Friday, September 8, 2023

Me brekë të grisura..., por firmato ama

Nga Leonard Veizi


Në fillim u habita ca, por pastaj me erdhi një e qeshur që nuk ndalej as kur nëpër mend sillja se toka mund të ndërronte orbitë e njerëzimi do të futej në errësirën kozmike nga ku nuk do të kishte më shpëtim. Nga konvulsionet ca më pas më kapi një krizë barku aq sa mendova se m’u ngatërruan zorrët e duhet të gjeja doktor Bardhylin të më bënte derman.

-Ileus. Duhet bërë një operacion, sa më shpejt aq më mirë.
E gjitha kjo për shkak të një lajmi bombë: “Koru” i themeluesit të “Amazon” Xhef Bezos mbërrin në Durrës. Superjahti me një gjatësi prej 127 metrash, ka kërkuar të ndalojë në portin më të madh shqiptar për t’u furnizuar me 170 mijë litra karburant. Çmimi 52 lekë për litër”.
Do përmbyset bota, thashë me vete. Përderisa një multimiliarder, vjen e na lutet t’i furnizojmë trapin me çmim të ulët, keq qenka situata. Ose Bezos është futur në një fushatë kursimesh, se paratë e mbledhura kërkon t’ua rishpërndajë të varfërve.
Pastaj u kujtova se ka një vendim ku thuhet se: Karburanti i blerë nga një jaht i huaj konsiderohet eksport dhe si i tillë është i përjashtuar nga taksat si çdo eksport tjetër. Çdo produkt i blerë brenda Republikës së Shqipërisë nga një blerës i vendosur jashtë Republikës së Shqipërisë, është me TVSH 0. Pasi TVSH është taksë konsumi dhe presupozohet se konsumi nuk ndodh brenda Republikës së Shqipërisë.
-Ua sa të thella paskan qenë këto punë... Skandaloze!
Për djall u kujtova se një ditë më parë, e kisha furnizuar makinë me karburant, çmimi i të cilës ishte 197 lekë litri.
Demek ne Populli i Thjeshtë duhet t’i paguajmë taksat, multimiliarderët jo.
-Na moj ti, je në këtë qeveri apo nuk je?
-Pse nuk më shkojnë?
-Shko moj kukumjaçkë.
Po pse xhanëm këta multimiliarderë nuk na e blejnë naftën as sa është në treg, qoftë dhe ca më lirë, por e dashkan kështu, fare badiava. Na japin dhe një dorë në malore jo për gjë.
-O mos e bofshi pikën e hajrit, jarebi...!
Shteti Shqiptar hyn tek ajo kategori vendesh që mezi mbahet në këmbë. Dhe më së shumti ia del për shkak të remitancave që na vijnë nga emigracioni. Por t’ia shesësh një fukarai litrin e naftës me 200 lekë dhe një miliarderi 50 lekë, kjo nuk ka sens. E them me delikatesë sepse në shqipen standarde thuhet: s'ka bythë ku të rrijë. E meqë jemi kategoria "b" më vjen në mend shprehja tjetër:
-U përpoqe të qëlloje tamam në shenjë, por brekëgrisuri nuk u bëka dot kurrë nishanlli.
Kjo puna e jahteve të miliarderëve që vijnë e furnizohen në Shqipëri, m’u duk si temë e njohur, e sikur më kishte rënë në vesh dhe herë të tjera, e për ta vërtetuar sulem në google. Nuk isha gabuar. Shoh se edhe në vitin 2020 mediat lajmëronin me të madhe: Jahti i miliarderit rus furnizohet me 840 mijë litra karburant në Sarandë pa taksa, me një çmim 60 lekë/litër.
Një vit më pas përsëri Xhef Bezos, por këtë herë me jahtin “Flying Fox” që demek në shqip na vika si "dhelpra fluturuese" hyn përsëri në portin e Sarandës! Sërish furnizimi me 52 lekë për litër.
Po pse xhanëm ne si popull i varfër e blejmë karburantin katër herë më shtrenjtë?
-Një kokë kam unë e një kokë ke ti Hirësi.
-Paravolitë nuk janë bërë për gojën tënde o njeri.
Mirë e ke, më mirë të mos pyesim fare, se e kotë do jetë dhe përgjigja.
Vazhdoj të thellohem nëpër gjithfarë lajmesh. Më pas vjen thagma e radhës: Vjen për t’u furnizuar në Shqipëri “Falcony maltez” superjahti turistik me vela, 78 metra, i cili merret kryesisht me qira nga biznesmenë dhe personalitete të njohur për pushimet e tyre.
Vuuu dhe ky, mori ca naftë me të lirë. Edhe pse gjobën e qirasë nuk dihet sa të shtrenjtë e ka.
Por ka dhe më: “Jahti më i madh në botë i miliarderit rus Andrei Igoreviç Melnishenko është rikthyer sërish në Sarandë”.
Domethënë, këta janë jahte që hyjnë e dalin, qëndrojnë nga dy orë në Shqipëri, dhe ekuipazhi nuk denjon të blejë as ndonjë paketë cigaresh, por ia mbathin me të katra... pasi kanë shkarkuar dhe mbetjet e ujërave të zeza.
-Pa shih ç'bëjnë, lloj-lloj marifetesh.
-Përherë e bëjnë këtë punë këta o xha Paro.
-Një herë në dy-tre ditë dalin na poterosin.
Epo jashtëqitjet e miliarderëve janë të parfumosura, janë dhe të preferuara, ndaj dhe ne ua hapim portën.
-Pirdhni burra si në shtëpinë tuj!
Paçka se këta multimiliarderë, -  që s’ka ordinator që u mban dot llogaritë, - pasi mbarojnë punë me siguri thonë: Kur të na zërë barku përsëri, do vijmë e t’u shohim përsëri. Marrim dhe ca naftë me të lirë. Se që kur u hap fronti me Ukrainën na është ngushtuar rripi.
Hajdeni or vëllezër, hajdeni. Kot nuk thonë që ne shqiptarët jemi mikpritësa të mëdhenj.

No comments:

Post a Comment