Thursday, November 30, 2023

Ese mbi romanin "Orgji në famullinë e at Ludovikut" të Leonard Veizit


Nga 
Eduart Sulollari     
                   
Muzg i thyer në portat e fund vjeshtës. Ngushëllon parkun e vetmuar era. Përkëdhel mes lavdisë fodulle shiun e lehtë mbi gjethet e saporëna. Me hutimin e llambave të verbra kaloj kryqëzimin e udhës "Western Ave". Nga thellësi e pasdites, fjolla bore flijohen kangjellave të grisë së lumit Hadson. Shtyj portën e orës shtatë. Yje meite kolliten ndanë dritares gjysmë të hapur. Rrëmbej raftit librat e sapo ardhur nga Shqipëria.
Romani "Orgji në famullinë e at Ludovikut" gris heshtjen. Faqet e para përpij. Çasti kurdis akrepat e zhveshur. Goditje e fabulës është robëruese. Triller. Veizi, ky romancier shokues godet me fuqinë e akullit. Faqet shastisin kohën. Mesnata e largët kaq pranë. Vorbull fantastike e ngjarjeve. E paniktë. Klithja. Kjo britmë që mban pezull tashmë ankthin tënd. Famulli e at Ludovikut përpihet nga flakët. Qyteza e një province të harruar mes maleve gdhend krimin makabër. Është shkrumbuar gjithçka. Në qiellin e verbuar nga dhimbja, ndihen ende lebetitjet e viktimave të karbonizuara...
Inspektor Edi po ecën jo mbi një vdekje? Kur kërkon të vesh pak rregull mbi këtë rrëfim, shfaqet Viku. Prehrit të tij e motra këput frymën e fundit. Pena e Veizit shkëlqen. Hedh tronditjen që shemb çdo qetësi. Ajgëton ankthi yt si lexues. Përpin rreshtat. Kapitujt.  Mesnata çapitet sinorit të vet. Ti, je mes zallamahisë tronditëse shpirtërore. Fjollat e borës shtojnë furinë jashtë. Gënjehesh nëse ke gjetur fillin e të vërtetës. Qoftë sadopak. Eva, mbart në tempullin e rrëfimit të fshehtën përvëluese.
Kurthe.
Personazhe që hyjnë pa bujë, por gatuajnë bujshëm fatet e tyre.
"Zinxhiri i mëkateve dhe i pendesave sillej përreth  për t'u lidhur nyje në një pikë. Prej aty gjithçka bëhet e pazgjidhshme" citon në faqen 73 autori.
Dukesh, po kalbesh nga goditja. Kaq e thjeshtë dukja. Mesnata shuan ankthin dhe pushteti i plotë i frikës shfaqet gërryes.
Dua ta gris këtë fletë, ta flak romanin oxhakut mëkatar që djeg drurët e moçëm ngeshëm. Zhytur thellë në tmerr shpirti i at Ludovikut. Prerë copash rehatia. Vëshon, shkelmon mëkati i vetëm... me Evën.
E largët kënaqësi rraskapitëse. Ka kaluar çerek shekulli. Mbuluar ajo dalldi erotike me koren e trashë të harrimit. Dinake, tradhtarë,  shkëndi e mëkatit kacavirret gjasme e shkretë dhe endacake famullisë.
Vuajtja çjerr plagën e pashëruar kurrë.
Viki braktis shtëpinë. Gjyshi dhe gjyshja ronitur nga  ikja, vakët presin kthimin e tij. Krejt i vetëm përgjatë kërkimit të babait që nuk e  ka njohur kurrë, mbetet i tromaksur nga fati kur gjendet në dyert e famullisë dhe babai, është, ah!
AT LUDOVIKU.
Asnjë dashuri nuk gjallëron në zemrën e tharë si eshkë. Djegur nga dëshira marrake të gjejë babanë e munguar, por ka vdekur bulëz vezulluese se është pa baba. Ardhur në jetë prej mëkatit...
Nata e ftohtë mpin shpirt dhe trup të atit.
Kapërdin zjarrminë e tërbimit. Lumturi e egër ngre velat gjakut në kaos. I fanitet e nesërmja mes mashtrimit para besimtarëve. Tradhtia heshtën mban në duar. Ënjtur prej braktisjes. Zoti me qetësi ulëritëse do t'i shkulë ajrin e mbetur dhomës së rrëfimit.
Si një pishtar tek dridhet në bedenën e rrënuar të kështjellës së largët, në zemrën e lyrosur nga gënjeshtra lebetitëse që realiteti ia vërvit, vjen i verbuar mëkati i ri.
Katandisur në kafshimin e dhimbjes së beftë, dhembshuria rrokulliset honit të krimit makabër.
Shastisur si drita je nëse mes brishtësisë që fêrgëllon, ke gjerbur gllënjkën e kënaqësisë së rrëfimit nga Veizi.
Në tradhti të vogla copëton, shtrydh kapitjen tënde. Ke ende minuta që do të rrjepin durimin përgjatë leximit tek duan të të përkundin zjarrmisë. Çohu pra shfletoje dreqin edhe pak. Në djall kjo natë që u rrokullis pagjumësisë. Shihi mirë zaret e hedhura të rrëfimit, nëse nuk do që ta ngarkosh ende me mëkatè atin Ludovik.
Leonard Veizi

Sunday, November 26, 2023

Universali Zef Deda


Nga 
Leonard Veizi
 
Në historinë e teatrit shqiptar ka plot aktorë që kanë luajtur mjaftueshëm në skenë, por për fatin e tyre të keq nuk u mbahet mend as personazhi dhe as ndonjë batutë. Ndërsa ai do të kujtohet në vazhdimësi qoftë dhe se ishe aktori më i përshtatshëm që mund të luante “kunatin e shokut Xhemal”. Dhe një prej batutave emblemë të humorit shqiptar, - pjesë e materialit letrar të Paulin Selimit, - është lëshuar prej tij kur në rolin e Lonit iu përgjigj pyetjes së kandidates për vjehërr: Si e pini kafen?
-Të mesme me pak, si shoku Xhemal.
Ashtu si dhe në shumë raste të tjera, ikja e një aktori që ka lënë gjurmë të thella tek spektatori, nuk arrin ta dimensionojë të gjithë aktin e vet tragjik. Sepse për aktorin, më shumë se sa në të gjallë të tij flitet pas vdekjes, atëherë kur ai nis të jetojë në një tjetër dimension. Kështu që ai mbetet sërish mes njerëzve si një kujtim, që në tërësinë konceptuale ka më tepër vlerë se sa koha e shkurtër që ai kalon mbi tokë fizikisht, me mish e kocka.
Kështu do të ndodhë edhe me të. Sepse prej 24 nëntorit 2023 kur dha frymën e fundit, ai do të jetë përjetësisht mes njerëzve si një aktor i gjallë e plot humor dinamik edhe pse në fakt nuk jeton më.
Zef Deda iku paqësisht nga kjo botë. Ishte 73 vjeç. Nuk ishte koha më e mirë për të ikur. Por meqenëse thuhet rëndom se kjo punë nuk ka rradhë, edhe ai nuk e priti rradhën. E ndoshta për shkak të tipit sanguin dhe plot energji, iku ca më shpejt nga sa mund të mendohej. Kohët e fundit nuk ishte ndjerë fort mirë me shëndetin. Por kjo nuk e bëri aspak pesimist dhe humori që i buronte e mbante me moral të lartë.
Tanimë ai është ngjitur në panteon. Ai na sheh, ne jo.
Dashuria ime vetiake për aktorin Zef Dedën nisi që atëherë kur ai në bashkëpunim me Gjosho Vasinë, në natën e ndërrimit të viteve, solli për fëmijët personazhin aq të dashur, Altinin. Nuk kishte mundësi që ne të prisnin aq gjatë, një vit të tërë, ose 365 ditë, që të mund të shihnim sërish aventurat e Altinit çapkën me xhaxhi Gjoshon që e vinte në lojë vazhdimisht. Dhe kjo do të vazhdonte vit pas viti.
Sot ky aktor universal, i batutës dhe pantonimës, i interpretimit dhe i imitimit nuk është më në jetë. Por edhe me vdekjen e tij ai solli sërish buzëqeshje. E trishtë sigurisht, por jo tragjike. Sepse sa herë do të kujtohet Zef Deda patjetër që bashkë me imazhin e tij do të shfaqet plastika e fytyrës së tij që përshtatej aq mrekullisht me rolin dhe do të kumbojë zëri me batutat e skajshme si në rastin e skeçit “Kushëriri nga Amerika” kur në një pako të shumëpritur nga përtej oqeanit, kushëriri i largët erdhi si hi në një qese, por që nga kushëriri shqiptar u mor si një pluhur supe, bashkë me testamentin sqarues:
-Ooooo.... Po pse s’tregon, ne qenkena tuj hangër kushurinin.
Në jetëshkrimin zyrtar për të thuhet se ai u lind më 27 korrik të vitit1950, pikërisht në Shkodër. Talenti i tij spikati qysh herët. Me shkathtësi dhe me një plastikë të shkëlqyer psiko-fizike, ai arrinte të realizonte pafund figura artistike. U shkollua në qytetin e lindjes, dhe më pas në Politeknikumin e Ndërtimit në Tiranë. Më pas nis shkollën e lartë në degën Gjuhë – Letërsi, por nuk e përfundon dot për arsye shëndetësore.
Për tre vite Zef Deda bashkëpunoi me Estradën e Ushtarit në Tiranë. Pas kryerjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak, më 13 janar 1973, u emërua si aktor profesionist në Estradën e Shkodrës. Për më shumë se 40-vjet ka qenë pjesë e Teatrit “Migjeni”.
Mbante titullin e lartë “Mjeshtri i Madh” por më së shumti njihej si Çaplini shqiptar, për shkak të imitimit në perfeksion të aktorit të madh britanik.
Për Zef Dedën nuk ke pse flet gjatë. Për të ka folur vetë puna e tij. Mjafton të ndjekësh pjesët ku ai interpreton, përmes ekranit të televizorit dhe do mbash ijet me duar. Duket sikur është thjesht një aktor humori, por në fakt ai është po aq dramatik në humorin e tij.
-Doruntinë motër, dhashë fjalën që do të vija për urim për shtëpinë e re dhe erdha. Kapërceva 9 male me tulla, 9 gropa me ujë, 9 grumbuj me llaç. Shpirti im e din se ç’hoq, NSHN ta paça borxh.
Zef Deda ka lënë personazhe të pashlyera në memorien kolektive. Mjafton të kujtojmë këtu Lonin me shkollë të mesme, apo shokun Loni në qoftë se motra e tij do të ishte martuar me shokun Loro. Por e motra fatkeqësisht iu martua në fshat me Xhemal Katundarin, që çuditërisht pas ca vitesh erdhi me punë në Komitet. Që nga ai çast Loni nuk ishte më Loni, por kunati i shokut Xhemal. Kjo është një nga pikat kulmore të interpretimit të Zef Dedës. Veç asaj që “shoku-miku” si kishte ngrënë e pirë në shtëpinë e nëpunësit të tij dërgon shoferin për të thënë që gjatë darkës i kishte rënë një buton ari nga mënga e xhaketës. Së fundi, vjen batuta kur çifti Katerina Biga e Zef Deda kuptuan lojën e shefit:
-Ajjjj. Ai shoku-miku, i ka pat të gjitha mundësitë që të thoshte se nji ktu i ka ra dhe manjetofoni.
Por Zef Deda ka qenë dhe pjesë e kinematografisë shqiptare. Ai interpreton rolin e një piloti tek filmi “Gjurmë në kaltërsi”, ku dhe këndon me zërin e tij që kap një diapazon të lartë oktavazh, fragmentin lajtmotiv nga opera “Rigoleto”.
Zef Deda iku në amshim.
Në prurjet e statuseve ngushëlluese që u hodhën me këtë rast në rrjetet sociale, më tërhoqi vëmendjen një fjali ku thuhej: “Shkodra pa Zef Dedën sot ndihet më e vogël”. Përkundër këtij mendimi, më duhet të them se Shkodra rritet shumë më tepër edhe nga vdekja e aktorëve të saj. Sepse janë pikërisht ata që pasurinë e tyre ia kalojnë këtij qyteti magjik. Dhe ajo, kohë pas kohe bëhet edhe më e pasur, edhe më e fortë, edhe më e madhe sigurisht.
Sot ai nuk është më në jetë, por personazhet e tij jetojnë. Dhe deduksioni është i thjeshtë: Zef Deda nuk mund të ketë vdekur, ai do të udhëtojë si Konstandini, përderisa jeton përmes personazheve.
 

Friday, November 24, 2023

Drama e shqiptarëve: Të qeshin duke parë shëmtinë e fytyrës së vet


Nga Leonard Veizi
 
Të qeshësh mbi fatin tënd, apo më mirë të thuash mbi fatkeqësinë tënde. Të qeshësh sepse nuk qan dot. Sepse po të qash bëhesh edhe më qesharak. Të qeshësh duke parë fytyrën tënde në pasqyrë. “Kalorësi i fytyrës së vrerosur: do të shkruante Servantes 500 vite më parë. Kjo e jona nuk është e vrerosur. Është e salduar. Por shëmtia e fytyrës nuk të alarmon më, sepse ti je mësuar me të. Të bën thjesht të qeshësh. Dhe nuk ka shans që për shkak të deformimeve ti ta mbash frymën drejt e tek kirurgu estetist. Të bësh ndonjë korrigjim hunde a buzësh. Të zvogëlosh veshët e të mbjellësh ca flokë të rinj. Apo në fund të fundit t’i fusësh një “ritaç” në kompjuter. Ti kërkon të qëndrosh ashtu siç je, i paepur në shëmtinë tënde. Normal. Sepse nuk do të ishe më ti. Megjithëse në këtë botë për shkak të ndikimit psikologjik, - qoftë dhe për shkak të teknologjisë, - gjithçka kurohet, shqiptarët vazhdojnë me avazin e vjetër: të çjerrin fytyrën e tyre.
Këtë na mëson dhe një komedi, që sot nuk është fort e njohur se sapo është është ngjitur në skenë, por me siguri në të ardhmen e afërt do të afirmohet si e tillë tek spektatori i gjerë.
Në ditët e Festivalit të Teatrit Shqiptar “Moisiu”, në pamundësi për të ndjekur të gjitha shfaqjet zgjodha njërën prej tyre: “Dëshira e tretë” e vënë në skenë nga Teatri “Petro Marko”, Vlorë, me dramaturg Ferdinand Hysin e regjisor Roland Mingën.  Çështje shansi, apo më mirë të themi kjo ra kur u hodhën zarat.
Interesi ishte i madh. Jo vetëm për këtë shfaqje sigurisht. Sepse jemi në ditë festivali dhe skenografitë ndërrohen njëra pas tjetrës për të pritur trupat pjesëmarrëse. Ne presim zgjedhjen tonë. Dhe futemi me urgjencë brenda për të zënë vendet, gjë që tregoi se ishte një sukses i pritshëm. Dhe imagjinoni sa zhgënjyese do të ishte nëse suksesi nuk do të ishte ai që pritej. Por jo: Këtu nuk kemi të bëjmë më me hedhje zaresh dhe as me bixhoz. Fillimisht këtu shihen emrat: Garanton dramaturgu Hysi dhe regjisori Minga, garantojnë aktorët Mamaj, Thomaraj por dhe Islami e Çaushi, garantojnë.... të gjithë në fakt.
Në pamje të parë komedia duket me një fabul të thjeshtë: Një Xhind kërkon t’u plotësojë ca njerëzve tre kërkesa. Eh, e njohur fabula,... ohu, që nga “Një mijë e një netë”. Por si është motivuar komedia: Në ditëlindjen e gjyshit të shtëpisë, e gjithë familja është mbledhur si për një ngjarje të zakonshme, shpejt e shpejt dhe kaq. Ikja e dritave do të provokojë kërkimin e një kandili të vjetër, i cili nuk është gjë tjetër veç… llamba proverbiale e Xhindit që plotëson tre dëshira. Por cilat do të jenë tre dëshirat, kur kushti i vetëm për realizimin e tyre është që e gjithë familja të jetë në të njëjtin mendim.
Këto tre dëshira ne si spektatorë të thjeshtë nuk i marrim dot me mend, përderisa dhe autori nuk na i ka vënë përpara në pjatë. Se aty u fol që njëri donte të bëhej president, një tjetër ministër, njëri deputet, dhe një si punë zëvendës-shefi që nuk ia varte njeri të bëhej shef tek e fundit, në mos po ambasador. Pastaj u ndez dhe më keq debati se filluan kërkesat për shtëpi e orendi, e më the e të thashë...
Po a ka mundësi që në kaq shumë kërkesa të shkunden e tunden dhe të rezultojnë vetëm tre?
Vetëm nëse autori kishte gjetur çelësin se si 7 shqiptarë mund të bëhen bashkë për të dhënë të njëjtin mendim. Kjo e bëri edhe më kureshtare ndjekjen e vazhdimësisë së komedisë.
Nisim të bëjmë një llogari. Pra kemi tre dëshira dhe asnjë më shumë, që Xhindi, -  të cilin shqiptarët entuziastë e pagëzuan me emrin Xhimi për ta bërë më kontemporan, - i realizon sa hap e mbyll sytë. Janë 7 personazhe por që kanë të paktën 14 dëshira... ndoshta dhe 21 a 28 ec e ta marrësh vesh. Po cila nga dëshirat do të triumfojë, që t'i shkojë Xhindit Xhimi për zbatim?
Kujë e zezë.
Këtu nis dhe kacafytja. Këtu nisin dhe skenat plot batuta dhe humor. Asnjëri nuk i hap rrugën tjetrit. As babai vajzës, as vjehrra dhëndrit dhe as komshiu që kishte shkuar në ditëlindjen për t'i rënë qylit e për të ngrënë ndonjë copë torte. Kush të lë o vëlla? Të gjithë e kanë nga një ëndërr në sirtar. Mjerë sirtari po u hap.
S’ka burrë që mund të bëjë 7 shqiptarët bashkë në të njëjtën mendje. Dhe ky është realiteti i përditshëm tek e fundit: konfliktualiteti, i cili shoqëron shoqërinë tonë dhe jo vetëm, tash e shumë vite. Aq sa dhe Xhindi që po rrekej të zbatonte misionin e tij tha: Vetëm në sherr qenkeni të gjithë të të njëjtit mendim.
Në fund të fundit një veti për të qenë bashkë të gjithë e paskemi ne si shqiptarë. Dhe për kaq duhet gëzuar.
Trupa e Teatrit të Vlorës, erdhi në Ar’Turbina me një skenografi interesante e krejt fleksibël realizuar nga Drini Shehu i cili kish përzgjedhur dhe kostumografinë, ndërsa formulimi muzikor ishte vepër e Artur Dhamos.
Falë aktorëve me talent e plot përvojë, Astrit Mamaj, Artan Islami, Margent Çaushi, Lavdimir Abilaliaj por dhe atyre më të rinjve në moshë, Eliona Thomaraj, Matilda Avduli, Algiona Aga, Ermir Hoxhaj, trupa “Petro Marko” arriti të përcjellë në mënyrë të shkëlqyer mesazhet e koduara të autorit të cilat ishin çkoduar nga regjisori.
Dhe përfundimi, - pasi Xhindi kthehet në shishen e tij si ka çuar në djall tre dëshirat e 7 personazheve, është: Asnjë mrekulli e magji nuk mund të zgjidhë hallet e një shoqërie, nëse zgjidhja nuk gjenerohet nga ndërveprimi, toleranca dhe pranimi i ekzistencës së njëri-tjetrit.
Dhe kaq.
Për më tepër komedia duhet ndjekur në skenë, pasi një shkrim gazete as e rrënon dot nga kritika dhe as e ngre dot në piedestal. Thjesht vepra duhet regjistruar në shirit manjetik që të transmetohet për telespektatorin dhe atëherë kur aktorët ta kenë "braktisur" atë sepse një vepër e re duhet ngjitur sërish në skenë.


Moral mbi patriotizmin e patriotëve shqiptarë


Nga 
Leonard Veizi
 
Çfarë do të thotë patriot? Fjalori i gjuhës shqipe e shpjegon në këtë mënyrë: Ai që do atdheun dhe popullin e vet dhe që u shërben atyre me besnikëri, ai që lufton me vetëmohim për të mbrojtur interesat e vendit e të popullit të vet... etj, etj.
Tani vjen pyetja e dytë: A jemi ne shqiptarët patriotë?
E di anatemimin kur vihet në dyshim një gjë e tillë. Se tek e fundit: “kush je ti që e vë në dyshim”. Po t’i pyesësh një e nga një të gjithë shqiptarët, - fjala vjen të kishte një kategori tek censusi, - të gjithë dalim patriotë të kulluar që jemi gati të sakrifikojmë laçkë e plaçkë, edhe paratë, në shërbim të kombit. Si burrat një herë motit. Por në fakt, si tërësi, nuk është se dukemi fort të tillë. Domethënë dalim patriot me fjalë.
Për patriotizmin populli dhe figura të veçanta kanë nxjerrë plot aforizma: Për shembull kjo është e shkrimtarit amerikan Eduard Abei: Një patriot duhet të jetë gjithmonë i gatshëm ta mbrojë Atdheun nga qeveria e tij.
-Qyqja, ç'na the!
Por At Gjergj Fishta e ka dhënë më bukur me vargjet e tij: Flamuri kombëtar nuk ka ç'ka ban nder ne, po kje se dashtni nuk kem' për Atdhe!
Fundi i nëntorit na ka rezervuar ne shqiptarëve dy festa kombëtare ku njëra është më e rëndësishme dhe që ka të bëjë me shpalljen e Pavarësisë, - pra me bërjen e një shteti në fund të fundit, -  dhe tjetra ka të bëjë me çlirimin e vendit nga trupat naziste të Rajhut të Tretë. Të dyja festat në kalendar shënohen me të kuqe, që do të thotë pushim.
Por kjo është thikë me dy presa, se më shumë se simboli i festës shihet tavolina e festës. Edhe 28-ta edhe 29-ta. Lë gjumë deri afër mesditës, e pastaj drejt e me kokë në tryezën e mishit, po fundja dy të rrahura të bëjnë keq, se dy të ngrëna... gjak e dhjamë të bëhen.
Ka nga ata që për hir të festës së Shpalljes së Pavarësisë e nxjerrin nga një flamur kuq e zi tek parvazi i dritares. Kjo edhe mund të quhet një element patriotizmi. Por gjithsesi është një patriotizëm fasadë. Sepse mund të mos jesh fare patriot, dhe sa për sy e faqe e nxjerr flamurin jo një a dy ditë në dritare, por për inat të 365 ditët e vitit. Mirëpo kjo nuk mund të quhet trend në Shqipëri, as modë. Ne qejf kemi të valëvisim flamurin kur fiton ekipi i futbollit që përfaqëson kombëtaren, që në fund të fundit edhe ky është një tjetër lloj i segmentit patriotik.
Por a duhet të mjaftohemi me kaq.
Po edhe me kaq mund të mjaftohemi se tek e fundit nuk do mendojmë 24 orë për patriotizëm.
Kjo puna e patriotizmit më kujton nja dy batuta të filmit “Përballimi”, me skenar të Teodor Laços dhe regji nga Viktor Gjika, kur flitej për vitet e vështira të një shteti të sapodalë nga lufta që ndodhej në vështirësi e i rrezikohej çapa e bukës për nënshtetasit e vet.
-Çështja e dorëzimit të bereqetit si detyrim bile dhe si tepricë është bërë jo vetëm e domosdoshme që të jesh në rregull me shtetin, por është dhe si të them... edhe detyrë patriotike. Kush i thotë vetes patriot nuk mënon të japi bereqetin. Vjen puna kështu more vëllezër, njësoj si dje në luftë: nuk mund të rrish dot mënjanë. O do të tregohesh patriot, o je...
-Shumë thellë na fute djalë, shumë thellë. Mati fjalët se në ato thekra nuk hyjmë ne!
E ja për kaq gjë flitet që të jesh patriot: të sakrifikosh diçka nga vetja për tjetrin, që është po prapë i yti. Sepse të japësh për atë që është në nevojë diçka që është e jotja, që e ke fituar me punë e me djersë, është edhe solidarizim edhe altruizëm, por edhe patriotizëm. Se ka të bëjë me mbarëvajtjen e punëve brenda shtëpisë tënde të madhe. Kjo do të thotë që duhet një marrëdhënie e ndërsjellë e shtetit me individin. Të jap më jep, dhe sërish mbetemi tanët. Por kur njëra anë rëndon mbi tjetrën edhe të qenit patriot nis e merr tatëpjetën.
Natyrisht në 70-80 vitet e fundit ne nuk jemi vënë në provë si popull për të treguar patriotizmin. Në 111 vitet e shtetit duhet thënë se shqiptarët u treguan patriot edhe në Luftën e Vlorës më 1920 edhe gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore, por dhe në Luftën e Kosovës. Ashtu siç treguam dhe anën tjetër të medaljes kur në vitin 1997 e shkatërruam shtetin, sikur ai të ishte armiku ynë më i madh.
Epo bëjnë vaki edhe gjëra të tilla.
Mirëpo botës i ka mbetur në kujtesë shqiptari me antitank e kallashnikov... dhe jo më me drapër në dorë duke korrur grurin dhe as majë traktorit “Stalinesk” duke hapur toka të reja.
Në të vërtetë Shpallja e Pavarësisë apo e ngritjes së Flamurit siç e njohim ndryshe, çuditërisht kalon me një lloj heshtje. Nuk është se ka ndonjë entuziazëm të dukshëm nëpër rrugë. Shumë më tepër ka për Shën Valentinin, ku dynjaja shkulet për të kapur Kodrat e Liqenit Artificial. Lëre për Ditën e Verës. Hajde babam, hajde. Vlon ballakumja dhe ahengu.
Kot i biem në qafë popullit. Tek e fundit secili i di vetë punët e veta. Ne mund ta tregojmë patriotizmin tonë jo vetëm në rrjetet sociale dhe kur shkojmë në stadium, por duke shtrënguar çdokush familjen e vet, pra qelizën bazë. Ne mund ta tregojmë patriotizmin si njerëz punëtorë e jo si spaçatorë. Ne mund ta tregojmë patriotizmin duke kontribuar në shtet jo duke e rrjepur shtetin që pastaj të themi: e çfarë bën shteti për ne?!
Mos e teprova gjë duke bërë moral?
Edhe kujt pa...
Vitet e fundit nuk është se jemi shquar për patriotizëm. Sepse patriot do të thotë jo vetëm ta duash vendin tënd me fjalë e duke bërë tatuazh shqiponjën dykrerëshe në llërë, por dhe të kontribuosh në të gjitha hallkat dhe mbi të gjitha të kërkosh të drejtat e tua nga shteti tek i cili investon. Po ke parë ndonjë demonstratë civile për të drejta civile? Për çmimet fjala vjen, apo për ngritje rrogash, për sistemin arsimor, apo atë mjekësor...
Mos mor e fol.
Hajde patriotizëm, hajde. Ndaj shqiptarët e kanë më të lehtë t'ia futin vrapit e të kalojnë gardhin, duke thënë: ky vend nuk bëhet.
Çështje e mungesës së besimit.
Ne nuk para i besojmë shtetit tonë. Si gjermanët fjala vjen. Na duket sikur na e ka gjithmonë me të futur. Sepse kur shkojmë për të mbaruar një hall, me shumë gjasa nuk e mbarojmë atë. Dhe nis zhgënjimi. Na duken vetet e huaja më të mirë se i yni. Ndaj preferojmë të flemë poshtë urës duke braktisur dyshekun e shtëpisë.
Megjithatë mund të jetosh jashtë shtetit dhe të jesh shumë më tepër patriot se sa ata që jetojnë përditë brenda kufijve administrativë. Sepse patriotizmi nuk ka të bëjë as me largimin dhe as me qëndrimin në vendin ku ke lindur. Në fund të fundit patriotizmi është frymë.

Wednesday, November 22, 2023

Vrasja e Kenedit, dyshimet e tmerrshme në filmin epokal të Oliver Stones

 22 nëntor 1963
 
 

Nga Leonard Veizi
 
E premtja e 22 nëntorit 1963 në Dallasin e Teksasit rezatonte prej diellit. Nga një makinë e hapur tip “Lincoln”, presidenti amerikan Kenedi dhe bashkëshortja e tij gjysmë franceze Zhaklin, përshëndetnin qytetarët e shumtë që qëndronin anash rrugëve. Para tyre ishte ulur guvernatori i Teksasit Xhon Koneli me gruan Neli. Në ora 12.39, kolona iu afrua udhëkryqit të rrugëve “Elm” dhe “Houston”, pranë ndërtesës së një biblioteke. U dëgjuan krisma. 46-vjeçari Xhon Fitxherald Kenedi, që ishte dhe Presidenti i 35-të i Shteteve të Bashkuara, ishte qëlluar. Bashkëshortja e tij, e veshur me “Chanel” të kuq, u mbulua nga gjaku. Kamerat që ndiqnin vizitën presidenciale regjistruan atë çfarë ndodhi në makinën e pambuluar që shoqërohej nga motorrët e policisë dhe sigurimi civil. Presidenti i plagosur rëndë u dërgua menjëherë në “Parkland Memorial Hospital” tek Dhoma e Traumës 1. Një gazetar që raportonte para spitalit dha lajmin: "Presidenti i Shteteve të Bashkuara ka vdekur". Shumëkush mban mend fytyrën dhe përlotjen e Uollter Kronkeit që trasmetonte nga “CBS News”
Ishte ora 13.00  dhe Kenedi i shumëpërfolur kishte 1063 ditë në detyrë si president...
 
...E konsideruar si vrasja e shekullit, goditja vdekjeprurese ndaj presidentit amerikan, vazhdon te jetë pa autor. Ç'është e vërteta autor i dyshuar i ngjarjes u shpall Li Harvei Osvald, një ish ushtarak i rekrutuar në Korpusin e Marinës, por që kishte bërë kërkesë për heqjen dorë nga nënshtetwsia amerikane dhe për shkak të pikpamjeve të tij ultra të majta donte të jetonte në Bashkimin Sovjetik.
 
Ngjarja
Pak minuta pas atentatit, Osvald u arrestua në Teatrin e Teksasit. Policia më pas, në katin e 6-të të bibliotekës, zbuloi pushkën që ishte përdorur për vrasjen e Kenedit. U vërtetua se Osvald e kishte blerë përmes postës, dhe arma mbante gjurmët e gishtërinjve të tij.
Sipas hetuesve të qeverisë dhe hetuesve të pavarur, njëri plumb e goditi Kenedin prapa qafës dhe i kaloi nëpër fyt, që më pas të vazhdojë nëpër shpatullën dhe krahun e guvernatorit Koneli dhe të përfundojë në këmbën e këtij të fundit. Plumbi tjetër e goditi Kenedin në anën e djathtë të kokës, duke e qëlluar për vdekje. Kenedi vdiq, kurse Konoli mbeti gjallë. Ky më vonë u quajt "plumbi magjik", një teori e mbështetur nga Komisioni qeveritar “Warren”.
Një hetim 10-mujor nga Komisioni Warren arriti në përfundimin se Osvald kishte vepruar i vetëm. Ndërsa në një akt që mbetet ende sot një mister, mafiozi Xhek Rubi e vrau Osvald përpara se ky i fundit të mund të dilta para gjyqit. Dhe të dielën e datës 24 nëntor 1963, në orën 13.00 në po të njëjtën urgjencë të “Parkland Memorial Hospital” u bënë përpjekje të kota për të mbajtur në jetë vrasësin e Presidentit, Li Osvald.
Por a ishte vërtet Osvald ai që vrau Presidentin?
Në kundërshtim me konkluzionet e Komisionit “Warren”, Komiteti i Kongresit Amerikan për Vrasjet, në vitin 1979 arriti në përfundimin se Kenedi “ndoshta ishte vrarë si pasojë e një komploti”. Komiteti pranoi përfundimet e Komisionit Warren, se plagët vdekjeprurëse të Kenedit ishin shkaktuar nga tri goditjet me snajper të Osvald, por ata gjithashtu përcaktuan ekzistencën e një arme zjarri shtesë, bazuar në analizën e një regjistrimi audio, dhe për këtë arsye ekzistencën e një “mundësie të madhe që dy persona të armatosur, të kenë qëlluar në të njëjtën kohë mbi presidentin”.
Ndërkohë vrasja e Kenedit mbetet ende subjekt i një debati të gjerë, duke prodhuar teori të shumta konspiracioni dhe skenare alternative.
 
Filmi
Rreth misterit dhe alternativave mbi vrasjen e Presidentit amerikan janë shkruar një pafundësi librash. Por ajo që mbetet si maja e krijimtarisë artistike mbështetur mbi një histori reale është filmi “JFK” i cili është trasmetuar dhe për ekranet shqiptare. Ai konsiderohet si një film thriller epik politik i vitit 1991, me regji nga Oliver Stone me aktor protagonist Kevin Kostner.
Oliver Stone na ka përcjellë një histori ngjethëse. Ai është bazuar dhe mbi teori konspirative për të na dhënë një dimension të fshehur të historisë. Në këtë film vrasja e Presidentit duket më shumë se një komplot. Stone ka guxuar fort të futet në thellësi të problemit.
Filmi shqyrton hetimin për vrasjen e Presidentit Kenedi nga prokurori i qarkut të Nju Orleans, Xhim Garrison. Skenari u përshtat nga Stone dhe Zachary Sklar mbi librin “On the Trail of the Assassins” që në shqip vjen si “Në gjurmët e vrasësve” me autor Xhim Garrison, i botuar nga “Sheridan Square” në nëntor 1988. Sepse Garrison besonte se kishte një komplot për të vrarë Presidentin dhe se Li Harvi Osvald nuk veproi vetëm. Vetë Xhim Garrison ka qenë Prokuror i Qarkut i Orleans Parish, Luiziana, nga viti 1962 deri në 1973. Ai është dhe autor i tre librave.
Në fund të fundit vrasësi është një emër, dhe kjo nuk merr ndonjë rëndësi të veçantë. Por ata që e çuan atë drejt krimit me gjasa nuk mund të gjenden kurrë.
Oliver Stone e përshkroi këtë rrëfim si një "kundër-mit" ndaj "mitit imagjinar" të Komisionit Warren. “JFK” është konsideruar i diskutueshëm për shkak të përqafimit të teorive konspirative. Shumë gazeta të mëdha amerikane botuan editoriale duke kritikuar regjisorin e filmit për manipulime historike, duke përfshirë nënkuptimin e filmit se zëvendëspresidenti Lindon Xhonson, ishte pjesë e një grushti shteti për të vrarë Kenedin. Sepse prokurori i rrethit misterioz i jetës reale të Nju Orlinsit, që interpretohet nga (Kevin Costner) niset të hetojë vrasjen e presidentit të SHBA-së. Në këtë proces, ai zbulon një komplot të ndërlikuar që përfshin një grup homoseksualësh dekadentë të udhëhequr nga biznesmeni i dyshimtë Klei Shou interpretuar nga Tomi Li Xhons dhe shumë bashkëpunëtorë të tjerë, nga mafia dhe kubanezët e krahut të djathtë deri te CIA dhe presidenti i ardhshëm Lindon Beins Xhonson. Në film, Garrison ndihet i detyruar të mësojë të gjithë të vërtetën, veçanërisht pasi komisioni i Erl Uorren është ekspozuar si një mashtrim i motivuar politikisht. Një gjeneral i paidentifikuar, interpretuar nga Donald Sutherland beson se e vërteta qëndron në rolin politik të kompleksit ushtarak-industrial të Shteteve të Bashkuara, një entitet jashtëzakonisht i fuqishëm që ka kaluar qeverinë amerikane.
Pavarësisht polemikave, “JFK “mori vlerësime kritike për performancat e kastit, regjinë, muzikën, montazhin dhe fotografinë. “JFK” u nominua për tetë çmime Oscar, duke përfshirë filmin më të mirë, dhe fitoi dy prej tyre: për Kinematografinë më të mirë dhe Editimin më të mirë të Filmit. Por filmi është vlerësuar dhe me çmime nga “Academy Awards”, “Golden Globes” dhe “BAFTA”.

Friday, November 17, 2023

Panairi i shëmtuar i një libri të bukur

















Nga Leonard Veizi
 
Libra të bukur ka sa të duash por s’ka më lexues.
Sentenca për nisjen e këtij shkrimi duket sikur i mbivendoset shprehjes aq të popullarizuar: Punë ka por s’ka profesionistë. Mirëpo ka një non sens në këtë mes. Sepse sentenca që nënkupton marrëdhënien punëdhënës - punëmarrës është një gjë e dukshme, pasi në çdo fasadë xhami do të ndeshësh në letra formati A4 që shkruajnë: kërkojmë punëtorë. Për librin është ndryshe. Nëse shkon të bësh një xhiro në ambientet e Panairit të Librit, do të gjesh aq shumë lexues saqë përmbledhja kundërshtuese në nisje të shkrimit bie kokëposhtë.
Tim-tamet për panairin e përvitshëm të librit nisën që në tetor. Sepse tetori ka mbetur tashmë si muaji i letërsisë, ohu... që nga koha e diktaturës. Jo se na e la në testament Enveri, por sepse përkoi që përgjatë tetorit të kishin ditën e lindjes disa nga poetët më në zë të gjuhës shqipe.
Ndërkohë kemi muaj letërsie, kemi dhe panair libri. Por nuk kemi lexues. Ç'të them më shumë: ndonjëherë këto gjërat e vogla e si të parëndësishme të bëjnë hatanë.
Sërish po ngul këmbë si mushka, edhe pse e di që rrezikoj.
Sepse libra kemi e kemi, por paskemi dhe lexues me bollëk. Këtë e tregon Pazari. Nuk ka nevojë për njësi të tjera matëse.
Lexuesi në fakt është tretur si kripa në ujë. Se nuk mund ta barazosh me sheqerin për t’i dhënë ca vlerë më tepër një lexuesi që e ka hedhur librin në kanalin e ujërave të zeza ngaqë shpejtoi të blinte një smartfon për t’u ngërdheshur me shakatë e tik-tokut kinez.
Hajde zdap hajde. Ti qenke për thikë... drejt e në sallën e operacionit. Pa narkozë fare madje.
Zakonisht njerëzia kur dëgjon për organizim panairesh ia ther vrapit e zë radhën të hyjë: Mbase del ndonjë gjë qyl. Po çfarë qyli do dali nga libri a derëzi? Nuk është si te panairi agroushqimor, që vete, pi një birrë, i hedh barkut dhe ndonjë copë djathë dhe e heq nga menuja gjellën e shtëpisë. I vetmi qyl me librin ka të bëjë me perspektivën. Që do të thotë: e lexon sot por mend të vijnë mot. Domethënë të duhet njëfarë kohe që ta ndjesh.
Ç'është e vërteta Panairi shet. Dhe ky në plan të parë duket si tregues. Pavarësisht se çfarë ndodh më pas. Sepse dardha e ka gjithmonë bishtin nga mbrapa.
Dhe ne në fakt nuk ka ç'na duhet Panairi i Librit ku shitet me shumicë, përballë faktit që në Shqipëri nuk ka më librari. Madje edhe Tirana si kryeqendër e qytet i një milion banorëve i numëron libraritë me gishtat e dorës. Në qendër gjithmonë. Se në periferi mund të gjesh vende për të luajtur bixhoz me zara, po librari e biblioteka... as në ëndërr nuk dalin.
-Ç'na përrallis, panik do të bësh?
Ore nuk ka lexues po u them. Libra po, sa të duash.
Ca thonë se lexuesi i librit, sidomos i atij artistik është elitar prandaj dhe janë të paktë në numër. Të jetë kjo thua? Edhe mundet. 
Sot është bërë e udhës që bukinistët e rrugës janë më të suksesshëm me shitjen e bibliotekave personale të njerëzve që i heqin ato nga banesat e tyre. Tek e fundit libri në shtëpi nuk është ndonjë orendi për t’u marrë parasysh. Sidomos kur në ambientin familjar ke një minibar me të gjitha etiketat e uiskit.
Që këtu fillon e bie numri i lexuesve.
Panairi nuk bën gjë tjetër veçse prish tregun. Sepse për snobizëm, një pjesë e njerëzve shkojnë dhe e blejnë nga një libër që më pas të bëjnë një foto për ta hedhur në rrjetet sociale, por që kjo sjell dhe prishjen e raportit të atyre pak lexuesve të kultivuar që u drejtohen librarive të mbetura. Jo më kot, libraria më e madhe në kryeqytet prej muajsh i ka vënë drynin derës.
Në fund të fundit, Panairi ka një tjetër qëllim dhe nuk realizon atë për të cilën zhvillohet: Takime me shkrimtarët dhe kontrata për botime. Atëherë po, do kishte vlerën e një manifestimi kulturor. Ndërsa ai është kthyer në një markatë ku interes ka vetëm shitja.
Shit, shit, shit... Jo në anglisht vëlla, shqip po flasim.
Dhe për këtë ka ca makinacione të vogla që kanë të bëjnë me politikën e çmimeve. Dhe shitjet kryhen. Me këtë mbulohen ca defiçite... si dhe hapen ca të tjera.
Po ka dhe yçkla të tjera.
Për panair janë turrur të dalin me botime ca e ca që o ju duket vetja “burra me mend” o ua kanë mbushur të tjerët që janë “burra me mend”. Zatem, përderisa për njërin prej tyre, një idiot klasik thotë së, është i krahasueshëm me tre nga korifenjtë e letërsisë botërore dhe po aq i denjë për të marrë çmimin Nobel. Dhe me këtë qershi përmbi tortë duhet me e marr Panairin dhe me e hedh shuk, dhe jo tek koshi i mbeturinave, por drejt e te makina e plehrave, që kjo e fundit ta çojë sa më parë tek inceneratori.
Deri diku jam dakord me lëpirjet që një takëm i bëjnë njëri-tjetrit, por jo kaq shumë se në këto raste infektohet gjuha e s’ka xherah që të bën derman. Veç me ta shkurtu fare.
Libra ka, lexues jo.
Ne jemi kthyer në një shoqëri argëtimi. Shou dhe kabare. Televizionet janë mbushur me emisione që marrin shikueshmëri maksimale por që në fund të fundit mbetet veç fasadë. Impakti është Zero. Libri ka mbetur në fund. Panairi në fillim. Janë ngatërruar rolet keq. Moda e varavingove nëpër korridoret e stendave mbushur me libra, të burrave me dosje në dorë dhe grave me çanta në krah, ngjan me personazhin e Vaskës që plotësonte kilometrazhin tek filmi “Ëndërr për një karrige”. E rëndësishme është një foto me një libër në dorë. Se dukesh i mençur shumë. Me tre libra akoma më mirë se nuk dukesh pabuks. Po hodhe një foto të tillë në rrjetet sociale të gjithë do të të përgëzojnë e do të japin për motiv një gisht të ngritur përpjetë. Jo atë të mesit, por atë të madhin e të trashin e kam fjalën. E do të thonë: Bravo ti që lexon! Paske durim derri.
Por në fakt teëi ke hapur smartfonin se nuk të durohet sa të shohësh kush u përputh dhe kush u divorcua. Le kur lajmet flasin për vrasje nga frëngjia. Atëherë vete ç'vete. Të mbetet bateria në dorë... dhe libri nën sqetull.
Libra të bukur ka, lexuesit kanë mbaruar.

Friday, November 10, 2023

Dy Gjergjët e mëdhenj të historisë arbërore


Nga 
Leonard Veizi
 
Për shansin tonë të madh, historia mesjetare e arbërorëve ka pasur burra trima, udhëheqës politikë dhe strategë ushtarakë që janë njohur në krejt Evropën por dhe në Azinë e Vogël. Dhe nga historia e shkruar kemi mësuar se më i madhi ndër të gjithë është Gjergj Kastrioti.
Por a është vetëm ai kulminacioni i historisë mesjetare kundër pushtimit osman dhe barrikada e Evropës së Krishterë?
Po të lexosh nëpër rreshta, historia na thotë se në fakt nuk është vetëm një Gjergj, ai i pari që për të dytë mban emrin Aleksandër për nder të luftëtarit të madh maqedonas, por edhe një Gjergj tjetër, që qëndresën për të mbrojtur trojet e principatës së tij i kishte nisur shumë vite para se Gjergj Kastrioti të shfaqej në Krujë dhe në 28 nëntor të vitit 1443 të ngrinte flamurin me shqiponjën dykrerëshe në kalanë e saj.
Ai është Gjergj Arianiti.
Më ka intriguar gjithmonë emri i Arianitit. Dhe kjo u thellua edhe më tepër kur në një intervistë të hershme, tek konsumonim një kafe me profesor Aleksandër Meksi, i shquar në fushën e restaurimit të objekteve të kultit, më foli për madhështinë e Gjergj Arianitit, duke vënë shenja barazimi me heroin tonë kombëtar Gjergj Kastriotin. Në kërkimet e mëpasme Gjergj Araniti u lartua si figurë, falë punës së disa historianëve me emër të cilët janë referuar në jo pak dokumentacione.
Por emri i Gjergj Arianitit prej shumë e shumë vitesh është lënë në harresë. Madje pas vitit 1455, emri i tij zhduket nga vjetarët e historisë. Megjithëse ai vdiq në vitin 1963.
Në mënyrë krejt të padrejtë ai është njohur gjerësisht si i ati i Donikës, me të cilën u martua Gjergj Kastrioti. Dhe dukej sikur nuk ishte gjë tjetër veçse vjehrri i Princit të Epirit. Por është njohur edhe si xhaxhai i Moisi Golemit të Dibrës, pjesëtar i Besëlidhjes së Lezhës dhe një nga gjeneralët më të aftë të Skënderbeut me detyrën e komandantit të rojeve kufitare.
Po pse, këto ishin vlerat e vërteta të një luftëtari si Gjergj Arianiti?
Edhe pse filmi artistik “Skënderbeu” nuk e lë pas dore figurën e Gjergj Aranitit, i cili ia lëshon me bujari pozicionin e tij djalit të Kastriotëve, si pasardhës, përsëri figura e tij mbetet e pa zbuluar. Për të dihen fakte të përgjithshme. Por pakkush është futur më në thellësi.
Skënderbeu nuk ka qenë një fenomen i shkëputur në historinë arbërore. Ai nuk vinte nga boshllëku. Madje Noli thotë se edhe princër të tjerë kishin arritur më parë t’i bashkonin shqiptarët në luftë kundër Perandorisë Osmane. Por më i dëgjuari është kohëshoku dhe vjehrri i Skënderbeut: Gjergj Arianit Komnen Topia Golemi.
Megjithatë, dihet se Gjergj Arianiti i bëri ballë i vetëm ushtrisë osmane. Në vitin 1432 Gjergj Arianiti thirret për t’i prirë revoltës popullore në një sërë kryengritjesh që kishin shpërthyer në vend. Në këtë kohë ai ishte 36 vjeçar. Gjergj Arianiti dhe ushtria e tij u ndesh me osmanët në Kurvelesh në 1433, ku i shkaktoi ushtrisë perandorake të parën disfatë në përballje me forcat arbërore. Mes viteve 1432-1434, Gjergj Arianiti korri fitore të njëpasnjëshme.
"Arianiti i Komnenit fitoi një lavdi të shkëlqyer, dyke bërë vepra të përkujtuarshme, dhe që ahere u bë njeri i dëgjuar. Fama e tij si mbrojtës i krishterimit kundër turqve u përhap ne to gjithë oborret e Evropës, hoqi vërejtjen e Evropës së krishtere mi Shqipërinë për herën e parë, dhe lartësoi emrin shqiptar në sytë e Perëndimit", do të shkruante Fan Noli tek “Historia e Skënderbeut, që botimin e parë e ka në shtypshkronjën Dielli të Bostonit në vitin 1921.
Në vitit 1944 Gjergj Arianiti u fut në Besëlidhjen e Lezhës që u mbajt në kishën e Shën Kollit dhe pas kësaj do të luftonte bashkë me Gjergj Kastriotin.
Gjergj Arianiti njihet me disa emra. Emrin e vërtetë e ka Aranit Komneni, por më së shumti njihet si Gjergj Araniti. Mirëpo ai ishte dhe Guljem Arianiti, ishte dhe Gjorg Golemi, por është njohur dhe me trajtën sllave të mbiemrit si Golem Arianit Komnenoviç. Në legjendat popullore e thërrasin Gjorg Golemi. Në bustin e tij të vendosur në qytetin e Librazhdit shkruhet: Gjorg Golemi Araniti. Ndërsa emri i tij i plotë në veprën e Nolit “Historia e Skënderbeut” sipas asaj që ai ka shkruar në origjinal është: Gjerq Arianit Komnen Thopia Golemi, që po sipas tij ishte princi i Kaninës, i Himarës, i Çermenikës dhe i Shpatit në jug.
Një referat i profesor Dhimitër Shuteriqit mbi këtë temë hedh edhe më shumë dritë. Por materialet për Gjergj Aranitin nuk mungojnë.
Në këtë mënyrë sot mund të themi pa drojë se nuk ka vetëm një, por dy Gjergja të mëdhenj: Gjergj Arianiti dhe Gjergj Kastrioti, por që gjerësish njihet historia e njërit prej tyre, e Gjergj Kastriotit.
Në fakt, zbulimi tërësor i historisë së Gjergj Arianitit nuk do ta zbehte aspak rolin e madh të Kryeheroit  Gjergj Kastriotit. Dhe kjo do t’u bënte shumë më tepër nder shqiptarëve. Sepse deri tani është folur për 25 vitet e qëndresës së Gjergj Kastriotit, kur më parë se ai të futej në rol si kryekomandanti i ushtrisë, një tjetër Gjergj do t'u bënte ballë hordhive osmane, me po aq trimëri, dhe pa u thyer asnjëherë për 35 vite me radhë. Dhe ishte Gjergj Arianiti. 
Në një punim të tijin, “Gjorg Golemi, midis legjendës dhe historisë” studiuesi skrupuloz Dhimitër Shuteriqi thotë se: Ka qenë një qëndresë e lavdishme 35-vjeçare, më e gjatë se ajo që udhëhoqi Gjergj Kastrioti, gati 25-vjeçare, në vitet 1443-1468... Dy ekspedita rresht kundër aranitëve i drejtoi vetë sulltani..
Prof. Franz Babinger, i universitetit të Munihut, që njihet dhe si autori i librit “Fundi i Arianitëve”, në një ligjëratë të tij shprehet: “Gjergj Arianiti, figura e të cilit duhet vû me të drejtë krahas me atê të dhandrrit të tij Gjergj Kastrijotit.
Deri tani, Gjergj Kastrioti mban titullin e madh të “Heroit Kombëtar”. Sheshi kryesor në Kryeqytetin e Shqiptarëve, Tiranë, por dhe në Prishtinë, mban emrin e tij. Në Krujë gjithashtu ka një monument madhështor kushtuar Gjergj Kastriotit. Në shumë qytete të Evropës dhe në Amerikë ka buste për nder të tij si dhe emërtime rrugësh.
Gjergj Araniti pothuaj nuk ekziston. Ndërkohë që ai meriton edhe një titull të lartë edhe një monument dinjitoz. Por ai përfaqësohet vetëm me një bust në qytetin e Librazhdit, meqenëse kjo trevë mendohet se ishte dhe qendra e zotërimeve të tij.
A është e drejtë kjo?
Përse të kemi vetëm një, kur mund të kemi dy Gjergja të mëdhenj? Përse të mos bëjmë përpjekje për ta lartuar emrin e Gjergj Arianitit, për të treguar se në luftërat mesjetare Arbërisë nuk i kanë munguar burrat trima dhe me mend, dhe se në këtë kuadër nuk jemi të përfaqësuar vetëm nga një njeri? Sepse realisht ne kemi më shumë se një të tillë dhe nuk kemi përse sforcohemi për të lartuar të paktën edhe një emër tjetër, siç bëjnë ato vende pa heronj, që u ngrenë monumente deri në qiell heronjve mite, sepse heronjtë e vërtetë u mungojnë.
 


Monday, November 6, 2023

Vladimit Prifti, regjisori që la në pelikulë dëshmorët e gjuhës


Nga 
Leonard Veizi


Në piedestalin e krijimtarisë së tij padyshim është filmi emblemë “Udha e shkronjave”. Por në të njëjtin pozicion, as më pak e aq më shumë është dhe filmi tjetër ikonë “Kush vdes në këmbë”. Të dy këta filma mund të qëndrojnë lirshëm në majën e vendit të parë, pa u ngushtuar aspak, madje duke i lënë hapësirën e plotë njëri-tjetrit. Sepse të personfikoje Petro Luarasin me portretin e një aktori si Guljelm Radoja ishte po aq e vështirë sa të personifikoje portretin e Theodhor Haxhifilipi, apo i njohur ndryshe si Dhaskal Todri, me portretin e një tjetër aktori si Sandër Prosi. Regjisori Vladimir Prifti ia ka arritur më së miri, duke na lënë në pelikulë dy nga dëshmorët e parë të gjuhës shqipe.
Por Kinematografia Shqiptare sot ndjehet më e varfër tanimë pa Vladimir Priftin. Sepse të dielën e 5 nëntorit 2023, në moshën 81-vjeçare, ai u nda nga jeta dhe nga vetë arti. Por Vladimir Prifti ka lënë pas një pasuri të tërë, e cila do të vazhdojë të shkojë si ushqim shpirtëror për brezat. Sepse gjithçka ka të bëjë me historinë ka mbetur në bobina filmash të digjitalizuar dhe mund të shihen në çdo kohë, pa pasur merakun e politizimeve dhe propagandës partiake, nga e cila nuk shpëtuan shumë e shumë filma të tjerë.
Nga jetëshkrimin e tij zyrtar informohemi se Vladimir Prifti u lind në Tiranë në vitin 1942. Ai ka mbaruar shkollën e lartë për aktor në “Aleksandër Moisiu” në vitin 1964. Me mbarimin e studimeve punoi në Teatrin Popullor si aktor deri në vitin 1971. Tre vite më vonë, pas disa përvojave si asistent regjisor nisi punë si regjisor në Televizionin Shtetëror, ku do të jepte kontributin e tij për 9 vite me radhë.
Për Vladimir Priftin thuhet se i takon brezit të dytë të kineastëve, që u specializua dhe u afirmua në vend. Bashkëpunëtorët e tij thonë se ai ishte një krijues plot sqimë e me shumë kulturë dhe që gjithmonë kërkonte më të mirën, deri në perfeksion.
Vladimir Prifti, ose siç e quanin të gjithë ata që e njihnin nga afër Lad Prifti, kishte një personalitet që të imponohej në heshtje. Ai konsiderohet si një nga regjisorët më të talentuar të Televizionit dhe kinemasë, bashkë.
Ashtu siç është shprehur vetë Vladimir Prifti në një intervistë televizive, dëshira e tij për kinemanë ka qenë që në vogëli. Madje regjisori Kristaq Dhamo, që xhironte një film tek Pazari i Vjetër, i ka sugjeruar djalit të ri e kureshtar, që mund të bëhej kineast vetëm nëse bënte shkollën për aktor, pasi asokohe Shqipëria nuk kishte një shkollë nga ku mund të dilnin regjisorë.
Krijimtarinë e tij si regjisor Vladimir Prifti e ndau mes Radio Televizionit Shqiptar dhe Kinostudios “Shqipëria e Re”. Rrugën regjisoriale e nisi me ekranizimin e parë: "Gjenerali i Ushtrisë së vdekur", në vitin 1976, për të vazhduar më tej me “Udha e shkronjave” në vitin 1978; “Kur hidheshin themelet”  më 1978; “Era e ngrohtë e thellësive” më 1982; “Kush vdes në këmbë” më 1985; “Dhe vjen një ditë” më 1987, “Flutura në kabinën time” më 1988 dhe “Dasma e Sakos” në vitin 1998.
Ashtu si firmën e tij mbajnë tetë filma artistikë, po aq firmën e tij si regjisor e mbajnë dhe disa filma dokumentarë: “Aleksandër Moisiu” prodhim i vitit 1975; “Odise Paskali” më 1977; “Të bekuarit” në vitit 2000; “Butrinti” më 2002; “Legjenda e Baltës” më 2003; “Skedë nga një qytetërim i hershëm” më 2003; “Rruga Egnatia” më 2005 dhe “Skënderbeu” prodhim i vitit 2012.
Por ka punuar dhe në tre filma me metrazh të shkurtër me shtëpinë filmike “Eurofilm”.
Padyshim, ashtu si dhe shumë artistë të tjerë, edhe Vladimit Prifti ka pasur ëndrra në sirtar që kanë mbetur të parealizuara, po aq sa dhe një sirtar me skenarë të gatshëm, të cilët gjithashtu kanë mbetur pa u realizuar. “Skënderbeu” dokumentari i konceptuar në katër pjesë, ka të realizuar vetëm gjysmën e punës, pra dy pjesë.
Vladimir Prifti është nderuar me çmimin e veçantë në Festivalin III të Filmit Artistik Shqiptar, dhe me çmimin e Republikës të klasit të parë me filmin e tij artistik “Udha e shkronjave”.
Për punën e tij të jashtëzakonshme ai mban dhe titullin “Artist i merituar”. Por ai është dhe mbajtës i titullit tjetër “Mjeshtri i Madh”.
Por Vladimir Prifti nuk ishte një regjisor ku ndihet forca dramatike deri në tragjedi. Ai dinte mjaft mirë t’i jepte spektatorit dhe aspektet sociale të jetës, dhe po aq romantizëm gjithashtu, dhe këto i konkretizoi me filmat: “Era e ngrohtë e thellësive”, “Dhe vjen një ditë” si dhe “Flutura në kabinën time”.

Friday, November 3, 2023

Njeriu, grabitqari me frigorifer


Nga Leonard Veizi

 
Marr shkas nga luftërat e fundit që kanë nisur seri dhe nga vrasja e fëmijëve me bomba të kalibrit të madh. Lufta në Ukrainë, Lufta në Gaza... por dhe incidentet më armë të rënda në Kosovë nuk janë pak. Sepse kur plas lufta dhe nis të gjuajë artileria dhe raketat, është e vështirë të flasësh më për zbatim konventash. Kjo ndodh në sallat me ajër të kondicionuar ku miratohen rezoluta që nuk i hyjnë në punë askujt. Sado që bëhen sikur respektohen, ato nuk respektohen. Dhe në luftëra ku flitet për ndeshje të njerëzve të armatosur e me uniformë, vriten pafund dhe civilë të pafajshëm të cilët nuk janë fare pjesë e kësaj lufte. Dhe këtu përshtatshmëria e shprehjes popullore merr kuptim të plotë: Me të thatin digjet dhe i njomi.
Po çfarë faji ka njeriu i shkretë, që ta marrë bomba e ta ngrejë përpjetë kur është në punën e tij dhe në hallet e tij?
Asnjë faj në fakt.
Por, duke qenë dhe fajtori më i madh njëkohësisht.
Sepse i tillë është njeriu. Që në gjenezë.
Luftërat për territore nuk është se kanë ndonjë kuptim të ri, meqenëse jemi në fillimin e mijëvjeçarit të ri ku Inteligjenca Artificiale po na e bën jetën më të lehtë. Ato kanë nisur qysh herët. Që atëherë kur territore kishte sa të duash e njerëz mbi këtë tokë fare pak. Dhe mbi të gjitha nuk kishte asnjë lloj makinerie veç duarve, këmbëve dhe dhëmbëve. Njeriu ka qenë gjithmonë në një frikë të vazhdueshme për të ardhmen e tij. Ai ka siguruar ushqimin e sotëm por ka qenë i pasigurtë për të nesërmen. Kjo e ka shtyrë të kërkojë mundësi të reja. E ka shtyrë disa-mijë vjet më parë, kur kafshët gëlonin ngado dhe kishte ushqim sa të “hanin dhe qentë”. Po aq e shtyn edhe sot ku planeti është i mbingopur me qenien njerëzore dhe toka është po ajo. Pasi globi nuk ka vetinë e tullumbaces që fryhet me helium. Prandaj dhe mundësitë janë më të kufizuara natyrisht. Ndaj tanimë, kudo që të hedhësh sytë do të ndeshësh nga një tabelë ku shkruhet me germa të shtrembëta: “tokë e xanun”. Dhe nuk e shkel dot tokën e tjetrit as me majën e gishtit se “plas lufta civile”.
Njeriu është një grykës i madh. Ka qenë i tillë që kur motori i trurit iu vu në punë, si një hard-disk kompjuteri sot.
Mos do të thotë kjo se fajet na i ka tjetërkush?
Kjo është punë perceptimi e këndvështrimi. Merre si ta marrësh. Por e vërteta është se që nga çasti që i Gjithëfuqishmi i dha ca mend që t’i vinte në përdorim, njeriu u bë agresiv.
-Kjo është e imja.
Dhe pas kësaj fitonte më i forti.
Keq të jesh i zgjuar në këtë botë, e ca më keq të jesh budalla! Ose ca më mirë ndoshta. Se budallai e zgjidh më shpejt problemin.
Prandaj njeriu si atëherë edhe sot, kërkon gjithmonë gjënë e tjetrit. Sepse të vetën nuk do ta shpërdorojë, por ta ruajë. Kjo do të thotë se njeriu asnjëherë nuk e di se çdo t’i ndodhë në atë ardhmen, ndaj ai gjithmonë e përdor trurin e tij që të marrë masa të mos i mbetet barku bosh.
Njeriu nuk është si ariu. Sepse ariu, tigri, luani si dhe krokodili, sa herë u boshatiset stomaku hidhen në sulm për të kapur prenë e radhës. Hanë e ngopen të mëdhenjtë, por mbeten ca kocka dhe për hienat e vogla, si edhe për shpendët grabitqarë që sillen rrotull presë deri sa të mbarojnë kafshët mishngrënëse. Dhe kjo vazhdon derisa gazelës, zebrës apo buallit i mbetet vetëm skeleti, krejt i zhveshur.
Njeriu ka një tjetër logjikë. E vret kafshën, e rrjep dhe lëkurën e bën xhamadan. Pastaj e ndan copa-copa dhe nuk lë kurrkënd t’i marrë ndonjë pjesë. Ha sa shqepet për vete dhe pjesën tjetër e fut në frigorifer. E morët vesh, në frigorifer. Sepse njeriu është inteligjent, i punon mendja. Dhe ka shpikur frigoriferin për ta ruajtur gjënë që të mos shkojë kot e t’ia hanë të tjerët.
Kush të lë vëlla të fusësh dhëmbët në mishin e botës? “Lë Laroja të hajë Baloja” thotë përsëri populli, që e ka nga përvoja të gjithën këtë.
Njeriu është lakmitar i pafre. Ka një llogari bankare ku në emrin e tij ka depozituar  1 milion dollarë, 100 milionë, 1 miliardë, 100 miliardë.... dhe përsëri kërkon t’i shtojë zerot nga pas. Ku do shkosh o byrazer...? Kjo ndodh edhe kur e di që është në prag të vdekjes. Ç’rëndësi ka në është me serume në krahë e gyp oksigjeni në hundë. Ai punon e jep urdhra që pasuria e tij të shtohet, jo të pakësohet. “Ta kem për një ditë të keqe”.
Ky është njeriu modern. Po kaq i keq ka qenë ai dhe kur barazohej me kafshët e tjera të savanës.
Perëndia ka zbritur në Tokë, ka çuar pranë njerëzve të xhunglës profetët e tij në tentativën e përhershme për ta bërë njeriun më pak lakmitar. Ka zbritur dhe librat e shenjtë. Ndërsa njeriu për nder të tij ka ngritur tempuj madhështorë. Ka ndërtuar kisha e xhami në emër të Zotit. Por askush nuk ka hequr dorë nga ambiciet e tij, për të pasur mall e gjë, sa të mos ia mbajnë hambarët.
E dini çfarë i gjetën Gobsekut kur vdiq dhe nuk dinin kujt t’ia kalonin pasurinë e tij të jashtëzakonshme, në mungesë të një testamenti? I gjetën një qilar me mish e proshutë të prishur, të cilën ai ua merrte borxhlinjve, dhe meqenëse nuk kishte frigorifer i kishte futur në katin e nëndheshëm. Mishi prishej, por kjo nuk kishte vlerë për Gobsekun, sepse ai të hiqte dhe skalpin e kokës deri sa të të merrte paratë e tij dhe përqindjet, të cilat u kishte dhënë hua. Meqenëse nuk ishte i zoti të hante as një të njëmijtën e asaj që grumbullonte, ai i depozitonte ato. I linte të kalbeshin e t’ia hanin krimbat, por jo njerëzit e tjerë që vuanin nga uria.
Sepse ky ka qenë njeriu në të gjitha kohërat, një Gobsek i vogël tamahqar.