Friday, October 27, 2023

Taksat, paguajmë sa na thyhet mesi e prapë na thonë: S’paguani gjë!


Nga Leonard Veizi
 
Nuk thonë kot që: qeveria e kap lepurin me qerre. Këtë herë shkas mora nga taksa e re që po përgatitet të vendosë qeveria. Flitet për “taksën e fjetjes” që do të paguajnë në të ardhmen turistët për çdo natë qëndrimi. Se qeveria punën me të mirë që di të bëjë është të vendosë taksa. Madje dhe aty ku s’ta pret mendja.
Por taksa për turistët nuk është objekt i këtij shkrimi, edhe pse indicia u mor nga ky shkak. Mirë turistët, po shqiptarët sa taksa paguajnë?
Në tërësinë e tyre mua si individ pak më kanë interesuar taksat. Ose më saktë, pak më ka interesuar sa taksa paguaj në shtet. Kam ditur vetëm se, çfarë më ka kërkuar shteti si detyrim e kam dhënë me dëshirë. Pasi në nënndërgjegjen time është gjithmonë zgjuar si roje nate sentenca me spektër të gjerë e dalë nga përvoja popullore: me ujin, zjarrin dhe me qeverinë nuk bëhet shaka.
-Jepu xhajë kampioneve... jepu!
Jo vetëm për mua, por në përgjithësinë e tyre njerëzit kanë interes të dinë se sa para marrin në dorë që të shtyjnë muajin dhe pak u intereson se sa shteti përfiton nga puna e tyre.
I futem kërkimit për të gjetur materiale që do të më krijonin një ide të saktë se sa paguaj në shtet, unë si individ, që në njëfarë mënyre do të thotë se sa paguan një shqiptar i punësuar me një rrogë të themi mesatare.
Si nën rrogoz, shpesh marrim vesh se taksat rriten dhe ne vazhdojmë të kemi po ato rroga. Se nuk është e lehtë të të rritet rroga?! Por është shumë më e lehtë të të rriten taksat. Dhe taksat më së shumti rriten tek ato që quhen gjëra luksi. Fjala vjen: ti paguan goxha taksa kur ble një paketë cigare, një shishe alkool, si dhe një litër naftë. Mirëpo shteti thotë gjithmonë se nuk i del, ndaj e shtyn edhe për ca kohë indeksimin e rrogave, rritjen e rrogave. Për të mos folur për pensionet. Tek e fundit kush është pensionist nuk prodhon. Kështu që dhe rritja e pensionit nuk i takon. Gjende mirë që nuk i heqin nga gjendja civile të gjithë pensionistët.
Dhe nuk u desh shumë seanca kërkimi të gjeja atë, thembrën e Akilit. Pasi shumë shpejt u ndesha me një video që qarkullon rëndom, në rrjetet sociale dhe që e bën zbërthimin në mënyrë mjeshtërore.
Materiali në fjalë në fakt jo vetëm më sqaroi por dhe më shokoi. Ishte një material i postuar që në tetorin e vitit 2020, kur një këshilltar për financat si Pano Soko, bënte zbërthimin e taksave, vetëm nëpërmjet asaj që tanimë mund ta cilësojmë dhe si “Çështja Marsela”. Sepse Marsela, një gazetare kurajoze, e pyeti kryeministrin drejtpërdrejt për çështje taksash... e nuk po i futem më në thellësi. Por kryeministri iu kundërpërgjigj po me një pyetje: Sa taksa paguan ti...?
Me gjasa Marsela nuk ka ditur t’i japë përgjigje kryeministrit. Por këtu i doli zot një specialist i fushës që bëri këtë performancë:
Ai mori në shqyrtim një rrogë prej 70 mijë lekë. Pra, nëse gazetarja në fjalë merr 70 mijë lekë në muaj atëherë paga bruto e saj është 87, 202 lek nga të cilat paguan tatim mbi të ardhurat 7.436 lekë. Vijmë te sigurimet shoqërore dhe shëndetësore ku paguhet 9,500 njëra dhe 1.700 tjetra. Në total nga kjo pagë, deri tani, mbahen 18.636 lekë. Punëdhënësi për punën e gazetares paguan 14.562 lekë. Pra gazetarja në total paguan 33.198 lekë tatim direkt dhe sigurime shoqërore. Sepse ka dhe tatim indirekt.
Po si është tatimi indirekt??? Specialisti shpjegon: Për 70 mijë lekët e rrogës, sa herë që prishen duke bërë pazar, paguan taksa kur ble bukë e makarona, kur paguan ujët dhe dritat... etj. Por dhe ato ndryshojnë. Kur ble naftë paguar 60 përqind të vlerës taksë. Edhe cigaret kanë të njëjtën gjë. Por këto tek e fundit janë çështje qejfi. Ndërsa kur ble ujë, bukë, veshmbathje paguan 20 përqind. Pra, kushdo, jo vetëm gazetarja me emrin Marsela taksohet në mënyrë indirekte, pasi është tatuar më parë në mënyrë direkte. Jo mo se nuk qenka dhe aq e vështirë. Se si, po prishet lëmshi.
Vijmë përsëri tek "Çështja Marsela”: Mesatarisht taksimi shkon diku tek 25 përqind e vlerës. Kështu që për 70 mijë lekë të prishura gjatë një muaji, 17.500 lekë tatim indirekt bashkohen me 33.198 mijë lekë tatim direkt. Në këtë mënyrë, Marsela si shembull, paguan në shtet 50.698 lekë. Të themi 50 mijë për t’i vënë kapak. Sipas specialistit, kjo do të thotë rreth 600 mijë lekë në vit, apo për shqiptarët e thjeshtë që flasin me të vjetra 6 milionë lekë të vjetra në vit ndërkohë që gazetarja merr 8.4 milionë lekë të vjetra pagë vjetore.
-Bo bo... sa shumë... Epo, të paktën pak nuk janë.
Të mos mendojë kush se paguan pak taksa, dhe për këtë qëllim i duhet ta mbajë kokën varur. Se demek është shteti ai që po e mban me bukë. Përkundrazi. Ndryshe nuk do të mund të mbahej administrata, ushtria, policia, sistemi arsimor dhe ai mjekësor. Askush nuk duhet ta ndjejë veten inferior se nuk paguan dhe aq shumë taksa. Paguan dhe paguan mirë. Edhe pse sipër këtyre, shumë e shumë njerëz nuk gjejnë shërbim në klinikat dhe spitalet e shtetit ndaj i drejtohen privatit.
Shteti të thotë se ta ka siguruar diagnostikimin. Të ka siguruar analizat edhe pse reagentë herë pas here mungojnë dhe t’i s’e merr vesh nga se vuan e si duhesh kuruar. Të ka siguruar edhe një shtrat që ti të qëndrosh për sa kohë të duhet të rikuperohesh... të ka siguruar edhe një sallë kirurgjikale. Por mekanizmi është aq i ngadaltë dhe jofleksibël sa njerëzit për të shpëtuar jetën e tyre i drejtohen me urgjencë privatit.
E pra, taksat janë paguar ndërkohë. Por me ato para nuk dihet se çbëhet.
Kjo do të thotë se shqiptarë paguajnë shumë më tepër për shëndetin e tyre me pjesën e parave që u ka mbetur pikërisht pas detyrimit për të paguar të gjitha taksat në mënyrë që të mbetesh i pastër dhe në rregull me Qeverinë. Se qeveria të fut në burg po nuk pagove taksat. Dhe aty jo vetëm nuk paguan më taksa, por dhe bukën e ha qyl.
Ka dhe shumë të tjerë që nuk e shohin të udhës t’i çojnë fëmijët në shkollat e shtetit dhe gjithashtu i drejtohen privatit. Por taksat u janë mbajtur ndërkohë. Se shteti nuk të pyet ku i merr shërbimet ti. Ajo është zgjedhja jote. Ai nuk mban përgjegjësi këtu.
Por taksat t’i kërkon një më një ndërkohë. Provo të mos i paguash?!
I heqim të gjitha. Nuk na hyn në punë as debati i gazetares me kryeministrin dhe as debati i kryeministrit me gazetaren. I referohemi vetëm fjalëve të ekspertit. Sa na dhemb kurrizi ne të gjithëve, kur paguajmë taksat në shtet? Ose kur nuk i paguajmë ne me dëshirë por na i mban shteti me dhunë. Paguajmë sa thyhemi në mes për atë punë. Me këto taksa mbahet i gjithë aparati i shtetit. Dhe me kaq sa paguajmë për mbarëvajtjen e mekanizmit shtetëror duhet të ndihemi krenarë. Sepse tek e fundit paguajmë.
Por çfarë thotë kryeministri: “Taksat tona, taksat tona, taksat tona... Sikur ta dini sa taksa paguajnë ata që flasin për taksat do ishte vërtet një hap i madh përpara”.
Pano Soko e dinte se sa taksa paguan një shqiptar i punësuar. Por ja që unë nuk e dija. Tani që e mora vesh jam i gatshëm të futem në negociata e të bëj një marrëveshje: Mos e do gjithë rrogën time vëlla, ta derdhim në buxhet e ta mbyllim këtë muhabet...?
 

No comments:

Post a Comment