Tuesday, May 12, 2020

Universi i Vath Koreshit, letërsi në të gjitha dimensionet



Nga Leonard Veizi
 
Vath Koreshi nuk ishte një shkrimtar i zakonshëm, të cilit qoftë prej mediokritetit apo mosthënies së asgjëje me vlerë në fushën e letrave, do t’i ishte harruar emri mes rreshtash, apo do t’ia kishte varrosur veprën një pluhur bodrumesh në bibliotekat e lagjeve. Por, në fakt, ai ishte Shkrimtar, me plot kuptimin e fjalës, dhe si i tillë as që mund të priste një prapashtesë mbështetëse, fjala vjen: i talentuar, i madh, i shquar, apo i jashtëzakonshëm…  Pse, tituj për Vathin ishin këta? Për Vathin që dukej hijerëndë e thuajse kozmik në pamje të parë, por që ishte aq i thjeshtë e njerëzor, nëse e njihje nga afër. Ai ishte shkrimtar, dhe kaq duhet për t’i pasur mbi vete të gjitha, titujt zyrtarë dhe ata verbalë…
 
… Ka bërë letërsi në të gjitha dimensionet. Krijimtaria e Vath Koreshit është shumë e begatë, po të kemi parasysh tregimet, novelat, romanet, skenarët e filmave dhe dramat, të cilat ai i ka përshirë në të gjithë krijimtarinë. Në të gjallë të tij me shumë gjasa nuk do të pranonte ta cilësoje si të tillë, por në heshtjen e tij mbi tokë kemi të drejtë të themi se ai ishte ndër shkrimtarët elitë të prozës shqipe, për të mos shkuar më tej. Kritika është shprehur se si shkrimtar kishte ardhur gjithnjë në rritje, duke perfeksionuar mënyrën, këndin e vështrimit të realitetit dhe duke e rritur cilësinë artistike të prozës. Pas viteve ’90, ndryshe nga shkrimtarët e tjerë që nuk u shkëputën dot plotësisht nga realizmi socialist, ai krijoi vepra krejtësisht të tjera me konflikte të ashpra, me ide universale, me mesazhe njerëzore, duke dhënë në këtë mënyrë një kontribut të jashtëzakonshëm në letërsinë shqiptare.
 
Krijimtaria
Koreshi punoi si gazetar te “Zëri i Rinisë” dhe më pas, te “Drita”. Është autor i disa romaneve, novelave e vëllimeve me tregime si “Dy të shtunat e Suzanës”, “Mali mbi kënetë”, “Requiem për një grua”, “Haxhiu i Frakullës”, “Dasma e Sakos”, “Konomea”, “Një grua me të verdha”, “Rrugë për larg”. Ai gjithashtu është skenarist i së paku 20 filmave si “Liri a vdekje”, “Balada e Kurbinit”, “Syri Magjik”, “Dasma e Sakos”, “Besa e kuqe”, “Rrugë të bardha” etj. Ndërsa romani “Ulku dhe Uilli”, i cilësuar si një nga më të mirat e tij, është krahasuar nga kritika në lartësinë e veprave më të mëdha të letërsisë shqipe. Ndonëse në pak më shumë se 100 faqe, autori përmbledh me mjeshtëri dhe gjetje gjuhësore konfliktin e fshehtë mes moralit fetar dhe fetar dhe mëkatit njerëzor.
 
Në politikë
Në vitet e fundit të jetës ai ishte deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe, sipas meje, kjo ishte ndoshta puna më me pak vlerë që ka bërë në jetë, ngaqë para kësaj, si skenarist i dha filmit shqiptar disa nga kryeveprat e tij. Mjafton të përmendim “Gjeneral gramafoni”. Pa dyshim, politika ka gjithmonë nevojë për njerëz si Koreshi, dhe artistë të angazhuar ka pasur në të gjithë historinë njerëzore. E, megjithatë, një shkrimtar klasi si Vath Koreshi ka marrë përgjegjësi të mëdha kolektive mbi vete. Ka qenë drejtor në ministri, ministër gjithashtu, por dhe ligjvënës në sallën e Kuvendit.
 
Lindja dhe vdekja
Për lindjen është e lehtë të flasësh, për vdekjen jo dhe aq. Vath Koreshi u lind në Lushnjë, më 7 maj 1936. Por në 2 shkurt të vitit 2006, vetëm tre muaj para se të mbushte 70 vjeç, ai u nda nga jeta. Ishte larg  familjes. Ndodhej në Itali, i shtruar në një spital të Romës. Gjendja e tij shëndetësore kishte probleme serioze, por ai vetë ishte plot kurajë. Alket Koreshi, djali i tij që e shoqëroi në udhëtimin e fundit, gjatë një interviste që më ka dhënë 14 vite më parë, dhe të botuar nën titullin: “Ju rrëfej Vath Koreshin, shkrimtar dhe njeri”, është shprehur se natën e fundit kishin folur së bashku mbi planet e së ardhmes. Vathin e priste në shtëpinë e tij në Shqipëri, tavolina e shkrimit, ku vazhdonte të kishte punë të pambyllura. Por një sulm kardiak do t’ia priste në mes gjithçka.
 
Epilogu
Vdekja e shkrimtarit. Që nga ky çast, trishtimi i përmortshëm me një masë qetësindjellëse të papërfillshme, përzihet ndjeshëm me të vetmen gjë që të vjen në mend krejt rrufeshëm: Vepra e shkrimtarit.
 
Njeriu që nuk rreshti së shkruari
Prej vitesh Vath Koreshi nuk është midis nesh. Fat i mbrapshtë… S’i kishte mbushur ende 70 vjeç dhe, as së shkruari nuk kishte ndalur për ndonjë çast. Ndërsa tanimë… Pra s’mund të pimë kafe më me të dhe as të bisedojmë rreth më të fundmit lajme. Dëshpërimisht. E veç familjes,  askush nuk mund ta ndiejë këtë më shumë se njerëzit e artit e të letrave. Sa për politikën… eh… këtë herë nuk po e zëmë në gojë. Është një prerje jo fort e përshtatshme për një njeri që u është kushtuar letrave. Për më tepër kur dimensioni i tij i kalon ato që ne i quajmë “kufijtë”, por që në fakt nuk janë veç imagjinatë e mbindërgjegjes njerëzore.
Lajmi për vdekjen e shkrimtarit rrugëtoi ethshëm nëpër linjën e detit, me një shpejtësi të skajshme, për të ardhur nga Roma në Tiranë vetëm për një të qindtën e sekondës. “Ndërroi jetë”. Pastaj shpërndarja e fjalëve në një gjysmë zëri ishte po aq e shpejtë për të ardhur tek secili nga ne me pasigurinë e një lajmi që në fakt nuk duhej të ishte i tillë. Një klithmë habie dhe pastaj heshtje… për ta marrë mbi vete masën e plotë të vërtetësisë se diku atje, në shtratin e një spitali të largët, të një toke të huaj, Vath Koreshi kaloi çastet e fundit. Zemra ishte lodhur. E gjitha kjo ndodhi në fare pak çaste, aq sa dhe vala telefonike kish përçuar negativitetin e atyre fjalëve. Dhe si kishte kaluar e gjitha kjo, vjen një çast i ri. Janë fragmente romanesh, skenarë filmash, personazhesh, të montuara si mbi një shirit magnetik. Është gjithçka që i përket atij, shkrimtarit Vath. Dhe vetëm pak më vonë, ndërsa kufoma ftohej mbi shtratin e morgut, askush nuk bindej me vdekjen e tij. Jetonte vepra.
 

No comments:

Post a Comment