Wednesday, September 27, 2017

Kapiten Përparim Zaimi: Zbulimi im, UFO-t u strehuan në Tomorr

Përparim Zaimi: UFO-t, artefaktet e reja për praninë e tyre në Tokë

Studiues i shkencave nautike: “Nga përvoja kam vërejtur se shfaqja e mesazheve të tjera është bërë në momente dhe kohë të caktuar, pikërisht pak kohë para zbulimit. Kjo tregon se ky civilizim teknologjik jashtëtokësor, shumë i avancuar, i ndjek njerëzit e shënuar apo të besuarit e tij.”

Nga Leonard Veizi

Ekzistojnë apo jo jashtëtokësorët? Edhe komunitetet e shkencëtarëve janë të ndara në këtë pikë pa dhënë një përgjigje shteruese.
Disa vite më parë, si kishte bërë rreth 15 vjet studime dhe kishte botuar dy libra, gjatë një interviste Përparim Zaimi, një ish-kapiten i lundrimeve detare, u shpreh qartë e pa ekuivoke jo vetëm për ekzistencën e jashtëtokësorëve, por dhe për kontaktet e tyre me Tokën, që sot i përket shtetit shqiptar. “Unë nuk kam dyshime, por kam krijuar bindjen se Shqipëria është vizituar nga civilizime të tjera teknologjike, shumë më të avancuara nga civilizimi ynë. Madje, në fund të studimit që kam realizuar, kam arritur në konkluzionin që civilizimi ynë është mbjellja e atij civilizimi që na ka ardhur nga një planet tjetër. Pra, ne jemi krijesa të atij Krijuesi”.
Pikë së dyti, Përparim Zaimi mbron idenë se jashtëtokësorët janë ulur në malin e Tomorit.
“Kam gjetur modele anijesh hapësinore të gdhendura në gur. Por dua të them se nuk kemi të bëjmë me një gur të zakonshëm. Më është krijuar ideja e aliazheve që janë mjaft të mbrojtura. Këto objekte janë gjendur në vende që vështirë se mund të gjendeshin edhe po të mobilizoheshin disa ekspedita botërore”, shprehet ai.
Tanimë, kur ka më shumë se 20 vjet që merret me të njëjtën çështje, Përparim Zaimi e ka thelluar dijeninë e tij rreth kësaj fushe. “Duket si diçka e pakuptimtë, por unë si autor kam një fakt që më jep të drejtën të mendoj në këtë mënyrë. Në një artefakt ku paraqitet kupa qiellore dhe që unë i kam dhënë një interpretim matematik, kam zbuluar një version të ri të serisë Fibonacci, në mënyrë simbolike, që është gjuha me të cilën komunikon Krijuesi, ku jepen dy të dhëna interesante. Në kupën qiellore jepen dy rrathë koncentrikë, me 7 dhe 11 njolla plastike. Në qoftë se flasim për universin e dukshëm, rezulton që është tri dimensional, pra ka fillim dhe mbarim. Por përtej këtij universi, kemi universe të tjera, në këtë kuptim është i pafund”, shprehet Përparim Zaimi, pas një kontakti për “Fjalën”. Përparim Zaimi, ky studiues i shkencave nautike, i lashtësisë dhe ufologjisë, tanimë ka në duar një studim të ri gati për botim, të cilin e titullon: “Qielli i shtatë ose froni i Zeusit”.

Ku mendoni se është vendndodhja e mundshme e jashtëtokësorëve?
Në vazhdim të studimit të mëparshëm origjina e UFO-ve dhe Universi, intuita shkencore më ngacmoi dhe kujtova se në rastin e dytë të rrethprerjes, ata kanë lënë edhe një simbol, ose mesazh simbolik. Që të bëhet i dukshëm, simboli ka nevojë të trajtohet me rreze për një kohë rreth 10-15 ditë. Më në fund simboli u shfaq, dhe mendova se duhet të jetë lënë morfologjia gjeografike ose imazhi i galaktikës ku ky ctj (civilizim teknologjik jashtëtokësor ) ka origjinën e tij. Veprimi i parë që bëra ishte krijimi i një imazhi të gjurmës që kanë lënë, e cila, sipas hamendësimeve të mia, duhet të jetë një hartë, ose simbol i pamjes së galaktikës. Nisur nga ky element, u futa në internet dhe fillova të kërkoj galaktikat e largëta (distant galaxies), duke u nisur edhe nga fakti që të rrëmbyerit nga alienët kanë deklaruar se ata (alienët) u kanë thënë të rrëmbyerve se origjina e tyre është një galaktikë e largët. Pra, kjo do të thotë që nuk është as galaktika spirale e Udhës së Qumështit (Milky Way), ku ne bëjmë pjesë dhe në të cilën sistemi ynë diellor është i vendosur rreth 28000 ly (vite dritë) nga qendra e saj, as galaktika spirale e Andromedës, që ndodhet rreth 2,5 milionë vite dritë larg nga Toka jonë. Më në fund arrita të diktoj një pamje shumë të ngjashme me gjurmën që është lënë nga ana e tyre. Kjo galaktikë e ngjashme është pjesë e konstelacionit yjor Eridanus dhe është emërtuar nga astronomët galaktika NGC 1427 A. Bën pjesë në galaktikat me formë jo të rregullt (irregular galaxies). Sipas llogaritjeve paraprake të astronomëve, kjo galaktikë ndodhet 52 mly (mega vite dritë) nga planeti ynë. Bashkë me trajtën e galaktikës, me kalimin e kohës në atë mesazh simbolik janë shfaqur edhe njolla (yje) që krijojnë një piktogramë që ka shumë ngjashmëri me konstelacionin yjor Eridanus. Ky konstelacion ka formën e një lumi ose, më saktë, të një rrjedhe. Nga përvoja kam vërejtur se shfaqja e mesazheve të tjera është bërë në momente dhe kohë të caktuar, pikërisht pak kohë para zbulimit. Kjo tregon se ky civilizim teknologjik jashtëtokësor, shumë i avancuar, i ndjek njerëzit e shënuar apo të besuarit e tij. Krahu ku është mbështetur kjo galaktikë është pranë konstelacionit yjor Orion dhe konstelacionit yjor Taurus. Megjithëse kjo galaktikë bën pjesë në hemisferën jugore të sferës qiellore, duke qenë pranë konstelacionit yjor Orion, i cili bën pjesë në hemisferën veriore të sferës qiellore, fluturimi në drejtim të sistemit tonë yjor dhe planetit Tokë, logjikisht duhet të ndjekë trajektoren që është paraqitur në artefaktin për të cilin kam folur më parë.

Mbi ç’ të dhëna e mbështetni studimin tuaj të fundit?
Nga të dhënat e publikuara nga NASA dhe ESA, galaktika NGC 1427 A, ka këto karakteristika kryesore: NGC 1427A bën pjesë në grupin e galaktikave “jo të rregullta “ për sa i përket formës, në konstelacionin yjor Eridanus. Largësia është vlerësuar duke përdorur funksionin e luminozitetit të një “ globular cluster”(grumbullimi yjor sferik) dhe rezulton të jetë 31,01 +/_ 0,21 e cila është rreth 52 mly (mega light years). Pra 52 milionë vite dritë. Është anëtari i një galaktike jo të rregullt më i ndritshmi i “Grumbullimit yjor Fornax” dhe është pjesa më e dukshme e galaktikës qendrore të grumbullimit yjor NGC 1399. Ndërmjet të tjerash për galaktikën NGC1427A, thuhet se nuk do të mbijetojë shumë gjatë si një galaktikë e paidentifikueshme, e cila kalon nëpërmjet grumbullimit yjor Fornax, me një shpejtësi afërsisht 600 km/sek ose 400 mil/sec. Grumbullime yjore të galaktikës, të ngjashme me grumbullimin yjor Fornax, përmbajnë qindra, bile dhe mijra galaktika individuale... NGC 1427 A shtrihet mbi 20 mijë vite drite gjatësi dhe është e ngjashme me Renë e Madhe Magelanike. Për të marrë imazhet e NGC 1427 A u përdor teleskopi i hapësirës Hubble me kamera shumë të avancuara, në janar 2003. Këto imazhe pastaj u kombinuan nga ekipi i trashëgimisë Hubble, për të krijuar imazhin me ngjyra. Më 4 mars 2005 u kompletua imazhi i kësaj galaktike. Vlen për t’u përmendur se për të zbuluar gjurmë të ekzistencës së një ctj-je dhe vendosjes së kontakteve me këtë civilizim teknologjik u ngrit dhe funksionoi një projekt mjaft ambicioz i NASA-s, i quajtur Phoenix project, SETI INSTITUTE. Me këtë projekt u angazhuan shkencëtarë nga më të njohurit në fushën e astronomisë, astrofizikës, matematikës, të tillë si Carl Sagan, Seth Shostak, Frank Drake etj. Drake zhvilloi edhe një teori për të gjetur probabilitetin e jetës inteligjente në galaktikën e Udhës së Qumështit, dhe e paraqiti atë në formë matematikore, si ekuacion, në vitin 1961. Megjithëse formulimi i tij u konsiderua i vështirë për t’u vlerësuar, u pranua si një instrument për t’u marrë në konsideratë për çështjen e jetës inteligjente. 55 vite mbasi Frank Drake shkroi ekuacionin e tij të parë, ka marrë statusin e formulës më të famshme në shkencë (mbas asaj të A. Einstein -it. E= mc²). Është gjithashtu një udhëzues për programet e Institutit SETI. Thuhet se Drake nuk gjeti alien, por ai gjeti një mënyrë për zbulimin e tyre. Mund të them me siguri që deri tani nuk ka funksionuar edhe si mënyrë për zbulimin e tyre. Ai e ka aplikuar këtë ekuacion për Milky Way galaxy, por sikurse do të shikojmë më poshtë kjo galaktikë ende nuk ka një jetë inteligjente, sikurse galaktika NGC 1427 A.

Sa është probabiliteti i jetës në miliona planetë të galaktikave?
Me kufijtë e teknologjisë ekzistuese është tepër e vështirë të kërkosh jetën inteligjente në distanca të largëta. Përveç ndriçimit të faktorëve të përfshirë në një kërkim të tillë, ekuacioni Drake-ut është thjesht një mjet efektiv për të stimuluar kureshtjen intelektuale për universin rreth nesh. Kështu konsiderohet deri tani. Sipas këtyre shkencëtarëve të fushave të ndryshme, të cilët kryesisht i referohen astronomit Carl Sagan, ndodhen biliona galaktika dhe yje në univers dhe mundësia e ekzistencës është gjithmonë potenciale, pra ne nuk duhet të jemi të vetëm në univers. Në një njoftim të fundit të institucioneve shkencore (2019) thuhet se në universin e vrojtueshëm ndodhen 2 trilion galaktika. Ata, me gjithë përpjekjet e tyre nuk arritën të vërtetonin, qoftë edhe ekzistencën e këtij civilizimi teknologjik, por mbetën në kuadrin e hipotezave. Projekti Phoenix zgjati nga viti 1995 deri në vitin 2004. Projekti Phoenix vrojtoi rreth 800 yje në një largësi rreth 240 vite dritë, duke mbuluar më shumë se një miliardë kanale frekuencash. Ky projekt u drejtua nga radioteleskopët më të mëdhenj që ekzistojnë.

Cili ishte rezultati i tij?
Nga të dhënat e publikuara rezulton që nga 11000 orë vrojtim, u vrojtuan yjet e sipërpërmendura dhe nuk u zbulua asnjë sinjal i jashtëtokësorëve. Kjo tentativë shkencore duhet përgëzuar, por kaq ishte mundësia me zhvillimin teknologjik që disponojmë aktualisht. Sikurse do të njihemi edhe në vijim me rezultatet e hulumtimeve të mia, ishte më se e natyrshme që ky do të ishte rezultati i projektit SETI Phoenix . Mjetet e përdorura nga ana e tyre, megjithëse konsiderohen nga më modernet e kohës sonë, janë me teknologji shumë të prapambetur, krahasuar me atë që kërkohet për të arritur objektivat. Është njëlloj si të duash të godasësh një objekt që ndodhet në bregun lindor të SHBA-së me armë automatike tip kallashnikov, aftësia goditëse e të cilit është 800 m, kur qitësi ndodhet në bregun perëndimor spanjoll, mijëra km larg objektivit.

Ndërkohë ata që e kundërshtojnë një formë tjetër jete janë të shumtë?
Shkenca dhe shkencëtarët janë akoma skeptikë, nëse ekzistojnë civilizime të tjera teknologjike apo jo. Në parim pranohet që nuk jemi të vetëm në univers. Për mua si studiues kjo çështje është e qartë, e mbyllur, pra ekziston një civilizim tjetër teknologjik shumë i avancuar. Unë e kam argumentuar dhe quajtur këtë civilizim teknologjik edhe si krijuesin e civilizimit tonë teknologjik tokësor, pra si mbjellës të species njerëzore në planetin Tokë. Për origjinën e këtij civilizimi teknologjik jashtëtokësor dhe formën e universit si një model i mbyllur kam folur e shkruar në një punim shkencor të veçantë, të cilin e kam botuar disa muaj më parë në një gazetë shqiptare. Me përafërsi kam përcaktuar edhe origjinën e këtij civilizimi shumë të avancuar. Problemi se në cilën galaktikë ndodhen si origjinë, dhe sa larg ndodhen prej nesh, është çështja që do të shtjelloj në vazhdim. Është një problem që në atë punim jam shprehur se kjo është detyrë e gjeneratave që do të vijnë pas nesh, por nuk ndodhi kështu. Në stadin aktual të zhvillimit të shoqërisë njerëzore, ajo çka do të shtjelloj tingëllon si fantazi, si utopi, ndoshta dikush mund ta quajë edhe nonsens. Ok. Këtu qëndron edhe rëndësia e këtij zbulimi që do ta quaja të përmasave të jashtëzakonshme. Po të nisësh një projekt të mirëfilltë dhe të angazhosh forcat shkencore më të mira të planetit, ndoshta do të duhen disa shekuj për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje.

NASA thotë se ka planetë të ngjashëm me Tokën, d.m.th. që mund të ketë jetë...?
Varet shumë nga shkalla e zhvillimit të shkencës dhe teknologjisë. Po të bëjmë një krahasim vulgar, të zakonshëm, as shprehja “të gjesh gjilpërën në kashtë” nuk i përshtatet si krahasim. Krahasimi më i goditur ndoshta do të ishte “sikur të kërkosh të gjesh një kokrrizë rëre në thellësitë e oqeaneve të planetit tonë”. Në kushtet e sotme të zhvillimit të shkencës dhe teknologjisë duket e pamundur. Edhe pse shfaqjet e një civilizimi teknologjik jashtëtokësor dhe dëshmitë vizuale janë me qindra e mijëra në të gjithë botën, prania e tyre është e vështirë të pranohet dhe besohet. Ditët e fundit ka disa prononcime të institucioneve shkencore, si dhe të Pentagonit, ku pranohet ekzistenca e tyre. Por unë kam paraqitur prova, evidencë fizike të pakundërshtueshme për këtë çështje në këndvështrimin tim, referuar edhe realitetit objektiv dhe ka shumë që e pranojnë këtë realitet, por ka edhe shumë skeptikë. Ekzistenca e Atlantidës dhe Perandorisë së Atlantëve që deri dje ishte një legjendë, rezultoi të ishte e vërtetë, pra një realitet fizik dhe historik.



======================================




Përparim Zaimi në një studim shkencor për UFO-t që kanë zbritur në territorin shqiptar. Tomorri, “vendi i Perëndive” ose mbartësi i realiteteve të përmasave të tjera të universit. Objektet e rralla të gjetura në ekspeditën shkencore. Tre gjurmët e njëjta në tyrben e Tomorrit, tyrben e Krastës, dhe tek Qafa e Nishanit. Harta ku shënohet kontinenti i Atlantidës

nga Leonard Veizi

UFO-t janë zbritur edhe në Shqipëri. Për këtë ai ka bindje të plotë dhe të patundur. E për t’i shkuar deri në fund këtij “trilli” ka filluar një kërkim shkencor që prej vitit 1999, ku ka sistemuar dëshmitë e para, për të arritur në kulmin e punës së tij në vitin 2005 me disa zbulime objektesh shumë të çuditshme. Që nga ky çast, Përparim Zaimi, dikur një kapiten i lundrimeve detare, ka krijuar bindjen e thellë se pelegrinazhi i njerëzve në malin e Tomorrit, bëhet pasi ky vend është eksploruar nga jashtëtokësorët. Duke qenë një njohës i mirë i astronomisë detare Përparim Zaimi sjell për të gjithë ata që kanë një kuriozitet të tillë mjaft fakte interesante. Legjenda të cilat në themel kanë realitetin, që i paraqiten lexuesit në formën e mesazheve të gurkyçit, e që jo kushdo mund t’i deshifrojë, ashtu sikundër ka arritur autori t’i shpjegojë duke u bazuar në fakte konkrete dhe studime të hollësishme. Zaimi shprehet se sistemi fetar në tërësi është ndërtuar mbi bazën e besimit, pra pranimi i asaj që është dëshmuar dhe shkruar në librat e shenjtë si të vërteta absolute dhe realisht ne mundemi të vërtetojmë disa prej tyre si pasqyrim fenomenesh që përputhen me ekzistencën e realitetit objektiv.  Për më tej, gjatë një interviste për gazetën “Shekulli” kapiten Zaimi rrëfen përvojën e tij të jashtëzakonshme në zbulimin e vendqëndrimit të jashtëtokësorëve në atë pjesë të tokës që quhet Shqipëri.

Ju keni dyshime se UFO-t kanë zbritur edhe në territorin shqiptar?
Unë nuk kam dyshime por kam krijuar bindjen se Shqipëria është vizituar nga civilizimet të tjera teknologjike, shumë më të avancuara nga civilizimi ynë. Madje në fund të studimit që kam realizuar, kam arritur në konkluzionin që civilizimi ynë është mbjellja e atij civilizimi që na ka ardhur nga një planet tjetër. Pra në jemi krijesa të atij Krijuesi.
Njeriu i parë në tokë ka qenë i klonuar?
Nuk di të them llojin e teknologjisë që kanë përdorur ata në këtë fushë të gjenetikës, por natyrisht që ka qenë një teknologji shumë-shumë e përparuar. Pra unë kam krijuar bindjen se ne jemi produkt i tyre.
Mbi çfarë bazash e mbështesni këtë?
Padyshim që ka shumë argumente që e mbështesin këtë lloj hipoteze. Unë si referencë kam marrë evidencat fizike, prova materiale që janë makete apo modele të anijeve hapësinore të cilat i përkasin një civilizimi tjetër. Këtë unë e mbështes edh enë faktin që i kam studiuar një pjesë të mirë të dëshmive që janë dhënë rreth UFO-ve të cilët kanë vizituar planetin tonë. Nga modelet që unë vetë zbulova dhe disponoj, arrij në konkluzionin që mbi 90% e tyre i takojnë të njëjtit civilizim teknologjik. Dhe kjo ka shumë rëndësi, pasi dhe modelet janë lënë po nga i njëjti civilizim që ka vizituar në kohë dhe viziton edhe sot e kësaj dite planetin tonë.
Çfarë konkretisht keni gjetur në zonën e Tomorrit ku ju keni bërë kërkimet tuaja?
Kam gjetur modele anijesh specialet të gdhendura në gur. Por dua të them se nuk kemi të bëjmë me një gur të zakonshëm. Më është krijuar ideja e aliazheve që janë mjaft të mbrojtura. Këto objekte janë gjendur në vende që vështirë se mund të gjendeshin edhe po të mobilizoheshin disa ekspedita botërore. Probabiliteti është shumë i madh e sipas përllogaritjeve të mija është një në një trilion. Mund të shpenzoheshin miliona dollarë e sërish këto të mos gjendeshin. Unë këtë zbulim, përveç dëshirës e pasionit tim për t’u marrë me këtë punë, ia dedikoj asaj që ne e quajmë rastësi. Por rastësia është indikacion i një krijese tjetër, e Krijuesit, pra i atij që ne e quajmë Zot. Në fakt Zoti për mua nuk është ai që mendojmë. Kurani dhe Bibla që unë i kam marrë si referenca janë dy libra të mëdhenj, por që përmbajnë të vërteta shkencore. Mbi to mund të bëhet dhe zbërthimi i vizitave të jashtëtokësorëve. Në një nga modelet që kam gjetur është harta e botës. Në këtë hartë jepen të dhëna dhe mbi ekzistencën e Atlantidës dhe perandorin së Atlantëve.
Nga do t’ia fillonit punës suaj kërkimore-shkencore?
Në vitin 2009 ndërmora një pelegrinazh në malin e Tomorrit. Ekziston një legjendë që Abas Aliu ka ardhur me kalë dhe është vendosur aty. Këtë legjende unë e studiova dhe e pashë jo si një ngjarje mistike. Kisha dëgjuar për gjurmën e Abas Aliut dhe këtë herë vendosa ta shikoja e ta fotografoja. Kur u ngjita për në teqenë ku kryheshin ritet, i kërkova një kushëririt, tim i cili më shoqëronte, që të më çonte tek gjurma. Mbasi mbaruam ritin në teqenë e Kulmakut, së bashku me bashkëshorten të cilën e kisha marrë me vete, zbritëm faqen e malit dhe u ndodhëm pranë tyrbes së ngritur në nderim të shenjës së Abas Aliut. Ishte hera e parë që e vizitoja atë vend. U futëm në tyrbe. Gjurmës i bëra disa fotografi nga pozicione të ndryshme. Ndërkohë që fotografoja realizova mendimin që ajo gjurmë mbarte një histori, një fenomen të veçantë. Vura re që nuk kishte të bënte fare me gjurmën e këmbës së Abas Aliut apo kalit të tij. I emocionuar dola nga tyrbja. Pasi u ktheva në shtëpi i hodha fotot në kompjuter dhe fillova t’i studioj e të bëj deshifrimin e tyre.
Gjurma e Tomorrit është e vetmja e këtij lloji në Shqipëri?
Në fakt jo. Një ditë bashkë me djalin tim dhe një ish pedagogun tim Daut Hoxhën shkuam në Krujë dhe vizituam një vend të shenjtë, tyrben e Krastës. Dauti më kishte vënë në dijeni se në Krujë ndodhej një gjurmë tjetër me të njëjtin shenjtor e legjendë. Djali im më ndihmoi të bëja fotografi me cilësi. Me të mbërritur në shtëpi bëra krahasimet në kompjuter me gjurmën e Tomorrit. Konstatova se ishin të ngjashme. Ndërkohë një gjurmë e tretë ndodhet në Dosovec të Beratit tek Qafa e Nishanit, të cilën arrita ta realizoj më 11 qershor 2011 me ndihmën e avokatit Ilir Malindi. Trekëndëshi që formojnë tre gjurmët më tërhoqi vëmendjen dhe supozova se në qoftë se në konstelacionin Pegasus do të gjej një figurë gjeometrike të ngjashme me këtë trekëndësh, atëherë trekëndëshi Tomorr-Krujë-Qafa e Nishanit është gjurmë, projeksion i trekëndëshit sferik që formohet në konstelacionin Pegasus dhe autorët e vërtetë të këtyre gjurmëve janë jashtëtokësorët, pra gjurmët orientuese të një civilizimi tjetër teknologjik.
Ju keni vepruar vetë apo keni pasur dhe asistencë nga specialistë të huaj të ufologjisë?
Për gjithçka unë jam konsultuar me informacionin e hapura të NASA-s, të cilat këto vitet e fundit kanë qënë shumë të zgjeruara. Ndërsa gjatë një qëndrimi në SHBA në qershorin e vitin 2010, kontaktova me një profesor të universitetit Shtetëror të Xhorxhias, historian, filozof, ateist e producent dokumentarësh. Dr. Anthony Clarke Veines, i cili pasi lexoi punimin tim në anglisht mbeti shumë i kënaqur dhe më propozoi që nëse kërkoja që këtë punim ta ktheja në dokumentar ai do ta realizonte me kënaqësi.
Shteti shqiptar ka dosje të veçanta për ufologjinë?
As që bëhet fjalë. Janë shtete të fuqishme si SHBA, Britania e Rusia që kanë departamente të veçanta që merren me ufologjinë. Shqipëria nuk ka asnjë dosje lidhur me këtë çështje.



Mali i gdhendur mbi një anije hapësinore
Objektet e rralla të gjetura në rajonin e Tomorrit, tanimë janë në duart e tij. Duke iu referuar zbërthimit të tyre Përparim Zaimi shpjegon: “Po të shikojmë foton konstatojmë se ajo përfaqëson një model të një anije fluturuese hapësinore me të cilën jashtëtokësorët kanë mbërritur në planetin tonë dhe konkretisht janë ulur në malin e Tomorit në Skrapar. Modeli i zbuluar në vitin 2005, botohet për herë të parë. Në pjesën e sipërme të këtij modeli të anijes hapësinore është skalitur në mënyrë mjeshtërore një pamje, që është ajo e malit të Tomorit. Me ndihmën e instrumenteve zmadhuese vërehen mjaft qartë konturet dhe bimësia e këtij masivi malor që siç thonë dhe legjendat e vjetra ka parë shumë ngjarje që kanë ndodhur. Dallohen qartë jo vetëm pjesa e pyllëzuar, por dhe ajo pjesë e zhveshur nga pyjet, ashtu siç mund të shikojmë dhe sot po ta vështrojmë nga maja e malit në Çukën e Abas Aliut. Pra pozicioni i paraqitjes së Tomorrit është një pamje nga sipër e tij. Në qoftë se i referohemi përcaktimit të ufologëve, forma e diskut është i një tabakaje ose “saucer shape”. Modele të ngjashme për nga forma janë shikuar e raportuar nga observues të ndryshëm”


Tomorri, vendi mistik i perëndive
Përparim Zaimi thotë se punimi i tij nuk bazohet në ndonjë sistem besimi, por të lë të kuptosh se fenomenet janë argumentuar mbi bazën e një realiteti të studiuar mirë dhe me kompetencë të plotë profesionale dhe shkencore: “Unë di saktësisht nga dëshmi të sigurta dhe disa burimesh se pranë malit të Tomorrit, në fshatin shumë pranë tij, janë vërejtur fenomene dhe ndodhi reale të çuditshme dhe misterioze deri tani. Që mali i Tomorrit është mali ku qëndrojnë Perënditë, mendoj se nuk qëndron më në kufijtë e legjendave dhe hipotezave, por fatmirësisht po konfigurohet si një realitet objektiv. Mali i Tomorit dhe mjedisi përreth është i njohur për mbajtjen e vlerave ideale, jashtë tokësore, mistike, vendi i perëndive. Të gjitha këto etiketime dhe vlerësime të bëra në kohë të ndryshme nuk mund të jenë thjeshtë pjellë e fantazisë popullore, e legjendave e besëtytnive dhe e riteve dhe traditave që rrjedhin nga mosnjohja e fenomeneve në të kaluarën historike, ato përmbajnë diçka të vërtetë që lidhet me konstatime dhe vrojtime në kohë të ndryshme të zhvillimit të shoqërisë dhe që njerëzit me nivelin e zhvillimit të shkencës dhe mendimit nuk kanë qenë në gjendje me interpretimet e tyre të shpalosin realitetin e mirëfilltë që fshihet pas tyre. Por ata i kanë ruajtur e transmetuar mjaft mirë brez pas brezi”.


Zbuluesi i UFO-ve “shqiptare”

Studimi i kryer prej tij, në fushën e ufologjisë, ka kapur një distancë kohore prej të paktën 15 vitesh, ndër të cilat janë ndërmarrë disa ekspedita. Gjithçka vetëm për atë që ka ndodhur në territorin shqiptar, këtu e qindra vite më parë. Përparim Zaimi ka kryer studimet e larta në degën e Navigacionit dhe është diplomuar në Vlorë si Navigator për Flotën Detare Tregtare. Ka ndjekur studimet për degën Inxhinieri mekanike. Përfundon studimet në Filozofi. Është njohës i disa gjuhëve të huaja si Anglisht, Italisht, Rusisht. Është autori i disa studimeve në fushën e peshkimit si ndërtimi i hartës së parë të relievit nënujor të detit Adriatik dhe Jon. Gjatë karrierës së tij profesionale ka kryer detyra të larta në administratën shtetërore për një kohë të gjatë si Kryetar Dege, dhe Drejtor i Drejtorisë së Peshkimit në Ministrinë e Industrisë së Lehtë dhe Ushqimore. Drejtori institucionesh administrative, projektues dhe këshilltar i ministrit.



Botuar në gazetën SHEKULLI dhe...:

Thursday, September 14, 2017

I ngarkuar si “gamor”

Nga Leonard Veizi

E ç’mu kujtua zbori. Madje ditët e ushtrisë në fakt. Shoh këto foto dhe s’e marr vesh pse më mungon kapela model kineze me yll në ballë. M’u ngjallën ditët e marshimeve.  Kundërgazin në një anë e në tjetrën bukë, ujë dhe fishekë për pushkën model 56 sovjetike. Në xhepin e djathtë mbaja lugën me bisht të shkurtër se mos ma vidhnin.
Mirëpo duken të largëta ditët e shërbimit të detyrueshëm në mbrojtje të atdheut. Iku koha e gavetës. Edhe ditët e zisë kur futeshe në dyqanin e mishit e gjeje kasapin brenda. Sot kohët kanë ndryshuar rëndshëm, futesh në supermarkatën trikatëshe për të blerë sallam dhe del nga ana tjetër hipur mbi një xhip që çmimin e shitjes e ka 45 mijë euro me doganë të paguar.
Por s’e di pse prapë më duket vetja si ushtar. Shkolla ka ca ditë që ka filluar dhe mua më duket sikur më kanë thirrur sërish në Garnizon, për të më caktuar detyrën luftarake. Komandant kompanie këtë herë kam çunin i cili “më urdhëron”:
- Plako ma mbaj pak çantën se është e rëndë!
- Si urdhëron!
Në supin e majtë ku mbaja kundërgazin hedh çantën e djalit, që kur e peshova më doli 12 kile e rëndë. Të keqen e kundërgazit, që bashkë me 20 fishekë dhe një konservë peshku që e mbaja fshehur vinte a s’vinte 2 kg. Po nuk mbaron me kaq. Komandant batalioni kam vajzën.
- Mbaje edhe këtë çantën timen se nuk e ngre dot!
U bënë dy.
- Si urdhëron!
Nga krahu i pushkës hedh çantën tjetër. 16 kg e rëndë. Pu, pu, pu. Të keqen e pushkës. Mund t’i shtosh edhe një kallashnikov e përsëri mbetesh rehat.
-Me çfarë e ke mbushur moj vajzë me bomba?
Epo më është bërë ferrë koha e ushtrisë, me të do ta lidh çdo gjë.
- Po çfarë bombash o ba.... Librat janë.
- Mos ke futur dhe atletet brenda, se si shumë rënduaka?
- Nuk kam fizkulturë sot.
Nis marshimi. Destinacioni: në shkollë, e ku tjetër. Terreni është i vështirë, më keq se te Mali me Gropa. Vërtet nuk ka shteg dhish, por në trotuar bëhen punime dhe në buzë të rrugës janë vënë pengesa. Makina që të vjen përballë mund të të ngrejë zgupthi. Torturë e vërtetë për të mbajtur ekuilibrin tim dhe atë të fëmijëve. Ku ma gjen t’i ngjitesh monopatit.
Më vjen të shaj rëndshëm ndonjë institucion të shtetit. Nuk di ku të shfryhem. Ta filloja me Kryeministrinë, a me Ministrinë e Arsimit, a Bashkinë... E mbush gojën por s’më mbushet mendja për asnjë. Jo, mor jo, ç’faj më kanë ata. Bëj një xhiro me mendjen time dhe në fund ndalem te botuesit e shtypshkronjat: Sikur t’i bëni ca më të lehtë këta librat a të keqen. Na doli fryma. Se ja, ka qëlluar që jam mbi 100 kile dhe nuk ankohem nga kolona vertebrale, po ndonjë tjetër që është sa gjysma ime dhe e ka kapur spondeliatroza, si i bëhet?
- Kjo punë ka vetëm një zgjidhje, - më thotë një prind te hyrja e shkollës, që duart i ka në xhepat e pantallonave dhe në buzë mban një cigare të pandezur. - Fëmijët t’i mbajnë vetë çantat e tyre. Se kur është vetëm një i bëhet dermani, ja dhe ti që ke dy... po unë me tre, ç’të bëj, ngritje peshash.
- Ke të drejtë byrazer.
Këto foto i kanë shkrepur fëmijët e mi si për të më treguar gjithë humor se babi është ngarkuar si kalë race, ku në fakt nënteksti interpretohet ndryshe, fiks ashtu siç thonë tironsit e vjetër, i ngarkuar si “gamor”.

Tuesday, September 12, 2017

Pavlina Evro, rekordmenia që valëviti flamurin shqiptar në Nicë, Athinë e Oslo

Pavlina Evro
Ish-rekordmenia shqiptare e garave të mesme, rrëfen për trofetë në manifestimet e mëdha botërore të atletikës. Fitorja spektakolare në Francë dhe pritja popullore në Korçë. Rekordet e reja me ekipet e Greqisë  
  


nga Leonard Veizi


Në vrapimin energjik e marramendës, me një dihatje të shpejtë, munduese e padyshim në stres të lartë se kush do ta prekte më shpejt shiritin e finishit... ajo arriti të dilte e para. Pas kësaj veshët i oshtinin nga shpërthimet frenetike “Albania Albania”. Nuk ishte pista e “Skënderbeut”  në juglindje të vendit dhe as ajo e “Qemal Stafës” në kryeqendër, por i një stadiumi olimpik në Nicë të quajtur “Sharl-Erman”. Dhe ndoshta pa e kuptuar as vetë se nga ai çast ishte kthyer në një legjendë, 19-vjeçarja nga Korça do t’i jepte Shqipërisë të parën medalje ari në atletikë, pikërisht 30 vjet më parë në një qytet francez, pagëzuar me emrin e lashtë grek të Nikeas...

...Ajo buzëqesh kur e pyes nëse do të kishte dëshirë të garonte në një sprint prej 100 metrash. Por qesh edhe më fort kur pyetjes time se me çfarë merret aktualisht mbajtësja e titullit “Mjeshtër i madh i punës” i përgjigjet shkurt: e papunë. Paradoks?! Fare... Në Shqipëri ndodh rëndom kështu. E megjithatë, Pavlina Evro, kjo rekordmene shqiptare e vrapimeve në distanca të mesme i përgjigjet pyetjeve të gazetës “Shekulli”.
Zakonisht atletët e fillojnë stërvitjen intensive që në fëmijëri. Kur do ta ndienit veten se ishit e aftë për t’u bërë një garuese?
Në vitin e largët 1976, kur unë isha ende fëmijë, filloi rrugëtimi i jetës sportive në garat e mesme dhe të gjata në ekipin e atletikes “Skënderbeu” të Korçës. Natyrisht, nuk fillohet që në hapat e para me stërvitje intensive, por me një punë sistematike shkencore e bashkëkohore sipas moshës dhe shkallët e rezultateve ngjiten një nga një.
Jeni atlete e garave të mesme 800 dhe 1500 metra. Do të dëshironit të ishin dhe sprintere e 100-metërshit?
Realisht, unë jam dhe 100-metriste, akoma me saktë; 200-metriste. Brenda garës në çdo finale të 800, 1500, 3000 metrave ku unë merrja pjesë më kanë shoqëruar dy gjëra: sprinti i fuqishëm në 150-200 metrat e fundit dhe thirrjet e publikut.
Cilët janë qenë instruktorët që ju bënë të arrinit rezultate të larta?
Në fakt, janë bashkautorët. Atletika është vërtet sport individual por kërkon punë në grup, me një staf, që nis nga profesori i fizkulturës në shkollë, që më zgjodhi si talent, e deri tek Mjeshtri i Madh, njeriu-shkollë, Pirro Kasati.  Po në këtë grup futet dhe punëtori i stadiumit, laborantja e spitalit, mjeku i zemrës, mjeku i klubit, shefi i kuzhinës, gjithë vajzat e ekipit etj. Rezultati 4’06”41 nuk ishte i imi, ishte edhe i tyre, ishte dhe i ish-kryetarit të BFSSH-së, në atë kohë z.Mehdi Bushati, dhe pa dyshim i familjes sime, i të gjithë atyre që besuan dhe besojnë sot tek Pavlina.
Pavlina Evro me trofeun në Nice të Francës, 1984
Cilat ishin arritjet e njëpasnjëshme që ju dhanë trofetë?
Trofetë janë shumë: nga ajo gara e vitit 1976 midis shkollave (e para) e deri tek gara në vitin 1996. Nga viti 1981 e në vazhdim jam fituese e vendeve të para në të gjitha aktivitetet kombëtare (kupa, kampionate, spartakiada) ballkaniada, lojëra mesdhetare, kampionate evropiane dhe aktivitete të tjera ndërkombëtare. Nga shumë e shumë medalje, gjithsesi, do të veçoja emocionet e veçanta në thyerjen e rekordeve kombëtare në garat e 800, 1500 dhe 3000 metra. Në kampionatin ballkanik të krosit në vitin 1981 ku ne fituam medalje argjendi (isha vetëm 16 vjeç) në 1983-in në kampionatin evropian në Vjenë nënkampione me medalje argjendi për të reja, fituese e medaljes së artë në mitingun “Grand Prix” në Nice të Francës në 1984, fituese e medaljes së bronzit në Oslo më 1985-ën dhe në Athinë në mitingun “Grand Prix” më 1987-ën, fituese e medaljes të artë në 3000m. Të gjitha kujtime të bukura. Edhe në lojërat e Mesdheut në Siri më 1987-ën ku isha fituese e medaljes së bronzit e shumë të tjera.
Në mitingun ndërkombëtar të atletikës në Nicë, Francë në vitin 1984, ju zutë vendin e parë. Fillimisht si u përgatitët për të qenë pjesëmarrëse në një takim të tillë?
Si u përgatitem...?! Me një punë shkencore të udhëhequr nga i madhi dhe i paharruari Pirro Kasati. Punonim ditë për ditë, pak e nga pak, duke mohuar nga vetja çdo privilegj të moshës. Mjafton t’u them se arritëm deri në 3 seanca stërvitore në ditë. Nica, dhe jo vetëm, por çdo medalje dhe rezultat u arritën me shumë përkushtim dhe dashuri.
Si u prit nga shteti i kohës fakti që ju sollët një medalje në Shqipëri?
Shteti i kohës na priti me dashuri, mirënjohje dhe respekt të madh, me më të mirën e mundshme për kohën, sistemin dhe ligjet në fuqi. U nderova me titullin e lartë “Mjeshtër i Merituar Sporti”, u dekorova me medaljet “Naim Frashëri” klasi i tretë e i dytë, u trajtova me një Vendim të veçantë të Këshillit të Ministrave për trajtim special financiar dhe ushqimor. M’u dha edhe një hyrje apartamenti në Korçë. Por të gjitha shkuan… Në kujtesën time, besoj dhe në atë të njerëzve, mbeten të pashlyera pritjet e popullit, sidomos të atij korçar, që nga Rinasi e deri në Korçë me buqeta lulesh e me duartrokitje.
Në vitin 1986 morët pjesë edhe në mitingun e Oslos ku patët rezultat të lartë. Si e kujtoni këtë rast?
Do ta filloja nga Nica. Stadiumi ishte në këmbë dhe thirrjet nuk kishin fund “Albania-Albania”. Flamuri, ngjitja në vendin e parë, shpallja qytetare nderi e Nicës, janë kujtime të bukura. E çfarë t’u them: emocione të papërshkueshme. Nga Oslo më kanë mbetur në kujtesën time katër çaste; ovacionet e stadiumit mbas rrëzimit tim të qëllimshëm dhe vazhdimit të garës, pa dyshim thirrjet e publikut “Albania Albania”, ndarja e vendit të tretë me vendin e dytë me foto-finish dhe hyrja në aerodromin e Oslos, ku në tabelën elektrike shkruhej: Wellcom Pavlina Evro.
Vazhdoni të jeni kampione në ndonjë disiplinë apo rekordet tuaja janë thyer tanimë?
Pa diskutim, lajtmotivi i jetës ky është… për rekorde të reja. Gjithsesi, u mbajtën gjatë, 32 vjet, dhe uroj me gjithë zemër që Luiza Gega të thyejë rekorde dhe të fitojë sa më shumë medalje në aktivitete prestigjioze dhe pse jo në Olimpiada, atje ku dikur nuk mundeshim të merrnim pjesë ne.


Gara e 1500m fillimi dhe finishi ne sadiumin Olimpik Athine
Medaljet e nderit
Pavlina Evros i janë dhënë dhe shumë tituj, medalje dhe stimuj materialë e moralë, në vitet e regjimit komunist dhe sot në demokraci. “Mbas viteve ‘90 kam marrë: medaljen e artë “Nderi i sportit Shqiptar”, “Qytetare nderi e Qarkut të Korçës”, “Qytetare Nderi e Korçës”,  “Mjeshtre e Madhe e Punës”... etj. Por fatkeqësisht, ky “Mjeshtër i Madh i Punës” ka tre vjet që po pret një vend pune… që do të thotë se ende jam e papunë”

Rekordmene me klubet greke
Pavlina Evro thotë se, për sa kohë qëndroi në Greqi, në të gjitha aktivitetet e zhvilluara, ishte fituese e vendit të parë në kampionate e kupa. Me klubin e “Iraklisit” ka fituar vendin e tretë në Kampionatin Evropian të klubeve. Ajo thotë për “Shekullin”: “Kam dhe sot akoma mos gabohem rekordin e 5000 metrave për gjithë Greqinë e Veriut… Kam punuar dhe si pedagoge, mësuese, trajnere në disa klube. Kam punuar edhe në klubin kampion të Greqisë Panelinios, që është një shkollë më vete gjithsesi…” Duke folur për ndryshimet mes klubeve sportive shqiptare dhe atyre greke nga ana profesionale, Pavlina Evro thotë se: “Klubet greke me klubet shqiptare kanë një ndryshim të madh. Sistemi ynë sportiv ngeli pas dhe nuk u përshtat me sistemin e ri. Madje, nuk është përshtatur as sot e kësaj dite. Politikën greke në sport e bënë dhe e bëjnë personalitete, idhuj, yje emra të mëdhenj të sportit. Nga lart-poshtë sistemin e zinxhirit sportiv e udhëhoqën njerëz që e duan sportin, që dhembin për të... ndërsa ne e prishëm sistemin zinxhir dhe nuk bëmë ligje të mira që të na përshtatnin me marrëdhëniet e reja. Politikëbërësit tanë, deri tani të paktën, e kanë përdorur sportin si plaçkë lufte, nuk ka motiv, nuk ka motivim...”

Shpirti i garës
“Nëse do të bëjmë një krahasim të sportistit të sotëm dhe sportistit të atëhershëm, do të doja të nxirrja në pah disa veçori: Unë mendoj se në atë kohë një sportist aktiv kishte shpirtin e garës. Pavarësisht konkurrencës me kolegët brenda ose jashtë vendit, pavarësisht nëse ishte një garë lokale, apo kombëtare, shpirti i garës nuk mungonte. Përgatitja fizike dhe psikologjike shtrihej për një kohë të gjatë përpara se të dilje në pistën e vrapimit. Kjo e bënte më të motivuar sportistin e atëhershëm. Sot, më duket se kalkulohet më shumë se sa duhet” thotë Pavlina Evro, rekordmenia shqiptare në atletikë.

Sporti në ditët e sotme
Pavlina Evro thotë se ka një ëndërr: që ta shikojë sportin shqiptar sa më lart. Dëshiron të japë ndihmësen e vet, aty ku mund të jetë më e frytshme… Para dy vjetësh, më saktë me 22 Prill 2012, u mblodhëm të gjithë ish-kampionët e rekordmenet si: Isa Tare, Ajet Toska, Anila Mekshi, Donika Hanxhara, Remzi Lahaj, Skënder Ruci, Sotir Qiriaqi, Vlashian Kasati etj…dhe kemi zhvilluar një aktivitet si asnjëherë në qytetin e Korçës. Garuan 600 fëmijë të shkollave nëntëvjeçare të ndarë në 6 kategori për të rikthyer traditën korçare dhe për të ngritur atë fidanishte që ka qenë dikur. Por që kjo fidanishte të jepi frytet e saj, me qëllim që Shqipëria të eci me kohën dhe në fushën e sportit, nuk është vetëm në dëshirën e mirë të sportisteve, por duhet ndihma nga më lart, ndihmë e cila fatkeqësisht nuk na është dhënë deri më sot...” Në vazhdim ajo shprehet se e ka pasion sportin, në mënyrë të veçantë për atletikën. “Unë nuk kam zgjedhur thjesht soditësen e sportit, tani që nuk jam si të thuash sportiste e garave ose siç quhet sportiste aktive në pistë. Unë kam zgjedhur të jem sërish në pistë në një pozicion tjetër. Të bëj gjithçka që të ecin të rinjtë dhe të jem mbështetëse e atyre që kanë shumë nevojë për të ngjitur shkallët e karrierës në sport”, thotë Evro. Ndërkohë, duke iu referuar të rinjve, ajo shprehet se pikërisht të rinjtë duhet të jenë më afër sportit, “të jenë jo thjesht ndjekës të ndeshjeve nga lotaritë sportive, jo thjesht në shkallët e stadiumeve, por të merren drejtpërdrejtë me aktivitete sportive, duke e bërë jetën me të gjallë në të gjitha drejtimet. Prandaj unë them: sporti të bën të bukur, të zbut, të zbukuron shpirtin, të kthjellon mendjen. Presidenti Obama në strategjinë e vet ka shtuar vëmendjen në sport, për të pakësuar shpenzimet në shëndetësi. Duke zbutur shpirtin, ne ulim edhe dorën që ngrihet kundra gruas, kundra nënës, kundra fëmijës. Ne kthjellojmë mendjen dhe shmangim anomalitë”.


Pavlina Evro
Detaje nga Intervista


Rekordi
“Me një staf të plotë, me një punë shkencore dhe plot pasion, finalizuam kohën rekord edhe sot 4’06. 41, rezultat që renditet nga vendi i 10 deri tek i 18-i në botë, për të gjitha kohërat në 1500 m për femra. Në jetë asgjë nuk është e rastësishme. Nuk ishte ambicie e moshës, ishte një dashuri, një sakrifikim i rinisë sime për të arritur atje lart, te podiumi, te medaljet arta në Nicë, Athinë, Oslo dhe tek valëvitja e flamurit shqiptar në evenimentet botërore, në një kohë kur Shqipëria ishte e izoluar nga bota perëndimore”

Ambiciet
“Jeta ime sportive mbas viteve ‘90-të është një tablo shumëngjyrëshe; sportiste për të mbajtur vendin e parë, trajnere me të njëjtën ambicie, pedagoge në akademitë sportive, studime pasuniversitare për të plotësuar dijet e mia në fushën e sportit dhe shkencës…”
Origjina
Pavlina Evro u lind më 20 shkurt 1965 në qytetin e Korçës në një familje autoktone e intelektuale nga prindër artistë. Thotë: “Babai ishte piktor. Familja ime ishte e madhe, me shumë fëmijë; pesë motra e dy vëllezër. Në qytetin e Korçës u rrita dhe u formova si sportiste dhe si njeri”.

Pavlina Evri me bashkeshortin Sadush Ylli
Familja
“Jam e martuar me një njeri që në jetën time ka pasur dhe ka vlera të veçanta. Me Sadushin kemi dhe dy fëmijë të mrekullueshëm: djali është 21 vjeç dhe është student në vitin e tretë, ndërsa vajza 16-vjeçare është në vitin e parë gjimnaz. Jam krenare për familjen time”.




Botuar në gazetën SHEKULLI më 13/02/2014



Monday, September 11, 2017

Farudin Hoxha: "Shqipëria, si i ndërtoi 650 diga, Ju rrëfej sekretet e ndërtimit të Fierzës dhe Komanit"


INTERVISTA I 
Akademiku Farudin Hoxha, parashtron rrezikun që mund të vijë nga amortizimi i ujëmbledhësve

Shqipëria, si i ndërtoi 650 diga

nga Leonard VEIZI

Nuk e ka në plan të pushojë pa e vrarë mendjen, të ndjekë me fanatizëm edicionet e lajmeve në televizor dhe as të shohë me ankth ndeshjet e “Champion League”. E megjithatë, koha nuk i jep as mundësinë të bëjë shëtitje rreth liqenit artificial e të mendojë qoftë dhe për një çast të vetëm, se për një digë si ajo që është ndërtuar në kodrat e kryeqytetit për mbledhjen e ujit, ai ka punuar për ta lartuar atje, në Fierzë, Koman apo gjetkë. Por dhe nëse gjen kohën për t’u qetësuar e për të mbledhur veten pak, atij sërish i duhet të jetë atje, në tavolinën e tij të punës, ku projektet që zëvendësojnë njëra tjetrën e presin vazhdimisht. Ndaj ai, është gjithmonë në lëvizje të pandërprerë, për të ideuar ndërtimin e një digë të re, apo për të bërë oponencën e një punimi të me të njëjtat vlera. Dhe digat, vazhdojnë të jenë në projektet letër, që ndonjë ditë më pas të ngrihen atje, në shtratin e një lumi të rrëmbyer...

...Tanimë kohët kanë ndryshuar. Thuhet se ishin më të sigurta dhe se shteti kujdesej më shumë për to. Por jo të gjitha digat e ndërtuara në Shqipëri tashmë e kanë këtë siguri. Vitet kanë kaluar dhe parametrat e tyre nuk mund të jenë ato të viteve të para pas ndërtimit. Dhe këtu nuk flitet vetëm për digat e hidrocentraleve, por dhe për ato të liqeneve apo rezervuarëve që përdoren për vaditjen e tokave, apo si burim për ujë të pijshëm. Tanimë një pjesë prej tyre janë në fazën e amortizimit dhe, më mos qoftë e thënë, nëse ndonjëra prej tyre shembët a çahet, pasojat do të jenë katastrofike. Kjo sidomos kur bëhet fjalë për 306 digat më të mëdha të vendit. Ky rrezik evident, i lançuar ndonjëherë edhe nga ndonjë gazetë a televizion, duket se nuk është marrë fort seriozisht nga strukturat përkatëse që duhet të përgjigjen për to. Profesor Farudin Hoxha, i njohur më së shumti si një prej heronjve të ndërtimit të hidrocentraleve, gjatë një interviste ekskluzive për gazetën “Telegraf” rrëfen për rrezikun që ka sot vendi ynë, nga mosmirëmbajtja e digave ujëmbledhëse:
Cila është gjendja aktuale e digave të ndërtuara në vendin tonë?
“Me ujin dhe me zjarrin mos luaj”, thotë populli ynë. Pikërisht këtë intervistë dëshiroj ta zgjeroj për veprat dhe objektet që trajtojnë ujin, për të cilat po nuk u kujdesem me maksimumin e përkushtimit e të dijeve bashkëkohore, ato kthehen në një “cunam” të papërmbajtshëm që merr dhe shkatërron çdo gjë që gjen përpara. Lidhur me këtë temë, meqenëse m’u drejtuat, më lejoni edhe mua të them në mënyrë mjaft të përmbledhur disa nga mendimet e mija.
Ku do të ndalemi më konkretisht?
Po e fillojmë me problemet e ujit. Në rruzullin tokësor rezervat e ujit të ëmbël po bëhen nga dita në ditë më të pamjaftueshme për plotësimin e nevojave të përdoruesve. Shkaqe të kësaj dukurie tashmë janë të njohura dhe e kanë burimin kryesor në zhvillimet demografike dhe veprimtarinë e gjithanshme jetësore të shoqërisë njerëzore. Është rritur mjaft norma e konsumit të ujit dhe e qëllimeve për të cilat përdoret, është rritur mjaft numri i konsumatorëve dhe i nevojave të tyre gjithnjë në rritje, është rritur me ritme shumë të shpejta numri i popullsisë së globit dhe përqendrimi i saj në metropole dhe qytete, në kërkim të një jetë më të mirë, por që bie ndesh me shpërndarjen e burimeve ujore, është rritur ndjeshëm ndotja e mjedisit si rrjedhojë e veprimtarisë intensive ekonomike të njeriut në kërkim të standardeve jetësore më të larta etj. Në këto kushte uji mbetet për njerëzimin një pasuri me rëndësi strategjike, vlera e të cilit vjen çdo ditë duk e u rritur. Ai është i pazëvendësueshëm. Pa të nuk ka jetë.
Cili është konsumi i ujit në ditët e sotme, kur tashmë është i njohur fakti i krizës së burimeve ujore?
Gjatë periudhës 50-vjeçare, nga viti 1950 deri në vitin 2000, popullsia e globit është rritur 2,5 herë kurse konsumi i ujit është rritur 4 herë, në një kohë kur burimet ujore, nga pikëpamja sasiore, mbeten po ato. Në vitin 2025 popullsia e globit me ritmet e sotme të shtesës do të shkojë në rreth 11 miliardë banorë. Këta dy tregues, duke pasur parasysh zhvillimet në botë, paralajmërojnë një përkeqësim të mëtejshëm të situatës, por njëkohësisht shtrojnë domosdoshmërinë e ruajtjes dhe përdorimit me shumë kujdes të rezervave të ujit të ëmbël, Ndoshta në një të ardhme shumë të afërt, do të lindi nevoja për burime të tjera ujore, të cilat gjithsesi për t’u sjellë në gjendje të përdorshme do të kërkojnë shpenzime të konsiderueshme.
Po Shqipëria në çfarë kushtesh ndodhet?
Uji, si një nga elementet thelbësore të mjedisit, është bërë objekt studimi e trajtimi i shumë institucioneve në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, për të cilin janë zhvilluar shume aktivitete dhe janë hartuar një sërë dokumentesh për mbrojtjen e tij. Dukuria e pamjaftueshmërisë së burimeve ujore në vendin tonë ndonëse në stadin e sotëm të shoqërisë shqiptare nuk vërehet dukshëm, është prezent. Kjo vërehet si në rrjedhjet ujore sipërfaqësore ashtu dhe në ujërat nëntokësore, të cilat krahas ndotjes intensive, i nënshtrohen edhe shfrytëzimit të tyre pa kriter. Në burimet ujore të vëna në shfrytëzim dhe në sistemet e ujësjellsave që furnizojnë popullatën me ujë vërehet një administrim i keq si nga furnizuesit ashtu edhe nga përdoruesit.
A kanë filluar mungesat e burimeve ujore?
Shqipërisë nuk i mungojnë rezervat e ujit, të këtij elementi jetësor, me vlera të gjithanshme e të pazëvendësueshme dhe për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomiko-shoqëror të saj. Vendi ynë renditet ndër vendet me ujëshmëri të bollshme. Në territorin e Shqipërisë bien mesatarisht 1460 m/m reshje atmosferike në vit. Rrjeti hidrografik lumor derdh në det mesatarisht rreth 42 miliard m3 ujë në vit, ose rreth 12.000 m3 në vit për banor. Disa prej lumenjve kryesorë të vendit, si Drini dhe Vjosa, pellgu ujëmbledhës të tyre e shtrijnë edhe në territorin e shteteve fqinje, çka bën që të rritet ndjeshëm rrjedhja ujore e tyre.
Po shfrytëzimi në çfarë kushtesh është?
Anë negative e këtyre rrjedhjeve mbetet jouniformitet i theksuar i tyre në kohë dhe në hapësirën e vendit tonë. Shfrytëzimi i burimeve ujore në kushte natyrore, pa ndërhyrjen e njeriut, karakterizohet nga një shkallë e ulët e përdorimit të tyre dhe shoqërohet me mospërputhje të theksuara në kohë dhe në sasi midis nevojave të konsumatorëve dhe atyre që ofron natyra. Për zbutjen e këtyre mospërputhjeve, që çojnë njëherësh edhe në rritjen e shkallës së shfrytëzimit të rezervave ujore, del nevoja e ndërtimit të digave, të cilat në varësi të lartësisë dhe kushteve të terrenit krijojnë ujëmbledhës me vëllime të ndryshme uji. Janë pikërisht këta ujëmbledhës, që në sajë të kapacitetit të tyre bëjnë të mundur rishpërndarjen e rrjedhjes natyrale. Ata grumbullojnë ujin në periudhën e lagur me reshje atmosferike të bollshme dhe e lëshojnë atë në periudhën e thatë, në përputhje me nevojat e përdoruesve të ndryshëm të tij.
A ka në Shqipëri diga të përmasave të mëdha?
Sigurisht që janë ndërtuar dhe ka të tilla. Është një trashëgimi që brezat e sotëm gëzojnë nga brezat paraardhës. Në Shqipëri janë ndërtuar rreth 650 diga, 306 nga të cilat plotësojnë kushtet e vëna nga Komisioni Ndërkombëtar i Digave të Mëdha, ICOLD, për t'u quajtur diga të mëdha. Midis 82 vende anëtare të ICOLD-it, ku vendi ynë aderon që nga viti 1964, Shqipëria zë vendin e parë për diga të mëdha për çdo banorë dhe vendin e 18 për numrin e përgjithshëm të digave të mëdha. Për çdo 10.000 banorë vendi ynë ka afërsisht një digë të madhe. Diga e Fierzës është midis 150 digave me të larta të botës. Ajo, së bashku me digën e hidrocentralit të Komanit ka hyrë në botimet e specializuara të ICOLD-it.
Cili është kapaciteti ujëmbledhës i tyre?
Kapaciteti i ujë mbledhësave i krijuar nga këto diga arrin në 4’6 miliard m3 ujë ose rreth 12% të rrjedhjes së përgjithshme natyrale që lumenjtë tanë derdhin në det, në vitin mesatar. Sipërfaqja e përgjithshme e pasqyrës së ujit të krijuar nga të gjithë ujë mbledhësit tanë arrin në 226 km2. Sa renditëm më lart tregon për një shkallë të kënaqshme të mundësive që krijohen për ujë dhe rregullim relativisht mirë të rrjedhjes natyrale të lumenjve tanë, meritë kjo e digave të ndërtuara dhe e ujëmbledhësve të krijuar prej tyre.
(Vijon)

Ujëmbledhësit, ja dobitë nga ndërtimi i digave
Akademik Farudin Hoxha thotë se ndërtimi i digave ujëmbledhëse ka mundësuar që:
- Të prodhohen 5,34 miliardë KVV orë energji elektrike mesatarisht në vit
- Të vihen nën ujë ose të ujiten, se bashku edhe me burime të tjera ujore, rreth 400.000 ha tokë
bujqësore ose 57% e tokës se punueshme e cila deri ne vitin 1990 ka qenë rreth 700.000 ha
- Të zvogëlohen ndjeshëm përmbytjet e tokave dhe të qendrave të banuara nga vërshimet e lumenjve në kohë dimri
- Të krijohen kushte të favorshme për kultivimin e peshkut jomigrues
- Të mundësohet transporti i pjesshëm lumor
- Të ndikohet në përmirësimin e mikroklimës së zonave pranë ujëmbledhësave.
- Të krijohen kushte për shtrirjen në thellësitë territorit të aktivitetit turistik dhe rekreativ
- Të krijohen kushte për sigurimin e ujit të pijshëm dhe atij komunal.
- Të ndikohet në zvogëlimin e erozionit nga rrjedhjet e ujërave sipërfaqësorë.


AKTUALITETI/ Çfarë po ndodh me 650 digat e ndërtuara në gjithë Shqipërinë

Ju rrëfej rrezikun e digave, po u çanë na pret katastrofa

Nga viti 1957 kur daton dhe ngritja e digës së parë ne vend, e deri në vitin 1990, kujdesi për to ka qenë maksimal. Por pas viteve ‘90 problemet janë shfaqur dukshëm. Mendohej vetëm për shfrytëzimin e tyre dhe për mirëmbajtjen shumë më pak, ose aspak fare. Duke iu referuar kësaj gjendje, akademik Farudin Hoxha, thotë për “Telegraf”:

“Bërja e burimeve ujore të komandueshme, përmirëson mjaft ndikimin e tyre në mjedisin natyral të vendit tonë. Nga studimet e kryera për shfrytëzimin kompleks dhe optimal të të gjithë lumenjve të Shqipërisë, parashikohet të ndërtohen edhe shumë diga të tjera të mëdha, të cilat do të bëjnë të mundur komandimin pothuajse të plotë të rrjedhjes së lumenjve tanë. Kjo do të çojë në rritjen e ndjeshme të mundësive të përmendura më sipër, madje disa prej tyre do të shumëfishohen. Siç mund të kuptohet lehtë nga sa thamë më sipër digat dhe ujëmbledhësit e krijuar prej tyre janë një pasuri kombëtare me vlera të mëdha, të jashtëzakonshme për zhvillimin e qëndrueshëm e të gjithanshëm të vendit. Prezenca e digave dhe e ujëmbledhësve të krijuar prej tyre, aktualisht në shfrytëzim në vendin tonë, nuk është e rastësishme. Ato janë produkt i investimeve kolosale monetare, njerëzore e intelektuale, të brezave paraardhës të popullit tonë që sot me modesti thonë “kemi bërë detyrën”. Arritjet në këtë fushë janë vërtet të konsiderueshme. Por. Që këto të jenë të qëndrueshme, në shërbim të ekonomisë e zhvillimit të vendit, lind domosdoshmërisht nevoja për një mirëmbajtje të vazhdueshme e të kujdesshme të veprave. Kërkesa për të mirëmbajtur e mbrojtur digat dhe ujëmbledhësat dhe për t’i vlerësuar ato si “objekte të rëndësisë së veçantë” - lind jo vetëm për shkak të vlerave të mëdha ekonomike që ato kanë në vetvete por mbi të gjitha nga fakti se, në rrethana të caktuara, në një moment të caktuar, ato nga një burim të mirash të mëdha materiale, kthehen në burim fatkeqësish, me pasoja të rënda ekonomike e mbi të gjitha njerëzore. Kjo ndodh kur një digë çahet ose prishet. Falë punës së mirë projektuese e ndërtuese por dhe mirëmbajtjes së vazhdueshme të tyre, në vendin tonë, që nga viti 1957, kur u ndërtua diga e parë, e deri më sot, nuk ka pasur katastrofa me pasoja të rënda. Ka pasur vetëm dëmtime të pjesshme digash, të cilat janë riparuar në kohë. Kjo është pozitive dhe inkurajuese por nuk është e mjaftueshme dhe gjithçka. Me keqardhje digat dhe ujëmbledhësit e tyre, nga viti 1990 e këtej, tranzicionin e shoqërisë tonë e kanë përjetuar me shumë probleme të mëdha për qenien e tyre”.

Kujdesi
Digat, në mëshirën e fatit
“Pavarësisht nga shkaqet objektive apo subjektive, kujdesi për to ka qenë shumë i vogël, për të mos thënë që në disa raste është shkuar deri në braktisjen e tyre. Diga të caktuar në periudha të caktuara janë lënë në mëshirë të fatit të njerëzve, të pakualifikuar për shfrytëzimin e tyre. Në to, për arsye absurde, me dashje, janë shpërthyer edhe ngarkesa eksplozivi. Një pjesë e Digave tashmë i janë nënshtruar procesit të vjetërimit. Ky fakt kërkon nga shfrytëzuesit të forcojnë kërkesat për mirëmbajtje cilësore të digave, për të garantuar sigurinë dhe jetëgjatësinë e tyre. Mosvlerësim i drejt i të mirave që ato japin dhe i pasojave të rënda dhe shkatërruese që digat dhe ujëmbledhësit shkaktojnë kur prishen. Mungesa e specialistëve të kualifikuar dhe të profilit në shfrytëzimin dhe mirëmbajtjen e tyre, bën që prishja e një dige dhe pasojat që vijnë prej saj, të mbeten një rrezik real potencial shumë i madh. Mosha relativisht e madhe e digave dhe kujdesi i pakët për to, ka bërë që një pjesë e elementëve përbërës të tyre, të kenë humbur vetitë e nevojshme, që garantojnë funksionimin normal dhe qëndrueshmërinë e tyre. Kjo vihet re në bllokimin e sistemit të drenazheve, të pajisjeve hidromekanike të portave, saracineskave, e pajisjeve të tjera. Të gjitha këto krijojnë premisa për ndodhi të rrezikshme në këto vepra”, thotë akademik Farudin Hoxha gjatë intervistës për gazetën “Telegraf”.


INTERVISTA II 

Akademiku Farudin Hoxha: Ndërtimet pa leje poshtë digave, ja ku rrezikohen jetët njerëzore

Leonard VEIZI

(vijon nga numri i kaluar)
Një pjesë e mirë e jetës së tij ai e ka kaluar në kantieret e ndërtimit të digave të mëdha. Ndaj dhe sot, e ndjen krejt organike të shqetësohet për administrimin dhe mirëmbajtjen e tyre. Dhe duket se ky shqetësim vjen pikërisht në çastin e duhur. Atëherë kur nuk ka ndodhur asgjë. Megjithatë, këmbanat e alarmit tashmë kanë rënë. Por, për fatin tonë të mirë, jemi ende në kohën kur gjithçka mund të mbahet nën kontroll, nëse ndërhyet atje ku duhet dhe ashtu siç duhet. Sepse, nëse katastrofa ndodh, humbasin jetë njerëzish dhe shkatërrohen të mirat materiale, çdo gjë tjetër do të ishte i kotë.

Ato nuk janë pak por 650 diga në të gjithë Shqipërinë nga të cilat 306 prej tyre njihen si diga të mëdha. Por duket se e keqja nuk është vetëm tek administrimi dhe mirëmbajtja e tyre, por dhe tek ndërtimet e pakontrolluara që shumë shtetas shqiptarë, kanë bërë në rrethinat e tyre. Në këto kushte edhe rreziku bëhet më i madh. Të gjitha këto si dhe masat që duhet të merren për të pasur nën kontroll situatën, flet ekskluzivisht për “Telegraf” njeriu i hekurt i ndërtimit të digave, akademiku Farudin Hoxha:
Cili është niveli i mirëmbajtjes së digave vitet e fundit?
Me keqardhje digat dhe ujëmbledhësit e tyre, nga viti 1990 e këtej, tranzicionin e shoqërisë tonë e kanë përjetuar me shumë probleme të mëdha për qenien e tyre. Pavarësisht nga shkaqet objektive apo subjektive, kujdesi për to ka qenë shumë i vogël, për të mos thënë që në disa raste është shkuar deri në braktisjen e tyre. Diga të caktuar në periudha të caktuara janë lënë në mëshirë të fatit të njerëzve, të pakualifikuar për shfrytëzimin e tyre. Në to, për arsye absurde, me dashje, janë shpërthyer edhe ngarkesa eksplozivi. Një pjesë e Digave tashmë i janë nënshtruar procesit të vjetërimit. Ky fakt kërkon nga shfrytëzuesit të forcojnë kërkesat për mirëmbajtje cilësore të digave, për të garantuar sigurinë dhe jetëgjatësinë e tyre. Mosvlerësim i drejt i të mirave që ato japin dhe i pasojave të rënda dhe shkatërruese që digat dhe ujëmbledhësit shkaktojnë kur prishen.
Ku qëndron defekti më i madh në administrimin e digave?
Mungesa e specialistëve të kualifikuar dhe të profilit në shfrytëzimin dhe mirëmbajtjen e tyre, bën që prishja e një dige dhe pasojat që vijnë prej saj, të mbeten një rrezik real potencial shumë i madh. Mosha relativisht e madhe e digave dhe kujdesi i pakët për to, ka bërë që një pjesë e elementëve përbërës të tyre, të kenë humbur vetitë e nevojshme, që garantojnë funksionimin normal dhe qëndrueshmërinë e tyre. Kjo vihet re në bllokimin e sistemit të drenazheve, të pajisjeve hidromekanike të portave, saracineskave, e pajisjeve të tjera. Të gjitha këto krijojnë premisa për ndodhi të rrezikshme në këto vepra.
Ku është më alarmante kjo gjendje?
Gjendjen e sigurisë se digave veçanërisht në sektorin e bujqësisë e rëndoi edhe më shumë kalimi i tyre në nën administrimin dhe shfrytëzimin e shoqatave të Përdorimit të Ujit, të cilat jo vetëm që kanë qenë  fare të papërgatitura për këtë detyrë, por nuk kanë treguar as më të voglin interes për mirëmbajtjen e tyre. Me përjashtime shumë të rralla, shoqata dhe organizatat që sot merren me përdorimin e ujit, nuk kanë mjetet dhe mekanizmat e domosdoshëm për të shfrytëzuar e mirëmbajtur objekte të tilla. Digat dhe rezervuarët teknikisht duhet të menaxhohen nga specialiste që përgatitjen e duhur, ndërsa organizatat e mësipërme të jenë blerës të ujit.
A ka diga që tanimë kanë dalë jashtë funksionit?
Shumë diga të bujqësisë, me rezervuarët që kanë krijuar kanë humbur aftësinë ujitëse të tyre për shkak të mbushjes së rezervuarëve me sedimente të ngurta. Në të tilla raste, një dëmtim apo prishje eventuale e digës, do të shkaktonte përmbytje me pasoja të rënda për njerëzit dhe të mirat materiale sepse rrjedha ujore mund të kalojë dhe mbi digë, veçanërisht kur ka reshje të mëdha. Për digat që kanë humbur aftësinë ujitëse për shkakun që thamë më sipër duhet domosdoshmërisht të bëhen studimet dhe projektet përkatëse për abandonimin e tyre. Studimi dhe projektimi për abandonimin e digave është një proces teknik i vështirë, sepse lidhet me shumë faktorë që duhet të merren parasysh. Mendoj se ka ardhur koha që atyre me akte dhe vendime ligjore t'u ndryshohet qëllimi fillestar i destinuar, duke i konsideruar vepra jo ujitëse, por me funksione të tjera.
Po digat e hidrocentraleve të mëdhenj, sa të sigurta janë?
Digat e HEC-ve dhe veçanërisht ato të kaskadës se lumit Drin janë ndërtuar me teknologjinë e kohës dhe paraqiten mjaft më të sigurta. Kujdesi për to ka qenë më i madh. Megjithatë në këto vepra ka probleme të cilat cenojnë sigurinë e tyre, veçanërisht në veprat anekse, siç janë shkarkuesit e prurjeve të mëdha dhe gërryerjet ne anën e poshtme të tyre.
Sa kanë ndikuar lëvizjet demografikë që kanë bërë ndërtime në afërsi të digave?
Problem i madh që duhet pasur parasysh me prioritet absolut, të cilit po me prioritet absolut duhet t'i jepet zgjidhje është ngritja e qendrave të reja të banimit në luginat poshtë digave. Kjo lëvizje e pakontrolluar e popullsisë, për të cilin sipas nesh përgjegjësi mban pushteti qendror e sidomos ai lokal, ka bërë që këta njerëz, të cilët kanë ardhur dhe janë vendosur në këto vende për një jetë më të mirë t'i ekspozohen një rreziku të madh, duke u vendosur me banim ne hapësirat nën digat ekzistuese.
Janë bërë studime në këtë drejtim?
Në kohën kur këto diga janë projektuar, nuk është marrë parasysh prania e qendrave të banuara sepse ato nuk ekzistonin dhe nuk parashikoheshin të ndërtoheshin. Këto raste duhet të shihen nga shfrytëzuesit e digave dhe pushteti lokal një për një, dhe të jepet zgjidhja e duhur për parandalimin e katastrofave të mundshme, mbi të gjitha të atyre njerëzore. Për shkaqet e përmendura më lartë lidhur me rreziqet që paraqet qëndrueshmëria e këtyre digave duhet që me akte ligjore të posaçme të rishihet klasa e veprës dhe e si dhe të parashikohen punimet shtesë që duhen kryer për rritjen e sigurisë së tyre.
Cili është roli i pushtetit lokal në këto raste?
Pushteti lokal, nëpërmjet strukturave të tij jo vetëm që duhet të ushtrojë kontrolle periodike për të parë në vend zbatimin e ligjshmërisë për mënyrën e shfrytëzimit të këtyre veprave dhe mirëmbajtjen  e tyre, por mbi të gjitha për gjendjen fizike të tyre dhe sa të sigurta janë, sepse ato mbartin rrezik potencial të përhershëm për katastrofa njerëzore dhe ekonomike. Këto duhet të jenë gjithnjë nën kontroll dhe në vëzhgim të përhershëm ashtu siç veprohet në çdo vend të botës që ka vepra të tilla, aq më shumë tani që akte terroriste mbajnë nën kërcënim mjaft vende të globit. Në këtë proces nuk mund të jenë indiferent dhe publiku u gjerë, deri tek qytetari i thjeshtë. Ata kanë gjithashtu mënyrat dhe rrugët për të kontribuar në ruajtjen e kësaj pasurie dhe për mënjanimin e katastrofave të ndryshme.
A njihen shumë raste të katastrofave të kësaj natyre në botë?
Prishjet e digave dhe pasojat katastrofike të ndodhura në vende të ndryshme të botës nuk janë të pakta. Analiza e shkaqeve dhe nxjerrja e mësimeve për t’i mënjanuar ato duhet të jenë objekt i punës së specialistëve të kësaj fushe dhe veçanërisht i atyre që merren me administrimin dhe shfrytëzimin e tyre.
Mendoni se duke përmendur fakte të tilla ngjallet më shumë panik?
Përmendja e katastrofave nuk synon ngjalljen e panikut, por shikimin e realitetit në sy, me qëllim që të ndërgjegjësohemi të gjithë për vlerat e mëdha që kemi në përdorim dhe për pasojat e rënda që mund të shkaktojmë. Të gjithë, brenda kuadrit ligjor, jemi detyruar të punojmë dhe të kontribuojmë në ruajtjen, mirëmbajtjen dhe shfrytëzimin optimal të kësaj pasurie.

KATASTROFAT
Si janë përmbytur Italia e Franca
Duket e pabesueshme por është e vërtetë. Shpërthim të digave ujëmbledhëse ka pasur dhe në vendet e zhvilluara Evropiane madje dhe në Amerikë. Duke iu referuar rasteve të tilla akademik Farudin Hoxha thotë: “Nuk duhet harruar se katastrofa me pasoja shumë të rënda ekonomike, dhe veçanërisht njerëzore, nuk kanë kursyer as vendet më të zhvilluara si SHBA, France, Itali, Spanjë etj., ku kultura e studimit, projektim-it, ndërtimit dhe veçanërisht e shfrytëzimit dhe e mirëmbajtjes së digave, është në një nivel shumë më të lartë, të pakrahasueshëm me atë në vendin tonë. Në kushtet e realitetit shqiptar, nga ana e institucioneve që ushtrojnë aktivitetin e tyre në projektimin, ndërtimin, ndërtimin administrimin dhe shfrytëzimin e kontrollin e digave/dambav, duhet të kenë një përgjegjshmëri të lartë në punë. Byrotë e projektimit dhe ndërmarrjet e ndërtimit duhet të përdorin teknika dhe teknologji bashkëkohore. Administruesit dhe shfrytëzuesit e këtyre veprave duhet të rrisin nivelin cilësor të specialistëve dhe të ngrenë kulturën e shfrytëzimit e të mirëmbajtjes së tyre si dhe të jenë korrekt në zbatimin e rregullave e udhëzimeve përkatëse që ka legjislacioni në vendin tonë. Organet e kontrollit duhet të ushtrojnë kontroll cilësor, të bëjnë punën sensibilizuese, por mbi të gjitha të kërkojnë zbatimin me rigorozitet të ligjit  Për administrimin dhe shfrytëzimin e këtyre veprave, njerëzit duhet të zgjidhen. Ata duhet të jenë specialistë të profilit, nga më të mirët që ka vendi. Këto vepra nuk janë për t’i gjetur punë njeriut, por për t’i gjetur njeriun punës”.

EPILOGU
Të ndryshohet legjislacioni në fushën e administrimit të digave
“Në këtë intervistë u përpoqëm të vëmë në dukje disa nga çështjet më të mprehta që janë sot në fushën e ujërave të ëmbla dhe trajtimin e tyre me rezervuarët që krijohen nga ndërtimi i digave, vlera e tyre dhe rreziqet që paraqesin. Është shumë e vështirë për të mos thënë e pamundur që në një intervistë si kjo të trajtohen dhe të shterohen të gjitha problemet që shqetësojnë. Në përmbyllje të kësaj interviste do të dëshiroja të theksoja se mbështetur në përvojën e grumbulluar në këto 15-20 vitet e fundit ndoshta është e nevojshme të analizohet puna e kryer si dhe legjislacioni e ndërtimi institucional në këtë fushë me synimin që të eliminohen ato të meta të cilat nuk janë të pakta dhe që sot pengojnë për të bërë vepra plotësisht të sigurta dhe shumë më të dobishme. Kjo është një nga temat  më të rrahura e më të diskutuara në forume e kongrese ndërkombëtare e Botërore. Është e domosdoshme që legjislacioni në fushën e administrimit të shfrytëzimit dhe të mirëmbajtjes së digave, jo vetëm të përputhet me atë të rezervave ujore, por kërkesat ndaj shfrytëzuesve administratorëve dhe përdoruesve të tyre si dhe përgjegjësit e detyrimit që ata duhet të kenë duhet të të bëhen shumë më të mëdha dhe mjaft më të rrepta”, thotë akademik Farudin Hoxha gjatë intervistës për gazetën “Telegraf”.


INTERVISTA III 

Farudin Hoxha rrëfen për ndërtimin e veprave të mëdha hidro-energjitike. “Ato i ndërtuan njerëzit heroik jo Partia e Punës”

Ju rrëfej sekretet e ndërtimit të Fierzës dhe Komanit

Leonard VEIZI

Një pjesë e mirë e jetës së tij ai e ka kaluar në kantieret e ndërtimit të digave të mëdha. Ndaj dhe sot, e ndjen krejt organike të shqetësohet për administrimin dhe mirëmbajtjen e tyre. Akademik Farudin Hoxha, në këtë intervistë për gazetën “Telegraf” rrëfen për sekretet e ndërtimit të hidrocentralit të Fierzës, vepra më e madhe hidroenergjetike në vend, që dikur mbante emrin “Drita e Partisë”.
Pse propaganda ndaj veprave të mëdha si Fierza dhe Komani, ishin të ndaluara gjatë regjimit komunist?
Për shumë arsye. Por historia duhet shkruar ashtu siç ka ndodhur. Duhet shkruar me të gjitha detajet, hollësitë. Puna për ndërtimin e veprave të tilla ka qenë në kushte të vështira, shumë të vështira. Ato vepra nuk i ka ndërtuar as partia as ideologjia, por populli i mrekullueshëm shqiptar, teknikët dhe inxhinierët tanë të talentuar. Populli ynë nga Vermoshi në Konispol ka dhënë djersën dhe gjakun e tij në këto vepra… Po, po gjakun. Por për efekte sigurie (gjoja), për të mos nxjerrë sekretin në rast sulmi, që të mos dihej asgjë për çka ndërtohej në Shqipëri nuk shkruhej asgjë për këto vepra.
Çfarë doni të thoni me “punë në kushte të vështira”?
Dua të them shumë gjëra. Punohej ditën dhe natën. Punohej në dimër, në verë, në, vjeshtë apo pranverë. Aty ishte një qytet i ri me jetë 24 -orëshe. Pra punohej në dimër në temperature minus 20 gradë, por punohej në verë edhe kur të binte dielli si saç mbi kokë. Mbi ne, gjithë kohën ishte vetëm një copë qiell. Asgjë tjetër. Male, shkurre, dhe një copë qiell. Këto ishin ato që na rrethonin.
Sa vjet punë është bërë për të realizuar një vepër të tillë si Fierza?
Rreth 7 vjet punë. Por flitet për punë titanike. Flitet për punë që sot askush se imagjinon. Flitet për punë dhe vetëm punë që sot kur e mendoj s’mund ta besoj. Shtatë vjet sa 70 vjet punë.
Po sot a mund të ndërtohet një vepër me përmasa të tilla?
Jo. Nuk bëhet. Në asnjë mënyrë. Askush nuk mund të punojë në ato kushte. Asnjë s’mund të bëjë sakrifica të tilla. Sot do punohet në kushte shumë më të mira, në kushte luksi e me ushqim të bollshëm. Kapanone, apo mjete shumë moderne, por sërishmi në ato vende dhe me ato kushte kurrë sot s’mund të ndërtohet një vepër e tillë. Kjo e padiskutueshme. Ata njerëz ishin heronj. Nuk e di se çfarë i shtynte të punonin ashtu, frika, ndërgjegjja, dëshira për të jetuar, mos njohja e realitetit jashtë? Nuk e di, nuk e di. Ajo që di të them se sot vepër si Fierza s’mund të bëhet dot kurrë sot në Shqipëri. Sot, jo vetëm që nuk shkon njeri të punojë, por s’mund të ndërtohet një qytezë e tillë me disiplinë si ajo. Ishte një trysni ideologjike që të bënte t’i përkushtoheshe punës. Në atë kohë Fierza ishte 10 mijë banorë. Një qytet i ngritur enkas për ndërtimin e hidrocentralit. Ka qenë një organizim i madh dhe u bë një punë e përkryer.
Po teknologjia me të cilën u vu në punë hidrocentralit, a ishte një teknologjinë e kohës?
Po! Fierza është ndërtuar në atë kohë me teknologjinë e kohës. Teknologjinë më moderne të asaj kohe. Kjo është e sigurt. Edhe sot përdoret kjo teknologji, por me disa ndryshime të vogla dhe me mjete të tjera më moderne.
Nga janë marrë materialet në atë kohë?
Makinat 60 tonësh u blenë në Angli. Fierza ka histori të mëdha. Shumë të mëdha. Në fillim ndërtimi nisi me makina 4 tonësh kineze. Ishin makina Zis (ripotabla) që sa binte mbi karroceri dheu, apo gurët ato shqyheshin. Turbinat janë franceze. Transformatorët janë Jugosllavë. Pra u morën turbinat e prodhimit të fundit francez nga më të kërkuarat në treg në botë.
A është dënuar ndonjë inxhinier i Fierzës, për “sabotim” apo “punë armiqësore”?
Jo, nuk është dënuar asnjë.
Si ishte ndërtuar kjo qytezë?
Fierza ka qenë zonë kufitare dhe ka qenë ngjitur me Tropojën. Ka pasur male rreth e qark, kodra dhe një pëllëmbë qiell. Fierza në atë kohë kishte spital, shkollë të mesme, dhe shumë dyqane, klube. Jeta ishte gjithë gjallëri. Njerëzit kanë qenë shumë të lidhur me njëri-tjetrin. Ishte një qytet i izoluar por plot jetë dhe dashuri. Në Fierzë u ngritën pallatet pesë katëshe për strehimin e punëtorëve.
Ky ishte dallimi kryesor?
Po, dallimi thelbësor. Njerëzit e donin shumë njeri- tjetrin. Ishin si vëllezër. Ishin si një familje. Edhe copën e bukës e ndanin në mes. Ishin njerëz të dashur, punëtor, të respektueshëm, të dëgjueshëm. Sot pak njerëz të tillë gjen. i gjendeshin njeri-tjetrit në situate të vështira. Ka pasur një gjallëri të madhe Fierza në ndërtimin e saj. Dita ishte ditë, por nata ishte më shumë se dita. Kishe kënaqësi të rrije.
Në Fierzë punohej me plane apo..?
Po! Pa diskutim me plane dhe plane shumë rigoroze. Atëherë ishte e vështirë të realizohej plani. Vetëm diga e Fierzës ka 8 milion metër kub zhavorr, hekur, beton etj. Njerëzit që e kanë përjetuar Fierzën është zor ta përjetojnë më. Po të ngresh kokën të shikosh digën e Fierzës të bie kapelja nga koka.
Ka qëlluar që të ta shikojë ndonjë i huaj këtë digë gjigande?
Fierza është vizituar nga shumë turistë italianë e francezë, por vetëm me kërkesën e tyre.
Po Enver Hoxha e ka vizituar ndonjëherë Fierzën?
Jo nuk e ka vizituar asnjëherë. Por ka qenë Mehmet Shehu. Nexhmija vizitoi Komanin.
Si punohej nga inxhinierët dhe teknikët në Fierzë?
Në kohën që shkova unë në Fierzë doli që kuadrot të shkonin në bazë, ku projektuesit etj do të shkonin edhe në hidrocentral. Atëherë ka qenë një libër shumë i trashë për udhëzimet e projektit të Fierzës. Pra libër udhëzues i posaçëm. Aty ishte gjithçka e detajuar për mënyrën e ndërtimit dhe masat e sigurimit teknik. Nuk mund të hidhej beton pa firmën e projektuesve. Nuk mund të vihej asnjë skarë hekuri pa firmën e projektuesit. Pra çdo punë që bëhej me firmën e projektuesit. Kaq përgjegjësi të madhe kishte kjo punë. Fierza prandaj qëndron sot në këmbë. Po të ishte bërë ndryshe me ndërmarrjet e sotme nuk do të kishte qëndruar. Atëherë ka pasur një disiplinë të hekurt që shumë zor se mund të vihet sot. Lidhja e hekurit dhe derdhja e betonit bëhej në kushtet e sigurisë dhe përgjegjësisë maksimale. Nuk lejohej as lëvizja më e vogël. Ndërsa sot…
Po sot një shtet në Ballkan a mund ta bëjë një vepër të tillë?
Sigurisht që mund ta bëjnë. Por jo si atëherë. Në atë kohë me një vinç mbaheshin dy ndërmarrje. Dhe e bënim me kontratë 15 ditë njëri dhe 15 ditë tjetri. Pra mund të ndërtohet por vetëm me mjetet e sotme.
A kanë humbur jetën në këtë vepër kaq gjigande?
Sigurisht. E them me keqardhje të madhe. Mua shumë herë më kanë thirrur në KQ dhe shumë herë në Organizatën Bazë të Partisë për punimet. Nuk ka hidrocentral në Shqipëri të mos ketë marrë me vete 50 të vdekur. Sot shumë prej tyre nuk u dihet as varri.
Puna e Fierzës u bë shkak që ju emëruan ministër?
Jam bërë ministër rreth viteve ‘80. Dhe nuk e di edhe sot arsyen që unë u vura ministër.
Çfarë pozicioni ka pasur Petrit Radovicka në Fierzë?
Petriti ka qenë pedagog në universitet dhe ishte kryeinxhinier i kaskadës së Drinit. Petriti ka pasur një shoqëri dhe simpati të madhe me Mehmetin. Ishin dy shokë. Petriti ka qenë partizan me të. Mehmeti besonte vetëm fjalën e Petritit, pasi Petriti ishte i aftë, punëtor, besnik, inteligjent. Të tjerët as që i vinte në kandar as ministrat dhe asnjë tjetër.
Si ishin marrdhëniet e punonjësve në Fierzë me pijet alkoolike?
Kishte dy vjet e gjysmë që kishte filluar Fierza dhe puna ishte shumë e vështirë. Pikërisht në këtë kohë u ndalua një herë me vendim të qeverisë rakia dhe konjaku. Ne punonim në temperaturën -20 gradë Brenda në tunele, në inerte, në fabrikat e betonit. Ishte një punë rraskapitëse. Alkooli ishte i domosdoshëm. Por më vonë u lejua, apo u bë sikur u harrua vendimi. Nuk mund të punohej në atë temperaturë pa pak alkool. Ishte e domosdoshme pija. Atëherë s’kishte shumë lloj pijesh. Të frekuentuara ishin fërneti, konjaku, rakia.
Cilat ishin profesionet më të vështira?
Shofer. Fierza është një histori më vete. Nuk kishim shoferë për makinat 60 tonësh. Kur vinin ato bëhej zhurma sikur me ardhë kuçedra, ishin 40 makina rresht. Ishin eskavatorët që me kovë mbushnin katër metër kub. Automjetet e fundit ishin Centaura. Fierza ka qenë e pajisur vetëm me këto, pastaj u pajisën të tjerët. Vetëm shoferë mund të ishin 200. 200-300 ishin për tu zëvendësuar dhe i bie 400-500 shoferë. Saldatorët ishin të kategorisë së lartë. Punëtorët që hynin aty ishin me kategori. Prandaj rri në këmbë ajo vepër.
Çarë ushqimi kishte për punëtorët?
Fasule sa të duash, bukë, çaj. Minimumi Fierza ka pasur 2500 punëtorë. Gjithsej në pikun e saj 10.000 punëtorë. Sa qyteti i Sarandës. Fluksi më i madh i punëtorëve ishte në verë që rritej edhe më shumë sepse ishte fluksi më i madh i punës. Nëpër mensat e punëtorëve fasulja ishte natë dhe ditë. Kishte edhe ushqime të tjera si mish apo supë, makarona. Furnizimi i Fierzës me ushqime bëhej nga ushtria. Ishte e pamundur të përballohej ajo vepër vetëm me Bajram Currin.
Sot kjo vepër ka kujdesin e duhur nga ana teknike?
Jo vetëm ajo. Sot në përgjithësi është më shumë t’i gjejmë punë njerëzve. Nuk tregohet kujdesi i duhur. E di si duhet mirëmbajtur ajo digë?! Eh! Fierza duhet t’i ketë të gjithë inxhinierë ata që e shfrytëzojnë. Atëherë ishin të gjithë me kategori; shoferët, drejtuesit, mekanikët saldatorët etj. Tani i ke të gjithë me shkollë të mesme dhe me shtatë klasë..
Po riparime a i bëhen rregullisht Fierzës dhe Komanit?
I kanë bërë para një viti pas 30 e më shumë vjetësh. Ka një rregull siç është bota industriale. Siç i bëjnë makinës riparime çdo 3-6 muaj. Kështu ka qenë edhe për HEC-et. Ka qenë shërbimi i mesëm dhe shërbimi i plotë. Atëherë kishte SHT-I dhe SHT-2. Sot nuk ka më, me përjashtim makinave që kontrollohen se janë private. Sot ka një liri më shumë seç duhet. Nga ana teknike ka mungesa të theksuara. Duhen bërë provat tani që vjen dimri të hapen dhe të mbyllen portat. Të jenë lyer ato. Të shikohen mekanizmat etj.. Kur është në shtet ka dobësi të mëdha ruajtja, mirëmbajtja. Rregulloret e dikurshme nuk ekzistojnë. Privati nuk e merr. Ndaj është gjithnjë ai oreksi i privatizimit.
Pse ishte kjo përgjegjshmëri e punëtorëve në atë kohë?
Ishte edhe rregulli, por edhe frika dhe vetë sistemi diktatorial. Nga ana tjetër në ndërtim do të punoje se s’bën. Se nuk kishe ku të shkoje më. Se po të kundërshtoje asaj librezës së punës i vihej një vijë e kuqe dhe kishe marrë fund. Prandaj ka qenë edhe parulla “Të gatshëm atje ku na kërkon atdheu”. Atëherë nuk ka qenë ky oreksi për tu pasur. Atëherë nuk mund të dilje mbi të tjerët. Atëherë nuk mund të mendoje se çfarë mund të bëje. Nuk ka pasur punë private çdo gjë ka qenë e shtetit.
Kush ka qenë çasti më i vështirë?
Çaste të vështira ka kudo. Por kur punon dhe nxjerr themelin e këtyre veprave. Këto themele duhen përgatitur mirë. Nuk duhet të kenë papastërtira. Duke ngritur ujin 160 metra të filtrohet uji. Këto vepra sa të mira janë aq edhe të rrezikshme janë. Sa janë të këndshme aq edhe të rrezikshme janë.
Kush ka ardhur në inaugurimin e Fierzës?
Adil Çarçani që ishte kryeministër, pasi Mehmeti ishte vetëvrarë. Kishte dhe ministra e drejtorë të tjerë. Për Enverin s’bëhej fjalë sepse ishte i sëmurë. Ramizin nuk e kam parë në këto inaugurime. Por kur isha ministër marrëdhëniet i kam pasur shumë të mira. Ramizi nuk ka qenë i grushtit të tavolinës. Me të flisnim lirshëm. S’të bënte gjë të keqe. Mehmeti ishte më i ashpër, por shumë korrekt, i palodhur, kërkues që i respektonte të aftët.
Në kohën kur ishte ministër, a u bë ndonjë vepër tjetër industriale?
Bëmë Komanin. Aty kam qenë projektues dhe shkoja vazhdimisht dhe e shikoja. Në atë kohë ka qenë objekti më i madh që ndërtohej. Po me Fierzën nuk krahasohet asnjë vepër.
Të gjithë këta projekte janë bërë vetëm nga inxhinierët tanë?
Ç’ka qenë pjesë ndërtimore dhe mekanike janë bërë vetëm nga inxhinierët shqiptarë. Kaskada e Drinit nuk mund ta ketë më shoqen në Shqipëri. Drini është gjigand dhe i rrallë. Në Drin është bërë punë me gjak. Në Kaskadën e Drinit ka minimumi 150 të vrarë. Por hidrocentrali nuk është një godinë. Hidrocentrali ka pjesën ndërtimore, tunele, vende me ujë, etj.. Po të shkosh në Fierzë vetëm një tunel është sa një pallat pesëkatësh i lartë, dhe i gjatë 800-900 metra. Ato e çojnë ujin me shpejtësi 30 m në sekondë.
Po Komani në çfarë viti mbaroi?
Inaugurimi u bë në vitin 1982, por si punë mbaroi në vitin 1984. Dhe mbas këtij nuk është ndërtuar më asnjë vepër. Në atë kohë unë kam qenë ministër. Përgjegjësia ishte më e madhe sepse isha projektues dhe përgjigjesha për të gjithë veprën.
Po në këto dy vepra a ka pasur arrestime politike?
Jo s’ka pasur. Ka pasur njerëz që janë sëmurë dhe janë edhe sot e kësaj dite sëmurë. Nuk ka qenë e lehtë të realizoheshin këto vepra. E para kanë qenë vështirësitë e natyrës që kanë qenë të mëdha. Komani ka qenë më i lehtë në punime. Ka qenë klima më e ngrohtë.
Makineritë e rënda kush i solli në Shqipëri?
Në Vaun e Dejës kanë qenë një ekip kinezësh që e morën përsipër, ku ka qenë viti 1963-1964. Vau i Dejës në atë kohë është filluar me makina “Zis” që erdhën nga Kina dhe ishin me karroceri metalike. Vau i Dejës ka pasur volume shumë më të vogla se Fierza, pasi është në fund të Drinit. Më pas erdhën disa specialistë anglezë të cilët i cilësuan spiunë. Kontrata ishte që këta për një periudhë të caktuar do të provonin makinat në punë se sa janë rezistentë, sa e kanë rendimentin dhe sa janë të forta. Ata vetëm në mëngjes donin secili nga një shishe konjak Skëndërbeu, biftek, vezë etj.. Ata habiteshin me ushqimin e shqiptarëve. Pastaj më vonë i përzunë ata. Dhe çdo gjë mbeti me forcë shqiptare.
Po vendet fqinje Maqedonia apo Greqia a kanë hidrocentrale të këtyre përmasave?
Asnjë nga vendet rrotull nesh nuk ka më shumë se ne hidrocentrale të këtyre përmasave. Mali i Zi ka disa ndërsa shumë vende të tjera përdorin TEC-et me qymyr. Por ka shumë ndotje. Ato prodhojnë gaz karbonik që është i ndaluar. Që të kesh TEC-in duhet të kesh edhe qymyr. Mbeturinat e TEC-eve duhet vend se ku t’i hedhësh. TEC-et nuk janë ekologjik, por janë ndotës të mëdhenj. TEC-et duan fuqi të madhe punëtore. HEC-i është i pastër. Hidrocentrali ka vetëm të vështirë fillimin e ndërtimit të saj, po pastaj ajo ecën, nuk ke mbeturina, nuk do shumë fuqi punëtore etj..


Arkiva e Institutit
Si u vodhën projektet e mëdha
“Unë isha shefi i grupit të projektimit. Kisha një pjesë të projektuesve që rrinin në Fierzë. Sepse doli rregullorja që nuk mund të bëhej gjë pa firmën e projektuesit. Ajo rregullore mund të jetë në arshivën e ndërtimit. Ka qenë edhe në arshivën e institutit tonë, por në vitin 1991 arshiva u vodh, ku u morën projekte dhe gjëra të tjera. Është shumë e vështirë të gjesh llogaritjet e këtyre veprave. Mund të gjesh vetëm vizatimet, por gjithë punën që është bërë nuk mund ta gjesh në asnjë vend. Atëherë ka pas një rregull se një projekt që mbaronte, futej në disa tuba llamarine dhe çoheshin në arshivën e shtetit. Ato që ishin në punë e sipër, mbaheshin nëpër institute. Në vitin 1991 që filloi përmbysja dhe çfarë ka qenë brenda në institute është zhdukur.

Sekreti shtetëror
Përse nuk më besoi drejtori francez, kur i fola për Fierzën
Duket se dhe specialistët e huajt nuk janë njohur me punimet që bëheshin në atë kohë në Fierzë. Projektuesi i njohur i hidrocentraleve, akademik Farudin Hoxha, i pyetur rreth kësaj teme sqaron: “Në atë kohë të huajt nuk ishin njohur me këtë projekt. Quhej sekret shtetëror. Unë në kohën që do të bëhej Vau i Dejës kam qenë në Francë. Shkova në Francë në dy studiot më të mëdha të botës për studimet hidro-energjetike. Shkova në një nga këto për eksperiencë. Në një çast Drejtori i Energjetikës së Studios më rezervon një takim. Atë ishte shumë e vështirë ta takoje. Çdo takim ishte i kronometruar. Pasi më takon më thotë: “Ti vjen nga Shqipëria?” Po, i them unë. “A keni bërë ju më thotë vepra të mëdha në Shqipëri?” – më pyeti. Kemi bërë, i përgjigjem unë. “Çfarë madhësie kanë?” Unë e orientoja duke ia shpjeguar. Komunikoja në frëngjisht. i thashë për lartësinë e digës së Fierzës. Ai thartoi buzët. “Ti me siguri nuk e di mirë gjuhën frënge që më thua këto shifra. Dua që të mi shkruash të gjitha këto që më thua” – nuk më besoi ai. Ja shkrova. Buzëqeshi hidhur. Tundi kokën me mosbesim të theksuar. U detyrua të njoftojë sekretaren. i tha që të më kërkojë t’i shkruaja edhe njëherë të dhënat e Fierzës. i shkrova. Duket nga padurimi apo mosbesimi m’u drejtua: “Ti ose se di mirë gjuhën, ose të kanë kërkuar apo detyruar që tek unë të bësh propagandën e shtetit”. Unë i shpjegova se e kisha të vështirë që të t’i thosha ndryshe. “Por ju ftoj që të vini t’i shikoni në Shqipëri. Fierza është një nga veprat më të mira që ka bota”, i sugjerova në fund.


DETAJE NGA INTERVISTA

Pse ndodhi përmbytjet sot
“Nuk i përmbytën hidrocentralet. Njerëzit i interpretojnë gabim ngjarjet. Duhet të jemi realist. HEC-et nuk mund ta mbajnë të gjithë këtë ujë që bie. Në Drin në atë periudhë erdhën 4200 metra kub. Kur vjen periudha me shumë shira kaskadat nuk kanë ku e çojnë ujin e tepërt dhe e shkarkojnë dhe bëhen përmbyten. Përmbytja më e madhe është bërë në vitin 1962, ku erdhën 5500 metër kub. Uji i Drinit nuk vjen vetëm nga Shqipëria vjen nga 48 mijë km katror tokë që rrjedh ujë në territorin shqiptar. Këtu formohen edhe prurjet e mëdha. Kur shkrin bora është e paevitueshme që do të kesh prurje të mëdha. Kaskada lehtëson përmbytjet. Merr dhe mban dhe disa mijëra metra kub ujë”.

Çastet e vështira si ministër
“Dy herë në muaj do të raportonim në mbledhjen e qeverisë. Çdo 2-3 muaj ishte mbledhja e Byrosë Politike. Gjëja më e mirë ishte se s’kishe nevojë të mbaje dietë që të dobësohej. Në një nga këto mbledhje të qeverisë apo një paraqitje në Byronë Politike bije në peshë katër kg. E vërtetë, i kishe të sigurta që bije nga pesha. Ministrat e sotëm janë mbretër në postet e tyre. Ata kanë në dorë ministrinë që e mbulojnë. Shtojnë organikë. Zvogëlojnë. Emërojnë. Kanë makina luks. Kanë vetëm lehtësira dhe privilegje. Atëherë ministër ishte vetëm përgjegjësi. Këto njerëz kanë punuar në mënyrë heroike me të vërtetë. Atëherë punonte një dhe mbante dy veta”.

Rrugët në krahasim me digat
“Po të marrësh rrugën Durrës-Kukës, është e shkëlqyer, e ndërtuar shumë mirë, por është një vepër e shtrirë në 200 km. Në ndërtimin e Fierzës ishte e gjithë puna e grumbulluar, tunelet, vinçat, sallat, makineritë etj. Në Fierzë nuk shikohet asgjë tjetër, as tunelet, as zhvendosjet, as makineritë. Shihet vetëm diga, ndërtesa e centralit dhe çdo gjë është në tokë. Dihet që një metër nën tokë temperatura nuk lëviz, por puna aty ishte qindra metra nën tokë. Fierza në kohën që është ndërtuar ka qenë në krye të veprave të Europës. Revista “IGOL” tregon ndërtimin e digave më të larta. Është. Atje tregohej se Fierza është në krye. Kur ndërtohej Fierza tregohej sa kanë qenë apo jo 7-8 në të gjithë botën”.

Si cilësohen Fierza apo Komani sot
“Po të prishet Komani, Fierza dhe Vau i Dejës, përmbyset më shumë se gjysma e Shqipërisë. Këto vepra janë lënë shumë mbas dore. Kaskada e Drinit jep çdo vit gjysmë milioni dollarë fitim për shtetin. Në rastet kur ka reshje ajo prodhon maksimumin. Minimumi i saj është 40 vjet që punon, e sa do të punojnë akoma. Interesi është që të mbahen ato. Që të mirëmbahen ato duhet të vihen njerëzit e posaçëm që t’i përmbajnë. Këto vepra duan përkushtim e ndërgjegje. Njerëzit nuk duhen parë nga bindjet politike, por nga aftësitë e të vihen në shërbim të veprave të mëdha. Prodhimi i energjisë së vendit mbahet nga këto dhe kur ka thatësirë importohet”.





x