Saturday, December 26, 2020

Leonard Veizi, tregimtar me forcë të madhe psikologjike


 
Shpendi Topollaj

Kanë kaluar gati pesëmbëdhjetë vjet qysh kur miku im Leonard Veizi, më pati dhënë një librin e tij me tregime. Qysh atëherë kuptova se ai i njihte mjaft mirë teknikat e të shkruarit dhe i dhashë të drejtë kritikut sqimatar Virgjil Muçi kur shprehej për të se “Me gjithë karrierën e gjatë si gazetar në shtypin e shkruar, ma do mendja që Leonard Veizi s`kish për ta krijuar dot një kuadër me ngjyra kaq të gjalla e kaq ekspresiv të realitetit sa ç`arrin ta krijojë me prozën e vet fikcionale dhe t`ia përcjellë lexuesit”.
Jo se s`kisha se ç`të lexoja, por duke ndierë një detyrim për këtë autor që bën kaq shumë për të promovuar krijimtarinë e të tjerëve, ju ktheva edhe një herë librit të tij, me synimin që të jap gjykimin tim modest, edhe pse e di se ai ndërkohë e ka shtuar së tepërmi kolanën e veprave të veta. Janë gjashtë tregime të gjata që ai i ka përmbledhur, por do të ndalem posaçërisht te njëri prej tyre, ai që ndofta ka qenë më i pëlqyeri edhe prej tij, po të nisemi nga fakti se me atë emër, ka titulluar edhe librin në fjalë, pra “I dënuar me vdekjen”.
Ai që e njeh nga afër Leonardin, pa tjetër që e ka fiksuar mirë urtësinë, modestinë, shikimin e ëmbël të syve të tij, edukatën dhe në tërësi mirësinë që rrezaton ajo fytyra e këndshme. Veç, kur kujton edhe kulturën e tij të gjerë, askush nuk çuditet kur vëren gjithë atë shpërthim psikologjik në tërë krijimtarinë e tij, ç`ka duket fare qartë edhe te tregimi i sapopërmendur. Ndodh shpesh që shkrimtari zgjedh tema që vetë as i ka parë dhe as i ka përjetuar. Dantja, Ferrin, Servantesi, Don Kishotin, Zh. Verni fundin e botës, Gogoli, shpirtrat e vdekur, dikush u mor me temën historike të shekujve më parë e dikush me yjet, ku e di mirë se nuk ka për të shkuar ndonjëherë. Por gjithsesi, të gjithë këta, talenti dhe aftësia e për të fantazuar, pra për të parë përtej njerëzve të zakonshëm, i bëri aq të lexueshëm, sa ua ngriti famën deri në përjetësi.
Edhe shkrimtari Leonard Veizi e ka vënë veten në rolin e një të dënuari me vdekje që pret ekzekutimin nga çasti në çast. Kuptohet, se kjo nuk është aq e lehtë. Ky mund të ishte një mundim për gjeninë e Stefan Cvajgut, sidomos po të kemi parasysh pragvdekjet e mbretëreshave në romanet e tij, gjendjen tepër të rënduar emocionale të tyre, kur prisnin xhelatin t`u hiqte kokën. Natyrisht që personazhi i vetës së parë të Leonard Veizit, nuk është i këtij rangu; ai mund të jetë si shumica, por dashuria për jetën edhe për të është po aq e çmuar sa ajo e mbretërve dhe mbretëreshave. Edhe për të vlejnë fjalët e Woodi Allen se “Nuk frikohem nga vdekja; vetëm nuk dua të jem aty kur të ndodhë”. Ma do mendja se edhe vetë Lukiani, iluministi greko – sirian i botës antike, kur shkroi atë traktatin e tij “Mbi pikëllimin”, ku e quante vdekjen shpëtim, për të mos thënë gëzim, nuk ka menduar ashtu kur ajo i erdhi te pragu. Ndaj mendoj se Leonardi kur ka vendosur të merret me atë që pret vdekjen, së pari, ka guxuar. Ka guxuar dhe ja ka dalë me sukses të plotë.
Ai nuk u referohet psikanalistëve apo sociologëve, por e përshkruan gjendjen e të dënuarit, nëpërmjet një rrëfimi, sikur të kishte qenë ai vetë në atë pozicion të vështirë. Të dënuar me vdekje gjatë shekujve ka pasur pafund. Madje ka edhe sot e kësaj dite, nga ata që me faj apo pa faj, presin litarin a plumbin. Për fat të keq edhe te ne ka pasur shumë të tillë. Por s`duhet harruar se sido që ta kenë pasur punën, cilido të ishte faji i tyre, i vërtetë apo i supozuar, ata ishin njerëz. Dhe si të tillë, u dhimbsej jeta dhe e kuptonin se do ndaheshin prej saj dhe të mirave e bukurive që ajo servirte, një herë e përgjithmonë. Ka pasur pa tjetër, nga ata që edhe u është falur jeta në çastet e fundit. Por atë që kaluan në pritje të marrjes së jetës, ndofta nuk e kanë pasur të gjithë aftësinë për ta rrëfyer, sidomos artistikisht. Ndaj këtu, hyn në rol, shkrimtari. Dhe sa më i zoti që të jetë ai, aq më i besueshëm është dhe tregimi i tij.
Po ta shohësh në pamje të parë, i dënuari me vdekje i Leonardit, nuk ka profil, as moshë, as kohë, as vend e për më tepër për dënimin e tij, nuk dimë nga ç`akuzë vjen. Këto janë pa tjetër të rëndësishme, por autori ka preferuar t`i anashkalojë. Dhe këtë e bën me qëllim, si një mjeshtër i narracionit, i cili nuk do ta shmangë lexuesin nga ideja kryesore. Ai ndalet te gjendja shpirtërore e të dënuarit, te ankthet e makthet që i vinë ndërmend. Ai edhe vetë, duket se ka harruar përse është dënuar aq rëndë. Njeriu kalon situata të kokolepsura kur është i lirë e jo më kur i mbyllur në qeli “ku – siç shkruan autori – hapësira e lirisë ishte më e ngushtë se vetë kuptimi i fjalës burg”, pret pas hekurave litarin, plumbin, gijotinën, injekcionin, ose… Oh sa shpikje për të vrarë. Kë do zgjidhte ai, sikur t`ja linin atij në dorë. Dhe i merr me radhë, por asnjëra nuk ishte e pranueshme, se fundja njësoj do të ishte.
Ai arsyeton; “Do të më vrasin. Vdekja ime s`kishte të bënte as me hakmarrjen dhe as me ndjenjën e gjaknxehtësisë. Aty hynin ligjet, nenet e pafundme të kodit penal dhe dikush tjetër krejt gjakftohtë, si të bënte gjënë më të zakonshme në botë, do të më vriste pa ju dridhur dora aspak”. Dhe pastaj “Gjaku im do të shpërthente si burim dhe do të spërkaste duart, rrobat, shpirtin e tij”.
Pra, të dikujt që as e njihte fare. Por që atë detyrë kishte; me të ushqente fëmijët. Hej! Si është ndërtuar kjo botë! Por, ndofta edhe mund ta plagosnin, se fundja ç`mund të kishin pushkatarët me të. Çfarë u kisha bërë unë? Do e mjekonin dhe do i falej jeta. Dhe aty për aty kthjellohet: “Idiot! Ku s`të shkon mendja”. Por mendja kështu e ka; plot dëshira e trille nga më të çuditshmet. Dhe prap, se nga del një rreze shprese. Kushedi… vjen dikush dhe i komunikon faljen e jetës, kthimin e dënimit me burgim të përjetshëm. Se ai do pranonte edhe me një dorë, edhe me një këmbë mangut, edhe gjysmë trupi, vetëm të jetonte, qoftë dhe gjithë jetën në burg. Ku nuk e shpie imagjinata. Dhe kujtohet se ndërsa gjykohej, përhumbej para bukurisë së gjyqtares.
Sugjestionohet nga ajo bukuri e mbuluar me togën e zezë, dhe beson se nuk ka mundësi që ajo ta dënojë me vdekje. Por ja që kjo ndodh dhe atij i duket e shëmtuar dhe për më tepër e quan kurvë. Kishte tjetër plan; kur të kryente dënimin do e thërriste për një darkë dhe kushedi, ndofta… Mundet dhe Presidenti të bëjë diçka. Por a do ta lënë punët e shumta e shkresurinat që të merret me kërkesën e tij. Sikur ta bënte, do t`i shtërngonte dorën. Por a do të ishte përsëri po ai President. Dhe a do të kujtohej për firmën që kish hedhur dikur për të. Sa pyetje të vështira e mundonin. Dhe përsëri largohej nga ëndrrat.
Isha tepër i rrëmujshëm në ato që mendoja dhe që duhej të mendoja. Çdo minutë që ikte ishte ankth. Në jetën time të shkurtër kisha lënë pa bërë shumë gjëra, duke menduar se jetën e kisha përpara ndaj nuk duhej të ngutesha. Ndërsa tani më duhej të haja inat me veten, se përse kisha menduar ashtu”. Duhej ta priste me gjakftohtësi vdekjen.
Elioti diku ka thënë se “Vdekja ka qindra duar dhe ecën nëpër mijra rrugë”. Por, duket se Leonardit i dhimbset i dënuari pa emër dhe pa identitet. E le lexuesin vetë të abstragojë; duke i bërë veshët fatkeqit se po dëgjon hapa gardianësh. Ata ndofta po vinë për tjetër kumt, por atij atje i rri mendja, tek ekzekutimi. Atje i rri mendja edhe atij që e lexon këtë tregim të gjatë, ku pa asnjë invektivë (invectiva oratio), ashtu urtë e butë, dëshmohet e vërteta e madhe se shkrimtari me talent të spikatur, siç ngjet me Leonard Veizin, ka fuqinë t`i shndërrojë edhe ato që i servir imagjinata, në realitete tronditëse.


Friday, December 25, 2020

Për pak besim më shumë në fundvitin e festave të trishta


Nga Leonard Veizi
 
Atmosfera e festave të fundvitit si rrallëherë është tejet e vakët. Lëvizjet e njerëzve janë më të kursyera. Madje ndonjëherë të duken krejt “slow motion”, si në një film të vjetër ku nuancat janë zhbërë me kohë për t’u trajtësuar në të njëjtën ngjyrë, atë të një kafeje të zbehtë.
A është ky një pesimizëm i theksuar?
Varet se si kërkon ta shohësh gotën: bosh, për shkak të gjysmës bosh, ose plot, për shkak të gjysmës së mbushur.
Megjithatë ky fundviti nuk karakterizohet nga entuziazmi. Eufori të cilën nuk e humbëm as në vitin e mbrapshtë 1997, ku festat në mungesë të fishekzjarrëve i përshëndetëm me krisma armësh.
Sot, nëpër markata lagjesh nuk ka më blerje me shumicë e furnizim kuzhine me gjela të patherur si dhe asortimentet përbërës për një sallatë ruse masive. Dhe mbi të gjitha, ky është një fundvit pa ftesat bujare për ahengje padiava që stisnin qendrat e punës, ku kërciste dollia e rakisë me damixhanë për sukseset në realizimin e planit e zotimeve dhe ku kërcehej pogonishtja, vallja e Kukësit bashkë me...  Zorbën greke.
E megjithatë, qytetet janë zbukuruar me të njëjtin dekor si dhe një vit më parë. Ndërsa nëpër xhamat e vitrinave të lokaleve nuk mungojnë pankartat me urimet për Krishtlindjen dhe Vitin e Ri.
Por duket sikur pas shkëlqimit të dritave që rrethojnë pemët e bulevardeve dhe të atyre që ndriçojnë në bredhat e mbushur me pambuk, është shtrirë një vel trishtimi. Dhe kjo ka të bëjë me pasigurinë e së nesërmes.
Sepse fasada mbetet fasadë.
Njerëzit po humbasin besimin se gjithçka do të rregullohet e do të jetojmë si më parë. Pasi prej një viti na thuhet çdo ditë në vesh se pas kësaj, asgjë nuk do të jetë më si më parë. Që do të thotë se dhe kur nuk do ta besosh, fillon dhe e beson.
Prej kohësh nuk po marrim më lajme të mira. Ose dhe kur i marrim, nuk na le kush t’u gëzohemi. Pas lajmit të parë lehtësues që në botë u shfaq vaksina anti-Covid erdhi lajmi i dytë trishtues ku flitej se Shqipërisë nuk i dihej se kur do t’i vinte radha për furnizim, ndaj duhej bërë durim në bashkëjetesën e vështirë me virusin. Pas lajmit tjetër se Shqipëria ka bërë parapagimin dhe se vaksinat do të mbërrijnë nga janari i vitit të ri, vjen lajmi tjetër po aq zhgënjyes, që Covid ka pësuar një mutacion, i cili ka veti përhapëse më të shpejtë se ai me të cilin ishim miqësuar këto kohët e fundit.
Bëhuni gati për valën e tretë.
Pra, nuk arrijmë të gëzohemi dot. Sepse pas një lajmi të mirë, kemi një lajm tjetër po aq të keq. Megjithatë duhet besuar se një ditë gjithçka do të marrë fund dhe “virusi” si të mbarojë të gjitha ato që ka në axhendë, do të zhduket e do të na lërë të qetë.
Besimi është si një rreze dielli, sjell dritë në dritën e zbehtë të jetës, ndriçon gjithashtu me shkëlqimin e ëndrrave atje ku zakonisht urdhëron errësira e realitetit”, shkruante së fundi në esenë e tij shkrimtari italian Antonio Galdo, i cili është dhe gazetar gjithashtu. Dhe duke dashur të dekodifikoj këtë sentencë të thjeshtë në dukje, më duhet të pranoj me shumë dhimbje realitetin e errët. Pastaj, që besimi sjell atë pak dritë e cila arrin të çajë errësirën, është një tjetër temë, që ka të bëjë me euforinë e optimizmit.
Në fakt, na duhet të kemi më shumë besim. Dhe nëse na mungon, na duhet ta stimulojmë atë në vazhdimësi.
Po jetojmë ditën e një realiteti të errët. Sepse dhe jeta e natës ka marrë fund prej kohësh. Edhe nëse je më kokëfortë dhe do të thyesh rregullat, nuk ke ku të shkosh, pasi me vendim qeverie pas orës 08.30 të mbrëmjes nëpër rrugë mund të lëvizin makinat e policisë, autoambulancat si dhe ndonjë i vonuar që gjithsesi ka aplikuar në e-Albania për leje të posaçme.
Gjithçka është e mbyllur. Me terminologjinë e kohës tanimë cilësohet: lockdown.
Edhe në vitet e Luftës së Dytë Botërore, njerëzit kishin më shumë besim se bataretë e armëve dhe bombardimi i qyteteve me avionë do të përfundonte një ditë. Ndërsa në kapërcyellin mes viteve ‘20 e ’21-të të mijëvjeçarit të ri po flitet për ekzistencën njerëzore. Padyshim që kjo është një marrëzi e madhe, por nuk është një temë tabu gjithashtu.
Viti 2020 na surprizoi në të keqen e saj. Por askush nuk është në gjendje të parashikojë se çfarë do të ndodhë në vitin e ardhshëm 2021, ku pretendimi i parë konspiracionist apo jo i tillë flitet që, sapo të kalojnë ditët e para të janarit do të futemi në një valë të tretë të sulmit që Coronavirusi, me të gjithë mutacionet e saj, do të sulmojë qenien njerëzore.
Na duhet më shumë besim në këto ditë të trishtuara, ku lajmet për Krishtlindje të gëzuara dhe ato për bllokimin e automjeteve të transportit të mallrave në kufirin mes Francës dhe Britanisë, na transmetohen në të njëjtën paketë me ambalazh shumëngjyrësh e të mbledhur me fjongon e kuqe të shtrënguar kryq.
Po jetojmë ditë të tilla “festive” ku edicionet e lajmeve nuk hapen më me darkat e bamirësisë së politikanëve shumëllojësh, por me numrin e të infektuarve me Covid-19 dhe atyre që ndahen nga jeta e të gjallëve. E për më tepër se kaq, panelet e emisioneve post lajme, janë të mbushur me mjekë infeksionit, epidemiologë dhe specialistë statistikash, që na informojnë në mënyrë të vazhdueshme rreth virusit mutand dhe barrierave që i duhen vënë për të frenuar përhapjen, nga lëvizja e lirë e njerëzve, mjeteve tokësore dhe atyre ajrorë, deri tek barriera që vendoset para hundës së secilit prej nesh e që në fjalorin e përditshëm quhet: maskë.
Një natë Krishtlindjesh mund të jetë një mënyrë e mirë për të rritur besimin te vetja dhe besimin tërësor njëkohësisht se e gjitha çfarë po ndodh, nuk është dhe aq problematike sa mundohen ta transmetojnë mediat dhe se hyrja në një vit me numër tek mund të jetë më optimist se ai që po lëmë pas me numër çift.
Tek e fundit, “shpresa vdes e fundit”!

Sunday, December 20, 2020

Një intervistë e rrallë me Themie Thomain, ish ministre e Bujqësisë

Themie Thomai


JETËSHKRIMI
E lindur në Këmishtaj
Themie Thomai u lind në Këmishtaj të rrethit të Lushnjes dhe është e datëlindjes 31 tetor 1945. Shkollën fillore dhe atë tetëvjeçare e ka kryer në vendlindje, Këmishtaj. Më pas ka vazhduar arsimin e mesëm, teknikumin bujqësor, të cilin e ka mbaruar në Tiranë. Gjithashtu përfundon studimet e larta në Universitetin Bujqësor të Kamzës. Në vitin 1967, ajo emërohet kryetare e Kooperativës së Këmishtajt. Në 1 maj të vitit 1976 emërohet Ministre e Bujqësisë dhe Ushqimit, portofolin e së cilës e mbajti për gati 14 vjet me radhë. Ka qenë gjithashtu dhe deputete e Kuvendi të Shqipërisë. Nga martesa me një mjek stomatolog shumë i njohur, Themie Thomai ka dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë. Ndërsa vitet e fundit është bërë edhe dy herë gjyshe.
 
FILLIMET
Përvoja nga specialistët
Me përfundimin e shkollës për Themie Thomain ka nisur dhe karriera profesionale. “Pastaj pasi mbarova shkollën jam emëruar kryetare e degës së planit të ish Kooperativës, Këmishtaj dhe në vitin 1967, jam bërë kryetare e Kooperativës së Këmishtajt, post të cilin e mbajta për 10 vjet me rradhë në kooperativën e cila shumë shpejt do të fitonte vlerësimin më të lartë, pra do të cilësohej një nga më të mirat në atë kohë. Kishim një kolektiv specialistësh dhe kuadrosh të përkushtuar me një popull të mrekullueshëm që dinte të punonte mirë. Si rezultat i asaj pune dhe i një trajtimi shkencor të punës në fjalë, jo vetëm nga ne kuadrot por dhe i gjithë populli i asaj zone, kooperativa bujqësore e Këmishtajt vazhdimisht ka arritur rezultate të larta”, shprehet ish ministrja e Bujqësisë Themie Thomai.
 
KOOPERATIVA
Vendi ku bëheshin eksperimentet
“Një nga arsyet, që kooperativa e Këmishtajt kishte rezultate mjaft të larta në prodhimin bujqësor e blegtoral, unë mendoj se ishte ngaqë ne kishim bashkëpunëtorë nga më të afërt dhe nga më të rregulltit e institucioneve kërkimore shkencore. Shumë eksperimente bëheshin në kooperativën tonë. Vazhdimisht futeshin elemente të reja në prodhim. Punohej të mënyrë të shkëlqyer me tokën, me racën e bagëtive si dhe me farërat. Të gjithë këto komponentë: njerëzorë, shkencorë, teknikë, teknologjikë, bënë që prodhimi të arrinte rendimentet e Evropës Perëndimore. Paralel ndikuan të gjitha këto në formimin tim profesional dhe në karrierë. Unë nuk kam menduar se do të ndodhte ndonjëherë kjo gjë. Ishte vetëm pasioni që kisha unë për bujqësinë, e duke qenë dhe specialiste në këtë fushë, i kuptoja specialistët dhe ata më kuptonin mua. Punoja me një zell të madh dhe ky vrull tek unë vinte gjithnjë e në rritje”, rrëfen për gazetën “Ballkan” ish ministrja e Bujqësisë.


Themie Thomai
 

INTERVISTA I
Flet Themie Thomai, ish ministre e Bujqësisë. Si e gjeti dhe si e la ministritë në të cilën punoi për 14 vjet
 
“Ja si i drejtova dikasteret e prodhimit të bukës”
 
Si u bë emërimi i papritur në K.Q. Shkarkimi dhe zëvendësismi i Piro Dodbibës, ministrit paraardhës
 
Orjona Tresa
Leonard Veizi
 
Nuk ka më makinë dhe shofer që e pret tek dera e shtëpisë. Por kjo për të nuk ka asnjë rëndësi. Madje nuk ka më asnjë forcë për të ushtruar ndikimin e saj urdhërues mbi vartës, punonjës të administratës, drejtorë drejtorish, apo specialistë me tituj. Por dhe kjo nuk përbën më asnjë rëndësi për të. Ajo është e kënaqur që më në fund ka dalë në pension dhe ka mundësinë që në mëngjes herët të pijë një kafe shtëpie, ndërsa pak më vonë të pijë një kafe të dytë, nën shoqërinë e shoqeve dhe të miqve, në një nga lokalet fare pranë shtëpisë. Megjithatë, thotë se është e apasionuar pas bujqësisë dhe se ka mundësi që eksperiencën e saj të mbledhur në vite të mund ta japi në shërbim të një bujqësie më intensive. Edhe pse për 14 vjet me radhë ka drejtuar një nga ministritë më të rëndësishme të shtetit, tanimë jeton në një apartament normal të rrugës “Komuna e Parisit” në Tiranë. Është Themie Thomai, e cila megjithëse nuk ka ndonjë dëshirë të veçantë të jetë e intervistuar në faqet e ndonjë të përditshmeje, nuk e refuzon kërkesën e gazetës “Ballkan”. Dhe në këtë mënyrë gjithçka e arshivuar në mendjen e saj, mund të bëhen publike dhe për lexuesin e gjerë, që gjithsesi e ndjek kurioziteti i një të kaluare jo fort të largët.
 
Kur u emëruat në krye të dikasterit të Bujqësisë?
Në vitin 1976 unë jam shkëputur nga ish Kooperativa e Këmishtajt ku isha kryetare e saj dhe më 1 maj të po atij viti emërohem Ministre e Bujqësisë detyrë të cilën e realizova për më shumë se 13 vjet. Kam rreth 1 vit e gjysmë që jam shkëputur nga puna dhe nuk jam angazhuar më. Kam menduar se pas një kohe të gjatë pune pa pushim dhe shumë të lodhshme si fizikisht dhe mendërisht, kam vendosur që të qëndroj pranë familjes për të cilën kam detyrime të mëdha, si ndaj bashkëshortit, ashtu dhe ndaj fëmijëve.
 
E kishit menduar se një ditë do të bëheshit Ministre?
Nuk e kisha menduar ndonjëherë se do të ulesha në atë karrige. Natyrisht kam mbetur e befasuar që m’u besua mua një detyrë kaq e lartë. Nuk ishte e lehtë të drejtoje specialistë që kishin vite përvojë në punët e bujqësisë. Pastaj pozicioni i ministres do të thoshte që kjo të më jepte forcën e fjalës dhe të gjithë të tjerët që kishin të bënin me atë ministri të më dëgjonin mua dhe të bënin si thosha unë.
 
Dhe çfarë bëtë ju?
Unë zgjodha të kundërtën. Asnjëherë nuk mund të vendosësh vetëm. Duke qenë në atë karrige, unë kisha bashkëpunëtorët e mi më të afërt, pra konsulentë. Përveç atyre që kisha në Ministrinë e Bujqësisë, kishte dhe të tjerë jashtë ministrisë, që mendoj se ishin nga specialistët e mirëzgjedhur të fushave të ndryshme. Përpara se të merrej një vendim merrja mendimet e tyre paraprakisht dhe dilja më tej në përfundime.
 
Ndërkohë si ishin të shpërndara degët që vareshin nga Ministria e Bujqësisë dhe Ushqimit?
Kishim institucionet shkencore të vendit të implementuara sipas zonave. Për shembull në Lushnje qenë vendosur Instituti i Drithërave dhe i Pambukut, në Fushë-Krujë Instituti i Foragjereve, në Korçë Instituti i Panxharit, në Elbasan Instituti i Duhanit, në Vlorë ai i Fruti-Kulturës e kështu me radhë. Domethënë këto në një farë shkalle përfaqësonin edhe zonën ku punonin specialistë të kualifikuar dhe unë përpiqesha që t’i mbaja shumë afër.


 
Cili ishte paraardhësi juaj?
Para meje Ministër i Bujqësisë dhe Ushqimit ka qenë zoti Pirro Dodbiba, për të cilin gëzoj një respekt shumë të madh. E kisha njohur shumë më përpara se unë të merrja postin e ministres së Bujqësisë, në takime të ndryshme që bënim ne për bujqësinë. Kisha biseduar shpeshherë dhe për shumë probleme me të, madje ai kishte ardhur dhe më kishte vizituar edhe në kooperativën ku punoja. Ishte një person me shumë kulturë. Mund t’ju them se e kisha të vështirë të drejtoja atë ministri pas Pirro Dodbibës. Ai ishte shumë më i pjekur nga ana profesionale dhe them se kam përfituar mjaft nga përvoja e tij.
 
Çfarë reformash ishin ndërmarrë nga ministria deri në çastin kur erdhët ju?
Kam gjetur gjëra të mira kur kam shkuar në ministri. Reformat kishin qënë në vazhdimësi. Nga ana ime jam përpjekur që ato gjëra që kishin ardhur deri në ato vite, t’i çoja më përpara. Kështu koha kërkon gjithmonë gjëra më të reja. Dhe unë e çova më përpara punën, sepse dhe detyrat ishin më të mëdha nga viti në vit. Ish ministri Pirro Dodbiba e tregoi që ishte një njeri i zoti dhe organizator i mirë, një specialist i talentuar në fushën e ekonomisë dhe të bujqësisë. Këtë e tregonte puna e bërë deri në ato çaste.
 
Cili propozoi për zgjedhjen tuaj në postin e drejtuesit të Ministrisë së Bujqësisë?
Unë nuk e kam marrë vesh asnjëherë se kush e ka bërë këtë propozim dhe kush më ka kërkuar, vetëm di që më kanë kërkuar të paraqitesha në ish Komitetin Qendror të asaj kohe. Nuk e dija absolutisht qëllimin e vërtet të asaj thirrjeje. Për të ditur se me se kishte të bënte paraqitja ime në Komitetin Qendror pyeta një shokun tim në Lushnjë që punonte në Komitetin e Partisë të rrethit, duke i thënë se “mua më kanë thirrur nesër në Tiranë, përse, sepse duhet të përgatitem?”. “Nuk e di”, më tha i cili nuk kishte natyrisht as informacionin më të vogël se si bëhej në lidhje me emërimet e kuadrove të larta.
 
Menduat se mos ndoshta ju kishin thirrur për t’ju tërhequr vërejtje?
Në fakt unë mendova se më kishin thirrur për të më marrë ndonjë mendim për bujqësinë, siç veprohej atëherë dhe kur u paraqita në Komitetin Qendror kam gjetur dhe katër bashkëpunëtorët e mij që gjithashtu i kishin thirrur në takim. Mes tyre dy persona i njihja, siç ishte Spiro Lengua, ish kryetar i Kooperativës së Derviçanit. Natyrisht më erdhi si çudi, megjithatë në Komitetin Qendror më thanë që kjo detyrë të është ngarkuar dhe ti do të marrësh drejtimin e Ministrisë së Bujqësisë.
 
Në çfarë kushtesh ishit kur morët këtë post të rëndësishëm?
Kur më emëruan isha 31 vjeç, e martuar dhe me dy fëmijë, vajzën 8 vjeç dhe djalin 4 vjeç. Bashkëshorti ishte (dhe është) mjek stomatolog.
 
Si e pritën në familje emërimin tuaj?
Familja ime e mirëpriti këtë vlerësim që më bënë, por për mua ishte një detyrë shumë e vështirë atëherë. Ndryshon nga e sotmja sepse në atë kohë ishim në një ekonomi të centralizuar dhe duhej të përgjigjeshe për gjithçka. Pra shkurt ishte e rëndë si detyrë. Megjithatë ashtu siç ishte koha, atëherë po ta ngarkonin detyrën do ta bëje dhe me thënë të drejtën unë këtë punën time të vështirë, jam munduar ta kryej më së miri.
 
Pse mendoni se bujqësia është një fushë e vështirë, ose më e vështirë se të tjerat?
Çdo fushë ka rëndësinë dhe vështirësinë e vet. Por fusha e bujqësisë dhe ushqimit gjithmonë ka qenë gjithmonë e vështirë. Sepse ku dikaster duhej drejtuar për të prodhuar edhe për të tregtuar sepse janë produkte që duhet të trajtohen të freskëta.
(Vijon)
 

 
Sa i kushtoi shtetit shqiptar tufëzimi i gjësë së gjallë. Pse ra prodhimi vendas
 
“Tufëzimi na shkatërroi, prodhimi nuk ishte aq sa e trumbetonin”
 
Ishte një vendim që rëndoi shumë mbi ekonominë shqiptare. Pasojat e saj u ndien shumë shpejt. Reagimet e para nuk do të mirëpriteshin nga iniciuesit e saj. Po e vërteta ishte më kokëforte se sa sloganet. Duke kujtuar “epokën e artë” të tufëzimit, ish ministrja e Bujqësisë Themie Thomai thotë: “Për tufëzimin unë do të thosha se ishte një vendim madhor që ndryshoi dhe raportet midis konsumatorit dhe prodhuesit. Ky vendim është marrë shumë më lart nga Ministria e Bujqësisë. Në të gjitha këto hallka vendimmarrëse ishte Byroja Politike. Ndërsa Ministria e Bujqësisë ishte zbatuese e këtij vendimi, pra i kërkohej për të zbatuar hallkat si në ndërtimin e stallave, sigurimin e bazës ushqimore. Po të na kishin pyetur ne, natyrisht ne do kishim thënë jo, sepse tufëzimi ka bërë një dëm në vendin tonë për blegtorinë, për racën, por ndryshoi edhe raportet midis prodhuesit dhe konsumatorit. Fshatari u kthye në konsumator. Neve përpara se të bëhej tufëzimi, grumbullonim nga fshatarësia 12.500 ton mish, kur u bë tufëzimi grumbullonim 1500 ton. Kjo si pasojë pati dhe shumë kosto, në ndërtim, në numër, në vathë, pastaj dhe prodhimi nuk ishte i dukshëm aq sa e trumbetonin. Ishin hedhur disa argumente se po të bëhej tufëzimi do të futen lopët në trajtim, do të përmirësohet raca, gratë do të lehtësohen. Pra dhe higjiena në fshat do të ishte më e mirë duke iu afruar asaj të qytetit. Nuk e di në fakt nëse gratë u lehtësuan apo jo nga kjo reformë, por faktikisht ato duhej të hanin. Në të gjithë botën fshatari është prodhues dhe duhej të prodhoj ndërsa këtu ai u bë konsumator, iu vërsul kryeqytetit kështu që kush duhej të prodhonte?! Kështu që ishte një kosto shumë më e madhe se në lekë. Nuk mund të them ndonjë shifër të saktë por për mendimin tim ishte një kosto e rëndë dhe shumë e kushtueshme për vendin tonë”, rrëfen ish ministrja e bujqësisë Themie Thomai gjatë intervistës ekskluzive për gazetën “Ballkan”.
 
 
PËRKUSHTIM
Nderimi i veçantë për nënën
“Në punën time dhe formimin tim, përveç arsimit dhe të kulturës së nevojshme që kam marrë unë përmes arsimimit, një pjesë të rëndësishme të saj ia dedikoj familjes sime, nënës të cilën nuk e kam më. Ne kemi qenë dy fëmijë në shtëpi, motër e vëlla. Nënës sime i është dashur të përballojë shumë sfida për të na edukuar e shkolluar, pasi babai na ka lënë shumë të vegjël. Ajo ka sakrifikuar shumë për të ardhmen tonë. Ndaj dhe unë gjithmonë i jam përkulur dhe tërë jetën do t’i përkulem me respekt nënës sime, e cila edhe pse në kushte të vështira kërkonte që fëmijët e saj të ishin me dije e shkollë dhe të gëzonin dashuri e respekt për njerëzit”, thotë Themie Thomai.
 

OPTIMIZMI
Këshilla nga një e panjohur
“Mbaj mend se në fillim të karrierës time si ministre e bujqësisë, (ndoshta s’kisha veç pak ditë që isha emëruar në këtë detyrë) dhe isha zonja e dytë që drejtonte një nga dikasteret e rëndësishme të qeverisjes së Partisë së Punës, në një takim për çështjet e bujqësisë tek ish Hotel Drini, largohem nga tryeza e punës dhe dal jashtë. Nuk e di se si dukesha në ato momente. Kisha përshtypjen se nuk isha në vendin e duhur. Por në ato momente më afrohet një grua e thyer në moshë dhe më pyetse pse po qëndroja e mërzitur. Unë shtanga një moment ndërsa ajo ma kthen: “Nuk pse shqetësohesh aspak. Merre këtë punë më qetë pasi ashtu siç e kanë realizuar detyrën të tjerët, do ta realizosh edhe ti. Madje do ta bësh edhe më mirë se je grua”. Kjo ishte dhe një shtysë në ato hapa të fillimit të karrierës sime në drejtimin e bujqësisë shqiptare, të cilën ma dha një njeri krejt i panjohur”, rrëfen Themie Thomai.
 
RAPORTET
Marrëdhëniet me Enverin dhe Mehmetin
Por cilat kanë qenë raportet që ish-ministrja më jetëgjatë e Bujqësisë kishte me drejtuesit më të lartë të partisë dhe shtetit komunist? Ajo thotë: “Unë them që këto raporte kanë qenë vetëm pune, dhënie llogarie. Shumë prej tyre vinin në grupe pune për të parë se si zbatoheshin vendimet që kanë marrë për bujqësinë, si realizoheshin ato, dhe përgjegjësitë që mbaheshin. Përveç Enver Hoxhës, i cili në atë kohë ka qenë i sëmurë, gjë të cilën e kam marrë vesh vitet e fundit, por Mehmet Shehu, Adil Çarçani, Manush Myftiu etj. vinin sipas rasteve. Një nga njerëzit që ndikonte më shumë në këtë fushë, ashtu si dhe në fushat e tjera, ishte ish-kryeministri Mehmet Shehu. Ai kishte kërkesë të lartë llogarie, por dinte të të jepte të drejtë atje ku vërtet ishte e drejtë. Ndërsa me Enver Hoxhën kontaktoja kur raportoja në Byronë Politike. Por Ministrisë së Bujqësisë i binte barra më e madhe duke dhënë llogari përpara organeve më të lartë në pushtet. Kishte shumë halle dhe telashe, bujqësia donte më shumë mjete që të rriste rendimentet, si: plehra, ujëra. Por edhe pse ishte bërë një punë e madhe, sërish ato ishin me pakicë, sepse vetë gjendja ekonomike e vendit tonë nuk ishte në atë shkallë sa të plotësonte vetë të gjitha kërkesat që kishte bujqësia”.
 
INTERVISTA II
Flet Themie Thomai, ish-ministre e Bujqësisë për 14 vjet:
 
“Si e kundërshtoja presionin që vinte nga udhëheqja”
 
(vijon nga numri i kaluar)
Vetëm dy javë dhe do të festojë 60-vjetorin. Ka lindur më 31 tetor ’45. Sigurisht, pret urimet e rastit, ndërsa pret t’i vijnë nga Greqia dhe fëmijët e vajzës Dejvid dhe Paula. Përpara se të ndahemi Themija, si një grua e thjeshtë, thotë se duhet të psonisë, në një nga tregjet e Tiranës. “Merrni pension suplementar?”- e pyesim. Ajo na shikon me habi. “Absolutisht, - përgjigjet, - unë marr një pension normal të përllogaritur sipas ligjit në fuqi. Ndoshta do të ishte mirë që për ne që kemi kontribuar për shtetin të kishte më shumë mirënjohje, por unë s’kam ndër mend të trokas në ndonjë derë”, thotë Themie Thomai dhe është e gatshme që këtu t’i vendosë dhe kapakun intervistës së saj me “Ballkanin”.  
 
Thotë se ministrat në vitet e ndërtimit socialist të vendit nuk kishin ofiqe, sepse kështu ishin vendimet e mara nga lart. “Në ato kohë ishim vetëm dy zonja ministre, unë dhe Tefta Cami, që ishte ministre e Arsimit. Vetëm për ne të dyja bëhej një lloj përkujdesje nga ana e shtetit për të na ndihmuar, për të na trajtuar, në kuptimin jomaterial sepse ne kishim rrogën dhe të gjitha të tjerat ishin si çdo qytetar tjetër”, thotë ish-ministrja.
 
Sa paguhej një ministër në vitet e Partisë së Punës?
Paga ime ka qenë 14 mijë lekë (të vjetra).
 
Çfarë është arritur në kohën kur ju drejtonit Ministrinë e Bujqësisë?
Ne bujqësinë jemi përpjekur ta përfytyrojmë në dy aspekte. Zhvillimi i bujqësisë tërësore rurale, që ishte një bujqësi masive dhe kjo duhej të vinte përmes një pune të madhe në drejtim të investimeve, në drejtim të punës shkencore, të rritjes së shkallës së mekanizimit, të kimizimit, të rritjes së nivelit shkencor të atyre që drejtonin dhe atyre që punonin dhe natyrisht kjo i dha frytet e veta duke punuar në drejtim të tokës, të farërave, të fidanëve, të gjedhëve, të shpendëve, të bagëtive të imëta me përzgjedhje racore. Ky ishte dominuese dhe besoj që këtu u arrit një rezultat i mirë dhe e dyta ishte komponenti i industrializimit të bujqësisë. Për shembull, të mos prodhohej veza në mënyrë spontane, por në kushte industriale, në komplekse ashtu siç janë realizuar në ditët e sotme. Mishi, sidomos gjedhi, por derri bagëtitë e imëta, krijimi i blloqeve të mëdha frutore, ullinjve, frutave, të perimeve me anën e serrave me ngrohje, pa ngrohje, kështu që efektivisht që kjo bënte që të lidhej zinxhiri i prodhimit në natyrë është gjithmonë i kushtëzuar nga natyra sepse kur e fut në ambiente të mbrojtura, ajo është nën ndikimin tënd, domethënë e drejton ti, nuk të drejton ajo.
 
Cili ishte niveli i prodhimeve gjysmë industriale në vend gjatë viteve ‘80?
U arrit të prodhohej 85% e vezëve në kushte industriale dhe të furnizoheshin qytetet sepse fshatari i prodhonte vetë, prodhohej 65% e mishit në kushte industriale, natyrisht kishte dhe shumë dru frutorë se ato nuk hynin menjëherë në prodhim. Ishin blloqet e reja që do hynin në prodhim, por dhe nga ato që do hynin në prodhim, prodhohej për shpërndarje, por edhe eksportohej. Dikush për shembull do ngrinte problemin, por mirë kur kishin gjithë këto blloqe frutore, ku ishin frutat? Dhe vërtet nuk kishte shumë fruta në Pazar, sepse ato ishin me sezone. Kjo duhej kuptuar. Ishte me sezone se molla nuk prodhon gjithë vitin dhe s’kishte kushte që t’i ruaje mollët.
 
Mund të importoheshin?
Sot importohen fruta të ndryshme që nuk janë të stinës, por asaj kohe nuk importohej, kështu ishte rregulli. Shteti nuk mund ta përdorte valutën për të importuar fruta, por lëndë të parë me të cilën vihej në funksion industria dhe mbaheshin njerëzit në punë.
 
Cili ishte niveli i eksporteve dhe importeve në sektorin bujqësor?
Bujqësia në atë kohë mbante goxha peshë, si për ushqimin bazë të popullsisë, për të mbajtur në punë industrinë e lehtë dhe ushqimore si dhe për eksportet. Sa për industrinë e lehtë ato eksportoheshin direkt nga tregtia e jashtme. Vetëm ato që eksportonim ne shkonin në shifra të konsiderueshme valute. Pra, e them me bindje se bujqësia mbante një peshë të madhe dhe të rëndësishme njëkohësisht. Eksportohej bimë medicinale, fruta, zarzavate, duhan, rrush.
 
Reformat ndërmerreshin nga dikasteri, Këshilli i Ministrave apo Byroja Politike?
Reformat që kishin të bënin me organizime ministrie ose institucione të tjera, nuk ishte e drejtë e ministrisë. Ministria për shembull po të bënte një studim duhej ta paraqiste diku që të miratohej, në Këshillin e Ministrave e më pas në Byronë Politike që thoshte fjalën e fundit, ky ishte rregulli. Madje dhe për anën teknologjike që kërkonin shuma për investime, edhe ato kërkonin miratim. Duhej të kuptojmë që ishim në një ekonomi të centralizuar. Ministria nuk mundej të vendoste vetë. Ajo kontrollonte vetëm zbatimin e punimeve me të tjerat merreshin strukturat më të larta.
 
Sa herë keni raportuar përpara Byrosë Politike për çështjet e bujqësisë?
Unë nuk e mbaj mend sa herë kam raportuar. Por kanë qenë të shumta, sepse bujqësia ishte shumë e rëndësishme. Kam vajtur shumë herë dhe me probleme të vështira siç ishte bujqësia, për blegtorinë, për drithërat, për frutikulturën, për bonifikimet. Ka pasur shumë tema, për përmirësimin racor. Pra, ishin tema të forta dhe me shumë përgjegjësi.
 
Keni pasur ndonjëherë presione nga drejtues të lartë të partisë dhe shtetit?
Natyrisht. Madje bënin presion për ndonjë problem të caktuar. Përplaseshim kur unë mbroja me vendosmëri jo vetëm mendimin tim, por dhe të specialisteve të tjerë. Puna më bënte të kontaktoja me zonat ku prodhonim. Takohesha me kuadro, me kooperativistë, vullnetarë, e kështu që mendimet i kisha dhe nga ata. Por kur duhej të realizohej diçka që lart ishte menduar ndryshe, natyrisht që presioni ekzistonte.
 
Si u veprua për zbutjen e gjendjes pas viteve ’85?
U bë një përpjekje faktikisht dhe doli teoria e tufëzave dhe e arëzave që, për mendimin tim, nuk zbuti asgjë, por mendoj unë, ajo ishte një diçka paraprake që po trokiste në derë për ndërrimin e sistemit dhe hapi i parë mendoj unë është që të mësoheshin njerëzit jo me tufa të mëdha, por me tufa të vogla. Dhe pa folur me gojë se diçka do të ndodhi, unë mendoj se kjo ishte, por jo se zgjidhi ndonjë gjë. Ajo që do ta zgjidhte, për mendimin tim, ishte t’i kthehej lopa fshatarit dhe kafshët, pra atij që punonte dhe prodhonte. Por gjithsesi ishte një hap i hedhur që mendohej se zbuti gjë, por nuk ndodhi ashtu. Ndoshta përgatiti ndonjë mendim që drejt kësaj do të shkohej, për ata që kuptonin natyrisht. Jo të gjithë e kuptonin këtë gjë.
 
EKSPERIENCA
“Çfarë morëm nga bota”
“Në rolin e ministres së Bujqësisë kam vizituar mjaft vende, e ftuar nga homologët e mi. Kam qenë në simpoziume, konferenca, konferencën e FAO-s, kam vizituar Francën, Austrinë, Zvicrën, Hungarinë, Egjiptin, Turqinë, Greqinë etj. Jam takuar me personalitete nga më të ndryshmit, me presidentë, kryeministra, ministra, shkencëtarë, kam parë nga afër zhvillimin e bujqësisë, që më ka lënë mbresa. Institucione shkencore të drejtuar me investime të mëdha kapitale të cilat bënin që tregu të ishte plot e përplot e të kishin shumë vende ku eksportonin. Gjatë vizitave kemi shkëmbyer mjaft mendime racionale të cilat mbase dhe ato kanë ndikuar në punën dhe veprimtarinë time, profesionin dhe formimin tim për ta përfytyruar bujqësinë më shumë se një bujqësi rurale, me një zhvillim spontan, dhe jemi përpjekur me aq sa lejonte koha të bënim. Kemi parë dhe kemi marrë nga përvoja e Hungarisë. Këto mirëpriteshin me argumente, por investimet ishin të pakta. Në Francë kishte institucione që shërbenin për prodhime farërash, diagnostikime veterinare. Kemi marrë kafshë race nga Danimarka, lopë Xhersi, mëshqerra, kuaj në Austri, një racë në Francë. Kjo më ka bërë të kontaktoja, të shoh nga afër parametrat për një bujqësi moderne dhe të implementimin farëra, fidanë etj., që ne t’i prodhonim me tregues të lartë. Edhe tek ne kanë qenë të ftuar nga ana ime homologë të bujqësisë. Ka ardhur kryetari i FAO-s në ato vite Eduard Osauma me një ekip shkencëtarësh. Nga ata kemi marrë serrën që prodhon fidanët që quhet prodhimi “invitro”. Kanë qenë ministrat e bujqësisë së Greqisë, Turqisë etj. se bujqësia nuk njeh sistem, por teknologjinë. Ruaj respektin e mjaft figurave të njohura në disa vende të cilët më dërgojnë ende të fala me anën e delegacioneve shqiptare. Ruaj kujtime të mira”.
 
 
Ish-ministrja flet për bujqësinë e pas viteve ’90.
 
Keqardhja për prerjen masive të blloqeve frutore Si mund të ringrihen ato që u shkatërruan
 
Cilat janë dështimet në kushtet e reja. Si mund t’i paraprihet turizmit me prodhimet natyrale
 
“Janë bërë disa gabime, ndoshta edhe nga mungesa e eksperiencës, ndoshta edhe nga euforia që u kalua në një sistem të lirë dhe që ky sistem të lejonte të bëje gjithçka. Ashtu siç ishte tufëzimi një gabim, edhe pas viteve ’90 u bënë gabime një kosto shumë të shtrenjtë për shqiptarët. Përse? Bonifikimi ishte kryer, toka vaditej në 65% të sipërfaqes së saj. Pritat malore ekzistonin, këto që thonë se përmbyten sot. Sepse ato shkaktojnë erozione në qoftë se nuk funksionojnë. Qenë krijuar blloqet e pemëve frutore, nuk mund të them që shkëlqenin, por ekzistonin. Ato mund të përmirësoheshin me investime të tjera, shumë më të mira, por jo të shfaroseshin. Unë nuk e kuptoj se si mund të presësh rrënjët e ullirit?! Edhe në kohën e Skënderbeut, kur martoheshin të rinj, duhej të mbillnin ullinj. Si shembull e them këtë, si mund të priteshin agrumet e Ksamilit, mollët e Qafës së Plloçës dhe Dvoranit, kumbullat dhe qershitë e Peshkopisë ose plantacionet e rrushit. Ato të bëheshin siç e donte ekonomia e tregut, ajo ishte një kthesë e rëndësishme që po merrte vendi ynë dhe natyrisht pronën duke ia shpërndarë atij që do e punonte. Zhdukja e menjëhershme e të gjithë mekanizmave solli një dëm të madh ekonomisë. E dyta ishte caktimi i tokës. Si mund të pretendosh një bujqësi bashkëkohore, një bujqësi që sot në kushtet e ekonomisë së tregut duhet të konkurrojë me shtetet që kemi në kufij, Greqinë apo Maqedoninë e Italinë, Shqipëria ka prodhimet e saj tradicionale dhe të forta sipas mendimit tim, sepse vazhdon të jetë një bujqësi organike, e pakimizuar, dhe duke qenë e tillë ajo duhet të jetë konkurrente në treg. Duhani oriental, që është shumë i nevojshëm për të bërë harmanet, zonat kodrinore mund të prodhojnë shumë mirë lulediellin që ato mund të futen shumë mirë në përpunim dhe s’kanë pse vijnë vajra gjithmonë nga jashtë. Por si do të prodhohen ato? Tokat sot është e copëtuar, efektivisht nuk mund të bëhen dot punë madhore siç e do toka, për punimin, vaditje. Mbrojtjen e bimëve nuk e bën dot se po e spërkate këtu, tjetri e lë pa spërkatur, domethënë dëmtojnë. Erozioni po bën kërdinë. Dëmtimet pa kriter po shpërdorojnë tokën në mënyrë flagrante. Është sensibilizuar opinioni për gjakun, por unë mendoj që dhe ky opinion duhet të sensibilizohet për ndalimin e rasteve abuzive mbi tokën. Kjo ka të bëjë me ushqimin e popullit. Në të kundërt do të shkojmë në importimin e mallrave bujqësorë. Sipas mendimit tim, duhet të ketë eksport paralel edhe import që të ketë njëfarë bilanci. E treta është që bujqësia nuk është e mbështetur në infrastrukturë për menaxhimin e këtij prodhimi, qoftë edhe kështu siç e prodhon fshatari ynë. Atij nuk i shitet prodhimi, i dëmtohet sepse mund të ndërtohen edhe hallka që t’i dalin zot prodhimit, domethënë me kushtet e ekonomisë së tregut. Mungojnë qëndrat e përpunimit që të mos shkojë puna dëm, të mos shkojë dëm investimi, por ato të kthehen në të mira materiale që të shpërbejnë qoftë për brenda popullit, por edhe për jashtë. E katërta, efektivisht ne nuk kemi bankë bujqësore që të ndihmojë se prodhimi bujqësor ka një cikël të caktuar prodhimi, atëherë banka duhet të hyjë dhe të ndihmojë me kedi të buta fshatarët që të ngrenë blloqe frutore, të rrisin kafshë race, të bëjnë prodhime farërash, fidanësh, të krijojnë qendra prodhimi, ferma të vogla fillimisht pilot pastaj përgjithësuese, pra të futen teknologji të reja që prodhimi të vijë e të bëhet konkurrues se ky që është, është prodhim vetëm për vete, ajo që i tepron fshatarit e nxjerr në treg dhe ajo që do një kohë është rrugët që të transportosh prodhimin janë të dobëta. Duhet ndërtuar sistemi rrugor për t’i shërbyer prodhimit. Kam dëgjuar në vitin 2012 do të arrijmë 750 mijë euro nga turizmi, mirëpo duke pasur parasysh se si po zhvillohet turizmi, ai turisti që vjen përveç vendeve të bukura që kemi do të hajë. Ai nuk do gjëra frigoriferi por të freskëta, dhe këto i bën vetëm bujqësia. Prandaj duhet që prodhimi t’i paraprijë turizmit që ky i fundit të ketë sukses. Bujqësia duhet të jetë një hallkë e rëndësishme dhe si front pune për shumë njerëz”.
 
NDRYSHIMI
Në ekonominë e tregut
“Pas viteve ’90 kam qenë në parlamentin e parë pluralist. Pas asaj fillimisht kam punuar në Institutin e Frutikulturës, pastaj dola në asistencë. Ndenja për gati 2 vjet pa punë, pastaj u sistemova si specialiste në Entin Shtetëror të Farërave dhe Fidanëve rreth 10 vjet në shoqërinë e një kolektivi të mrekullueshëm. E kam ndier veten të barabartë. Jam larguar me mendime nga më të mirat. I mbaj lidhjet dhe kam ndjekur me kujdes probleme të ndryshme të bujqësisë. Kemi bërë 3 forume të ish-ministrave nga një shoqatë. Mua më kanë vlerësuar. Në këto takime kanë qenë të gjithë ish-ministrat pavarësisht se ministrat e cilës kohe ishin. Madje më ka bërë përshtypje që ministrat nuk kanë qenë të politizuar. Ndoshta një specifikë që ka pasur vetë bujqësia, secili ministër që ka ardhur nuk është përpjekur të gjejë qimen në qull, sepse puna ka të meta, por është përpjekur që mbi tullat që ka vënë paraardhësi i tij të korrigjojë ato që duhen korrigjuar në sensin e mirë për të ecur përpara. Them se ata që janë të bindur se mund të kontribuojnë për bujqësinë të vijnë dhe të kontribuojnë ata që nuk japin të largohen”, thotë Themie Thomai.
 
DETAJ
Në tokat djerrë
“Kur isha në ministri, një ambasador që kish ardhur për vizitë kortezie më tha se drejtoja një punë të vështirë. E vështirë, i thashë, por gjërat e vështira janë edhe të bukura. Pastaj ai më bëri një kërkesë: A ke mundësi të më çosh në një kooperativë bujqësore? Pse një, i drejtohem me shaka, por deshe në një qind. Por mirë më tha, unë dua të shkoj në kooperativën ku ke drejtuar ti. Me kënaqësi, i them unë. E di pse ta thashë këtë, më tha. Unë me një shok kishim mbaruar Juridikun. Kisha shumë vite pa e takuar. Dhe një ditë m’u mbush mendja ta takoja. Vajtja. Më thanë që ai kishte lënë profesionin dhe kishte ngritur një fermë fushore. Edhe më mori malli, por edhe më shtyu kurioziteti. U nisa dhe vajta sipas adresës. Më tha se puna konkrete i jepte shumë kënaqësi. I kthehem: Ke të drejtë, unë ndoshta jam më i kollarisur se ti, por unë bëj ç’më thonë të tjerët, ti bën ç’do vetë. E tregova këtë detaj sepse mendoj se në qoftë se investohet që prodhimi bujqësor të jetë sa më pranë konsumatorit, edhe personat që kanë emigruar jashtë jam e bindur që do të kthehen të investojnë paratë e tyre për të ngritur plantacione e ferma të ndryshme bujqësore sepse ka shumë toka djerrë”.
 
FAMILJA
Bashkëshorti dhe vjehrra në ndihmë të ministres
Nëse ke një detyrë të madhe administrimi, duhet të përballesh njëkohësisht edhe me detyrat familjare. Por Themie Thomai thotë se e ka kaluar me sukses këtë pjesë problematike të jetës së saj. “Më kanë ndihmuar shumë në pozicionin që kur kam qenë kryetare e kooperativës në Këmishtaj qoftë edhe në Ministrinë e Bujqësisë, që nga burri e vjehrra që më ka rritur fëmijët, dhe më vonë vetë fëmijët, të cilët më kanë kuptuar në rolin që kisha duke më qëndruar pranë. Këtë vit kam menduar t’ua kthej këtë vlerësim që më kanë bërë, pasi tashmë duke qenë në pension nuk kam më preokupime. Madje edhe si gjyshe e Dejvid dhe e Paulës, fëmijëve të vajzës”, shprehet Themie Thomai. Ajo shton se asnjëri nga fëmijët e saj nuk ka marrë profesionin e prindërve. Pra, as mjek stomatolog e as specialistë bujqësie. Të rinjtë e kanë kërkuar ndryshe të ardhmen e jetës së tyre.

Thursday, December 17, 2020

Patriotët e imazhit


Nga Leonard Veizi


Vjosa Osmani i futi një xhiro në Tiranë. Jo për "shopping" sigurisht. Edhe pse nderi ia kërkon që në vizitën e gjatë treditore, ku takimet me shtetarë e opozitarë e kanë një kohë të përcaktuar, ta marrë rrugën deri tek ndonjë nga Qendrat Tregtare të periferisë për të blerë ndonjë suvenir. Por ajo vjen si presidente në detyrë e Kosovës ku i takonte të fliste dhe ndonjë fjalë në Kuvendin e Shqipërisë.
Vizita e Osmanit vjen në një kohë kur në Tiranë janë fashitur protestat rinore, pas vrasjes së një 25-vjeçari prej një personi që mbante uniformën e policisë së shtetit.
Kohë të keqe zgjodhe për dasmë o Safa Ymeri!”
Nejse, në kësi rastesh, zyrat e shtypit të sqarojnë se vizita ishte përgatitur kohë më parë, dhe çështja e protestave ishte thjesht për një rastësi. Pastaj ç’punë na prish vizita e një shqiptari nga një anë e Shqipërisë në anën tjetër?!
Absolutisht asnjë, në dy republika krejt sovrane.
Vjosa Osmani sot për sot është njeriu më me pushtet në Kosovë, sepse përveçse mban postin e Kryetares së Kuvendit, është gjithashtu dhe Presidente e Republikës, pas largimit të ish-Presidentit Hashim Thaçi për në Hagë, ku i është hapur një proces gjyqësor. Ndaj vizita e saj nuk mund të merret kaq lehtë. Ndërkohë që kjo vizitë mund të shërbejë njëkohësisht dhe si një “intermexo” në hapësirën kohore mes takimeve të përbashkëta të dy qeverive shqiptare. Sepse ndër arritjet e veçanta mes Shqipërisë dhe Kosovës janë dhe nja 6-të mbledhje të përbashkëta, ku mbase synimi i largët është shkrirja e kabineteve në një të vetëm, dhe pse jo edhe të presidencës.
Vjosa Osmani, edhe pse është “rob i shtëpisë”, u prit me të gjitha takëmet që përcakton zyra e protokollit për pritjet ceremoniale të çdo “burri shteti”. Por megjithëse është “rob i shtëpisë” Vjosës i duhet që gjithsesi të faturojë në sistemin TIMS të doganës kalimin e saj nga një territor në një tjetër. Në mos po, në doganë për formalitet, duhet kontrolluar se mos kalon ndonjë mall “kontrabandë” e pa faturë. Sepse mes dy shteteve shqiptare ka një barrierë fort të fortë, që nuk ka ndërmend të rrëzohet edhe pas opinioneve të shumta kundër saj. Dhe ajo ka të bëjë me faturat doganore.
Edhe pse janë bërë një seri mbledhjesh të përbashkëta, sa në Tiranë e Prishtinë, po aq dhe në Shkodër e Prizren apo dhe në Korçë e Pejë, çështja e doganave ka mbetur thuajse e paprekur. Vendime lehtësuese janë marrë sa të duash, janë tundur flamujt e patriotizmit e janë kënduar himnet e flamurit me zë të lartë, por dogana ka mbetur po ajo. Po ta mbajti, ec e kalo ndonjë kamion me patate pa e zhdoganuar. Të plasin brenda e ta bëjnë dosjen çarçaf sa të mos ketë avokat ta marrë përsipër çështjen. Por edhe libri nuk kalon pa doganë mes dy shteteve. E ç’heqin të zinjtë botues kur organizohen panairet e librit, ai i nëntorit në Tiranë dhe i qershorit në Prishtinë. Libri tanimë është “mall kontrabandë” si në kohën e xhonturqve, kur librat shqip që vinin nga shoqëria e Bukureshtit, shqiptarët e shkretë i transportonin brenda samarëve të mushkave.
I vetmi përparim në këtë pikë është se mjetet procesohen në një pikë të vetme të përbashkët. Pra jo në dy, dhe në atë të Shqipërisë dhe në atë të Kosovës. Thjesht në një. Por tarifa është po ajo.
Me të drejtë në fakt. Vëllezër shqiptarë, por secili në shtëpi të vet.
Megjithëse kemi më shumë se 20 vjet që rrekemi të heqim kufirin mes shqiptarëve, ai është përsëri aty. Dhe mekanizmi lehtësues në fakt ka të bëjë më shumë me shtimin e sporteleve, se trau nuk lëviz vendit edhe po ta bësh dhëmbin sa trau vetë.
Teknikisht thuhet se “Shqipëria dhe Kosova janë partnerë të rëndësishëm tregtar për njëra-tjetrën”. Kjo nuk do as mend as kalem. Në një studim shkruhet: “Shqipëria zë vendin e parë në Kosovë sa i përket eksporteve dhe vendin e pestë sa i përket importeve. Shqipëria është e rëndësishme për Kosovën në aspektin tregtar edhe për arsye se më shumë se një e treta e produkteve të tregtuara në Kosovë kalojnë tranzit përmes saj”.
Thënë me fjalë të tjera, Shqipëria dhe Kosova janë si vëllezërit siamezë; “kur sëmuret njëri, teshtin tjetri”. Ndaj duke e ditur rëndësinë e kësaj pune janë marrë dhe masa të tjera. Hapet trau i doganës, por të pret trau i autostradës. Dhe pagesat vazhdojnë.
Ç’është e vërteta, deri tani, ne, të pjesës së poshtë kufirit, e kemi parë Kosovën si një bankomat, me të cilën mund të rregullojmë fare mirë buxhetin. E për të thënë të vërtetën, po të vërtetën fare: kosovarët janë më të kapur se ne shqiptarët. Nuk është puna për të zënë ca vrima, por për të shtruar dyshemenë.
Patriotizmi fals shtrihet dukshëm nga veriu i vijës bregdetare deri në ekstremin e jugut. Dhe në emër të ngritjes së çmimeve gjatë sezonit të verës, shqiptarët e bregdetit, plot bujari, u kanë hapur portën “toponimeve”, ku emrat e qebaptoreve me kërnacka Korçe mbajnë siglën “Suxhuk Gjakove”. Edhe kjo ka të bëjë me unifikimin mes shqiptarësh. Helbete, vëllezërit do na mbajnë. Po s'bëmë për njëri-tjetrin...
Por nuk duhet harruar dogana vëlla, dhe pse duhet të vonohesh ca. Duhen shlyer detyrimet.
Ndërsa takimet ndërqeveritare nuk kanë arritur ta menaxhojnë këtë klimë marrëdhëniesh për një tregti pa kufij mes shqiptarësh. Këtu nuk ka nevojë për qeveri e ministra, por për një grup ekspertësh nga të dyja anët, për të gjetur hapësirat e duhura që tregtia të lëvizë lirshëm këtej dhe andej Morinës.
Pompoziteti i mbledhjeve, i nënshkrimit të një sërë marrëveshjeve, i fotografive familjare me simbolin e shqiponjës në gjoks, nuk e zbusin dot ngërçin e marrëdhënieve të ndërsjella ekonomike, që në terminologjinë e kohës ka kuptimin e tregtisë së lirë. Prandaj me të drejtë mund të themi se shtetarët e të dyja anëve, politikanë në lojë, janë veç “politikanë imazhi”.
Dhe tregtinë e lirë sot e bëjnë shtetet evropiane, të cilat nuk kanë asnjë lidhje etnike, gjuhësore e kulturore me njëra-tjetrën, por ja që nuk e bënkemi dot ne si shqiptarë që flasim të njëjtën gjuhë.
Dhe pastaj vijmë tek takimet protokollare të drejtuesve të shtetit. Ato i qajmë. Me banda frymore, tapet të kuq e trokitje gotash kristali.


  

Thursday, December 10, 2020

Kosovës i ka ra bixha



Nga Leonard Veizi
 
Kosovës i ka ra bixha. Kur them “bixha” nuk kam ndër mend ndonjë fjalë të keqe, se mos ma merrni për ters o të uruar. Por kjo fjalë e zhargonit popullor, që në një çast të caktuar euforie më doli nga shpirti, ka të bëjë me bixhozin. Është pak a shumë si me të thënë: Kosovës i ka rënë lotaria.
Po ç’është kjo lotari, do pyesni ju.
Po mundohem ta shpjegoj, ashtu siç e mendoj unë në fakt.
Po ja, me shumë gjasa Kosova mund të ketë shansin që të përfaqësojë për herë të parë në historinë botërore të futbollit, edhe shqiptarët, pikërisht në eliminatoret e një kampionati. Dhe bëhet fjalë për “Katar 2022”.
Hajde babam, hajde. Nam i zi.
Po si kështu?
Para ca ditësh në Zyrih të Zvicrës u hodh shorti i eliminatoreve të këtij Kampionatit për zonën e Evropës. Punë goglash mo. Përfaqësuesja e Kosovës u bë pjesë në Grupin B, me 5 skuadra. Lajmet që u shpërndanë me shpejtësinë e rrufesë thanë se kundërshtarët e “Dardanëve”, - po flasim me terminologjinë e vjetër, por që në fakt duhej futur si e re, -  janë Spanja, Suedia, Greqia dhe Gjeorgjia.
Birinxhi.
Mirëpo nja dy portale, që prej ca kohësh janë bërë të njohura edhe për sensin provokativ, e cilësuan si: “grupi i ferrit”. Demek, futboll “strong”. Që do të thotë se pretendimet e dardanëve do të shkonin për dhjam qeni. E që në fund fare është njëlloj si me thënë: Po luajmë kot, se humbjen e kemi në xhep e të garantuar me noter.
Po pse kështu?
Topi vërtet i rrumbullakët është, por a bëhet shaka me Spanjën, po me Suedinë, po me Greqinë, po me Gjeorgjinë???
Meazallah.
Të gjithë do ta rrahin vençe, e do t’i fusin gola Dardanisë sa do të shqyejnë rrjetën. Kështu që... jemi të humbur që në fillim. Dhe në këtë mënyrë do të vazhdojmë t’i bëjmë rixha De Biazit që të paktën e futi Shqipërinë në eliminatoret e kampionatit Evropian. 
Rrofsh o Xhan.
Edhe atëherë me tre pikët që i morëm në tavolinë Serbisë. Se kështu e kanë këto punë, punë tavolinash.
Mirëpo që në fillim të shkrimit paralajmërova se Kosovës i paska rënë bixha. Dhe ju sërish do pyesni: e ç’është kjo bixhë-lotarie në mes të kësaj fatkeqësie.
Epo medalja ka gjithmonë dy faqe, një të parme e një të prapme. Ja ta kthejmë rrotën një herë, të shohim çdo na dalë.
Në katër shtete të grupit “B”, me të cilët do të përballet përfaqësuesja e Kosovës, vetëm një prej tyre e njeh shtetin e ri të shqiptarëve. Tre të tjerët e kanë mohuar kategorikisht njohjen: Spanja, Greqia dhe Gjeorgjia.
Epo... pushka top smirëzinjve. Meqenëse e kanë marrë me përpjetë e nuk bëjnë rrugë. Mirëpo ‘uthulla e fortë prish enën e vetë’, thotë populli. Dhe populli sentencat i ka mbështetur mbi përvojën.
Por gjithsesi jo çdo gjë e keqe vjen vetëm për keq. I duhet parë ana pozitive problemit. Ja që dhe kjo e ka të mirën e saj. Se kur nuk e njeh tjetrin do të thotë se dhe nuk pranon të luash me të. Po nuk pranove të luash ka penalitete. S’të fal FIFA. Qeveria me rregulla, shtëpia me tjegulla. Se na bie shiu brenda pastaj. Ndaj kjo do të thotë që këta inatçinjtë e këqij duhet t’i japin Kosovës tre pikë në tavolinë. Ja ta bëjmë llogarinë njëherë: Domethënë 3 pikë nga Spanja, i shtojmë dhe 3 pikët e Greqisë, na bëjnë 6 pikë, e po t’i shtojmë dhe 3 pikë që do japin gjeorgjianët na shkojnë plot 9 pikë. Llogari pa kalkulator elektronik. Nuk ishte problem i vështirësisë së lartë. E ç'na mbetet në fund? Suedia më duket. E në këto kushte nordikët mund ta rrahin për qejf Kosovën e t’i fusin gola sa t’u dojë qejfi, se kësaj të fundit s’kanë ç’i duhen më pikët e tjetra për të siguruar biletën e për të fluturuar drejt Katarit.
Ja kështu bëhen hesapet or tungjatjeta.
Dhe thoni pastaj se Kosovës nuk i ka ra bixha. Bixhë e çfarë bixhet se...
Mirëpo axhanset po thonë se iberikët, - domethënë spanjollët me nder jush, - paskan kërkuar që ndeshja të bëhet në një fushë neutrale, pasi qeveria vendase nuk do të lejojë simbolet kombëtare të shtetit të ri të shqiptarëve të valëviten në stadiumin e Madridit.
Oooooo... këtu e shkeli Spanja. Po fare-fare. Kjo nuk ishte dëgjuar që nga koha e Frankos. Tani, o e njeh Kosovën o nuk e njeh. Dhe më ha dhe më kruhet. Edhe s’të njoh, por edhe do luaj futboll. Jo se dhe u çoroditëm nga mendja në këtë mënyrë. Kaq mban kapaciteti dhe duhet të fillojmë llogaritë nga e para. Se kështu si po veprojnë spanjollët e Iberikut do t’i hapet oreksi edhe Greqisë por edhe Gjeorgjisë jarebi.
Jo o vëllezër spanjollë, nuk bëhet kështu. Jeni apo s’jeni burra. Dhe burrat këtej nga gadishulli ynë e mbajnë fjalën. Ja, në shpresë të grekëve jemi. Nuk lëpihet ajo që ke pështyrë. Andej nga gadishulli juaj vetëm në qoftë se gjaku është bërë ujë. Se nuk bën burri për tre pikë. Dhe ne kemi shembullin tonë, heroik fare. Mund t’ua themi sërish po qe se dhe kujtesën e keni të shkurtër.  Kishim shokun Enver një herë e një kohë. Ai, si i pari i vendit nuk e njihte Izraelin. Se sipas tij ishte një shtet i tipit sionist e fashist dhe Shqipëria nuk kishte marrëdhënie diplomatike me të. Mirëpo kur një herë na ra bixha, apo goglat, që Shqipëria të luante me Izraelin, për llogari të një kampionati lokal, shoku Enver, si burrë që ishte, nuk e bëri llafin dysh. La pikët në tavolinë, pagoi dhe gjobën për thyerjen e rregullave, por as kërkoi bisedime diplomatike për të luajtur në ndonjë fushë neutrale, dhe as bëri pazare, “jo ne... jo ata”. Shqipëria nuk luajti me Izraelin dhe pikë. Shyqyr që Amerika asokohe vazhdonte të ishte në kontinentin tjetër, se po të na binte bixha te goglat, as me të nuk do luanim e do vazhdonim të paguanim gjobat.
Nejse... iku ajo kohë.
Tani jemi në kohë të tjera. Sa shumë ujë kanë rrjedhur. Edhe LGBT-ja ka bërë shoqatë që njihet zyrtarisht. Tani diplomacia bën të mundur që të kesh marrëdhënie artificiale me atë që s’e njeh e nuk do t’i shohësh bojën. Kjo nuk do të thotë se: meqenëse nuk të njoh po të jap dhe pikët e mija. Jo ore jo, do luajmë futboll... edhe pingpong po deshe. Domethënë: do të të njoh edhe pse s’të njoh.
Këtu mendja më bëhet dhallë në fakt, ordinatori më prishet e llogaritë nuk më dalin fare.
Po në djall le të vejë dhe kjo punë. Kur Spanjës, - padyshim kampione bote dhe i Evropës njëkohësisht, - i dhimbet aq shumë topi i futbollit sa është gati të bëjë ca lloj kompromisesh vetëm që të shkojë në Katar, epo në djall le të vejë. Se kësaj i thonë “me e hëngër burri fjalën si me hëngër një... salsiçe”. E po vazhdoj të perifrazoj shprehjen e aktorit të madh shkodran Bep Shirokës tek filmi “Çifti i lumtur”: “Më vjen keq që një shok i klasës tonë punëtore e dredh fjalën si tel. Po kjo është parimore mor shokë”.
Eh, ç’na gjet belaja me Spanjën. E nuk po humbas kohë këtu fare e të flas për Greqinë apo Gjeorgjinë, se helbete, kush e di çfarë surprizash na presin. Por deri tani këta nuk e kanë hapur zgurdullën. Po mendojnë e bëjnë plane konspirative si të hedhin hapin e radhës. Që, ‘edhe mishi të piqet, edhe helli të mos digjet’.
Po çfarë mendoni ju, se grekët do ua japin tre pikëshin shqiptarëve? Nuk bën vaki or jo. Mos u gënjejë mendja. Edhe këtej burrat ikën me kohë, u vranë në luftë. Tani kanë mbetur vetëm politikanët. Dhe ata do ta gjejnë një zgjidhje. “Kosovën nuk do ta njohim, por për ngjyrat e Atdheut do luajmë futboll”.
Ja kjo është filozofia e ditëve të sotme, nuk do shumë mund për t’u kuptuar besoj.

Sunday, December 6, 2020

Pandi Laço: Ambicja ime e re, të shkruaj një roman të ri

Njeriu i spektakleve thotë se së shpejti do të vijë edhe me një vëllim poetik si dhe një skenar filmi artistik
 

Nga Leonard Veizi

Makina e shkrimit është transformuar në një ordinator. Dhe pena me bojë në kallamar ka kohë që e ka humbur kuptimin. Ndaj ai është një shkrimtar modern, ashtu si vetë teknologjia që të jep mundësinë që të kesh një perceptim të ndryshëm nga ai që ke pasur më parë...

 ...Jo domosdoshmërisht sentenca popullore se “dardha bie nën dardhë” është një postulat i pagabueshëm. Ka raste kur ajo nuk ngjit gjëkundi. Por jo në rastin tonë.  
Ai ka bërë një jetë artistike ndryshe nga ajo e Atit të tij, Teodorit. Ka shkruar gjatë gjithë kohës, por jo prozë artistike, as poezi, as drama e as skenare filmash. Por në pjesën mediatike, në një “rivalitet” të heshtur e pa zhurmë mes të dyve, ai e ka mundur të atin. Sepse përveçse një skenarist spektaklesh, dhe tekstshkrues këngësh, Pandi Laço ia ka dalë me sukses të jetë edhe një moderator elokuent e plot gjeste fine në skenë. Ndërsa këtë herë ai vjen para publikut në një format krejt të ri. Nuk ka të bëjë me spektaklet e televizioneve dhe as me tekstet e këngëve ku është vlerësuar jo pak herë. Tanimë ai sapo është përballur në tregun e letrave shqip me një roman. Gjatë një interviste për gazetën “Fjala”, Pandi Laço, jep më shumë detaje rreth pasionit të tij të ri, që me sa duket nuk do të mbesi vetëm në kuadrin e botimit të një titulli në prozë të gjatë.

Ju njiheni si skenarist e poet, por kjo është përvoja e parë në një proze të gjatë. Përse pikerisht tani?
Me lejo të bëj dy redaktime të vogla - Unë jam një skenarist spektakli që ndryshon nga skenaristi i filmit. Është një rol shumë i thjeshtë ai i skenaristit të spektaklit nga ai i filmit, sepse përafron me rolin e gazetarit të kulturës, ndonëse elementet e skenarit të mirëfilltë ndërthuren edhe në një spektakel televiziv e sidomos artistik.
Përsa i përket "poetit", do ndiehesha mirë po të më quanin "poet i kënges", se fjala "poet" është vërtet një profesion ose rol që jeta nuk ta jep aq bujarisht. Duhet të jesh talent i spikatur, të punosh pafundesisht për ta fituar këtë rol.
Të shkruash vargje për t’u muzikuar në këngë, nuk është aq e thjeshtë. Edhe kjo do njëlloj talenti, njëfarë dhuntie. Poezinë e mirëfilltë të një poeti mund ta bëjë këngë një kompozitor shumë i mirë. Po vargjet e këngës jo domosdoshmërisht janë poezi.
Gjithesesi unë shkruaj dhe poezi pa pretenduar se jam poet.
 
“Kurvid19”, çfarë trajton ky roman ?
“Kurvid19” është një roman që trajton një histori njerëzore. Është rrëfimi i një mashkulli në mes të tridhjetave, historia e të cilit kornizohet nga dimensionet e kohës që po kalojmë. Pandemia që ka përfshirë botën, raportet e këtij personazhi me njerëzit që e rrethojnë, e dashura, familjarët, fqinjët, dhe si ndryshojnë gjërat përreth tij në dinamikën e kësaj sëmundjeje që rrezikon njerëzimin.
 
A është ky një produkt i shkruar në ditët e karantinës?
Sigurisht që po! Izolimi i njerëzimit që nga muaji mars, zhvillimet që mori jeta, oraret e kufizuara të lëvizjes, lockdowni etj etj, solli një rutine të re të së përditshmes. U privuam nga disa gjëra. Punët normale që kishim në raportet me televizonin për të prodhuar spektakle e emisione televizive. Po me sa duket kjo pati diçka shumë pozitive. M’u kthye dëshira për të shkruar, krijuar në fushën e letrave. Dhe ja ku është romani i parë...

A do te vazhdoni me prozën e gjatë?
Besoj se po! Duke gjetur disa ekuilibra me veten, duke organizuar më mirë kohën e të punuarit në televizion do të preferoja shumë të vazhdoja të shkruaje prozë të gjatë. Kam një projekt të afërt për të mbledhur poezitë nëpër blloqe apo file kompjuterash e për të botuar një përmbledhje me poezi.

Ambicja juaj e rradhës?
Një skenar filmi artistik. Një nga veprat e fundit të tim eti, Teodorit të ndjerë, një dramë shumë interesante, mbërrita ta hedh në kompjuter në zhanrin e skenarit për film artistik. Por natyrisht romani i ardhshëm, është ambicja ime për momentin.