Friday, September 29, 2023

Me serbët e grekët, një bashkëjetesë e vështirë ndërkufitare


Nga 
Leonard Veizi
 
Ne jetojmë në një mjedis të trishtë me fqinjët tanë. Është një bashkëjetesë e vështirë. Dhe ndodh jo rrallë të bëhet e egër e fort toksike. Shqiptarët, si popull më i vogël, apo vetë shteti Shqiptar, ndihet nën trysninë e fqinjëve tanë, në veri sllavët dhe në jug helenët. Përballë kemi Italinë, por meqenëse me ta na ndan një det i tërë, edhe marrëdhëniet janë ku e ku më të mira. Por edhe kur nuk janë të mira, të paktën nuk janë agresive.
Me fqinjët tokësorë, ku na ndajnë doganat dhe piramidat kufitare, na gjen belaja. Sepse ata gjithmonë do ta kenë gati një pretendim territorial. Që do të thotë, ne si shqiptarë, guximtarë e sypatrembur u kemi marrë territore dhe se Konferenca e Londrës e vitit 1913 është  treguar e padrejtë me ta në favor të kufijve të Shqipërisë e në dëm të sllavëve, një pjesë e të cilëve quhen serbë, dhe helenëve, që ne u themi grekë. Ndaj dhe fqinjët janë fort vigjilentë dhe i mbajnë pushkët ngrehur dhe një ligj lufte gati, që po qe se kërcënohen nga shqiptarët ta çprazin xhepanenë.
Shqiptar i mirë është shqiptar i vdekur” – është një shprehje e ngritur në mit nga forcat shoviniste të sllavëve të jugut.
Ne do të bëjmë lidhëse këpucësh me zorrët e shqiptarëve” – këndonin ca ushtarë grekë dhe video u bë virale kur e hodh në Youtube.
Se nuk është puna vetëm ta urresh shqiptarin, dhe duhet ta tregosh sa fort e urren. Dhe kështu mendon se të shtohet jeta e zë më shumë dhjamë. Ose mendon me zell se Jezusi ortodoks, për shërbimet që kanë kryer në tokë, do t’i dërgojë në parajsë.
Kështu duan të na shohin fqinjët tanë, që me sa duket na urrejnë jo pak. Por që për diplomaci, meqenëse historia i ka vendosur të jenë në kufi me ne, edhe mund ta kafshonin gjuhën e të mos na i bënin këto surpriza horrori.
Tani, jo se ne jemi më të mirë, kemi rënë në dashuri me fqinjët tanë dhe u lutemi për miqësi të sinqertë, por të paktën këngë të tilla, ku të flitet për genocid e shfarosje, nuk u kemi kënduar kurrë. Dhe me sa duket ne kemi ditur ta kafshojmë gjuhën shumë më tepër se ta.
Por situatat nuk janë kaq bardh e zi, gjithsesi.
Ndodh që kur politika nuk trazohet, gjërat shkojnë vaj dhe agresiviteti i ul tonet. Bëjmë dhe ndonjë krushqi... por më së shumti bëjmë tregti. Se kjo punë më kujton dhe disa batuta nga një film fort i njohur i Kinostudios, kur një grua nga Labëria pyeste partizanen Lilo të plagosur në këmbë:
-Turke a kaure je?
-Jam nga bregu i detit.
-Kaurë janë të gjithë ata andej por trima janë. Japim e marrim me ta, u shpiem fasule e marrim vaj. Kemi plot miq andej.
Po ashtu siç shpiem fasulet e marrim vajin si në një konvenjer që rrotullohet e nuk di të ndalojë transportojmë dhe inatet. Se vështirë të harrohen inatet e së shkuarës. Vështirë t'i vësh një gur zemrës e të shohësh përpara... domethënë drejt integrimit Evropian në rastin konkret. E kemi të vështirë ta bëjmë dot ne se jemi ballkanas. Por nuk është se kjo punë nis nga ne. Fillimisht nuk e bëjnë ata. Sidomos ata që pretendojnë se janë të integruar dhe na kërcënojnë se “do na e mbyllin derën e shtëpisë”. Dhe sapo politika e ndez fitilin, gjuha e urrejtjes del mbi sipërfaqe.
Kush është ai që e harron se babai, - ndoshta gjyshi, madje edhe katragjyshi në qoftë, - ia ka vrarë fqinji? Do të rrijë të pijë kafe gjithë ditën me të e të bëjë sikur nuk ka ndodhur gjë? Vështirë! Mund të mos hakmerresh, por e di fare mirë se katragjyshi i atij që ke përballë të ka vrarë paraardhësin tënd dhe gjaku ka mbetur në mes.
Është vështirë që shqiptarët të bashkëjetojnë me serbët në mënyrë krejt harmonike, edhe pse mes serbëve dhe shqiptarëve ka plot krushqi. Dhe po aq ne nuk arrijmë të kemi harmoninë e nevojshme me grekët, sepse politika greke do ndërhyjë se s’bën për të vënë stërkëmbësha. Një herë do sulmojë në kufi, herën tjetër do fusë trupa ushtarake në territorin shqiptar, do valëvisë një flamur që në Shqipëri është i anatemuar dhe do fusë komando për të vrarë e terrorizuar. Dhe ne na ndan përsëri një lumë gjaku. Ne mundohemi ta minimizojë, por 1914-ta nuk harrohet. Ajo është aty në kujtesë. Nuk harrohet as 1949-ta dhe as 1994-a.
Ne me serbët na ndan më shumë se një lumë gjaku. Vetëm sharlatanët mendojnë se me ta kemi pasur periudha të arta miqësie dhe muaj mjalti.
Në vitit 1448 ushtria hungareze e drejtuar nga Janosh Huniadi humbi përballë ushtrisë osmane pasi ushtria shqiptare e komanduar nga Skënderbeu u pengua të merrte pjesë në betejë pasi despoti serb, Gjergj Brankoviçi, nuk e lejoi ushtrinë shqiptare të kalonte nga tokat e tij. Dhe pastaj dalin ca e ca e thonë se Gjergji me mbiemrin shqiptar të Kastriotëve na qenkësh dhe nip tek serbët. Por po të ishte kështu, kaq gjë do ta toleronte Brankoviçi, meqenëse flitej për nipin. Por kjo nuk ndodhi, sepse ai ishte vasal i Portës së Lartë, pavarësisht se sot ata na akuzojnë ne si filoturq.
A mund të flitej për muaj mjalti e krushqi me serbët pas kësaj?
Ne jetojmë në një ambient revanshist, ku fqinjët kërkojnë dominim. Ata duan edhe ca tokat tona edhe ca nga njerëzit tanë. Pavarësisht se i konsiderojnë "turq" qoftë dhe të ardhur nga kaukazi, kjo për ta nuk ka kurrfarë rëndësie. Sepse një Haxhiu, po t’i vendosësh një prapashtesë e ta bësh Haxhiviç na del serb, dhe po e arnove si Haxhijani bëhet grek. Safi ortodoks. Dhe kjo ka rëndësi, se të tjerat rregullohen.
Ne jetojmë në një ambient toksik me fqinjët tanë.
Në Parlamentin grek nga Agimi i Artë kërkoi një minutë heshtje për vrasjen e Konstantinos Katsifas, që në Shqipëri u konsiderua si një terrorist, pasi i veshur me uniformë kamuflazhi qëlloi mbi uniformat e policisë shqiptare.
E pra me grekët kemi ca më tepër krushqira. Edhe pse fasule u kemi dhënë me shumicë e vaj u kemi marrë sa kemi dashur.
Serbia shpall heronj dhe deklaron ditë zie kombëtare për një tufë kriminelësh që vranë një polic shqiptar të Kosovës duke dhunuar me armë e mjete të blinduara dhe tokën e këtij shteti.
Dhe kjo tregon se ata nuk i fshehin fare qëllimet e tyre shoviniste dhe agresive.
Ismail Qemali që në themelim të shtetit shqiptar u shpreh për të deleguarit: “Shqipërinë e kemi këtu të gjithë, dhe politikën e saj të paqes dhe fqinjësisë së mirë me cilindo që do t’i tregojë miqësi, e vendosëm”.
Po a është fqinjësi e mirë kjo???

Wednesday, September 27, 2023

Nostalgji/ “A nuk i vrasin dhe kuajt kështu”

Nostalgji për një roman të harruar dhe një film të pa transmetuar



Nga Leonard Veizi

Nëse ke qëlluar dikë, mban një pistoletë në dorë dhe kur në vendngjarje vjen policia, ke pak gjasa të thuash se nuk e ke kryer ti krimin e të shpëtosh pa u dënuar. Dhe nuk të vjen në ndihmë as deklarata se me atë veprim veç ke plotësuar një dëshirë të personit mbi të cilin ke qëlluar...
 
...Xhejn Fonda në rolin e Glorias do të kishte një prej roleve më të realizuara prej saj ku do t’i kërkonte partnerit Robert - që interpretohet nga Majkëll Sarrejzen, -  me të cilin kishin garuar për të fituar një çmim prej 1000 dollarësh, t’i tërhiqte këmbëzën e revolverit mbi tëmth.
-A nuk i vrasin dhe kuajt kështu?
Në fakt filmi “They Shoot Horses, Don't They?” është bazuar në romanin e Hores Mekkoi (Horace McCoy) të vitit 1935 me të njëjtin emër: “They Shoot Horses, Don't They?”.
Historia ndjek rrëfimtarin, Robert Suverten, një i ri naiv në Hollivud, i cili ëndërron të bëhet regjisor filmi.
Roberti dënohet për vrasje. Ky është prologu, sepse epilogun tanimë e njohim: Roberti qëllon Glorian me një plumb të vetëm.
-A nuk i vrasin dhe kuajt kështu?
Sipas vëllimit “Biografia Kombëtare Amerikane”, libri i parë i Mekkoit ishte "një përshkrim mbresëlënës i pjesës së poshtme të errët të Hollivudit gjatë depresionit, duke ekspozuar një mjedis që minoi dinjitetin njerëzor dhe shkatërroi ëndrrat për sukses".
Romani i Mekkoi ishte më i popullarizuar jashtë vendit sesa në Amerikë kur u botua në kulmin e Depresionit. Libri u lexua në rrethet ekzistencialiste të Francës. Por botimi i tij i parë në frëngjisht u shfaq vetëm në vitin 1946.
-A nuk i vrasin dhe kuajt kështu?
Roberti dhe Gloria janë personazhe që marrin pjesë në një garë për një çmim jo të vogël, vlerësuar në dollarë. Jemi në Amerikën e vitit 1932 kur ajo ishte e mbuluar nga Depresioni i Madh. Në mes të këtij depresioni, Roki regjistron garues për një maratonë kërcimi duke ofruar një çmim prej 1000 dollarësh për çiftin që reziston më shumë. Midis tyre janë: një aktore e dështuar, një marinar i moshës së mesme, një bionde deluzive dhe një vajzë shtatzënë. Ditët kthehen në javë ndërsa konkurrenca zvarritet dhe njerëzit ose braktisin garën e çmendur ose skartohen. Roki, megjithatë, do të bëjë gjithçka për publicitet dhe nis një seri derbish rraskapitës por që i ngrenë në këmbë plot ovacione spektatorët, të cilët kanë prerë bileta për të parë spektaklin mizor.
-A nuk i vrasin dhe kuajt kështu?
Roberti takohet me Glorian në një mëngjes kur të dy nuk kanë mundur të marrin pjesë në një audicion. Ajo i thotë atij që të marrë pjesë në një garë maratonë kërcimi. Ashtu si Roberti, edhe Gloria po përpiqej të gjente punë në Hollivud dhe besonte se konkursi mund të ishte një mënyrë për t'u vënë re nga producentët e studios ose yjet e filmit. Gloria dhe Roberti hyjnë në maratonë, e cili mbahet në një skelë të madhe në plazhin e Santa Monikës.
Maratona është e gjatë dhe rraskapitëse. Ajo zhvillohet gjatë disa javëve. Garuesit kërcejnë për një orë e pesëdhjetë minuta, më pas marrin një pushim dhjetë minutash. Njëqind e dyzet e katër çifte fillojnë konkursin. Roberti dhe Gloria, si shumica e garuesve, janë të rinj, të papunë dhe të tërhequr po aq nga ushqimi falas sa edhe nga çmimi prej 1000 dollarësh.
-A nuk i vrasin dhe kuajt kështu?
Që në fillim, Gloria i thotë Robertit se do të donte të kishte vdekur, një pikë që ajo e përsërit në shumicën e bisedave të tyre. Prindërit e saj kanë vdekur. Në Dallas, ajo u përpoq të bënte vetëvrasje, më pas iku në Hollivud me ëndrrat për të luajtur në filma, por po gjen vetëm refuzim. Ajo i thotë shpesh Robertit se nuk ka guxim të vrasë veten.
Organizatorët e maratonës provojnë skema të ndryshme për të rritur pjesëmarrjen. Çdo mbrëmje, ata organizojnë një derbi eliminator, në të cilin çiftet ecin me shpejtësi nëpër një pistë, çifti i vendit të fundit s'kualifikohet.
-A nuk i vrasin dhe kuajt kështu?
Pas 879 orësh vallëzimi dhe me 20 çifte të mbetura, konkursi mbyllet kur ndodh një vrasje në lokalin e vallëzimit. Promovuesit vendosin t'u japin kërcimtarëve të mbetur 50 dollarë secili për përpjekjet e tyre. Roberti dhe Gloria dalin jashtë për herë të parë në pesë javë dhe ulen në skelë duke parë oqeanin. Gloria nxjerr një pistoletë nga çanta dhe i kërkon Robertit që ta qëllojë. Roberti nuk heziton. Ai kujton kur ishte i ri, dhe gjyshi i tij qëlloi kalin e dashur të familjes, i cili i kishte thyer këmbën. Policia e pyet Robertin pse e qëlloi Glorian dhe ai përgjigjet: “Sepse ajo ma kërkoi”. Polici e pyet sërish dhe Roberti i përgjigjet:
-"A nuk i vrasin dhe kuajt kështu?"
Libri ishte baza e filmit “A nuk i vrasin dhe kuajt kështu?” prodhuar në vitin 1969 nga Sidni Polak me aktorët Xhejn Fonda, Majkëll Sarrejzen, Suzana Jork, Gig Joung, Boni Bedilio dhe Red Botens.
Në vitet e diktaturës komuniste, filmi në fjalë u transmetua nga “TVSH”, nën titullin “A nuk i vrasin dhe kuajt kështu?” dhe ishte ndër filmat e paktë realizuar nga një studio hollivudiane që jepej për publikun shqiptar. Por kjo kishte të bënte me tendencën për t’i treguar popullit të “lumtur” shqiptar se çfarë ndodh në kapitalizmin e egër të përtej Atlantikut.
Filmi u publikua në kinematë e Shteteve të Bashkuara më 10 dhjetor 1969 dhe u shfaq premierë gjithashtu në Festivalin e Filmit në Kanë 1970. “A nuk i vrasin dhe kuajt kështu?” u bë një sukses kritik dhe komercial. Recensentët vlerësuan regjinë, skenarin, përshkrimin e epokës së depresionit dhe shfaqjet e tij. Ai mori nëntë nominime në çmimet e 42-ta të Akademisë.

Friday, September 22, 2023

Historia shqiptare në dorë të sharlatanëve fejsbukistë


Nga 
Leonard Veizi

Çfarë po ndodh me Historinë e Popullit Shqiptar?
Deri në vitin 1990 kishim një histori që mbante vulën e Akademisë së Shkencave. Praktikisht nuk kishin ndonjë mundësi për të marrë dhe një variant tjetër të historisë tonë. Sepse tek e fundit historia nuk është shkencë ekzakte dhe ndonjëherë i njëjti dokument interpretohet në mënyra të ndryshme.
Por sot, në epokën e digjitalizimit, mundësitë janë të shumta. Janë përkthyer historitë e Shqipërisë, nga autorë të huaj, që kanë punuar e i kanë kushtuar jetën kësaj historie.  Janë hedhur në treg dhe histori të shkruara nga historianët tanë.
Por gjithsesi, Historia e një kombi nuk mund të mbetet në dorën e një personi. Prandaj janë grupet e punës. Prandaj dhe historianët profilizohen: njëri për lashtësinë, tjetri për mesjetën e i treti për kohët e reja. Dhe kështu jemi më afër mundësisë për të pasur një histori të asaj që e mendojmë si perfekte.
Por ç’po ndodh?
Po jetojmë një kohë bombardimi, me “news” e “fake news”. Dhe herë-herë, duke lexuar këto informacione pa doganë, ndihem aq krenar që jam shqiptar, dhe po ashtu ndihem i poshtëruar dhe fatkeq që kam lindur në këtë tokë. Se duke vërtitur lugën në çorbë çfarë nuk gjen.
Shyqyr të u shpikën rrjetet sociale, dhe liria e mendimit është e garantuar me ligj, dhe secili ka dymenë e vet për të thënë të vërtetat historike. Ndaj kush ka qejf e i le m'zemër me i fut një status.
-Shqiptarët janë populli më i vjetër në planet... e galaksi, - flasin mitomanët, që kohët e fundit po i fryjnë zjarrit me kacek që të marrë sa më shumë.
-Shqiptarët erdhën nga Kaukazi, – ia thek një lëtyrë që në të vërtetë as për veten nuk e di çfarë shtetësie ka e jo më kombësie.
-Janë barinj e kanë ardhur nga malet, në fushë se i vrau turku, - thotë tjetri, që me sa duket nuk ka ditur të bëjë gjë tjetër veç të ruajë delet, por që dhe atje në stan ia paskan çuar linjën e internetit as sa të bëjë një status e të duket fort i mençëm.
Një tjetër thotë që, shqipja është gjuha më e vjetër në botë e prej saj rrjedhin të gjitha gjuhët e tjera. Ca të tjerë thonë se “është e vjetër por jo aq e vjetër”. Me demek është ca më e re.
Ore po kush i vuri metrin e ta masë??? Pastaj, me çfarë njësie e masni mor aman? Jo për gjë por ta blej dhe një unë e ta kem në shtëpi për çdo rast.
Pastaj vjen ana tjetër e medaljes së historianëve analfabetë. Ia plas i pari: U gjet në hartë në arkivat e Rusisë, ku Shqipëria kufizohej me Rusinë e me Anglinë.
Bravo!
Ore po kush e gjeti, se sa për hartë, në epokën e sotme e qan vet në kompjuter. Ngjyen me të kuqe gjysmën e Evropës dhe sipër i vë emrin: Iliricum.
Nejse, iku kjo punë, nisën like dhe komentet. E të keqen si vlon kazani. Kot nuk thotë ai i Gjati.
Pastaj vjen tjetri e pëlcet bombën: U gjet një dokument në arkivat e Vatikanit. Shqipëria vendi... i 1100 çudirave.
Hallall. Po si e qysh...? Se arkiva e Vatikanit nuk është si qela e priftit të fshatit që mund të shkosh e t’i lutesh: Aman të kam rixha më bëj derman, hape ca defterin të gjej kur kam lindur se nuk e mbaj mend e ma kërkojnë ata të censit për regjistrim.
Dhe nuk po zgjatem më. Por ndodh që pikërisht këto sharlatanizma hapin debate pafund e qindra komente vërshojnë lumë. Njerëz që në shkollë kanë marrë ose 4 ose 5 në lëndën e historisë, tani të “thajnë piten” dhe të bëjnë historinë e kulluar të shqiptarëve dhe të atyre përreth tyre.
Gjithë ditën në rrjete sociale kompetentët flasin për historinë. Dhe dalin patriotë të kulluar... si Sali Protopapa, që hipte në makinat e gjermanit e bënte humor burgu:
-Ku je mor gjysmë opinge...?
Dhe qyfyret e historianëve autodidaktë shqiptarë nisin kështu: “Nigjo këtu se s’janë aq t’thjeshta këto punë. Se gjermoni i tha talionit...” Po ku e dëgjove mor aman se çfarë i tha. I paske pas veshët pipëz. Ky monolog është i barasvlershëm si të thuash: Beni i tha Titit... Ose më thjesht akoma, Xoni i tha Zyfit: ec e i fusim nji dorë peskaç, kush fiton merr në prikë Shqipërinë.
Ja ta gëzosh!
Jaaaaallah.
Shqipëria shkëmb graniti...
Që je qejfli historie nuk do të thotë që ashtu në stratosferë ku nuk mbushesh dot me oksigjen të dalësh në përfundime. Madje të përflasësh emrat më të njohur të historisë e gjuhësisë shqiptare duke ua zhvlerësuar punën shumëvjeçare me një frazë të vetme që të lë me gojë hapur e pa tekst: Hë mo se ia ka futur kot.
-Kush kështu... Shiko se mos më ngatërron me ndonjë tjetër?
Se në fakt plot ia fut ti, pasi ke lënë turnin e tretë të rojes së garazhit ku parkohen makinat.
-Roje, sa profesion fisnik!
Epo ja kjo është historia që roja u bë mjek popullor e i shëronte njerëzit o me patkua kali o me atë të gomarit.
-Unë me këtë fener ndaloj trenin moj zonjë jo barkun e këtij.
Por kështu është kur ngatërrohen hekurat me anatominë e njeriut. Dhe historinë me qyfyret e tavolinës së Tymit.
Albanologjia nuk është një shkencë që ti në liri e sipër e krahason me tavllën, ku mund ta luash kush ka dëshirë. Se dhe po u rrahe në “mars”, nuk i prish punë njeriu.
Në fakt historia përveçse duhet zbuluar edhe duhet certifikuar. Dhe për këtë punë ka institute. Fjala vjen. Që Lini në Pogradec është vendbanimi i më i vjetër në Evropë u certifikua pasi u bënë dhe analizime pa fund. Kësaj historie tanimë i është vënë vula dhe s’ka burrë që e lëviz më.
Por që “amerikoni i tha në vesh grekut”... këtë ku e morën vesh shqiptarët që punojnë me tre turne dhe futën me vrap në Facebook, si kanë lënë turnin e natës.
-M’nigjo mor jahu se e di mirë kët punë. Sa t’kina gjermonin dhe amerikonin, s'pjerdhim fare.
Ndërsa historianet e vërtetë janë strukur nëpër arkiva, me qëllim që të nxjerrin ndonjë dokument me vlerë. Përndryshe ç'kuptim ka.

Friday, September 15, 2023

Dy fytyrat e shqiptarëve tanë trima


Nga 
Leonard Veizi
 
Që këtë vit sezoni turistik ishte i mahnitshëm këtë e pamë në televizor dhe e vërtetuam në terren. Kishte turistë të huaj plot. Por dhe shqiptarët nuk binin pas. Kishin lënë vendet e punës së tyre në Perëndim dhe kishin ardhur në Atdhe për t’u argëtuar nga dy a tri javë. Dhe argëtimi në Shqipëri nis sapo zbret nga avioni. Ose merr një makinë me qira, ose shif mos të ka ardh çuni i xhajës e të ka pru një Q7 apo X6 që të shtysh ditët në komoditet të plotë. Dhe shqiptari i vërtetë, si i liruar nga zinxhirët, ja ther me të pestin e si dihet ku e mban uryshin.
-Për ku jemi vëlla?
-Për në Vlorë, por e kaluam. Shiko të paktën të na ndalosh andej nga Saranda a Ksamili, se kështu si e kemi nisur do përfundojmë në Greqi.
Dhe makina fluturon mbi Llogara.
Në ditët e nxehta të verës, ke tmerr të udhëtosh nëpër rrugët e Shqipërisë se ca vapa, ca kondicioneri që të bën me bronshit, ca trafiku i ngadaltë që të lë në radhë gjysmën e ditës, e shumë më tepër makinat fuoristrada që fluturojnë para syve të tu.
-Ku vete ai i vrarë?
Mirëpo trimat nuk e lëshojnë veten. Se shoferi aty e ka vlerën, të ecë shpejt e pa iu dridhur qerpiku, dhe... të mos e shkelë fare pedalin e frenave. Vetëm kur bëjnë nja tre a katër kollotumba, dhe si kanë thyer palestrat dhe e kanë bërë makinën që s’ka servis që ua merr përsipër, ia nisin të qaraviten:
-Oj, nana ime...
Eh or trim, vetëm mamaja të bën derman kur shkon për lesh. Se edhe autoambulanca vjen pas 45 minutash. Ndaj dëgjo o babam, të paktën mos e regjistro veten duke bërë gara me makina në rrugët e Shqipërisë, se nuk je në “fushën e Starovës”.
Tani, ne si Shqipëri jemi shquar për shoferë trima. Ka pasur nga ata që në vitin 1980 punonin për vitin 2000. Bënin dhe gomën në mes të natës dhe acarit, riparonin dhe defektet në mes të rrugës e nuk prisnin t’u vinte karroatreci për t’i rimorkiuar. Se shoferllëku i vërtetë është kur merr skodën RT me rimorkio, ngarkon trupa nja 7-8 ton dhe ecën rrugë e pa rrugë. Pa kur është asfalt, merret vesh që nis komoditeti e bëhen të gjithë trima.
Shumica e emigrantëve që na vijnë nga bota e zhvilluar, kur shkojnë përsëri në vendet e tyre të punës, e respektojnë ligjin aq sa nuk të duket asfare se është ai shqiptari trim e sypatrembur që i kalon policisë lokale te hunda e i ndez cigaren nga shpejtësia e fërkimit. Atje, urtë e butë, se xhaxhi polici nuk të njeh as për burrë trim, as për azgan e as për asllan. Atje ai të rras gjobën, e do të të duhet të kërkosh punë jashtë orarit që të bësh lekët e faturës.
Polici përtej kufirit nuk të njeh se je kushëriri i ministrit të brendshëm apo nipi i kryetarit të bashkisë - me profesion taksambledhës - dhe nuk i dhemb dora kur ta shkruan shifrën e gjobës të zezë mbi të bardhë që të hapësh xellot e të mos ngatërrohesh hiç fare. Vetëm se trimave u dhemb fort xhepi ndaj qëndrojnë gatitu para policit. Por nuk dihet pse në atdhe shkrehen aq shumë sa të duket se pikërisht këta janë ata që kanë përmbysur raportet e mafies botërore.
Në Nju Jork ku isha ca ditë për pushime intensive, një miku im shqiptar, - fort i shkathët në rrugët e Tiranës, - sa herë që shihte makinat e policisë me stampën NYPD më thosh:
-Këta s’të falin fare. Po na ndaluan qëndro pa lëvizur, se po bëre një veprim koti e hëngre koqen e plumbit.
-O vëlla, aman o të keqen se s’kam ardhur për t’u vrarë këtej.
Mirëpo miku im qeshte e më thoshte se ky është një udhëzim që u duhet bërë e ditur të gjithë atyre që shkelin për herë të parë në këtë tokë, e nuk ia kanë fare haberin se me policin në Nju Jork nuk mund të sillesh si me policin në Tiranë, ku të hapet gurmazi, e në vend të të pyesë ai ty, je ti ai që i gafurresh”.
-Ça do ... pse më ndalove?
-Po ja, ashtu... për kontroll rutinë.
Ç’është e vërteta andej policia nuk të ndalon për kontroll rutinë, por pikërisht se ka sinjalizimin e duhur. Mirëpo edhe policia jonë ka defektet e saj, se të ndalon sipas parimit: me u gjet Kola n’punë” e nis e të pyet: -Jo po ku e ke lejen e qarkullimit... jo po i keni shlyer detyrimet, jo po ku i ke fletë kuitancat...
-Ti je polic i butë mor, je polic demokracie, - lëshonte batutën vite më parë Paulin Preka në një skeç të estradës së Shkodrës.
Ndaj, dhe me sa duket, shqiptarët duke e ditur këtë dobësi të policisë vendase, ia shkelin sa u mban gazi. Ec or ec...
Ndaj policia nuk duhet të rrijë thjesht me një radar në dorë. Futi gjobën vëlla që t’i vijë mendja vërdallë e kur të të shohë përsëri të bëjë shurrën në brekë. Se trima nuk ka më. Ata që ishin trima të vërtetë u vranë në luftë. E meqë kemi nja 80 vjet paqe e vrasim njëri-tjetrin për qejf, vështirë të prodhojmë më trima të vërtetë.
Po për të vrarë do vazhdojmë të vritemi mes vedit, se sipas një postulati monumental: frikacakët vrasin, trimat falin.

 


Tuesday, September 12, 2023

Lutfi Hoxha, aktori emblematik i teatrit të Durrësit


Nga Leonard Veizi

 
Ai mbahet mend mirë nga telespektatori shqiptar për shpullën që i dha Til arrakatit kur mendoi se po vidhte paratë e shtëpisë për të luajtur bixhoz a për të blerë cigare.
- Mos, edhe këtë arrite ta bësh? Guxon të më thuash babi pas kësaj? Si nuk i more? Po unë të pashë vetë. Gënjeshtar.
Po aq mbahet mend dhe si Musai i shtëpisë së të moshuarve “Lulet e Vjeshtës” të cilit i kishte ikur ca kujtesa kur i kërkonte personazhit aktor Llazar Koritës që kishte interpretuar shefin e revolucionit tek “Orët e Kremlinit”:
-Shoku Lenin i thuaj ministrit të na rrisë ca pensionet.
Dhe Llazar Korita që ia kthente:
-Më lodhe o Musa, unë nuk jam Lenini.
Ai është Lutfi Hoxha, aktori emblematik i trupës së teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, që në kujtesën time vjen dhe me një rol tjetër tek drama “Gërsheti i Luftërave”, si një nga luftëtarët besnikë të çetës së Azem Galicës.
-Nga beteja në valle, bukur fort. Po shumë shpejt u lodhe o Miç Delia... Nuk e mora vesh përse vallja të mbeti në mes?
Por tanimë Lutfi Hoxha nuk do të jetë mes të gjallësh. Sepse në moshën 89-vjeçare zemra e tij pushoi së rrahuri.
“Qofsh i dritës engjëll i mirë e i bardhë. Me hidhërim të thellë njoftojmë ndarjen nga gjiri ynë artistik i xhevahirit të fundit të plejadës së artë të teatrit “Aleksandër Moisiu”. Lutfi Hoxha e jetoi këtë jetë në skenë, aty ku dha gjithçka.” – njoftoi Teatri i Durrësit të dielën e 10 shtatorit 2023.
Në jetëshkrimin e tij zyrtar thuhet se Lutfi Hoxha u lind në Durrës më 1 Qershor 1934, ku dhe kreu mësimet e para, për të vijuar liceun artistik “Jordan Misja” në degën e aktrimit. Nisi të merret me teatër që kur ishte amator në grupin e Kantierit Detar ku spikati talenti dhe aftësia e tij për të krijuar karaktere. Në estradën e ushtrisë u shqua sidomos për monologët e tij të realizuar me vërtetësi dhe plot humor. Në janar 1953 ishte një nga themeluesit e teatrit "Aleksandër Moisiu" në Durrës, ku ai luajti deri në fund të karrierës së tij artistike.
Mbi 100 role në teatër dhe afro 17 në kinematografi përbëjnë gamën e jetës së tij artistike. Disa prej filmave në të cilat ka interpretuar janë “Rrugicat që kërkonin diell”, “Detyrë e posaçme”, “Thirrja”, ”Shoku ynë Tili”, “Pylli i lirisë”, “Tinguj lufte”, “Nata e parë e lirisë”, “Ne dhe Lenini” etj. Në vitin 1989 doli në pension. Por kjo nuk e largoi aspak nga skena. Sepse një aktor është i lidhur pazgjidhshmërisht me skenën.
Në gamën e roleve të tij fort emblematik mbetet ai i Nues tek filmi “Thirrja” që u mahnit nga kristalinat e famullisë së priftit ku kish shkuar për vizitë, si dhe për t’i çuar ca dhurata.
-Urdhno, ju kam pru dhe mjalt nga ai i bardhi!
Por gjithsesi lopën e theri sipas këshillës së veterinerit duke braktisur kështu këshillat e Dom Gjonit.
Por edhe tek filmi “Nata e parë e lirisë” në rolin e Goxhos, Lutfi Hoxha na ka dhënë një personazh shumë simpatik, që më shumë se me fjalë fliste me gjestet e tij.
-E keni parë gjë Çe... çemin? Kujt i thua e...e...e.... ashtu ti?
Dhe një nga rol shumë më interesant të interpretuar me mjeshtëri është dhe ai i Naunit me 11 fëmijë tek filmi “Pylli i lirisë”.
-Të të rrojë o Naun, me jetë të gjatë! Foshnja ka kësmetin e vet.
-E xhanëm, ashtu është, por këta të uruar nuk ushqehen dot me kësmet, se kësmet nuk është bukë... Po ti s’ke për vete bre Kovi.
Që prej vitit 1963 kur mori rolin e Guri Thanasit te filmi “Detyrë e posaçme” të regjisorit Kristaq Dhamo e deri tek filmi “Ne dhe Lenini” të regjisorit Saimir Kumbaro, Lutfi Hoxha numëron 16 role në kinematografi. Por roli i tij i fundit është tek filmi “Derë e Hapur” një prodhim i vitit 2019 i regjisorit Florenc Papas, gjë që e çon në 17 numrin e roleve të mbetura në pelikulën e filmit artistik.
Për kontributin e tij në skenën e teatrit dhe sheshin e xhirimit Lutfi Hoxha ishte nderuar dhe me titullin e lartë “ Mjeshtër i Madh”.
Ai tanimë nuk jeton, por rolet e tij mund t’i shohim sa herë transmetohen nga televizionet filmat shqiptarë. Dhe në këtë mënyrë Lutfi Hoxha ka gjetur përjetësinë, po aq sa dhe aktorët e tjerë që kanë mbetur në kujtesën mbarëpopullore.
 

Friday, September 8, 2023

Me brekë të grisura..., por firmato ama

Nga Leonard Veizi


Në fillim u habita ca, por pastaj me erdhi një e qeshur që nuk ndalej as kur nëpër mend sillja se toka mund të ndërronte orbitë e njerëzimi do të futej në errësirën kozmike nga ku nuk do të kishte më shpëtim. Nga konvulsionet ca më pas më kapi një krizë barku aq sa mendova se m’u ngatërruan zorrët e duhet të gjeja doktor Bardhylin të më bënte derman.

-Ileus. Duhet bërë një operacion, sa më shpejt aq më mirë.
E gjitha kjo për shkak të një lajmi bombë: “Koru” i themeluesit të “Amazon” Xhef Bezos mbërrin në Durrës. Superjahti me një gjatësi prej 127 metrash, ka kërkuar të ndalojë në portin më të madh shqiptar për t’u furnizuar me 170 mijë litra karburant. Çmimi 52 lekë për litër”.
Do përmbyset bota, thashë me vete. Përderisa një multimiliarder, vjen e na lutet t’i furnizojmë trapin me çmim të ulët, keq qenka situata. Ose Bezos është futur në një fushatë kursimesh, se paratë e mbledhura kërkon t’ua rishpërndajë të varfërve.
Pastaj u kujtova se ka një vendim ku thuhet se: Karburanti i blerë nga një jaht i huaj konsiderohet eksport dhe si i tillë është i përjashtuar nga taksat si çdo eksport tjetër. Çdo produkt i blerë brenda Republikës së Shqipërisë nga një blerës i vendosur jashtë Republikës së Shqipërisë, është me TVSH 0. Pasi TVSH është taksë konsumi dhe presupozohet se konsumi nuk ndodh brenda Republikës së Shqipërisë.
-Ua sa të thella paskan qenë këto punë... Skandaloze!
Për djall u kujtova se një ditë më parë, e kisha furnizuar makinë me karburant, çmimi i të cilës ishte 197 lekë litri.
Demek ne Populli i Thjeshtë duhet t’i paguajmë taksat, multimiliarderët jo.
-Na moj ti, je në këtë qeveri apo nuk je?
-Pse nuk më shkojnë?
-Shko moj kukumjaçkë.
Po pse xhanëm këta multimiliarderë nuk na e blejnë naftën as sa është në treg, qoftë dhe ca më lirë, por e dashkan kështu, fare badiava. Na japin dhe një dorë në malore jo për gjë.
-O mos e bofshi pikën e hajrit, jarebi...!
Shteti Shqiptar hyn tek ajo kategori vendesh që mezi mbahet në këmbë. Dhe më së shumti ia del për shkak të remitancave që na vijnë nga emigracioni. Por t’ia shesësh një fukarai litrin e naftës me 200 lekë dhe një miliarderi 50 lekë, kjo nuk ka sens. E them me delikatesë sepse në shqipen standarde thuhet: s'ka bythë ku të rrijë. E meqë jemi kategoria "b" më vjen në mend shprehja tjetër:
-U përpoqe të qëlloje tamam në shenjë, por brekëgrisuri nuk u bëka dot kurrë nishanlli.
Kjo puna e jahteve të miliarderëve që vijnë e furnizohen në Shqipëri, m’u duk si temë e njohur, e sikur më kishte rënë në vesh dhe herë të tjera, e për ta vërtetuar sulem në google. Nuk isha gabuar. Shoh se edhe në vitin 2020 mediat lajmëronin me të madhe: Jahti i miliarderit rus furnizohet me 840 mijë litra karburant në Sarandë pa taksa, me një çmim 60 lekë/litër.
Një vit më pas përsëri Xhef Bezos, por këtë herë me jahtin “Flying Fox” që demek në shqip na vika si "dhelpra fluturuese" hyn përsëri në portin e Sarandës! Sërish furnizimi me 52 lekë për litër.
Po pse xhanëm ne si popull i varfër e blejmë karburantin katër herë më shtrenjtë?
-Një kokë kam unë e një kokë ke ti Hirësi.
-Paravolitë nuk janë bërë për gojën tënde o njeri.
Mirë e ke, më mirë të mos pyesim fare, se e kotë do jetë dhe përgjigja.
Vazhdoj të thellohem nëpër gjithfarë lajmesh. Më pas vjen thagma e radhës: Vjen për t’u furnizuar në Shqipëri “Falcony maltez” superjahti turistik me vela, 78 metra, i cili merret kryesisht me qira nga biznesmenë dhe personalitete të njohur për pushimet e tyre.
Vuuu dhe ky, mori ca naftë me të lirë. Edhe pse gjobën e qirasë nuk dihet sa të shtrenjtë e ka.
Por ka dhe më: “Jahti më i madh në botë i miliarderit rus Andrei Igoreviç Melnishenko është rikthyer sërish në Sarandë”.
Domethënë, këta janë jahte që hyjnë e dalin, qëndrojnë nga dy orë në Shqipëri, dhe ekuipazhi nuk denjon të blejë as ndonjë paketë cigaresh, por ia mbathin me të katra... pasi kanë shkarkuar dhe mbetjet e ujërave të zeza.
-Pa shih ç'bëjnë, lloj-lloj marifetesh.
-Përherë e bëjnë këtë punë këta o xha Paro.
-Një herë në dy-tre ditë dalin na poterosin.
Epo jashtëqitjet e miliarderëve janë të parfumosura, janë dhe të preferuara, ndaj dhe ne ua hapim portën.
-Pirdhni burra si në shtëpinë tuj!
Paçka se këta multimiliarderë, -  që s’ka ordinator që u mban dot llogaritë, - pasi mbarojnë punë me siguri thonë: Kur të na zërë barku përsëri, do vijmë e t’u shohim përsëri. Marrim dhe ca naftë me të lirë. Se që kur u hap fronti me Ukrainën na është ngushtuar rripi.
Hajdeni or vëllezër, hajdeni. Kot nuk thonë që ne shqiptarët jemi mikpritësa të mëdhenj.

Friday, September 1, 2023

Kur të sëmurëve u mohohet ndihma shtetërore dhe u ofrohet privati


Nga 
Leonard Veizi
 
Çfarë po ndodh me mjekësinë tonë?
Padyshim, ajo nuk është në ditët e saj më të mira. Dhe prej shumë vitesh çalon nga një sërë problematikash që edhe pse ndonjëherë duket sikur diçka zbutet dhe nis të eci në rrugë në mbarë, shpejt agresohet në dëm të pacientëve.
Në dëm të pacientëve vëlla, të atyre pa mbrojtje. Se mjekët dhe personeli në tërësi e gjejnë gjuhën me njëri-tjetrin. Ndaj dhe  është kthyer në postulat shprehja: I yti mishin ta ha por kockën ta ruan.
Mirëpo problematikat në mjekësi i kuptojnë tërësisht ata që kanë hall dhe përplasen në dyert e spitaleve. Sepse atyre që s’u ka ardhur rradha, apo ua mban xhepi -e shkojnë shtrohen tek privati, - si në hotel me 5 yje për nga çmimi - nuk arrijnë ta njohin këtë problematikë. Ndaj një pjesë e tyre të bëjnë me faj duke t’u skërmitur: shumë i zmadhoni gjërat, spitalet i shohim çdo ditë në televizor, me aparatura të reja e godina të rikonstruktuara aq sa na e ka zilinë dhe Evropa.
Ja që propaganda e bëri të sajën.
Padyshim, kur raporti mbi ecurinë problematike të sistemit mjekësor vjen nga gazetarët, ai ndeshet me zëra militantësh që thonë e stërthonë se është media ajo që shtrembëron faktet, dhe se në fakt, mjekësia pa para, jo vetëm që është pa para, por i punojnë të gjitha kandelet njëlloj.
Ja u gjet edhe armiku.
-Spekullatorët në litar...
Por si i bëhet kur problemet ngrihen nga një institucion si Kontrolli i Lartë i Shtetit? Këtë nuk besoj se e vë njeri në dyshim.
Mjekësia është për faqe të zezë. Dhe gjëja me konkurruese sot është që mjeku i shtetit të adreson tek privati:
- Për të mirën tënde të them, ndryshe i thuaj “çiao” botës.
Ndaj njerëzit të frikësuar janë gati të marrin borxh e të shesin shtëpitë, me qëllimin e vetëm që t’u zgjatet ca ymri.
Në raportin përfundimtar të KLSH-së, për Auditimin e Performancës “Trajtimi i sëmundjeve tumorale”, - të bërë publik së fundmi, - rezulton se në Spitalin Onkologjik nuk është funksionale pajisja mjekësore e Brakiterapi (Kyriterapi), gjë e cila ka shkaktuar mos trajtimin për 600 gra paciente me kancer gjinekologjik.
Kështu thotë raporti, e zeza mbi të bardhë.
Ja që punët në mjekësi nuk qenkan dhe aq rozë. Në fakt kaq duhet që të bien këmbanat e alarmit e të tundet ministria, madje dhe godina ku rri Kryeministri.
Më tej raporti vazhdon me sa e sa problematika të tjera, ku në fund fare arrin të mësosh se më shumë se 1000 pacientë nuk arrijnë të marrin mjekimin e duhur në kohën e duhur. Dhe kjo rrezikon seriozisht jetën e tyre.
-Ku të përplasesh mor aman. Kur shteti yt nuk të bën derman.
Domethënë, shteti, - për të cilin thuhet se është në funksion të qytetarëve, - të paktën në këtë rast të priska latën.
Po njerëzit me kurajo nuk kanë ndër mend të vdesin, ndaj mundohen me thonj e dhëmbë të kapen pas asaj jete që u ka mbetur. Dhe nisen për tek privati, me shpresën se ky do të na i heqë lakun nga fyti. Do t'i thuash derrit dajë, tek e fundit. Dhe.... surprizë. M’u të dera e klinikës private, të pret plot buzëqeshje mjeku nurësëz që të përzuri nga pavijoni i shtetërorit, se demek nuk kishte kushtet e duhura për diagnostikim e trajtim.
-Ore... mos ishe ti ai që...???
-Unë o, unë jam.
Por dhe sjellja ka ndryshuar. Edhe kujdesi në diagnostikim dhe trajtim. Por dhe fatura nuk është e lehtë për t’u paguar. Duhet mbledhur rripi.
-Prandaj më zgërdhin dhëmbët ti?
Ec e mos fol për teori konspiracioni o t’u bëfsha. Jo për gjë por thuhet rëndom që aparaturat në spitalet shtetërore ose prishen me qëllim, ose nuk rregullohen me qëllim. Dhe kjo bëhet që të fuqizohet privati, që kohët e fundit, ngaqë janë rritur çmimet e zarzavateve, ka rënë ca në të hollë e nuk u dalin paratë.
Dhe tani e kemi mësuar rrugën: Sa të sorrollatemi në shtet, drejt e te privati.
Aaaa, në qoftë kështu, përse duhet të paguajmë sigurime shëndetësore dhe pse duhet të kemi spitale shtetërorë tek e fundit?