Friday, March 1, 2024

“Kodi i Da Vinçit”, një triller dramatik për të zbardhur një mister hermetik



Nga Leonard Veizi
 
Selia e Shenjtë në Romë por dhe vetë besimi i krishterë do të tronditeshin nga themelet, kur një shkrimtar vendosi të botojë romanin e tij triller, që pretendonte se ishte mbështetur dhe mbi burime arkivore, shumica e të cilave ishin në dosjet “top secret”...
 
...Ardhja në shqip e romanit “Kodi i Da Vinçit” solli me vete dhe të gjithë furinë që e kishte përcjellë atë në botën perëndimore, si një marketing i vlefshëm dhe plot bujë në botën financiare, duke e vendosur menjëherë në toplistën e shitjeve. Por kjo ishte vetëm njëra anë e medaljes. Sepse në të vërtetë romani kishte rrezikshmërinë e një mine me sahat. Sepse autori i tij kishte luajtur me ndjenjat e një komuniteti gjigant, siç është ai i njerëzve që besojnë tek Jezu Krishti.
Kritikët e cilësuan “Kodin e Da Vinçit” "përfshirës" dhe "intrigues", "një thriller të klasit të parë". Romani i shumëpërfolur përveçse një nga më të shiturit  në botë, u bë gjithashtu dhe një nga librat më të shitur në Shqipëri. Ai erdhi në shqip nga dy shtëpi botuese dhe nga dy përkthyes, fillimisht përkthimi i Perikli Jorgonit që u botua nga “Bota Shqiptare” e më pas Amik Kasoruho që u botua nga “Dudaj”.
“Kodi...” krijoi menjëherë një amplifikim mesazhesh në qarqet letrare dhe te lexuesit e pasionuar, por nuk është se pati ndonjë miratim dhe as reagim kundërmuese në pjesën e lirë të popullsisë. Kjo donte të thoshte se në një libër, ku flitej për çuditë e botës katolike, përbënte kuriozitet në Shqipëri por jo se merrej seriozisht, ashtu siç u mor në disa vende të tjera...
Kontakti me “Kodin...” përbënte për këto diçka të pazakontë. Thyerje mitesh e tabush aq sa për autorin u tha se po persekutohej nga një reagim ashpër i Vatikanit. Mungesa e kulturës fetare, një indoktrinim i indoktrinuara në vitet e soalalizmit na kishte bërë që të shihnim me habi gjithçka kishte të bënte me doktrinën e religjioneve. “Kodi i Da Vinçit” tentonte të zbërthente një pjesë të tyre. Dhe kjo e bënte gati të magjishëm, sepse, përveçse futej aty ku deri dje nuk kishte guxuar kush, transmetonte njëkohësit dhe një informacion të munguar.
 
Të vërtetat trilluese
“Kodi i Da Vinçit”, si libri ashtu edhe filmi, janë përballur me kritika ekstreme duke u përfolur për pasaktësi fetare, historike dhe shkencore. Mendohet se portretizimi i Kalorësve Tempullarë dhe Parësisë së Sionit bazohet në organizata reale historike, por me ndryshime të rëndësishme. Por kundërshtarët e trillerit të Braunit thonë se disa pretendime për Jezusin dhe Maria Magdalenën janë kryesisht fiktive dhe nuk mbështeten nga prova historike.
Ndërsa vetë autori që në faqen e parë të romanit na paralajmëron përmes një prologu të titulluar “Fakti” ku shkruhet: “Parësia e Sionit - një shoqëri e fshehtë europiane e themeluar në vitin 1099 - është një organizatë e njëmendtë. Në vitin 1975 ne Bibliotekën Kombetare të Parisit u zbuluan pergamenat që njihen me emrin "Dosjet e fshehta", të cilat hedhin dritë të plotë mbi shumë pjesëtarë të Parësisë së Sionit, duke përfshirë sër Isak Njutonin, Sandro Botiçellin, Viktor Hugonë dhe Leonardo da Vinçin. Prelatura e Vatikanit, që njihet me emrin “Opus Dei”, është një sekt thellësisht i devotë katolik, që kohët e fundit ka qenë në qendër të polemikave për shkak të fjalëve që qarkullonin rreth shpëlarjes se trurit, shtrëngimeve dhe një praktike të rrezikshme "mundimi trupor". Opus Dei sapo ka përfunduar ndërtimin e Selisë Kombëtare në numrin 243 të shëtitores "Leksington" në Njy Jork Siti, e cila ka kushtuar 47 milionë dollarë. Të gjitha përshkrimet e veprave të artit, të arkitekturës, të dokumenteve dhe të riteve të fshehta në këtë roman janë të sakta”.
Sapo përfundon këto pak rreshta çdo lexues kupton se romani në fjalë është sa i trilluar aq edhe i mbështetur mbi fakte historike.
Libri i referohet Gralit të Shenjtë duke eksploruar një histori alternative, ku dominon ideja se mbretërit e Francës e kishin prejardhjen nga linja e gjakut e Jezu Krishtit dhe Maria Magdalenës.
 
Pikëpyetjet
Një vrasje ndodh brenda muzeut të Luvrit, dhe të dhëna në pikturat e Da Vinçit, çojnë në zbulimin e një misteri fetar të mbrojtur nga një shoqëri sekrete për të paktën një mijë vite, i cili mund të tronditë themelet e krishterimit.
Por a mund ta përballojë njerëzimi të vërtetën dhe zbulimet tronditëse të hetuesve?
A mund të deshifrojnë dy personazhet kryesorë të romanit Robert Langdon dhe Sofi Neve natyrën e një sekreti që daton nga Leonardo Da Vinci, madje dhe më herët?
Sofi ka me vete një lloj çelësi dhe numrin 24 të gdhendur në të, i cili hap një hetim të madh kompleks që përfshin një teori heretike: Jezu Krishti dhe Maria Magdalena ishin, në fakt, një çift që sollën një vajzë me emrin Sara?
Një sekt mijëvjeçar i quajtur “Parësia e Sionit” e ka mbajtur sekretin e kësaj çështjeje për shekuj me radhë?
 
Romani
Për përmbajtjen e romanit mund të themi këto pak fjalë: Në Paris simbolologu i Harvardit Robert Langdon merr një telefonatë urgjente natën vonë: kuratori i moshuar i Luvrit është vrarë brenda muzeut. Pranë trupit, policia ka gjetur një shifër konfuze. Duke u munduar të gjejë zgjidhjen e enigmës, Langdoni habitet kur zbulon se ajo të çon në një gjurmë të dhënash të fshehura në veprat e Da Vinçit... të dhëna të dukshme për t'i parë nga të gjithë... dhe megjithatë të maskuar në mënyrë gjeniale nga piktori. Langdoni bashkon forcat me një kriptologe të talentuar franceze, Sofi Nëvë, dhe mëson se kuratori i ndjerë ishte i përfshirë në “Parësinë e Sionit” - një shoqëri sekrete, anëtar i së cilës në vite ishte dhe: Njutoni, Botiçeli, Hugoi dhe Da Vinci. Kuratori i Luvrit ka sakrifikuar jetën e tij për të mbrojtur sekretin e Parësisë: vendndodhjen e një relike fetare jashtëzakonisht të rëndësishme, të fshehur prej shekujsh. Në një garë pa frymë nëpër Paris e Londër, Langdoni dhe Nëvë përputhen me një ekzekutues pa identitet, i cili duket se punon për Opus Dei - sekti radikal katolik, i sanksionuar nga Vatikani, që besohet se ka komplotuar prej kohësh për të shtënë në dorë sekretin e Parësisë. Nëse Langdoni dhe Nëvë nuk mund ta deshifrojnë enigmën labirint në kohë, sekreti i Parësisë - dhe një e vërtetë historike mahnitëse - do të humbasin përgjithmonë.
 
Kodi... intrigues
Kodi i Da Vinçit lajmëroi ardhjen e një lloji të ri thrilleri; inteligjent me ritëm… befasues në çdo kthesë, tërheqës në çdo faqe, krejt i paparashikueshëm… deri në përfundimin e tij mahnitës. Romani provokoi një interes popullor duke spekuluar në lidhje me legjendën e Gralit të Shenjtë dhe rolin e Maria Magdalenës në historinë e krishterimit. Libri në fjalë është denoncuar gjerësisht nga shumë besime të krishtera duke u cilësuar si një sulm ndaj Kishës Katolike, dhe gjithashtu është kritikuar vazhdimisht nga studiuesit për pasaktësitë e tij historike dhe shkencore. Por, romani u bë një bestseller masiv në mbarë botën duke shitur 80 milionë kopje dhe duke u përkthyer në 44 gjuhë. Në nëntor 2004, “Random House” publikoi një botim special të ilustruar me 160 ilustrime. Në vitin 2006, një adaptim filmik u publikua nga “Columbia Pictures”.
 
Filmi
“Kodi i Da Vinçit” është një film thriller misterioz i vitit 2006 me regji të Ron Hauard, skenar nga Akiva Goldsman dhe i bazuar në romanin e Dan Braun me të njëjtin emër. Në kast u përfshinë aktorët Tom Henks, Odre Tutu, Ian Mekelen, Alfred Molina, Jurgen Prohnu, Zho Reno dhe Pol Betani.
Në film, Robert Langdon, profesori i Universitetit të Harvardit, është i dyshuari kryesor në vrasjen e frikshme dhe të pazakontë të kuratorit të Luvrit, Zhak Sonier. Në trupin e të vrarit, policia kishte gjetur një shifër shqetësuese dhe kishte nisiur hetimin. Langdoni arratiset me ndihmën e kriptologes së policisë Sofi Nëvë dhe ata fillojnë një kërkim për Gralin e Shenjtë legjendar. Një historian i njohur i Gralit, britaniku Sër Li Tiben, u thotë atyre se Grali i Shenjtë është i koduar në mënyrë eksplicite në pikturën murale të Leonardo da Vinçit, “Darka e Fundit”. Tiben pretendon se Grali nuk është një gotë, por është vetë Maria Magdalena. Ai thotë se ajo nuk ishte një prostitutë, por gruaja e Jezu Krishtit, duke argumentuar se Maria ishte shtatzënë gjatë kryqëzimit të Jezusit dhe Parësia u krijua për të mbrojtur pasardhësit e tyre.
 
Kritika
Filmi, ashtu si libri, u konsiderua i diskutueshëm. Ai u prit me kritika veçanërisht të ashpra nga Kisha Katolike për akuzën se ajo qëndron pas një fshehjeje dy mijëvjeçare në lidhje me atë që është në të vërtetë Grali i Shenjtë dhe koncepti se Jezu Krishti dhe Maria Magdalena ishin martuar, duke lindur një vajzë. “Asnjë nga burimet e vjetra që kemi nuk tregon gjëkundi se Jezusi ishte i martuar, le pastaj i martuar me Maria Magdalenën”, do të shprehej Dr.Bart Erman, shefi i katedrës së studimeve fetare të Universitetit të Karolinës së Veriut.
“Kodi i Da Vinçit” u shfaq premierë në edicionin 59 të Festivalit të Filmit në Kanë më 17 maj 2006 dhe u shfaq në Shtetet e Bashkuara dy ditë më vonë. Filmi fitoi një total prej 760 milionë dollarësh në mbarë botën kundër buxhetit prej 125 milionë dollarësh të shpenzuar për prodhimin e tij. Megjithëse filmi mori vlerësime përgjithësisht negative nga kritikët, ai u pasua nga dy të tjerë në vazhdim, “Ëngjëj dhe Djaj” në vitin 2009 dhe “Ferri” në vitin  2016.
 
Versioni Teatral
Bazuar në romanin klasik të Dan Braun-it, “Kodi i Da Vinçit” u ngjit në skenë në një version të ri skenik emocionues, i përshtatur nga Reiëll Uagstaf dhe Dunkan Ejbëll. Më 1 tetor 2021, u njoftua se në shfaqje do të luante Najgëll Hamen si Robert Langdon, Dani Xhon-Xhus si Sër Li Tiben dhe Hana Ros Keitën si Sofi Nëvë. Shfaqja pati premierën e saj botërore në Teatrin “Churchill”, Bromley më 10 janar 2022, përpara se të bënte turne në Mbretërinë e Bashkuar. Produksioni bëri premierën e tij në Amerikën e Veriut në “Ogunquit Playhouse” nga 24 gusht deri më 23 shtator 2023 me aktorë Majkëll Juri, Hana Kruz dhe Çarls Shunesi.
 
Rreth autorit
Daniel Gerhard Braun, i njohur shkurtimisht si Dan Braun, u lind më 22 qershor 1964, në  Eksëtër, Nju Hampshë të Shteteve të Bashkuara. Djali i një mësuesi matematike dhe një organisti kishtar, Braun u rrit në një kampus të shkollës përgatitore ku pati një magjepsje me ndërveprimin paradoksal midis shkencës dhe fesë. Këto tema formuan sfondin për librat e tij. Ai shkroi romane që janë thellësisht të angazhuara me tema të krishtera dhe trillime historike ku hulumtimet përqendroheshin në organizata sekrete dhe kishin komplote të ndërlikuara. Si rezultat librat e tij kanë shkaktuar polemika të shumta. Romanet e Dan Braunit janë përkthyer në 57 gjuhë dhe që nga viti 2012 janë shitur mbi 200 milionë kopje. Në vitin 2005, nga revista “Time”, Braun u cilësua një nga 100 njerëzit më me ndikim në botë.

No comments:

Post a Comment