Friday, March 1, 2024

Si po shembet institucioni i familjes


Nga Leonard Veizi
 
Familja nuk është më ajo e para, patriarkale, që banonin në një shtëpi, tre kurorë me 16 a 18 fëmijë në të njëjtën vatër. Pasi ka kaluar me shpejtësi një shekull, tanimë gjendemi përballë fakteve të reja. E vjetra është zhbërë. Reziston vetëm nëpër skuta të mendjes konservatore dhe në zona shumë të thella ku nuk mbërrin as vala e televizorit jo më e internetit.
Sot familja po zhbëhet.
Por dhe ky nuk është ndonjë lajm kush e di se çfarë. Se që po zhbëhet, kjo dihet se “ka marrë ferra uratën”.
Sot, një familje tradicionale, - madje dhe konservatore nëse e quajmë sërish nuk gabojmë, - përbëhet në rastin më të mirë nga 4 persona, dy të rritur e dy fëmijë. Me raste të rralla bëhen dhe pesë frymë brenda një çatie. Por me shumë gjasa po shtohen ndjeshëm fëmijët që në themel kanë dy persona e që në terminologjinë e sotme quhet “nënë singëll”. Domethënë një femër me një fëmijë, por pa burrë. “baba singëll” është një modë që ende nuk ka hyrë si duhet në treg, por është në faza testimi.
Institucioni i familjes po zhbëhet.
Dhe të mendosh që është institucioni më i vjetër në botë. Njerëzit krijonin familje edhe kur shoqëritë nuk kishin ligje. Nuk kishin as Presidencë, as Këshill Ministrash, e që nuk bëhej fjalë për Gjykatë Kushtetuese. Por familje kishte.
Po të lexosh andej-këtej, në libra me kapakë të trashë apo në portale nga ekrani i sheshtë, do të gjesh pak a shumë këto përkufizime: "Institucioni i familjes" është një koncept që lidhet me rolet dhe funksionet e familjes në shoqëri. Kjo përfshin strukturën dhe dinamikën e familjes si një institucion shoqëror që ndikon në rritjen dhe zhvillimin e anëtarëve të saj." Kjo përfshin dhe normat, vlerat dhe rolet që ndikojnë në marrëdhëniet brenda familjes dhe me shoqërinë. Familja shpesh konsiderohet si një institucion i rëndësishëm në krijimin dhe mbajtjen e lidhjeve shoqërore dhe në edukimin e brezave të rinj.
Ja e morëm dhe masën filozofiko-sociale të pyetësorit: Ç'është familja?
Njerëzit krijojnë familje. Madje dhe kafshët dinë të krijojnë familje. Dinë t’i qëndrojnë besnik një partneri e të rrisin fëmijët aq sa ata të dinë të ushqehen vetë.
Megjithatë, familja në mijëvjeçarin e ri është në rrezik. Prej kohësh ajo ka filluar zhbërjen. Dhe ka nisur të paktën që me revoltat e hipive të viteve ‘70 të shekullit të kaluar. Por tani është edhe më keq. Gjëra janë thelluar.
Në botën njerëzore po ndodhin thagma pa fund. Nuk jemi në epokën e inkuizicionit ku digjeshe në turrën e druve për hiç mosgjë, por ende si shoqëri njerëzore njohim ndëshkimin e gruas për tradhti, deri në vrasjen me gurë. Por kjo nuk ndodh në shoqëritë e emancipuara. Mes dy poleve të pushtuara nga koncepte diametralisht të kundërta, janë të lumtur ata që kanë kuptuar ku ndodhet mesi. Dhe këtu nuk ju ndihmon gjeometria, dhe as metri si njësi matëse.
Në botën perëndimore sot flitet për të tjera gjëra. Të rinjtë tremben nga martesa. Nuk ka më dasma. Ka bashkëjetesë. Por nuk nënshkruhet asnjë kontratë. Qëllimi është për të qenë të lirë nga partneri. Nuk është ide e keqe. Ka vend për debat. Sepse as kontrata e firmosur dhe unazat e floririt nuk e mbajnë dot lidhur martesën. Por dardha e ka bishtin prapa, gjithsesi.
Sot janë futur dukshëm në modë kontratat paramartesore. Ka kontrata për mosbashkim e mosndarje pasurie. Këtu është thembra e Akilit. Kush pyet për familjen mor vëlla?! As për kalamajtë që mbeten rrugëve, sa te njëra palë tek tjetra. Si topi i pingpongut. Sot halli janë paratë dhe pronat e patundshme. Se gratë të marrin gjysmën e pasurisë. Por me një avokat të fortë ka mundësi të të zbythin fare, dhe nga një milioner me vilë e jaht në dispozicion, mund ta shohësh veten duke jetuar në një garsoniere duke skuqur patate me keçap për mëngjes dhe dy vezë sy për darkë. Prandaj mallkuar qoftë ai që e shpiku martesën.
Familjet po prishen. Institucioni i familjes po shembet. Njerëzit po mundohen të jetojnë të lirë.
Gazetarja e njohur italiane Oriana Falaci shkruante për problematikën e martesës në vendet e lindjes së mesme. Atje burri është Zot e femra një skllave e bindur.
Mjerë ato!
Këtej nga Evropa punët po ecin nga krahu tjetër.
Vatikani jep bekimin për ata që bëjnë seks brenda të njëjtës gjini. Por ata vetë kanë shkuar dhe më tej. Nuk është puna tek seksi dhe tek ligjërimi i aktivitetit të tyre. Ata janë më shumë të prirë për të bërë dasma e për t’u martuar me të ftuar të rafinuar dhe aheng, madje dhe me një ceremoni në gjendje civile. Por duan të shkojnë në altar. Ç'rëndësi ka kush është burri e kush është gruaja. Duan të bëjnë dhe fëmijë. Jo t’i birësojnë. Kjo është modë e vjetër. Sot mjekësia po bën çudira. E lënë dhe burrin me barrë.
-Doktor, në vend të fryhet gruaja po fryhem unë, - do t’i thoshte Xhixhi, doktor Zeqo Pilafit tek komedia “Gjithë fajet i ka paraja”.
-Paska mbetur një burrë me barrë, - shqeu sytë doktor Zeqoja, që dikur kishte qenë roje në ndërmarrjen e grumbullimit.
-Ç'ja fut kot dhe ti, - ia ktheu me mosbesim e shoqja që i mbeti në mes numërimi i parave të fituara gjatë ditës.
Mirëpo ku ka zë s’është pa gjë. Se dhe Arnold Shvarceneger, gjithë muskuj, luajti rolin e një burri shtatzënë tek filmi “Junior” prodhuar në vitin 1994. U gajas kinemaja.
Hajd mo, kush po pyt më?!
Mjeket janë turrur të bëjnë operacione transgjëndër. Burrat po kthehen në gra. A thua se bota ishte në krizë për gjininë femërore.
Epo qejfe-qejfe kjo dynja, do thotë ndokush.
-Ka qejf, ka para, - do të fërkonte duart tek filmi “Përballimi”, pronari i një zgëqeje që bënte kërnacka në Korçën e pas Luftës së Dytë Botërore.
Familja po zhbëhet. Bota po mbipopullohet. E mbipopullon bota e tretë. Kurse bota e zhvilluar po plaket me shpejtësi. Këto janë të kundërta të pakuptueshme.
Vazhdojmë me leximin e literaturës. Se diku duhet gjetur ngushëllimin, dhe has: Shkatërrimi i një familjeje është një proces i vështirë dhe mund të ndikojë emocionalisht tek të gjithë anëtarët. Ka shumë arsye pse një individ nuk mund të krijojë një familje, përfshirë zgjedhjet personale, situatat ekonomike ose sfidat individuale. Njëkohësisht, disa persona zgjedhin të jetojnë një jetë të pavarur dhe nuk ndjekin rrugën e martesës apo krijimit të një familjeje. Çdo zgjedhje është unike për secilin person”.
U ngushëllova disi.
Institucioni i familjes po shembet. Faktor është dhe krimi në familje. Në Shqipëri është rritur ndjeshëm ky lloj krimi. Herë burri vret gruan, herë babai vret djalin ose vajzën, por ka dhe raste kur fëmijët vrasin babain. Fjala vjen, bëhen tre fëmijë dhe heqin qafe babain.
-Po na shau o... derri i derrit.
Kjo do të thotë që institucioni i familjes në Shqipëri po vihet në pikëpyetje. Ndoshta nuk po shpërbëhet, por do të shpërbëhet.
 

No comments:

Post a Comment