Monday, November 6, 2023

Vladimit Prifti, regjisori që la në pelikulë dëshmorët e gjuhës


Nga 
Leonard Veizi


Në piedestalin e krijimtarisë së tij padyshim është filmi emblemë “Udha e shkronjave”. Por në të njëjtin pozicion, as më pak e aq më shumë është dhe filmi tjetër ikonë “Kush vdes në këmbë”. Të dy këta filma mund të qëndrojnë lirshëm në majën e vendit të parë, pa u ngushtuar aspak, madje duke i lënë hapësirën e plotë njëri-tjetrit. Sepse të personfikoje Petro Luarasin me portretin e një aktori si Guljelm Radoja ishte po aq e vështirë sa të personifikoje portretin e Theodhor Haxhifilipi, apo i njohur ndryshe si Dhaskal Todri, me portretin e një tjetër aktori si Sandër Prosi. Regjisori Vladimir Prifti ia ka arritur më së miri, duke na lënë në pelikulë dy nga dëshmorët e parë të gjuhës shqipe.
Por Kinematografia Shqiptare sot ndjehet më e varfër tanimë pa Vladimir Priftin. Sepse të dielën e 5 nëntorit 2023, në moshën 81-vjeçare, ai u nda nga jeta dhe nga vetë arti. Por Vladimir Prifti ka lënë pas një pasuri të tërë, e cila do të vazhdojë të shkojë si ushqim shpirtëror për brezat. Sepse gjithçka ka të bëjë me historinë ka mbetur në bobina filmash të digjitalizuar dhe mund të shihen në çdo kohë, pa pasur merakun e politizimeve dhe propagandës partiake, nga e cila nuk shpëtuan shumë e shumë filma të tjerë.
Nga jetëshkrimin e tij zyrtar informohemi se Vladimir Prifti u lind në Tiranë në vitin 1942. Ai ka mbaruar shkollën e lartë për aktor në “Aleksandër Moisiu” në vitin 1964. Me mbarimin e studimeve punoi në Teatrin Popullor si aktor deri në vitin 1971. Tre vite më vonë, pas disa përvojave si asistent regjisor nisi punë si regjisor në Televizionin Shtetëror, ku do të jepte kontributin e tij për 9 vite me radhë.
Për Vladimir Priftin thuhet se i takon brezit të dytë të kineastëve, që u specializua dhe u afirmua në vend. Bashkëpunëtorët e tij thonë se ai ishte një krijues plot sqimë e me shumë kulturë dhe që gjithmonë kërkonte më të mirën, deri në perfeksion.
Vladimir Prifti, ose siç e quanin të gjithë ata që e njihnin nga afër Lad Prifti, kishte një personalitet që të imponohej në heshtje. Ai konsiderohet si një nga regjisorët më të talentuar të Televizionit dhe kinemasë, bashkë.
Ashtu siç është shprehur vetë Vladimir Prifti në një intervistë televizive, dëshira e tij për kinemanë ka qenë që në vogëli. Madje regjisori Kristaq Dhamo, që xhironte një film tek Pazari i Vjetër, i ka sugjeruar djalit të ri e kureshtar, që mund të bëhej kineast vetëm nëse bënte shkollën për aktor, pasi asokohe Shqipëria nuk kishte një shkollë nga ku mund të dilnin regjisorë.
Krijimtarinë e tij si regjisor Vladimir Prifti e ndau mes Radio Televizionit Shqiptar dhe Kinostudios “Shqipëria e Re”. Rrugën regjisoriale e nisi me ekranizimin e parë: "Gjenerali i Ushtrisë së vdekur", në vitin 1976, për të vazhduar më tej me “Udha e shkronjave” në vitin 1978; “Kur hidheshin themelet”  më 1978; “Era e ngrohtë e thellësive” më 1982; “Kush vdes në këmbë” më 1985; “Dhe vjen një ditë” më 1987, “Flutura në kabinën time” më 1988 dhe “Dasma e Sakos” në vitin 1998.
Ashtu si firmën e tij mbajnë tetë filma artistikë, po aq firmën e tij si regjisor e mbajnë dhe disa filma dokumentarë: “Aleksandër Moisiu” prodhim i vitit 1975; “Odise Paskali” më 1977; “Të bekuarit” në vitit 2000; “Butrinti” më 2002; “Legjenda e Baltës” më 2003; “Skedë nga një qytetërim i hershëm” më 2003; “Rruga Egnatia” më 2005 dhe “Skënderbeu” prodhim i vitit 2012.
Por ka punuar dhe në tre filma me metrazh të shkurtër me shtëpinë filmike “Eurofilm”.
Padyshim, ashtu si dhe shumë artistë të tjerë, edhe Vladimit Prifti ka pasur ëndrra në sirtar që kanë mbetur të parealizuara, po aq sa dhe një sirtar me skenarë të gatshëm, të cilët gjithashtu kanë mbetur pa u realizuar. “Skënderbeu” dokumentari i konceptuar në katër pjesë, ka të realizuar vetëm gjysmën e punës, pra dy pjesë.
Vladimir Prifti është nderuar me çmimin e veçantë në Festivalin III të Filmit Artistik Shqiptar, dhe me çmimin e Republikës të klasit të parë me filmin e tij artistik “Udha e shkronjave”.
Për punën e tij të jashtëzakonshme ai mban dhe titullin “Artist i merituar”. Por ai është dhe mbajtës i titullit tjetër “Mjeshtri i Madh”.
Por Vladimir Prifti nuk ishte një regjisor ku ndihet forca dramatike deri në tragjedi. Ai dinte mjaft mirë t’i jepte spektatorit dhe aspektet sociale të jetës, dhe po aq romantizëm gjithashtu, dhe këto i konkretizoi me filmat: “Era e ngrohtë e thellësive”, “Dhe vjen një ditë” si dhe “Flutura në kabinën time”.

No comments:

Post a Comment