për çdo mungesë të papritur të çdonjërit prej tyre, si në rastin e sëmundjeve, apo problemeve familjare. Përgatitjet e fundit bëheshin natën, pas orën 22.00. Në bulevardin e madh të Tiranës, të ndriçuar më së miri mblidheshin shumë njerëz që ndiqnin parakalimin e ushtrisë. Duhet pasur parasysh se parada pritej me kënaqësi nga të gjithë, pasi shumëkujt i qëllonte të kishte një të afërm pjesëmarrës në të. Bëheshin gjithsesi edhe 2-3 prova gjenerale, por më e rëndësishmja ishte ajo dy ditë para paradës. Pastaj bëhej një ditë pushimi për qetësim e reflektim.

Si ishte dita e paradës?

Përgatitjet fillonin që herët më mëngjes ku trupat vendoseshin sipas planit të përcaktuar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Parakalimi zyrtar hapej në orën 10.00 kur në tribunë ngjitej udhëheqja e shtetit. Pastaj paraqitej forca nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm dhe niste parakalimi. Kuadrati i parë ishte ai i veteranëve të luftës që kishin gjokset e mbushura plot me dekorata. Në krye të çdo njësie ishte flamurtari me dy shoqërues ndërsa çdo kuadrat e udhëhiqte komandanti dhe komisari i saj.

Cilat ishin njësitë që krijonin më shumë efekt në popull?

Elita e paradës gjithmonë kanë qenë kuadratet e Flotës Detare, Zbuluesit, Skënderbegasit por dhe Akademia Ushtarake. Skënderbegasit sepse ishin më të rinjtë. Zbuluesit sepse kishin kostume maskimi, uniforma kamuflazhi me lara dhe të bardha. Flota Detare për shkak të paraqitjes me uniformat e zeza dhe kapelat e dorezat e bardha. Rëndësi u jepej edhe kuadrateve me gra e vajza të cilat gjithashtu kishin shumë sharm në çdo lloj parakalim.

Po për teknikën?

Natyrisht efekt të madh kishin tanket dhe sidomos raketat. Duhet të them se paradat më të mëdha e pompoze, në historinë e 45 viteve të shtetit socialist, ishin ato të zhvilluara në vitet 1974, 1979 por dhe në vitin 1984. Në dy të parat efekti i madh në popull dhe më tej ishte për shkak të demonstrimit me armatimin e rëndë. Ushtria shqiptare u përfaqësua me raketa, katjushka, e tanke.

Ndërkohë, me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë do të kemi një tjetër paradë...

Si ushtarak i vjetër i uroj kësaj parade të dali me sukses të plotë.


EPILOGU

“Sapo përfundonte parada, kuadratet shpërndaheshin sipas vendndodhjeve nga ishin nisur. Makinat prisnin nëpër rrugët dytësore. Ushtarët që kryenin shërbimin ushtarak largoheshin për në repartet e tyre, dhe rezervistët gjithashtu. Zakonisht raporti i ushtarëve efektivë të marrë nga njësitë me forcat e tjera ishte 1 me 10. Pasi duhej ruajtur dhe niveli i gatishmërisë. Shumë energji në këtë periudhë shpenzonin brigadat “I”, “V” dhe “VI” pasi këto ishin dhe brigadat heroina të Luftës Nacionalçlirimtare ndaj propagandohej se edhe njësitë e kohës së paqes duhet të ecnin në gjurmët e tyre”.


PJESËMARJA E EFEKTIVAVE

“Pjesëmarrja në një paradë ushtarake bëhej me të gjitha llojet e armëve dhe të shërbimeve nga çdo strukturë e Forcave të Armatosura si: Forcat Tokësore, Forcat Vullnetare, Rinia Shkollore e Studentore, (Universiteti i Tiranës dhe Instituti i Lartë Bujqësor i Kamzës), Aviacioni, Marina, dhe Veteranët e LANÇ-it. Të gjithë ndjenin kënaqësi për zhvillimin e kësaj parade, pasi shumë shqiptarë kishin bijtë e vetë pjesëmarrës në të, ushtarë apo oficerë, por dhe drejtues të automjeteve. Çdo njësi kishte flamurtarin dhe dy shoqërues dhe ndërsa çdo kuadrat kishte komandantin e komisarin. Parada fillonte në orën 10.00 dhe vazhdonte 1.30 minuta. Kjo ishte skema e ndërtimit të Paradës”.



Përbërja e Paradës Ushtarake


Veteranët                              1 kuadrat

Skënderbegasit                     4 kuadrate

Shkolla e Bashkuar             4 kuadrate

Akademia Ushtarake         4 kuadrate

Rinia shkollore                     4 kuadrate

Rinia universitare                2 kuadrate

Zbuluesit                               3 kuadrate

Forcat Vullnetare                 3 kuadrate

Flota Detare                          2 kuadrate

Shkolla e M. Brendshme    2 kuadrate

Kufiri                                      2 kuadrate

Garda                                     1 kuadrat

Aviacioni                               1 kuadrat

Brigada I                               3 kuadrate

Brigada V                              3 kuadrate

Brigada VI                            3 kuadrate

Tanket dhe transportierët e blinduar

Brigada e artilerisë tokësore

Artileria kundërajrore 37mm, 57mm, 85 mm dhe IMKA 2 dhe 4 grykësh

Artileria kundër tanke

Regjimenti i raketave

Brigada e Xhenios me mjetet amfibe dhe urahedhëset