Saturday, December 31, 2022

Shqiptarët në bilancin e fundvitit: vazhdojnë me humbje


Nga 
Leonard Veizi
 
Kur punohet me humbje, biznesi është i destinuar të mbyllet. Përndryshe ngrehina e tij bie e të zë brenda, pikërisht në çastin kur je duke shtypur tastet për të lëshuar ndonjë faturë tatimore.
Mirëpo ujqërit e vjetër ia dinë hilet punës dhe nuk lëshojnë fare faturë. Pastaj nxjerrin biznesin me humbje dhe në fund dalin me fitim.
Punë e mençur.
Kjo vlen për boss-at, jo për popullin e thjeshtë.
Ndaj dhe kur mbyllet një vit, i vihet dryni dhe futet në depo, bëhet dhe bilanci: ore si dolëm? Me humbje apo fituam?
Ç’është e vërteta, ne si popull të humbur jemi gjithmonë, edhe pse urimi në fundvit na ndjek dhe na përndjek. Mot më mirë! Dhe mot pas moti jemi në kapërcyell, mes vitit 2022-2023. Pikërisht në mijëvjeçarin e tretë që nga lindja e Krishtit, pa përfillur çfarë ka ndodhur kur vitet numëroheshin së prapthi.
Në fillimin e Vitit të Ri nis urimi tjetër: I mbarë ky vit! Shëndet e bereqet!
I mbarë o posi. Bereqet po... sa akoma i kemi sytë nga Ukraina mos na sjellë ndonjë qerre me grurë. Se e kënaqëm 2022-shin që nga 2023-shi të presim ca më shumë, zhvillim, investim e... prosperitet.
Po pse e kam këtë mendim, do pyesë ndokush? Dhe ky me siguri do jetë ndonjë nga ata që ose s’di të bëjë fare llogari bilanci, ose për shans i ka dalë bilanci pozitiv. Ka plot që fitojnë dhe goxha madje, duke shkelur mbi të tjerët. Se edhe nga vdekja fitohet. Fjala vjen: Në kohën e kovidit biznesi i funeraleve lulëzoi. Ja pra që jo çdo gjë e keqe, vjen për keq. Se për ca e ca, gjëja e keqe është gjë e mirë.
Viti 2022 ishte thagmë për shqiptarët. Dolëm nga pandemia dhe iu futëm punëve vënçe. U hodhën para dhe u rinovuan lokalet nga brenda. Luks fare. S’ke ç’i thua. Meqenëse lokalin e kemi si shtëpi të dytë.
Pas kësaj ajo ra më shumë në sy, si realizim e tejkalim plani, ishte që norma e rritjes së çmimeve ishte e paparë. Sapo kryeministri na dha lajmin për një rritje çmimesh në të ardhmen, për arsye të krizës, rritja filloi. 30 minuta pas fjalimit të kryeministrit. Kush duronte...
Ky vit na solli luftën që e kishim harruar në Evropë. Sepse nga lufta nisi gjithçka.
Bilanci i dytë ka të bëjë me njerëzit. Ikja me çanta mbi shpinë tregon se këtu nuk ka të ardhme dhe dritat e semaforit janë fikur. Por me sa duket njëra nga dritat ende punon, ajo që u shkel syrin punonjësve nga ato vende që janë ku e ku më keq se ne, sa dhe një rrogë Shqipërie u bën punë. Birinxhi. Pa popull nuk do mbetemi tek e fundit. Nga një pasaportë shqiptare dhe... zëvendësojmë humbjet.
Tanimë në Shqipëri nuk gjen më as punëtorë ngarkim-shkarkimi, e jo më mjekë e inxhinierë. O në Gjermani, o në Angli. Më fatlumët në Amerikë.
Mirë se për ngarkim-shkarkim e punë bujqësie marrim nga Lindja e Largme, po mjekët ku t’i gjejmë? Se mjek evropian që të lërë 5000 euro rrogë e të punojë në Shqipëri për 500 euro, nuk gjen. Kështu që me siguri do falemi përsëri andej nga Azia. Inshallah na del ndonjë mjek, të paktën. Sa për të na dhënë ilaçet.
Kështu që dhe në këtë pikë jemi si mos më keq.
Pastaj vjen qershia përmbi tortë: kur hakerat iranianë na morën tërë arkivin online të shtetit dhe tani po tallin trapin me ne. I hodhën të gjitha sekretet e shtetit në tregun  e zi. Punë bixhozi. Ta hajë kush ta hajë. Këtu u menderos puna fare. Bilanci.... minus.
Për çudi, në një fushë këtë vit ishim me tejkalim plani. Me vajin e ullirit. Që nga koha e Skënderbeut, në atë të Enverit, në kohën e Berishës dhe së fundmi është bërë thirrje për mbjelljen e sa më shumë rrënjë ullinjve. O po bukë e ullinj duan shqiptarët. Por duket se asnjëherë nuk ia kemi arritur të mbjellim aq sa duhet. Mirëpo ke parë ti... del ministrja e Bujqësisë këtë fund viti e thotë: kemi mbjellë më shumë se duhet, pa kriter. Dhe kemi superprodhim. Ndaj vaji po shkon dëm, se nuk kemi çfarë ta bëjmë. Nuk e përdorim dot as në vend të ujit.
Tani në mes të rrugës se lëmë dot këtë produkt të vyer. Se dikur ishte proverbiale sentenca: “Ke humb si vaji i ullirit”. Ndaj për respekt të tij të paktën t’ua hedhim makinave.
Bilanc të mirë këtë vit kemi pasur dhe me energjinë elektrike. Liqeni i Fierzëëëës..., det me ujë. Aq sa të përmbyti dhe Shkodrën. Megjithatë vendimi për rritjen katastrofik të çmimit, - po qe se e tejkalon kuotën – e kemi në rrëzë të veshit. Dhe rritja e çmimit të energjisë, përveçse gëzon qeverinë që mbush buxhetin me paratë e popullit, nuk është tregues prosperiteti e investimesh.
Kështu pak nga pak mbërritëm në ditët e fundit të vitit 2022.
Gjakrat po nxehen në kufijtë tanë veriorë. Ore po nuk të lë njeri rehat të hash as kaposhin e festës. Sa e rregullojmë me grekët, e prishim me serbët. S’ka karar kjo dynja. Përplasja dhe tensioni mund të jetë një ogur i mirë për ca e ca, fjala vjen për bosët e prodhimit të armëve. Por taksa paguhet drejt e në mishin e popullit. Kështu që këtu jemi e jemi me humbje.
Të keqen e festave!
Ore po çfarë lamë pa fituar në vitin e vjetër që do ta fitojnë në vitin e ri, këtë më duket se nuk arrita ta shkoqisja dot.

Tuesday, December 27, 2022

Yryshi grek: Të marrim ç’të mundim nga Shqipëria


Nga Leonard Veizi
 
Në 30 vitet e fundit marrëdhëniet shqiptaro-greke kanë ecur gjithmonë mbi një teh të nxehtë. Mund të thuash se ndonjëherë ato kanë qenë të shkëlqyera ashtu si dhe shumë raste të tjera kanë prodhuar konfliktualitet.
Politika greke e ka mbajtur ngrehur çështjen e të drejtave të minoritetit në Shqipëri. Por struket dhe fshihet nëse u kujton “Çështjen Çame”, ku guximi i vetëm është se arrijnë të shprehen se “nuk ka një çështje të tillë”. Në fakt edhe për politikën shqiptare Çështja Çame gati nuk ekziston. Ajo nuk arrin të ngrihet asnjëherë në nivel debati. Dhe në të shumtën e rasteve edhe emigrantët me shumicë në shtetin fqinj i lë jetim. Pra, në këtë pikë, politika jonë çalon ca si tepër. Ndërsa ajo e grekëve është agresive dhe përfituese. Veç kësaj, politika e shtetit fqinj ka detyruar shtetin shqiptar të ngrejë jo pak po 5-së varreza me eshtrat e ushtarëve grekë të vrarë në territorin e Shqipërisë, por jo nga shqiptarët, sigurisht. Plot apo bosh këto varreza, kjo nuk ka rëndësi. E rëndësishme është që në hartë të shënjohen vendet ku ushtarët grekë kanë rënë për Atdhe.
20 vitet e fundit po merremi me ndarjen e kufijve detarë e nuk po gjejmë qetësi. Grekët po mundohen të hyjnë sa më shumë në territorin tonë. Ne nuk bëjmë asnjë përpjekje për të hyrë në territorin e tyre. Thjesht po mundohemi të zotërojmë atë që na takon. E meqë s’po ia dalim dot, së fundi kemi rënë dakord për një arbitër ndërkombëtar të na e zgjidhë punën. E gjithë kjo performancë njëanësore sipas politikës greke është: marrëdhënie reciproke.
Ne si shqiptarë, duke dashur të heqim dorën nga zjarri, apo të mos e vëmë dorë në zjarr, themi se tensionet mes Tiranës dhe Athinës kanë nisur më së shumti nga përtej kufirit dhe gjithmonë në shkelje të kushtetutshmërisë së vendit tonë. Sepse kanë qenë deputetët grekë ata që kanë ndërhyrë në mënyrë të paligjshme në territorin shqiptar edhe në rastet e zgjedhjeve, sidomos ato vendore. Në territoret tona është valëvitur flamuri grek aq sa nuk tundet as në majën e Parlamentit të Athinës. Minoriteti grek, edhe në kohën e diktaturës ka pasur më shumë të drejta se sa vetë shqiptarët. Mirëpo politika e Athinës vazhdimisht kërkon. Këtë herë në rend të ditës ishin pronat. Vërtet me pronat është bërë kasaphanë, por nuk është se ka qenë qëllimisht vetëm për minoritarët. Në Shqipëri, asnjë shqiptar nuk i ka marrë pronat e veta. Ia kanë marrë të tjerë, po. Megjithatë kryeministri grek, përkrah atij shqiptar, garantoi për zgjidhjen e çështjeve mbetur ngrehur.
E për ta thelluar më shumë problemin: kanë qenë forca greke, apo individë të veçantë që nën emrin e Greqisë, që kanë nxjerrë armët dhe i kanë shkrehur kundra shqiptarëve në territorin shqiptar. Thonë se e kanë për një ideal të madh: Vorio Epirin. Kanë dizajnuar edhe një flamur me këtë rast. Më parë se kaq, për të njëjtat qëllime, në vitet 1912-1914 grekët dërguan andartët për të masakruar popullsinë civile brenda territorit shqiptar, sidomos në fshatrat e zonës Korçë-Kolonjë.
Incidentet e vjetra dhe këto të rejat janë në vazhdim të “marrëdhënieve reciproke”.
Por shqiptarët në Greqi kanë vajtur vetëm si emigrantë dhe në duar nuk kanë mbajtur armë e municione, por lopata e mistri, e kanë shtruar kurrizin për të bërë ato punë që grekët nuk i bëjnë më. Askush prej tyre nuk mori pushkën i veshur me uniformë e shenja të ushtrisë shqiptare për të vrarë nën emrin e ndonjë ideali. Aaa…, nëse ka pasur trafikantë të armatosur, kjo është tjetër gjë. Më ata është marrë Asfaleia apo Astynomia, sipas ligjit vendas. Nuk besoj se do thotë kush që u ngrit shteti shqiptar t’i merrte në mbrojtje?!
Po në këtë vazhdimësi incidentesh, herë të dukshme e herë të mbuluara, është edhe rasti i fundit kur një shtetar grek i hipën një avioni ushtarak me dy helika e bashkë me shpurën e tij mbrojtëse zbret në jug të Shqipërisë.
Kush e kërcënonte jetën e Kyriakos Mitsotakisit në Shqipëri, që kryeministrit iu desh të kërkonte mbrojtje nga ushtria? Për më tepër që pretendon se helikopteri dyhelikësh u ul pikërisht në mesin e njerëzve të tij të gjakut e të gjuhës? Pra, në një vend shumë të sigurt, ku dhe shteti shqiptar kishte ngritur duart përpjetë dhe ia kishte lënë menaxhimin palës greke. Me këtë rast Mitsotakisit i mungonte vetëm një jelek antiplumb që të ishte i blinduar, e të dukej se po shkonte për inspektim në zonat e nxehta të Ukrainës.
A është ky një spektakël???
Megjithatë kryeministri grek ecte i buzëqeshur. Ai u tregoi bashkëpatriotëve të tij supermacinë, sepse fluturoi me një helikopter ushtarak mbi territorin e një vendi sovran, ku vetë shteti shqiptar e lejoi. Këtë “nder” nuk e bëri as Xhorxh W. Bushi gjatë vizitës së tij në Fushë Krujë. Erdhi vetëm Romano Prodi, si kryeministër i Italisë, në prillin e vitit 1997, por në kushtet e një shteti që ishte futur në kaos, me armët sheshit e me njerëz anormalë që qëllonin me kallashnikov nga t’u vinte për mbarë.
Por kjo ka ndodhur shekullin e kaluar. Tanimë jemi në mijëvjeçarin e ri. Megjithatë, një fjalë e urtë popullore thotë: ujku qimen e ndërron por zakonin nuk e harron.
Dhe ajo çfarë tjetër më bëri përshtypje kohët e fundit ishte që pas vizitës së kryeministrit majë helikopterit ushtarak, për Krishtlindje, në katedralen ortodokse në mes të Tiranës, meshohej greqisht. Dhe kjo ka 30 vjet që ndodh rregullisht. Për Krishtlindje e për Pashkë. Ndërkohë populli është shqiptar. Se mesha transmetohet edhe në televizor.
A mos jemi kthyer gjë në shtojcën e Greqisë?
Në planin gjeopolitik duket sikur ne shqiptarët i kemi punët mirë me turqit dhe jo fort mirë me grekët. Turqit në fund të fundit na konsiderojnë si “vëllezër”, edhe pse nuk kemi asnjë pikë takimi me ta. Grekët, me të cilët na ndan një kufi, ku kemi hyrë e dalë me njëri-tjetrin si na i ka marrë mendja, na trajtojnë si djalin e njerkës, të cilin mundohen ta zhvatin sa më shumë: t’u marrim një copë toke, t’u marrim ca nga ujët e detit dhe nëntokën e tij bashkë me të…. e kështu me radhë.
Turqit duket sikur nuk kanë synime territorialiste. Edhe po patën ndërmend të ringrenë Perandorinë Osmane e të sjellin taborët me ushtarë këtej nga ne, do kalojnë fillimisht përmes Athinës, të ngrenë ndonjë xhami pastaj të vijnë në Tiranë ku xhamia është e ngritur tashmë.
Në këtë kohë tensionesh, ku Athina dhe Ankaraja hedhin e presin me njëra-tjetrën, vetë Athinës nuk i rrihet pa hapur dhe një front të dytë “ngacmimesh”. Prandaj kryeministri grek mbërrin në Himarë dhe u drejtohet nënshtetasve shqiptarë: popull etnik grek.
Pikë e zezë.
Ne si shqiptarë e bëjmë shumë tolerantin me grekët. I lëmë të na futen nën rrogoz aq sa t’u duket vetja më të zgjuar nga sa janë. Ndoshta ngaqë s’kemi shumë këllqe. Ndoshta ngaqë kemi ndër ta nja një milion shqiptarë të pas vitit 1990, të integruar tashmë. Ndoshta ngaqë vota e Greqisë ose na fut ose na mban larg nga BE-ja. Ose ndoshta ngaqë jemi vetë si popull kozmopolitan ku nacionalizmin ekstrem e shprehim vetëm nëpër tavolina kafenesh e sidomos në komente fejsbuku.
Tani jemi në pritje që kryeministri shqiptar të shkojë në Greqi e të thotë ndonjë thagmë sa Athinës t’i luajë tepeleku i kokës dhe media vendase ta anatemojë.
Gjithsesi, mbetet për të parë më parë: si do zgjidhet puna për pronat e minoritarëve dhe çfarë të rejash do kemi me ndarjen e detit. Sepse Çështja Çame do vazhdojë të qëndrojë e mbyllur në dosje.

Friday, December 23, 2022

Shqiptarët e varfër në tavolinën e majme të festave


Nga Leonard Veizi
 
Një nga turpet më të mëdha që shqiptarët nuk e mbajnë dot mbi shpinë është pikërisht trapeza e panginjur e një feste, sidomos kur vjen puna për atë të Vitit të Ri që është dhe festa më e madhe, e cila ia kalon asaj të Pavarësisë, Fiter Bajramit, Krishtlindjeve dhe Ditës së Hashures.
Në tavolina kafenesh, në ditët e fundit të dhjetorit, rendi i bisedës ka të bëjë me festat e fundvitit. Ku do t’i kalojmë, në ndonjë restorant apo në shtëpi? Ama pyetje.
Në shtëpi them, se të bie më lirë...
-Të gjithë piqemi me dhjamin tonë. Këtë vit jemi ca ngushtë se edhe misrin e dongdisi bryma keq. Lëmsh kjo punë mor djalë, - justifikohej Xhezua i filmit “Përballimi”, që kish nisur të zinte dhjamë pak e nga pak, por që hiqej fukara si Shemshedini.
Mirë e ke ti, po sa lirë i bie? Se duket sikur të bie më lirë, por ja që nuk është dhe aq lirë. Janë gjithë ato shpenzime. Nuk turpërohemi ne. Po duhet verë Kallmeti, birrë Korçe e raki Skrapari.
Iku kjo.
Djathë Gjirokastre, gjizë Tepelene dhe turshi Pogradeci.
Vate dhe kjo punë.
Asortimente për sallatë ruse e sallatë greke – se sallata shqiptare nuk njihet më në menu.
Hë mo sa i vini re dhe këto vogëlsira!
Pa duhet mish për rosto, për biftekë, kukurecë dhe sallameri mikse.
-Shëndetlije si nga Elbasani i porosisim në fund.
-Ç’i do tërë ato gjellë, një bark kemi, - i thosh Zenuni të vëllait, Llano Bletës që nga një ekonomist modest kooperative ishte emëruar Drejtor Drejtorie në kryeqytet dhe Vitin e Ri e festonte te restoranti i Hotel Arbërisë.
Sikur e tepruam ca me shpenzimet më duket. Se dhe çmimet janë rritur goxha këtë vit..., jo për gjë. Të mos harrojmë përsheshin si nga Vlora. Ndaj duhen ndarë ca para mënjanë për gjelin e detit. Le po me ble një gjel deti, nga ato të Kavajës apo të Peqinit, si me ble një makinë të përdorme. E di sa ka vajtur kilja e gjelit apo jo...?
Po mirë..., më mirë me ble një makinë të përdorme. Vjen dhe rrotull Tirane, e nuk rri pret autobusin fizarmonikë.
Jo ore, në gjithë këtë trafik. Po nafta?
Harrova fare. Se makinat e përdorme janë dhe me karburant, ta marrë djalli. Dhe karburanti ka vajtur sa litri i uiskit. Bordi, kur kujtohet të mblidhet, ose e shton 20 lek, ose e ul 2 lek. Të paktën me uiski pi bëhesh dërrasë e nja dy ditë nuk merr vesh asgjë. I harron të gjitha, të mirat dhe të këqijat e kësaj bote sidomos.
Dhe për djall ne i kemi festat njëra pas tjetrës. U mbyll nëntori me festat e Pavarësisë dhe të Çlirimit. Tani kemi Krishtlindjen dhe Vitin e Ri.
Po ti e ke emrin Bajram, ç’ne me Krishtlindjet?
-E a derbardhë, rroftë sebepi...
Atë thuaj. Jo, se po ta zbresësh si festë të zbresin dhe shpenzimet. Se festë me kosto kjo e 25 dhjetorit. Po ti qëndrosh pikë për pikë. Mirë që do ia shtrosh e do ia bësh bam, por duhet të bësh dhurata edhe për tërë fisin. Të mjafton rroga që t’ia dalësh e të hidhesh në janar? Se nuk ka as shpërblime për fundvit. Ka vajt puna keq. Osht shtrëngu rripi, duhet me hap vrima të reja. Apo varja... hamë e pijmë sot një herë pa për vitin 2023 ka kush mendon.
-Jo, ti nuk e ke keq xhanëm por unë s’kam para mënjanë moj zemër, - i justifikohej Kleas, artizan Bubuqi që bënte sëndyqe për nuse e qivure për kaurrë.
-Po na mjaftojnë ato që ke Pllaton, pa për më tej ka Perëndia, - ia ktheu lozonjarja Klea që kishte mbetur thatë pasi i kishin plasur dhe burrin në burg.
Dhe bëhet fjalë pikërisht për festat e fundvitit në Korçën e vitit 1948 tek filmi “Përballimi” me skenar të Teodor Laços e regji të Viktor Gjikës.
Por tani po mbyllim vitin 2022. Dhe janë 74 vite në mes. Atëherë luftohej qoftë dhe për një copë bukë misri. Ndërsa sot duket sikur në njëfarë mënyre shqiptarët i kanë thënë tutje fukarrallëkut. Kanë shkuar të punojnë në emigracion, e kanë parë botë me sy. Por sërish të varfër mbetën.
Edhe pse kanë kaluar kaq vite dhe teknologjia ka kapur majat, tavolina e festës përsëri mbetet një hall për shqiptarët. Sepse të paktën natën e ndërrimit të viteve ata duan ta kenë tavolinën plot. Po plot fare. Aq plot sa mundësisht të thyhet në mes nga pesha e shisheve të alkoolit, të mishit e të tepsisë së bakllavasë. Se prandaj janë festat për të ngrënë sa të na mbajë barku e të pijmë duke ngritur shëndete për mirëqenie e prosperitet.
-Shëndeti i Safait!
-Shëndet të kesh!
-Të zotit të kësaj shtëpie që sot marton djalin dhe na ka thirrur të gjithëve siç jemi. Kemi qenë miq brez pas brezi. E forcofshim dhe më tej. Rrofsh e u shtofsh me njerëz e me mall, e i trashëgofsh! Dollibashi urdhër!
Ja kjo është panorama e dollive edhe tani, po aq sa dhe në dimrin e vitit 1944, kohë për të cilin flet dhe sekuenca e transkriptuar nga filmi “Malet me blerim mbuluar” të regjisorit Dhimitër Anagnosti, ku xha Lamja ngrinte shëndete e shkundte gotat, megjithëse në Zonën e Parë Operative bëhej luftë: partizanët kondra gjermanëve. Tavolinat ndryshojnë, por jo dollitë. Se në ato vite të turbullta nuk njihej as sallata ruse dhe as ajo greke, por sallata me domate që e quanim: sallatë fshati. Mirëpo ja që u rrit pjaca këto vitet e fundit dhe e hoqëm gjizën e Tepelenës nga pjata duke e konvertuar atë me djathë. Papritur na doli: sallatë greke. Goxha shpikje për nder.
-Ma latë filxhanin në dorë, - iu drejtohej dasmorëve xha Lamja, gjysmë i dehur. -  Epo gëzuar, të gjithëve!


Sunday, December 18, 2022

Ajo është Tinka


Nga 
Leonard Veizi
 
Ajo është Tinka.
Në skenën e teatrit dhe në sheshin e xhirimit, portreti i saj në pelikulën e filmit ka memorizuar me dhjetëra imazhe personazhesh. Kujtesa është aty, e gjallë, vetëm një hap larg, dhe gjithçka shfaqet e pandryshueshme si 60 apo 65 vite më parë.
Ajo është Tinka, unike, universale.
Ishte 16 vjeç kur hipi për herë të parë në një skenë teatrore. Ishte 88 kur interpretoi për herë të fundit përpara një kamera digjitale. Tanimë është 90-të, por askush nuk është në gjendje të parashikojë se çdo të ndodhi më pas. Vetëm një gjë dihet me siguri të plotë se ajo është aq vitale sa nuk do të kundërshtonte asnjë regjisor për për të interpretuar një rol të ri. Dhe asnjëherë ai rol nuk do të jetë i fundit i saj.
Ajo është Tinka.
Gjyshe Patra që ajo luajti në vitin 1979 dukej shumë më e moçme se sa Tinka është sot.
Me gjithë problemet që ka pasur në jetë ajo nuk është rrëzuar e ka ditur të mbahet plot dinjitet në këmbë.
Sepse ajo është Tinka.
E butë dhe e fortë. Vajtuese dhe gazmore.
Ajo ishte Nënë Pashakoja tragjike tek “Yjet e netëve të gjata” dhe krejt komike si nëna e djalit tek “Çifti i lumtur”.
-Pesëmbëdhjetë kile femën... jo, jo. Nuse ishte ajo e mbrëmshmja. Nuse që ta mbush shtëpinë.
Tinka Kurti është padyshim një nga ikonat e filmit dhe të teatrit shqiptar. Aktore që për shkak të diapazonit të saj mund të përtypte gjithfarë rolesh, qëndrore dhe episodike, dramatike dhe nga ato plot humor.
Në jetëshkrimin e saj zyrtar thuhet se Tinka Kurti, u lind në Sarajevë të Bosnjës, më 17 dhjetor 1932. Por vetëm pak vite më vonë familja do të shpërngulej në Shkodër. Nëse i ati Dedë Kolë Thani ishte me origjinë nga zona e Nikaj-Mërturit, e ëma Elisabet fon Balinda ishte nga Budapesti i Hungarisë.
Do të ishte protagoniste që në fillimet e kinemasë shqiptare me filmin “Tana” prodhuar në vitin 1958. Një puthje e dhënë prej saj në këtë film pionier të kinemasë shqiptare, do të mbetej gjatë në kujtesën e telespektatorit, sepse pas kësaj puthja në film a në skenë do të vlerësohej si “shfaqje e huaj” e nuk do të përsëritej më.
Por ajo e bëri, sepse është Tinka.
Një rol tjetër emblematik i saj është edhe ai i sinjorina Mançinit tek “Vajzat me Kordele të kuqe”.
-Ide e bukur sinjor Bartolini. Që këtej e tutje do të jenë në një kafaz të vërtetë dhe zogu në kafaz nuk këndon për gaz por për maraz.
Megjithëse jetonte në veri të Shqipërisë, Tinka Kurti kishte një përshtatje të jashtëzakonshme me një grua jugu. Dhe kështu ajo u përfaqësua jo vetëm me rolin e nënë Pashakos, por dhe atë të nënës së Halit Beratit tek “Gjeneral gramafoni”, nënës së Sakos tek “Dasma e Sakos” apo nënës së Verës tek “Në fillim të verës”.
-U, Shpëtimi... po si je mor bir? Ku je se na i thave sytë. Nëna, zonja krushkë si është? Lodhet?
Dhe kështu fare mirë ajo mund të cilësohet dhe si një aktore nënë, për shkak të roleve të shumta. Sepse ishte dhe nëna tek “Zemra e nënës” nëna e Kujtimit tek “Qortimet e vjeshtës”, nënë e Neritanit tek “Telefoni i një mëngjesi”, nënë e Tomës tek “Flutura në kabinën time”, nëna e Agronit tek “Hije që mbeten pas”. Dhe po aq ishte dhe nëna e Ilirit tek “Guximtarët” që ndiqte autobusin me vrap në tentativë për t’i dhënë djalit alpinist një xhaketë të harruar në shtëpi.
E megjithatë ajo është Tinka, gjithsesi.
Ndërkohë që në rolin e Patra Balltajt, tek filmi televiziv “Emblema e Dikurshme” , Tinka Kurti në moshë 47-vjeçare, interpretonte një grua që jetonte thellësinë e moshës së saj.
-Asnjë sy i gjallë, asnjë. Mos më lini të gënjej se jam plakë. Po atje ka një dru arre. Atë natë kishte vetëtima apo jo? Arra është plakë si unë. Shkoni dhe çajeni në mes drurin e arrës. Se arra shikon në dritën e vetëtimave. Dhe atë që shikon arra e mban mend për tërë jetën.
Që nga viti 1949 e deri sa doli në pension Tinka Kurti ishte aktore e Teatrit “Migjeni” të Shkodrës. Në 60 vite jetë skenike ajo ka regjistruar më shumë se 35 filma artistikë si dhe të paktën 150 shfaqje teatrore. Mbahen mend mirë nga spektatori roli komik i saj si Domenika tek komedia “Këshilli i ndrikullave” dhe po aq nëna e Blertës tek  drama “Fejesa e Blertës”. Kjo veprimtari vitale e ka bërë që të marrë çmime të shumta, si në festivalet kombëtare të filmit, ashtu edhe në ato të teatrit. Ndërkohë që është e vlerësuar me titujt “Artiste e Popullit” dhe “Mjeshtër i Madh”. Në vitin 2003, regjisori Esat Teliti realizoi një dokumentar të titulluar thjesht "Tinka" kushtuar jetës së saj.
Dhe ajo është Tinka.
Edhe pse 88 vjeç, gjatë vitit 2020, Tinka Kurti iu rikthye kinemasë pasi pranoi propozimin e regjisorit Eduard Grishaj për të marrë një rol në filmin e tij “Sofia”.
Sepse ajo mendon se ende nuk e ka dhënë të plotë të gjithë potencialin e saj.
E tanimë ka mbetur postulat mesazhi i dhënë prej saj dhe i shpërndarë masivisht në rrjetet sociale: “Nuk e kam frikë, frikën, aq më pak vdekjen! I trembem pleqnisë së trunit… Në rast se ajo vjen një ditë kam vdek dy herë”.
Ndaj ajo është Tinka.


Friday, December 16, 2022

Prozatorët dalin skarco, ordinatorët ngjeshen te Lidhja e Shkrimtarëve


Nga 
Leonard Veizi
 
A ia vlen të shkruhet më letërsia artistike si në kohën kur shkrimtarët nën dritën e qiririt përdornin pendën e palloit dhe bojë të bëhej nga bloza e tretur në ujë kanali?
Po çfarë thua o babam, i ke mend e kokës apo të kanë rrjedhur fare?
Se shkrimtarët kanë maninë që kërkojnë të shikojnë ëndrra me sy hapur, dhe kur nuk është e nevojshme. E veç kësaj u duket se po kullojnë djersën për të mirën e popullit, që demek duke shtrydhur trutë t’u japë atyre racionin e ushqimit shpirtëror, që merrte gjithmonë pas dreke, si ke ngrënë tasqebap me uthull molle dhe hudhra safi, apo makarona me fasule dhe një qepë bahçeje për shoqërim. E pasi ke mbushur barkun duhet të mbushësh dhe kokën.
U pika që s’të bie... mu në kokë!
Nejse. Që kohët kanë ndryshuar kjo nuk diskutohet më. Se në vend të qiririt kemi poçin elektrik e në vend të pendës së palloit, kemi një laptop me bateri. Kursejmë dhe bojën me këtë rast. Dhe mund të shkruajmë letërsi sa të duam e ta ngopim popullin me përralla. Se shkrimtarëve çfarë s’u thotë mendja.
Por sa për vete, vendosa të heq dorë nga letërsia, që nga çasti kur mora vesh se u arrit edhe një hap i madh në fushën e inovacionit: inteligjenca artificiale na paska nisur të shkruajë romane. Se punët e tjera i ka vaftisur me kohë. Në faqet italiane të internetit gëlonin lajmet se ishte shkruar romani i parë, ku një ordinatori të ftohtë e pa jetë i kishte ardhur në ndihmë dhe një shkrimtar prej vërteti. Dhe tak-fak romani. Jo si ca shkrimtarë që duan nga pesë vjet për të qullosur ca faqe.
Megjithatë, meqenëse i përkas një gjenerate që kemi besuar vetëm tek inteligjenca e qenies njerëzore mbi tokë, - ku shkrimtarët ishin prej mishi e gjaku, - nuk do marr më mundimin të lexoj ndonjë roman të ri, por vetëm do të shfletoj ata të vjetrit, për të cilët kam bindjen e patundur se janë prodhuar nga inteligjenca natyrale e mendjeve brilante, si fjala vjen: Shekspiri, Dante, Hygoi, Dostojevski, Balzaku, Gëte,...
Sa për njohuri të atyre që ende nuk janë futur në brazdë e s'po kuptojnë gjë: Shkrimtaria artificiale ka të bëjë me një nga versionet komerciale të GPT-3, gjenerata e fundit e OpenAI, projekti i financuar nga Elon Musk dhe i zhvilluar nga Microsoft. Është një algoritëm që përdor të mësuarit e thellë për të prodhuar tekste të ngjashme me ato të shkruara nga një qenie njerëzore.
Kështu, përvoja mbërriti te shkrimtarit Italian, Roko Tanika, që në bashkëpunim të ngushtë me një mjet robotik i quajtur Out0mat-B13 nxori në dritë vëllimin me titull: "Ne nuk kemi qenë kurrë në Tokë".
Por si funksionon punëtoria e një shkrimtari të ndihmuar nga Inteligjenca Artificiale?
Nëpërmjet shkrimeve botuar andej-këtej në shtypin italian informohem se shkrimtari përdori faqen ShortlyAI, sepse sipas tij "u përgjigj më mirë në italisht". Por tanimë ka dhjetëra shërbime të shkrimit automatik në dispozicion. Në rastin e ShortlyAI mund të zgjedhësh midis dy mënyrave kryesore, "artikull" ose "histori", pastaj thjesht shkruani një titull dhe një përmbledhje të shkurtër të temës. Duke klikuar në butonin "shkruaj për mua" shkrimtari merr një tekst në madhësinë e dëshiruar: të shkurtër, të mesëm ose të gjatë. Nëse kërkoni një stil të veçantë, thjesht "ushqeni" sistemin me një pjesë shembullore, deri në 3500 karaktere. Shkrimtari Roko Tanika është shprehur se ai e ushqeu sistemin me një roman të Italo Kalvinos dhe me një tjetër nga Dino Bucati. Ndërkohë shtoi dhe tekste nga Çarls Dikens, për të marrë një stil retrospektiv, si dhe ka provuar të fusë në lojë dhe hajkun japonez. Miks fare.
Shkurt: jepi ushqim vëlla se kjo punë qenka bërë si lopa. Fut foragjere: tërshërë e tërfil e nxirr qumësht. Fut koçanin e misrit e nxirr pakon e djathit. Fut... lëre mos e nga më mirë.
Përkthyer në kushtet e Shqipërisë, kushdo që i teket të shkruajë një libër, - qoftë ky dhe hajvan për nga natyra, - mund të mbushë platformën digjitale me ca Kadare, pak Agoll, ndonjë gramë Kongol dhe vargje nga Fishta... Mundet që kjo të mos të të bëjë shkrimtar, se me këtë formulë dukesh më shumë si shef kuzhine në fakt: një filxhan oriz, 100 gramë gjalpë, ndonjë erëzë, e... “lluku-lluku, e lluku-lluku, bëhet mjalti”.
Ta lumsha moj teknologji...
Tanimë tekstet e gjeneruara nga Inteligjenca Artificiale, ndër të tjera, janë të garantuara si 100% origjinale: pasi janë në gjendje të kalojnë kontrollet e plagjiaturës.
Ja ku u bë dhe kjo punë!
Dhe kur shkruan një roman, inteligjenca artificiale se ka për gjë fare të shkruajë një artikull gazete, mjaft që platformën në fjalë ta furnizosh me emrat e anëtarëve të qeverisë dhe tenderat e zhvilluara, se del vet në përfundim në ka korrupsion, apo qeveria ka punuar me pastërti si shërbëtor i popullit dhe ne i biem kot në qafë.
Kështu që edhe si gazetar do mbetem pa punë.
Jallah...
Përballë këtyre sfidave, njerëzimi do të duhet të bëhet edhe më inteligjent, përndryshe do të mbetet në klasë. Sepse ka të ngjarë që një ditë klasikët e letërsisë do të ndahen midis atyre të shkruar vetëm nga njerëzit dhe atyre të shkruara në bashkëpunim, nga njeriu dhe softueri, ose ndoshta vetëm nga një ordinator. Në këtë kuadër mund të jetë e nevojshme një revolucionarizim i ri: përditësimi i rregullave për Çmimet, si për Nobelin në Letërsi ashtu dhe Pulitzer në Gazetari. Se një kompjuter inteligjent, patjetër që kërkon dhe një çmim për punën e tij krijuese.
Ndërsa shkrimtarët e vërtetë, ata prej mishi dhe gjaku, do të dalin të gjithë në pension. Në mos do shihen me syrin e dështakut. Kurse në “Lidhjen e Shkrimtarëve” do të vërshojnë kërkesat e letrarëve të rinj. Sepse edhe ata do të kenë emra. Nuk është vetëm Out0mat-B13 në lojë.
Ky do jetë trendi i ri, këtej e tutje.
Tek e fundit, përse duhet vrarë aq shumë mendja: - për të gjetur një motiv, për të thurur një intrigë e për të pasur një sintaksë të rregullt, për përshtatje sinonimesh, për të gërmuar në fjalor për të gjetur fjalë të vjetra e të papërdorura, për ca sens poetik brenda prozës, - kur një kompjuter e bënte këtë punë shumë më mirë, shumë më lehtë, fare pa kosto e në një kohë rekord.
Deri para do kohësh kisha lexuar në vazhdimësi se inteligjenca artificiale do të ndihmonte njeriun në punët e shtëpisë, pra do të ishte si punë skllavi. Ca më tej ai u intensifikua dhe e rriti pjacën: nisi të bëjë rolin e kirurgut. Dhe kur bën kirurgun, farmacistin e bën me sy mbyllur. Deri këtu nuk më është dukur se ka gjë të keqe. Përkundrazi. Sepse bën vaki që një tru elektronik të të japë indikacione më të sakta se dora njerëzore në një ndërhyrje kirurgjikale. Por a mund të jetë një kompjuter më i aftë se njeriu për të prodhuar fraza letrare? Për të pasur një ndjeshmëri shpirtërore aq sa t’i japë jetë një fabule?
Bota mund të mos vuajë më për materiale letrare, sepse me siguri do të ketë me bollëk, pjesë për t’u vënë në skenë, humor, drama e skenarë filmash. Ose ndoshta shkrimtarë jo fort të afirmuar, tanimë do të kërkojnë ndihmën e një ordinatori, ku ky i fundit të shkruajë, dhe tjetri, - frymor me inteligjencë të ulët, - të vendosi emrin sipër dhe të presë t’i shitet vepra e të bëjë para me të.
Por çdo e keqe e ka dhe një të mirë. Sepse kjo mënyrë do të rregullojë përfundimisht egon e shkrimtarëve. Tani nuk do të ketë më shkrimtarë të shquar dhe mediokër, vepra të zakonshme dhe kryevepra. Sepse të gjithë do të jenë në lartësinë e duhur.

Friday, December 9, 2022

Në kushtet e keqësimit të klimës, shqiptarët i largohen “besës”


Nga Leonard Veizi
 
Ku është shqiptari në kushtet e reja të keqësimit të klimës së përgjithshme në botë? A po njehsohet ai me të keqen, apo është vënë përballë saj?
Vite më parë shkrimtari Ismail Kadare u mundua të japë një përgjigje në faqet e fundit të romanit: “Kush e solli Doruntinën”. Edhe pse romani në tërësinë e tij, - si zhanër a gjini, - ka të bëjë me një fiksion, ai është mbështetur fort mbi një legjendë thellësisht shqiptare, e cila ka qarkulluar dhe me modele të përafërta në treva të ndryshme të Ballkanit. Pavarësisht se ngjarjet e romanit janë vendosur një kohë të largët e në tjetër kontekst, edhe atëherë flitej për një përkeqësim të klimës së përgjithshme, apo siç thotë autori: një kohë provash, krimesh e pabesish të lemerishme. Sepse klima e përgjithshme, e rajonit, e kontinentit, por dhe e vetë botës, jo vetëm rrezikohet herë pas here në mënyrë ciklike, por ka raste kur brenda një kohe të shkurtër përkeqësohet më shumë se një herë, pa i lënë të ketë frymëmarrjen e duhur.
Kadare shkruan se pikërisht Kapiteni Stres, “shefi i komisariatit të policisë” së kontesë, i cili kishte ndërmarrë hetimin mbi udhëtimin e çuditshëm të Doruntinës së gjallë, motër e shtatë vëllezërve, me një kalorës së vdekur, apo... me një kalorës fantazmë e që nuk ekzistonte - për të cilin pretendohej se ishte vëllai i saj që i kishte dhënë fjalën se do ta sillte me patjetër nga kështjella e largët e bashkëshortit ku ishte martuar në shtëpinë vëllazërore, -  doli pikërisht në këtë përfundim që e bëri publik në prani të parisë dhe klerikëve:
Çdo popull, përballë rrezikut, mpreh mjetet mbrojtëse dhe, kryesorja, krijon mjete të reja. Duhet të jesh dritëshkurtër që të mos kuptosh se Arbri ndodhet përpara dramave të mëdha. Herët a vonë ato do të mbërrijnë në kufijtë e tij, në mos kanë mbërritur. Atëherë del pyetja: në këto kushte të reja të keqësimit të klimës së përgjithshme në botë, në këtë kohë provash, krimesh e pabesish të lemerishme, ç'fytyrë do të ketë njeriu i Arbrit? Do të njehsohet ai me të keqen, apo do t'i vihet përballë asaj? Me një fjalë do të shfytyrohet për t'iu përshtatur maskave të kohës, në mënyrë që të sigurojë mbijetesën e vet, apo do të ruajë fytyrën e pandryshueshme, duke rrezikuar të tërheqë mbi vete zemërimin e kohës? Për Arbrin po afrohet çasti i provës, i zgjedhjes midis dy fytyrave. Dhe, në qoftë se populli i Arbrit ka filluar të përpunojë në thellësitë e tij struktura të tilla sublime, siç është Besa, kjo tregon se Arbri është duke e bërë zgjedhjen e vet. Këtë mesazh u ngrit për t’ia sjellë Arbrit dhe gjithë botës, nga fundi i gropës ku qe shtrirë, Kostandini.  Por ky mesazh nuk është i lehtë për t’u pranuar. Ai do të kërkojë flijime të rënda brez pas brezi. Më i rëndë se kryqi i Krishtit do të jetë ai”.
Kadare e dha një ide. Një ide që sipas të shkruarit të tij fiksional, ka pasur të bëjë me institucionalizimin e Besës, pikërisht në periudhën para se ushtritë osmane të Azisë së Vogël të hidheshin mbi Ballkan për të bërë të pamundurën më pas të ndryshonin shtyllën kurrizore të një populli. Dhe ndoshta ia arritën në një përqindje të madhe ta deformonin atë, por qartësisht nuk e ndryshuan dot tërësisht. Sepse shqiptarët e sotëm, edhe pse me tipare të njëjta, janë ndryshe nga arbrit e gjashtëqind, shtatëqind apo tetëqind viteve më parë.
Sot, shqiptarët ndodhen sërish përballë kushteve të reja të keqësimit të klimës së përgjithshme në botë. Çfarë po institucionalizojnë ata këtë herë? Sepse deri tani ajo që është e dukshme, më shumë se sa Besa, që do ta mbante të bashkuar kombin, është largimi. Ikja nga kjo tokë. Shpopullimi i saj. Dhe largimi nëpër vende të tjera, nuk e mban më të bashkuar njësinë arbërore. Ata nisin ta humbin traditën. Do ta humbin pak nga pak në hapësirë dhe në kohë. Dhe gjashtëqind, shtatëqind, apo tetëqind vite më pas, vështirë të jenë më shqiptarë, po ashtu siç arritën të mbeteshin arbëreshët e Kalabrisë.
Çfarë po bën ai në këto kushte në mënyrë që të sigurojë mbijetesën e vet? Po njehsohet me të keqen, apo është vënë përballë asaj? Sepse koha po tregon se më shumë se njehsimi me të keqen apo përballja me të, është mënjanimi prej saj.
Mirëpo Kostandini, - që u ngrit prej fundit të gropës për t’i dhënë botës mesazhin për fytyrën e re të Arbrit, - e kreu misionin, dhe nuk mund të ketë një ngritje të dytë të tij. Dhe s’ka më rëndësi, u ngrit apo s'u ngrit i vdekuri nga varri, për ta kryer vetë atë që duhej të kryente, s'ka rëndësi cili qe kalorësi dhe ç'kalë shaloi ai atë natë të errët kur u nis, ç'krahë mbanin frerin, ç'këmbë shkelnin yzengjitë dhe mbi flokët e kujt binte pluhuri i udhës. Sepse kjo ka të bëjë me të kaluarën tashmë.
Ndërkohë na duhet një Konstandin i ri. Për të dhënë mesazhe të reja
Po ku është ai?
Shqiptarët duket se kanë rënë në apati. U mungon frymëzimi për ngritje kauzash dhe mbrojtje të tyre. Mund t’ia hedhim fajet perandorisë osmane dhe trysnisë së saj 500-vjeçare. Por mund të fajësojmë dhe regjimin komunist që në emër të njeriut të ri, vazhdoi procesin për të krijuar një hibrid pa identitet.
Dhe tanimë shqiptarët gjenden në një tjetër udhëkryq.
Megjithatë sot nuk është e dukshme që shqiptarët të jenë ballë për ballë me të keqen, ta mbajnë të mbërthyer atë që të mos ketë mundësi të bëjë hapa para. Shqiptarët thjesht po largohen, pa e vrarë shumë mendjen se e keqja do mbulojë atë ç’ka lënë pas.

Friday, December 2, 2022

110 vite shtet... na ishte një herë ushtria!


Nga 
Leonard Veizi
 
Tanimë datën e themelimit të Forcave të Armatosura, e përkujtojmë si për të thënë: Na ishte një herë ushtria! Banda luan marshe ushtarake nëpër qytet, por në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” nuk ndihen kërcitja e këpucëve të rënda mbi pllaka, të ushtarëve veshur me kamuflazh, as gumëzhima e zinxhirëve të tankeve dhe as motorët e IFA-ve dy-diferencialëshe që tërhiqnin pas vetes topat e kalibrit të rëndë 120 milimetra. Dhe për më tepër, mbi qiellin e Tiranës nuk përshëndesin me fluturimin e tyre skuadriljet e avionëve MIG-19, që ishin pjesë e arsenalit të Forcave Ajrore.
Sepse parada nuk organizohen më, prej vitesh.
Në këtë 110 vjetor të shtetit shqiptar, 4 dhjetori i vitit 1912 na kujton se menjëherë pas shpalljes së Mëvetësisë së Shqipërisë prej Portës së Lartë, detyra kryesore ishte mbrojtja e asaj që sapo ishte fituar. Dhe fitorja mbrohej me armë. Ndaj vetëm gjashtë ditë pasi Ismail Qemali kishte marrë detyrën e Kryeministrit, u krijua Ministria e Mbrojtjes Kombëtare dhe u shpall formimi i Ushtrisë Kombëtare Shqiptare. Çetat dhe luftëtarë vullnetarë të zonave përreth, që kishin mbërritur në Vlorë për të mbrojtur Flamurin, u bënë dhe bërthama e ushtrisë së sapoformuar.
Por mbrojtja nuk merrte më vlerë nga vullnetarët me gjysmë opinge, ndaj duhej mobilizuar një forcë që të ishte e aftë të përdorte armatimin dhe të vepronte në terren sipas praktikave të artit ushtarak. Në këtë sipërmarrje shqiptarët i ndihmuan edhe ushtarakë të ardhur nga Evropa, sidomos një trupë oficerësh holandezë.
Por zhvillimi i dy Luftërave Ballkanike dhe i Luftës së Parë Botërore, ndikuan drejtpërdrejt në dobësimin deri në shpërbërje të ushtrisë shqiptare.
Megjithatë, edhe në vitet 1914-1920  Forcat e Armatosura u munduan të organizoheshin sërish.
Në funddhjetorin e vitit 1924 nën drejtimin e Ahmet Zogut si kryeministër, Ushtria nisi të marrë pamje dhe përmbajtje më të plotë, duke u kompletuar dhe me bazë ligjore. Kjo situatë do të vazhdonte deri në vitin 1939. Për mbajtjen e trupave ushtarake, konsumohej një përqindje e lartë e buxhetit të shtetit. Por, në çastin tragjik, më 7 prill 1939, përballë pushtimit fashist, forcat ushtarake shqiptare rezultuan një dështim i vërtetë. Kufiri Shqiptar sërish u mbrojt nga vullnetarët. Ushtarakëve madhorë u rrofshin gradat që varnin mbi supe, sepse nuk përfillën as betimin se do të binin për atdhe kur ta lypte nevoja.
Ushtria Popullore nën drejtimin e Enver Hoxhës mban si datë krijimi 10 korrikun e vitit 1943. Pas Luftës së Dytë Botërore, në kulmin e fuqisë së saj, kjo ushtri kishte një potencial prej 60 mijë ushtarë të gatshëm, dhe 16.500 oficerësh komandues. Ndërsa në rast alarmi arrinte të rekrutonte në 72 orë deri në 800 mijë njerëz nën armë. Por dhe kjo ushtri, e cila pas vitit 1992 iu nënshtrua ristrukturimit, u shkatërrua në fillim të vitit 1997. Nga e gjithë kasaphana, shpëtoi vetëm Divizioni i Kukësit, i cili një vit më vonë do të përballej në kufi me ushtrinë serbe.
Prandaj duhet ushtria! Jo për t’u kapardisur bulevardit me grada dhe dekorata të pamerituara.
Pavarësisht se në kushtet e reja të globalizmit duket sikur ushtarakisht, askujt nuk i bie në mendje për Shqipërinë, sërish mbajtja e një trupe të aftë për t'u përballur me një armik potencial, është domosdoshmëri. Se ne në të shumtën e rasteve mendojmë: Na mbron NATO. Ose zhvlerësojmë: he mo se nuk na sulmon njeri. Mbase edhe Ukraina kështu mendonte deri para sulmit rus, por sot me njësitë e saj ushtarake po arrin të mbrojë territorin.
Rezymeja e shkurtër e ushtrisë shqiptare, në 110 vitet e jetës së shtetit, ishte sa për fillim. Se vetë ecuria e saj tregon qartë se më së shumti jemi shquar për reforma dekonstruksioni. Dhe ushtria ka qenë e para që i është nënshtruar shkatërrimit.
U ndërtua nga Ismail Qemali. U prish. U ndërtua nga Ahmet Zogu. U prish. U ndërtua nga Enver Hoxha. U prish.
Tani kemi një ushtri simbolike. Një ushtri që sa herë i jepen detyra, aq herë del zbuluar se nuk ka as mjetet më minimale, qoftë dhe për emergjenca civile. Një ushtri pa avionë, pa tanke, pa raketa, madje dhe pa topa e mitralozë, por vetëm me armë të lehta, disa motovedeta që patrullojnë bregdetin si dhe rreth 20 helikopterë që nuk janë të aftë as për patrullime dhe as për luftë, por që përdoren më së shumti për ngarkesa gjithfarësh.
Se për luftë frontale as që bëhet fjalë.
Sepse jo vetëm nuk kemi armatim të rëndë dhe të prodhuar afër në kohë, - gjë që e bën ushtrinë një njësi moderne, - por nuk kemi as këmbësori mjaftueshëm.
Ah po... nuk duhet të qahemi dhe aq shumë. Sepse ushtria e dikurshme na ka lënë një arsenal të vërtetë, të cilat kanë qenë në vazhdimësi mollë sherri. Sepse me këtë arsenal janë bërë shumë para.
Me pronat e ushtrisë janë bërë e bëhen dallavere pafund. Pra ushtria në Shqipëri vlen për diçka. Duke e çmontuar nxjerr goxha përfitime. Sepse po të nxjerrësh nga qarkullimi çdo lloj arme, do përfitosh prej metalit të saj. Qoftë dhe nga kondakët që mund t’i përdorësh për dru zjarri. Përfiton dhe nga baruti i municionit. Përfiton nga pajisjet elektronike të radiolokatorëve. Përfiton nga shkrirja e spitaleve fushorë, ku nuk mbetën as shtretërit, as medikamentet dhe as pajisjet kirurgjikale.
Në vitet e diktaturës, për shkak të një organizimi masiv, Shqipëria kishte në organikë 800 batalione. Ishin vërtet shumë. Njësi të tmerrshme për një luftë frontale. Se me to formoheshin 127 brigada dhe 34 regjimente. Këmbësorisë i bashkoheshin dhe rreth 1200 tanke dhe mjete të blinduara, rreth 240 avionë dhe helikopterë si dhe të paktën 100 anije të formateve të ndryshme që ishin në përbërje të Flotës Detare. Kjo e bënte Ushtrinë Shqiptare që të merrte një llokmë të madhe nga buxheti i shtetit. E meqenëse deri në vitin 1978 ndihmat nga Kina ishin të jashtëzakonshme në fushën e mbrojtjes, ndërprerja e tyre bëri që e gjithë barra të binte mbi kurrizin e shtetit shqiptar. Kostoja për të mbajtur në gatishmëri një teknikë të madhe në numër dhe që po vjetrohej me shpejtësi, bëri që ekonomia shqiptare të shkonte drejt falimentimit.
Padyshim, ushtria ka kosto të lartë. Nuk është e lehtë ta mbash.
Sot jemi në ditët e festimeve të 110 viteve të shtetit shqiptar. Në zyrat e ushtarakëve madhorë ka ajër të kondicionuar dhe frigoriferë ku mbahen pije energjike. Por mungojnë shtretërit me batanije leshi dhe pajimet e gatishmërisë si helmeta dhe kundragazi. Ushtarakët janë trashur tashmë e nuk bëjnë as stërvitje terreni dhe as qitje me pistoleta. Por mund të mburren se kanë mësuar anglisht dhe se merren vesh mirë me koordinatorët e NATO-s.
Ministria e Mbrojtjes ka një territor të pabesueshëm, nga ana institucionale dhe zyra kuadrosh pa fund. Por ushtri fizike ka shumë më pak në organikë.
Jemi në ditët e festimeve të 110 vjetorit të shtetit shqiptar dhe të ushtrisë së tij, sigurisht.