Wednesday, July 20, 2016

"Martin Iden", ja përse duhet lexuar ky roman i shkruar nga Xhek London

Xhek London mbase nuk është shkrimtari tipik i parapëlqyer nga unë, por gjithsesi ai i ka dhënë botës letrare një vepër universale si romani “Martin Iden”. Kjo vepër është një gur kilometri, i cili duhet lexuar nga kushdo që pretendon se kërkon të ketë një formim letrar. Martin Iden, personazhi kryesor i romanit është një njeri krejt i rëndomtë, me një arsim të përgjysmuar e fjalor të kufizuar, që e siguron jetën nëpërmjet punës së lodhshme në det. Ai bie në dashuri dhe fejohet me Ruthin, një vajzë të shtresës së pasur. Një lidhje e tillë nuk shihet me sy të mirë nga askush. I vënë përballë një presioni të tillë, Martin Iden, me një vullnet të jashtëzakonshëm, jo vetëm përmirëson performancën e tij të sjelljes dhe të të folurit, por zbulon se brenda vetes ka dhuntinë e një shkrimtari. Me qëllim që të ngjitet në pozicione më të larta shoqërore,  dhe të jetë i denjë pranë të fejuarës së tij, ai braktis punët e thjeshta dhe i përkushtohet krijimtarisë letrare. Një gjë e tillë e fut dhe në një kolaps ekonomik. Mbas disa vitesh të dëshpëruara përpjekjesh, në përballje me gjithfarë sfidash e situatash, Iden humbet dhe motivin e jetës së tij, dashurinë e Ruthit. Pas kësaj goditjeje vijnë ditë të mbara. Krijimtaria e tij merret përsipër nga shtëpitë më të njohura botuese. Ai bëhet një shkrimtar i famshëm, gjë që i solli dhe shumë pasuri. Por e gjithë kjo përpjekje titanike e tij u shndërrua në një flluskë sapuni. Martin Iden i zhgënjyer nga gjithçka i jep fund jetës së vet. 
Ky libër më ka mbetur në kujtesë sepse e kam lexuar në një moshë kritike, jo më shumë se 14 vjeç, dhe në njëfarë mënyre u bë një busull orientuese.  Për mua nuk merr rëndësi fundi i romanit, zhgënjimi dhe vetëvrasja e personazhit kryesor. Mesazhet që unë kam marrë ishin ato të ambicjes dhe të vullnetit të jashtëzakonshëm të një njeriu, i cili nga asgjëja u ngjit në majat më të larta të shoqërisë. Ky besoj duhet të jetë një motiv për cilindo. Prandaj duhet lexuar “Martin Iden”.

Botuar në revistën GRAZIA - korrik 2015