Tuesday, May 31, 2016

Në kërkim të çmimit - Përsiatje

nga Leonard Veizi*

Nisur nga prurja masive e çmimeve këtë fundviti them se vazhdoj të jem pa fat. Në të vërtetë asnjëherë nuk i kam pasur punët mirë me stimujt. Por s’ma merr mendja të më ketë rënë mallkimi, për mosmarrje letrash të llustruara e teneqe që ndriçojnë si flori 24 karatësh. Gjithësesi, në biografinë time “akademike” më rezulton të kem marrë një fletë-lavdërimi në klasën e 7-të të 8-vjeçares, por dhe këtë për punë të palodhur në punën prodhuese 15-ditore pas mbarimit të shkollës. Por dhe kjo e kishte një hile: punova me normë se doja të merrja ca ditë leje, në fakt.
Gjatë viteve të shkollës së mesme, në Politeknikum as që u bë fjalë që mund të merrja ndonjë vlerësim të kësaj kategorie. Madje shpëtova paq në vitin e fundit pa më thyer një notë në sjellje, se kishte filluar të më merrte ca koka erë. Për më tej shyqyr që u diplomova. Madje për shyqyr më shumë se kisha numër amze dhe provime të dhëna një më një. Lehtësim i madh për besë.
Për shans, apo për jo të tillë, edhe gjatë shërbimit të detyruar ushtarak, - që e bëra në bazën e Pasha Limanit, atje ku as rusët s'na bënë dot derman, - më dhanë një fletë-lavdërimi shoqëruar me një nga “Ditarët” e shokut Enver. As kësaj rradhe nuk bëj shaka jo, ju betohem. U bënë dy deri tani. Por problemi është se nuk ua kam ditur vlerën dhe nuk i ruajta në dosjen personale, ndaj dhe nuk i vërtetoj dot. Nejse...
Erdhi demokracia. Epo shpëtuam nga fletëlavdërimet, mendova. Se i kam pasur bezdi ca stimuj që duket se bënin dhe klasifikimin “të nënës, e të njerkës”. Ose ndoshta kam pasur zili që i mernin të tjetër e unë “opingën”. Aso kohe mendova: “Tani jam i barabartë mes të barabartëve. Unë s’marr e s’marr, por nuk do marrin as të tjerë”. Po jo ore, ç’është ajo fjalë, nuk bën vaki ndryshe! Fletët e lavdërimit më shfaqen kudo. Para syve i kam. Në facebook si kurrë ndonjëherë. Merr certefikata e bëj publike. Në faqen time nuk gjenden të tilla për be. Si t'ja bëj?
Mirëpo, unë nuk mbahem dot vetëm me historitë e vjetra. Se një fletë-lavdërimi në 8-vjeçare e një në ushtri nuk ngrejnë peshë, për më tepër sot që të ngrejnë peshë. Pra duhet revolucionarizuar jeta me doemos. Prit të bie në sy e të më japin ndonjë certifikatë. Hiç gjë. Vetëm ato të gjendjes civile kam në menynë personale. Çmime letërsie… aha s’më ndez fare nga ajo anë. Çmime për gazetarinë. O po hiç u them, edhe pse 20 e kusur vjet kam shkruar ose kam bërë sikur kam shkruar! Kur vjen radha te unë certefikatat mbarojnë; o s’ka letër, o prishet printeri.
Të vetmin trofe, kjo që shihni në foto, e që po e shtrëngoj fort, ma akordoi Aspasjana Kerxhalli me grupimin RIAS. Për të tjera… nul.
Epo kur nuk më dha çmim as Aleksandër Çipa, që e kam mik, si zor se u afrohem më trofeve. Në fakt kot i bie në qafë Çipës se ai jep çmime për gazetarët e ekonomisë e unë nga ajo anë s’para ia them, madje dhe shumëzimet i bëj me aparatin e celularit. Por e mora thjesht, sa për shembull.
Megjithatë unë e kam vendosur, do ta marr një çmim se s’bën. E për këtë do bëj një ofertë të hapur, jo pas kuintave: më jepni çmimin ta nxjerr në facebook se paratë nuk do t’i marr, ose të paktën do t’i ndaj me ata që do ta japin…, e sigurt.

*Shkrimtar, gazetar. **Shtuar nga “Illyria”.
Postuar më 17 dhjetor 2014

Monday, May 30, 2016

Kliton Nesturi: Vepër që thyen Zotin


(Shënim për romanin e Leonard Veizit “Orgji në famullinë e at Ludovikut”)


nga Kliton Nesturi

“Bota është teatër ku secili ka një rol”.
Shekspir
 
Kliton Nesturi dhe Leonard Veizi
Ndryshe nga teatri ku diskutimet nisin pasi shfaqja ka mbaruar dhe perdja është ulur, në letërsi, për një vepër që ka parë dritën e botimit perdja nuk ulet kurrë. Ajo qëndron gjithnjë e hapur, për deri sa kohë vepra ekziston. Vetëm kur ajo asgjesohet krejtësisht, mbi të bie heshtja. Askush më pas nuk mund t’i referohet drejtpërdrejt. Kjo është tragjike, por sot, nuk po flas për këtë. Mendoj se të paktën në epokën moderne, nuk duhet të flitet apo të ndërmendet asgjesimi i një vepre letrare. Periudha e inkuizicionit dhe linçimeve të tjera thuhet se ka përfunduar. Pikërisht, perdja e hapur për veprën e Leonard Veizit “Orgji në famullinë e at Ludovikut” më jep të drejtën mua që të shkruaj për të, pavarësisht se ka kaluar pak kohë prej botimit të saj nga “Omsca-1”.
Qysh në fillim dua të them se romani “Orgji në famullinë e at Ludovikut”, është një vepër e strukturuar bukur, me një shkallë të lartë të ndërtimit kompozicional, me gjuhe artistike të pasur dhe stil të zhdërvjellët. Por, ky këndvështrim nuk do të jetë mbi ndërtimin, formën, gjetjen dhe stilin.
I vendosur në një qytet të vogël, por të mbushur me mëkate, në qendër të ngjarjes qëndron boshti i marrëdhënies mes atit (Ludovikut), birit (Vikut) dhe shpirtit – nënës së tij (Evës). Një bosht i krijuar si pasojë e një historie sa mëkati dhe dashurie, e mbajtur fshehtë për shumë kohë, një prej atyre historive të cilat mendon se nuk do të ndriçohen asnjëherë, por do të mbeten të fshehura sa nën veladon, aq edhe nën lëkurë. Një histori ku ndërthuret bashkëekzistenca dhe mosekzistenca e një marrëdhënieje të fortë, një dashuri pa tokë e familje, por kryesisht e shpërndarë në eter; një marrëdhënie kujdesi e ndërtuar hap pas hapi mbi kode, shenja dhe vështrime. Viki, produkti i kësaj dashurie mëkatare, duke humbur boshtin e tij me vdekjen e Evës, ndihet sa i lodhur, aq dhe i pambrojtur dhe i zhgënjyer. Ai nuk është si gjithë të tjerët dhe kurrë nuk do të jetë si ata. Në jetën e tij tashmë nuk ka bosht. Kriza e identitetit të tij është e thellë aq sa zhgënjimi e çon drejt hakmarrjes, shndërrimin në një kriminel dhe zjarrvënës. Personalisht, pavarësisht se jam ateist, nuk jam për djegien e tempujve, të cilitdo besimi apo kulture fetare qofshin. Por djegia e famullisë, në këtë rast, është pasojë e një zhgënjimi të thellë prej dogmës dhe mungesës së dashurisë. Çdo hap i tij në këtë vepër është i justifikuar, duke na kujtuar vargun e famshëm: “Aty ku nuk ka dashuri, fjalën njeri mos e fol!” Edhe kryerja e orgjisë ka të bëjë me zhgënjimin, me revoltën, dëshirën për ta shndërruar dhe për t’i dhënë shtëpisë së Zotit një këndvështrim të ri, atë të një strehe të zakonshme ku hyjnë e dalin mëkate, e ku vet njerëzit që shërbejnë aty jetojnë të përlyer në thellësi me mëkatin. Pavarësisht se ngjarja ndodh në një qytet të vogël, ajo është refleksion i krizës që ka mbërthyer me kohë shoqërinë dhe fenë. Aty është shteti në miniaturë, njerëzit, familjet dhe ngjarjet që zhvillohen aty janë ato që ndodhin kudo. Kudo është qeliza e shoqërisë. Kudo frymohet, dhe jetohet kudo, pavarësisht nga përmasat e vendit, skenës dhe tempullit.
Pavarësisht vështrimeve të ndryshme, mendoj se thellë-thellë të gjithë duhet të bashkohemi në një pikë kur diskutojmë për këtë vepër: ajo është një revoltë ndaj dogmës dhe Zotit. Dikush mund të thotë, se një prift i një famullie të vogël, nuk mund të përfaqësojë Zotin. Po, a nuk është ai përfaqësuesi i tij? Faktet e reja që po dalin në dritë herë pas here, e veçmas kohëve të fundit, e kanë zbehur së tepërmi rolin e fesë, historinë dhe vet ekzistencën e Zotit. Për shumë njerëz, kudo nëpër botë, ai është një Godo, i cili nuk vjen (shihet) kurrë.
Shumë mund të thonë se “Orgji në famullinë e at Ludovikut” u adresohet vetëm të krishterëve dhe se Zoti nuk është vetëm i kryqëtarëve.
 

 
 “Në emër të Allahut dua të të shijoj!”
 
Ky mesazh është publikuar para disa kohësh në faqet e shtypit dhe në portalet e ndryshme. Atë e ka shkruar një klerik i lartë musliman shqiptar, (pak rëndësi se në cilën pjesë të hapësirës shqiptare) dhe i adresohet një besimtareje të re, aspak në lidhje gjaku apo familjare me të. Ky mesazh telefonik nuk është as më shumë dhe as më pak se sa një ftesë për mëkat, apo gjynah, sipas zhargonit musliman. Ky njeri, i veshur me petkun e përfaqësuesit të Zotit në tokë, në mënyrë cinike shkel rregullat, ligjet dhe normat e fesë që përfaqëson, pasi me Kur’an, ndalohen dhe dënohen marrëdhëniet jashtëmartesore. Burrit, përfshi këtu edhe klerikun, i lejohen martesat me shumë gra, (jo më shumë se katër), por jo afera të tilla, të cilat nuk i falen edhe nëse ai është besimtar i rregullt, falet sipas riteve apo edhe kontribuon për xhaminë dhe njerëzit në nevojë.
Nuk është çudi që në këtë histori, të mbetur në tentativë të kishim një “Orgji…” në një dimension tjetër, në një fe tjetër nga ajo e krishterëve. Me epshin e tij ndaj besimtares së re, ky klerik do ta çonte qejfin deri në fund; nuk do të përdoret masa mbrojtëse (sepse nuk ia lejon feja) dhe nuk do të tërhiqej deri në shfrimin e fundit. Dhe nëse kjo do të ndodhte, do të kishim një lindje të re, një Viki të quajtur Xhihan, apo Jadëz, në vend të Evës do të kishim Havanë, apo ndonjë emër tjetër, ndërsa në vend të at Ludovikut do të ishte ky klerik me tespie në dorë, që thyen vet dogmat e fesë së tij.
Ky nuk është rasti i vetëm që ka ndodhur me klerikët shqiptarë. Të tilla histori kanë ndodhur shpesh, janë përfolur e janë rrëfyer edhe një shekull më parë, edhe para Luftës së Dytë Botërore, edhe… atëherë kur telefonat celularë dhe sms-të nuk ekzistonin. Por këto nuk ndodhin vetëm në hapësirën shqiptare. Kudo, në në gjitha skajet e botës buletinët e ndryshme janë të mbushura me skandale klerikësh dhe histori të tilla. Madje edhe të klerikëve më të lartë apo në manastiret dhe tempujt e famshëm. Kjo ka bërë që, herë pak nga pak, e herë në mënyrë të menjëhershme, shëmbëlltyra dhe dogmat e Zotit të thyhen te njerëzit e thjeshtë, duke marrë shkas nga mëkatet e njerëzve që i shërbejnë atij, e duke thyer kështu edhe mitin e ekzistencës.
Të gjitha këto më shtyjnë të them se romani i Leonard Veizit “Orgji në famullinë e at Ludovikut” u adresohet të gjithëve pa përjashtim, të gjithëve njësoj.
 
 

Perdja qëndron e hapur
 
Është hera e parë që në letërsinë shqipe kemi një vepër të tillë, një vepër që e thyen Zotin si në gjuhë, po aq edhe në koncepte. Ndoshta kjo është edhe arsyeja pse “Orgji në famullinë e at Ludovikut” kaloi disi në heshtje dhe pa debat. Njerëzit, veçanërisht shqiptarët i shmangen diskutimeve mbi çështje të tilla me përmasa të mëdha. Për ta, më e lehtë është të heshtin apo të zhyten në mëkat se sa të diskutojnë dhe të polemizojnë për tema që prekin drejtpërdrejtë ekzistencën sot dhe në të ardhmen të shoqërisë njerëzore. Shqiptarët, deri më sot kanë dëshmuar se e shohin më të udhës për t’u marrë me gjëra të lehta dhe diskutime që fillesën e tyre e kanë nga përtej kufijve, se sa të shohin, të reflektojnë dhe të reagojnë mbi problemet dhe shqetësimet me të cilat është e mbushur jeta e tyre. E kemi më të lehtë kur gjërat na i thotë një i huaj, atë e pranojmë me lehtësi.
Megjithatë, pavarësisht kësaj shmangie, për deri sa kemi veprën, edhe në këtë rast, perdja vazhdon të mbetet e hapur.


Postuar në:
http://www.mapo.al/2016/05/veper-qe-thyen-zotin
http://www.tiranaobserver.al/veper-qe-thyen-zotin/
http://www.gazetadita.al/veper-qe-thyen-zotin/
http://hermesnews.al/kulture/Veper-qe-thyen-Zotin.html
http://piruni.net/al/veper-qe-thyen-zotin/
http://www.arkivalajmeve.com/Veper-qe-thyen-Zotin.1047986831/
http://www.zeriiqytetarit.com/sq/?p=42785

Wednesday, May 18, 2016

Shqipja standarde, ku rrezikohet gjuha?

Pas një bisede me Prof.Dr Xhevat Lloshin

nga Leonard Veizi

Ka ardhur koha që gjuha shqipe, ajo e normuar, standarde apo letrare quajtur ndryshe, të mos mbahet më e presuar nga vendimet e Kongresit të Drejtshkrimit që u zhvillua 44 vite më parë? Kësaj pyetjeje mund t’i japin përgjigje vetëm gjuhëtarët, madje jo dokushdo prej tyre, por ata që janë marrë prej vitesh me një punë thellësisht shkencore në këtë lëmë. E meqenëse gjuha cilësohet dhe si pasuri kombëtare, çdo gjë që bëhet mbi shpinën e saj ka një kosto jo të vogël.
Megjithatë deri tani asnjë gjë nuk ka ndodhur. Por, dilema është në mes gjithsesi. Zyrtarisht, në Shqipëri e trevat përtej kufirit, njihet gjuha e standardizuar në vitin 1972. Ndërsa në botimet e përditshme, ç’është e vërteta ndeshesh me gjithfarë deformimesh, që e bëjnë “gjuhën e ëmbël e me vlerë” të Naimit, krejt të shëmtuar e ndonjëherë pa vlerë. Një “ë” më shumë apo një “ë” më pak duket se vendos fatin e të gjithë fjalorit. Ndërkohë një Këshill Ndërakademik që rrekej prej vitesh të bënte ndryshimet që kërkon koha, nuk ka arritur të ndikojë aq sa një Kongres i ri Drejtshkrimi të shfuqizojë shqipen e “vjetër”.
Xhevat Lloshi, Profesor-Doktor në fushën e gjuhësisë dhe një prej delegatëve të Kongresit të Drejtshkrimit, ka një qëndrim krejt të kundërt, madje fort të rreptë me atë çka ka prodhuar Këshilli Ndërakademik. Sipas tij, nisma mori shtysë pas përmbysjes së diktaturës komuniste në Shqipëri, e në këto rrethana u ushqye ideja, se duhej shpartalluar gjithçka e ndërtuar më parë, rrjedhimisht edhe gjuha e normuar prej Kongresit të Drejtshkrimit më 1972.
Por deri tani ndërhyrjet për të “ndrequr” apo “prishur” gjuhën e normuar nuk ka gjetur mbështetje, sepse pavarësisht gjynaheve të panumërta, politika vendimmarrëse ka pasur nuhatjen se kjo çështje, ndoshta jo fort me rëndësi në dukje, mund të krijojë një tronditje shumë më të thellë nga sa e mendojmë. E meqë ndryshime nuk kanë ndodhur, Xhevat Lloshi shprehet se nëse do të lejohet një gjë e tillë, pasojat do të jenë të vajtueshme, ndërsa pështjellimi do të ishte i përhershëm në sistemin tonë arsimor, duke nisur që me librin e Abetares.
Gjuhëtarë të tjerë, por dhe ca që s’kanë të bëjnë fare më këtë punë, kërkojnë që dhe dialektet të ngrihen në shkallën e varianteve të detyrueshme. Duke iu referuar bisedës me profesor Lloshin, pikërisht rreth një teme të tillë, dilet në përfundimin se kjo nuk ka ndodhur në asnjë rast në gjuhët europiane.
Larmia kulturore dhe dialektore e shqipes është një dukuri historike objektive. Gjuhëtarët që merren me stilistikën ngulin këmbë se kjo larmi është një fushë tjetër e pasurisë së shqipes, e cila duhet njohur sidomos nga shkrimtarët, publicistët, përkthyesit dhe mësuesit. Ndërkaq, mëshimi i anës dialektore sot është përsëri në hullinë e asaj që Xhevat Lloshi e cilëson si: “sulm tinëzar kundër gjuhës standarde”. Askush nuk pengon sot dikë që të përdorë variantin gjuhësor të parapëlqyer prej tij. Është lexuesi, i cili vendos ta shijojë një tekst ndryshe nga gjuha standarde ose ta lërë mënjanë.
Ndërkohë, përzierja e pashembullt demografike e periudhës së fundit e ka prekur fort tablonë dialektore të shqipes, ndërsa gjuhëtari Lloshi thotë se është koha e fundit, ku duhen shpëtuar mjaft gjëra me vlerë prej gjuhës së gjallë.
Por gjithësesi shqipja vazhdon të jetë e rrezikuar dhe nga një mori fjalësh të huaja, e për më tepër ajo deformohet në të shkruarën e saj. Dhe kjo në radhë të parë vjen nga shtypi i shkruar e portalet pafund ku shkruajnë pa kontroll, akademikët dhe analfabetët. Për përkthyesit dhe gazetarët nevojitet përdorimi i një fjalori në çdo ditë të punës së tyre. Kjo është dhe kërkesa profesionale ndaj vetes në njohjen dhe zgjerimin e visarit leksikor të shqipes. Gjuha jonë tashmë ka një pasuri të vërtetë për t’iu përgjigjur gjuhëve të tjera. Ndërkohë qëllon jo rrallë që shqipërimit nga një gjuhë e huaj t’i përgjigjen me një tjetër fjalë të huaj.
Padyshim, përmirësimi i gjuhës është dukuri e pandërprerë dhe, po të flasim për kohën, ndoshta jemi të vonuar disi.

Botuar ne revistën "Grazia" më prill 2016

Tuesday, May 17, 2016

Dështimet e Ministrisë së Kulturës...me kulturën

nga Leonard Veizi


Kultura nuk është nga pikat më të forta të qeverisë Rama, e padyshim edhe në platformën e Këshillit të Ministrave, ajo zë faqen e parafundit, ashtu si prodhimet mediatike, ku në faqet e parafundit të edicioneve informative apo gazetave të ditës rreshtohet gjithashtu... kultura.
Ka pasur rëndom raste nga kritizerë thellësisht mediokër që bëjnë pyetjen e vazhdueshme me ironi e sarkazëm bashkë: “Pse ka art në Shqipëri?!” Natyrisht që ka, përderisa në kryeqytet zhvillon aktivitetin e pandërprerë një institucion elitar si Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit, e pas tij edhe Teatri Kombëtar, kinematë, Galeria Kombëtare e Arteve, Cirku, i cili tashmë ka marrë një status gjithashtu si trupë kombëtare, përderisa ka muze gjithëllojesh e një Qendër për Realizimin e Veprave të Artit, pa përmendur këtu edhe trupat e ndryshme teatrore apo edhe atë jetë artistike që buron nga Universiteti i Arteve. Të thuash që nuk ka art në Shqipëri, padyshim që është një nihilizëm absurd.
E megjithatë sërish, duke parë pritshmëritë dhe ecuritë, më duhet të them se viti 2014 nuk ishte i artë për kulturën. Po t’i pyesësh me zëra një e nga një, të gjitha drejtoritë dalin me realizim të planit, në mos me tejkalim të tij. Këtë e di mirë... Po t'u referohesh shifrave në letër e diskutimeve në Kuvend ne ia kalojmë dhe vendeve më të zhvilluara. Realiteti është i ndryshëm. E megjithatë deri më tani, Ministria e Kulturës nuk ka bërë publike një shifër, jo se sa janë paratë që ka hedhur për këto projekte, por se sa kanë qenë të ardhurat që i ka sjellë kultura buxhetit të shtetit, pra shqiptarëve. Në fund të fundit edhe ministria e Kulturës operon nëpërmjet parave të mbledhura nga taksapaguesit shqiptarë. Por e thamë edhe më sipër, shifrat në letër janë gënjeshtari më i madh. Këtë e di mirë. Ashtu siç di të them që grupet e arkeologëve kanë ndërprerë punimet për mungesë fondesh. Galeria Kombëtare e Arteve ka të njëjtin kontingjent vizitorësh krahasuar me vitet e mëparshme. Rrallë të ndodh të shohësh që grupe të internuara vizitorësh t’i afrohen në grup këtij institucioni të rëndësishëm të kulturës kombëtare, veç rasteve kur këto mund të jenë të organizuara prej shkollave të ndryshme, por edhe këto të fundit jo shpesh. Muzeu Historik Kombëtar nuk gjen qetësi. Prej vitesh vazhdon me restaurimin e pavijoneve. Historia shkruhet e rishkruhet. Objektet lëvizin vazhdimisht nga stenda në bodrum e anasjelltas. Trishtim i madh, sigurisht. Teatri Kombëtar vendos të njëjtin numër premierash ndërsa Teatri i Operës dhe Baletit po riciklon më së shumti vëniet e vjetra në skenë me kostume të reja. Nisur edhe nga biletat e shitura, që nuk sjellin ndonjë të ardhur të madhe në llogaritë e këtyre institucioneve, dalim në përfundimin se nuk mund të flasim për një “bum”. Në intervistën e saj të paradisaditëshme, Ministrja Kumbaro foli për sukseset që pati TKOB gjatë këtij viti, por projektet që ajo përmendi, si koncerti i Papavramit e ndonjë tjetër ishin më shumë evente personale se sa institucionale. Askush nuk mund të thotë se këto evente e rritën numrin e spektatorëve në këtë tempull, e po kështu edhe të ardhurat e tij. Emërimi i drejtorit të ri në Teatrin Kombëtar po shoqërohet me një kalendar të ri pune. Janë hapur dyer për regjisorë të rinj, por ende ne nuk kemi një strategji të qartë të Ministrisë së Kulturës se çfarë do të bëhet në Teatrin Kombëtar, si do të jenë drejtimet dhe buxhetet e tij, cilat do të jenë raportet mes trupës artistike dhe të atyre që vijnë jashtë teatrit, e plot e plot të tjera. Deri më tani Teatri Kombëtar falë edhe mosstrategjisë së Ministres së Kulturës po shndërrohet në institucion me dyer të shqyera.
Si rrallë ndonjëherë gjatë dy dekadave të fundit, Ministria u mundua të eklipsonte panairin e botuesve duke zhvilluar një tjetër panair libri, por në kushte shumë më mizerabël si ai i prillit 2014 në oborrin e Muzeut Historik. Pavarësish tendave, stendat e librave qëndronin të ekspozuara ndaj shiut, në të njëjtën mënyrë si të ishte tregu i fruta-perimeve te Pazari i Ri. Gjithashtu si rrallë herë, këtë vit Ministria e Kulturës nuk e mbështeti Panairin e Librit të Tiranës. Ky qëndrim nuk ishte ndonjë e papritur, pasi në lidhje me politikat e librit, qëndrimi i Ministrisë ka qenë pa bosht, ashtu si pa bosht ka qenë edhe politika ndaj filmit. Se sa ishte prezente kjo fushë në buxhetin e ministrisë, këtë Ministrja Kumbaro u mundua ta thoshte nëpër konferenca shtypi, por pa thënë asgjë konkrete.
Deri tani Ministria e Kulturës arrin të mburret me bashkëpunimin që u bë për pritjen e Papës Françesku gjatë vizitës së tij në Tiranë dhe në zbukurimin e Bunk’artit. Restaurimi i kalave dhe menaxhimi i tyre sa më i mirë ka mbetur në vend. Askush nuk mund të thotë se projekti i vitalizimit të kësaj pasurie të trashëgimisë kulturore tashmë ka shkuar aty ku duhet. Shpesh menaxhimi i tyre mbetet një njollë e errët, të cilën nuk mund ta zbardhin as ahengjet e dasmave që nisën të organizohen rëndom, herë me bujë e herë në mënyrë më diskrete.
Deri më sot, Ministrja Kumbaro ka mundur të flasë në vija të përgjithshme, por konkretisht ende nuk ka një gozhdë ku ajo të varë pallton e rëndë.

Postuar në ResPublica 28 Dhjetor, 2014


Kur puthesh me profetët

nga Leonard Veizi

Që nga koha kur në botë mbërriti profeti i parë, e deri më sot që pretendohet se cikli i tyre është mbyllur, - e në ardhtë Jezusi për herë të dytë në Tokë nuk dihet se çdo të ndodhë, - dilema nëse Zoti ekziston vërtet dhe a janë Ata të dërguarit e tij, ka qenë e pranishme jo vetëm tek dyshuesit e pandreqshëm, por dhe tek ata që janë marrë gjerësisht me zbërthimin e doktrinës. E megjithatë, që prej Koncilit të Parë të Nikeas më 325 e deri më sot, t’i kundërviheshe Zotit apo të besoje më shumë se tek ai në Ateizëm, merrje përsipër një risk të madh. Por dhe nëse bëje veprime ndesh, inkuizicioni të hidhte në turrën e druve, ndërsa ca më vonë diktaturat e sofistikuara të hiqnin qafe me dy plumba pas bythe, siç ndodhi me Federiko Garcia Lorkën në kohën e fashistit Franko.
Kjo ishte dhe një pjesë e thelbit të asaj çfarë kërkonte Mustafa Nano të përcillte te ndjekësit e tij, pikërisht në këtë kohë oportune të emancipimi shoqëror të shqiptarëve, ku diktatura ka 25 vite e rrëzuar, e ku bashkëjetesa mes feve të mëdha e filialeve të vogla nuk xhelozon as ateistët, që më siguri pas fabrikimit të pas vitit 1967 nuk janë aq të paktë në numër.
Much Nano me “ch” sipas versionit të ftesës që mora në duar, apo Muç Nano me “ç” sipas asaj që i thërrasim çdo ditë, nuk pati ndonjë problem të rikonfirmonte paanësinë e tij ndaj fesë, edhe pse auditorit që i drejtohej, kishte nga të gjithë: katolikë e myslimanë, ortodoksë e bektashinj, nga ata që thjesht besojnë në Zot dhe nga ata që nuk dëgjojnë nga ajo anë. Pra një show për një shoqëri të hapur.
Në një plate të mbushur plot me fytyra të njohura e gjysmë të para, e lozha gjithashtu, pritej të binte “gongu’. Muçi doli në skenë, ashtu siç e pamë ca e ca të hynte në passkenë, këmishë blu lisho të nxjerrë nga rripi, pantallona kafe si punë linoje dhe atlete shumëngjyrëshe, pak blu, pak të zezë e pak vishnje. Veshje tipike për kohën e lirë e të shpenguar. Nuk mund të pritej ndryshe, në një premierë që Mustafai e kishte bërë krejt për qejf të vet dhe jo i shtrënguar për të plotësuar normën e shfaqjeve të vëna në skenë apo për të bërë një dorë para. Pra mungonte dhe kostumografi. Ndoshta dhe regjisori... Kështu Muçi duhet ta ketë parë të udhës të mos kontraktohej brenda një veshje shik i tipit: frak, papion e këmishë të bardhë, e cila padyshim në vend të seriozitetit kishte gjasa ta nxirrte fare nga moda. Për më tepër që gjatë performancës, autori me një gjatësi rreth 180 centimetra e peshë të paktën 100 kilogram, u zhgërrye nja dy-tre herë në dyshemenë prej dërrase të skenës së Akademisë së Arteve, të cilën duhet ta kishte marrë me qira.
Në një shfaqje të titulluar “Dhe profetët dinë të puthin...” e me një shtesë të konsiderueshme në kllapa “një show për jofetarë”, Mustafa Nano, ky gazetar fort i njohur televiziv, por që karrierën e tij më së shumti e ka pasur në gazetë, nisi monologun e tij të gjatë prej më shumë se 60 minutash, me ulje e ngritje të domosdoshme, kulminacione dhe pauza që kalonin me kollitje të lehta nën gurmaz, humor e seriozitet mendues, pak banalitet të domosdoshëm që shtyhej çdo 7 apo 8 minuta me nga një gllënjkë ujë “Trebeshina”. Ky i fundit me siguri do të ketë qenë sponsor, përndryshe do të duhet t’i kishte hequr etiketën, gjë që s’ndodhi. E gjitha kjo nuk e bënte aspak të mërzitshëm performancën e tij, edhe pse Muçi s’ma do mendja të ketë marrë as dhe një orë të vetme leksioni të tipit “kupa me kapak, kupa pa kapak” për ta çuar më përpara mjeshtërinë e tij prej aktori. Se, ç’është e vërteta, edhe tema që kishte zgjedhur ishte ca më “spec”. Një temë ku u fol ca për fenë, por dhe për blasfemitë e mëdha, ca për profetët e për ata që s’i kishin besuar asnjëherë, ca për artistë e filozofë të përbotshëm e ca për homoseksualë, gei e lesbike bashkë. U përmendën veprat e mëdha të Mikelanxhelos e Da Vinçit, pa harruar që mjeshtri i skulpturës nga Toskana që kishte gdhendur një David të madh me “bibilush” të vogël, e kishte çuar herezinë e tij në kulminacion duke peneluar në Kapela Sistina të Vatikanit shëmbëlltyrën e vetë Zotit, atë që s’e ka parë kush mbi dhe. Më pas u vijua me citatet e Aristotelit dhe Volterit, sinteza nga veprat e Uitmanit e Dostojevskit. Kadare dhe Koliqi u përmendën, por dhe vetë Lek Dukagjini me Kanunin e tij. E që t’i mbledhësh në një thes, duket ca e vështirë. Do ca mund, por dhe njohuri përtej bazës, që padyshim nuk transmetohen në mënyrë të besueshme vetëm se i ke të skeduara në një synopsis.
Duke i lidhur të gjitha ngjarjet me Shqipërinë e sotme, Arbëri deri dje e ca më tej Ilirinë, Muç Nano doli në përfundimin e pandryshueshëm për të, se Kombi është mbi gjithçka, gjë të cilën ai e ka bërë të qartë dhe në librin e tij “Pax Albanica” bazë prej të cilës ngrihej i gjithë show në fjalë. Dhe ndoshta, në këtë pikë Shqipëria ndryshon disi nga kombet e tjera, ku simbolin e dy feve të mëdha e mbajti vetë heroi ynë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu, kristian e muhamedan bashkë.
Por kur flet për kombin dhe shqiptarët, Muçi pranon se në pika të tjera ne jemi krejt të ngjashëm me pjesën tjetër të botës, qoftë te një fragment i Kanunit, ku të drejtat e gruas nuk afroheshin kurrkund me lëvizjen feministe, aq dhe te orgjitë e meshkujve me njëri-tjetrin, të cilat për hir të së vërtetës nuk paskan qenë të përhapura vetëm në Berat, Gjirokastër dhe Elbasan, por dhe në Veri të vendit. Praktika otomane??? Jo o jo. Homoseksualë na paskan qenë burra të mençur të kësaj bote, dhe trima gjithashtu, Aleksandri i Madhi i maqedonasve, britaniku Rikard Zemërluani që udhëhoqi dhe një kryqëzatë, gjeniu Mikelanxhelo, por dhe vetë poeti i madh spanjoll Lorka, i cili u masakrua jo vetëm nga skuadra e pushkatimit, por sidomos nga dufi i njërit prej ekzekutorëve që në inat e sipër e qëlloi dy herë në një vend që s’ia vlen të thuhet më. E pra, ne shqiptarët nuk paskemi shumë ndryshim nga pjesa tjetër e botës. Por me harmoninë fetare ia kemi dalë, madje aq shumë sa jo vetëm një vajzë katolike mund të dashurohej me një djalë mysliman, por se ka ndodhur që një djalë ka ndërruar fe vetëm se këtë ia ka kërkuar i dashuri i zemrës, thënë shkurt dylberi i tij.
Të gjitha këto u thanë në show-n e Much Nanos, dhe ca të tjera që me sa duket nuk i mbaj mend mirë. Por ajo që i bëri më shumë përshtypje publikut, ishte pikërisht shprehja përmbyllëse: Kombi mbi të gjitha. E për ta bërë të besueshme të gjithë këtë, Muç Nano ka preferuar të tregojë që në ëndërrimet e tij të pafre a fare të çakërdisur, ka pranuar të vetmen puthje në buzë prej meshkujsh, aspak erotike duhet theksuar. Dhe kjo ka ndodhur prej dy burrave të cilët kanë ndikuar më shumë se kushdo në jetën e mëpasme të njerëzimit, Krishtit dhe Muhametit, të cilët po sipas imagjinatës kapriçoze të Muchit apo Muçit thënë ndryshe, i dhanë të drejtë shpjegimit të tij tip “Pax Albanica”: Kombi mbi gjithçka.
Sikur të ndodhte vërtet kështu?!
Muçi mund të jetë lodhur në performancën e tij të gjatë, dhe duhet të jetë lodhur, por asnjëri prej nesh që ishte në sallë nuk u lodh duke e dëgjuar. Guxim i tepruar kjo që sapo shkrova, mora përsipër të flas në emër të të gjithëve. Por njeri të dilte nga salla nuk më zunë sytë, dhe duartrokitjet e herë pas hershme them se i dhanë qytetarinë e merituar spektaklit. Dhe nuk duhet më shumë se kaq që ai të quhet i suksesshëm.
Por gjithsesi, edhe mes përqafimesh dhe urimesh të rastit, autori nuk harroi të thoshte se një show të tillë e bënte për herë të parë, por dhe për herë të fundit. Nuk ishte premtim, ndaj unë shpresoj që Muçi, siç e njohim ne, apo Muchi siç duan ta njohin të tjerë, të harrojë atë që tha dhe të hipi sërish në skenë për të na dhënë një show të ri.

Postuar në ResPublica 24 Prill, 2015


Të shtunat komuniste të Veliajt

nga Leonard Veizi

Lenini inicion “të shtunat komuniste”. Fill pas revolucionit bolshevik, vendi ishte thuajse i shkatërruar. Rusët e sapodalë nga lufta civile ishin optimistë për një jetë të re. Dhe iu futën punës vënçe.
Nga revolucioni i tetorit 1917 kaluan 28 vite. Jemi në vitin 1945.
Enveri inicioi të “dielat vullnetare”. E shtuna ishte ditë pune dhe vetëm e diela mbetej pushim. Por edhe shqiptarët të dalë nga Lufta e Dytë Botërore, apo sipas terminologjisë së kohës: Nacionalçlirimtare, ishin optimistë për një jetë më të mirë. U hodhën me kokë për ta bërë Shqipërinë “lule”.
Për analogji, në vitin 1985 kur pushteti u mblodh në duart e Ramiz Alisë, ai mori një tjetër iniciativë, veç këtë herë në emrin e komandantit: “Dita e Enverit”, që mund të bëhej si punë vullnetare, jo vetëm të dielën, por çdo ditë të javës.
Deri këtu nuk na lanë një ditë pushimi për be.
Por ndryshuan sistemet. Ekonomia e tregut u treguar zemërgjerë dhe u dha shqiptarëve dy ditë pushimi në javë që të mblidhnin veten.
Sot, nostalgjia e një kohë që po bëhet çdo ditë e më e largët, na erdhi fare pranë. Nisma më e re e kryetarit të ri të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ishte: “E premtja pastrim”.
Të jeni të bindur, që as që kam kundërshtim ndaj kësaj nisme. Tirana duhet pastruar vërtet, dhe atë që e bëjnë disa qindra-mijë banorë nuk e bën kush tjetër. Unë i kam mirë parasysh vitet ‘80 ku gratë e pallateve, por dhe burrat herë pas here, dilnin çdo të diel për të bërë një pastrim masiv. Dhe ç’është e vërteta Tirana ndriçonte. Madje edhe ne, që në atë kohë quheshim “pionierë” na aktivizonin kur bëhej fjalë për një pastrim më të detajuar, kur hiqeshin mbetje inerte të hedhura andej-këtej nga ndërtimi i pallateve të reja. Por kjo ishte logjika e viteve ‘80.
Sot kohët kanë ndryshuar vërtet.
Në një ekonomi të lirë kur çdo familje paguan goxha para si taksë për pastrim, për të përgjigjet firma që i merr këto para. E pra, të dielën e pushimit çdokush do ta kalojë në plazh, në mal, në restorant ku të hajë e të pijë sa të dehet. Se ka punuar gjithë javën e i ka rënë bretku. Madje ka paguar dhe të gjitha detyrimet ndaj shtetit, ku padyshim edhe faturën e pastrim-gjelbërimit. Dhe nëse kryebashkiaku inicion një aksion të tillë, duhet të ketë parasysh se Bashkia duhet të na kthejë urgjent paratë që i kemi dhënë për pastrim. Nuk përgjigjet asnjëri nga ne për dështimin e firmave të pastrimit. Se kur vjen puna për të marrë tenderin, vrapojnë të zënë radhën. E pas kësaj vijnë justifikimet, jo na u prishën kazanët e jo “do prishim kazanët e do bëjmë kanaçe”. Sepse, personalisht, unë me familjen time aq metra katror sa na takojnë i pastrojmë vetë.
Dhe duke iu referuar datës 4 shtator 2015 Veliaj thotë se: “Tirana do të ngryset më e pastër seç u gdhi”. Ndërsa unë them se në 5 shtator 2015 Tirana do të gdhihet më e ndotur nga sa ish. Ajo që dua të shtoj pas kësaj për ta mbështetur përfundimisht atë që shkrova, është se Tirana vështirë të pastrohet nga njerëz që në mënyrë masive u mungon edukata qytetare, të cilët sot kapin fshesën të pastrojnë oborrin e pallatit ku jetojnë, por të nesërmen po në të njëjtin vend do të hedhin letrat higjienike që fshijnë hundët, mbështjellëset plot yndyrë të byrekëve dhe për më tepër do të urinojnë poshtë Lanës e në çdo rrëzë peme që gjejnë.
Gjithçka duhet të fillojë nga përmirësimi i edukatës qytetare, që këta një milion banorë që jetojnë në kryeqytet të mos e ndotin atë, se padyshim, pastrimi si proces nga ky çast do të bëhet shumë më i thjeshtë.


Postuar në ResPublica 05 Shtator, 2015

Sunday, May 15, 2016

Evropa provinciale

nga Leonard Veizi

Nuk është fare për t’u habitur që Europa vazhdon të jetë po aq provinciale sa dhe në mesjetë. Dhe këtë mentalitet duket se nuk e ka zhbërë as Rilindja italiane as Filozofia gjermane e as Kulla e Eifelit francez si një prej kulmeve të zhvillimit teknologjik. Madje-madje, këtë mentalitet fshati nuk e ngushëllon as haberi që u dha me axhele të madhe se Irlanda më në fund ua lëshoi kapistallin martesave gay.
Elhajda Dani, apo thënë më saktë Shqipëria, doli në këtë Eurovizion si mos më keq. Në vendin e 16-të. Zhgënjim total. Askush nuk e besonte. Por në 40 vende, ata që i jepnin pikë Shqipërisë, apo Elhajda Danit merreni si të doni, ishin krejt të papërfillshëm. E pra prej kohësh ca sondazhe thoshin se “kuq e zinjtë” këtë herë ishin favoritët me serioz në mos për të marrë trofeun të paktën për të qenë në një vend të nderuar andej nga kreu i renditjes. Por sondazhet gjithsesi janë larg fushës së betejave aty ku jepen pikët. Dhe këto pikë që i trasmetojnë nga një fragment ekrani ose femra të bukura bionde ose meshkuj me kasketë, as më pak dhe as më shumë, jepen në mënyrë krejt tradicionale ose fqinjëve, ose shtetit mëmë gjatë bashkëjetesës në një perandori. Kështu ndodhi edhe këtë herë. Nuk kish si ndodhte ndryshe në fakt. Fjala vjen kroatët i japin pikë Serbisë edhe pse u vranë e u therrën në luftën për pavarësi. Bashkëjetesa nën ish-Jugosllavi nuk u harruaka lehtë. Me këtë rast nuk po përfill fare pikët e Malit të Zi. Padyshim republikat e ish-Bashkimit Sovjetik ia dhanë me shumicë pikët këngës ruse, ndërsa ne shqiptarët vazhdojmë me idiotësinë e vjetër, të shqepim me pikë Greqinë, a thua se pas kësaj Athina zyrtare do të na marrë me sy të mirë e do të ulte tonet qoftë për çështjen e kërkimeve në det apo jarebi dhe për miratimin e Idrizit në Kryesinë e Kuvendit. Padyshim ky është mentalitet provincial në tërë Europën konservatore, ndërsa për ne si Shqiptarë pak më i thellë, prej fshatarësh të vërtetë.
Kënga shqip nuk ia doli as këtë herë në Eurovizion. E pra Elhajda është një nga zërat e rrallë që kemi nxjerrë. Dhe në Eurovizion, Shqipëria vazhdimisht është paraqitur me dinjitet, por unë do të veçoja me këtë rast performancën e Anjeza Shahinit, Rona Nishliut dhe Juliana Pashës. Dhe dështimi në këtë Eurovizion vjen pikërisht kur këngëtarë të shquar shqiptarë, soprano e tenorë, kanë pushtuar skenat operistike botërore si në rastin e Inva Mulës, Ermonela Jahos, Josif Gjipalit, etj. Por duket se Evrovizioni, një festivali që për të thënë të vërtetën prej vitesh i kanë rënë kreditet edhe nuk është gjëkundi, i cili po mundohet të kurojë imazhin me regji të lëvizshme, skenë të zbukuruar nga dritat e shumta e me një transmetim “live” në Kinën e largët, ne shqiptarët nuk po ia dalim ta çajmë dot.


Postuar në ResPublica më 24 Maj, 2015

Saturday, May 7, 2016

“Rroftë mediokriteti”

Leonard Veizi

“Rroftë mediokriteti”!
Nuk është se kjo shprehje, thjesht të kujton një njeri si Salieri, apo që kërkon të ngrejë në piedestal njerëzit me “virtyte” si ai. Të qenit mediokër apo jo i tillë, pra më lart apo më poshtë se një stekë që na e paska vënë “dikush”, e ka vënë në dilemë njerëzimin që prej çastit kur filloi gara e ethshme për të qenë dikushi në jetë. Por jo të gjithë ia dalin në këtë turravrap të mundimshëm. Ca e kalojnë stekën, ca mbeten mbi stekë... Dhe në përgjithësi shprehja e rëndomtë “mediokër”, është përdorur në sensin më pezhorativ të mundshëm, për të kuptuar ata njerëz të cilët nuk ia dalin dot të kapin majën.
Është pikërisht kjo shprehje që në fjalorin e Gjuhës Shqipe është trajtuar në dy pika, njëra prej të cilave thotë: “Që ka aftësi të kufizuara, që nuk shquhet për ndonjë zotësi ose për ndonjë cilësi të veçantë; që është i rëndomtë (për njerëzit)”.
Kjo sa për fillim, ose sa për t’ju kujtuar një pjese të lexuesve, se në fakt kjo fjalë nuk ka kuptime më të këqija se sa kaq. Shkurt: nuk është se të shan kush kur të thotë "mediokër".
Por ndërsa deri dje, njerëzit e kësaj kategorie, penalizoheshin nën emërtimin “negativ”, tanimë mendoj se ka ardhur koha të thirret fort, me vërtetësi dhe pa asnjë lloj dyshimi: “Rroftë mediokriteti”.
A mund të jep bindës në këtë që po them?! Mbase jo... Mbase ia dal...
E që ta fus në brazdë këtë bisedë me veten, po filloj me arsyetimin tim, ndaj vetes time, sigurisht. Nuk kam punë me të tjerët.
Prurjet në të gjitha fushat e jetës, por sidomos në ato të artit, muzikë, pikturë apo letërsi, këto vitet e fundit kanë qenë të shumta. Nëse të gjitha këto prurje do të kalonin hollë në sitën e kritikës dhe opinionit publik, padyshim pak gjë do të mbeste. Pjesa tjetër pa frikë mund të konsiderohej edhe si “mbetje”. Por për shkaqe të ndryshme, - të cilat nuk janë objekt i këtij shkrimi, - kritika në Shqipëri nuk ka ecur në të njëjtin hap me prurjet. Kështu që shumëçka ka mbetur e pa situr, duke iu servirur publikut në të gjitha format, herë si krijime të mrekullueshme, herë si arritje, herë si “bum”-e dhe herë si...
Emërtime pa fund.
Gjithçka nëpërmjet reklamave mediatike, të cilat natyrisht janë të paguara. Dhe në një rast të tillë, një media, - vizive apo e shkruar qoftë ajo, - merr përsipër që në bazë të shumës së përcaktuar që më parë, të transmetojë një spot, për atë çka një artist ka hedhur në treg. Deri këtu jemi në rregull në marrëdhëniet shitës-blerës, pra thënë shkurt në marketing.
Ajo që mbetet e patrajtuar është vlera.
E gjitha kjo m’u kujtua teksa në një nga ekranet me sigël shqiptare, - jo i pa rëndësishëm për nga fuqia - transmetohej një emision, ku drejtuesi i tij, pasi ftonte në studion e tij këngëtare fare të reja me një apo dy debutime, - absolutisht jo në skenë - i prezantonte plot zhurmë: “Mes nesh një këngëtare e famshme”. “Ndërsa tani do të kemi të pranishme një këngëtare edhe më të famshme”. Pastaj një: "Më e famshme se të famshmet"...
Inflacion fame?
E pra, absurditeti nuk njeh kufi.
Megjithatë nuk është një gjë që ndodh vetëm këtu tek ne, ku rëndom përdoret shprehja “vend i Botës së Tretë”. Ka ndodhur dhe në ekrane prestigjioze të vendeve të zhvilluara. Por ajo kohë ka marrë fund. Sot në perëndimin e largët, në ekrane televizive apo skena gjigante nuk ka më vend për mediokrit.
Por sa e lehtë të bëhesh e famshme këtu tek ne?
Ndoshta vetëm se je e gjatë, ke flokë bionde të lyera me peridrol, trup elegant, pak botoks në buzë e vithe. Megjithëse këndon me superpozim dhe skenën “live” as që e ke menduar. Por ndoshta këto nuk kanë fort rëndësi në kohën e teknologjisë së lartë, ku të gjitha defektet, janë të riparueshme, “pas kuintave”.
Megjithatë edhe kjo e ka një të mirë.
Nuk është se kisha probleme me performancën e tyre. Madje nuk është se arrija të nxehesha me vete se përse humbja kohën për të parë të tilla mediokritete. Ndoshta sepse atëherë dhe pikërisht atëherë mendova se nëse nuk do të ishin këta këngëtarë, apo më mirë të themi këngëtare - pa i fyer aspak se i kemi vënë në dukje mediokritetin e tyre, - nuk do të kuptonim famën e këngëtarëve të vërtetë që kanë dominuar në skenat e festivaleve të mëdha. Nëse nuk ka pikturë pa asnjë koncept por të fshehur thjesht nën emërtesën “moderne” apo “abstrakte”, nuk mund të vlerësojmë ata që dinë të vërtet të hedhin ngjyra mbi telajo. Nëqoftë se nuk do të kishte letërsi konsumi, mbushur me ujëra pa fund, pa sintaksë e ndonjëherë pa fare shenja pikësimi, si do mund t'i dallonim ata që dinë të shkruajnë vërtet.
E pra, të gjithë nuk mund të jenë gjeni. Shumica absolute që mbushin radhët e atyre që i quajmë pa të drejtë, artistë apo krijues, kanë qenë dhe janë mediokër. Dhe këtë më shumë se kushdo e ndjen shoqëria, që përballet çdo ditë me veprat e tyre, pa asnjë vlerë të veçantë, nga të cilat natyrshëm nuk mundtë mësosh asgjë, dhe as ndonjë mesazh nuk ke nga ta marrësh.
Por në këtë mënyrë, - duke marrë parasysh të mirën që na bëjnë pa dashje - me apo pa të drejtë na jepet mundësia të thërrasim pa frikë se na paragjykon njeri: “Rroftë mediokriteti”.


Botuar në revistën Kult - gusht 2012

Thursday, May 5, 2016

Shpluhurosja e figurave kombëtare dhe rikthimi i vlerave - refleksion

Leonard Veizi

Një pjesë e tyre kanë mbetur në harresën e kohës, një pjesë tjetër janë kujtuar përciptazi, ndërsa të tjerë vazhdojnë të jenë të pluhurosur pasi për vite me radhë kanë qenë krejtësisht të ndaluar. Duket si një klasifikim i zakonshëm që vjen nga një propagandë inkuizicioni, por nuk është se ka ndodhur krejtësisht kështu. Për më tepër kur flitet për njerëzit e letrave. Ajo ishte e sofistikuar që një pjesë të vlerave t’i kthente në antivlera dhe e kundërta.
Dihet mirëfilli që në rrugën e gjatë të popullit shqiptar shumë ngjarje të rëndësishme historike, shumë figura të ndritura të letërsisë apo historiografisë sonë kombëtare kanë mbetur të pastudiuara thellësisht ose krejt të pastudiuar një pjesë e tyre. Ideologjia ekstreme e së kaluarës kishte diktuar që, si ngjarje të veçanta ashtu dhe një sërë figurash të mohoheshin apo të mbeteshin nën mjegullnajën e kohërave. Për t’iu kundërvënë këtij konteksti lindën realitetet, që sollën nevojën e shpalosjes së gjithë asaj pjese të historisë sonë, që ishte kapluar nga eklipsi kohor. Në fakt, viktimë e kësaj ideologjie kishin rënë jo vetëm Faik Konica dhe At Gjergj Fishta, por në njëfarë mënyre edhe Fan Noli, për të cilin, në fakt ishte bërë një përjashtim i vogël. Gjithsesi, as Noli nuk mund të pretendonte se ishte i përkëdheluri i sistemit. Idetë e majta, krijimi i Autoqefalisë dhe sidomos Revolucioni Demokratik e kishin shpëtuar gjeniun shqiptar nga presioni i harresës. E megjithëse me një mendje brilante, arsimim të shkëlqyer dhe njohës i 15 gjuhëve të huaja, administratorët e shtetit komunist ishin mjaftuar që emrin e tij ta përjetësonin në një shkollë 8-vjeçare, diku pranë “Pazarit të Ri” në kryeqytet. Ndërsa vlerat e tij ishin për shumë më tepër, ndoshta për vetë universitetin shtetëror.
Po kaq i harruar ishte edhe një lirik si Lasgush Poradeci apo prozator si Kasem Trebeshina që, edhe pse e jetuan regjimin në të gjallë të tyre, në fakt duket të ishin gati inekzistentë. Njëri në burg dhe tjetri i “syrgjynosur”. Ndërsa vepra e tyre mbeti fare e panjohur, apo thënë ndryshe e pabotuar për vite më radhë.
E megjithatë dua të shtoj se "Letërsia e ndaluar", nuk ka pse të glorifikohet për hir të “ndalesës” nëse vlerat e saj janë të nivelit mesatar. Kjo ka ndodhur pasi ndonjë studiues, për hir të kompromist me peshën e emrit nuk i ka dhënë vlerësim objektiv veprës.
Ernest Koliqi është padyshim një nga krijuesit më të talentuar të fillimit të modernitetit në prozën shqipe. Këtë e kanë vërejtur në forma të ndryshme shumë studiues, që janë marrë me krijimtarinë e tij artistike. Por edhe ai, viktimë e një firme politike, do të zhytej në terrin e harresës 50-vjeçare, për të marrë më pas një dimension të ri të shpërfaqshëm. Me krijimtarinë e pastudiuar të Koliqit mund të bashkohen dhe autorë të tjerë, si Kuteli e Konica në prozë edhe Poradeci në poezi. Ndërsa Migjeni i përdorur me mjeshtëri si “poeti i mjerimit” i mbijetoi sistemit jo vetëm për shkak të vargjeve goditëse, por mbi të gjitha falë talentit të tij të jashtëzakonshëm.
Ka dalë nga harresa një publicist si Gjergj Bubani. Vepra e tij është botuar thuajse e plotë nga shtëpia botuese “Omsca-1” e më pas dhe eseja monografike “Gjergj Bubani i harruari i përkohshëm” shkruar nga Kliton Nesturi.
Gjithsesi ishin vlera të mbuluara nga pluhuri i harresës.
Tanimë një pjesë e tyre i janë nënshtruar një studimi të plotë. Vepra e Jeronim De Radës vjen gjithashtu tërësore në këtë 200 vjetor të lindjes së tij.Vlerat e tyre po dalin në dritë. Kështu na kanë ardhur në botime të panjohura Konica e Fishta, Noli dhe Koliqi, Poradeci dhe Camaj. Madje ky i fundit në një vështrim mjaft interesan tek “Camaj i paskajuar” i studiuesit Shaban Sinani. E ndërsa krijimtaria e tyre ka marrë jo pak kohë nga ditët e studiuesve, të cilët këtë herë e kanë parë gjithçka në dimensionin e tyre të vërtetë, jashtë kornizave.
Nisma e një shkrimi të tillë erdhi pas një vëzhgimi jo fort të hollësishëm, por gjithsesi të dukshëm e domethënës, ku dola në përfundimin se në valën e promovimeve, sot ndesh jo pak vëllime të mirëfillta studimore, kushtuar figurave që mbartin vlera të vërteta. Janë pikërisht këto dalje në dritë e vlerave që kanë pasuruar më tepër tregun e librit  shqip.

...Por ndoshta s’duhet të mjaftohemi me kaq. Tanimë, ajo që paraqitet më e mundshme si rrezik i paralajmëruar është harresa e një pjese tjetër autorësh. Jo vetëm Pjetër Bogdani, Pjetër Budi apo Frang Bardhi, që i përkasin një kohe më të largët, por dhe vetë vëllezërit Frashëri janë më pak të përkrahur nga fryma e re studimore. Ndre Mjeda ndoshta është nga të paktët me një korpus prej 8 veprash, ku shtrihet e përmbledhur vepra dhe studimet mbi të, nga studiuesi Mentor Qyku. Por ende shumë pak është marrë në konsideratë dhe vepra e Zef Skiroit, Jul Varibobës apo Zef Serembes. Ndërkohë që ende nuk kemi një evidentim të kontributit të viteve ‘30, ku hyjnë autorë e publicistë si në rastin e Terenc Toçit. Nuk kemi ende një studim se çfarë përfaqëson Asdreni apo Viktor Eftimiu në letërsinë shqipe. Ndërkohë që Çajupi mbetet ndër autorët më të studiuar, ku spikat dhe studimi i Ermir Nikës: “Vepra e Çajupit dhe takimet e saj me rrymat letrare”.
Ndërsa ata që epokën e tyre e bënë nën regjimin e para viteve ‘90 kanë probabilitetin më të madh të futen në labirintin e harresës, të paktën për njëfarë kohe. Kështu prodhimtaria e Jakov Xoxes, Kolë Jakovës, Dhimitër Shuteriqit, Vath Koreshit, Dhimitër Xhuvanit, Dionis Bubanit, Ali Abdihoxhës, Mitrush Kutelit, Faik Balancës apo dhe një sërë krijuesish të tjerë që u munduan t’i shpëtonin socrealizmit është ende e patrajtuar.
Por problem mbetet dhe dramaturgjia ku ende nuk kemi një studim të dramaturgjisë shqiptare, që zë fill me dramën “Besa” të Sami Frasherit shkruar më 1874. Ndërkohë që ende nuk ka studime për gjuhën dramatike të Fadil Krajës, atë të Teodor Laços apo Ruzhdi Pulahës. I njohur më së shumti për përkthimet e fjalorët e tij, Vedat Kokona ka qenë gjithashtu një dramaturg, vepra e të cilit nuk është e studiuar. Studime mbi dramaturgjinë shqiptare janë ende shumë larg. Një pjesë e studiuesve tanë ose kapen nga gjëra të çastit ose vazhdojnë të bëjnë referenca me pagesë. Nuk është ndonjë gjë për t’u lavdëruar deri këtu. Ndër të rrallët që ka shkruar gjerësisht për dramaturgjinë shqiptare është kritiku dhe studiuesi Mexhit Prençi, por që gjithsesi mbetet ende shumë për t'u bërë. Ndërkohë që jemi në një periudhë ku krijimtaria e shpluhurosur të rilexohet në një kontekst të ri.
E duket se gjithkush do kohën e vet.

Postuar në ResPublica 19 Dhjetor, 2014


Shënim: Kafeja e një mëngjesi pa drita


nga Leonard Veizi

Një mëngjes, në barin ku shkoj çdo ditë, e që për hir të Zotit ta shërbejnë kafen bashkë me një gotë uji të mbushur me akull, por kjo e fundit krejt pa pagesë, qëlloi që kamerieri, i buzëqeshur si gjithmonë më solli vetëm kafen. M’u duk sikur diçka krejt e thatë m’u përplas mu në syprinën e tavolinës. Zakoni i vjetër më thoshte se duhet të lagia fytin. Vapë e madhe që me sabah. Shoh kamerierin në sy. Ai vazhdon të buzëqeshi e më thotë: “Të më falësh por ujë nuk ka”. Epo rregulla të reja mendova, pronari dashka të shesë ca bidonë në pikë të vapës. Biznes mo. “Ma sill një ujë me gaz, - i them kamerierit, - meqenëse ky i Bovillës na qenka mbaruar”. Por pronari i lokalit, pas aparatit të ekspresit hidhet për të më sqaruar. “Bovilla ka ujë sa të duash, por s’kemi ne. E gjitha lagjja demek. Se ç’po bëjnë ca rregullime me pompat, apo më duket rregullojnë nënstacionin e nuk ka energji për pompat. E dhanë edhe lajmet”. Tunda kokën. Po, po ke të drejtë, mendova, i pashë lajmet edhe unë. E vërtetë. E piva kafen i vetëm në pritje të një miku i cili u vonua ca. Por dikur erdhi dhe ende pa u ulur mirë në tavolinë porositi një kafe dhe një bidon ujë pa gaz. Unë buzëqesha. I merr masat tjetri, nuk pret ujë qyl nga lokali. Kamerieri erdhi menjëherë. Solli vetëm ujin. “Porosia do vonohet ca”, - tha. “Mbaroi dhe kafeja” - fola unë gjithë ironi. “Na kanë ikur dritat”, - u justifikua kamerieri. Po, po, ka shumë ngarkesë. Kondicionerët në punë që në pikë të mëngjesit. E besoj. “Tani do ndez gjeneratorin, - ndërhyri pronari i lokalit. - Sa të më vijnë nja dy litra naftë se ishte bosh fare serbatori”. “Epo e paskan lënë të gjitha për sot” - vazhdova unë. “S’ke ç’i bën, tranzicion, – foli një nga klientët e pakët të barit, gjithashtu i zakonshëm mëngjeseve në të njëjtin vend. - Ca me dhimbje por do kalojë”.
Tranzicion. E tmerrshme. Jeni apo s’jeni në vete. Kaluan 25 vite dhe ende jemi në tranzicion. Kulmi. Edhe piramidat e Egjiptit nuk vazhduan kaq gjatë. U ndërtuan më shpejt. Por a mund të themi se vazhdojmë të jemi në tranzicion? Edhe mundet. Uji me probleme... energjia gjithashtu. Gushti është futur gjithë kufizime. Axhanset thonë se bota ka më shumë se 7 miliard banorë dhe në vitin 2100 do të ketë mbi 11 miliardë. Parashikohet uri dhe etje. Po ç’hyn Shqipëria në këto statistika. Ne kemi ujë sa të duash. Shumica ikën kot, derdhet në det. As që shfrytëzohet. Tokat po rrinë djerrë, si punon kush.
“Nuk ka zgjidhje, - vazhdon bashkëbiseduesi. - Nuk bëhet ky vend”. Dua ta kundërshtoj, t’i mbush mendjen se bëhet... “Po, or po, - vazhdon me të tijën ai. - Duhet zbrazur vendi nga shqiptarët, të ikin në emigracion kështu si po ikin përditë. Të popullohet me të huaj, atëherë bëhet ky vend”. Dhe të mendosh që në histori na kanë mësuar që ne shqiptarët u kemi bërë ballë të gjitha dyndjeve të huaja e spastrimeve etnike. Racë e fortë jo shaka. Tani u dashka të ikim vetë. Muhabet kafeneje. Pagova paratë dhe u ngrita. “Kafenë tjetër e pimë në një lokal me drita”, - i them mikut që atë çast rrëmbeu bidonin e ujit në dorë.


Postuar në ResPublica 04 Gusht, 2015

Shteti komunikon me facebook

Leonard Veizi

Ç’është e vërteta, Facebook-u gjithmonë më është dukur punë kalamajsh. Domethënë, ai është shumë i përshtatshëm për të flirtuar, për të gjetur ndonjë mik të hershëm që ke vite pa e takuar, për të bërë thashetheme, e sidomos për të luajtur “FarmVille”. Por nuk më jep përshtypjen se mund të përdoret dhe për punë zyrtare, e për deklarata të rëndësisë së veçantë të njerëzve më me peshë të shtetit. Në Shqipëri kjo ndodh rëndom, Facebook-u përdoret nga të gjithë zyrtarët e lartë për të thënë gjëra, që në fakt duhen arkivuar me numër protokolli.
Kadare shkruan se Belul Gjonomadhi e kishte zët telefonin dhe vuri inat me radarë, e nëse do të plaste lufta, gjënë e parë që do të bënte ishte t’i merrte shpirtin asaj gjësë që rrotullohej e jepte sinjale me drita. Natyrisht, sot nuk vete puna deri këtu. Shumë më keq do ta kishim pa teknologjinë madje. Se edhe Beluli, me qylaf në kokë dhe gunën krahëve, e ka kuptuar më në fund, se nisja e luftës bëhet jo vetëm nga telefoni i dashuriçkave, por dhe nga një sms.
Në këtë kuadër, tanimë është bërë e modës që kryeministri Rama për çdo gjë i referohet Facebook-ut. Teknologji e lartë. Kjo është një prirje e theksuar edhe e ish-kryeministrit Berisha, sidomos me daljen në opozitë. Por fort po ndikon dhe te “kryeministri” në pritje Lulëzim Basha. Pra te politikanët më me pushtet në Shqipëri, nga ku populli pret t’u vijë ndonjë e mirë. Media po nuk ka punë tjetër veç i referohet çdo thënieje të tyre në faqen e Facebook-ut. E fillon Rama që në pikë të mëngjesit me Facebook. Nuk kalojnë veç pak minuta e i përgjigjet Basha me të njëjtën monedhë. Fiks si cicmic-et e kalamajve. Dhe imagjinoni që flitet për akuza milionëshe me euro e dollarë. “Ku i ke 160 milion...” Në Prokurori s’ka asnjë denoncim për be. Dosjet që mbushin sirtaret janë çështje të klasifikura si “krim brenda familjes”. Për zyrtarë të lartë nuk ka ankesa. Vetëm në Facebook. Atje i gjen të gjitha. Është çështje gare. Vetëm reagimi në Facebook të mos mungojë. Atje flitet për dekriminalizimin e Kuvendit e Reformën në Drejtësi. Një herë në Facebook, pastaj linja kalon në Twitter e Linkedin, d.m.th: nga e djathta në të mëngjër e anasjelltas. Aq sa nuk dimë nga ta kthejmë kokën. E si mund ta marrësh seriozisht një gjë të tillë. Herë-herë futet në lojë dhe Berisha, por meqenëse e ka kaluar atë fazë matet mirë para se të bëjë një reagim elektronik.
Lind pyetja: Po faqe zyrtare interneti a kanë këto institucione? Kërkoj në google. E gjej për një sekondë www.kryeministria.al, http://www.pd.al. Po paskan ore, paskan. Se mendova mos kishin mbetur në të keq. Madje dhe me inicialet e shtetit në fund. Po pse çdo reagim të tyrin nuk e transmetojnë nëpërmjet faqes zyrtare, por qëndrojnë si adoleshentët pas faqes së Facebook-ut?!
Kushdo që hap Facebook-un nuk e ka të vështirë të kuptojë, përveç njerëzve normalë që duan një dritare komunikimi, ai gëlon nga profilet false e faqet pornografike. Po burrat e shtetit shqiptar çfarë kërkojnë që qëndrojnë gjithë kohës online në Facebook. E ku ta marrim vesh nëse kush është Rama i vërtetë dhe ai fals, Berisha i vërtetë, apo ndonjë tjetër që hap faqen me foton e tij. Apo marrëdhënia pasionante me Facebook-un tregon se janë trendy e duket sikur po ecin me hapin e kohës.
Dhe të gjithë këtyre që përmendëm nuk u mungon media që të dalin në ekrane sa herë t’u dojë qejfi. Me një të fërshëllyer mbledhin 20 kamera e gazetarë. Dhe mund të komunikojnë sa të duan. Por jo.... te Facebook-u, atje u rri mendja. Se njërit po i bëhen 700 mijë “frendsa” e tjetrit i kanë kaluar mbi 800 mijë.


Postuar në ResPublica 03 Shtator, 2015

Një odise në sistemin parësor të shëndetësisë

 Leonard Veizi

Fillimisht këtë shkrim doja ta nisja si një vëzhgim. Por ndërrova mendje në çastin e fundit. E ç’të vëzhgosh më parë në Shqipëri. Të gjitha duket se po venë keq e më keq. Këtë herë e kam me sistemin shëndetësor. Dhe problemi më shqetësues sot në Shqipëri është sistemi parësor i shëndetit. Them sistemi parësor se po arrite që të shkosh deri në spital, aty edhe ta bëjnë dermanin. Por që të shkosh deri në spital ka dy mundësi: ose të jesh me një urgjencë, që do të thotë gati për vdekje, ose përndryshe duhet t’i nënshtrohesh një kalvari të gjatë që kërkon stërmundim e nerva derri.

Prolog
Po nisem nga një rast i supozuar, por që në fakt nuk është i tillë. Madje as që jam protagonist i tij edhe pse po rrekem ta shkruaj në vetën e parë. Por, gjithsesi, një përvojë e tillë nuk më mungon aspak, veç jo si një e tërë por me aspekte. Këtë herë dua të tregoj se si mund të humbasësh ditë të tëra pune duke u sorrollatur koridoreve të poliklinikave aq sa të rrezikosh marrëdhëniet me punëdhënësin vetëm se një ditë ndihesh keq me shëndetin. Dhe për djall, në vend që të shkosh në dorë të sigurtë: pra të mjeku, mbetesh në udhëkryq.

Dita e parë
Një pasdite më kapin ca shtrëngime zemre. “Nuk jam mirë”,-  i them gruas. “S’bëhet shaka me zemrën, - ma kthen ajo, - shkojmë me vrap te mjeku, apo nuk na e sollën te dera e shtëpisë”. Pohoj me kokë. Është fjala për një filial të Poliklinikës 8-të, pasi ajo ka disa të tilla. Trokasim te mjeku i familjes. Është femër. Kisha 20 vjet pa bërë asnjë vizitë, nuk njihja as personelin. Mjekja pathologe na pret buzagaz. I shpjegoj situatën. “Duhet të shkosh te kardiologu”, - më thotë. “Ku është kardiologu?” - e pyes. “Te poliklinika 8, se ne nuk kemi. Po të jap dhe një rekomandim”. “Epo mirë, po marr makinën e shkojmë”, them dhe ngrihem vrik. “S’ke ku parkon, - më thotë gruaja, - më mirë marim autobuzin”. E kam tmerr të hipi në ca autobuza si kuti shkrepseje që vijnë era dreq. S’e bëj të gjatë, shkojmë te kardiologu. Në korridor presin nja 8-9 veta në radhë.  Pas rreth dy orësh futemi brenda. Mjeku vazhdimisht shkruan sa në regjistër e sa në librezat e ca pensionistëve që i ka bërë kapicë aty pranë. “Paske punë”, - e përshëndes unë. “U mbytëm”, - ma kthen ai. Më viziton para e mbrapa e më bën një EKG. “Je mirë fare, - më thotë, - janë ngacmime të jashtme, por e mira është që të bësh ca analiza gjaku e ta kemi një pasqyrë të qartë të gjendjes”. Ul kokën dhe shkruan diçka në një recetë. “Nesër në mëngjes esëll të Poliklinika 9, - më thotë, - këtu te ne bëhen analiza të thjeshta, jo këto që po të kërkoj unë”.

Dita e dytë
Që në mëngjes paraqitem te Poklinika e Specialiteteve nr. 9, për të bërë analizat e gjakut. Radha ishte e gjatë aq sa më dukej sikur do të merrja paratë të VEFA. Për përgjigjet më thonë se duhet t’i marr nga dreka. Shkoj në orën 12.00. “Si duken”, - pyes gjithë ankth? “E mira është që të konsultohesh me mjekun që t’i kërkoi”, më sugjerojnë dhe më japin fletën e analizave në dorë. Epo mirë. Shkoj te kardiologu. “Goxha parametra, - më thotë. - Ato që doja unë janë në rregull. Me këto që shohim zemra është top”. “Po pse, çfarë nuk sheh?”, - pyes unë si shejtan budalla. - “Atë që sheh aparati, - ma kthen duke buzëqesur kardiologu, - d.m.th EKO-ja”. “Po mirë, pse të mos bëj dhe një EKO?”, - më ha goja mua. “Patjetër, - ma kthen kardiologu, - po të jap një rekomandim për te 9-ta, aty bëhen EKO-t. Ne nuk kemi aparat”. Ç’mu desh, iu ktheva vetes. Por ishte vonë. Në dorë mbaja rekomandimin.

Dita e tretë
Mëngjesin e së nesërmes u gdhiva sërish te porta e Poliklinikës së Specialiteteve. EKO-t bëheshin me pronotime, por për shansin tim të mirë dikush nuk u paraqit dhe më futën në vendin e tij. Mjeku më jep optimizëm fjalë të mira dhe dokumentat m’i fut në një zarf. “Të kardiologu i lagjes, - më thotë dhe justifikohet, - kështu e ka procedura”. “S’ke faj”, - i them. Por meqë isha entuziast nuk u ankova. Kardiologu i 8-tës i arkivoi të gjitha në dosjen time dhe më thotë: “Tani një kopje të analizave duhet t’i çosh te mjeku i familjes”. “Prap të pathologu”. “Epo kështu e do puna, se vijnë kontrollet nga ministria e na bëjnë namin”. E mbajta frymën te mjekja e familjes. Ajo i sheh me radhë. “Me kardiologun je konsultuar?”, më pyet. Përgjigjes time pozitive i shton: “Kjo e diabetit qenka ca e lartë”. “Domethnënë jam me diabet”, e pyes i shqetësuar. “E mira është të konsultohesh me mjeken specialiste, ajo të jep përgjigje të saktë”. “Ku është diabetologu?”, “Endokrinologu, - më korrigjon pathologia, - do shkosh te 9-ta. Po të jap një rekomandim”. “Te 9-ta, - gati sa nuk bërtita unë. - Po unë atje isha gjithë ditën”. “Po shko dhe një herë, taksirat. Pastaj për shëndetin tënd e ke”. Taksirat vërtet. Marr makinën dhe shkoj të poliklinika e specialiteteve. S’ke ku parkon makinën për qamet. Dikush më hap një vend. Shyqyr. Ngjitem me të shpejtë në katin e tretë. Në korridore nuk pipëtonte njeri. Vetëm një sanitare pastronte shkallët. “Ku janë mjekët?”, e pyes. - “Në mbledhje”, - ma kthen. Mbledhja vazhdon gjatë. Me sa duket udhëzime të reja vinin nga Ministria e Shëndetësisë. Pacientët bëhen kapicë. Dikur mjekët lirohen. Më vjen radha. “Unë mund të të jap një mjekim që tani, por e mira është të bësh analiza të tjera dhe një konsultë në spital”, më thotë endokrinologu. “Në spital, - alarmohem unë. - Çfarë paskam kështu?” Por endokrinologu ma kthen qetësisht: “Asgjë me rëndësi, disa nga parametrat janë në kufi. Thjesht dua të sigurohem. Por laboratori i spitalit bën analiza më të thelluara. Po të jap një rekomandim”.

Dita e katërt
Mëngjesi më zë në spital. Aty parkimi është i garantuar, mjafton të presësh kuponin në hyrje. Bëj analizat e rekomanduara. “Asgjë me rëndësi, -  më thonë. - Duhet të biesh në peshë dhe nja 10-12 kile, por duhet të bësh dhe ca aktivitet fizik”. Falëminderit për këshillat. “Dhe tani merri analizat dhe çoja mjekut të familjes se ai do të të ndjekë”. “E drejtë”, - i them. Mbërrij te mjekja e familjes. Ajo është duke mbushur recetat e pensionistëve që vazhdimisht i trokasin në derë për të marrë me rimbursim ilaçet e muajit. “Mirë që qenke i siguruar, se do kishte paguar para për çdo vizitë”, më thotë pathologia. E pyes për çmimet e vizitave. Por nuk është e nevojshme, ato janë të afishuara. U hedh një sy. “Po me këto çmime operojnë dhe privatët, - i them, - ç’u pa puna”. “Çmimet nuk i vendos unë”, - ma kthen pathologia. Ngrihem.

Epilog
“Shqyqyr pa qeder”, më thotë gruaja. Por mua më dukej vetja ende në udhëkryq pas kësaj odiseje katërditore. “Kam një propozim, - i them, - ç’më duhen këto vizita pa para, kur humbas 4 ditë pune. Tani e tutje gjithçka do ta ndjek te ndonjë klinikë private. I kopsitim brenda ditës. Shohim disa prej tyre, ato që kanë çmimet më të leverdisshme. Në shtet u deshën 4 ditë të arrihej në përfundimin se nuk kisha asgjë serioze. Por të kisha ndonjë kleçkë, me siguri do të duheshin së paku nja 12 ditë”. Gruaja pohoi me kokë. Nga ai çast hapëm kompjuterin dhe u futëm në Google, të njiheshim me çmimet e klinikave private.

Postuar në ResPublica 16 Shtator, 2015



Trishtimi me dossierët e komunizmit

Leonard Veizi

Ato janë histori që vijnë nga një botë e vdekur. Dëshmi justifikuese, herë plot mllef e herë denigruese. Përcjellin diçka trishtuese e të zymtë që nuk kanë të bëjnë më me optimizmin, misioni i të cilës ishte: “për një botë të re”. Janë hisori që vijnë nga një botë e nëndheshme. Si për të na kujtuar edhe një herë që nuk është fort e lehtë të ndahesh nga e kaluara. Veç në funksionon vërtet ajo pajisja elektronike që lidhet me trurin e t’i fshin kujtimet njëherë e përgjithmonë.
I thashë të gjitha këto pasi vetë ai që u cilësua si “sistemi i barazisë” e mbylli kapitullin 70 vjeçar të jetës si mos më keq. Nuk ekziston më, veç në “Manifestin Komunist”. Me gjasa nuk ka ndërmend të ringjallet. Por gjithsesi pas kanë mbetur kujtimet. Dhe jo pak. Për shqiptarët janë 45 vite në mes. Njerëzit e kanë përjetuar, janë gjallë e plot dëshmi. Kanë jetuar si komunistë, kanë vdekur si kundërshtarë të betuar të tij, por dhe janë burgosur e internuar se nuk janë përshtatur dot. Të gjitha këto tanimë, të ardhura në formë kujtimesh i përkasin tematikës “Dossier”. Në fakt, ky është një term i huazuar, pasi në shqip ajo vjen si: “Dosje”
Disa vite më parë, dossierët me historitë e komunizmit u futën në modë. Gati i gjithë shtypi i shkruar e kishte një rubrikë të tillë. Dy faqet e mesit të çdo gazete. Ndërsa titujt, ku spikaste emri i Enverit, Mehmetit apo Kadri Hazbiut, bashkë me fotografitë e tyre, zinin vendet qëndrore të faqeve të para.
Nxjerrje dokumentash, dëshmi të parrëfyera më parë. “Partizanët apo Ballistët”, “U vetëvra apo e vranë Mehmet Shehun?”, “Çfarë qëndrimesh mbante Enver Hoxha në mbledhjet e Byrosë Politike?”. “Ishte apo nuk ishte Kadri Hazbiu spiun i CIA-s?”. “Tradhëtoi apo jo Beqir Balluku?”. Pyetje të shtruara me radhë që kërkonin përgjigje. Dyfaqëshit më të rëndësishëm të gazetave vazhdonin të mbusheshin me dëshmi të padëgjuara. Ca të vërteta e ca fabrikime. Ndërsa lexuesit ishin rritur së tepërmi. Në fushën e marketingut ky dyfaqësh, që përgjithësish vazhdonte me cikle, përkthehej në arkëtim të ardhurash. Kishte gjithmonë rritje të tirazhit, shumë më tepër se sa atë ditë që në gazetë mungonte një rubrikë e tillë.
Gara ishte e madhe. Për fatin tim të mirë apo të keq, m’u kërkua të bëhesha dhe unë pjesë e kësaj gare. E pranova ofertën. Ishim vetëm pak gazetarë që startuam njëri pas tjetrit dhe ambicia për t’i dalë në krye, nuk më la. Kam shkruar me dhjetra dossierë mbi bazë materialesh arkivore e kam marrë me qindra dëshmi, të njerëzve që deri para viteve ’90 kanë pasur shumë pushtet. Nuk jam penduar. Tek e fundit kjo është punë. Ka lexues që e kërkojnë këtë lloj informacioni siç ka plot të tjerë që janë të interesuar për faqet e krimit apo akoma dhe të tjerë që interesohen vetëm për bluetooth-in.
Por ka ca kohë që kam kaluar në një sektor tjetër. Më duket sikur jam lehtësuar nga një ngarkesë. Ndërsa tek dëgjoj titujt e gazetave në mëngjes, nuk di pse më vrasin veshin temat që përbëjnë dossierin. Më pas thjesht meditoj: A ishte e nevojshme të bëhej kjo garë e shfrenuar, të nxirreshin nga bota e kujtimeve ashtu si nga nëntoka kufoma që vetëm pak kohë më parë ishin varrosur? Sot kanë kaluar vetëm 25 vjet nga ndarja me diktaturën. 15 vite më parë kur filloi kjo “mësymje” na ndanin vetëm 10 vjet. Ishte pak si herët për t’iu referuar të shkuarës që u ndamë me aq sherr, duke hipur nëpër muret e ambasadave, duke kaluar kufirin në këmbë e duke rrëmbyer anijet për të dalë në botën e lirë. A thua kaq shpejt na mori malli për të keqen...?
Për të paktën 15 vite me radhë vazhdoi kjo fushatë, që në pamje të parë të jepte përshtypjen se nxitej më së shumti nga ideja e thithjes së lexuesve të moshës së tretë dhe të shitjes së gazetave në tirazhe të mëdha. Mund të jetë vetëm kjo dhe nuk ka bazë për teori tjetër konspiracioni. E megjithatë, nga të gjitha pikpyetjet e ngritura shumë pak prej tyre morën përgjigje. Askush nuk e verifikoi dot nëse Mehmet Shehu u vra apo u vetvra. Edhe për grupet armiqësore nuk u nxorr në ndonjë konkluzion në vërtet ishin të tillë vërtetë. Madje edhe për qëndrimet e Enver Hoxhës në krye të Byrosë nuk u vendos pika mbi “I”. Ç’mbeti nga e gjithë kjo fushatë që mua m’u duk se ishte si një rrugë pa krye: nostalgji e risjellje e portreteve të  diktaturës me të tjera penelata? Një lloj rehabilitimi nëpërmjet dëshmive ku e mira dhe e keqja bashkëjetonin...?
Dua t’i qëndroj larg dossierëve të komunizmit, nuk jam as konsumator i tyre. Por veshi më vritet çdo mëngjes. Djalli e mori, më bezdis vërtet. Mbase është pak qesharake, por më duket sikur më injektojnë pak heroinë të përzjerë me aspirinë e pluhur neoni. Përzjerje problematike. Shpëlarje truri. Me sa duket moda nuk ka marrë fund ende. Është tkurrur ca dhe është futur në ujë, por “dossier” me ngjarje nga diktatura vazhdon të botohet nëpër gazeta të ndryshme.
Padyshim, dossierë do të vazhdojnë të botohen akoma, përderisa gërmohet rreth Luftës së Parë Botërore, asaj të Dytës, dhe gjenden fakte të reja, edhe për Luftën e Ftohtë duhet të ketë shumë gjëra për t’u thënë.
Qenka e vështirë të ndahesh nga e keqja.

Postuar në ResPublica 23 Gusht, 2015