Friday, November 3, 2023

Njeriu, grabitqari me frigorifer


Nga Leonard Veizi

 
Marr shkas nga luftërat e fundit që kanë nisur seri dhe nga vrasja e fëmijëve me bomba të kalibrit të madh. Lufta në Ukrainë, Lufta në Gaza... por dhe incidentet më armë të rënda në Kosovë nuk janë pak. Sepse kur plas lufta dhe nis të gjuajë artileria dhe raketat, është e vështirë të flasësh më për zbatim konventash. Kjo ndodh në sallat me ajër të kondicionuar ku miratohen rezoluta që nuk i hyjnë në punë askujt. Sado që bëhen sikur respektohen, ato nuk respektohen. Dhe në luftëra ku flitet për ndeshje të njerëzve të armatosur e me uniformë, vriten pafund dhe civilë të pafajshëm të cilët nuk janë fare pjesë e kësaj lufte. Dhe këtu përshtatshmëria e shprehjes popullore merr kuptim të plotë: Me të thatin digjet dhe i njomi.
Po çfarë faji ka njeriu i shkretë, që ta marrë bomba e ta ngrejë përpjetë kur është në punën e tij dhe në hallet e tij?
Asnjë faj në fakt.
Por, duke qenë dhe fajtori më i madh njëkohësisht.
Sepse i tillë është njeriu. Që në gjenezë.
Luftërat për territore nuk është se kanë ndonjë kuptim të ri, meqenëse jemi në fillimin e mijëvjeçarit të ri ku Inteligjenca Artificiale po na e bën jetën më të lehtë. Ato kanë nisur qysh herët. Që atëherë kur territore kishte sa të duash e njerëz mbi këtë tokë fare pak. Dhe mbi të gjitha nuk kishte asnjë lloj makinerie veç duarve, këmbëve dhe dhëmbëve. Njeriu ka qenë gjithmonë në një frikë të vazhdueshme për të ardhmen e tij. Ai ka siguruar ushqimin e sotëm por ka qenë i pasigurtë për të nesërmen. Kjo e ka shtyrë të kërkojë mundësi të reja. E ka shtyrë disa-mijë vjet më parë, kur kafshët gëlonin ngado dhe kishte ushqim sa të “hanin dhe qentë”. Po aq e shtyn edhe sot ku planeti është i mbingopur me qenien njerëzore dhe toka është po ajo. Pasi globi nuk ka vetinë e tullumbaces që fryhet me helium. Prandaj dhe mundësitë janë më të kufizuara natyrisht. Ndaj tanimë, kudo që të hedhësh sytë do të ndeshësh nga një tabelë ku shkruhet me germa të shtrembëta: “tokë e xanun”. Dhe nuk e shkel dot tokën e tjetrit as me majën e gishtit se “plas lufta civile”.
Njeriu është një grykës i madh. Ka qenë i tillë që kur motori i trurit iu vu në punë, si një hard-disk kompjuteri sot.
Mos do të thotë kjo se fajet na i ka tjetërkush?
Kjo është punë perceptimi e këndvështrimi. Merre si ta marrësh. Por e vërteta është se që nga çasti që i Gjithëfuqishmi i dha ca mend që t’i vinte në përdorim, njeriu u bë agresiv.
-Kjo është e imja.
Dhe pas kësaj fitonte më i forti.
Keq të jesh i zgjuar në këtë botë, e ca më keq të jesh budalla! Ose ca më mirë ndoshta. Se budallai e zgjidh më shpejt problemin.
Prandaj njeriu si atëherë edhe sot, kërkon gjithmonë gjënë e tjetrit. Sepse të vetën nuk do ta shpërdorojë, por ta ruajë. Kjo do të thotë se njeriu asnjëherë nuk e di se çdo t’i ndodhë në atë ardhmen, ndaj ai gjithmonë e përdor trurin e tij që të marrë masa të mos i mbetet barku bosh.
Njeriu nuk është si ariu. Sepse ariu, tigri, luani si dhe krokodili, sa herë u boshatiset stomaku hidhen në sulm për të kapur prenë e radhës. Hanë e ngopen të mëdhenjtë, por mbeten ca kocka dhe për hienat e vogla, si edhe për shpendët grabitqarë që sillen rrotull presë deri sa të mbarojnë kafshët mishngrënëse. Dhe kjo vazhdon derisa gazelës, zebrës apo buallit i mbetet vetëm skeleti, krejt i zhveshur.
Njeriu ka një tjetër logjikë. E vret kafshën, e rrjep dhe lëkurën e bën xhamadan. Pastaj e ndan copa-copa dhe nuk lë kurrkënd t’i marrë ndonjë pjesë. Ha sa shqepet për vete dhe pjesën tjetër e fut në frigorifer. E morët vesh, në frigorifer. Sepse njeriu është inteligjent, i punon mendja. Dhe ka shpikur frigoriferin për ta ruajtur gjënë që të mos shkojë kot e t’ia hanë të tjerët.
Kush të lë vëlla të fusësh dhëmbët në mishin e botës? “Lë Laroja të hajë Baloja” thotë përsëri populli, që e ka nga përvoja të gjithën këtë.
Njeriu është lakmitar i pafre. Ka një llogari bankare ku në emrin e tij ka depozituar  1 milion dollarë, 100 milionë, 1 miliardë, 100 miliardë.... dhe përsëri kërkon t’i shtojë zerot nga pas. Ku do shkosh o byrazer...? Kjo ndodh edhe kur e di që është në prag të vdekjes. Ç’rëndësi ka në është me serume në krahë e gyp oksigjeni në hundë. Ai punon e jep urdhra që pasuria e tij të shtohet, jo të pakësohet. “Ta kem për një ditë të keqe”.
Ky është njeriu modern. Po kaq i keq ka qenë ai dhe kur barazohej me kafshët e tjera të savanës.
Perëndia ka zbritur në Tokë, ka çuar pranë njerëzve të xhunglës profetët e tij në tentativën e përhershme për ta bërë njeriun më pak lakmitar. Ka zbritur dhe librat e shenjtë. Ndërsa njeriu për nder të tij ka ngritur tempuj madhështorë. Ka ndërtuar kisha e xhami në emër të Zotit. Por askush nuk ka hequr dorë nga ambiciet e tij, për të pasur mall e gjë, sa të mos ia mbajnë hambarët.
E dini çfarë i gjetën Gobsekut kur vdiq dhe nuk dinin kujt t’ia kalonin pasurinë e tij të jashtëzakonshme, në mungesë të një testamenti? I gjetën një qilar me mish e proshutë të prishur, të cilën ai ua merrte borxhlinjve, dhe meqenëse nuk kishte frigorifer i kishte futur në katin e nëndheshëm. Mishi prishej, por kjo nuk kishte vlerë për Gobsekun, sepse ai të hiqte dhe skalpin e kokës deri sa të të merrte paratë e tij dhe përqindjet, të cilat u kishte dhënë hua. Meqenëse nuk ishte i zoti të hante as një të njëmijtën e asaj që grumbullonte, ai i depozitonte ato. I linte të kalbeshin e t’ia hanin krimbat, por jo njerëzit e tjerë që vuanin nga uria.
Sepse ky ka qenë njeriu në të gjitha kohërat, një Gobsek i vogël tamahqar.


No comments:

Post a Comment