Sunday, January 20, 2019

Me skulptorin Ilirian Shima: “Shqiponja ime, një vepër që lindi nga bërthama”


Ilirian Shima - skulptor

Nga Leonard Veizi
Ndërsa gishtat shtypnin baltën me një energji të brendshme e fort konkurruese, ai e ndjeu se krejt papritur tavolina familjare e apartamentit të tij në Athinë, ku ishin ulur për të ngrënë me bashkëshorten e fëmijët, ishte shndërruar gati në një punëtori. Mungonin veç dalta dhe mjetet e imta, por jo ideja që sapo kishte marrë jetë dhe vetë energjia që kërkonte. Nuk duhej veç kaq për t’i shkuar deri në fund asaj çka kishte dëshiruar prej kohësh, ndaj largoi me të shpejtë prej syprinës pjatat prej porcelani, gotat e qelqit dhe lugët metalike për të hedhur pa kursim mbi të veç baltë. Nuk kishte kohë të vraponte për në studio dhe as ta ndrydhte fantazinë e shfrenuar, pikërisht në atë çast ku ndjenja e forcës dhe e seksit kërlesheshin me njëra-tjetrën për të dhënë të vetmin produkt, atë që pak nga pak po formësohej nën ritmin e vazhdueshëm të shputës së duarve dhe gishtave të mëdhenj të cilët shtypnin pa pushim materialin që merrte formë. Nuk kish dyshim që pjesa tjetër e familjes, e mësuar tashmë me këtë ritëm, pranoi të lironte një tavolinë të thjeshtë ngrënieje, për të parë me një ngazëllim të fshehur deri në minutën e fundit, se si aty ku ca çaste më parë qëndronte gjella e ngrohtë dhe fetat e holla të bukës, të ngrihej… një shqiponjë…
…Këtë rrëfen Ilirian Shima, skulptori nga Tirana, një prej më të talentuarve shqiptarë të pas viteve ‘90, i cili prej 27 vitesh jeton në Greqinë fqinje. Ndërsa shton gjithashtu se shqiponja e shqiptarëve, edhe pse një shpend i fortë e krenar përcjell gjithashtu dhe një sensualitet pa fund.
Një skulpturë e juaja është vendosur në qendër të qytetit të Lushnjes. Me çfarë rasti?
Vepra duhej të vendosej me rastin e 93 vjetorit të Kongresit, pra që në vitin 2013. Por u vendos më vonë. Puna nga ana ime u bë në kohë rekord. Por gjithmonë ka vonesa. Rruga nga fillimi derisa mbaroi ky monument, me një derdhje precize në një nga studiot më të mira të Greqisë, ishte e gjatë. Ishte një rrugë me shumë vështirësi, por që më ka dhënë dhe shumë kënaqësi njëkohësisht. Ky ishte dhe monumenti im i parë.
Çfarë simbolizon kjo vepër?
Atë çfarë simbolizon vetë shqiponja, lartësinë, forcën, qëndresën. Por te vepra ime mund të ndiesh edhe një dimension tjetër, ajo që ka të bëjë me harmoninë dhe bukurinë shqiptare. Ka një lloj sensualiteti në përmbajtje të veprës, dhe ka të bëjë më shumë më femrën se sa me mashkullin. Kjo ndihet në përgjithësi në krijimtarinë time.
Kur do të zinte vend në fantazinë tuaj prej skulptori ky imazh?
Formalisht, si zanafillë e ka në vitin 2000, në një nga veprat e serisë që titullohej “Pirinas” e që në greqisht do të thotë “bërthama”. E kam fjalën për bërthamën si energji. Ishte një ide ku në çdo formë të përfytyrueshme kishte një kulm, kishte një qendër dhe nga ajo qendër në mënyrë relative përhapeshin rreze dhe energji. Ka qenë dëshira ime për të zbuluar artistikisht “Big Bengun”. Formalisht, e thamë që në fillim. Pra gjithçka e ideuar do të kishte në thelb shpërthimin e energjisë nga një bërthamë.
U desh shumë kohë që të piqej kjo ide përfundimisht?
Këtë punë të serisë “Pirinas” e shihja çdo ditë në studio dhe kisha atë idenë që nuk ishte e mbaruar dhe donte dhe diçka tjetër  të përfundonte. Fillimisht këtë punë e kam ekspozuar te  “Farajon”, një ekspozitë që u hap maj në vitit 2014 në Galerinë Kombëtare të Arteve. Është në formën e gjysmëhënës. Me mendjen time e shihja dhe i bëja dy vrima. Një ditë, isha në shtëpi në tavolinën e ngrënies, marr baltë dhe formova një bocet 17 centimetër të lartë duke i bërë edhe dy vrima që ishin qafat e shqiponjës. Dhe kështu u krijua shqiponja. Është kjo shqiponjë, e cila energjinë e bërthamës e mbart gjithmonë me vete. Sepse lindi nga bërthama.
Si do të vazhdonte odiseja e mëpasme?
Këtë bocet e derdha në bronz dhe e çova në konkurs. Ajo energji rrezatoi te komisioni dhe ndoshta ndër të rrallat herë, të gjithë anëtarët e tij u bënë njësh dhe votuan për të. Asnjë nuk ishte kundra. Pra kemi të bëjmë me energjinë. Energji e cila zhvillohet ashtu se dhe energjia e “Big Bengut”, duke u përhapur e duke lindur planetë të rinj. Dhe një nga planetët, që mund ta quajmë “dielli” ishte dhe monumenti i madh. Pas bocetit të parë bëra dhe një bocet tjetër, me përmasa një metër, që në të vërtetë është një e dhjeta e monumentit zyrtar që u vendos në Lushnje. Këtë bocet tanimë e ka kryeministri Edi Rama në zyrën e tij.
Ndërkohë ju gjithashtu keni fituar një konkurs tjetër për të vendosur një monument në qendër të Tiranës. Në çfarë faze është tanimë ky projekt?
Faktikisht jam në pritje. Është me temën që simbolizon viktimat e diktaturës. Unë mora pjesë me tri bocete. Të tria i kam për zemër dhe kanë të njëjtën vlerë të madhe artistike. Kushdo që të zgjidhej nga këto unë do isha shumë i kënaqur. Sigurisht që entuziazmi im është i madh dhe përgjegjësia shumë e madhe, sepse kjo vepër do të vendoset në qendër të Tiranës. Jam në pritje për të më dhënë dritën jeshile dhe unë filloj direkt ta realizoj.
Ky projekt ka kohë që është lançuar. Ka vonesa…?
Realisht ka vonesa. Madje nuk po e kuptoj dot vonesën. Nuk më japin një përgjigje të saktë, vetëm thashetheme rreth e qark dëgjoj. Mungojnë paratë… apo dëshira… Ky është një projekt i Bashkisë së Tiranës, por ende nuk ka një dakordësi me Ministrinë e Kulturës për këtë çështje.
Kjo është një vepër e cila u realizua pas kërkesës për konkurs?
Jo. Këtë punë e kam bërë përpara 25 vjetësh në Shqipëri. Madje për këtë kam një pasaportë dalje, sepse kur shkova në Greqi mora 4 punë me vete dhe më duhej të merrja katër leje që të mund t’i nxirrja nga kufiri, se nuk ishte e lehtë ta kaloja nga Shqipëria në Greqi me vepra të paliçensuara nga Minsitria e Kulturës.
Njiheni si një skulptor që keni thyer shumë tabu. E rrallë ishte ajo me ekspozitën “Farajon” në GKA. Sa i emancipuar është publiku dhe vetë arti shqiptar në këtë drejtim?
Ekziston një si fshehje apo si turp. Në ekspozitën “Farajon” shihja njerëzit që kur kalonin para veprave të mia me tematikë erotike, ulnin kokën apo i shikonin me bisht të syrit. Donin t’i preknin… por aty ishte tabuja. Ndodhte që bënin një xhiro nëpër sallë dhe ktheheshin sërish. Kjo tregon se njerëzit ende nuk janë të emancipuar sa duhet.
Por megjithatë, kjo ekspozitë u prit shumë mirë e me interes të jashtëzakonshëm. Ishte rinia ajo që e përqafoi fort. Mund të them se ishte një ekspozitë për rininë. Më ndodhi që të merrja aq shumë përqafime prej tyre sa m’u duk vetja si të isha një “rockstar”.
Njerëzit i duan veprat me përmbajtje erosi, por janë frenat e tabusë që nuk i lënë. Unë vetë punë me tematikë erotike kam krijuar që në adoleshencë. Megjithatë, arti ka ecur shumë në Shqipëri. Por shkolla jonë me bazë realiste na ka ndihmuar shumë formalisht, sepse tanimë shkolla është shumë më e lirë por nuk të formon si duhet.
Shumë herë abuzojnë me emrin e skulpturës, për një gjë që nuk është e tillë. E në këtë rast le t’i venë një merr tjetër, por jo “skulpturë”. Unë mbetem skulptor klasik, me materiale, por me frymë bashkëkohore. Dua t’ia ndjej peshën, temperaturën materialit. Dua të ndeshem, ashtu siç dashurohem me të.
Si e menaxhoni jetën tuaj artistike mes Tiranës dhe Athinës ku jetoni prej shumë vitesh?
Studioja ime, e cila gjeografikisht është në Athinë, është studio që funksionin për krijimet e mija të cilat lëvizin gjithandej. Kohët e fundit ngaqë në Greqi ndihet fort kriza ekonomike, në studion time punohen punë për Shqipërinë. Kam punë që po zhvillohen për një ekspozitë të ardhshme që mendoj ta bëj në Paris, që janë skulptura zanore, skulptura që kam 10 vjet që i bëj. Kjo ekspozitë do të jetë më e zgjeruar se ajo e Tiranës, ku unë do të paraqitem me një grup më të madh skulpturash nga ku do të dalin zëra të muzikantëve të njohur por dhe të ndonjë grupi polifonik shqiptar. Pra edhe në Paris do të përçohet fryma kombëtare.



No comments:

Post a Comment