Friday, May 1, 2020

Këshilltari


Nga Leonard Veizi

Çfarë zanati mund të bëja përveç gazetarit? Po vija vërdallë në tregun e madh, ku herë isha në punë e herë mbetesha pa punë. Por e mira ishte të kisha dy punë që për çdo rast eventual të isha i mbrojtur. Dhe i kërkova mendje një mikut tim të vjetër.
-Ti, je i prerë për këshilltar, - më thotë ai gjatë bisedës sonë informale ku po pinim një kafe 700-lekëshe.
-Jo, se këshilltarët përfundojnë keq, - ia ktheva unë, duke i kujtuar sekuencën e ekzekutimit te filmi “Këshilltarët”, ku i vetmi që shpëtoi duke u hedhur në greminë ishte Çim Xhepa.
Mirëpo sentenca që “Një budalla hedh një gur në lumë...” nuk është pa gjë. Dhe mua filloi të më brente fort ky fakt. Këshilltar. Jarebi. T’ia kisha arritur kësaj dite vallë?! Hajde titull hajde.
Nisa të mbledh të dhëna për këshilltarët. Toni Bler ishte këshilltar i Edi Ramës. Epo burrë me mend tjetri. Ja të jesh në këto nivele e ti thuash jetës: ik pirdhu.
Marr një takim tjetër me mikun që ma këshilloi, këtë herë në formë zyrtare. U ulëm në një kafe të mirë 1200 lekë copa, e si për ta shtruar muhabetin morëm dhe nga një uiski me akull.
-Këshilltar i kujt mendon të bëhem? Se më kanë thënë që vendet janë të zëna, - hapa bisedën unë.
Tjetri e kishte përgjigjen në majë të gjuhës e s’kishte nevojë të lagte gurmazin me uiski pasi të kishte pirë dhe kafenë, derisa mendimi t’i shndriste mbi kokë.
-Këshilltar i ndonjë drejtori. Fjala vjen, i atij të ujësjellës-kanalizimeve, ose pastrim-gjelbërimit. Mbase dhe i tatim-taksave. Por ka dhe të tjerë...
Drejtori? Pse more edhe drejtorët kanë nevojë për mend? Apo t’i ndihmosh si të bëjnë ndonjë pisllëk të vogël e të kapin ndonjë lek. Ndërsa ti të dalësh tek “arra e Tares”. Ja këtu nuk po më dilnin llogaritë. Se për çfarë këshillash mund të këtë nevojë një drejtor, apo si të kapi peshk me fildispanjë?
-Edhe ata kanë nevojë për mend, posi. Pastaj, mos vrit lart, mos u ngatërro me ministra e burra shteti. Mbaj nivelin e dytë dhe je rehat fare.
Dale një herë ta marrim shtruar, se një fjalë goje është. E kush na qenka ky drejtor që paska nevojë për t’i dhënë mend. Ç’i duhet këshilltari? Mirëpo sado pyetje të bëja unë, një përgjigje rezistente do ta kisha gjithsesi.
-Pse shqetësohesh mor vëlla? Ua përmban organika, - u mundua të më qetësonte miku im. -  Pastaj si të duken drejtorët ty? Ata kanë sekretare, këshilltar, zëdhënës shtypi... Ehu, sa ka zanati.
E drejtë. Duhet të mësosh zanatin dhe vetvetiu merr vesh dhe të fshehtat e tij.
Kisha mbetur si tuhaf e të më kishte parë njeri në atë situatë me siguri do të qeshte me surratin tim fort të habitur.
-Po çfarë punë bëjnë drejtorët? – bëra unë pyetjen më të pavend.
Tjetri ngriti supet me nervozizëm në tentativë të një përgjigje sa më sinjifikative.
-Drejtor, - tha shkurt, dhe meqenëse nuk kishte argument shtesë ktheu uiskin me fund.
Nisa të shmangesha. Po e kuptoja që nuk e haja dot punën e këshilltarit unë. Por mbase dhe nuk bëj për këshilltar, nisur nga gjatësia 176 centimetra i gjatë. Se për peshë isha mirë, e kisha kaluar njëqindëshin.
Tjetri më pa me dyshim.
-Tani... e mira ishte që të ishe ca më i gjatë, se puna e prezencës të merr në qafe. Se po të jesh 158 centimetra i gjatë nuk të qasin as te pragu i derës, jo më këshilltar.
Dilema ishte e madhe. D.m.th, veç gjatësisë duhet të ishte dhe ca i palestruar, i veshur firmato, si dhe të kisha ca aksesorë të tjerë. Mbase duhet të mbaja dhe kravatë. Pastaj erdhëm tek thelbi i çështjes. Çfarë punë bëjnë këshilltarët? Përfundimisht kjo pyetje e la pa gjuhë mikun tim.
-Si çfarë pune bëjnë, po ja, i japin mend atij të madhit.
Ç’thua ore? Unë do t’i jepja mend drejtorit. Po përse: si të lidhte ushkurin e brekëve??? Se ç’mund t’i thosha tjetër.
Këtu u trash muhabeti.
-Të mëson puna vet, - më tha tjetri, si për t’i vënë kapakun muhabetit.
Po mor po, po rroga duhet justifikuar. Se si mund ta hedhësh firmën në bordero vetëm se i ke thënë drejtorit: "Mirëmëngjesi zoti drejtor", dhe i ke ndezur cigaren pa hedhur mirë këmbën brenda institucionit.
-Shumë pordhë paske byrazer, - ma pat miku im. - Po na jep dhe nga një uiski tjetër se kështu si e ke nisur do mbetesh pa punë fare.
Truri filloi të më punonte me xhiro të shpejta. Dhe ndjeva se isha fare pranë zgjidhjes. Nuk mund ta lija shansin të më ikte nga dora.
-Njoh një kamerier që është bërë drejtor. Ia gjeti anën se është lëpirës i paparë, aq sa po i pate duart e zëna të ndihmon të hapsh zinxhirin e dyqanit e të bësh shurrën. Dikur i lija ndonjë 200 lekësh për sevap, se flinte në një konvikt pa dush, mavria. Tani, burrë muti është, se çfarë do presësh nga kjo lloj haleje, por mbase i shkrep në kokë e më bën këshilltar.
Uiski erdhi në tavolinë shoqëruar dhe me kikirikë që kullonin vaj.
-E sheh kur sforcohesh e je nën presion, tani të erdhën trutë. Dhe ta dish mirë që kamerierët i mbajnë mend klientët bujarë, - më dha kurajë miku im dhe mori gotën në dorë gjithë solemnitet. - Ja gëzuar dhe ta mbash me nder emrin KËSHILLTAR.

No comments:

Post a Comment